The measure is available in the following languages:
LIGJ Nr. 9628, datë 30.10.2006 PËR RATIFIKIMIN E “MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMUNITETIT TË SANT’EGIDIO-S PËR SELINË DHE VEPRIMTARINË E KËTIJ KOMUNITETI NË SHQIPËRI”
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
Neni 1
Ratifikohet “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit të Sant’Egidio-s për selinë dhe veprimtarinë e këtij Komuniteti në Shqipëri”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.5114, datë 20.11.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
MARRËVESHJE
NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMUNITETIT SANT’EGIDIO NË LIDHJE ME SELINË DHE AKTIVITETIN E KËTIJ KOMUNITETI NË SHQIPËRI
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë (më tej referuar si Pala Shqiptare) dhe Komuniteti i Sant’Egidio, me seli qendrore në Romë (më tej referuar si Komuniteti):
duke njohur rëndësinë e veprimtarisë së organizatave dhe institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare me karakter publik dhe privat në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe me synimin për nxitjen e kulturës dhe pjesëmarrjes demokratike dhe solidaritetit ndërkombëtar;
duke marrë në konsideratë veprimtarinë disavjeçare të Komunitetit Sant’Egidio në rajone të ndryshme të botës për kryerjen e aktiviteteve me natyrë humanitare në shërbim të solidaritetit ndërkombëtar, e veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe të shërbimeve në dobi të njerëzve, si dhe për nxitjen e dialogut dhe bisedimeve ndërmjet Palëve për zgjidhjen paqësore të konflikteve në rajonin ballkanik;
duke vlerësur faktin që Komuniteti “Sant’Egidio” ka zhvilluar dhe zhvillon në territorin e Republikës së Shqipërisë një veprimtari të gjerë në fushën arsimore, shëndetësore dhe social- shëndetësore dhe vepron në funksion të zhvillimit demokratik dhe kulturor të popullatës në bashkëpunim me institucionet kompetente shqiptare, ranë dakord si më poshtë:
Neni 1
Statusi i Komunitetit
Pala Shqiptare njeh natyrën ndërkombëtare të veprimtarisë së Komunitetit dhe respekton pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij institucioni në aktivitetet që zhvillon në Republikën e Shqipërisë.
Komuniteti, përfaqësuesit dhe personeli i tij, në ushtrimin e aktivitetit të tyre në Republikën e Shqipërisë respektojnë dhe zhvillojnë funksionet e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë, duke respektuar privilegjet e parashikuara shprehimisht në këtë Marrëveshje.
Neni 2
Bashkëpunimi i ndërsjellë
Palët angazhohen të nxisin bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet tyre, duke respektuar pavarësinë e veprimtarive në kuadër të solidaritetit, të zhvillimit, paqes dhe menaxhimit të projekteve me karakter social.
Neni 3
Selia e Komunitetit në Shqipëri
Selia qendrore e Komunitetit në Shqipëri ndodhet në Tiranë, rruga: “Fadil Rada”, nr.78, tel/fax: 04 266122.
Komuniteti do të informojë me shkrim Ministrinë e Punëve të Jashtme për çdo ndryshim të mundshëm të selisë së tij qendrore.
Këshilli i kryesisë së Komunitetit e informon Ministrinë e Punëve të Jashtme për emrin e përgjegjësit të tij ligjor, i cili qëndron në këtë detyrë deri në një njoftim të dytë.
Për krijimin e selive të tjera, të cilat do të kenë të njëjta të drejta me selinë qendrore, sikurse parashikohet nga kjo Marrëveshje, pas miratimit nga Këshilli i Kryesisë së Komunitetit, është i nevojshëm miratimi i Palës Shqiptare, në bazë të kërkesës zyrtare të përfaqësuesit ligjor të Komunitetit.
Hapja e selive të tjera, që Komuniteti nuk do t’i gjykojë të arsyeshme të jenë të barasvlefshme me selinë qendrore, sikurse parashikohet nga kjo Marrëveshje, i nënshtrohen legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Pala Shqiptare angazhohet të marrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe qetësinë e selive të Komunitetit të parashikuara në këtë Marrëveshje, po ashtu dinjitetin e mjedisit rrethues, duke marrë në konsideratë ruajtje të veçantë që i kërkohet Palës Shqiptare nga Komuniteti po të jetë e nevojshme, si dhe dinjitetin e fasadës së selisë qendrore.
Neni 4
Imuniteti i selisë dhe arkivave të Komunitetit
Lokalet e selisë qendrore të Komunitetit janë të pacenueshme. Përfaqësuesit e shtetit shqiptar nuk mund të hyjnë në ambientet e selisë për të ushtruar funksionet e tyre pa miratimin paraprak të përfaqësuesit të Komunitetit në Shqipëri.
Përfaqësuesi i Komunitetit në Shqipëri detyrohet t’i përgjigjet çdo kërkese të autoriteteve shqiptare, brenda një periudhe të shpejtë kohe.
Miratimi i përfaqësuesit të Komunitetit për të hyrë në selinë qendrore të Komunitetit do të konsiderohet i dhënë, në rast fatkeqësish natyrore, rënie zjarri etj., si dhe në rastet kur ka të dhëna të besueshme për veprime kriminale në këto ambiente, në bazë të vendimit të organeve kompetente shtetërore. Kopja e këtij vendimi do t’i dorëzohet paraprakisht përgjegjësit ligjor të Komunitetit. Vetëm në raste veçanërisht të ngutshme, ky dokument mund të dorëzohet menjëherë pas ndërhyrjes së organeve përkatëse.
Arkivat e Komunitetit dhe në përgjithësi të gjitha dokumentet që i përkasin ose që mbahen prej tij janë të padhunueshme kudo që të ndodhen. Sido që të jetë, shqyrtimi i dokumenteve do të mundësohet nga përgjegjësi ligjor, pas kërkesës që do të bëhet nga ana e organit shtetëror përkatës. Përjashtim bëhet vetëm në rastet kur, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe në bazë të vendimeve të organeve kompetente shtetërore, është i nevojshëm shqyrtimi i dokumenteve zyrtare të Komunitetit.
Neni 5
Hyrja, qëndrimi dhe dalja nga territori i Republikës së Shqipërisë
Autoritetet shqiptare angazhohen të marrin masat e nevojshme me qëllim lehtësimin e hyrjes, qëndrimit dhe daljes së anëtarëve të huaj të Komunitetit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Autoritetet diplomatike dhe konsullore shqiptare të akredituara në shtetet e tjera do të trajtojnë me përparësi, në respektim të legjislacionit në fuqi, kërkesat për pajisje me vizë hyrjeje të anëtarëve të Komunitetit. Për këtë qëllim, Komuniteti do të njoftojë paraprakisht me shkrim Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Autoritetet shqiptare, në bazë të kërkesave dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të shqyrtojnë kërkesat për pajisje me leje qëndrimi të anëtarëve të Komunitetit.
Pala Shqiptare angazhohet për shpejtësinë e sigurinë e procedurës së lëshimit të vizës dhe, njëkohësisht, ruan të drejtën e moslëshimit të vizës.
Vizat e hyrjes, të lëshuara anëtarëve të Komunitetit, janë pa pagesë.
Neni 6
Përjashtime nga taksat doganore
Të gjitha importimet e realizuara nga Komuniteti, në kuadrin e programeve dhe veprimtarisë humanitare që ushtron në Shqipëri, do t’u nënshtrohen përjashtimeve nga taksat doganore dhe detyrimeve të tjera në import, sipas legjislacionit fiskal në fuqi.
Në rastet kur donatori nuk pranon të financojë pagimin e TVSH-së apo kostos lokale, ato financohen nga përfituesi apo investitori vendas i projektit dhe paguhen nga shoqëria sipërmarrëse e punimeve për zbatimin e projektit.
Komuniteti ka të drejtë të importojë sendet për përdorim zyrtar, duke qenë i përjashtuar nga taksat doganore dhe çdo detyrim fiskal, që nga çasti i hyrjes së tyre në territorin shqiptar.
Neni 7
Përdorimi i përkohshëm i ambienteve pa pagesë
Me kërkesë të Komunitetit, autoritetet shqiptare, brenda mundësive fizike dhe financiare, autorizojnë përdorimin e përkohshëm të ambienteve të ndryshme publike për aktivitete të caktuara të Komunitetit në funksion të veprimtarisë së saj, pa pagesë.
Neni 8
Ndihma e përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare
Përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë, brenda mundësive të tyre dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë dhe të vendit ku janë të akredituara, do të japin ndihmën e tyre në situata emergjente për anëtarët e Komunitetit që ndodhen në shtetet ku janë të akredituara.
Neni 9
Dokumenti i emërimit në detyrë
Komuniteti do t’i pajisë anëtarët e tij, me shtetësi të huaj ose shqiptare, me një dokument me fotografi të quajtur “Dokumenti i emërimit në detyrë”, që vërteton identitetin e mbajtësit dhe statusin e tij/saj si anëtar i personelit të Komunitetit.
Pala Shqiptare mund t’i kërkojë Komunitetit t’ia dorëzojë listën e personave që kanë të drejtë ta mbajnë këtë dokument.
Neni 10
Ndryshimet e kësaj Marrëveshjeje
Palëve.
Kushtet e kësaj Marrëveshjeje mund të ndryshohen në çdo kohë me marrëveshje ndërmjet
Neni 11
Hyrja në fuqi
Kjo Marrëveshje do të hyjë në fuqi datën e marrjes nga Komuniteti të njoftimit zyrtar të Palës Shqiptare për plotësimin e kërkesave të nevojshme ligjore për hyrjen në fuqi të saj.
Neni 12
Përfundimi
Kjo Marrëveshje mund të përfundojë me kërkesën me shkrim të njërës prej Palëve, me një paralajmërim paraprak prej 6 muajsh, pas të cilit efekti i kësaj Marrëveshjeje merr fund.
Neni 13
Origjinalet
Kjo Marrëveshje nënshkruhet në dy kopje origjinale në gjuhën shqipe dhe atë italiane, ku të dyja kopjet do të jenë të barasvlefshme.
Bërë në Tiranë, më 3.8.2006.