Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI III / Nr. 30 / 15 QERSHOR 2008

 

LIGJI NR. 03/L-064

 

PËR FESTAT ZYRTARE NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në bazë të nenit 65(1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe me qëllim të përcaktimit të festave zyrtare në Republikën e Kosovës,

Miraton këtë

 

LIGJ PËR FESTAT ZYRTARE NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

 

Neni 1

Qëllimi

Me këtë ligj përcaktohen festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

 

Neni 2

Festat zyrtare në Republikën e Kosovës

2.1 Duke pasur parasysh respektimin e historisë, kulturës dhe të traditave, të popullit të Kosovës dhe të shtetasve të saj, festa zyrtare në Republikën e Kosovës janë:

a) Viti i Ri-1 dhe 2 janari;

b) Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti;

c) Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 Prilli;

d) Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji;

e) Dita e Evropës, 9 Maji;

f) Bajrami i Madh, dita e parë;

g) Bajrami i Vogël, dita e parë;

h) Krishtlindjet Katolike, 25 dhjetor;

i) Krishtlindjet Ortodokse, 7 janar;

j) Pashkët Katolike, E hëna e Pashkëve;

k) Pashkët Ortodokse, E hëna e Pashkëve.

 

Neni 3

3.1 Ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji janë ditë të lira me pagesë për të gjithë punëtorët e Kosovës, përveç kur është e rregulluar ndryshe me ligje tjera.

3.2 Një ditë pune gjatë festave zyrtare kompensohet me një ditë e gjysmë pushimi ose në kundërvlerë në para.

 

Neni 4

Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës.

 

Neni 5

Komisioni Republikan i Festave

5.1 Qeveria e Republikës së Kosovës, themelon Komisionin Republikan të Festave, përbërja e të cilit pasqyron diversitetin e shoqërisë kosovare.

5.2 Komisioni Republikan i Festave do të përgatitë rregullat dhe mënyrat e festimit të festave zyrtare si dhe ditët memoriale.

5.3 Komisioni Republikan i Festave Zyrtare, më së largu gjer në fundin e muajit tetor të vitit vijues, nxjerr Kalendarin e festave zyrtare dhe ditët memoriale, për vitin që vjen, duke u bazuar në këtë ligj.

5.4 Festat e reja zyrtare mund të përcaktohen me plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.

5.5 “Ditët memoriale janë:

a) 28 Nëntori, dita e shqiptareve;

b) 12 Qershori, dita e paqes;

c) 6 Marsi, dita e Përkujtimit dhe e Respektit për Veteranet;

d) 23 Prilli, dita e  turqve;

e) 8 Prilli, dita e romeve;

f) 15 Shkurti, dita e ashkalinjëve;

g) 28 Shtatori, dita e boshnjakeve;

h) 6 Maji, dita e goranëve.

Ditët tjera memoriale përcaktohen nga Qeveria e Republikës se Kosovës në konsultim me Presidentin e Republikës së Kosovës, nga të cilat dy ditë në konsultim me komunitetin serb të Kosovës.

 

Neni 6

Qeveria e Republikës së Kosovës përcakton institucionet publike dhe ato private si dhe shërbimet e tjera publike, që janë të obliguara të punojnë në ditët e festave zyrtare të Kosovës.

 

Neni 7

Kuvendet komunale mund të përcaktojnë ditët e komunave të tyre si dhe ditët memoriale të komunave në harmoni me këtë ligj.

 

Neni 8

Qeveria e Republikës së Kosovës nxjerr aktet përkatëse nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

 

Neni 9

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Ligji  Nr. 03/l-064

23 Maj 2008