Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 9 / 4 MAJ 2012, PRISHTINË

 

LIGJI Nr. 04/L-097 PËR BIBLIOTEKAT

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1)  të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton

 

LIGJ PËR BIBLIOTEKAT

 

KREU I

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi i ligjit

Ky ligj përcakton parimet dhe normat themelore të veprimtarisë bibliotekare dhe të organizimit dhe funksionimit të bibliotekave.

 

Neni 2

Fushëveprimi

1. Me këtë ligj rregullohen:

1.1. llojet e bibliotekave;

1.2. veprimtaria e bibliotekave;

1.3. struktura, organizimi dhe financimi i bibliotekave;

1.4. funksionet dhe përgjegjësitë e bibliotekave;

1.5. zhvillimi dhe përpunimi i koleksioneve;

1.6. rrjeti Bibliotekar i Kosovës.

 

Neni 3

Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Bibliotekat - Institucione kulturore, arsimore dhe informuese që mbledhin, ruajnë, përpunojnë dhe vënë në dispozicion të përdoruesve koleksionet e veta, ofrojnë qasje të lira në informacione në cilat do forma që janë depozituar.

1.2. Koleksioni bibliotekar tërësia e materialeve të regjistruara, të përpunuara dhe të depozituara.

1.3. Materiali bibliotekar - përfshin: botimet e veprave dhe të materialeve të shtypura e grafike, siç janë: inkunabulat, librat e reja, të vjetra, raritetet, dorëshkrimet, broshurat, revistat, gazetat, publikimet zyrtare, riprodhimet e veprave të artit vizual, riprodhimet e veprave hartografike, riprodhimet e planeve urbanistike, veprat muzikore, materialet e reprografuara, pllakatet, afishet, fotodokumentet, fonodokumentet, regjistrimet pamore e filmike, veprat tjera të reprodukuara me anë të shtypit ose në një mënyrë tjetër si dhe materialet e reja që nënkuptojnë doktoraturat dhe magjistraturat, fotokopjet dhe materialet e memorizuara në formë të shtypur, elektronike dhe të tjera.

1.4. Materiali bibliotekar burimor - dorëshkrimi, materiali i shtypur ose i krijuar në ndonjë formë tjetër, që ka vlerë dokumentare për kulturën, artin dhe shkencën siç janë raritetet, materiali i vjetër, kopja e arkivuar e botimit.

1.5. Përdorues - personi të cilit biblioteka i ofron informacionin dhe i jep në përdorim materialin bibliotekar.

1.6. Shërbimi bibliotekar - përfshin dhënien e librave dhe materialeve tjera për shërbim në bibliotekë, shërbimet informuese përmes katalogëve manual dhe elektronikë, shërbimet orientuese dhe referuese për gjetjen e informacionit, shërbimet për të ndihmuar përdoruesin në përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

1.7. ISBN - numri standard ndërkombëtar i librit;

1.8. ISMN - numri standard ndërkombëtar i muzikës;

1.9. ISSN - numri standard ndërkombëtar i botimeve serike;

1.10. CIP - katalogimi i librit në botim.

 

Neni 4

Themelimi i bibliotekave

1. Çdo person fizik ose juridik ka të drejtë të themelojë bibliotekë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

2. Kushtet dhe kriteret për themelimin dhe funksionimin e bibliotekave përcaktohen me akt nënligjor nga Ministria përkatëse për Kulturë në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse për Arsim dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.

 

Neni 5

Llojet e bibliotekave

1. Llojet e  bibliotekave sipas themeluesit janë:

1.1. bibliotekat publike;

1.2. bibliotekat private.

2. Sipas  funksionit, veprimtarisë dhe varësisë se tyre, bibliotekat publike klasifikohen në këto lloje:

2.1. Biblioteka Kombëtare e Kosovës;

2.2. biblioteka komunale;

2.3. biblioteka universitare;

2.4. biblioteka shkollore;

2.5. bibliotekat e veçanta.

3. Sipas funksionit dhe veprimtarisë se tyre, bibliotekat private klasifikohen në këto lloje:

3.1. biblioteka universitare;

3.2. biblioteka shkollore;

3.3. biblioteka të veçanta;

3.4. biblioteka private për shfrytëzim publik.

 

Neni 6

Veprimtaria e bibliotekave

1. Veprimtaria e bibliotekave përfshin:

1.1. mbledhjen, pasurimin, përpunimin, ofrimin në përdorim, sistemimin, ruajtjen, arkivimin, mbrojtjen dhe krijimin e informacionit për koleksionet bibliotekare të formateve dhe llojeve të ndryshme;

1.2. digjitalizimin e koleksioneve bibliotekare;

1.3. shërbimet bibliotekare që iu ofrohen përdoruesve;

1.4. organizimin e aktiviteteve kulturore, shkencore dhe aktiviteteve tjera.

 

KREU II

STRUKTURA, ORGANIZIMI DHE FINANCIMI I BIBLIOTEKAVE PUBLIKE

 

Neni 7

Struktura e bibliotekave publike

1. Struktura e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Qendrore  Universitare përbëhet prej:

1.1. Këshillit Drejtues;

1.2. Drejtorit.

 

Neni 8

Këshilli Drejtues i Bibliotekës Kombëtare

1. Këshilli Drejtues i Bibliotekës Kombëtare përbëhet prej pesë (5) anëtarëve me mandat katër (4) vjeçar, të cilët duhet të jenë nga fusha e bibliotekarisë, kulturës, arsimit dhe shkencës.

2. Këshillin Drejtues të Bibliotekës Kombëtare e emëron dhe e shkarkon Ministri përkatës për Kulturë.

3. Njëri prej pesë (5) anëtarëve të Këshillit duhet të jetë përfaqësues i Ministrisë përkatëse për Kulturë.

4. Anëtarët e Këshillit Drejtues për punën e tyre kompensohen. Forma dhe shuma e pagesës përcaktohet me akt nënligjor nga Ministri.

 

Neni 9

Këshilli Drejtues i bibliotekës universitare

1. Këshilli Drejtues i bibliotekës universitare përbëhet prej pesë (5) anëtarëve me mandat katër (4) vjeçar të cilët i emëron dhe i shkarkon rektori i universitetit përkatës.

2. Anëtarët e Këshillit Drejtues për punën e tyre kompensohen. Forma dhe shuma e pagesës përcaktohet me akt nënligjor nga Rektorati.

 

Neni 10

Detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Drejtues

1. Këshilli Drejtues ka këto detyra dhe përgjegjësi:

1.1. harton dhe aprovon strategjitë dhe politikat zhvillimore të bibliotekës;

1.2. aprovon planin vjetor të punës dhe planin vjetor financiar të bibliotekës;

1.3. aprovon raportin vjetor të punës dhe raportin financiar të bibliotekës;

1.4. harton statutin e bibliotekës, të cilin e miraton themeluesi;

1.5. harton dhe miraton rregulloren e punës së vet;

1.6. zgjedh dhe shkarkon kryetarin me shumicë absolute të votave të anëtarëve.

1.7. zgjedh dhe shkarkon drejtorin e bibliotekës;

1.8. i raporton dhe i përgjigjet për punën e tij organit që e emëron.

 

Neni 11

Drejtori i bibliotekave publike

1. Drejtori i bibliotekës zgjidhet me konkurs publik. Drejtori i bibliotekës Kombëtare, drejtori i bibliotekës Universitare dhe drejtori i bibliotekës Komunale duhet te ketë se paku diplomë Universitare.

2. Mandati i drejtorit është katër (4) vjeçar me mundësi të rizgjedhjes.

3. Drejtori i bibliotekës udhëheq, organizon dhe mbikëqyrë veprimtarinë dhe funksionimin e bibliotekës.

4. I propozon Këshillit Drejtues planin vjetor dhe planin financiar.

5. Për punën e tij i raporton dhe i përgjigjet Këshillit Drejtues.

6. Merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Drejtues pa të drejtë vote.

7. Përfaqëson bibliotekën brenda dhe jashtë vendit.

8. Ushtron detyra dhe autorizime tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Neni 12

Organizimi i bibliotekave publike

Organizimi dhe funksionimi i bibliotekave publike rregullohet me statut dhe me akte tjera nënligjore në pajtim me këtë ligj.

 

Neni 13

Financimi i bibliotekave publike

1. Biblioteka Kombëtare e Kosovës financohet nga Ministria përkatëse për Kulturë.

1.1. Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ka kod të veçantë buxhetor dhe i menaxhon vetë financat e saj.

2. Biblioteka komunale financohet nga buxheti i Komunës.

2.1. Ministria përkatëse për Kulturë, nga buxheti i vet, përmes konkursit vjetor për projekte, financon projekte te bibliotekave komunale me fondin prej pesë përqind (5 %) të buxhetit të përgjithshëm vjetor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

3. Biblioteka universitare financohet nga universiteti përkatës.

4. Biblioteka shkollore financohet nga institucioni brenda të cilit vepron.

5. Bibliotekat e veçanta financohen nga institucioni brenda të cilit veprojnë.

6. Të gjitha bibliotekat e lartpërmendura financohen edhe nga burimet tjera financiare në pajtim me legjislacionin në fuqi.

7. Zbatimi i këtij ligji mund të bëhet varësisht nga situata fiskale dhe buxhetore.

 

Neni 14

Funksionet dhe përgjegjësitë e bibliotekave publike

1. Bibliotekat publike në kuadër të funksionit të përgjithshëm kanë këto funksione:

1.1. sigurojnë koleksione nga të gjitha llojet e materialeve, në të gjitha formatet, si dhe informacione dhe njohuri për trashëgiminë kulturore kombëtare si dhe atë botërore, me qëllim që përdoruesit të njohin vlerat e kulturës, artit, shkencës dhe edukimit;

1.2. përpunojnë koleksionet sipas standardeve përkatëse bibliotekare;

1.3. ruajnë dhe prezantojnë koleksionet e trashëgimisë kulturore të Kosovës në të gjithë larminë e saj;

1.4. zhvillojnë veprimtari kulturore, sociale e edukuese për afirmimin e librit dhe nxitjen e të mësuarit gjatë gjithë jetës.

1.5. sigurojnë materiale e informacione që mbështesin arsimin e organizuar dhe arsimimin individual të përdoruesve dhe plotësojnë shërbimet e bibliotekave shkollore;

1.6. ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët në kushte të barabarta dhe pa asnjë dallim, si në bibliotekë edhe në komunitet:

1.6.1. sigurojnë qasje të lirë në informacion për përdoruesit e të gjitha moshave për shfrytëzimin e informacionit dhe teknologjisë përkatëse;

1.6.2. krijojnë mundësi për qasje në mënyrë të pavarur për personat me nevoja të veçanta;

1.6.3. sigurojnë qasje të barabartë dhe shërbime për përdoruesit, të cilët për arsye të ndryshme, nuk mund të përdorin shërbimet e zakonshme të bibliotekës, duke organizuar biblioteka lëvizëse për ata që jetojnë në mjedise rurale, që nuk mund të lëvizin nga shtëpia, që janë në spitale dhe burgje, për të verbrit dhe për shurdhmemecët.

 

Neni 15

Zhvillimi dhe përpunimi i koleksioneve

1. Bibliotekat formojnë, pasurojnë dhe zhvillojnë koleksionet në përputhje me llojin e bibliotekës dhe funksionin që kanë, si dhe me nevojat e atyre që u shërbejnë.

2. Pasurimi dhe zhvillimi i koleksioneve bëhet në bazë të kritereve profesionale për sigurimin dhe prezantimin e materialit bibliotekar që përmban informacione dhe njohuri nga të gjitha fushat e dijes në nivel vendor e botëror.

3. Pasurimi i koleksioneve të bibliotekës bëhet përmes blerjes, dhurimit, këmbimit dhe ekzemplarit të detyrueshëm.

4. Koleksioni dhe materiali bibliotekar nuk lejohet të dëmtohet, të tjetërsohet dhe as të asgjësohet, nëse me këtë ligj apo aktet nënligjore nuk përcaktohet ndryshe.

5. Koleksioni dhe materiali bibliotekar ruhet dhe mirëmbahet në vendet e mbrojtura nga zjarri, lagështia dhe nga shkaktarët tjerë fizikë, biologjikë e kimikë që do të mund ta dëmtonin ose shkatërronin.

6. Nxjerrja e koleksioneve të rralla dhe të vjetra bibliotekare jashtë Kosovës për qëllim të bashkëpunimit me institucione të ndryshme bëhet sipas legjislacionit në fuqi.

7. Përpunimi i materialit bibliotekar bëhet duke zbatuar standardet e caktuara ndërkombëtare.

8. Çdo bibliotekë inventarizon, përpunon materialin bibliotekar dhe krijon katalogët manual dhe elektronikë.

9. Çdo bibliotekë bën revizionin, spastrimin dhe çregjistrimin e koleksioneve dhe materialeve bibliotekare.

10. Revizioni, spastrimi dhe çregjistrimi i koleksioneve dhe materialeve bibliotekare bëhet me rregullore të veçantë të cilën e nxjerrë Ministria përkatëse për Kulturë.

11. Ruajtja dhe mbrojtja e materialit bibliotekar bëhet me rregullore të veçantë të cilën e nxjerrë Ministria përkatëse për Kulturë.

12. Bibliotekat i mundësojnë punëtorit profesional të autorizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës të ushtrojë mbikëqyrjen profesionale në të gjithë rrjetin bibliotekar të Kosovës, me qëllim të zbatimit të standardeve bibliotekare.

 

Neni 16

Rrjeti Bibliotekar i Kosovës

1. Çdo bibliotekë është pjesë përbërëse e Rrjetit të njësuar Bibliotekar të Kosovës me qëllim të zbatimit të standardeve bibliotekare, përgatitjes dhe shpërndarjes së bazës së të dhënave dhe begatimit e bashkërenditjes së bashkëpunimit ndërbibliotekar.

2. Strategjinë për zhvillimin e bibliotekave të Kosovës e harton Ministria përkatëse për Kulturë ndërsa e miraton Qeveria.

3. Bibliotekat bashkëpunojnë për shkëmbimin e informacioneve, ideve dhe përvojës në ndarjen e burimeve, në zhvillimin e koleksioneve, në bashkërendimin e shërbimeve, në shkollimin dhe trajnimin e personelit, në sigurimin e qasjes në burime dhe informacione bibliotekare nëpërmjet krijimit, mirëmbajtjes dhe pjesëmarrjes në rrjetin elektronik të të gjitha niveleve.

4. Rrjeti i automatizuar i informacioneve bibliotekare është në përputhje me rrjetin e informacionit në nivel shtetëror.

5. Bibliotekat bashkëpunojnë me institucionet kulturore, arsimore, shkencore dhe me institucionet tjera për rritjen e nivelit të shërbimeve për përdoruesit.

 

Neni 17

Funksionet dhe detyrat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

1. Biblioteka Kombëtare e Kosovës është institucioni më i lartë bibliotekar në Kosovë dhe ka selinë në Prishtinë.

2. Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka statutin, vulën dhe logon e saj.

3. Organizimi dhe funksionimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është nën autoritetin e Ministrisë përkatëse për Kulturë.

4. Është qendër e kërkimeve shkencore në fushën e bibliotekarisë dhe qendër e informacionit bibliotekar në nivel kombëtar.

5. Është qendër e marrjes dhe e depozitimit të kopjes së detyrueshme.

6. Krijon dhe pasuron koleksionin arkivor të saj me botime të formateve dhe llojeve të ndryshme me qëllim të ruajtjes së përhershme të tyre.

7. Është qendër e krijimit dhe e mirëmbajtjes së katalogut përmbledhës, respektivisht të bazës së të dhënave.

8. Është qendër e studimeve në fushën e bibliotekarisë, bibliografisë dhe  informacionit.

9. Është qendër e përgatitjes dhe ofrimit të informacionit bibliografik, bartëse e kontrollit bibliografik kombëtar në bibliotekat tjera dhe botuese e bibliografisë kombëtare si dhe bibliografive tjera.

10. Është qendër metodike për zbatimin e standardeve dhe të rekomandimeve të institucioneve dhe asociacioneve përkatëse ndërkombëtare në veprimtarinë bibliotekare dhe të informacionit bibliotekar.

11. Është qendër për restaurimin, konservimin, riprodhimin, mikrofilmimin dhe digjitalizimin e materialeve bibliotekare.

12. Është qendër për koordinimin e Rrjetit Bibliotekar të Kosovës.

13. Është qendër e huazimit ndërbibliotekar në nivel të vendit dhe ndërkombëtar.

14. Është qendër e kujtesës së  Kosovës për materialet bibliotekare.

15. Bën katalogimin e librit në botim CIP, pajisjen e botimeve me numrat standard ndërkombëtarë ISBN, ISMN dhe ISSN të botuesve në Kosovë.

16. Harton programe për trajnimin dhe aftësimin profesional e të vazhdueshëm të punonjësve bibliotekarë dhe organizon provimin profesional për punonjësit bibliotekarë.

17. Harton rregulloren për arritjen e titujve profesional bibliotekarë të cilën e miraton Ministri i Ministrisë përkatëse për Kulturë.

18. Ofron këshilla profesionale dhe ushtron mbikëqyrje profesionale ndaj të gjitha llojeve të bibliotekave.

19. Lidh marrëveshje të bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet dhe asociacionet e ndryshme si dhe anëtarësohet në asociacionet përkatëse ndërkombëtare.

20. Themelon arkivin digjital të bibliotekës për publikime në rrjet.

21. Mbledh dhe publikon të dhënat statistikore për të gjitha llojet e bibliotekave.

 

Neni 18

Funksionet dhe detyrat e bibliotekës komunale

1. Biblioteka komunale themelohet në çdo komunë si institucion kulturor dhe arsimor.

2. Biblioteka komunale themelohet me vendim të kuvendit të komunës.

3. Biblioteka komunale është institucion kulturor dhe informues që nxit të mësuarit gjatë gjithë jetës, zgjerimin e dijeve dhe interesin për lexim në rajonin ku ajo zhvillon veprimtarinë e saj.

4. Biblioteka komunale siguron qasje të lirë në dije e informacion dhe ofron shërbim të barabartë për të gjithë qytetarët.

5. Biblioteka komunale është institucion kyç për koleksionimin, ruajtjen dhe propagandimin e kulturës në vendin ku vepron.

6. Biblioteka komunale krijon katalog dhe siguron informacion të materialeve bibliotekare me karakter historik, kulturor dhe shkencor për territorin ku ajo vepron.

7. Biblioteka komunale mund të themelojë degët e veta në lokalitete sipas kërkesave dhe mundësive buxhetore.

8. Stafi profesional i bibliotekës përzgjidhet në përputhje me përgatitjen profesionale bibliotekare.

9. Për realizimin e qëllimeve dhe interesave të përbashkëta, dy ose më shumë komuna kanë të drejtë të hyjnë në marrëdhënie bashkëpunimi në fushën e bibliotekarisë për dhënien e ndihmës së ndërsjellë njëra-tjetrës dhe plotësimin e veprimtarisë së tyre me koleksione, huazime dhe falje të materialeve bibliotekare.

10. Komunat e përfshira në cilat do forma të bashkëpunimit ndërkomunal veç e veç dhe bashkërisht mbajnë përgjegjësi juridike për të gjitha veprimet juridike që rezultojnë nga bashkëpunimi në fjalë.

11. Ministria përkatëse për Kulturë mund të propozojë marrëveshje me dy ose më shumë komuna për caktimin e bibliotekës që do të kryej funksionin e bibliotekës koordinuese të përcaktuar në bazë të marrëveshjes.

 

Neni 19

Funksionet dhe detyrat e bibliotekës universitare

1. Biblioteka universitare themelohet nga Universiteti përkatës në Kosovë.

2. Organizimi dhe funksionimi i bibliotekave universitare është nën autoritetin universitetit që e themelon.

3. Biblioteka Qendrore e Universitetit të Prishtinës funksionon në kuadër të Universitetit të Prishtinës.

4. Bibliotekat universitare mbledhin, përpunojnë dhe ofrojnë në përdorim koleksione mësimore, materiale, informacione dhe shërbime bibliotekare për zhvillimin e veprimtarisë arsimore, shkencore si dhe për zhvillimin e aftësive dhe njohurive të studentëve e mësimdhënësve të tyre.

5. Ofron shërbime për studentët dhe personelin mësimor duke iu dhënë në huazim materiale bibliotekare dhe duke siguruar qasje në burimet elektronike të informacionit.

6. Ofron shërbime profesionale për bibliotekat e fakulteteve përkatëse.

7. Veprimtaria e bibliotekave universitare mbështetet në standardet ndërkombëtare bibliotekare.

 

Neni 20

Funksionet dhe detyrat e bibliotekës shkollore

1. Biblioteka shkollore vepron në kuadër të institucionit arsimor përkatës.

2. Biblioteka shkollore siguron materiale, informacione e shërbime bibliotekare në funksion të edukimit që ofron shkolla dhe të zhvillimit të aftësive të nxënësve dhe të mësimdhënësve.

3. Koleksionet e bibliotekës shkollore formohen në përputhje me plan programet mësimore të shkollave dhe nevojave të mësimdhënësve.

4. Bibliotekat shkollore ofrojnë: huazimin e librave dhe materialeve të tjera, shërbime informuese përmes medies së shtypur dhe elektronike, edukojnë lexuesit për përdorimin e bibliotekës publike duke shfrytëzuar edhe skedarin elektronik.

5. Biblioteka shkollore bashkëpunon në fushëveprimin e tyre me bibliotekat publike dhe bibliotekat tjera.

 

Neni 21

Funksionet dhe detyrat e bibliotekës së veçantë

1. Biblioteka e veçantë krijohet dhe funksionon në kuadër të organeve qendrore e lokale, në kuadër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, institucioneve kërkimore shkencore, kulturore, fetare, ekonomike, shëndetësore, sociale, korrektuese, edukative, ushtarake dhe të rendit.

2. Bibliotekat e veçanta mbledhin, përpunojnë dhe japin në përdorim materiale bibliotekare dhe informacione sipas kërkesave e nevojave të përdoruesve.

3. Udhëheqësi dhe punonjësit bibliotekarë emërohen nga themeluesi.

 

Neni 22

Bibliotekat private

1. Bibliotekat private themelohen nga persona fizikë dhe juridikë.

2. Struktura, organizimi, dhe financimi i bibliotekave private rregullohet me statut të cilin e miraton themeluesi.

3. Statuti i bibliotekave private duhet të jetë në përputhje me këtë ligj dhe ligjet tjera në fuqi.

 

KREU III

BOTIMET DHE MATERIALET BIBLIOTEKARE

 

Neni 23

Botimet

1. Çdo person ose subjekt që nxjerr botime në Kosovë, të cilat i dedikohen përdorimit publik, obligohet që pesë (5) ekzemplarë të çdo botimi t’ia dërgojë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e botimit. Nëse botuesi nuk është i identifikuar ose është i identifikuar rrejshëm, i panjohur, përkatësisht nuk ka vendqëndrim ose seli në Kosovë, këtë obligim do ta kryej shtypshkronja, përkatësisht subjekti që ka bërë botimin.

2. Botime konsiderohen librat e shtypura dhe elektronike, materiali jo libër që nënkupton fonodokumentet, fotodokumentet, materiali i imët bibliotekar, broshurat, separatët, revistat, gazetat, riprodhimet artistike, veprat muzikore të shkruara në partitura, hartat gjeografike, atlaset, globuset e të gjitha llojeve, planet urbanistike, pllakatet, katalogët, programet, materialet braile, diapozitivat si dhe pjesët e tyre përbërëse a shoqëruese të riprodhuara në mënyrë grafike, CD-Rom-ët, DVD-të, disqet e gramafonit dhe kompakt-disqet, kasetat audio dhe vizuale të regjistruara, disketat kompjuterike të regjistruara dhe veprat tjera që riprodhohen me shtypshkrim ose në një mënyrë tjetër të ngjashme.

 

Neni 24

Materialet bibliotekare me rëndësi të veçantë

1. Çdo person në Kosovë që posedon material bibliotekar me rëndësi të veçantë për kulturën duhet:

1.1. të informojë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për evidentimin e materialit;

1.2. t’i mundësojë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës qasje në ato materiale dhe sipas nevojës të ndërmerr masa për konservimin dhe restaurimin e tyre sipas marrëveshjes me poseduesin;

1.3. t’i ofrojë paraprakisht Bibliotekës Kombëtare të Kosovës blerjen e materialit të tillë, nëse ka për synim tjetërsimin e tij brenda apo jashtë vendit.

2. Nxjerrja e këtyre materialeve jashtë vendit për kohë të pacaktuar bëhet sipas legjislacionit në fuqi.

 

KREU IV

DISPOZITAT NDËSHKIMORE

 

Neni 25

Gjoba

1. Me gjobë prej njëqind (100) deri njëmijë (1.000) Euro dënohet për kundërvajtje përdoruesi që nuk e kthen, e dëmton, tjetërson ose e asgjëson materialin bibliotekar ose në ndonjë mënyrë tjetër shkel rregullat e përdorimit të materialit bibliotekar.

2. Me gjobë prej dyqind (200) deri pesëqind (500) Euro dënohet për kundërvajtje drejtuesi i bibliotekës nëse nuk ia dërgon Bibliotekës Kombëtare të Kosovës të dhënat e duhura.

3. Me gjobë prej pesëqind (500) deri njëmijë (1.000) Euro dënohet për kundërvajtje botuesi, përkatësisht subjekti që nuk kryen obligimin e dërgimit të ekzemplarit të detyrueshëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

4. Me gjobë prej dyqind (200) deri njëmijë e dyqind (1.200) Euro dënohet për kundërvajtje personi përgjegjës i bibliotekës së sektorit publik i cili nuk ia dërgon Bibliotekës Kombëtare të Kosovës listën e koleksioneve të bibliotekës të cilat janë nxjerrë nga përdorimi apo listën e koleksioneve të bibliotekës që ka pushuar së funksionuari.

5. Me gjobë prej pesëqind (500) deri pesëmijë euro (5.000) Euro dënohen për kundërvajtje personat që posedojnë materiale bibliotekare me rëndësi për trashëgiminë kulturore të cilët nuk e njoftojnë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për tjetërsimin e tyre.

 

KREU V

DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

 

Neni 26

Dispozitat kalimtare

1. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës do të ndahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të cilën e menaxhon Ministria përkatëse për Kulturë dhe Bibliotekën Qendrore të Universitetit të Prishtinës e cila menaxhohet nga Universiteti i Prishtinës.

2. Ndarja e këtyre dy bibliotekave do të bëhet me memorandum të bashkëpunimit në mes të MKRS-së dhe MASHT-it.

 

Neni 27

Aktet nënligjore

1. Ministria përkatëse për Kulturë do të nxjerrë akte nënligjore për zbatimin e ligjit për bibliotekat brenda gjashtë (6) muajve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

2. Bibliotekat dhe subjektet tjera duhet në afat prej gjashtë (6) muajsh të bëjnë harmonizimin e akteve të tyre normative me ligjin e ri.

 

Neni 28

Shfuqizimi

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji për Biblioteka Nr. 2003/6.

 

Neni 29

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Ligji Nr. 04/ L-097 06 prill 2012

Shpallur me dekretin Nr.DL-015-2012, datë 26.04.2012 nga Presidentja e Republikës së Kosovës

Atifete Jahjaga.