Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 14 / 9 SHTATOR 2011, PRISHTINË

 

LIGJI Nr. 04/L-037

 

PËR ARSIMIN E LARTË NË REPUBLIKEN E KOSOVËS

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton:

 

LIGJ PËR ARSIMIN E LARTË NË REPUBLIKEN E KOSOVËS

 

KREU I

LIGJIN PËR ARSIMIN E LARTË NË REPUBLIKEN E KOSOVËS

 

Neni 1

Qëllimi

Qëllimi i Ligjit të arsimit të lartë është krijimi i bazës ligjore për rregullimin, funksionimin, financimin, sigurimin e cilësisë ne arsimin e lartë ne përputhje me standardet evropiane si dhe rolin e shtetit dhe shoqërisë ne zhvillimin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.

 

Neni 2

Parimet

1. Ofrimi i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës bazohet në parimet si në vijim:

1.1. lirinë akademike, të përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe interpretimi i saj i mëtutjeshëm nga ana e gjyqësorit;

1.2. barazia para ligjit për të gjithë bartësit e arsimit të lartë.

1.3. mundësi të barabarta për të gjithë studentët dhe personelin në institucionet e arsimit të lartë pa diskriminim.

1.4. shumëllojshmëria dhe cilësia në programe të studimit dhe në mbështetje të mësimnxënies;

1.5. kreativiteti, inovacioni dhe ndërmarrësia si objektiva kyçe për bartësit e arsimit të lartë dhe të programeve të studimit;

1.6. fokusimi evropian dhe ndërkombëtar në të gjitha fushat e arsimit të lartë që i sigurojnë studentit dhe personelit lëvizshmëri dhe krahasueshmëri të standardeve në dhënien e diplomave dhe kualifikimeve.

1.7. përkushtim në punë kërkimore dhe akademike për të mbështetur mësimdhënien dhe mësimnxënien si dhe për të zgjeruar kufijtë e njohurive brenda Kosovës dhe jashtë saj.

1.8. angazhim aktiv të studentëve si në aspektin individual, ashtu edhe në atë kolektiv, në jetën e institucionit dhe në mësimnxënien e tyre.

 

Neni 3

Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Akreditim - njohje formale se një institucion i arsimit të lartë dhe programet e tij i plotësojnë standardet ndërkombëtarisht të pranuara të cilësisë dhe se kualifikimet e tij u japin bartësve të tyre, në pajtim me ligjin në fuqi, një numër të drejtash, siç janë mundësia për qasje në një nivel të mëtejshëm arsimor, profesione specifike dhe për të përdorur një titull.

1.2. Mbrojtje e të dhënave - dhe emërtimet në lidhje me to kanë kuptimin e bashkëngjitur atyre në Ligjin nr. 2009-172 për mbrojtjen e të dhënave personale.

1.3. Rrjeti Evropian i Qendrave për Informim–ENIC - rrjeti evropian i qendrave për informim, të cilat ofrojnë informacione për njohjen e diplomave, titujve dhe kualifikimeve të tjera ndërkombëtare, për sistemin arsimor, si për vendet e huaja, ashtu edhe për vetë vendin anëtar të këtij rrjeti si dhe për mundësitë e studimit jashtë vendit, duke përfshirë edhe pagesat dhe bursat dhe këshilla për çështje praktike në lidhje me lëvizshmërinë dhe barasvlerën.

1.4. Sistemi Evropian i Transferimit dhe i Akumulimit të Kredive (ECTS) - cakton kreditë për komponentët e kursit, të bazuara në ngarkesën në punën e studentëve që kërkohet për të arritur objektivat e një drejtimi të veçantë të studimit.

1.5. Zonë evropiane e arsimit të lartë - ka kuptimin e përcaktuar në deklaratën e ministrave evropianë të arsimit të lartë në Bolonjë (1999).

1.6. Sigurim i brendshëm i cilësisë - vlerësimi formal i proceseve, përmes të cilëve bartësi siguron vetveten se oferta e tij (qoftë ajo e programeve apo e shërbimeve) i plotëson standardet që korrespondojnë me praktikën më të mirë evropiane dhe që tregojnë përmirësim të vazhdueshëm.

1.7. Rezultatet e të nxënit - arritjet në nxënie dhe shprehen në terma të asaj se çka pritet që nxënësi të dijë, të kuptojë dhe të jetë në gjendje të bëjë pas përfundimit të shkallës së studimeve apo të modulit. Aty mund të përfshihen edhe qëndrimet, sjelljet, vlerat dhe etika.

1.8. Të mësuarit gjatë gjithë jetës - arsimimi i përgjithshëm, arsimimi dhe aftësimi profesional, arsimimi joformal dhe nxënia informale, të ndërmarra gjatë gjithë jetës, duke rezultuar në ngritjen e njohurive, shkathtësive dhe të kompetencave brenda perspektivës personale, shoqërore, sociale apo asaj të punësimit.

1.9. NARIC - Qendra shtetërore për njohje dhe informim akademik (për Kosovë ose për ndonjë vend tjetër). - NARIC Kosova, ndihmon në promovimin e lëvizshmërisë së studentëve, mësimdhënësve dhe hulumtuesve, duke ofruar këshilla dhe informacione kompetente në lidhje me njohjen akademike të diplomave dhe të periudhës së studimeve, të ndërmarra në shtete të tjera. Vendimet mbi njohjen dhe barasvlerën merren nga Këshilli shtetëror për njohje në pajtim me standardet evropiane.

1.10. Arsimi parauniversitar - u referohet programeve formale shkollore të MASHT-it, të rregulluara përmes legjislacionit ne fuqi.

1.11. Bartës privat - çdo institucion i themeluar qoftë për fitim ose jofitimprurës nga cilido person, grup personash apo organizatë tjetër përveç Qeverisë së Republikës së Kosovës apo të ndonjë shteti tjetër sovran. Kur një bartës privat është krijuar dhe vepron sipas parimit të joprofitabilitetit, ai mund të marrë formën e një organizate joqeveritare dhe të gëzojë të mirat dhe detyrimet përkatëse, të një OJQ-je, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

1.12. Program - program studimi që shpie në një kualifikim ose diplomë, që jepet nga një bartës i arsimit të lartë.

1.13. Bartës - çdo institucion ose organ tjetër i autorizuar për ofrimin e shërbimeve arsimore në nivelin e arsimit të lartë.

1.14. Bartës publik - bartës i themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

1.15. Partneriteti publiko-privat- mund të themelohet për të ofruar shërbime të arsimit të lartë. Formimi i tij do të jetë në përputhje me parimet e barazisë së trajtimit, mosdiskriminimit, transparencës, përpjesëtimit, efektshmërisë së kostos, efiçiencës, mbrojtjes së interesit publik, lirisë së konkurrencës dhe të vlerës së fituar për para si dhe do të jetë në përputhje me Ligjin për partneritetet publiko-privat dhe koncesionet në infrastrukturë si dhe me procedurat për dhënien e tyre (Ligji -03/L-090, qershor 2009).

1.16. Organ akreditues i njohur - Agjencia Kosovare e Akreditimit apo ndonjë organ i ngjashëm i tillë, i cili në Zonën evropiane të arsimit të lartë, është aktualisht i anëtarësuar në rrjetin evropian për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë /ENQA/, ose (në Shtetet e Bashkuara), është një organ akreditues i cili është i njohur nga Këshilli i akreditimit për arsimin e lartë /CHEA/ apo nga Departamenti i Arsimit i Shteteve të Bashkuara /USDE/ apo nga të dyja, ose (në cilindo juridiksion tjetër) është pranuar nga Ministria në baza të ndërsjella si një organ i themeluar në mënyrë të duhur shtetëror a rajonal i akreditimit, që njihet dhe është i autorizuar nga ministria relevante në kuadër të atij juridiksioni.

 

Neni 4

Objektivat dhe organizimi i arsimit të lartë

1. Objektivat e arsimit të lartë janë:

1.1. krijimi, zhvillimi, mbrojtja dhe transmetimi i njohurive përmes mësimdhënies dhe punës kërkimore e shkencore;

1.2. përgatitja e studentëve për studime të mëtejshme, praktikë profesionale dhe për të mësuarit gjatë gjithë jetës, me anë të përvetësimit dhe zhvillimit të njohurive të thelluara dhe kompetencave të nivelit të lartë;

1.3. ofrimi i mundësive për të gjithë banorët e Kosovës që janë të aftë për të përfituar nga ky arsimim dhe për t’i kontribuar shoqërisë dhe vendit të tyre gjatë gjithë jetës së tyre.

2. Arsimi i lartë organizohet, si vijon:

2.1. niveli i parë - tre (3) deri katër (4) vite studime me të cilat studenti arrin 180, përkatësisht 240 kredi/ ECTS dhe merr diplomën Bacholer.

2.2. niveli i dytë – një (1) deri dy (2) vite studime pas mbarimit te nivelit të parë me të cilat studenti arrin 60, përkatësisht 120 kredi /ECTS dhe studenti merr diplomën Master.

2.3. niveli i tretë - programe te studimeve te doktoratës me karakter akademik dhe hulumtues- shkencor te pavarura.

2.4. çdo arsimim tjetër pas shkollës së mesme në nivelet 5, 6, 7 dhe 8 të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve për të mësuarit gjatë gjithë jetës, për të cilin mund të jepen kredi (ECTS).

 

Neni 5

Qasja në arsimin e lartë

1. Në arsimin e lartë që ofrohet nga bartësit e licencuar të arsimit të lartë në Kosovë do të kenë qasje të gjithë personat brenda apo jashtë territorit të Kosovës, pa asnjë lloj diskriminimi.

2. Nuk do të ketë kufizim moshe për t’u regjistruar apo për të fituar kualifikim të arsimit të lartë në Kosovë.

3. Bartësi i arsimit të lartë që është i akredituar në Kosovë, sipas këshillës së NARIC Kosova, mund të pranojë një kualifikim shtetëror apo ndërkombëtar ose një diplomë shtetërore a ndërkombëtare si të barasvlershme me certifikatën e maturës, e cila përcaktohet në këtë ligj. Në rastin e paraqitjes për vlerësim të një certifikate për mbarimin e shkollimit në një shtet tjetër, njohja, përveç në raste të jashtëzakonshme, do të bëhet vetëm për certifikatën që tregon përfundimin e së paku 12 viteve të shkollimit dhe që i jep të drejtën pronarit të saj për të aplikuar në universitet apo për të hyrë në testin pranues në universitet në shtetin e huaj përkatës.

4. Një kualifikim, diplomë ose përvojë shtetërore a ndërkombëtare mund të pranohet si e barasvlershme me shkallën Baçellor, të cekur në nën-paragrafin 2.1. paragrafi 2. i nenit 4 të këtij ligji nga bartësi i arsimit të lartë, i akredituar në Kosovë sipas këshillës së NARIC Kosova. Në rastin e paraqitjes për vlerësim të një certifikate të marrë nga një institucion i arsimit të lartë, duhet të jetë i akredituar nga një organ akreditues i njohur, siç është përkufizuar në nenin 3 të këtij ligji.

5. Arsimi i lartë mund të vijohet në mënyrë të rregullt, me korrespondencë, përmes të mësuarit në distancë dhe me kombinim të cilësdo prej këtyre mënyrave të studimit, ashtu sikurse parashihet në statutin e bartësit që jep kualifikim të arsimit të lartë.

6. Asgjë në këtë ligj ose në instrumentet plotësuese të nxjerra sipas tij, apo në dispozitat e çfarëdo ligji tjetër, nuk do të kufizojnë lirinë e bartësve të licencuar të arsimit të lartë:

6.1. për të sjellë risi në arsimin e lartë në përputhje me kushtet e përcaktuara në licencat e tyre;

6.2. për të ofruar kurse të çdo niveli arsimor për përvetësimin e aftësive që janë të nevojshme apo të përshtatshme për realizimin e qëllimeve të arsimit të lartë dhe për dhënien e kontributit në të mësuarit gjatë gjithë jetës.

7. Arsimi i lartë mund të ofrohet nga çdo bartës i licencuar i arsimit të lartë, pa kufizim për sa i përket kohëzgjatjes apo strukturës së vitit shkollor, me kusht që të mund t’ia dëshmojë në mënyrë të kënaqshme një organi akreditues të njohur se diplomat e tij plotësojnë standardet e pritshme për diploma të tilla brenda Zonës evropiane të arsimit të lartë.

 

Neni 6

Kompetencat dhe përgjegjësitë e Ministrisë në ofrimin e Arsimit të Lartë

1. Në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me dokumentet plotësuese të nxjerra mbi bazën e tij dhe të atyre të nxjerra në bazë të nenit 14 të Ligjit për arsim në komunat e Republikës së Kosovës (03-L- 068, të majit 2008), Ministria është përgjegjëse për:

1.1. planifikimin e zhvillimit të arsimit të lartë në Kosovë, në konsultim me Bartësit e akredituar të arsimit të lartë;

1.2. rregullimin e statusit të bartësve publik dhe privatë të arsimit të lartë dhe miratimin e statuteve të tyre. Statutet e të gjitha universiteteve dhe të cilit do aplikues për titull ‘universitet’ duhet të ratifikohen nga Kuvendi;

1.3. ndarjen e fondeve bartësve të arsimit të lartë për qëllime të mësimdhënies dhe të hulumtimit në interesin publik në kuadër të dispozitave të përgjithshme të ligjit të zbatueshëm për financimin e shërbimeve publike në Kosovë dhe duke siguruar që fondet e tilla janë shpenzuar në përputhje me prioritetet e dakorduara ndërmjet Ministrisë dhe çdo bartësi nëpërmjet instrumenteve të financimit, të specifikuara në formën e aktit nënligjor;

1.4. autorizimin e formatit dhe përmbajtjes së Diplomës dhe të Shtojcës së diplomës, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Akreditim, të cilat lëshohen nga bartësit e akredituar të arsimit të lartë, të përcaktuar me akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria;

1.5. dhënien e propozimeve lidhur me krijimin e një skeme ose skemave për mbështetjen financiare të studentëve dhe rregullimin e administrimit të një skeme apo skemave të tilla;

1.6. promovimin e lëvizjes së studentëve dhe të personelit brenda Zonës evropiane dhe atë ndërkombëtare të arsimit të lartë si dhe inkurajimin për përdorimin e gjuhës angleze për mësim krahas gjuhëve zyrtare.Vendosjen e rregullave lidhur me njohjen akademike dhe profesionale, në përputhje me standardet evropiane, qoftë përmes NARIC Kosova brenda Ministrisë, ose përmes Agjencisë Kosovare për Akreditim dhe informimi i publikut për statusin e kualifikimeve të huaja përmes ENIC Rrjetit evropian të qendrave për informim;

1.7. promovimin e mundësive të barabarta në qasjen dhe pranimin në arsimin e lartë, në zhvillimin dhe trajnimin e personelit, në mundësitë për të mësuar gjatë gjithë jetës dhe në të gjitha aspektet e tjera të arsimit të lartë.

1.8. krijimin e Këshillit shtetëror për arsimin e lartë, i cili këshillon Ministrin për çështje të arsimit të lartë, duke caktuar termat dhe referencat e tij si dhe për emërimin e anëtarëve;

1.9. promovimin e lidhjeve midis bartësve publik të arsimit të lartë në Kosovë, bartësve privatë të arsimit dhe aftësimit, industrisë dhe tregtisë si dhe për inkurajimin e zhvillimit të ndërmarrësisë;

1.10. promovimin e lidhjeve midis të gjithë bartësve të arsimit të lartë në Kosovë dhe institucioneve të arsimit të lartë në regjion dhe më gjerë.

1.11. licencimin e bartësve të arsimit të lartë;

1.12. sigurimin e ndihmesës, në përputhje dhe këtë ligj, për bartësit e akredituar të arsimit të lartë dhe studentëve të regjistruar aty;

1.13. rregullimin e të gjitha çështjeve të tjera lidhur me arsimin e lartë, të cilat nuk janë të rregulluara veçmas në bazë të këtij ligji.

2. Në ushtrimin e përgjegjësive dhe detyrave të saj në bazë të këtij ligji, Ministria respekton dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe anëtarëve të tyre, të përcaktuara në Ligjin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Kosovë (Ligji nr. 03/L-047, mars 2008).

 

Neni 7

Agjencia e Kosovës për Akreditim

1. Agjencia e Kosovës për Akreditim AKA është agjenci e pavarur përgjegjëse për vlerësimin dhe promovimin e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë. Përmes proceseve profesionale dhe transparente të vlerësimit dhe kontrollit të cilësisë apo mjeteve të tjera që konsiderohen të përshtatshme nga ajo, të cilat i plotësojnë praktikat më të mira ndërkombëtare, AKA-ja siguron që standardet dhe cilësia e arsimit të lartë në Kosovë të plotësojë kërkesat dhe pritjet e Rrjetit Evropian të Asociacionit për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë. (ENQA).
2. Në përputhje me këtë ligj dhe me instrumentet e tjera ndihmëse të nxjerra në bazë të tij, AKA-ja është përgjegjëse për:

2.1. këshillimin me Ministrinë lidhur me kërkesat e institucioneve për licencimin e kurseve apo programeve të tyre, të cilat janë pjesë e një kualifikimi apo që shpien në fitimin e kualifikimeve të arsimit të lartë;

2.2. inspektimin e bartësve të arsimit të lartë dhe këshillimin me Ministrinë lidhur me dhënien, ndryshimin ose anulimin e licencave;

2.3. kryerjen e kontrolleve periodike mbi cilësinë e bartësve të licencuar të arsimit të lartë dhe marrjen e vendimit për akreditimin apo riakreditimin e tyre, duke përfshirë të drejtën për dhënien e titujve dhe diplomave;

2.4. kryerjen e vlerësimeve periodike të cilësisë së programeve të ofruara nga bartësit e akredituar të arsimit të lartë;

2.5. këshillimin e Ministrisë, lidhur me rezultatet e vlerësimit të cilësisë dhe implikimet e tij për financimin e bartësve publik të arsimit të lartë, lidhur me caktimin e fondeve për bartësit privatë të arsimit të lartë dhe me mbështetjen sipas gjykimit të lirë për studentët që ndjekin programe studimi tek bartësit privatë të arsimit të lartë dhe;

2.6. kryerjen, në emër të Ministrisë, të atyre funksioneve që mund të delegohen lidhur me njohjen e kualifikimeve akademike dhe profesionale e, në veçanti, për të vepruar si organ kompetent për rregullimin e kualifikimeve në arsimin e lartë në përputhje me ligjin për kualifikimet shtetërore;

2.7. ndërmarrjen e aktiviteteve të tjera që janë konform standardeve evropiane dhe ndërkombëtare koherente për arsim të lartë e që kanë për qëllim sigurimin dhe përmirësimin e cilësisë dhe te standardeve në arsimin e lartë në Kosovë.

3. AKA-ja shpall politikat, kriteret dhe standardet e saj për akreditim si dhe vendimet, rekomandimet dhe këshillimet për sa u përket institucioneve dhe programeve të veçanta dhe publikon një raport vjetor.

4. AKA duhet të qeveriset nga një bord i përbërë nga jo më pak se pesë dhe jo më shumë se nëntë persona, të emëruar nga Ministria për një mandat të caktuar, i cili duhet të përbëhet nga radhët e personave të të dy gjinive, që janë aktivë në punën akademike të arsimit të lartë dhe /ose në profesione brenda dhe jashtë Kosovës dhe i cili duhet të ketë të paktën tre persona ('ekspertë ndërkombëtarë'), që nuk janë të punësuar nga asnjë bartës i arsimit të lartë në Kosovë. Ky bord do të quhet Këshillit shtetëror i cilësisë i AKA-së. Anëtarët e tij ratifikohen nga Kuvendi. Vendimet apo rekomandimet lidhur me akreditimet Këshilli i merr me shumicën e votave të anëtarëve të vet. Këshilli i raporton çdo vit Ministrisë dhe Kuvendit lidhur me aktivitetet e veta të akreditimit dhe me përshtatshmërinë e infrastrukturës mbështetëse që ka në dispozicion.

5. Nëse më shumë se një e treta e anëtarëve të bordit zëvendësohen për çfarëdo arsye brenda një viti, Ministria duhet ti raportojë këtë Kuvendit.

 

Neni 8

Bartësit publik të arsimit të lartë

1. Bartësit publik të arsimit të lartë janë universitetet dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë.

2. Emërtimi i çdo bartësi publik përcaktohet nga Ministria në bazë të dispozitave të këtij ligji dhe të kritereve të publikuara.

3. Me përjashtim të rasteve të përcaktuara në këtë ligj dhe në dokumentet plotësuese të nxjerra në bazë të tij, çdo bartës publik i arsimit të lartë ka individualitet të plotë ligjor lidhur me çështjet që trajtohen në këtë ligj, duke përfshirë të drejtën për të:

3.1. zotëruar dhe menaxhuar troje, godina dhe pasuri të tjera kapitale; 3.2. marrë dhe administruar fonde nga cilido lloj burimi i ligjshëm;

3.3. huazuar para brenda kufijve, në atë masë dhe në kuadër të kushteve që parashihen brenda rregulloreve financiare, të miratuara në kuadër të statutit të bartësit;

3.4. propozuar Ministrisë taksat, tarifat dhe gjobat për miratim;

3.5. emëruar dhe për të ndërprerë marrëdhënien e punës së personelit akademik dhe kuadrit tjetër si dhe për të ushtruar të gjitha detyrat një punëdhënësi, siç është paraparë me legjislacionin në fuqi;

3.6. bërë kontrata për mallra dhe shërbime;

3.7. krijuar marrëdhënie ligjore me studentët;

3.8. themeluar ndërmarrje komerciale për qëllime arsimore dhe hulumtuese;

3.9. nënshkruar marrëveshje me institucionet e tjera në Kosovë dhe me institucione ndërkombëtare.

4. Me kusht të plotësimit të kërkesave sipas ligjit në fuqi, Ministria mund t'i jep një bartësi publik të arsimit të lartë, të drejtën e shfrytëzimit të truallit, godinave apo pajisjeve që janë pronë publike dhe shoqërore.

5. Një bartës publik i arsimit të lartë, i cili shfrytëzon një truall, godinë apo pajisje që është pronë shoqërore nuk mund ta shesë atë ose t'ia tjetërsojë dikujt të drejtat pronësore të kësaj prone. Megjithatë, një bartës publik i arsimit të lartë, i cili ka marrë në shfrytëzim një truall, godinë apo pajisje që është pronë publike ose shoqërore mund ta japë me qira këtë pronë, me kusht që më parë të ketë marrë miratimin formal nga Ministria. Nëse jepet ky miratim, Ministria përcakton kushtet për shfrytëzimin e të ardhurave nga kjo pronë.

 

Neni 9

Krijimi, shkrirja dhe shuarja e bartësve publik

1. Bartësit publik të arsimit të lartë mund të krijohen vetëm me vendimin e Ministrisë, i cili duhet të ratifikohet nga Kuvendi.

2. Nëse Ministria konstaton se është në interesin e përgjithshëm, atëherë Ministria mund të shuaj ose mbyllë bartësit publik të arsimit të lartë dhe do t’i bëjë të njohura publikisht arsyet e vendimit të saj. Para marrjes së vendimit për shuarjen apo mbylljen e këtyre bartësve, Ministria publikon një dokument diskutimi dhe konsultohet me organin drejtues të të gjithë bartësve, tek të cilët ndikon ky vendim si dhe me AKA-në. Vendimi i Ministrisë për të mbyllur apo shuar një institucion të tillë duhet të ratifikohet nga Kuvendi.

3. Organi qeverisës i një bartësi publik të arsimit të lartë mund që vet të propozojë shkrirjen ose mbylljen e bartësit, e që duhet të miratohet nga Ministria pas konsultimit me AKA-në.

4. Themelimi i një bartësi publik të arsimit të lartë shoqërohet me dhënien e një licence në bazë të dispozitave dhe varësisht nga kriteret e përcaktuara në dispozitat e këtij ligji.
5. Në rast se një bartës publik i arsimit të lartë mbyllet ose shkrihet, Ministria do të përcaktojë të gjitha çështjet që lidhen me pronësinë, detyrimet dhe obligimet e vazhdueshme ndaj studentëve të regjistruar në institucionet e mbyllura ose të shkrira.

 

Neni 10

Universitetet

1. Universiteti është institucion arsimor dhe i kërkimit shkencor, që jep diploma e grada duke përfshirë nivelin e doktoratës, me synim:

1.1. përparimin në fushën e njohurive akademike, në Kosovë, në rajon dhe më gjerë;

1.2. zhvillimin arsimor, shkencor, kulturor, shoqëror dhe ekonomik të Kosovës; zhvillimin e shkathtësive profesionale dhe të kompetencave të larta; dhe

1.3. nxitjen e qytetarisë demokratike dhe arritjen e standardeve më të larta në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

2. Në bazë të dispozitave të këtij ligji, emërtimi “Universitet”, mund t’i jepet vetëm atij bartësi të akredituar të arsimit të lartë, që ka ofruar kurse apo programe të akredituara për së paku pesë vjet, në të paktën pesë fusha studimi, sikurse përcaktohet në akt nënligjor të Ministrisë dhe i cili ka nxjerrë të paktën nga një të diplomuar me doktoratë të akredituar në secilin nga këto programe studimi.

3. Në bazë të dispozitave të këtij ligji emërtimi “Kolegj universitar”, mund t’i jepet bartësit të akredituar të arsimit të lartë, i cili ofron studime të doktoratës në së paku tri fusha të studimeve dhe që janë të akredituara nga AKA. AKA do të publikojë kriteret e detajuara për caktimin e një bartësi të akredituar si " Kolegj universitar", të përcaktuar me akt nënligjor nga MASHT.

4. Fjala ''Universitet”, si fjalë e ndarë ose në kombinim me përshkrime të tjera, nuk mund të miratohet ose të përdoret në çfarëdo forme në emërtimin e ndonjë bartësi pa lejen e Ministrisë, pas miratimit në parim nga ana e AKA-së.

 

Neni 11

Bartësit tjerë të arsimit të lartë

1. Ministria, në pajtim me paragrafin 1. të nenit 8 të këtij ligji, përveç universitetit mund të themelojë edhe bartës të tjerë të arsimit të lartë, të cilët mund të japin diploma, grada dhe tituj që i nënshtrohen akreditimit nga AKA-ja. Ajo mund ta bëjë këtë në mënyrë të pavarur ose nëpërmjet një partneriteti publik-privat, siç është përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji.

2. Kompanitë private, fondacionet dhe trustet mund të themelojnë institucione te arsimit të lartë. Statutet e tyre do të përcaktojnë strukturën e qeverisjes dhe të menaxhimit të institucionit, së bashku me misionin dhe qëllimet e tyre strategjike. Bartësit e tillë privatë deklarohen në dokumentet dhe statutet e tyre të themelimit nëse kanë funksion fitimprurës apo jofitimprurës por që janë në interes të përgjithshëm.

3. Të gjithë bartësit privatë duhet të jenë të licencuar nga Ministria.

4. Në marrjen e vendimit të saj për të licencuar një bartës privat, Ministria do të ndërmarrë inspektime që konsiderohen të nevojshme për të formuar një pasqyrë të qartë të bazuar në dëshmi. Ministria mund të autorizojë për inspektime të tilla agjenci të tjera me ekspertizë të veçantë, përveç AKA-në,

5. Bartësit e arsimit të lartë, përveç universiteteve, me kusht të akreditimit sipas nenit 4 të këtij ligji, fitojnë emërtime, të cilat pasqyrojnë natyrën, fushëveprimin dhe nivelin e ofertës të tyre. Sipas këshillës së AKA-së, Ministria do të nxjerrë rregullore për emërtime të tilla, të cilat mund të përfshijnë në mes të tjerash emërtime, siç janë: “kolegj universitar”, “kolegj”, “institut”, “shkollë” ose “akademi”.

6. Emërtimet “kolegj universitar”, “kolegj”, “institut”, “shkollë” ose “akademi”, veçmas apo në kombinim me përshkrime të tjera, nuk mund të përdoren në çfarëdo forme në emërtimin e ndonjë bartësi pa lejen e qartë të Ministrisë, me rekomandimin e AKA-së.

7. Nëse Ministria nuk i jep licencë një bartësi privat, bartësi nuk mund të pranojë student. Nëse bartësit, i cili paraprakisht ka qenë i licencuar i merret licenca, një bartës i tillë nuk mund të pranoj studentë të rinj, dhe i njëjti duhet të bëjë marrëveshje për të siguruar që studentët e tij aktual, nëse ka të tillë, të mund të përfundojnë me sukses programin e tyre të studimeve në ndonjë institucion tjetër të akredituar.

 

Neni 12
Themelimi, akreditimi dhe licencimi i bartësve privat

1. Një bartës privat i arsimit të lartë mund të themelohet nga një kompani private, fondacion apo trust, me vendqëndrim në Kosovë dhe që ka një zyrë të regjistruar në Kosovë.

2. Një bartës privat i arsimit të lartë aplikon për akreditim dhe marrje licence në bazë të dispozitave të këtij ligji.

3. Një bartës privat i arsimit të lartë mund të fillojë aktivitetin e tij vetëm pas marrjes së licencës.

4. Kusht për marrjen e licencës nga një institucion privat i arsimit të lartë është edhe paraqitja pranë Ministrisë e një plani strategjik dhe një plani biznesi, duke përfshirë një garanci nga ana e këshillit drejtues të tij apo ndonjë organi ekuivalent lidhur me qëndrueshmërinë financiare për të paktën tri (3) vjet. Rishikimi i rregullt i planit strategjik dhe planit të biznesit, duke përfshirë edhe garancinë, i paraqitet çdo vit Ministrisë.

5. Një bartës privat i arsimit të lartë mund të mbyllet nga ana e këshillit drejtues të tij apo ndonjë organi ekuivalent vetëm në fund të vitit akademik. Licenca e një institucioni privat duhet të përfshijë një dispozitë për një garanci financiare për të mbrojtur interesat financiare të studentëve në mënyrë që ata të vazhdojnë studimet në një institucion tjetër të akredituar në rast të mbylljes së institucionit për t’u mundësuar studentëve përfundimin e provimeve.

6. Një bartës privat i arsimit të lartë nuk mund ta shpallë veten si “i akredituar”, nëse nuk është akredituar në Kosovë sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj dhe me instrumente të tjera, të nxjerra në bazë të tij. Nëse është akredituar për programe nga një shtet a organizatë tjetër, bartësi privat duhet të dëshmojë dhe deklarojë hapur origjinën e një akreditimi të tillë dhe se i njëjti duhet të miratohet edhe nga AKA si akreditim në Kosovë.

7. Një bartës privat i arsimit të lartë gëzon lirinë që në statutin e tij apo në dokumente të tjera themeluese të aprovojë çfarëdo modeli të qeverisjes dhe të menaxhimit, me kusht që ky model të ndajë në mënyrë të qartë rolin dhe kompetencat e pronarëve nga vendimet për çështjet akademike si dhe të lejojë pjesëmarrjen e personelit mësimdhënës dhe të studentëve në vendimmarrje lidhur me çështjet akademike.

 

Neni 13

Autonomia e bartësve të arsimit të lartë

1. Bartësit e licencuar të arsimit të lartë kanë autonominë dhe lirinë akademike.
2. Bartësit e licencuar te arsimit të lartë gëzojnë të drejtat nga dispozitat e këtij ligji për të:

2.1. zgjedhur autoritetet drejtuese menaxhuese dhe për të përcaktuar mandatet e tyre;

2.2. organizuar strukturat dhe aktivitetet përmes rregullave të tyre, të cilat duhet të jenë në përputhje me këtë ligj dhe me dokumentet plotësuese të nxjerra në bazë të tij, me ligjet e tjera të zbatueshme dhe me statutet e tyre;

2.3. zgjedhur mësimdhënësit dhe personelin tjetër, për të përcaktuar kushte lidhur me pranimin e studentëve, metodat e mësimdhënies dhe vlerësimin e studentëve, të miratuara nga AKA-ja;

2.4. hartuar dhe zbatuar në mënyrë të pavarur kurrikulet dhe projektet për kërkime shkencore, në këshillim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë; dhe,

2.5. dhënë tituj profesorëve dhe personelit tjetër, në pajtueshmëri me këtë ligj, me ligjin në fuqi për punësim si dhe skemën e aprovuar nga AKA-ja. Këto kritere përcaktohen në statutin e bartësit.

3. Statutet e bartësve të arsimit të lartë përfshijnë dispozita që garantojnë lirinë akademike të personelit mësimdhënës dhe të studentëve, siç përshkruhet tutje në këtë ligj.

4. Mjediset e bartësve të licencuar të arsimit të lartë gëzojnë paprekshmërinë nga organet e rendit publik, përveç rasteve të përcaktuara ndryshe me ligje të veçanta.

5. Bartësi publik i arsimit të lartë lirohet nga të gjitha format e tatimeve për veprimtaritë e tij mësimore dhe kërkimore shkencore, të cilat financohen nga burime publike apo të dhuruara, përveç rasteve që lidhen me veprimtari fitimprurëse.

 

Neni 14

Licencimi i bartësve të arsimit të lartë

1. Çdo bartës i arsimit të lartë në Kosovë duhet të ketë një licencë për të kryer punën e tij. Licenca lëshohet nga Ministria sipas dispozitave të këtij ligji dhe dokumenteve plotësuese të nxjerra mbi bazën e tij. Licencat do të kenë kohëzgjatje të kufizuar, jo më gjatë se pesë (5) vite, varësisht nga kohëzgjatja e akreditimit të tyre nga AKA. Licencat janë të ripërtërishme.

2. Kriteret për dhënien e licencës një bartësi të arsimit të lartë përcaktohen me një akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria.

3. Licenca i jepet çdo bartësi që i plotëson kriteret.

4. Kriteret e licencimit përveç akreditimit nga AKA, si parakusht kryesor, përfshijnë dispozita lidhur me:

4.1. përshtatshmërinë e mjediseve dhe Pajisjeve;

4.2. realizueshmërinë financiare, duke përfshirë përkushtimin e bartësit për krijimin e një fondi për përkrahje të studentëve;

4.3. një plan biznesi trevjeçar.

5. Kërkesa të tjera shtesë për licencimin e bartësve privatë të arsimit të lartë përshkruhen më poshtë në këtë ligj dhe në dokumentet plotësuese të nxjerra mbi bazën e tij. Si minimum, këto kërkesa shtesë do të përfshijnë si në vijim:

5.1. statutin i cili siguron ndarjen e pronësisë nga udhëheqja akademike e institucionit.

5.2. o bjektet dhe burimet e tjera fizike të cilat janë të përshtatshme për punën arsimore të bartësit, të sigurta dhe të përshtatshme për qëllimin dhe për të cilat bartësi e ka titullin e plotë ligjor;

5.3. mësimdhënësit, hulumtuesit shkencorë dhe personelin ndihmës, të kualifikuar në një nivel të përshtatshëm për punën arsimore të bartësit dhe të cilët në mënyrë ligjore janë të kontraktuar prej bartësit;

5.4. sisteme financiare të audituara;

5.5. akreditimin në nivel institucional si dhe në atë të programeve nga ana e AKA ose ndonjë organi tjetër i njohur për akreditim, dhe i miratuar nga AKA;

5.6. pagesën e garancisë financiare, bazuar në numrin e përgjithshëm të studentëve;

5.7. shuma e garantuar për studentë dhe çfarëdo ndryshimi në aplikimin e saj do të saktësohet me udhëzim administrativ, të nxjerrë nga Ministria;

5.8. marrëveshje me të paktën dy bartës të tjerë te akredituar që sigurojnë se studentët mund të transferohen në programe të ngjashme tek njëri nga këta bartës te akredituar, në rast të falimentimit apo tërheqjes së akreditimit. AKA-ja duhet të jep pëlqimin për marrëveshjet e arritura.

6. Bartësi publik konsiderohet i licencuar, përveç nëse ai dështon në plotësimin e standardeve të AKA- së për akreditimin institucional. Licenca e tij do të mundësojë që ai të ofrojë vetëm ato programe, për të cilat është i akredituar nga AKA-ja, apo nga ndonjë agjenci e njohur për akreditim, me miratim të AKA.

7. Bartësi i arsimit të lartë, mund të aplikojë në çdo kohë pranë Ministrisë për ndryshimin e kushteve në licencën e tij.

8. Ministria në çdo kohë mund t’ia revokojë licencën bartësit nëse ka prova se nuk i ka plotësuar kërkesat për standardet e licencimit. Në rast se vjen deri te një revokim i tillë, bartësi gëzon të drejtën që të parashtrojë ankesë pranë Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës dhe atë vetëm për shkak të mangësive procedurale.

 

Neni 15

Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë

1. Të gjithë bartësit e licencuar të arsimit të lartë u nënshtrohen procedurave të kontrollit dhe vlerësimit të cilësisë nga AKA-ja në përputhje me këtë ligj dhe me aktet nënligjore:

2. Një bartës i arsimit të lartë që kërkon akreditim për herë të parë, bën një kërkesë pranë AKA-së të paktën një vit përpara datës së parashikuar për marrjen e akreditimit. Kur një bartës i ri i arsimit të lartë publik është themeluar dhe licencuar në bazë të dispozitave të këtij ligji, kjo kërkesë për akreditim nuk do të zbatohet. Megjithatë, një bartës i tillë duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara në këtë ligj dhe duhet të bëjë kërkesë për akreditim pranë AKA-së brenda dymbëdhjetë muajve nga data e licencës së tij të parë.

3. Riakreditimi i bartësve kryhet nga AKA-ja në intervale kohe prej jo më shumë se 5 vjetësh. Riakreditimi nuk bëhet pa një shqyrtim të raportit të vetëvlerësimit të bartësit, nga ana e ekspertëve, përveç në rrethana të veçanta. Ky rishikim nga ana e ekspertëve do të përfshijë një inspektim të drejtpërdrejtë të ofrimit të shërbimeve. Riakreditimin e një institucioni apo të një ose më shumë programeve të tij mund ta kërkojnë bordi i AKA-së ose Ministria brenda një periudhe më të shkurtër se pesë vjet.

4. Çdo bartës, varësisht nga përputhja me kërkesat e licencimit, duhet të kërkojë akreditim institucional çdo pesë vjet. Njësitë akademike dhe programet e tij do t’i nënshtrohen vlerësimit të rregullt të cilësisë.

5. Certifikatat e akreditimit lëshohen nga AKA-ja.

6. Nëse një bartës i licencuar i arsimit të lartë nuk arrin të fitojë akreditimin apo riakreditimin institucional, kjo do të rezultojë me një organizim tjetër të akreditimit jo më vonë se pas një viti.

7. Nëse dështon për herë të dytë në marrjen e akreditimit, atëherë i hiqet licenca. Kundër heqjes së licencës, bartësi mund të ankohet në organin kompetent konform Ligjit për Procedurën Administrative dhe Ligjit të Konfliktit Administrativ.

8. Vlerësimi i cilësisë së programeve të bartësve të akredituar të arsimit të lartë kryhet nga AKA-ja për çdo program brenda ciklit kohor që nuk zgjat më shumë se 5 vjet. AKA-ja cakton grupe ekspertësh ndërkombëtar të fushave përkatëse. AKA publikon në faqen elektronike të saj procedurat, kriteret dhe rezultatet e vlerësimeve të cilësisë.

 

Neni 16

Gradat dhe diplomat

1. Një bartës i akredituar i arsimit të lartë do të ketë të drejtën për të dhënë grada e diploma të specifikuara në certifikatën e akreditimit. Këto mund të përfshijnë grada dhe diploma të ofruara së bashku ose si kualifikime të dyfishta me një ose më shumë institucione të tjera të miratuara nga AKA-ja . Dokumentet e gradave dhe të diplomave do të jenë në pajtim me formatin e aprovuar nga Ministria, të specifikuara përmes udhëzimeve administrative.

2. Statuti i një bartësi të arsimit të lartë në përputhje me këtë ligj, specifikon gradat dhe diplomat që jepen nga bartësi dhe përfshin të drejtën për të hartuar rregulla akademike apo rregulla të tjera lidhur me dhënien e gradave e të diplomave të tilla e që i nënshtrohen akreditimit nga AKA-ja apo nga ndonjë organ i njohur akreditues me miratimin e AKA.

3. Programet e nivelit Baçelor dhe të atyre për diplomë, të ofruara nga të gjithë bartësit e arsimit të lartë, hartohen në mënyrë fleksibile me mundësi regjistrimi dhe transferimi në momente të përshtatshme dhe me dhënien e kredive ose kualifikimeve në varësi të përparimit të studentit. Në formulimin e rregullave, bartësi publik i arsimit të lartë merr parasysh konventat aktuale të Sistemit evropian të transferimit të kredive.

4. Ministria, duke u nisur nga interesi i përgjithshëm, gëzon të drejtën të miratojë ose të refuzojë miratimin e kurrikulave të kurseve që çojnë në kualifikimin e një mësimdhënësi për t'u punësuar në një shkollë.

5. Vetëm bartësit publik të arsimit të lartë mund të ofrojnë programe studimi që qojnë në kualifikimin e një mësimdhënësi për t’u punësuar në një shkollë.

6. Në të gjitha rastet e tjera, një bartës i arsimit të lartë gëzon liri në organizimin e kurrikulave të tij dhe të skemave të vlerësimit e të provimit mbi bazën e rregullave, që janë transparente, të ndershme dhe lehtë të kuptueshme për studentët. Bartësi do të kërkojë sigurimin e standardeve dhe të cilësisë për realizimin e kurrikulit përmes shqyrtimit të jashtëm të skemave të vlerësimit dhe të provimeve të tij si dhe do të kërkojë në mënyrë aktive mendimin e studentëve mbi përvojën e tyre të të mësuarit.

7. Vetëm ato grada dhe diploma që lëshohen nga bartësit e akredituar dhe të licencuar të arsimit të lartë njihen nga Qeveria për arsye punësimi, për marrjen e funksioneve publike ose për kryerjen e funksionit të njohjes ndërkombëtare, siç saktësohet në nën-paragrafin 1.7. të paragrafit 1. dhe paragrafin 2. të nenit 6 të këtij ligji.

8. Është detyrë e çdo bartësi të akredituar të arsimit të lartë që të pajisë çdo person, i cili ka marrë një gradë apo diplomë, me një diplomë dhe me një shtojcë të diplomës të vulosur; të dyja këto duhet të kenë formatin e përcaktuar në akt nënligjor, të nxjerrë nga Ministria.

9. Pas dhënies së një grade apo diplome, të njëjtat mund të anulohen vetëm në rrethana specifike të përcaktuara në rregullat e hartuara mbi bazën e statutit të bartësit të arsimit të lartë dhe me kusht të së drejtës në padi në Gjykatën kompetente.

10. Në konsultim me organet e tjera relevante qeveritare, Ministria mund të përcaktojë në një udhëzim administrativ kërkesa shtesë arsimore, përveç gradës apo diplomës, si kusht për t'u punësuar në ndonjë profesion, i cili trajtohet nga ligje të tjera apo në bazë të kushteve të përcaktuara në konventa a marrëveshje ndërkombëtare.

 

Neni 17

Statuti i bartësve të arsimit të lartë

1. Funksionimi dhe menaxhimi i bartësit publik të arsimit të lartë përcaktohet në statut të propozuar nga ana e Ministrisë dhe të miratuar nga Kuvendi. Ky statut mund të ndryshohet në përputhje me dispozitat e tij dhe me pëlqimin e Ministrisë dhe miratimin nga ana e Kuvendit.

2. Statutet e të gjithë bartësve të tjerë dhe çdo ndryshim në to miratohen vetëm nga Ministria.

3. Statuti i çdo universiteti përmban dispozita që i japin Senatit apo një strukture të barasvlershme përgjegjësi kryesore për këshillim dhe vendimmarrje lidhur me çështje akademike, ku ndër anëtarët e këtij organi janë edhe përfaqësues të zgjedhur të stafit akademik dhe studentë.

4. Statuti i çdo bartësi publik të arsimit të lartë, garanton zhvillimin e konsultimeve për çështje akademike me personelin mësimor dhe me studentët.

5. Statuti i çdo bartësi të arsimit të lartë që merr fonde publike siguron zbatimin e parimeve të mëposhtme nga bartësi:

5.1. mundësi të barabarta për punësim dhe qasje të barabartë në studim e kërkim shkencor pa diskriminim.

5.2. të gjithë personat dhe organet veprojnë në përputhje me standardet më të larta të modestisë, integritetit, të sinqeritetit, të objektivitetit, të llogaridhënies, të transparencës, të ndershmërisë dhe të udhëheqjes. Në kryerjen e detyrave zyrtare, askush nuk mund të veprojë si përfaqësues i asnjë lloj grupi të çfarëdo përshkrimi dhe nuk kërkon apo pranon asnjë lloj mandati. Gjatë tërë kohës të gjithë duhet të veprojnë vetëm në interes të bartësit si i tërë.

6. Statuti që i paraqitet Ministrisë në bazë të dispozitave të këtij ligji, miratohet nëse i plotëson kushtet e përcaktuara në këtë ligj. Refuzimi i Ministrisë për të dhënë pëlqimin në statut apo për të konfirmuar modifikime në të mund të kundërshtohet pranë Gjykatës kompetente.

 

Neni 18

Struktura qeverisëse e bartësve të arsimit të lartë

1. Këshilli Drejtues është autoriteti kryesor qeverisës i bartësit të arsimit të lartë që merr fonde publike. Këshilli drejtues ka përgjegjësi të përgjithshme në ushtrimin e veprimtarisë së bartësit dhe funksionet e tij përshkruhen hollësisht në statut.

2. Këshilli drejtues do të ketë jo më shumë se nëntë dhe jo më pak se pesë anëtarë. Numri i anëtarëve të këshillit drejtues që emërohen nga Ministria në interes të përgjithshëm, duhet të jetë i specifikuar në statut dhe nuk duhet të kalojë gjysmën e numrit të përgjithshëm të anëtarësisë. Ata duhet të jenë persona me reputacion të lartë publik, me aftësi përkatëse profesionale, afariste si dhe me aftësi të tjera praktike. Asnjë nga anëtarët e emëruar nuk duhet të ketë lidhje të drejtpërdrejta aktuale me institucionin në të cilin emërohet.

3. Të gjithë anëtarët e këshillit drejtues, me përjashtim të atyre të emëruar sipas paragrafit 2. të këtij neni zgjidhen sipas procedurës së përcaktuar në statutin e bartësit. Një numër i anëtarëve të zgjedhur nga Universiteti mund të jenë nga komuniteti akademik ndërkombëtar. Statuti do të specifikojë sa anëtarë do të zgjidhen prej atyre që janë brenda institucionit dhe sa prej komunitetit akademik ndërkombëtar.

4. Të gjithë anëtarët e këshillit drejtues shërbejnë në cilësi individuale në këshill, e jo si delegatë ose përfaqësues të një interesi të veçantë grupor.

5. Këshilli drejtues për çdo vit zgjedh kryesuesin dhe zëvendës kryesuesin prej anëtarëve të vet, të cilët nuk janë punonjës apo studentë të institucionit.

6. Anëtarët e këshillit drejtues, të emëruar në bazë të paragrafit 2. të këtij neni i mbajnë postet e tyre për një periudhë kohe të caktuar, sikurse parashihet në dispozitat e statutit. Ata mund të shkarkohen nga Ministria me rekomandim të këshillit drejtues apo edhe pa të, për arsye bindëse si:

7. Dënim për një vepër të rëndë penale që ndëshkohet me burgim prej më shumë se gjashtë muajsh;

7.1. paaftësi në kryerjen e funksioneve të postit të tij për shkak të paaftësisë fizike apo mendore, të dokumentuar me një raport nga një konsilium i mjekëve të pavarur, i caktuar sipas legjislacionit në fuqi.

7.2. sjellje, e cila sipas vlerësimit të Ministrisë, paraqet dështim, refuzim, shpërfillje, paaftësi të vazhdueshme për të përmbushur detyrat e postit që ushtron, ose për të vepruar në përputhje me parimet e përcaktuara në statutin e bartësit apo në këtë ligj, duke përfshirë ato të përcaktuara në nenin 17 të këtij ligji.

8. Ankesa kundër shkarkimit të bërë me iniciativë të Këshillit drejtues mund t’i drejtohet Ministrisë.

9. Mandati i KD përcaktohet në Statutin e bartësit dhe siguron që kohëzgjatja e mandatit të anëtarëve nuk mund të jetë e njëjtë me autoritetet menaxhuese dhe senatit.

10. Këshilli drejtues është përgjegjës për të zhvilluar një plan strategjik trevjeçar, i cili do të aktualizohet çdo vit. Në përgatitjen e planit strategjik dhe të aktualizimeve vjetore të tij, Këshilli drejtues do të konsultohet me Ministrinë përkitazi me përputhjen e objektivave dhe planeve të veta me Strategjinë shtetërore për arsimin e lartë dhe të burimeve që do të kishte të ngjarë të jenë në dispozicion nga Ministria. Fushëveprimi i konsultimeve të tilla përcaktohet me akt nënligjor që e nxjerr Ministria.

11. Këshilli drejtues merr masa për publikimin e raportit vjetor mbi punën e bartësit dhe jep informacione të cilat kërkohen nga Ministria dhe AKA-ja.

 

Neni 19

Autoritetet menaxhuese

1. Autoriteti kryesor menaxherial i një universiteti publik është rektori. Rektori i universitetit publik zgjidhet nga Këshilli drejtues me shumicën absolute të numrit të përgjithshëm të votave, pas një procesi formal të konkursit publik, pas vlerësimit nga një komision profesional dhe pas intervistimit nga i tërë Këshilli drejtues të Universitetit.

2. Autoriteti kryesor menaxhues i një bartësi të arsimit të lartë, me përjashtim të universitetit, përcaktohet në statutin e bartësit.

3. Procedurat për zgjedhjen dhe emërimin e autoritetit kryesor menaxhues, përgjegjësitë, detyrat, mandati i tij si dhe çështje të tjera përcaktohen në statutin e bartësit.

4. Statuti i bartësit gjithashtu duhet të saktësojë përgjegjësitë për secilin nga zyrtarët menaxhues.

 

Neni 20

Parimet kryesore të financimit të bartësve të arsimit të lartë

1. Bartësit publik të licencuar dhe të akredituar të arsimit të lartë mund të financohen nga burimet e mëposhtme, sipas dispozitave të përcaktuara në statutet dhe planet strategjike të tyre si:

1.1. fonde nga Ministria për mësimdhënie dhe kërkime shkencore me interes të përgjithshëm; 1.2. pagesa për shkollim dhe pagesa tjera që bëjnë studentët;
1.3. pagesa për shërbime komerciale dhe shërbime të tjera;
1.4. donacione, dhurata, ndihmesa tjera dhe

1.5. kontrata me organizma shtetërorë, ndërkombëtarë, publik ose privatë në fushën e mësimdhënies, të kërkimeve shkencore apo të këshillimit.

2. Bartësit e arsimit të lartë gëzojnë të drejtën të lidhin kontrata për çfarëdo qëllimi që lidhet me arsimin e lartë dhe, në rastet kur kjo është pjesë e planit strategjik të tyre, edhe në lidhje me kërkime shkencore. Bartësit mund t'i investojnë fondet, duke përfshirë ato publike, në cilëndo ndërmarrje me qëllime të arsimit apo të kërkimit shkencor me kusht që:

2.1. ato kontrata të ndërlidhen me projekte që përkrahin planin strategjik të bartësit;

2.2. asnjë kontratë të mos imponojë ndonjë detyrim financiar ndaj pasurisë dhe pronës publike pa miratimin e Ministrisë dhe

2.3. fondet publike të mos futen në rreziqe të mundshme.

3. Nëse një bartës i arsimit të lartë nuk e fiton riakreditimin në përputhje me këtë ligj, atëherë Ministria, me akt nënligjor, mund të marrë masa të përkohshme për financimin e tij dhe marrjen e pagesave të shkollimit dhe të të ardhurave të tjera gjatë periudhës deri në rimarrjen e akreditimit, mbylljen apo shkrirjen, sikurse parashihet me ligj.

4. Ministria mund të sigurojë fonde publike për bartësit privatë të arsimit të lartë të licencuar dhe të akredituar në mbështetje të objektivave të Ministrisë. Çdo bartës privat i cili pranon fondet publike, i nënshtrohet përgjegjësisë dhe kërkesave të auditimit njëjtë si edhe bartësit publik, siç është përcaktuar në nenet 21,22,23,24 të këtij ligji.

 

Neni 21

Metodologjia e financimit

1. Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Ministria me akt nënligjor përcakton metodologjinë që do të përdoret për caktimin e fondeve për mësimdhënie dhe kërkime shkencore me interes publik, së bashku me shtesa të tjera ose koncesione, të cilat mund të miratohen nga Qeveria. Fondet mund të caktohen për qëllime të mësimdhënies, të punës kërkimore në lidhje me mësimdhënien, për infrastrukturë ose për qëllime të tjera.

2. Caktimi i fondeve për mësimdhënie e specifikon numrin e studentëve që do të arsimohen me shpenzimet publike në disiplina e fusha të caktuara studimi. Ky numër duhet të jetë në përputhje me numrin maksimal të saktësuar në licencën aktuale të bartësit. Përshkrimi i bashkangjitur për secilën disiplinë apo fushë përcaktohet nëpërmjet një akti nënligjor.

3. Ministria cakton fondet e bartësve të arsimit të lartë duke marrë parasysh objektivat e specifikuara në planin strategjik të bartësit dhe çfarëdo vërejtjesh apo rekomandimesh nga AKA-ja lidhur me cilësinë e mësimdhënies të këtyre bartësve ose të programeve të veçanta.

4. Ministria, bazuar në performancën e fundit të bartësit dhe do të caktojë një vijë buxhetore për një cikël të financimit pesë (5) vjeçar. Caktimi i fondeve për një bartës duhet të marrë formën e një marrëveshjeje të performancës, që do të zgjasë tri vjet dhe që do të publikohet nga Ministria pasi të jetë dakorduar me bartësin përkatës.

5. Fondet caktohen çdo vit si një shumë që i jepet bartësit gjatë vitit financiar në intervale kohe të përcaktuara nga Ministria e Financave. Brenda planit strategjik dhe kufijve të caktuar në licencë dhe sipas çfarëdo kushtesh të Ministrisë që kanë të bëjnë me fondet.

6. Këshilli drejtues miraton skemën financiare të delegimit dhe llogaridhënies me nënnjësitë buxhetore brenda institucionit përmes të cilës pasqyrohet planifikimi strategjik dhe detyrat mbi raportimin e performancës që ajo i detyrohet Ministrisë. Skema e tillë do të inkurajojë dhe lehtësojë zhvillimin e kapaciteteve, ngritjen e cilësisë dhe arritjen e rezultateve të dakorduara brenda çdo nënnjësie buxhetore. Këshilli drejtues nxjerr rregullore financiare në përputhje me legjislacionin në fuqi. Këto marrëveshje do të përfshihen në statutin e bartësit.

 

Neni 22

Kushtet e financimit

1. Në caktimin e fondeve për mësimdhënie dhe kërkime shkencore me interes të përgjithshëm, Ministria mund t’u caktojë kushte bartësve.

2. Kushtet që caktohen sipas këtij neni janë në përputhje me statutin e bartësit në fjalë dhe kanë të bëjnë me:

2.1. kontrollin financiar dhe auditimin;

2.2. blerjen, shfrytëzimin dhe disponimin me truall, godina dhe pajisje;

2.3. nivelin dhe aplikimin e pagesave për shkollim dhe të pagesave të tjera të studentëve;

2.4. ndryshimin e destinimit ose transferimin e fondeve të caktuara për mësimdhënie nga një fushë mësimore në tjetrën.

3. Ministria nuk cakton asnjë kusht që do të mund të ndikonte në kufizimin e mundësisë së bartësit për të vepruar, në përputhje me statutin e tij, për të tërhequr fonde nga burime të tjera, përfshirë këtu caktimin e vendeve shtesë të studimit brenda kufijve të licencës, me kusht që, sipas mendimit të Ministrisë, kjo nuk ka:

3.1. efekt negativ në cilësinë e arsimit me fonde publike.

3.2. nuk paragjykon detyrën e bartësit për të ushtruar veprimtarinë e tij pa asnjë lloj diskriminimi për arsye që kanë lidhje me gjininë, racën, prirjen seksuale, aftësinë e kufizuar, gjendjen martesore, ngjyrën, gjuhën, fenë, opinionet politike apo të tjera, origjinën kombëtare, etnike apo sociale, përkatësinë ndaj një komuniteti etnik, pronësinë, lindjen apo që lidhen me gjendje të tjera.

4. Ministria nuk mund të caktojë kushte që kufizojnë lirinë mësimdhënies në kuadër të këtij ligji, licencës dhe akreditimit të bartësit.

5. Fondet që mbeten pa u shpenzuar në fund të vitit financiar caktohen për të kaluar në fondin rezervë për veprimtari të miratuara që janë specifikuar në planin strategjik të bartësit apo në përditësimet vjetore të tij.

6. Në varësi të dispozitave të këtij neni, Ministria mund të anulojë fonde, për të cilat ajo mendon se janë keqpërdorur dhe në këtë rast fondet i kthehen Ministrisë së Financave me kërkesën e kësaj të fundit.

 

Neni 23

Përgjegjësitë e Këshillit drejtues dhe autoritetit kryesor menaxhues të një bartësi të arsimit të lartë

1. Këshilli drejtues i një bartësi publik të arsimit të lartë apo organi i barasvlershëm në rastin e bartësit privat është përgjegjës kolektivisht para Ministrisë për përdorimin e duhur dhe të efektshëm të fondeve që i janë caktuar bartësit nga Ministria ose nga burime të tjera publike.

2. Çdo bartës i arsimit të lartë që merr fonde publike i raporton drejtpërdrejt Ministrisë për performancën e tij, jo më vonë se më 31 mars të vitit të ardhshëm. Raporti i performancës do të krahasojë rezultatet e arritura me planin strategjik dhe marrëveshjet për performancë për vitin në shqyrtim. Raporti do të përfshijë masat për performancën të cilat janë specifikuar nga Ministria me akt nënligjor dhe do të shoqërohet nga llogaritë e audituara të bartësit për vitin në shqyrtim. Ministria do t’i ofrojë Kuvendit një përmbledhje të raporteve për performancën shoqëruar nga një koment më së voni deri më 31 gusht të të njëjtit vit.

3. Autoriteti kryesor menaxhues i një bartësi të arsimit të lartë që merr fonde publike do t’ia tërheqë vërejtjen Këshillit drejtues për çdo veprim apo lëshim të tij, i cili, sipas mendimit të autoritetit kryesor menaxhues, përbën një shpërdorim të fondeve publike që i janë dhënë bartësit. Në rast se Këshilli drejtues nuk vepron për të korrigjuar një veprim të tillë jo të duhur apo lëshim, atëherë autoriteti kryesor menaxhues do t’ia raportojë drejtpërdrejt këtë veprim ose lëshim Ministrisë. Në raste të tilla, pavarësisht nga ndonjë dispozitë e statutit të bartësit që është e kundërt me këtë, Këshilli drejtues apo ndonjë organ tjetër i barasvlershëm nuk mund të të ndërmarrë asnjë veprim ndaj autoritetit kryesor menaxhues, me përjashtim të rasteve kur vetë Ministria e lejon një gjë të tillë.

4. Nëse, sipas vlerësimit të Ministrisë që bazohet në raportet përfundimtare dhe rekomandimet nga zyra e Auditorit të përgjithshëm, çështjet financiare apo çështjet e tjera të një bartësi kanë qenë ose janë duke u keqadministruar apo dispozitat e statutit nuk janë zbatuar në pajtim me këtë ligj dhe me statutin, Ministria mund që përveç kompetencave të akorduara nga paragrafi 6. i nenit 22 të këtij ligji, pas konsultimit me AKA-në dhe me bartësin, të jep udhëzime në lidhje me qeverisjen dhe menaxhimin e bartësit që Ministria i sheh të arsyeshme, duke përfshirë, largimin dhe zëvendësimin e përkohshëm të një ose më shumë anëtarëve të Këshillit drejtues ose rektorit. Të gjitha veprimet e tilla ratifikohen nga Kuvendi brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh.

5. Vendimi kundër shkarkimit të anëtarë të KD apo rektorit apo ekuivalentit të tij mund të atakohet në Gjykatën Kompetente.

 

Neni 24

Kontrolli financiar

1. Statuti i çdo bartësi publik të arsimit të lartë përfshin dispozita për kryerjen e një kontrolli financiar të efektshëm dhe të pavarur, të brendshëm e të jashtëm.

2. Një kopje e çdo raporti të hartuar nga auditori i jashtëm apo i brendshëm ose çdo bartësi që merr fonde publike i dërgohet Ministrisë, e cila mund të kërkojë shpjegime nga këshilli drejtues i bartësit publik të arsimit të lartë, nëse e gjykon të nevojshme një gjë të tillë.

3. Ministria mund të caktojë një auditor të pavarur për të hetuar çështjet financiare të çdo institucioni publik të arsimit të lartë që merr fonde publike dhe këshilli drejtues i këtij institucioni duhet të sigurojë bashkëpunimin me auditorin.

4. Në rastet kur Ministria është e mendimit se ka shpërdorime serioze të fondeve publike, atëherë zbatohet paragrafi 6. i nenit 22 të këtij ligji.

 

Neni 25

Veprimtaria komerciale

1. Bartësi publik i arsimit të lartë gëzon të drejtën që, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, të ligjit tjetër të zbatueshëm, me licencën, me statutin dhe me planin strategjik të tij, të marrë masa për të nxitur e shfrytëzuar veprimtarinë e tij arsimore dhe veprimtarinë kërkimore për qëllime komerciale në favor të bartësit.

2. Kur veprimtari të tilla komerciale përfshijnë ose potencialisht mund të përfshijnë shfrytëzimin e ndonjë të drejte të rëndësishme të pronës intelektuale lidhur me vepra letrare, artistike dhe shkencore, zbulime shkencore, projekte, shpikje, materiale, mallra ose shërbime të siguruara plotësisht apo pjesërisht duke përdorur fonde publike, bartësi duhet të kërkojë miratim paraprak nga Ministria. Për qëllimet e këtij neni, Ministria përcakton se cila është e drejta e rëndësishme e një prone intelektuale me anë të një udhëzimi administrativ, ku merret parasysh këshilla e dhënë nga Zyra për te drejtat e pronës intelektuale ose nga ministria kompetente sipas legjislacionit në fuqi.

3. Tatimimi i aktivitetit komercial të një bartësi të arsimit të lartë publik është në përputhje me ligjin në fuqi.

 

Neni 26

Titujt dhe gradat e personelit

1. Titujt dhe gradat e personelit, kriteret e emërimeve dhe riemërimeve dhe çështje të tjera të lidhura me këto, specifikohen në statutin e çdo bartësi të arsimit të lartë. Ato duhet të jenë të hapura ndaj shqyrtimit nga AKA-ja dhe të jenë në pajtim me legjislacionin në fuqi për marrëdhënien e punës në Republikën e Kosovës.

2. Universitetet dhe kolegjet universitare për stafin akademik mund të caktojnë titujt si në vijim: 2.1. profesor i rregullt;

2.2. profesor i asociuar; 2.3. profesor asistent; 2.4. asistent universiteti.

3. Kriteret për secilin titull do të përfshijnë të paktën një diplomë Master në fushën e lëndës së të emëruarit. Përveç kësaj, profesorët e rregullt, profesorët e asociuar dhe profesorët asistentë duhet të jenë në gjendje të dëshmojnë një sfond të suksesshëm të mësimdhënies, hulumtimit dhe të praktikës profesionale apo artistike, që do të vlerësohet nga së paku tre recensues që kanë së paku një titull më të lartë se thirrja aktuale e kandidatit për avancim.

4. Profesorët e rregullt, profesorët e asociuar dhe profesorët asistentë duhet të kenë të përfunduara doktoratë dhe të kenë një sfond të suksesshëm të publikimit në revista me recension ndërkombëtar. Profesorët e rregulltë gjithashtu duhet të jenë në gjendje të demonstrojnë udhëheqje të suksesshme akademike përmes hartimit të kurrikulit, risive pedagogjike, hulumtimit dhe publikimit së paku për tetë (8) vjet.

5. Bartësit e tjerë për stafin e tyre mund të caktojnë gradat si në vijim:

5.1. profesor;

5.2. profesor asistent;

5.3. ligjërues;

5.4. asistent.

6. Kriteret për të gjithë titujt, përveç atyre asistent dhe ligjërues, përfshijnë të paktën një diplomë Master ose ekuivalente në fushën e lëndës së të emëruarit. Përveç kësaj, profesor asistentët dhe profesorët e asociuar, duhet të jenë në gjendje të dëshmojnë një sfond të suksesshme të mësimdhënies, hulumtimit dhe të praktikës profesionale apo artistike tjetër që do të vlerësohet nga së paku tre recensues që kanë së paku një titull më të lartë se thirrja aktuale e kandidatit për avancim.

7. Profesorët asistentë dhe profesorët e asociuar duhet të kenë të përfunduar doktoratë dhe të kenë një sfond të suksesshëm të publikimit në revista me recension ndërkombëtar.

8. Në qoftë se një person që mban një titull nga një universitet i akredituar ose nga një kolegj universitar i bashkëngjitet stafit të një bartësi që nuk është universitet apo, kolegj universitar ai mund të vazhdojë të mbajë titullin e dhënë më parë. Në qoftë se një person që mban një titull nga një kolegj universitar ose kolegj i akredituar i bashkohet stafit të universitetit, prej tij do kërkohet për të aplikuar për marrjen e një titulli nga universiteti.

9. Profesori i rregullt i pensionuar nga një post me orar të plotë, mund të caktohet si Profesor Emeritus dhe mund të thirret për të mbështetur institucionin, në të cilin ai mban këtë titull, në cilëndo mënyrë që konsiderohet e përshtatshme nga rektori.

10. Kriteret për secilin nga titujt nuk duhet të dekurajojnë aplikimet nga jashtë institucionit.

11. Përjashtim nga kriteret e caktuara në paragrafët 3. dhe 4. bëjnë titujt që jepen në fushën specifike qe përcaktohen në Statutin e bartësit.

12. Çdo bartës i arsimit të lartë mund të emërojë stafin e posaçëm për mësimdhënie, poste administrative ose teknike, kërkime. Bartësi në statutin e tij do të specifikojë titujt e personelit të posaçëm kërkimor, mësimor, të personelit të lartë administrativ dhe të atij teknik, së bashku me kriteret për zhvillimin profesional, promovimin dhe avancimin brenda këtyre fushave të punës.

 

Neni 27

Liria akademike

1. Në statutin e vet apo në dokumentin e barasvlershëm themelues, çdo bartës i arsimit të lartë garanton se stafi akademik gëzon të drejtën brenda ligjit e për të paraqitur ide të reja dhe opinione të debatueshme pa rrezikuar humbjen e vendit të punës apo privilegjet që mund të gëzojnë nga bartësi.

2. E drejta e shprehjes së lirë për stafin akademik të bartësve të arsimit të lartë mund të kufizohet vetëm me ligj, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

3. Personeli akademik i bartësve të licencuar dhe të akredituar gëzon lirinë për të publikuar rezultatet e kërkimeve të tij, por duke iu nënshtruar rregullave të bartësit lidhur me shfrytëzimin e të drejtave të pronës intelektuale në dobi të bartësit dhe në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

4. Statuti i çdo bartësi të arsimit të lartë dhe struktura e çdo bartësi privat të arsimit të lartë, si kusht për akreditim, duhet të përmbajnë dispozita që:

4.1. i garantojnë personelit lirinë e organizimit e të grumbullimit.

4.2. mbrojnë personelin nga çdo lloj diskriminimi.

5. Personeli akademik dhe personeli tjetër i bartësit të arsimit të lartë gëzon të drejtën për të kundërshtuar një vendim apo veprim të institucionit të arsimit të lartë dhe për t’ia drejtuar atë ankesë fillimisht Ministrisë dhe pastaj një gjykate kompetente.

 

Neni 28

Kushtet e shërbimit të personelit

1. Statuti i një institucioni publik të arsimit të lartë përmban dispozita lidhur me emërimet, mandatet, ngritjen në pozitë, disiplinën, suspendimin, shkarkimin, pushimin nga puna apo pensionimin.

2. Kushtet themelore të shërbimit të personelit në bartësit e arsimit të lartë duhet të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3. Kushte të tjera të shërbimit të personelit te bartësit publik të arsimit të lartë, përcaktohen nga këshilli drejtues i bartësit, i cili krijon kuadrin e përshtatshëm për konsultime me sindikatat e njohura zyrtarisht me përfaqësuesit e personelit dhe me Ministrinë.

4. Çdo anëtar i personelit punësohet mbi bazën e kontratës individuale me bartësin e arsimit të lartë. Kontratat e tilla do të përfshijnë aranzhimet për vlerësim të rregullt të performancës së stafit duke përfshirë vëzhgimin e drejtpërdrejtë të mësimit dhe një proces të strukturuar për mbështetjen e zhvillimit profesional të tij.

5. Statuti i një bartësi publik të arsimit të lartë rregullon pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtar në komisione recenzuese në procesin e përzgjedhjes së personelit akademik me status të profesorit.

6. Statuti i bartësit të arsimit të lartë përfshin dispozita, të cilat përcaktojnë rrethanat, mbi bazën e të cilave një anëtar i personelit mund të punësohet në një punë të dytë me ose pa pagesë dhe që kufizojnë përgjegjësinë ligjore të punëdhënësit në raste të tilla.

 

Neni 29

Pranimi i studentëve

1. Secili kandidat që e kalon testin e maturës, gëzon të drejtën për të vazhduar studimet në institucionet e arsimit të lartë sipas legjislacionit ne fuqi.

2. Nëpërmjet një udhëzimi administrativ, Ministria harton dispozita, kur është e nevojshme dhe e dobishme, lidhur me kohën dhe organizimin e provimeve të pranimit të caktuara nga institucionet e arsimit të lartë për të lehtësuar regjistrimin në arsimin e lartë të studentëve që nuk kanë hyrë në testin e maturës ose nuk e kanë kaluar atë.

3. Për fusha të veçanta studimi, bartësit publikë të arsimit të lartë mund të parashohin për disa lëndë provime shtesë për pranim të studentëve, të cilat duhet të aprovohen nga Ministria. Kërkesat për pranim përshkruhen në mënyrë të hollësishme në rregulloret e hartuara mbi bazën e statutit të institucionit.

4. Studentët pranohen në studime Master mbi bazën e konkurrimit, sipas rezultateve të studimeve paraprake ekuivalencës së tyre, sikurse përcaktohet në këtë ligj.

5. Kur numri i kandidatëve të suksesshëm e kalon numrin e vendeve të financuara nga fonde publike në dispozicion të një programi, bartësi mund të pranojë, gjithnjë mbi bazën e meritave, studentë që paguajnë tarifa në ato vende, të cilat nuk financohen me fonde publike, por deri në numrin e përcaktuar në licencën e bartësit.

6. Rregullat e përcaktuara nga një bartës publik i arsimit të lartë mund të përcaktojnë rrethanat, në bazë të të cilave studentëve që paguajnë shkollimin dhe që arrijnë rezultate të shkëlqyeshme në mësime, mund t’u ndahet një vend studimi i financuar me fonde publike në vitin e dytë apo në vitin vijues të studimit.

7. Bartësit privat të arsimit të lartë mund të pranojnë çdo kandidat në programet e tyre, me kusht që të mund t’i arsyetojnë vendimet e tyre para AKA-së.

 

Neni 30

Pagesa e shkollimit dhe tarifat tjera që paguhen nga studentët vendas apo të huaj

1. Ministria përcakton në një udhëzim administrativ, i cili rishqyrtohet çdo vit, pagesën maksimale të shkollimit që duhet paguar nga studentët që pranohen në bartësit publik të arsimit të lartë, të financuar nga Ministria.

2. Pagesat për shkollim të cekura në paragrafin 1. të këtij neni mund të përcaktohen në nivele të ndryshme:

2.1. varësisht nga fakti nëse studenti banon në Kosovë apo diku tjetër;

2.2. për programet e ndryshme sipas kostove që kanë.

3. Bartësit e arsimit të lartë që marrin fonde publike mund të vendosin tarifa, siç është tarifa për shqyrtimin e aplikacioneve, për regjistrim, për përsëritjen e provimeve dhe për diplomim, dhe këto tarifa do të miratohen nga organi drejtues i bartësit përkatës dhe konfirmohen nga Ministria.

4. Bartësit publik të arsimit të lartë mund të kërkojnë mbulimin e plotë të kostos ekonomike për dhënien e shërbimeve duke përfshirë fotokopjimin, materiale speciale dhe shërbime të tjera ndihmëse.

5. Bartësit privatë të arsimit të lartë, të cilët nuk janë pranues të fondeve publike, mund të vendosin vetë për tarifat.

 

Neni 31

Të drejtat dhe obligimet e studentit

1. Studentët që janë pranuar dhe regjistruar tek bartësi i arsimit të lartë hyjnë në marrëdhënie ligjore me atë bartës.

2. Studentët kanë te drejtat e mëposhtme, që mund të specifikohen më tej në statutin e bartësit:

2.1. të ndjekin të gjitha ligjëratat, seminaret dhe gjitha aktivitetet e tjera mësimore të organizuara në lëndët e tyre, sipas nivelit të tyre si dhe të vijojnë, nëse ka vend, proceset e tjera të organizuara të mësimdhënies;

2.2. të shfrytëzojnë ambientet në biblioteka dhe shërbime të tjera për studentët në godinën e bartësit; dhe

2.3. të marrin pjesë në zgjedhjet për postet e studentëve në organizmat e ngritura mbi bazën e statutit të bartësit.

3. Studentët kanë obligimet vijuese:
3.1. të respektojnë rregullat e hartuara nga bartësi;

3.2. të tregojnë vëmendjen e duhur ndaj të drejtave të personelit dhe studentëve të tjerë;

3.3. t'i kushtojnë vëmendjen e duhur e të plotë studimeve dhe të marrin pjesë në aktivitetet akademike; dhe

3.4. të paguajnë pagesa dhe tarifa që janë të caktuara.

4. Statuti ose dokumenti themelues i barasvlershëm me të i çdo bartësi të arsimit të lartë përmban dispozita, të cilat:

4.1. garantojnë lirinë e studentëve, brenda ligjit për të paraqitur ide të reja dhe opinione të debatueshme pa rrezikuar humbjen e vendit të studentit ose privilegjet që mund të gëzojnë nga bartësi;

4.2. u garantojnë studentëve lirinë e fjalës, të organizimit e të tubimit sipas dispozitave ligjore. 4.3. mbrojnë studentët nga çdo lloj diskriminimi.

4.4. sigurojnë mekanizma të paanshëm dhe objektivë për trajtimin e çështjeve disiplinore që kanë të bëjnë me studentët.

5. Studentët kanë të drejtë të ankohen lidhur me cilësinë e procesit të mësimdhënies ose për infrastrukturën e bartësit. Statuti përmban dispozita mbi trajtimin e drejtë të ankesave të tilla.

6. Rrethanat në bazë të të cilave studentët mund të çregjistrohen për arsye akademike apo disiplinore si dhe procedurat për ankesë përcaktohen më detajisht në statutin e bartësit.

7. Studentët gëzojnë të drejtën për të kundërshtuar një vendim apo një veprim të bartësit të arsimit të lartë ndaj tyre në Ministri dhe në gjykatën kompetente.

8. Personat që kanë mbaruar provimin përfundimtar në nivelin për të cilin janë regjistruar nuk kanë më statusin e studentit.

 

Neni 32

Mbështjetja financiare për studentin

1. Ministria mund të nxjerrë akt nënligjor për krijimin e skemës apo skemave për mbështetje financiare të studentëve, bazuar në nevojat ekonomike.

2. Skema të tilla të mbështetjes financiare për studentët mund të përfshijnë dispozitën për të ndihmuar studentët në pagesat për shkollim dhe në pagesa të tjera tek bartësit publik dhe, sipas vlerësimit të ministrisë, tek bartësit privat të arsimit të lartë.

3. Bartësit publik të arsimit të lartë mund të krijojnë skema për mbështetje financiare studentët, me fonde që nuk ndahen nga burime publike.

4. Ministria ndërmerr veprime që mendon se janë të dobishme dhe të nevojshme për të garantuar që studentët e regjistruar në cilindo institucion të kenë mundësi dhe qasje të barabartë për të aplikuar në skemën apo skemat ekzistuese të mbështetjes financiare për studentët, që janë në pajtim me këtë nen.

5. Të gjitha organizatat e financuara me fonde publike, që u sigurojnë studentëve strehim, ushqim, ndihmë mjekësore dhe sociale, janë pjesë përbërëse e bartësit dhe u nënshtrohen dispozitave të këtij ligji. Ministria mund t’i udhëzojë këto organizata lidhur me detyrimet, vetëqeverisjen dhe tarifat.

 

Neni 33

Organizatat studentore

1. Statuti ose çdo dokument tjetër themelues i bartësit të arsimit të lartë parasheh krijimin e një ose më shumë organizatave, që të përfaqësojnë studentët dhe që të kontribuojnë në plotësimin e kërkesave sociale, kulturore, akademike e argëtuese të studentëve.

2. Bartësit publik të arsimit të lartë kontribuojnë financiarisht në themelimin e organizatave studentore, përfshirë në rastet e duhura, fonde për shpenzime kapitale dhe rrjedhëse për godinat dhe ambientet.

 

Neni 34

Mbrojtja e të dhënave personale

Përpunimi i të dhënave personale për qëllime të këtij ligji bëhet në pajtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

 

Neni 35

Zbatimi

1. Ministria nxjerr akte nën ligjore për zbatimin e këtij ligji në afat prej dymbëdhjetë (12) muajsh nga hyrja ne fuqi e këtij ligji.

2. Të gjithë bartësit duhet që statutet e tyre t’i harmonizojnë me dispozitat e këtij ligji brenda një periudhe kohore jo më të gjatë se dymbëdhjetë (12) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

Neni 36

Dispozitat kalimtare

1. Dispozitat e neneve si neni 2 paragrafi 1. dhe 3., neni 4 paragrafi 1.3; neni 6 nën-paragrafi 1.6., 1.9., 1.10.,1.11., 1.12, neni 14 paragrafi 1.; neni 20 nën-paragrafi 1.2. dhe neni 35 paragrafi 1. mund të hynë në fuqi nga viti akademik 2015/16 po qe se krijohen kushtet financiare dhe pas një vlerësimi egzakt të kostos financiare të periudhës vijuese.

 

Neni 37

Dispozitat shfuqizuese

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji 2002/03 mbi arsimin e lartë dhe çdo dispozitë ligjore e cila është në kundërshtim me këtë ligj.

 

Neni 38

Hyrja në fuqi

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Ligji Nr. 04/L-037 29 gusht 2011

Shpallur me dekretin Nr.DL-036-2011, datë 31.08.2011 nga Presidentja e Republikës së Kosovës

Atifete Jahjaga.