The measure is available in the following languages:
PËR FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
(LIGJ Nr.7978, datë 26.7.1995)
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni l
Forcat e Armatosura mbahen për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë si dhe të rendit kushtetues të saj. Ato përbëhen nga Ushtria, Forcat e Ministrisë së Brendshme dhe Forcat e Shërbimit Informativ Kombëtar.
Neni 2
Organizimi dhe veprimtaria e Forcave të Armatosura bazohet në Kushtetutë, në ligjet dhe në aktet nënligjore përkatëse.
Neni 3
Ushtria është forca kryesore e armatosur për mbrojtjen e Atdheut nga agresioni ushtarak i jashtëm. Ajo përbëhet nga Forcat Tokësore, Forcat e Mbrojtjes Ajrore, Forcat e Mbrojtjes Detare dhe Forcat Territoriale.
Neni 4
Forcat e Ushtrisë përdoren edhe për operacione paqeruajtëse, humanitare dhe të shpëtimit, si brenda dhe jashtë vendit. Në situata të jashtëzakonshme ato mund të përdoren edhe në ndihmë të rendit publik.
KREU II SHËRBIMI USHTARAK
Neni 5
Shërbimi ushtarak është e drejtë dhe detyrë për çdo shtetas shqiptar për mbrojtjen e Atdheut, Republikës së Shqipërisë.
Me hyrjen në shërbimin ushtarak, ushtarakët bëjnë betimin ushtarak me formulën:
“Si pjesëtar i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë betohem se do të jem ushtarak besnik i popullit tim, luftëtar i denjë, trim e i disiplinuar, do të zbatoj kërkesat e Kushtetutës e të ligjeve dhe do të jem i gatshëm në çdo kohë e në çdo vend duke mos kursyer as jetën time për mbrojtjen e Atdheut.
Ndëshkimi më i rëndë i ligjeve le të më jepet, në qoftë se shkel këtë betim solemn. Betohem”
Neni 6
Shtetasit shqiptarë, kudo që ndodhen, janë të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak aktiv ose rezervist në Republikën e Shqipërisë. Shërbimi ushtarak kryhet personalisht.
Neni 7
Shtetasit shqiptarë që mbushin moshën l6 vjeç merren në evidencë nga dega e mobilizimit.
Neni 8
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak aktiv kryhet nga shtetasit e moshës l9 deri 32 vjeç.
Në rastet kur shtetasi shmanget nga kryerja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, ndërkohë që është i regjistruar në listën e transportimit nën armë, pa mbushur moshën 32 vjeç, përveç sanksioneve të tjera të parashikuara me ligj, ai detyrohet të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv deri në moshën 40 vjeç.
Neni 9
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak rezervë kryhet nga shtetasit e moshës deri në 55 vjeç, pasi kanë kryer shërbimin ushtarak aktiv ose e kanë kaluar moshën 40 vjeç pa kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv.
Për nevojat e mbrojtjes kryejnë shërbim ushtarak rezervë vullnetarisht edhe shtetaset femra në moshë l9-40 vjeç.Për specialitete të veçanta deri 45 vjeç.
Në rast mobilizimi të përgjithshëm, mosha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv e rezervë ndryshon në përshtatje me situatat dhe nevojat e Forcave të Armatosura me ligj të Kuvendit Popullor ose me dekret të Presidentit të Republikës.
Neni 10
Thirrja për kryerjen e shërbimit ushtarak aktiv fillon nga data që shtetasi mbush moshën 19 vjeç.
Neni 11
Shtetasit shqiptarë të moshës l6-32 vjeç, kudo që ndodhen edhe kur nuk janë lajmëruar, detyrohen të paraqiten vetë në degën e mobilizimit për regjistrim, të pajisur me librezë ushtarake gati për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv.
Neni 12
Shtetasi që është vënë në thirrje për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, nuk pajiset me pasaportë për jashtë shtet.
Shtetasi shqiptar kur do të largohet jashtë shtetit, para largimit detyrohet të nënshkruajë me degën përkatëse të mobilizimit përkatës kontratën për kohën e kryerjes së këtij shërbimi.
Kontrata të nënshkruhet nga kryetari i degës përkatëse të mobilizimit, prindi(kujdestari)kur shtetasi nuk ka mbushur moshën 18 vjeç dhe vetë shtetasi.
Për rastet kur shtetasi që është vënë në thirrje ka mbushur moshën 18 vjeç kontrata nënshkruhet nga kryetari i degës përkatëse të mobilizimit dhe vetë shtetasi.
Në kontratë përcaktohet afati i largimit për jashtë shtetit dhe i paraqitjes në degën përkatëse të mobilizimit mbas kthimit si dhe detyrimi në rast se kontrata shkelet. Kontrata lidhet për një afat deri në dy vjet.
Kushtet e kontratës dhe detyrimet përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Urdhëri për shlyerjen e detyrimit të parashikuar në kontratë përbën titull ekzukutiv.
Organet e rendit të mos paijsin me pasaportë shtetasin pa paraqitur dokumentin nga dega përkatëse e mobilizimit që vërteton se shtetasi ka bërë ndryshimet në Degën e mobilizimit.
Neni l3
Rezervistët që largohen jashtë shtetit për punësim ose për arsye të tjera mbi 6 muaj detyrohen të paraqiten më parë në degën përkatëse të mobilizimit për të bërë veprimet në evidencë. Brenda 60 ditëve të largimit jashtë shtetit ata detyrohen të paraqiten në përfaqësitë konsullore ose diplomatike shqiptare për t’u marrë në evidencë.
Këto të fundit bëjnë veprimet për marrjen në evidencë dhe brenda 60 ditëve njoftojnë Ministrinë e Mbrojtjes.
Neni l4
Koha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Forcat e Armatosura është:
a) Për ushtarët aktivë - 12 muaj;
b) Për ushtarët rezërvistë - 6 muaj;
c) Për nënoficerët rezervistë - 7 muaj;
d) Për oficerët rezervistë - 8 muaj
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak i rezervistëve kryhet pas kryerjes së shërbimit ushtarak aktiv, zakonisht një muaj në çdo katër vjet.
e) Teknika, automjetet dhe kafshët mund të merren për stërvitje e prova gatishmerie deri gjysmën e kohës së thirrjes të efektivit te repartit (nënrepartit) ushtarak ku janë në organikë.
Në rast mobilizimi të pjesshem ose të përgjithshëm,koha e shërbimit ushtarak zgjatet edhe për aq kohë sa vazhdon ky mobilizim,me ligj ose me dekret të Presidentit të Republikës.
Për kohën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak rezervist,të thirrurit nën armë paguhen nga qendrat ku janë të punësuar efektivisht.
Neni 15
Shtetasit shqiptarë që janë të aftë e brenda moshës për kryerjen e shërbimit ushtarak aktiv, mund të përjashtohen nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak duke paguar personalisht një sasi të caktuar parash.
Kriteret dhe shuma e detyrimit në këto raste caktohen me vendim te Këshillit të Ministrave. Shtetasit shqiptarë që ndodhen jashtë shtetit për punësim, kur thirren për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, për ta shtyrë një vit këtë shërbim, duhet t’i paguajnë shtetit një shumë të caktuar parash.
Atyre që ju jepet leje për 1 vit, në qoftë se vitin e dytë nuk paraqiten dënohen me burgim sipas paragrafit të fundit të këtij neni.
Shtetasit shqiptarë që janë brenda moshës së shërbimit te detyrueshëm ushtarak aktiv dhe nuk i përgjigjen detyrimit për pagesë ose nuk paraqiten për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv dënohen me burgim nga 6 muaj deri në 4 vjet.
Neni 16
Shtetasit që kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv mund të lidhin kontratë me komandën e njësisë për të vazhduar shërbimin ushtarak në Forcat e Armatosura me pagesë.
Kontrata lidhet me afat jo më pak se 3 vjet.
Neni l7
Kur shtetasit shqiptarë që janë thirrur për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv kanë kushte të rënda ekonomike familjare, shteti merr masa për ndihmë ekonomike-sociale.
Kushtet dhe kriteret e dhënies së kësaj ndihme përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 18
Thirrja e shtetasve për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, caktimi i tyre në armët e shërbimet e FA bëhet nga dega e mobilizimit. Koha e thirrjes, lirimi dhë mënyra e organizimit të mobilizimit ushtarak bëhet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.
Për përcaktimin e aftësive fiziko-shëndetësore dhe kryerjen e shërbimit te detyrueshëm ushtarak aktiv e rezervë, pranë degëve të mobilizimit krijohen komisione, përbërja dhe detyrat e të cilave caktohen nga ministri i Mbrojtjes.
Në qoftë se komisioni vendos që shtetasi të përjashtohet nga shërbimi i detyrueshem ushtarak aktiv,rasti shqyrtohet detyrimisht nga komisioni epror i Spitalit Qendror të Ushtrise. Kur ky komision është i një mendimi me komisionin e bazës,vendimi së bashku me dokumentet përkatese i dergohen ministrit të Mbrojtjes.
Raporti hyn në fuqi me firmosjen nga ministri i Mbrojtjes.
Organet dhe institucionet e ndryshme shtetërore vënë në dispozicion të komisioneve ushtarako-mjekësore personelin mjeksor, pajisjet dhe medikamentet sipas kërkesave të degëve të mobilizimit.
Vënia në dispozicion e personelit mjekësor, pajisjeve, medikamenteeve dhe shpërblimi për to rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 19
Ushtarakët përfitojnë shërbim shëndetësor falas në të gjitha institucionet shëndetësore shtetërore.
Kriteret e përfitimit të këtij shërbimi përcaktohen me vendim të Këshillit te Ministrave.
Neni 20
Shtetasit që thirren për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, paraqiten në vendin dhe në afatin e caktuar.
Lajmërimi i shtetasve bëhet me fletëthirrje (listë thirrje) dhe me anë të radios e të televizionit shtetëror.
Me kërkesë të kryetarit të degës së mobilizimit ata që nuk paraqiten mbas këtij njoftimi sillen të shoqëruar nga policia e rendit.
Neni 21
Shtetasi që është duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, nuk thirret për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv e rezervë Gjykata, kur jep dënim me burgim ndaj shtetasve që i nënshtrohen shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv e rezervë, dhe organet përkatëse që kanë filluar ndjekjen penale ndaj tyre, brenda l0 ditëve, i dërgojnë njoftim degës së mobilizimit që e ka në evidencë shtetasin. Komandat e reparteve të riedukimit, me lirimin e personave të dënuar, njoftojnë degët e mobilizimit përkatëse brenda 15 diteve.
Komandat e riedukimit, 30 ditë përpara lirimit të të dënuarit, në rastet kur ky nuk ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, njoftojnë degët e mobilizimit të cilat detyrohen të marrin kontakt me të dënuarin, evidencojne të dhënat e nevojshme dhe i caktojnë atij datën e paraqitjes për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv.
Shërbimi ushtarak aktiv në këto raste është i detyruar për të gjithë shtetasit deri në moshën 40 vjeç.
Degët e mobilizimit njoftohen brenda 15 ditëve nga organet përkatëse edhe në rastet e pushimit të çështjes penale, të ndryshimit të arrestimit si masë sigurimi dhe kur jepet pafajësi.
Kur shtetasi, gjatë kohës së kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, dënohet me burgim, dhe kur largohet pa leje nga reparti gjatë kohës së kryerjes së shërbimit, koha e vuajtjes së dënimit penal dhe koha e largimit pa leje nga reparti nuk llogariten në afatin e kryerjes së shërbimit ushtarak.
Neni 22
Lirimi para kohe nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak aktiv për ata që deklarohen të paaftë për shkaqe shëndetësore, bëhet me vendim të komisionit mjekësor ushtarak epror. Ky vendim hyn në fuqi pasi firmoset nga ministri i Mbrojtjes.
Raportet mjekësore qe u jepen ushtarakëve (ushtarëve dhe rezervistëve) për paftësi të përkohshme deri në dy muaj konfirmohen nga komisioni mjekësor i degës së mobilizimit të rretheve dhe shërbimi shëndetësor i njësisë ndërsa mbi dy muaj konfirmohen nga Spitali Qendror i Ushtrisë.
Koha e paaftësisë së përkohshme për shërbim të detyrueshëm ushtarak aktiv deri në 6 muaj llogaritet në kohën e shërbimit ushtarak aktiv, ndërsa kur kjo paaftësi zgjat mbi 6 muaj, periudha mbi 6 muaj nuk llogaritet në kohën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Neni 23
Kryerja e shërbimit ushtarak aktiv për studentët e shkollave të larta ushtaraketë fillon nga dita e pranimit në shkollë. Kur studenti ndërpret studimet për shkaqe të papërligjura dhe afati i kryerjes së shërbimit ushtarak nuk është plotësuar dërgohet për ta plotësuar atë në repartet e ushtrisë.
Neni 24
Shtetasit që studiojnë në shkollat e larta me shkëputje nga puna, brenda dhe jashtë vendit, thirren për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv menjëherë pas përfundimit të studimeve. Ata që nuk përfundojnë shkollën e lartë brenda moshës 32 vjeç, ndërpresin studimet dhe thirren për kryerjen e këtij shërbimi. Shtetasit që mbarojnë arsimin e lartë e kryejnë shërbimin ushtarak në reparte speciale në përputhje me kualifikimin e tyre.
Për shtetasit që mbarojnë studimet e larta universitare me shkëputje nga puna deri në 31 dhjetor të vitit 2000, koha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv është 6 muaj, me përjashtim të rasteve të parashikuara ne neniet 24/a dhe 24/b të ligjit nr.7527, datë 11.12.1991 “Për shërbimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
Neni 25
Shtetasit shqiptarë kur thirren për shërbim ushtarak aktiv ose rezervë për stërvitje, forma të tjera të përgatitjes ushtarake dhe për kushtrim e mobilizim të pjesshëm a të përgjithshëm, njoftohen nga bashkia e komunat me kërkesën që paraqesin degët e mobilizimit ose komandat e njësive e reparteve sipas rregullave që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Shtetasit shqiptarë që ndodhen jashtë shtetit për punësim,shërbim ose arsye të tjera, në rast shpallje të mobilizimit të pjesshëm ose të përgjithshëm, detyrohen të kthehen në atdhe. Lajmërimi i tyre bëhet nga konsullata (përfaqësia diplomatike) shqiptare sipas kërkesave dhe kritereve të përcaktuara nga ministri i Mbrojtjes.
Përjashtim bëjnë vetëm të shtruarit në spitale ose me raporte paaftësie të vërtetuara nga një komision mjekësor. Me daljen nga spitali ose përfundimin e raportit ai paraqitet menjëherë sipas thirrjes.
Neni 26
Plotësimi i njësive ushtarake me rezervistë, automjete, kafshë e teknikë tjetër të nevojshme bëhet mbi bazë territori të rrethit dhe kur është e nevojshme edhe jashtë tij.
Organet e pushtetit lokal për rastet e provave të gatishmërisë, mobilizimit të pjesshëm a të përgjithshëm detyrohen të organizojnë mbi bazë lagje, rruge, fshati, komune, bashkie, rrethi etj., sistemin e lajmërimit me korrier mjete sinjalizuese e forma të tjera për njoftimin dhe paraqitjen e të mobilizuarve në kohën dhe vendin e duhur.
Kriteret për organizimin e këtij sistemi përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 27
Nuk marrin pjesë në stërvitje, kushtrim ose forma të tjera të përgatitjes ushtarake.
a) Deputetët, ministrat, titullarët e institucioneve qendrore, prefektët, kryetarët e këshillave të rretheve e bashkive, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës së Kasacionit, kryetarët e Gjykatave të Apelit e të rretheve,prokurorët e rretheve, ata që ndodhen jashtë shtetit në përfaqësitë tona, për studime ose kurime, dhe të gjithë ata, që nga ministritë ose institucionet e tjera qendrore përcaktohen si persona që kanë detyra kritike, ndërprerja e të cilave dëmton rëndë sektorët jetikë të shtetit ose të ekonomisë. Përjashtohen edhe ato organizma që veprojnë në situatë të veçantë, të përcaktuara me vendim te Këshillit të Ministrave.
b) Të sëmuret që vërtetojnë paaftësinë e përkohshme me raporte të komisionit mjekësor, të shtruarit në spital.
c) Të arrestuarit e të denuarit me burgim, për gjithë periudhën e arrestimit e të vuajtjes së dënimit.
KREU III
OFICERËT DHE NËNOFICERËT
Neni 28
Oficer aktiv i Forcave të Armatosura mund të bëhet çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë që ka përfunduar shkollën e lartë ushtarake ose arsimin e lartë civil të plotësuar me kurse të nevojshme të kualifikimit ushtarak. Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak të oficerëve aktivë rregullohet me ligj të veçantë.
Shtetasit që janë dënuar për përvetësime, falsifikime të dokumenteve zyrtare ose për shpërdorim detyre, nuk merren si oficer aktiv.
Neni 29
Nënoficer aktiv i Forcave të Armatosura mund të bëhet çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë që ka pergatitje tekniko-profesionale në përshtatje me detyrën e ngarkuar, arsim të mesëm ose të lartë dhe që ka kryer shërbimin e detryrueshëm ushtarak aktiv,përveç femrave për të cilat nuk kërkohet një kusht i tillë.
Shtetasit që janë dënuar për përvetësime, falsifikime të dokumenteve zyrtare ose për shpërdorim detyre, nuk merren si nënoficer aktivë.
Nënoficeri i karrierës përveç kushteve të mësipërme duhet të ketë kryer shkollën për përgatitjen e nënoficerëvetë karrieres, në specialitetin përkatës.
Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak të nënoficerëve aktivë është deri në 55 vjeç për burrat dhe deri në 50 vjeç për gratë.
Neni 30
Oficerëve dhe nënoficerëve aktivë, vjetërsia e shërbimit ushtarak u llogaritet nga dita e hyrjes në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë si ushtarë, kursantë ose studentë ushtarakë (në shkollat e larta ushtarake e civile).
Neni 31
Oficer dhe nënoficer rezervist mund të jetë çdo shtetas me arsim të mesëm ose të lartë që ka kualifikimin e nevojshëm ushtarak. Ata kryejnë detyra të shërbimit ushtarak në radhët e Forcave të Armatosura në një periudhë kohe të caktuar. Kur nuk caktohen në detyra të tilla, mbahen në evidencë nga degët të mobilizimit dhe kur lind nevoja thirren.
Rregullat për titullimin, emërimin në detyrë dhe nxjerrjen në lirim të oficerave dhe
nenioficerëve rezervistë caktohen nga ministri i Mbrojtjes dhe ai i Brendshëm.
Kur oficeri dhe nënoficeri rezervist nuk ka rezultate në detyrën që kryen ose shkel ligjet; oficeri ulet në detyrë dhe bëhet nënoficer ndërsa nënoficeri rezervist bëhet ushtar.Për oficerët urdhri jepet përkatesisht nga ministri i Mbrojtjes dhe ai i Brendshëm ndërsa për nënoficerët nga organi që i ka në emërtesë.
Neni 32
Emërimi në detyrë, gradimi, transferimi, nxjerrja në rezervë dhe në lirim e oficerëve aktivë dhe nënoficerevë të karrieres bëhet përkatësisht me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Brendshëm ose kryetarit të SHIK-ut.
Për oficerët aktivë me gradë madhore emërimi në detyrë, gradimi, transferimi, nxjerrja në rezervë dhe në lirim bëhet me dekret të Presidentit të Republikës me propozim të Kryetarit të Këshillit të Ministrave.
Oficerët dhe nënoficerët e karrierës mund të komandohen për detyra të veçanta deri në një vit. Të drejtat dhe kompetencat për komandim përcaktohen me akte nënligjore nga ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm e kryetari i SHIK-ut.
Të gjithë oficerët e nënoficerët e karrierës sapo fillojnë studimet në shkollat ushtarake nënshkruajnë kontratën në të cilën parashikohen kushtet dhe sanksionet në rast mosrespektimi. Urdhri i Ministrit përkatës për detyrimin në rast mosrespektimi të kontratës përben titull ekzekutiv.
Oficerët aktiv të Forcave të Armatosura dalin në rezervë në këto raste:
a) Kur bëhen shkurtime organike për shkak të reformës në ushtri dhe nuk mund te sistemohet në detyrë tjetër.
b) Kur bëhet i paaftë për të shërbyer në Forcat e Armatosura si oficer aktiv i vërtetuar me raport mjekësor nga komisioni i Spitalit Qendror të Ushtrisë.
c) Me kërkesën e tij kur ka mbushur afatin për pension të pjesshëm ose plotëson kontratën e nënshkruar si oficer akti
ç) Kur nuk plotëson kushtet dhe kriteret e testimit për një gradë më të lartë dhe për gradën që mban nuk mund të sistemohet në detyrë.
d) Transferohet në një detyrë tjetër jashtë radhëve të Forcave të Armatosura.
e) Kur mbushin moshën për pension të plotë pleqëri
Oficerët aktivë dalin në lirim në këto raste:
a) Kur shkelin ligjet ose thyejnë rëndë e në mënyrë të përsëritur disiplinën ushtar
b) Kur braktisin detyrën dhe prishin kontratën e nënshkruar në mënyrë të njëanshm
Për shkaqet e parashikuara në këtë neni nënoficerët aktivë të Forcave të Armatosura nxirren në lirim.
Për të gjitha mosmarrëveshjet që lindin në këto raste, ushtaraku ka të drejtë të ankohet në
gjykatë brenda l0 ditëve nga dita e komunikimit të urdhrit.
Mënyra e shpërblimit dhe trajtimi i ushtarakëve që dalin në rezervë ose në lirim rregullohet me dispozita të veçanta.
KREU IV
EVIDENCA USHTARAKE
Neni 33
Në çdo prefekturë mbi bazë territori e rrethi funksionojnë një ose disa degë mobilizimi.
Këto degë krijojnë evidencat e nevojshme për mobilizimin e resurseve(me njerëz, kafshë, teknikë etj.) dhe veprojnë mbi bazën e dispozitave ligjore në fuqi dhe të rregullores përkatëse.
Neni 34
Degët e mobilizimit për problemet e plotësimit,të evidencimit, të planifikimit dhe të përdorimit të kontingjenteve njerëzore, të kafshëve, të automjeteve, të traktorëve dhe të teknikës tjetër, si dhe për përgatitjen tekniko-profesionale të personelit varen nga Ministria e Mbrojtjes (Drejtoria e Organizimit Ushtarak).
Për problemet e plotësimit të njësive, të reparteve dhe institucioneve ushtarake, për organizimin e lajmërimit dhe mobilizimit, degët e mobilizimit përgjigjen para prefektit.
Neni 35
Ministritë dhe institucionet qendrore,organet e administratës shtetërore, ndërmarrjet, institucionet e tjera, organizatat politike,ekonomike e shoqërore, personat juridikë dhe punëdhënësit privatë, detyrohen t’u japin në kohë degëve të mobilizimit te gjitha të dhënat e nevojshme për shtetasit, kafshët, automjetet e teknikën që disponojnë si dhe të gjitha ndryshimet që pësojnë ato.
Neni 36
Zyrat e gjendjes civile detyrohen t’u japin degëve të mobilizimit listat e të rinjve që mbushin moshën l6 vjeç me adresën, vendlindjen e vendbanimin, me përberjen familjare dhe ndryshimet për to. Degët e mobilizimit evidencojnë dhe verifikojnë të dhënat e mësipërme, organizojnë e zhvillojnë kontrollet mjekësore dhe pajisin shtetasit me dokumentet përkatëse ushtarake.
Neni 37
Në rast mobilizimi e lufte, ministritë, inistitucionet e tjera qendrore, organet e administratës shtetërore, ndërmarrjet, insititucionet e organizatat politike, ekonomike e shoqërore, persona të tjerë juridikë dhe punëdhënësit privatë, për kompletimin e Forcave të Armatosura detyrohen të venë në dispozicion të degëve të mobilizimit dhe të reparteve ushtarake, objekte të veçanta të pasurisë së luajtshme dhe të paluajteshme, automjetet,traktorët së bashku me shoferët e traktoristët, si dhe teknikën tjetër të nevojshme, ne bazë të rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 38
Të dhëna të nevojshme, në kuptim te nenit 35 të këtij ligji, janë sidomos:
- njoftimet për largimet nga qendrat e punës e te banimit brenda e jashtë rrethit ose jashtë shtetit, ndryshimet që pësojnë shtetasit në aftësinë fiziko-shëndetësore nivelin arsimor, dënimet, vdekjet e të dhëna të tjera të kësaj natyre.
- ndryshimet për kafshët e ngarkesës, si dhe njoftimet për gjendjen e gatishmërinë teknike të automjeteve e të autotraktorëve.
- krijimi i ndërmarrjeve shtetërore ose private,i institucioneve e qendrave të ndryshme të
punës si dhe pushimi i veprimtarisë të tyre.
Neni 39
Bashkitë e komunat njoftojnë shtetasit rezervistë për kryerjen e stërvitjes së radhës, për provë gatishmërie e kushtrimi luftarak, sipas kërkesës që bëjnë komandat e njësive dhe degët e mobilizimit.
Neni 40
Shtetasit që i nënshtrohen shërbimit ushtarak rezervë,kur ndryshojnë vendbanimin, qendrën e punës, bëhen të paaftë fizikisht për shërbimin ushtarak e përgatiten për të dalë për periudha të gjata jashtë shtetit, kur kthehen nga jashtë shtetit, si dhe kur lirohen nga shërbimi ushtarak aktiv detyrohen të paraqiten brenda l0 ditëve në degën e mobilizimit dhe në repartin ku janë inkuadruar për të bërë ndryshimet e evidencës.
Neni 41
Ministritë, institucionet e tjera qendrore, organet e pushtetit lokal, ndërmarrjet dhe institucionet e tjera, organizatat politike, ekonomiko-shoqerore, personat e tjerë juridikë e punëdhënësit privatë detyrohen të mos pranojnë në punë punonjësit që i nënshtrohen shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv e rezervist pa bërë më parë ndryshimet e evidencës ushtarake.
Neni 42
Shtetasit që thirren për të kryer shërbimin ushtarak, për stërvitje, prova gatishmërie e mobilizimi, kurse e forma të kualifikimit ushtarak dhe për kontroll e regjistrim në evidencën ushtarake, detyrohen të paraqiten menjëherë në vendin dhe afatin e caktuar.
Neni 43
Drejtuesit e ministrive, institucioneve e organeve të tjera qendrore, organet e pushtetit lokal, ndërmarrjet dhe institucionet e tjera, organizatat politike, ekonomiko-shoqërore, personat e tjerë juridikë dhe punëdhënësit privatë detyrohen të mos pengojnë shtetasit për kryerjen e shërbimit ushtarak për stërvitje,provë gatishmërie ose mobilizimi,kurse e forma kualifikimi ushtarak.
Ndalohet mbajtja e pranimi në punë i shtetasve që thirren për të kryer detyrimet e mësipërme.
Neni 44
Të gjithë shtetasit që janë në evidencë ushtarake, gjatë stërvitjes, provave të kushtrimit, kryerjes së shërbimit ushtarak aktiv dhe veprimeve në degët e mobilizimit, duhet të kenë me vete librezën ushtarake bashkë me shenjën personale.
Për dëmtimin dhe humbjen e tyre njoftohet dega e mobilizimit e cila bën ripajisjen kundrejt pagesës.
Neni 45
Shmangia e shtetasit shqiptar nga regjistrimi, mosbërja e ndryshimeve në evidencën ushtarake kur kryhen për herë të parë dënohen me gjobë nga 1 000 deri në 25 000 lekë.
Shmangia e shtetasit shqiptar nga thirrja për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv dënohet për çdo ditë mosparaqitje 1000 lekë gjobë dhe mbas 15 ditësh mosparaqitje dënohet penalisht.
Shmangia e shtetasit shqiptar nga thirrja për stërvitje ushtarake apo nga prova e gatishmërisë dhe e mobilizimit kur kryhet për herë të parë dënohet me gjobë nga 10 000-25 000 lekë.
Shkeljet e tjera të parashikuara në këtë Ligj dënohen me gjobë nga 5.000 50 000 lekë. Gjoba në të gjitha rastet jepet nga kryetari i degës së mobilizimit.
Vlefta e gjobës së parashikuar në këtë neni ndryshohet me vendim të Këshillit të Ministrave në vartësi të inflacionit dhe të ndryshimit të nivelit të jetësës.
Ankimi kundër vendimit të dënimit me gjobë dhe vjelja e gjobave bëhet sipas rregullave të përcaktuara në ligjin “Për kundërvajtjet administrative”. Nga vjelja e gjobave 80 për qind e vlerës kalojnë në favor të Ministrisë së Mbrojtjes dhe 20 për qind në buxhetin e pushtetit lokal.
KREU V
SIGURIMI MATERIAL E FINANCIAR I FORCAVE TË ARMATOSURA DHE DISA TË DREJTA PËR PAGAT E SHPËRBLIMET PËR USHTARAKËT
Neni 46
Sigurimi material e financiar për plotësimin e detyrave të mbrojtjes së vendit dhe kryerjen e shërbimit ushtarak bëhet nga buxheti i shtetit. Masa e buxhetit për llogari të mbrojtjes caktohet nga Kuvendi Popullor, në bazë të propozimit të Këshillit të Ministrave.
Kriteret e përdorimit të fondeve dhe kompetencat përkatëse përcaktohen me dispozita të Këshillit të Ministrave.
Sigurimi material e financiar i familjeve të shtetasve të thirrur në shërbim ushtarak në kohë luftë, rregullohet me dispozita të Këshillit të Ministrave.
Përballimi i shpenzimeve për paga, veshmbathje, ushqime etj. të shtetasve që thirren në shërbim ushtarak aktiv a rezervist në kohë paqeje ose lufte bëhet nga njësitë e repartet ushtarake.
Neni 48
Ushtaraku gëzon status të veçantë.
Statusi i ushtarakut rregullohet me ligj të veçantë.
Neni 49
Ushtarët,nxënësit dhe studentët ushtarakë të veshur me uniformë, udhëtojnë pa pagesë në të gjitha llojet e transportit shtetërore të udhëtarëve brenda vendit.
Neni 50
Në raste të veçanta, për rezultate shumë të mira në stërvitje e gatishmëri, ruajtjen e administrimin e pronës, si dhe kur kryen detyra me rreziqe e mundime të veçanta për jetën e tij, ushtarakëve të shërbimit aktiv u jepet shpërblim në masën deri në 6 (gjashtë) paga mujore në vit me miratim të Ministrit.
Kursantit dhe studentit të shkollave ushtarake dhe ushtarit u jepet shpërblim në masën e 3 (tre) paga bazë të funksionit organik më të ulët të oficerit.
Ish-ushtarakët që kanë dalë në pension ose për arsye të ndryshme kanë dalë në rezervë para kohë nga strukturat e Forcave të Armatosura,kur aktivizohen në interes të zgjidhjes së problemeve të ndryshme sipas punës së bërë marrin shpërblimin e funksionit ku punojnë.
Oficerëve dhe nënoficerëve të shërbimit aktiv të përhershëm, në rast fatkeqësie natyrore, vdekje ose sëmundje të rëndë e të gjatë të tyre u jepet ndihmë e menjëhershme në masën e 3 (tre) pagave mujore, ndërsa për pjesëtarët e familjes në ngarkim të tyre deri në 1 (një) pagë mujore.
Ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm, nxënësve, kursantëve, studentëve të shkollave ushtarake e rezervistëve(në kohën e stërvitjes),u jepet ndihmë e menjëhershme në masën e 6 (gjashtë) pagave mujore të funksionit organik më të ulët të oficerit, në rast vdekje të tyre.
Kur ushtaraku për shkak të detyrës humbet jetën, ose bëhet i paaftë pjesëtarët e familjes përfitojnë pension familjar në masën 100 për qind të pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga periudha e sigurimit të të ndjerit.
Kur ushtaraku për shkak të aftësive të kufizuara caktohet në një pune a detyrë që paguhet më pak deri në kohën e riaftësimit të plotë përfiton kompesimin e pagës mujore që kishte.
Masa e shpërblimit dhe e ndihmës së menjëhershme caktohet e jepet me urdhër të titullarit të njësive, institucioneve dhe ndërmarrjes ushtarake ku është fiktiv apo ka shërbyer ushtaraku.
KREU VI
DISIPLINA, UNIFORMA, JETA E BRENDSHME DHE SHËRBIMI I ROJËS NË FORCAT ARMATOSURA
Nocione
Neni 51
a) Baza e Forcave të Armatosura është disiplina ushtarake. Të gjithë ushtarakët vartës dhe eprorë janë të detyruar të zbatojnë pa diskutim Kushtetutën, ligjet, rregulloret ushtarake dhe urdhrat sipas hierarkisë.
Për shkeljet e disiplinës ushtarake jepen masa disiplinore, administrative ose penale.
Rregulla të hollësishëm për disiplinën ushtarake, për stimujt moralë dhe materialë, llojet e masave disiplinore, kompetencat e komandave në dhënien e tyre dhe ankimet e raportimet përcaktohen në rregulloret-bazë përkatëse.
b) “Shefi” është personi autoritar që ka të drejtë t’u japë urdhër vartësve të tij.
c) “Eprori” është ushtaraku me gradë më të lartë. Ai është autoriteti që u jep urdhra vartësve për probleme disiplinore.
ç) “Vartës” është personi me gradë më të ulët .
d) “Komandanti” është personi që komandon njësi strategjike, operative, njësi, reparte e nënreparte taktike të mbështetjes luftarake e administrati
e) “Autoritet” është personi që ka të drejtë të përdorë forcën që i ka dhënë ligji.
ë) “Urdhri” është ushtrimi i autoritetit që i është dhënë për kryerjen detyrave.
f) “Komandimi” është ushtrimi i autoritetit të dhënë nga ligji sipas shkallëve që nga nënreparti e njësitë më të ulëta deri te njësitë më të larta.
g) “Drejtimi” e “kontrolli” është veprimtaria e organizuar e komandantëve në përdorimin e reparteve e njësive brenda kuadrit të komandimit.
gj) “Masa” është ushtrimi i autoritetit nga ana e eprorëve sipas ligjit, vendimeve, urdhrave për ruajtjen e vazhdimësisë së disiplinës.
h) “Stimuli” është formë shpërblimi që i jepet personit për rezultate të larta në realizimin e detyrave.
i) “Uniforma është veshja që përdoret sipas modeleve të miratuara në rregulloren dhe albumet e veshmbathjes të Forcave të Armatosura për personelin ushtarak dhe civil.
Çdo ushtarak është i detyruar të mirëmbajë dhe ta përdorë uniformën sipas modeleve të përcaktuara, në të kundërt i jepet masë disiplinore materiale ose penale.
Jeta e brendshme në forcat e armatosura
Neni 52
Jeta dhe veprimtaria e Forcave të Armatosura organizohet, drejtohet dhe zhvillohet në bazë të ligjeve, akteve nënligjore, rregulloreve ushtarake, urdhrave dhe udhëzimeve.
Shërbimi i rojës
Neni 53
Shërbimi i rojës organizohet për ruajtjen e jetës së njerëzve, objekteve pronës ushtarake etj. nga veprimtaria keqbërëse dhe nga të gjitha shkaqet e faktorët që sjellin pasoja negative. Ai bazohet në zbatimin me përpikëri të ligjeve, akteve nënligjore, rregulloreve, urdhrave e udhëzimeve.
KREU VII
Neni 54
Përpara drejtësisë të gjithë ushtarakët janë të barabartë pa dallim grade dhe funksioni.
Komisionet disiplinore
Neni 55
Komisionet disiplinore krijohen me qëllim që të realizojnë disiplinën brenda garnizonit ku është organizuar ky komision.
Neni 56
Komisionet disiplinore organizohen në nivelin e batalionit (grupi) dhe kur ndihet e nevojshme në nivel brigade.
Neni 57
Në çdo garnizon (brigadë, batalion) komisionet disiplinore që do të krijohen përbëhet nga 3 (tre) veta, një prej të cilëve është kryetar. Këta anëtarë janë oficerë të këtij reparti dhe nuk është e domosdoshme të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik.
Neni 58
Në çdo garnizon (brigadë-batalion) caktohet një oficer disiplinor. Detyra këtij oficeri është grumbullimi e përpilimi i dokumenteve të nevojshme dhe dërgimi i tyre komisionit disiplinor.
Neni 59
Oficri disiplinor, në të njëjtën kohë është edhe këshilltar i gjykimeve disiplinore të komandantit.
Neni 60
Oficeri disiplinor bën detyrën si prokuror në komisionin disiplinor.
Neni 61
Çështjet që do të gjykojë komisioni disiplinor janë ato që përcaktohen në këtë ligj dhe në rregulloren e disiplinës.
Neni 62
Komisioni disiplinor ka kompetencë të japë dënim deri në 1 muaj ndalim disiplinor.
Neni 63
Vendimet e komisioneve disiplinore marrin formë të prerë me miratimin e komandantit të repartit ku është organizuar ky komision dhe me miratimin e këtij vendimi nuk njihet e drejta e ankimit.
Neni 64
Ushtarëve dhe nënoficerëve të shërbimit të detyrueshëm që dënohen nga komisioni disiplinor, ndalimi disiplinor nuk u llogaritet në kohën e shërbimit ushtarak.
Neni 65
Bashkëngjitur këtij ligji është vendosur një pasqyrë që tregon kufijtë e masave disiplinore që kanë të drejtë të japin eprorët drejtpërdrejt kur ata e gjykojnë të arsyeshme.
Neni 66
Komandanti, para dhënies së masës disiplinore ndaj ushtarakut, është i detyruar të marrë mbrojtjen me shkrim prej tij dhe pastaj po me shkrim i jep personit urdhrin e vuajtjes së masës disiplinore.
Neni 67
Ushtarakut që i jepet një nga masat që parashikohen në pasqyrën përkatëse ka të drejtë të
ankohet me shkrim te komandanti i drejtpërdrejtë i atij që ka dhënë masën.
Vendimi që i jep komandanti është i formës së prerë.
KREU VIII
DISPOZITAT E FUNDIT
Neni 68
Ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm dhe kryetari i SHIK-ut, nxjerrin rregullore ose urdhra e udhëzime për zbatimin e këtij ligji.
Neni 69
Ligji nr.7529, datë ll.l2.l99l, “Për shërbimin ushtarak në Forcat Armatosura të Republikës së Shqipërisë shfuqizohet me përjashtim të nenieve 24/a dhe 24/b.
Gjithashtu mbeten pa fuqi të gjitha aktet ligjore e nënligjore që bien në kundërshtim me këtë ligj.
Neni 70
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.1179, datë 8.8.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha