Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 SHTATOR 2013, PRISHTINË

 

LIGJI NR. 04/L-215

 

PËR SHTETËSINË E KOSOVËS

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton

 

LIGJ PËR SHTETËSINË E KOSOVËS

 

KREU I

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Fushëveprimi i ligjit

Me këtë ligj përcaktohen mënyrat e fitimit, humbjes dhe rifitimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe rregullohen çështje të tjera të ndërlidhura me shtetësinë e Republikës së Kosovës.

 

Neni 2

Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Shtetësi - një lidhje të ngushtë juridike midis shtetit të Republikës së Kosovës dhe një personi nga e cila rezultojnë të drejta dhe detyrime të ndërsjella;

1.2. Organ kompetent - Ministria e Punëve të Brendshme;

1.3. Shtetas i huaj dhe person i huaj - çdo person i cili nuk është shtetas i Republikës së Kosovës;

1.4. Person- personi fizik;

1.5. Natyralizim - fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës në bazë të kërkesës së personit të huaj sipas dispozitave të nënparagrafit 1.3. të këtij neni;

1.6. Fëmijë - personi i moshës së mitur, nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare;
1.7. Rifitim - . personi i cili e ka humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës me lirim dhe i

cili i ka përmbushur kriteret për rifitim të shtetësisë;

1.8. Pjesëtar i diasporës - çdo person që e ka qëndrimin e ligjshëm jashtë Republikës së Kosovës i cili dëshmon se ka lindur në Republikën e Kosovës, pjesëtar i diasporës konsiderohet edhe secili person i cili është pasardhës brenda një gjenerate i personit që ka lindur në Republikën e Kosovës.

1.9. Personi pa shtetësi - personi i cili nuk konsiderohet shtetas i asnjë shteti në kuadër të fushëveprimit të ligjeve të tij;

1.10. Personi me status refugjati – ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Azil; 1.11. Anëtarë të familjes – ka kuptimin ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Azil.

 

Neni 3

Shtetësia e shumëfishtë

1. Shtetasi i Republikës së Kosovës mund të jetë edhe shtetas i një ose më shumë shteteve të tjera. 2. Fitimi dhe mbajtja e shtetësisë tjetër nuk rezulton në humbjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

 

Neni 4

Mbrojtja e shtetësisë

Shtetasit të Republikës së Kosovës nuk mund t’i hiqet shtetësia e Republikës së Kosovës përveç në mënyrën dhe nën kushtet e përcaktuara me këtë ligj.

 

KREU II

FITIMI I SHTETËSISË

 

Neni 5

Mënyrat e fitimit të shtetësisë

1. Shtetësia e Republikës së Kosovës fitohet:

1.1. me lindje;

1.2. me adoptim;

1.3. me natyralizim;

1.4. në bazë të marrëveshje ndërkombëtare;

1.5. në bazë të neneve 31 dhe 32 të këtij ligji.

 

Neni 6

Fitimi i shtetësisë me lindje në bazë të origjinës

1. Fëmija lind shtetas i Republikës së Kosovës nëse në kohën e lindjes së fëmijës të dy prindërit janë shtetas të Republikës së Kosovës.

2. Nëse në kohën e lindjes së fëmijës vetëm njëri prind e ka shtetësinë e Republikës së Kosovës, fëmija e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës me lindje në rastet vijuese:

2.1. fëmija është i lindur në territorin e Republikës së Kosovës;

2.2. fëmija është i lindur jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe prindi tjetër është me shtetësi të panjohur ose pa shtetësi;

2.3. fëmija është i lindur jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe prindi tjetër ka shtetësi tjetër, por të dy prindërit pajtohen me shkrim që fëmija të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës. E drejta nga kjo dispozitë duhet të ushtrohet para moshës katërmbëdhjetë vjeçare të fëmijës. Në mungesë të pëlqimit të prindërve fëmija do të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës nëse si pasoj mbetet pa shtetësi.

 

Neni 7

Fitimi i shtetësisë me lindje në territorin e Republikës së Kosovës

1. Fëmija i lindur ose i gjetur në territorin e Republikës së Kosovës prindërit, e të cilit janë të panjohur ose pa shtetësi e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës me rastin e lindjes, përkatësisht gjetjes.

2. Në rast se të paktën një prind i fëmijës të përcaktuar në paragrafin 1. e këtij neni identifikohet para se fëmija të ketë mbushur moshën shtatë (7) vjeçare dhe prindi në fjalë nuk është shtetas i Republikës së Kosovës, me kërkesë të prindit fëmija e humb shtetësinë e Republikës së Kosovës, me kusht që me humbjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës fëmija të mos mbetet pa shtetësi.

3. Fëmija i lindur brenda territorit të Republikës së Kosovës prindërit e të cilit kanë shtetësi tjetër por të cilët kanë leje qëndrimi të përhershëm në Republikën e Kosovës do të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës me pëlqimin e të dy prindërve.

4. Përjashtimisht nga paragrafi 3. i këtij neni fëmija i lindur në territorin e Republikës së Kosovës do të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës nëse si pasoj mbetet pa shtetësi.

 

Neni 8

Fitimi i shtetësisë me adoptim

Në rast të adoptimit të fëmijës nga prindërit të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, apo njëri prind është shtetas i Republikës së Kosovës fëmija gëzon të drejtat e fëmijës natyral.

 

Neni 9

Dispozitat e përgjithshme për natyralizimin e personave të huaj

1. Personi i huaj e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës me natyralizim nëse plotëson kushtet e përcaktuara në nenin 10, 11, 12, 13, 15, 16 dhe 17 të këtij ligji.

2. Natyralizimi bëhet i plotfuqishëm kur personit të natyralizuar i dorëzohet vendimi i plotfuqishëm për fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës i lëshuar nga organi kompetent.

3. Pavarësisht prej plotësimit të kushteve të përcaktuara në nenet 10, 11, 12, 13, 15, 16 ose 17 të këtij ligji, askush nuk mund të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës, nëse është i dënuar për vepër penale brenda ose jashtë Republikës së Kosovës ose nëse dhënia e shtetësisë është në kundërshtim me interesat e Republikës së Kosovës, në veçanti me ato të sigurisë së brendshme dhe të jashtme ose të marrëdhënieve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

4. Dënimi për vepër penale në kuptimin e paragrafit 3. të këtij neni nuk përfshin:

4.1. Dënimin për vepër penale me gjobë ose deri në gjashtë (6) muaj heqje lirie, nëse gjykata ka shqiptuar dënimin me kusht;

4.2. Dënimin për vepër penale të shqiptuar nga një gjykatë e huaj nëse vepra në fjalë nuk konsiderohet vepër penale në Republikën e Kosovës ose nëse dënimi është shqiptuar në bazë të një procedure e cila nuk është konform standardeve evropiane të së drejtës penale, veçanërisht me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore; dhe

4.3. Dënimin për vepër penale të shlyer në mënyrë legjitime nga evidenca e të dënuarve.

5. Organi kompetent e pezullon procedurën e natyralizimit nëse kundër personit i cili ka paraqitur kërkesë për natyralizim janë duke u bërë hetime për vepër penale ose është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore për vepër penale, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

6. Procedura pezullohet deri në përfundimin e hetimeve, përkatësisht të procedurës gjyqësore.

 

Neni 10

Natyralizimi i personave të huaj

1. Personi i huaj e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës me kërkesë të tij nëse në ditën e paraqitjes së kërkesës plotëson kushtet vijuese:

1.1. është i moshës madhore;

1.2. nëse ka qëndruar pa ndërprerë për pesë (5) vjet në Republikën e Kosovës pas marrjes së leje qëndrimit të përhershëm;

1.3. deklarohet dhe me sjelljen e tij gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës ka dëshmuar se pranon rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës dhe se është i integruar nëshoqërinë kosovare përmes lidhjeve sociale, kulturore, shkencore, ekonomike ose profesionale. Kriteret do të përcaktohen me akte nënligjore të nxjerra nga Ministria e Punëve të Brendshme;

1.4. posedon mjete materiale të mjaftueshme për të siguruar jetesën e vet dhe të personave për mbajtjen e të cilëve është përgjegjës pa shfrytëzuar skemat e asistencës sociale;

1.5. i ka përmbushur të gjitha detyrimet financiare ndaj shtetit; dhe

1.6. ai/ ajo dëshmon njohuri elementare në njërën prej gjuhëve zyrtare në shkrim dhe lexim të Republikës së Kosovës, kulturën dhe rregullimin shoqëror;

2. Qëndrimi në Republikën e Kosovës pa ndërprerë, sipas paragrafit 1, nënparagrafi 1.2. të këtij neni, edhe nëse personi qëndron jashtë Republikës së Kosovës për periudha jo më të gjata se dhjetë (10) muaj. Për periudha më të gjata se dhjetë (10) muaj nevojitet leja e organit kompetent.

3. Personi i huaj i moshës madhore mund të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës në bazë të kërkesës së tij edhe nëse nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin 1. te këtij neni nëse kjo është në interes të veçantë ekonomik, social, kulturor, sportiv, shkencor, politik apo profesional të Republikës së Kosovës. Fitimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës sipas këtij neni bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës.

 

Neni 11

Natyralizimi i bashkëshortit

1. Personi i huaj i cili është bashkëshort i shtetasit të Republikës së Kosovës e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës në bazë të kërkesës, nëse në ditën e paraqitjes së kërkesës plotëson kushtet vijuese:

1.1. të paktën tre (3) vite ka lidhje martesore me shtetasin e Republikës së Kosovës;

1.2. është duke jetuar rregullisht në Republikën e Kosovës për të paktën një (1) vit dhe posedon leje qëndrim të përkohshëm të lëshuar nga organi kompetent.

1.3. dispozitat nga nënparagrafët 1.1, 1.3 ,1.4 dhe 1.6 të paragrafit 1. të nenit 10 të këtij ligji vlejnë po ashtu edhe për natyralizimin e bashkëshortit.

1.4. personi i huaj i cili është bashkëshort i shtetasit të Republikës së Kosovës nuk do ta fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës nëse martesa ka ndodhur në kundërshtim me Ligjin mbi Familjen

 

Neni 12

Natyralizimi i bashkëshortit të personit të natyralizuar

1. Bashkëshorti i personit të natyralizuar e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës nëse në ditën e paraqitjes së kërkesës së tij i plotëson kushtet vijuese:

1.1. nëse të paktën ka tre (3) vite lidhje martesore, pas natyralizimit të bashkëshortit të natyralizuar;

1.2. është duke jetuar rregullisht në Republikën e Kosovës për të paktën dy (2) vite dhe posedon leje të qëndrimi të përkohshëm të lëshuar nga organi kompetent

1.3. dispozitat nga nënparagrafët 1.1., 1.3. ,1.4. dhe 1.6. të paragrafit 1. të nenit 10 të këtij ligji vlejnë po ashtu edhe për natyralizimin e bashkëshortit të personit të natyralizuar.

2. Personi i huaj i cili është bashkëshort i personit të natyralizuar nuk do ta fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës nëse martesa ka ndodhur në kundërshtim me Ligjin mbi Familjen.

 

Neni 13

Natyralizimi i fëmijës së mitur të personit të natyralizuar

1. Fëmija i mitur i personit i cili ka paraqitur kërkesën për natyralizim e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës kur prindi i tij e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës edhe nëse fëmija nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin 1. të nenit 10 të këtij ligji. Kërkesa për natyralizimin e fëmijës së mitur i bashkëngjitet kërkesës për natyralizim të parashtruar nga prindi.

2. Për fëmijët mbi moshën katërmbëdhjetë (14) vjeçare deri në moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare, pëlqimi paraprak i tij për të fituar shtetësinë e Kosovës është i domosdoshëm.

3. Paragrafi 1. i këtij neni vlen edhe për personat e mitur të adoptuar.

 

Neni 14

Lehtësimi i marrjes së shtetësisë për refugjatët dhe personat pa shtetësi

Organi kompetent duhet sa më shumë të jetë e mundur të lehtësojë natyralizimin e refugjatit dhe personit pa shtetësi. Në veçanti do të bëjë përpjekje të përshpejtojë procedurat e natyralizimit dhe të zvogëlojë sa më shumë të jetë e mundur detyrimet dhe shpenzimet e procedurave të tilla.

 

Neni 15

Natyralizimi i personave me status refugjati ose personave pa shtetësi

1. Personi me status refugjati ose personi pa shtetësi mund ta fitojë shtetësinë e Republikës Kosovës me natyralizim nëse ai/ajo qëndron në territorin e Republikës së Kosovës pesë (5) vite nga dita e marrjes së statusit të refugjatit ose të personit pa shtetësi.

2. Të drejtën e fitimit të shtetësisë sipas paragrafit 1. të këtij neni e kanë edhe anëtarët e familjes. Për fëmijët mbi moshën katërmbëdhjetë (14) vjeçare deri në moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare, pëlqimi paraprak i tij për të fituar shtetësinë e Kosovës është i domosdoshëm.

3. Dispozitat nga nënparagrafët 1.1., 1.3. dhe 1.6. të paragrafit 1. të nenit 10 të këtij ligji vlejnë po ashtu edhe për fitimin e shtetësisë së personit pa shtetësi ose personit refugjat, përjashtimisht fëmijëve nga paragrafi 2. i këtij neni

4. Procedurat dhe kriteret për lehtësimin e fitimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës në bazë të këtij neni, caktohen me akt nënligjor të nxjerrë nga MPB-ja;

 

Neni 16

Natyralizimi i pjesëtarit të diasporës të Republikës së Kosovës

1. Pjesëtari i diasporës i Republikës së Kosovës e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës në bazë të kërkesës së tij edhe nëse nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në nënparagrafët nga paragrafi 1. i nenit 10 të këtij ligji.

2. Pjesëtar i diasporës i Republikës së Kosovës konsiderohet çdo person i cili e ka qëndrimin e ligjshëm dhe të rregullt jashtë Republikës së Kosovës por i cili dëshmon se ka lindur në Republikën e Kosovës dhe se ka lidhje të ngushta familjare dhe ekonomike në Republikën e Kosovës.

3. Pjesëtar i diasporës i Republikës së Kosovës konsiderohet edhe secili person i cili është pasardhës brenda një gjenerate i personit të përmendur në paragrafin 2. të këtij neni dhe i cili dëshmon se mban lidhje familjare në Republikën e Kosovës.

4. Kriteret për përcaktimin e lidhjes së ngushtë familjare dhe ekonomike sipas paragrafëve 2. dhe 3. të këtij neni caktohen nga organi kompetent me akt nënligjor.

 

Neni 17

Natyralizimi i personit që e ka humbur shtetësinë e Republikën e Kosovës

1. Personi i cili e ka humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës me lirim nga shtetësia mund të rifitoj shtetësinë e Republikës së Kosovës me kërkesë të tij nëse i plotëson kushtet e përcaktuara nga nënparagrafët 1.3, 1.4 dhe 1.5 të paragrafit 1. të nenit 10 të këtij ligji.

2. Të drejtën e rifitimit të shtetësisë së Kosovës e kanë edhe fëmijët e personit nga paragrafi 1. i këtij neni. Për fëmijët mbi moshën katërmbëdhjetë (14) vjeçare deri në moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare, pëlqimi paraprak i tij për të rifituar shtetësinë e Kosovës është i domosdoshëm.

 

Neni 18

Revokimi i vendimit për natyralizim

1. Organi kompetent e revokon vendimin për natyralizim nëse konstaton se vendimi është nxjerrë në bazë të deklaratës së rrejshme ose të fakteve të fshehura.

2. Në rastin e natyralizimit sipas nenit 13 të këtij ligji, revokimi i vendimit për natyralizimin e prindit ka për pasojë edhe revokimin e vendimit për natyralizimin e fëmijës së mitur përveç nëse si pasojë fëmija mbetet pa shtetësi.

 

KREU III

HUMBJA E SHTETËSISË

 

Neni 19

Mënyrat e humbjes së shtetësisë

1. Shtetësia e Republikës së Kosovës humbet: 1.1. me lirim nga shtetësia;

1.2. me privim të shtetësisë;
1.3. në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.

 

Neni 20

Lirimi nga shtetësia

1. Shtetasi i Republikës së Kosovës e humb shtetësinë e Republikës së Kosovës me lirim në bazë të kërkesës së tij nëse i plotëson kushtet vijuese:

1.1. posedon shtetësinë e një shteti tjetër ose posedon garancionin e lëshuar nga organi kompetent i shtetit tjetër se do të fitojë shtetësinë e shtetit në fjalë;

1.2. i ka përmbushur të gjitha detyrimet financiare ndaj shtetit dhe ndaj personave për ushqimin dhe mbajtjen e të cilëve është përgjegjës sipas ligjit;

1.3. kundër tij nuk janë duke u zhvilluar hetime ose procedura gjyqësore për vepër penale dhe nuk është duke vuajtur dënimin;

2. Kërkesa për lirim nga shtetësia refuzohet nëse shtetasi që kërkon lirimin nga shtetësia është nëpunës civil, gjykatës, prokuror publik, pjesëtar i shërbimit policor ose pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës.

3. Kërkesa mund të refuzohet nëse lirimi nga shtetësia është në kundërshtim me interesat e Republikës së Kosovës, në veçanti me ato të sigurisë së brendshme dhe të jashtme ose të marrëdhënieve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

4. Humbja e shtetësisë së Republikës së Kosovës me lirim bëhet e plotfuqishme në ditën kur organi kompetent ia dorëzon personit që ka kërkuar lirimin nga shtetësia vendimin e plotfuqishëm për humbjen e shtetësisë.

 

Neni 21

Lirimi nga shtetësia i personave të mitur

1. Fëmija nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjeçare e humb shtetësinë e Republikës së Kosovës me lirim nëse kjo kërkohet nga njëri prind i cili e ka humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës me pëlqimin e prindit tjetër, me kusht që fëmija të posedojë shtetësinë e një shteti tjetër ose posedon garancionin e lëshuar nga organi kompetent i shtetit tjetër se do të fitojë shtetësinë e shtetit në fjalë;

2. Paragrafi 1. i këtij neni vlen edhe për personat e mitur të adoptuar.

 

Neni 22

Revokimi i vendimit për lirim nga shtetësia

1. Organi kompetent e revokon vendimin për humbjen e shtetësisë me lirim nëse konstaton se vendimi është nxjerrë në bazë të deklaratës së rrejshme ose të fakteve të fshehura.

2. Nëse premtimi për dhënien e shtetësisë nga shteti tjetër nuk është realizuar brenda një (1) viti.

 

Neni 23

Garancioni

1. Me kërkesë të shtetasit i cili kërkon lirimin nga shtetësia, organi kompetent ia lëshon shtetasit në fjalë, një garancion me të cilin garantohet se shtetasi i plotëson të gjitha kushtet për lirim nga shtetësia të përcaktuara në nenin 20, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2 dhe 1.3 dhe se do të miratohet kërkesa për lirim nga shtetësia nëse shtetasi në fjalë paraqet dëshmi për fitimin e shtetësisë së një shteti tjetër, përkatësisht paraqet garancionin e lëshuar nga organi kompetent i shtetit tjetër se do të fitojë shtetësinë e këtij shteti nëse lirohet nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

2. Garancioni vlen për një periudhë dy (2) vjeçare që nga dita kur i është dorëzuar shtetasit. Dispozitat për revokim të përcaktuara në nenin 22 të këtij ligji zbatohen përshtatshmërisht për revokimin e garancionit.

 

Neni 24
Humbja e shtetësisë me privim

1. Pavarësisht të drejtës së personave për shtetësi të Republikës së Kosovës sipas kreut V të këtij ligji, organi kompetent mund të privojë shtetasin e Republikës së Kosovës nga shtetësia e Republikës së Kosovës, nëse shtetasi posedon shtetësi tjetër dhe nëse merret me veprimtari, të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.

2. Veprimtaritë, me të cilat cenohet rëndë siguria kombëtare e Republikës së Kosovës konsiderohen në veçanti veprimtaritë vijuese:

2.1. kur shtetasi qëllimisht i është bashkuar një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, ose

2.2. shtetasi ndërmerr veprime të cilat kanë për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës; ose

2.3. shtetasi është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër dhe për këtë nuk ka marrë pëlqimin nga organi kompetent ose nuk është i lejuar me marrëveshje ndërkombëtare.

3. Vendimi për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës mund të lëshohet edhe pa pjesëmarrjen e personit në fjalë në procedurë.

4. Vendimi për humbjen e shtetësisë me privim bëhet i plotfuqishëm kur vendimi i dorëzohet personit në fjalë. Në rastet kur vendimi nuk mund të dorëzohet për arsye se organi kompetent nuk mund të identifikojë vendndodhjen e personit, vendimi për humbjen e shtetësisë me privim bëhet i plotfuqishëm në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

5. Kundër vendimit për privim mund të iniciohet konflikt administrativ në gjykatën kompetente sipas Ligjit për Konflikt Administrativ

 

KREU IV

AFATET PËR SHQYRTIMIN E KËRKESAVE DHE ANKESAVE

 

Neni 25

Afatet për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave

1. Afatet për shqyrtimin e kërkesave/ankesave nga dita e parashtrimit janë si në vijim:

1.1. Afati i shqyrtimit të kërkesave për humbje të shtetësisë me lirim është brenda nëntëdhjetë (90) ditësh;

1.2. Afati për shqyrtimin e kërkesave për fitimin dhe rifitimin e shtetësisë është brenda njëqind e tetëdhjetë (180) ditësh;

1.3. Afati për shqyrtimin e ankesave është brenda nëntëdhjetë (90) ditësh.

 

Neni 26

Parashtrimi i kërkesave

1. Kërkesat e përcaktuara në këtë ligj i parashtrohen organit kompetent.

2. Kërkesat mund të parashtrohen edhe pranë administratës komunale në territorin e së cilës parashtruesi e ka vendbanimin. Në këtë rast, administrata komunale ka për detyrë t’ia përcjellë organit kompetent kërkesën e parashtruar.

3. Në rast se parashtruesi e ka vendbanimin jashtë Republikës së Kosovës, kërkesa mund t’i parashtrohet përfaqësisë më të afërt diplomatike, përkatësisht konsullore të Republikës së Kosovës në regjion. Përfaqësia diplomatike, përkatësisht konsullore ka për detyrë t’ia përcjellë organit kompetent kërkesën e parashtruar.

 

Neni 27

Regjistri i shtetasve

1. Organi kompetent themelon dhe mban regjistrin e shtetasve të Republikës së Kosovës.

2. Në regjistrin e shtetasve regjistrohen të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës dhe mënyra e fitimit të shtetësisë si dhe të gjithë shtetasit të cilët e kanë humbur dhe rifituar shtetësinë e Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe mënyrën dhe arsyet për humbjen e shtetësisë.

3. Hollësitë lidhur me mbajtjen e regjistrit të shtetësisë dhe përfshirjen e të dhënave të tjera në regjistër përcaktohen me akt nënligjor nga organi kompetent.

4. Të dhënat personale të regjistruara në regjistrin e shtetasve mbahen, përdoren dhe procedohen konform dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave.

5. Shënimi apo mungesa e emrit në regjistër nuk është dëshmi e shtetësisë (shih nenin 29 të këtij ligji) apo mungesës së shtetësisë.

 

Neni 28

Bashkëpunimi ndërkombëtar

1. Organi kompetent mund t’ia përcjellë një shteti tjetër statusin e shtetësisë të një shtetasi të Republikës së Kosovës të regjistruar në regjistrin e shtetasve nëse plotësohen kushtet vijuese:

1.1. të dhënat kërkohen nga organi i shtetit tjetër që është kompetent për punë të shtetësisë dhe të dhënat i përcillen vetëm këtij organi;

1.2. organi kompetent i shtetit tjetër kërkon statusin e shtetësisë të shtetasit të Republikës së Kosovës për qëllime përkitazi me rregullimin e shtetësisë, për ndonjë çështje tjetër ku vënia në dispozicion e të dhënave është pa dyshim në favor të personit me të dhënat e të cilit kërkohen dhe

1.3. shteti, organi i të cilit kërkon statusin e shtetësisë dhe shtetet ku përdoren këto të dhëna, garanton mbrojtjen e statusit të shtetësisë edhe për shtetasit e huaj.

 

Neni 29

Dëshmia e shtetësisë

Shtetësia e Republikës së Kosovës dëshmohet me certifikatën e lindjes, ekstraktin e lindjes, certifikatën e shtetësisë, letërnjoftimin ose me pasaportën e Republikës së Kosovës.

 

Neni 30

Taksat administrative

1. Taksa administrative caktohet me vendim nga ministri.

2. Në përcaktimin e taksave administrative për kategorinë e personave me status refugjati apo personat pa shtetësi të merret në konsideratë neni 14 i këtij ligji.

3. Qeveria e Republikës së Kosovës mund të përcaktojë me akt nënligjor kategoritë e personave të cilët për arsye sociale ose ekonomike lirohen nga detyrimi për pagesën e taksës administrative.

 

KREU V

DISPOZITAT KALIMTARE

 

Neni 31

Statusi i banorëve të përhershëm të Republikës së Kosovës

1. Çdo person i cili është i regjistruar si banor i përhershëm i Republikës së Kosovës konform Rregullores së UNMIK-ut nr. 2000/13 për Regjistrin Qendror Civil konsiderohet shtetas i Republikës së Kosovës dhe regjistrohet si i tillë në regjistrin e shtetasve.

2. Organi kompetent mund të verifikoj ligjshmërinë e regjistrimit të një personi si banor i përhershëm i Republikës së Kosovës. Në rast të konstatimit se personi nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për regjistrim si banor i Republikës së Kosovës, personi në fjalë e humb cilësinë e shtetasit të Republikës së Kosovës dhe do të fshihet nga regjistri i shtetasve.

3. Humbja e shtetësisë së Republikës së Kosovës sipas paragrafit 2. të këtij neni nuk e pengon personin në fjalë të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës sipas origjinës, adoptimit, lindjes në territorin e Republikës së Kosovës ose me natyralizim konform dispozitave të këtij ligji.

 

Neni 32

Regjistrimi dhe përcaktimi i shtetësisë

1. Të gjithë personat të cilët më 1 janar 1998 kanë qenë shtetas të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe që me këtë datë e kanë pasur banimin e përhershëm në Republikën e Kosovës konsiderohen shtetas të Republikës së Kosovës dhe regjistrohen si të tillë në regjistrin e shtetasve pa marrë parasysh vendbanimin ose shtetësinë që posedojnë aktualisht.

2. Dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni vlejnë edhe për pasardhësit e drejtpërdrejtë të personave të përcaktuar në atë paragraf.

3. Regjistrimi i personave të përcaktuar në paragrafin 1. dhe 2. të këtij neni në regjistrin e shtetasve bëhet me kërkesë të personit që plotëson kushtet e parapara në këtë nen.

4. Organi kompetent përcakton me akt nënligjor kriteret në bazë të të cilave vërtetohet posedimi i shtetësisë së Republikës Federative të Jugosllavisë dhe banimi i përhershëm në Republikën e Kosovës më datën 1 janar 1998.

5. Organi kompetent do të përdorë kriteret e parapara në Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2000/13 mbi Regjistrat Civil për të përcaktuar vendbanimin në Republikën e Kosovës më 1 janar 1998.

 

KREU VI

DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

 

Neni 33

Aktet nënligjore

1. Aktet nënligjore të cilat janë në fuqi do të zbatohen, me kusht që të mos jenë në kundërshtim me këtë ligj, deri në miratimin e akteve nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

2. Ministria e Punëve të Brendshme nxjerr aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e këtij ligji në afat prej gjashtë (6) muajve nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

Neni 34

Shfuqizimi

1.Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji nr. 03/L-034 për Shtetësinë e Kosovës, Ligji nr. 04/L- 059 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-034 për Shtetësinë e Kosovës si dhe neni 18 i Ligjit nr. 04/L-115 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me Përfundimin e Mbikëqyrjes Ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.

 

Neni 35

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Ligji nr. 04/L-215 31 korrik 2013

Shpallur me dekretin Nr. DL-041-2013, datë 19.08.2013 nga Presidentja e Republikës së Kosovës

Atifete Jahjaga