Print Friendly, PDF & Email

The measure is available in the following languages:

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 18 / 03 KORRIK 2012, PRISHTINË

 

LIGJI Nr. 04/L – 095 PËR DIASPORËN DHE MËRGATËN

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton

 

LIGJ PËR DIASPORËN DHE MËRGATËN

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi dhe fushëveprimi

1. Qëllimi i këtij ligji është ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, dhe lidhshmërinë e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës.

2. Ky ligj, po ashtu ka për qëllim që të ndihmojë në organizimin e mërgimtarëve në shtetet e ndryshme ku jetojnë ata si dhe të ndihmojë, nxisë dhe zhvillojë marrëdhënie ndërkulturore në mes të Republikës së Kosovës me shtetet ku mërgimtarët janë prezent.

 

Neni 2

Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në ketë ligj kanë këto kuptime:

1.1. Mërgimtar apo pjesëtar i diasporës dhe mërgatës - çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës dhe që ka lindur apo ka prejardhje familjare nga Kosova.

1.2. Qeveria - Qeveria e Republikës së Kosovës;

1.3. Ministria - Ministria përkatëse për Diasporën;

1.4. QKKDM - Qendra Kulturore të Kosovës për Diasporën dhe Mërgatën, të themeluara në vendet me interes për diasporën dhe për Republikën e Kosovës.

 

KREU II

ORGANET PËRGJEGJËSE PËR MARRËDHËNIET ME DIASPORËN DHE MËRGATËN

 

Neni 3

Organet përgjegjëse

Qeveria bën koordinimin e realizimit të interesave të mërgimtarëve, nëpërmjet ministrive përkatëse dhe Qendrave Kulturore të Kosovës për Diasporën dhe Mërgatën.

 

Neni 4

Ministria për Diasporë

1. Ministria, ka përgjegjësitë në vijim:

1.1. harton, propozon dhe zbaton politikat dhe legjislacionin për promovimin e vlerave të diasporës dhe mërgatës, dhe mbikëqyrë zbatimin e tyre;

1.2. ndihmon në promovimin, ruajtjen, kultivimin e identitetit kulturor, gjuhësor, dhe arsimor të mërgimtarëve.

1.3. ndihmon në zbatimin e plan programit arsimor për mërgimtarët të hartuara nga Ministria përkatëse për arsim;

1.4. zbaton politikat në sferën e kulturës për mërgimtarët;

1.5. harton, zbaton dhe koordinon studime, hulumtime, programe të fushës së migracionit;

1.6. ofron informata, koordinon dhe përkrah investimet në Kosovë të mërgimtarëve;

1.7. në bashkëpunim me institucionet tjera përkatëse harton regjistrin e mërgimtarëve;

1.8. në bashkëpunim me institucionet përkatëse harton dhe përditëson regjistrin e shoqatave dhe formave tjera të organizimit të mërgimtarëve;

1.9. koordinon QKKDM-të;

1.10. në koordinim dhe bashkëpunim me QKKDM-të përgatitë raporte për Qeverinë, për gjendjen e diasporës dhe mërgatës;

1.11. përgatit, koordinon dhe mbikëqyrë zbatimin e Strategjisë për Diasporën dhe mërgatën;

1.12. bashkëpunon dhe koordinon aktivitetet me institucionet tjera shtetërore, komunale, shoqërinë civile dhe organizatat e shoqatat brenda dhe jashtë Kosovës për përmirësimin e pozitës së diasporës dhe mërgatës;

1.13. me miratimin e Qeverisë, dhe në bashkëpunim dhe koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme bashkëpunon dhe koordinon aktivitetet me institucionet e shteteve tjera, për përmirësimin e pozitës së diasporës dhe mërgatës;

1.14. i raporton çdo vit Qeverisë, për veprimtarinë e ministrisë;

1.15. kryen edhe detyra të tjera, që i caktohen Ministrisë me legjislacionin përkatës në fuqi. 2. Struktura dhe organizimi i Ministrisë rregullohet me akt nënligjor të cilën e aprovon Qeveria.

 

Neni 5

Qëllimi i themelimit të Qendrës Kulturore të Kosovës për Diasporën dhe Mërgatën

1. QKKDM-të themelohen me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të mërgimtarëve dhe të forcojë lidhshmërinë e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës.

2. QKKDM-të themelohen në vendet me interes për diasporën dhe mërgatën si dhe për Republikën e Kosovës.

3. QKKDM-të regjistrohen si subjekte juridike, jo profitabile, në pajtim me ligjet në fuqi të vendeve, ku ato veprojnë.

 

Neni 6

Përgjegjësitë e QKKDM-së

1. QKKDM-ja ka përgjegjësi të:


1.1. promovojë njohuri të përgjithshme për Kosovën;

1.2. nxisë dhe zhvillojë njohuri për gjuhët, kulturën dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës, të përcaktuar me këtë ligj dhe me akte të tjera nënligjore;

1.3. nxisë bashkëpunimin shkencor, teknik, teknologjik, sportiv dhe ekonomik në mes Kosovës dhe mërgimtarëve;

1.4. ofron mërgimtarëve informata dhe udhëzime për investimet në Kosovë, lehtësimet fiskale, organizime kulturore e arsimore, takime me bashkatdhetarët dhe strukturat udhëheqëse të Kosovës dhe shteteve përkatëse ku jetojnë, përkrahje nëpërmjet diasporës për komunikim me strukturat politike të vendeve përkatëse për zhvillimin e demokracisë e ekonomisë në Kosovë dhe fushata të opinionit publik për Kosovën në vendet mikpritëse;

1.5. mbështetë dhe organizojë të rinjtë dhe grup moshat e ndryshme të mërgimtarëve, veprimtaritë kulturore, edukative e sportive, mënyrat dhe format e informimit të rregullt e të gjithanshëm;

1.6. nxisë investimet e kapitalit të mërgimtarëve në vendlindje;
1.7. promovojë avancimin në fushën e arsimit dhe edukimit që burojnë dhe dalin nga ky ligj; dhe 1.8. kryen detyra tjera të përcaktuara nga Qeveria dhe legjislacioni tjetër në fuqi.

 

Neni 7

Funksionimi i QKKDM-ve

1. Drejtori i QKKDM-së zgjidhet me konkurs publik nga komisioni i emëruar në përbërje prej pesë (5) anëtarëve:

1.1. një (1) përfaqësues nga ZKM-ja;


1.2. dy (2) përfaqësues nga Ministria përkatëse për Diasporën;


1.3. një (1) përfaqësues nga Ministria përkatëse për Kulturë;


1.4. një (1) përfaqësues nga Ministria përkatëse për Punë të Jashtme.

2. Paga e drejtorit të caktuar në QKKDM-së, do të jetë e barasvlershme me pagën e sekretarit të ambasadës ku vepron Qendra.

3. Struktura, organizimi, funksionimi si dhe zgjedhja e drejtorit të QKKDM-së rregullohet me akte nënligjore të cilat i propozon Ministria përkatëse për Diasporën dhe aprovohen nga Qeveria.

 

Neni 8

Financimi i QKKDM-së

1. Mjetet për veprimtari të QKKDM-së sigurohen nga këto burime:

1.1. nga Buxheti i Republikës së Kosovës;


1.2. nga anëtarësimi;


1.3. donacionet dhe

1.4. burimet e tjera në pajtim me legjislacionin ku vepron QKKDM;

 

KREU III

RUAJTJA DHE KULTIVIMI I IDENTITETIT GJUHËSOR, KULTUROR E ARSIMOR NË DIASPORË DHE MËRGATË

 

Neni 9

Përkrahja për mësimin dhe avancimin e gjuhëve zyrtare të Kosovës

1. Për mërgimtarët, Qeveria përmes ministrisë përkatëse për diasporë, ndihmon në krijimin e kushteve për ruajtjen dhe mësimin e gjuhëve zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhët e komuniteteve tjera në të cilat zhvillohet sistemi arsimor në Kosovë.

2. Ministria në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse për arsim, sipas programit arsimor, ndihmon dhe përkrahë zhvillimin e procesit mësimor të punonjësve të arsimit të gjuhëve zyrtare të Kosovës dhe në gjuhët e komuniteteve tjera në të cilat zhvillohet sistemi arsimor në Kosovë, në vendet ku mërgimtarët janë në numër më të madh dhe ku është një shtrirje më kompakte apo ku ka interes të veçantë shtetëror.

3. Ministri nënshkruan marrëveshje bilaterale me vendet përkatëse ku jetojnë pjesëtarët e diasporës së saj, për organizimin e procesit mësimor të gjuhëve zyrtare dhe kulturës së Republikës së Kosovës dhe në gjuhët e komuniteteve tjera në të cilat zhvillohet sistemi arsimor në Kosovë.

4. Organizimi i procesit mësimor dhe përzgjedhja e arsimtarëve në vendet përkatëse ku jeton dhe vepron diaspora, rregullohet me akt nënligjor të propozuar nga Ministria në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse për arsim dhe miratuar nga Qeveria.

5. Ministria për realizimin e procesit arsimor, sipas paragrafit 4. të këtij neni do t’i bashkërendit dhe koordinojë punët me vendet e rajonit me interesa të përbashkëta.

6. Ministria, në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse për arsim, ndihmon në:

6.1. shpërndarjen e librave të veçantë, në vendet ku jeton dhe vepron diaspora dhe mërgata e Kosovës, për mësimin dhe avancimin e gjuhëve zyrtare dhe të kulturës së Republikës së Kosovës dhe në gjuhët e komuniteteve tjera në të cilat zhvillohet sistemi arsimor në Kosovë;

6.2. libra letrar, kulturor dhe të trashëgimisë kulturore të Kosovës; 6.3. materiale të tjera edukativo - arsimore;

6.4. qasje elektronike në tekstet shkollore të Kosovës, në një faqe të veçantë të Internetit për diasporën dhe mërgatën e saj.

7. Ministria në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse për arsim:

7.1. përgatit dhe zbaton programe për mësimin e gjuhëve zyrtare në distancë nëpërmjet Internetit dhe mjetet elektronike të komunikimit masiv, si dhe mësimin e kulturës dhe të historisë së Republikës së Kosovës,

7.2. organizon seminare trajnuese për mësuesit; dhe
7.3. promovon dhe merr masa të ndryshme për inkurajimin e mësimit plotësues për mërgimtarët.

 

Neni 10

Bashkëpunimi kulturor dhe promovimi i trashëgimisë kulturore të Kosovës

1. Ministria, në bashkëpunim me Ministrinë përkatëse për kulturë, përkrahë aktivitetet kulturore dhe sportive të mërgimtarëve, me synim ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit, ruajtjes së trashëgimisë kulturore si dhe promovimit e shtrirjes së tyre.

2. Në kuadër të Muzeut të Kosovës themelohet një seksion i veçantë për diasporën dhe mërgatën.

 

Neni 11

Informimi

1. Televizioni publik i Republikës së Kosovës obligohet që të sigurojë gjashtë përqind (6 %) deri në nëntë përqind (9%) të skemës programore mujore, për program, enkas, për diasporën dhe mërgatën e Republikës së Kosovës.

2. Qeveria ofron qasje në informacion dhe integrim e bashkëpunim në fushën e informimit, përfshirë këtu, ofrimin e informacionit për shtetasit jashtë vendit lidhur me ngjarjet në Republikën e Kosovës, dhe anasjelltas, informacion në Kosovë lidhur me mërgimtarët/et. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përdorimit të informimit të avancuar elektronik.

3. Qeveria e Republikës së Kosovës nxitë dhe inkurajon punën e mediave të pjesëtarëve të diasporës së Kosovës, bazuar në efikasitetin dhe racionalitetin e veprimtarisë së tyre.

 

Neni 12

Ekonomia dhe shkenca

1. Ministria i kushton vëmendje të veçantë fuqizimit të lidhjeve ekonomike, bashkëpunimit në fushën e shkencës dhe zhvillimit të teknologjive të reja ndërmjet mërgimtarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës, përmes bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet masave të ndryshme të politikës ekonomike sipas legjislacionit në fuqi, të Republikës së Kosovës.

2. Ministria përkrahë bashkëpunimin e shkencëtarëve pjesëtarë të diasporës dhe mërgatës së Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit dhe forcon bashkëpunimin në projektet kërkimore institucionale.

 

Neni 13

Çmimi vjetor i Diasporës dhe Mërgatës

1. Ministria e Diasporës themelon Çmimin vjetor të Diasporës dhe Mërgatës për grupin apo mërgimtarin me të suksesshëm gjatë vitit.

2. Kriteret dhe mënyra e ndarjes se çmimit rregullohet me akt nënligjor qe e nxjerr Ministria e Diasporës.

 

Neni 14

Dita e Diasporës dhe Mërgatës

1. Dita e Diasporës dhe Mërgatës është 2 Gushti.

2. Qeveria e Kosovës me manifestim të veçantë e shënon Ditën e Diasporës dhe Mërgatës.

 

KREU IV

DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

 

Neni 15

Strategjia për Diasporën dhe Mërgatën

Qeveria e Republikës së Kosovës, brenda një (1) viti, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton Strategjinë për Diasporën dhe Mërgatën, që e harton dhe e propozon Ministria.

 

Neni 16

Themelimi i QKKDM-ve

1. Varësisht nga mundësitë buxhetore, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë me vendim të veçantë, do të vendosë për themelimin e QKKDM-ve, në vendet me interes për diasporën dhe mërgatën, dhe për Republikën e Kosovës.

2. Institucionet e ndikuara në këtë ligj, sipas mundësive buxhetore të lejuara me Ligjin vjetor të buxhetit i përmbushin obligimet e tyre.

 

Neni 17

Aktet nënligjore

Qeveria, për zbatim të këtij ligji miraton aktet nënligjore, brenda gjashtë (6) muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit.

 

Neni 18

Agjencia e Mërgatës së Kosovës

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji Agjencia e Mërgatës së Kosovës, nëpunësit civilë dhe buxheti i Agjencisë, si dhe asetet tjera, do t’i transferohen Ministrisë për Diasporë të Kosovës.

 

Neni 19

Shfuqizimi

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji nr. 03/L-171 për Mërgatën e Kosovës i shpallur në Gazetën Zyrtare Nr. 69 (20 maj 2010).

 

Neni 20

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Ligji Nr. 04/L - 095 31 maj 2012

Shpallur me dekretin Nr.DL-029-2012, datë 19.06.2012 nga Presidentja e Republikës së Kosovës

Atifete Jahjaga.