Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

LIGJ Nr. 98/2014 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 7895, DATË 27.1.1995, "KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË",TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 81, pika 2, shkronja "d", dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh dhe Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 

Në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

 

Neni 1

Pas nenit 53 shtohet neni 53/a me këtë përmbajtje:

"Neni 53/a

Zëvendësimi i dënimit me burgim me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit

Gjykata, në rastet kur parashikohet shprehimisht nga dispozita, kur çmon që vepra penale dhe autori i saj paraqesin rrezikshmëri të ulët shoqërore dhe kur cakton një dënim gjer në dy vjet burgim, mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit, duke llogaritur një ditë burgim me pesë mijë lekë.

Ky zëvendësim mund të vendoset kur është kërkuar nga autori i veprës penale.

Në rast se shuma e të hollave e vendosur nga gjykata nuk paguhet brenda 10 ditëve nga momenti  që  vendimi  merr  formë  të  prerë,  me  kërkesë  të  prokurorisë,  gjykata  vendos revokimin e vendimit për zëvendësimin e dënimit me burgim.".

 

Neni 2

Neni 137 ndryshohet si më poshtë:

"Neni 137

Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike

Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike, dëmtimi i matësit, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik ose rrjetin telefonik, e kryer me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet.

Kur kjo vepër penale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, ose nga përdoruesit jofamiljarë të energjisë elektrike ose të rrjetit të shërbimit telefonik, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.".

 

Neni 3

Në nenin 257/a bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në titull, pas fjalës pasurive shtohet shenja e pikësimit "," (presje) dhe fjalët "interesave privatë".

2. Paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë:

"Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.".

3. Në paragrafin e dytë, pas fjalës "pasurive" shtohet shenja e pikësimit "," (presje) dhe fjalët "interesave privatë".

 

Neni 4

Pas nenit 265 shtohen nenet 265/a, 265/b dhe 265/c me këtë përmbajtje:

"Neni 265/a

Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj

Pjesëmarrja në formacione luftarake, organizata ushtarake ose paraushtarake në një konflikt të armatosur që zhvillohet në territorin e një shteti të huaj ose pjesëmarrja në çdo lloj trajnimi të zhvilluar nga këto struktura, pa qenë shtetas në shtetin e huaj, pa qenë pjesëtar i forcave të armatosura të njërës prej palëve në konflikt ose misioneve ushtarake zyrtare të forcave të armatosura të një shteti që nuk është palë në konflikt ose misioneve ushtarake zyrtare të një organizate ndërkombëtare, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.

Kur kjo vepër penale kryhet me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues ose shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Neni 265/b

Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj

Nxitja, rekrutimi, organizimi, drejtimi, stërvitja, vënia në dispozicion e pajisjeve, krijimi ose përdorimi i fondeve ose mjeteve të tjera për financimin, mbështetjen materiale të personave, në çdo lloj forme dhe mënyre, për të kryer veprën penale të parashikuar nga neni 265/a dënohet me burgim nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 265/c

Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj

Thirrja në mënyrë publike me çdo lloj forme, mjeti dhe mënyre për të kryer veprën penale të parashikuar nga neni 265/a ose 265/b, dënohet me burgim deri në tre vjet.".

 

Neni 5

Në nenin 278 bëhen këto ndryshime:

1. Paragrafi i tretë ndryshohet si më poshtë:

"Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.".

2. Pas paragrafit të tretë shtohet paragrafi i katërt me këtë përmbajte:

"Mbajtja e bombave, minave ose lëndëve plasëse në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet.".

3. Paragrafi i katërt ekzistues bëhet paragrafi i pestë.

4. Paragrafi i pestë ekzistues bëhet paragrafi i gjashtë dhe në këtë paragraf fjalët "dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet" zëvendësohen me fjalët "dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet vjet".

 

Neni 6

Në nenin 282 bëhen këto ndryshime:

1. Në paragrafin e parë, fjalët "përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet" zëvendësohen me fjalët "dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet".

2. Në paragrafin e dytë, fjalët "dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dhjetë vjet" zëvendësohen me fjalët "dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet".

 

 

Neni 7

Neni 291 ndryshohet si më poshtë:

"Neni 291

Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt

Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë dënohet me burgim nga dhjetë ditë deri në tre vjet.

Gjykata mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit.".

 

Neni 8

Pas nenit 293/ç shtohet neni 293/d me këtë përmbajtje:

"Neni 293/d

Shitja e paautorizuar e kartave SIM

Shkelja e rregullave të caktuara për shpërndarjen, shitjen dhe pajisjen me produkte/karta SIM përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në gjashtë muaj.

 

Neni 9

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Miratuar në datën 31.7.2014

 

Shpallur me dekretin nr. 8676, datë 15.8.2014 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani