Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 14 / 9 SHTATOR 2011, PRISHTINË

 

LIGJI Nr. 04/L-57

 

PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATAT JOQEVERITARE

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton

 

LIGJ PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATAT JOQEVERITARE

 

KREU I

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimet dhe fushëveprimi i këtij ligji

1. Ky ligj rregullon themelimin, regjistrimin, udhëheqjen e brendshme, veprimtarinë, shuarjen dhe çregjistrimin e personave juridik të organizuar si organizata joqeveritare në Kosovë.

2. Ky ligj nuk vlen për parti politike, sindikata dhe organizata sindikale, e as për qendra të besimit fetar, apo faltore dhe fusha tjera që rregullohen me ligje të veçanta.

 

Neni 2

Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Organizatë Joqeveritare (OJQ) - çdo shoqatë dhe fondacion të vendit, siç përkufizohet me nenin 5 të këtij ligji, si dhe çdo organizatë të huaj dhe ndërkombëtare, siç përkufizohet me nenin 7 të këtij ligji.

1.2. Ministria - Ministria e Administratës Publike.

1.3. Ministër - Ministri i Ministrisë së Administratës Publike.

1.4. Organ kompetent - organi kompetent për regjistrim dhe çregjistrim.

1.5. Person - çdo person juridik apo fizik të vendit, ose të huaj.

1.6. Përfaqësues i Autorizuar - individi që banon në Kosovë, që ka moshë madhore dhe zotësi të veprimit, që është i autorizuar për ta përfaqësuar një OJQ dhe për të pranuar njoftime dhe hetime zyrtare.

1.7. Anëtar i familjes – Bashkëshorti/ja, fëmijët, prindërit, gjyshërit, nipat, mbesat, vëllezërit dhe motrat, fëmijët e tyre dhe bashkëshortët si dhe anëtarët e familjes së ngushtë të bashkëshortit/es (vjehërrinë, kunetët dhe fëmijët e tyre);

1.8. Situatat e jashtëzakonshme duke përfshirë fatkeqësitë natyrore, që janë përtej kontrollit të OJQ-së dhe në të vërtetë pamundësojnë OJQ-në nga kompletimi dhe dorëzimi i raportit siç, parashihet me nenin 18 të këtij ligji.

 

Neni 3

Liria e Asociimit

1. Çdo person në Kosovë gëzon të drejtën e plotë për t'u asociiuar dhe themeluar OJQ-në.

2. Asnjë person nuk obligohet që të asociiohet kundër vullnetit të tij dhe asnjë person nuk diskriminohet në asnjë mënyrë për shkak të vendimit për t'u asociiuar apo për të mos u asociiuar.

 

Neni 4

Mos shpërndarja e të ardhurave

1. OJQ-ja nuk shpërndan të ardhura neto ose fitime për asnjë person.

2. Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e një OJQ-je përdoren për të mbështetur qëllimet jofitimprurëse të përcaktuara për organizatën.

3. Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e një OJQ-je nuk mund të përdoren për të sjellë drejtpërdrejtë ose tërthorazi përfitime, për ndonjë themelues, drejtor, zyrtar, anëtar, punonjës ose donatorë të OJQ-së, përveç pagesës apo kompensimit të arsyeshëm për personat që kryejnë punë për organizatën.

 

KREU II

THEMELIMI I OJQ-SË

 

Neni 5

Nocioni i OJQ-së në Kosovë

1. OJQ-ja vendore është shoqatë ose fondacion e themeluar në Kosovë për realizimin e qëllimit bazuar në ligj, për përfitim publik ose për interes të ndërsjellë.

2. Shoqata është një organizatë e anëtarësisë. Shoqatën mund ta themelojnë të paktën tre (3) ose më shumë persona, ku të paktën njëri prej tyre ka vendbanimin ose zyrën në Kosovë.

3. Fondacioni është organizatë pa anëtarësi, i krijuar për menaxhimin e pronave dhe pasurive. Një fondacion mund të krijohet nga një ose më shumë persona, në rast se të paktën njëri prej tyre ka vendbanimin ose zyrën në Kosovë.

 

Neni 6

Themelimi i Shoqatave dhe Fondacioneve në Kosovë

1. Shoqata ose fondacioni themelohet nëpërmjet aktit themelues që përmban të dhënat e mëposhtme: 1.1. emrin zyrtar, shkurtesën zyrtare si dhe simbolin zyrtar të organizatës;

1.2. formën organizative (shoqatë, fondacion);

1.3. adresën e organizatës;

1.4. qëllimet e organizatës dhe aktivitetet;

1.5. emrat dhe adresat e themeluesve;

1.6. emrin, adresën dhe informata tjera kontaktimi të përfaqësuesit të autorizuar, dhe

1.7. afatin kohor për të cilin organizata themelohet, nëse ka një të tillë.

2. Fondacioni mund të themelohet edhe me testament, apo me lënie të trashëgimisë, në qoftë se ai përmban informatat e përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni.

3. Shoqata ose fondacioni ka statutin, i cili duhet t'i përmbajë të dhënat në vijim:

3.1. emrin e organizatës, selinë dhe simbolin e saj;

3.2. qëllimet e organizatës;

3.3. emrin e organit më të lartë udhëheqës;

3.4. nëse OJQ-ja është shoqatë, procedurat për zgjedhjen dhe largimin e anëtarëve, kushtet për anëtarësim si dhe nëse organizata vendos të ketë një bord, procedurat për zgjedhjen dhe largimin e anëtarëve të bordit dhe ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive ndërmjet Kuvendit të Përgjithshëm të anëtarëve dhe Bordit;

3.5. nëse OJQ-ja është fondacion, procedurat për zgjedhjen dhe largimin e anëtarëve të Bordit;

3.6. kompetencat dhe përgjegjësitë e zyrtarëve, nëse ka;

3.7. mënyrën e marrjes së vendimeve;

3.8. rregullat dhe procedurat për:

3.8.1. ndryshimin e aktit themelues dhe statutit;

3.8.2. bashkimin, ndarjen ose shuarjen e organizatës dhe

3.8.3. shpërndarjen e mjeteve që mbesin pas shuarjes.

4. Statuti mund të përmbajë çdo rregull, dispozitë apo procedure tjetër, që nuk është në kundërshtim me kushtet e parapara me këtë ligj.

5. Rregullat dhe procedurat për udhëheqje të brendshme që i përmban statuti i OJQ-së, duhet të jenë në pajtim me parimet demokratike.

6. Shoqata apo fondacioni ka vetëm ato kompetenca dhe ka të drejtë angazhimi vetëm në ato aktivitete dhe qëllime, që janë në përputhje me aktin themelues dhe statutin dhe që lejohen me ligj.

 

Neni 7

OJQ-të e vendit të huaj dhe ato ndërkombëtare

OJQ-ja e vendit te huaj dhe ajo ndërkombëtare janë persona juridik të themeluar jashtë Kosovës, sipas legjislacionit që përmbush në thelb kushtet e parapara me nenin 4 të këtij ligji.

 

Neni 8

Asociimi i Personave Juridik

Personat Juridik, duke përfshirë edhe OJQ-të, mund të themelojnë shoqata, fondacione për të përparuar qëllimin e tyre të ligjshëm, qoftë për përfitim publik apo të ndërsjellë, në përputhje me nenin 5 dhe 6 të këtij ligji.

 

Neni 9

Regjistrimi

1. Çdo person, pavarësisht nga përkatësia, në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal, ka të drejtë të regjistrojë OJQ, në pajtim me kushtet dhe rrethanat e përcaktuara me këtë ligj. Asnjë person nuk ka nevojë të regjistrojë OJQ-në për të ushtruar të drejtën e lirisë në asociim.

2. OJQ-ja regjistrohet pranë departamentit përkatës në Ministrinë e Administratës Publike.

3. OJQ-ja, kërkesës për regjistrim duhet t'ia bashkëngjes një kërkesë-formular, aktin e themelimit dhe statutin e saj.

4. OJQ-ja cakton me shkrim Përfaqësuesin e Autorizuar. Të gjitha fletëkërkesat për regjistrim duhet t'i nënshkruajë Përfaqësuesi i Autorizuar i OJQ-së. Aktin e themelimit e nënshkruajnë të tre themeluesit.

5. OJQ-ja e vendit të huaj dhe ajo ndërkombëtare regjistrohen duke i dorëzuar dokumentet e mëposhtme:

5.1 një kërkesë-formular;

5.2. dëshminë që është person juridik në një vend tjetër;

5.3. adresën e organizatës në Kosovë; dhe

5.4. një deklaratë me shkrim nga një përfaqësues i autorizuar i OJQ-së, me autorizim për të dhënë një deklaratë të këtillë, dhe që tregon:

5.4.1. qëllimet e OJQ-së;

5.4.2. një përshkrim të përgjithshëm të aktiviteteve që OJQ-ja planifikon t'i kryejë në Kosovë, dhe

5.4.3. emrin, adresën dhe kontakt-informata tjera të përfaqësuesit të autorizuar.

6. Fletëkërkesat për regjistrimin e OJQ-ve i dorëzohen dhe pranohen nga organi kompetent. Vendimet në lidhje me regjistrim si dhe numrat e regjistrimit i cakton organi kompetent.

7. Dokumentet që i dorëzon OJQ-ja në mbështetje të kërkesës për regjistrim duhet të jenë në gjuhët përkatëse në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

8. Pavarësisht nga paragrafi 7. i këtij neni, dokumentet që i dorëzon OJQ-ja e huaj dhe ajo ndërkombëtare për të dëshmuar se është person juridik në një shtet tjetër, duhet të jenë në gjuhën origjinale të atij vendi, së bashku me përkthimin e dokumentacionit në gjuhën zyrtare të Republikës së Kosovës. Përkthimi duhet të jetë nga përkthyesi i autorizuar – licencuar. Çdo dallim përmbajtësor apo mashtrues ndërmjet gjuhës së origjinalit dhe dokumentit të përkthyer është arsye për tërheqjen e regjistrimit të organizatës.

9. Organi kompetent i lëshon OJQ-së certifikatën për regjistrim, ose një vendim me shkrim me të cilin refuzohet regjistrimi brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, nga dita e pranimit të kërkesës për regjistrim, përpos, nëse organi kompetent bën kërkesë me shkrim gjatë rrjedhës së afatit, për informata të mëtutjeshme, ose për qartësim. Nëse regjistrimi refuzohet, organi kompetent përfshinë në vendimin për refuzim një arsyetim të bazave ligjore në bazë të të cilave regjistrimi refuzohet dhe të drejtën e ankesës.

10. Nëse organi kompetent bën kërkesë me shkrim për informacione plotësuese, ose për qartësim lidhur me kërkesën për regjistrim, afati gjashtëdhjetë (60) ditor brenda të cilit organi kompetent duhet të lëshojë Certifikatën për regjistrim, ose vendimin me shkrim me të cilin refuzohet regjistrimi ndalet së rrjedhuri nga data e kërkesës me shkrim. Me pranimin e informacioneve plotësuese, ose të qartësimeve të kërkuara, organi kompetent lëshon Certifikatën për Regjistrim, ose vendimin për refuzim të regjistrimit brenda afatit prej:

10.1. numrit të ditëve të mbetura nga afati gjashtëdhjetë (60) ditësh për lëshimin e vendimit;

10.2. katërmbëdhjetë (14) ditësh nga pranimi i informatave plotësuese, ose qartësimit, cilido nga këto afate të jetë më i gjatë.

11. OJQ-ja informon organin kompetent brenda tridhjetë (30) ditësh lidhur me çdo ndryshim që pësojnë informatat që kërkohen sipas paragrafëve 1. dhe 3. të nenit 6 dhe paragrafit 5. të këtij neni. Ndryshimet në regjistrim u nënshtrohen procedurave, standardeve dhe afateve të njëjta kohore, sikur ato që janë zbatuar me rastin e regjistrimit fillestar. Ndryshimet që i pranon organi kompetent mbahen, regjistrohen dhe vihen në dispozicion të publikut sipas nenit 12 të këtij ligji.

 

Neni 10

Refuzimi i regjistrimit

1. Organi kompetent refuzon një kërkesë në qoftë së:
1.1. dokumentet e regjistrimit janë në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji; 1.2. në qoftë se statuti i OJQ-së shkel dispozitat e ligjit në fuqi;

1.3. organizata që kërkon regjistrimin ka të njëjtin emër apo shkurtesë ose një emër shumë të ngjashëm me OJQ-në e regjistruar ose të themeluar më parë, saqë mund të shkaktonte konfuzion;

1.4. nëse me statut dhe me program të OJQ-së promovohen pabarazia në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.

 

Neni 11

Statusi ligjor

1. OJQ-ja vendore ka statusin e personit juridik me regjistrim në përputhje me këtë ligj.

2. Me regjistrim, OJQ-të e vendit të huaj dhe ato ndërkombëtare janë të autorizuara të veprojnë si persona juridik në Kosovë.

3. OJQ-të vendore, të vendit të huaj, dhe ato ndërkombëtare u nënshtrohen të gjitha ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës.

4. Çdo njoftim, letër, ftesë, apo akt tjetër ligjor konsiderohet se i është dorëzuar në mënyrë valide OJQ- së, nëse i dorëzohet personalisht, ose me postë përfaqësuesit të autorizuar, ose në adresën e theksuar sipas nën-paragrafit 1.3. paragrafi 1. i nenit 6 dhe nën-paragrafit 5.3. paragrafi 5. i nenit 9 të këtij ligji.

5. Zyrtarët, drejtorët dhe punëtorët e OJQ-së së regjistruar nuk janë personalisht përgjegjës për borxhet apo obligimet e OJQ-së, por janë personalisht përgjegjës për shkeljet që shkaktohen me dashje, me pakujdesi ose me moskryerje të detyrës.

 

Neni 12

Regjistri i OJQ-ve

1. Organi kompetent mbanë një regjistër të OJQ-ve.

2. Regjistri përmban: emrin, adresën, formën e organizimit dhe qëllimet, themeluesit e çdo OJQ-je, emrin dhe informacionin tjetër të kontaktit të përfaqësuesit të autorizuar si dhe të dhënën nëse OJQ-ja ka status të përfituesit publik.

3. Organi kompetent është përgjegjës për përditësimin e të dhënave të regjistrit publik.

4. OJQ-të vendore, të vendit të huaj dhe ato ndërkombëtare janë të obliguara që një herë në vit të dorëzojnë në organin kompetent një deklaratë, e cila konfirmon se informatat që kërkohen sipas paragrafit 2. të këtij neni janë ende të vlefshme, ose kanë ndryshuar.

5. Dështimi për të dorëzuar këtë deklaratë për dy (2) vite me radhë obligon organin kompetent që të ndërmarrë procedurat e çregjistrimit të OJQ-së. Organi kompetent obligohet që gjashtëdhjetë (60) ditë para skadimit të afatit tre (3) vjeçar për të dorëzuar këtë deklaratë, të njoftojë me shkrim OJQ-në për pasojat e dështimit për të plotësuar këtë obligim.

6. Regjistri i vihet në dispozicion publikut në pajtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

 

KREU III

ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I BRENDSHËM I OJQ-SË

 

Neni 13

Udhëheqja e brendshme e Shoqatave dhe Fondacioneve

1. Organi më i lartë drejtues i shoqatës është Kuvendi, i cili përbëhet nga të gjithë anëtarët e shoqatës. Të gjithë anëtarët e shoqatës kanë të drejtë pjesëmarrjeje në takimet e Kuvendit.

2. Organi më i lartë drejtues i një fondacioni është Bordi i Drejtorëve. Bordi i Drejtorëve përbëhet nga të paktën tre anëtarë.

3. Organi më i lartë drejtues ka përgjegjësi të plota për çështje të politikës dhe financave të organizatës dhe takohet të paktën një herë në vit, në mbledhjen ku shqyrtohet dhe miratohet raporti për mjetet, detyrimet, të ardhurat, shpenzimet dhe programet e organizatës për vitin e kaluar, si dhe plani për mjetet e detyrimet e parapara, të ardhurat, shpenzimet dhe programet e organizatës për vitin e ardhshëm.

4. Organi më i lartë drejtues i OJQ-së, nuk delegon:

4.1. detyrat sipas paragrafit 3. të këtij neni;

4.2. zgjedhjet e zyrtarëve në pozita udhëheqëse të OJQ-së;

4.3. ndryshimet në aktin themelues apo Statut dhe

4.4. vendimet për bashkimin, ndarjen apo shuarjen e OJQ-së.

 

Neni 14

Konflikti i interesave dhe detyrimi në lojalitet

1. Asnjë anëtari të organit drejtues nuk i lejohet të marrë pjesë në diskutim apo në marrjen e vendimit për çështje ku ai ka interes direkt apo indirekt ekonomik. Anëtari i organit drejtues konsiderohet se ka interes ekonomik nëse ai/ajo, ose cilido anëtar i familjes së tij ka interes direkt apo indirekt ekonomik.

2. Çdo transaksion ndërmjet OJQ-së dhe një organizate tjetër të ndërlidhur, apo ndërmjet OJQ-së dhe anëtarëve, zyrtarëve, anëtarëve të bordit ose punonjësve të saj ndalohet, përveç, nëse organi drejtues vendos, pas hetimeve të arsyeshme, se transaksioni është në interes, i drejtë dhe i arsyeshëm për OJQ-në, dhe se OJQ-ja nuk kishte mundur të sigurojë marrëveshje më të favorshme me përpjekje të arsyeshme dhe brenda rrethanave ekzistuese.

3. Zyrtarët dhe anëtarët e bordit të një OJQ-je e kanë detyrë që të tregojnë lojalitet ndaj OJQ-së, të mbrojnë fshehtësinë e informatave jopublike të OJQ-së dhe interesat e OJQ-së, si dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e OJQ-së me mirëbesim dhe kujdes.

 

Neni 15

Ndalimi i mbledhjes së fondeve, fushatave dhe mbështetjes së kandidatëve dhe partive politike

OJQ-të nuk mund të angazhohen në mbledhje fondesh ose në fushata për të mbështetur partitë politike ose kandidatët për funksione politike, dhe as nuk mund të propozojnë, regjistrojnë ose në ndonjë mënyrë të mbështesin kandidatët për poste publike.

 

Neni 16

Pasuria dhe mjetet

1. Të ardhurat e OJQ-së përfshijnë: donacionet në të holla, letrat me vlerë, kontributet në mall, trashëgimitë, anëtarësinë, dhuratat, grantet, pasurinë e tundshme dhe e patundshme si dhe të ardhurat e fituara përmes çfarëdo aktivitetesh të ligjshme të OJQ-së me pasurinë dhe mjetet e saja.

2. OJQ-ja mund të angazhohet në aktivitete ekonomike me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve të saja jofitimprurëse, në pajtim me nenin 4, dhe me kusht që të ardhurat e realizuara nëpërmjet të aktiviteteve ekonomike të shfrytëzohen ekskluzivisht për të arritur qëllimet e theksuara në statutin e OJQ-së.

3. OJQ-ja mund të ketë dhe të menaxhojë pronë dhe pasuri për të realizuar qëllimet e veta jofitimprurëse.

4. Me ligj ndalohet financimi i organizatave, veprimtaria e të cilave nuk përkon me rendin juridik në Republikën e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare.

 

KREU IV

STATUSI PËR PËRFITIM PUBLIK I OJQ-së, RAPORTIMI FINANCIAR DHE PEZULLIMI I TIJ

 

Neni 17

Statusi për Përfitim Publik

1. OJQ-ja e regjistruar sipas këtij ligji mund të paraqesë kërkesë për status për përfitim publik, nëse OJQ-ja është e organizuar dhe vepron për të ndërmarrë një apo më shumë aktivitete si aktivitete parësore si: ndihmë dhe përkrahje humanitare, përkrahje personave me aftësi të kufizuara, aktivitete bamirëse, arsim, shëndetësi, kulturë, rini, sport, ruajtje dhe përparim të mjedisit, rindërtim dhe zhvillim ekonomik, mbrojtje dhe përparim të të drejtave të njeriut, mbështetje të praktikave demokratike dhe shoqërisë civile, apo çfarëdo veprimtarie tjetër që është në funksion të së mirës së publikut.

2. Veprimtaria e OJQ-së arsimore dhe shëndetësore përfshinë veprimtari për të mirën e publikut, vetëm në rast se përfitime të konsiderueshme sigurohen falas ose më lirë se vlera reale e tregut për grupe ose individë në kushte të pavolitshme. Veprimtaria e OJQ-së për zhvillim ekonomik përfshinë veprimtari për të mirën e publikut, vetëm nëse ndërmerret, në radhë të parë për të mirën e individëve dhe grupeve në kushte të pavolitshme

3. OJQ-ja mund të paraqesë kërkesë për status për përfitim publik me rastin e regjistrimit fillestar të OJQ-së ose më vonë. Organi kompetent i lejon OJQ-së statusin për përfitim publik, nëse dokumentet e regjistrimit dëshmojnë se qëllimet dhe veprimtaria e OJQ-së i plotëson kërkesat e paragrafit 1. dhe paragrafit 2. të këtij neni.

4. OJQ-të me status të përfituesit publik gëzojnë të drejtën për lirim nga tatimi dhe lehtësi tatimore dhe fiskale sipas legjislacionit ne fuqi me përjashtim të atyre që në esencë janë detyrime për shërbimet publike komunale.

5. Për zbatimin e këtij neni, Ministria propozon aktin nënligjor, i cili aprovohet nga Qeveria.

 

Neni 18

Obligimet për raportim financiar dhe të aktivitetit për OJQ-të me status për përfitim publik

1. OJQ-ja, të cilës i është lejuar statusi për përfitim publik, duhet t'i paraqesë organit kompetent çdo vit një raport vjetor për veprimet dhe aktivitetet e saj në Kosovë. Raportet duhet të dorëzohen deri në fund të muajit mars të secilit vit për vitin raportues që përfundon me 31 dhjetor të vitit paraprak.

2. Raporti vjetor duhet nënshkruar nga përfaqësuesi i autorizuar i OJQ-së. Përfaqësuesi i autorizuar është përgjegjës për saktësinë dhe vërtetësinë e të dhënave që i përmban raporti.

3. Raporti vjetor domosdo përbëhet nga tri pjesët në vijim:

3.1. pjesa për menaxhment dhe administratë;

3.2. raporti për aktivitete dhe të arritura;

3.3. raporti financiar.

4. Pjesa për menaxhment dhe Administratë duhet të përmbajë:

4.1. emrin, shkurtesën (emërtimin me iniciale), adresën, numrin e telefonit, numrin e faksit dhe adresën elektronike (e-mail) të OJQ-së;

4.2. emrin e zyrtarit kryesor ekzekutiv (p.sh. përgjegjës apo drejtor ekzekutiv);

4.3. emrat e anëtarëve të organit udhëheqës, si dhe emrat e titujt e të gjithë zyrtarëve në pozita udhëheqëse.

5. Raporti i aktiviteteve dhe të arriturave duhet të përmbaj:

5.1. një deklaratë për misionin dhe qëllimin mirëbërës shoqëror të OJQ-së;

5.2. identifikimin e programeve kryesore dhe aktiviteteve që kanë për qëllim realizimin e atyre programeve. Deklarata duhet të jetë e mjaftueshme për të dëshmuar mënyrën si organizata i realizon qëllimet e veta mirëbërëse shoqërore përmes aktiviteteve të veta;

5.3. një deklaratë për arritjet kryesore të programeve;

5.4. nëse OJQ-ja merr përsipër aktivitete të tjera, përveç atyre që shkojnë në dobi të shoqërisë, siç është përcaktuar me paragrafin 1. të nenit 17 të këtij ligji, një deklaratë, e cila i përshkruan ato aktivitete;

5.5. një deklaratë se OJQ-ja nuk ka mbledhur fonde dhe nuk ka bërë fushatë për përkrahjen e partive politike apo për emërimin dhe zgjedhjen e kandidatëve në detyra të ndryshme publike, apo për regjistrimin dhe përkrahjen e kandidatëve të emëruar apo të zgjedhur në funksione publike gjatë periudhës për të cilën raportohet;

5.6. OJQ-ja që është e angazhuar në aktivitete mirëbërëse shoqërore, në lëmin e arsimit apo të shëndetësisë, dorëzon edhe një deklaratë për:

5.6.1. llojin e grupeve ose individëve në kushte të pavolitshme, të cilët i shërben;

5.6.2. llojin e dobive që organizata u ofron grupeve ose individëve në kushte të pavolitshme;

5.6.3. një deklaratë se ato dobi ofrohen falas, apo, së paku më lirë se vlera e tyre në treg;

5.7. OJQ-ja, e cila angazhohet në aktivitete mirëbërëse shoqërore në sferën e zhvillimit ekonomik, dorëzon edhe një deklaratë për llojin e individëve dhe grupeve në kushte të pavolitshme që u shërben.

6. Raportet financiare përgatiten në formularë, të cilët i siguron organi kompetent, dhe të cilët përmbajnë, së paku:

6.1. një fletë-bilanc, ku shihen pasuria dhe përgjegjësitë financiare të organizatës;

6.2. raportin financiar mbi burimin e të hyrave, ku të hyrat dhe të dalat e OJQ-së paraqiten ndarazi për pjesën për menaxhment dhe administratë, dhe atë programore.

7. Organi kompetent me kërkesën e OJQ-së mund ta caktojë një afat shtesë për dorëzimin e raportit vjetor, nëse këtë e kanë imponuar situatat e jashtëzakonshme, por jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga dita e kalimit të këtyre rrethanave.

8. Deklaratat financiare përgatitën deri më ditën e fundit të muajit mars për periudhën prej një viti, që përfundon me datën 31 dhjetor të vitit paraprak.

9. Raportet financiare të përgatitura dhe të dorëzuara nga OJQ-të vendore, me të hyra vjetore ose me shpenzime mbi njëqindmijë (100.000) euro, nga OJQ-të e huaja dhe ndërkombëtare me të hyra ose shpenzime vjetore për veprimtarinë dhe aktivitetin e tyre brenda Republikës së Kosovës mbi njëqindmijë (100.000) euro, duhet të prezantojnë pasqyrën financiare të vitit fiskal si në Republikën e Kosovës, duke përfshirë edhe raportin e auditimit për vitin paraprak, të nënshkruar nga auditori i licencuar në Republikën e Kosovës, në mënyrë që aspektet materiale dhe pozita financiare e organizatës për atë periudhë raportimi të jetë e drejtë.

10. Raporti vjetor duhet të përfshijë:

10.1. një deklaratë, e cila i përfshinë të gjithë veprimtarinë si dhe pagesën e pagave të punonjësve të OJQ-së, duke përfshirë përshkrimin e punës së të angazhuarve dhe marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet OJQ-së dhe palës tjetër në kryerjen e asaj pune; ose

10.2. një vërtetim se OJQ-ja nuk ka zhvilluar veprimet e parapara sipas nën-paragrafit 10.1. të këtij paragrafi, gjatë periudhës për të cilën raportohet.

11. Raportet e dorëzuara në pajtim me këtë nen, vihen në dispozicion publikut. OJQ-ja ka mundësi t'i veçojë informatat apo pasurinë, të cilën ajo e konsideron konfidenciale në raportin e saj dhe të kërkojë që organi kompetent t'ia fshijë ato të dhëna para se raporti të bëhet publik. Informatat apo pasuria, e cila mund të konsiderohet konfidenciale për qëllime të këtij neni përfshinë informatat personale ose financiare të punonjësve të organizatës. OJQ-ja duhet të paraqesë një kërkesë për mos publikim të informatave të këtilla atëherë kur ia dorëzon raportin organit kompetent, si dhe duhet të paraqesë arsyet për trajtim konfidencial të informacioneve. Përveç kësaj, OJQ-ja duhet të paraqesë informatën konfidenciale në mënyrë të ndarë nga pjesa tjetër e raportit, dhe domosdo duhet që në mënyrë të qartë të theksojë se raporti përfshinë kërkesën për mospublikim të informacionit. Organi kompetent i përgjigjet me shkrim kërkesës për mospublikim brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pas dorëzimit të kërkesës.

12. Publikimi i paautorizuar dhe kundër ligjor, nga organi kompetent, i cili disponon të dhënat përkatëse ndëshkohet sipas dispozitave ligjore në fuqi.

13. Organi kompetent, pas plotësimit me sukses të obligimit për raportim të OJQ-së me status për përfitim publik, siç parashihet me këtë nen, OJQ-së i lëshon certifikatën e re të statusit për përfitim publik në afat një (1) vjeçar.

 

Neni 19

Pezullimi, revokimi dhe tërheqja vullnetare e Statusit për Përfitim Publik

1. Organi kompetent pezullon statusin e përfituesit publik të një OJQ-je, e cila nuk paraqet raport të plotë vjetor, ashtu siç kërkohet me nenin 18. OJQ-ja që dështon të paraqesë raportin e kërkuar me këtë ligj brenda afatit të paraparë me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji, ose paraqet raport jo të plotë, njoftohet me shkrim për dështimin nga ana e organit kompetent. Njoftimi me shkrim udhëzon OJQ-në që të paraqesë raportin që mungon, ose atë jo të plotë brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga data e njoftimit, si dhe e informon OJQ-në, që dështimi në përmbushjen e kësaj kërkese ka për pasojë pezullimin e statusit të përfituesit publik dhe të gjitha përfitimeve që rrjedhin nga ai.

2. OJQ-ja që dështon të paraqesë raport të plotë, siç kërkohet brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga data e njoftimit me shkrim, në bazë të paragrafit 1. të këtij neni, njoftohet me shkrim nga organi kompetent se statusi i saj i përfituesit publik, së bashku me të gjitha përfitimet që rrjedhin nga ai status janë pezulluar, dhe se, nëse OJQ-ja dështon të sigurojë raportin brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, pas njoftimit, organi kompetent nxjerr vendim për revokimin e statusit për përfitim publik. OJQ-ja është e detyruar që në mënyrë retroaktive t’i kryejë të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara që kanë rrjedhur nga lehtësitë tatimore dhe doganore të Statusit për Përfitim Publik, për periudhën për të cilën ka dështuar të raportojë në afat prej gjashtë (6) muajsh nga dita e pranimit të vendimit.

3. Organi kompetent pezullon statusin për përfitim publik të një OJQ-je, nëse pas shqyrtimit të raportit vjetor të dorëzuar nga OJQ-ja, verifikon se OJQ-ja nuk plotëson më tutje kërkesat për status për përfitim publik të parapara me nenin 17 të Ligjit. Pas një verifikimi të këtillë, organi kompetent e njofton me shkrim OJQ-në për arsyet e pezullimit të statusit për përfitim publik dhe përfitimeve që rrjedhin nga ai status. OJQ-ja ka mundësi që brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh, që nga dita e pranimit të njoftimit, t’i sigurojë organit kompetent informata me shkrim, që e mbështesin të drejtën e saj për status për përfitim publik. Nëse OJQ-ja nuk siguron informata të bazuara brenda afatit të paraparë, organi kompetent nxjerr vendim për revokimin e statusit për përfitim publik. OJQ-ja është e detyruar që në mënyrë retroaktive t’i kryejë të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara që kanë rrjedhur nga lehtësitë tatimore dhe doganore të Statusit për Përfitim Publik, për periudhën për të cilën janë konstatuar shkeljet në afat prej gjashtë (6) muajsh nga dita e pranimit të vendimit. Organi kompetent i njofton me shkrim organet tatimore dhe doganore për vendimin e marrë.

4. OJQ-ja së cilës i është revokuar statusi për përfitim publik, ka të drejtë të kërkojë përsëri të njëjtin pas kalimit të afatit trevjeçar nga data e revokimit.

5. OJQ-ja me status për përfitim publik mund të bëjë kërkesë për tërheqjen nga ky status pas përfundimit të vitit financiar për të cilin i ka gëzuar lehtësirat që i ka garantuar statusi për përfitim publik. Kërkesa për tërheqje nga ky status për vitin e ardhshëm duhet të bëhet të paktën dyzet e pesë (45) ditë para përfundimit të vitit kalendarik gjatë të cilit OJQ-ja është duke e gëzuar statusin për përfitim publik. Organi kompetent është i obliguar që për tërheqjen nga statusi për përfitim publik të vendosë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas pranimit të kërkesës, duke i njoftuar për vendimin të gjitha organet tatimore dhe doganore. OJQ-ja që tërheq vullnetarisht statusin për përfitim publik, ka të drejtë që të kërkojë përsëri këtë status, sipas procedurave të parapara me ligj.

 

KREU V
SHUARJA DHE ÇREGJISTRIMI I OJQ-së

 

Neni 20

Shuarja e OJQ-së

1. OJQ - ja shuhet:

1.1. me vendim vullnetar për shuarjen e OJQ-së të marrë nga organi më i lartë udhëheqës në pajtim me statutin e saj;

1.2. kur OJQ-ja bëhet josolvente sipas ligjit në fuqi;

1.3. me kalimin e afatit për të cilin është themeluar, nëse një afat i tillë është i përcaktuar në aktin themelues;

1.4. në bazë të vendimit të plotfuqishëm gjyqësor.

 

Neni 21

Çregjistrimi i OJQ-së

1. Organi kompetent çregjistron OJQ-në:

1.1. në njërën nga rastet e përcaktuara në paragrafin 1. të nenit 20 të këtij ligji;

1.2. nëse OJQ-ja për tri (3) vite me radhë dështon të paraqesë deklaratën vjetore të paraparë në paragrafin 5. të nenit 12 të këtij ligji.

2. Organi kompetent i jep OJQ-së njoftim me shkrim për arsyet e çregjistrimit si dhe mundësinë që të përgjigjet para se të merret vendimi për çregjistrimin e OJQ-së.

3. Në rast të shuarjes ose çregjistrimit të OJQ-së, e cila ka shfrytëzuar lehtësi tatimore ose fiskale, donacione publike, ose grante nga qeveria, e gjithë pasuria e mbetur pas shlyerjes së borxheve të OJQ-së i jepet OJQ-së tjetër me qëllime të njëjta apo të ngjashme. Kjo OJQ identifikohet në bazë të statutit të OJQ-së, ose me propozim të organit më të lartë udhëheqës të OJQ-së. Ministria themelon Komisionin për Shpërndarjen e Pasurisë së mbetur të OJQ-së së shuar dhe të çregjistruar, me përfaqësues edhe të OJQ-ve, duke u bazuar në aktin nënligjor të nxjerrë nga Qeveria.

4. Në të gjitha rastet tjera, çdo pasuri e mbetur pas pagesës së borxheve shpërndahet në bazë të statutit apo të vendimit të organit më të lartë udhëheqës, dhe në të gjitha rastet në përputhshmëri me nenin 4 të këtij ligji.

5. OJQ-ja me status të përfituesit publik që është shpërbërë, është çregjistruar, ose pushon së vepruari në Kosovë brenda afatit të raportimit paraqet raport për atë periudhë, në përputhshmëri me nenin 4 dhe 18 të këtij ligji. Në raportin e saj, OJQ-ja thekson datën e shpërndarjes, shuarjes, çregjistrimit, dispozitat për përfundimin e punës së saj, si dhe shumën e mjeteve të mbetura pas përmbushjes së obligimeve, mënyrën e planifikuar të disponimit me mjete, si dhe mënyrën në të cilën është marrë vendimi për disponim me mjete (konkretisht, me dispozitë të përcaktuar në Statutin e organizatës, me vendim të organit më të lartë udhëheqës, apo me vendim të organit kompetent).

6. Përfaqësuesi i autorizuar i OJQ-së ka përgjegjësi juridike para organit kompetent për regjistrim dhe organeve tjera.

7. Pas shterjes së të gjitha të drejtave për ankesë, dhe në bazë të vendimit për çregjistrim, organi kompetent e heq OJQ-në nga regjistri i OJQ-ve.

 

KREU VI

BASHKËPUNIMI DHE PËRKRAHJA E OJQ-ve

 

Neni 22

Institucionet e Republikës së Kosovës dhe OJQ-të

Institucionet e Republikës së Kosovës përkrahin, por nuk ndërhyjnë në veprimtaritë e OJQ-ve, dhe bëjnë publike të gjitha format e bashkëpunimit dhe përkrahjes. Dhënia e çfarëdo fondi publik për OJQ nga institucionet e Republikës së Kosovës bëhet në bazë të kritereve të paracaktuara dhe publike.

 

Neni 23

Ankesat

1. Nëse OJQ-ja është e pakënaqur me vendimin e organit të shkallës së parë ka të drejtë t’i drejtohet me ankesë organit të shkallës së dytë.

2. Ankesa i drejtohet organit të shkallës së dytë përmes organit të shkallës së parë.
3. Ministria përkatëse themelon organin e shkallës së dytë, i cili duhet të jetë i pavarur.

4. Mënyra e krijimit dhe funksionimit të këtij organi rregullohet me rregullore të veçantë që e nxjerr Ministria përkatëse.

 

KREU VII

DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT

 

Neni 24 Aktet nënligjore

1. Ministria propozon aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji, në afat prej gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në fuqi të ligjit.

2. Qeveria nxjerr akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji më së largu nëntë (9) muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.

 

Neni 25

Shfuqizimi

Ky ligj shfuqizon Ligjin Nr. 03/ L-134 për lirinë e asociimit në organizatat joqeveritare dhe çdo dispozitë të legjislacionit që bie në kundërshtim me këtë ligj që ka të bëjë me lirinë e asociimit në organizatat joqeveritare.

 

Neni 26

OJQ-të e regjistruara sipas Ligjit 03/L134 për Lirinë e Asociimit në OJQ në Kosovë

Çdo OJQ e regjistruar sipas Ligjit 03/L134 për Lirinë e Asociimit në OJQ në Kosovë konsiderohet e regjistruar në Kosovë sipas këtij ligji.

 

Neni 27

Hyrja në Fuqi

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Ligji Nr. 04/ L-057 29 gusht 2011

Shpallur me dekretin Nr.DL-034-2011, datë 31.08.2011 nga Presidentja e Republikës së Kosovës

Atifete Jahjaga.