Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI IV / Nr. 48 / 06 SHKURT 2009 Ligji Nr. 03/L-110

 

PËR NDËRPRERJEN E SHTATZËNËSISË

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

Miraton

 

LIGJ PËR NDËRPRERJEN E SHTATZËNËSISË

 

KREU I

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi i ligjit

Ky ligj vendos bazën ligjore për rregullimin e ndërprerjes së shtatzënësisë. Qëllimi i vendimit për lejimin e ligjit për ndërprerjen e shtatzënisë bëhet për shkaqe informative, shëndetësore dhe të largimit të rrezikshmërisë së jetës.

Si qëllim tjetër është marrja e të gjitha masave mbrojtjes për të larguar femrën nga rreziku i rritjes se morbiditetit dhe mortalitetit te saj si pasojë e bërjes se aborteve ilegale. Sigurimi i jetës se femrës në rrugë institucionale duke larguar nga format me të vrazhda dhe jo mjekësore jashtë institucionale që kanë sjellë edhe vdekjen.

 

Neni 2

Përkufizimet

Për qëllimet e këtij Ligji vlejnë përkufizimet e termeve nga Ligji për Shëndetësi Nr. 2004/4, Kapitulli I, neni 1 dhe përkufizimet e veçanta si vijon:

,,Gamete” është qeliza seksuale që përcakton seksin (qeliza vezë dhe spermatozoidi).

,,Zigota” është bashkim i qelizës mashkullore dhe qelizës vezë.

“Fekondimi” është faza më e hershme pas depërtimit të spermatozoidit në qelizën vezë.

,,Embrioni” është organizëm i gjallë nga çasti i fekondimit deri në muajin e tretë të shtatzënisë.

“Abort”  është ndërprerje e shtatzënisë me dhunë.

“Fetusi” është fryti prej javës së dhjetë (10) të shtatzënësisë gjerë në lindje.

“Ndërprerja elektive e shtatzënësisë” është ndërprerja e shtatzënësisë me qëllim dhe me dëshirën e femrës, pa arsye mjekësore.

“Ndërprerja e induktuar e shtatzënësisë” është ndërprerja e shtatzënësisë më qëllim gjerë në fund të javës së njëzetedytë (22) të shtatzënësisë apo peshën e frytit deri në pesëqind (500) g.

Lindja e induktuar” është dalja apo nxjerrja e frytit pas javës së njëzetedytë (22) të shtatzënësisë nën ndikimin e barërave apo me ndërhyrje kirurgjike.

“Lindje me fryt të vdekur” është dalja apo nxjerrja e frytit të vdekur pas javës së njëzetedytë (22) të shtatzënësisë apo me peshën e frytit mbi pesëqind (500) g.

“Planifikimi i familjes” është e drejta e individëve dhe çifteve që të informuar të parashohin dhe vendosin lirshëm mbi numrin, shpeshtësinë dhe kohën në të cilën ata duan të kenë fëmijë.

“Kontracepcioni” janë metodat dhe mjetet që përdoren për pengimin e mbarësimit të qelizës vezë dhe zhvillimin e shtatzënësisë.

 

KREU II

E DREJTA NË JETË DHE TË DREJTAT E FEMRËS

 

Neni 3

Ky Ligj garanton respektimin e jetës që nga zhvillimi i fetusit. Ky parim mund të shkelet vetëm në rastet e parapara me këtë ligj.

 

Neni 4

1. Çdo femër ka të drejtë të vendosë lirshëm mbi ndërprerjen e shtatzënisë sipas kritereve të përcaktuara me këtë ligj.

2. Çdo femër ka të drejtën e këshillimit dhe informimit lidhur me ndërprerjen e shtatzënësisë.

3. Femra e cila është e aftë sipas ligjit nuk i nënshtrohet ndërprerjes së shtatzënësisë pa pëlqimin e saj.

4. Në rastet kur femra nuk ka aftësi veprimi ose kur kjo aftësi është e kufizuar, vendimi merret konform neneve 6, 10, 11.2, 12.1, 12.2 dhe 13 të Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor nëse ky ligj nuk parasheh ndryshe.

 

Neni 5

1. Çdo femër e moshës mbi tetëmbëdhjetë (18) vjeç ka të drejtë që të kërkoj ndërprerjen elektive të shtatzënësisë.

2. Femrat që kanë arritur moshën e rritur prej gjashtëmbëdhjetë (16) vjetësh dhe kanë marrë pëlqimin e prindit ose të kujdestarit ligjor kanë të drejtë të kërkojnë ndërprerjen e shtatzënisë.

3. Femrat shtatzëne nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni janë të obliguara që së paku tri (3) ditë para ndërprerjes elektive të këshillohen nga specialisti përkatës.

 

Neni 6

Ndërprerja elektive e shtatzënësisë mund të bëhet deri në fund të javës së dhjetë (10) të shtatzënësisë duke llogaritur nga dita e parë e ciklit të fundit menstrual.

 

Neni 7

Çdo ndërprerje e shtatzënisë pas javës së dhjetë (10) është në kundërshtim me Ligjin e Shëndetësisë dhe duhet të bëhet me komision shëndetësor profesional.

 

KREU III

SHËRBIMET SHËNDETËSORE

 

Neni 8

1. Mjeku familjar ose specialisti gjinekolog - obstetër, që në vizitën e parë obligohet që të informojë, këshilloj dhe udhëzoj shtatzënën e cila kërkon ndërprerjen elektive të shtatzënësisë për:

1.1. rreziqet mjekësore dhe emocionale që sjell ndërprerja e shtatzënësisë për shëndetin e femrës.

1.2. të drejtat, ndihmën dhe përparësitë e garantuara me ligj për femrën, fëmijën dhe familjen.

1.3. institucionet dhe organizmat që mund t'i ofrojnë nënës, fëmijës dhe familjes mbështetje morale dhe sociale.

1.4. institucionet shëndetësore që kryejnë ndërprerjen e shtatzënësisë në kushte të sigurta mjekësore.

 

Neni 9

Ndërprerja e shtatzënësisë bëhet vetëm në institucionet shëndetësore nga mjekët specialist obstetër-gjinekolog të licencuar.

 

Neni 10

Në rast se femra edhe pas këshillimit dhe vizitës mjekësore, përsëritë vullnetin e saj për ndërprerjen elektive të shtatzënësisë kërkohet konfirmimi i kërkesës së saj konform nenit 10.5 të Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor.

 

Neni 11

1. Pas kërkesës me shkrim, mjeku gjinekolog-obstetër cakton terminin për ndërhyrjen mjekësore.

2. Termini për ndërprerjen e shtatzënësisë caktohet së paku dy ditë pas vizitës së parë.

 

Neni 12

1. Ndërhyrja mjekësore për ndërprerjen e shtatzënësisë bëhet vetëm në kushte të sigurta mjekësore, që përcaktohen me akt nënligjor.

2. Çdo institucion shëndetësor i cili ofron shërbimet e ndërprerjes së shtatzënësisë duhet të sigurojnë shërbim shëndetësor për trajtimin e ndërlikimeve të mundshme të ndërprerjes së shtatzënësisë, që përcaktohen me akt nënligjor.

 

Neni 13

1. Asnjë mjek nuk mund të detyrohet të kryejë ndërprerjen elektive të shtatzënësisë kundër vullnetit të tij/saj.

2. Në rast se mjeku nuk pranon të kryej ndërprerjen elektive të shtatzënësisë, institucionet shëndetësore publike dhe ato të përziera janë të obliguara të sigurojnë një zgjidhje te përshtatshme për femrën brenda të njëjtit institucion.

 

KREU IV

RRETHANAT E VEÇANTA TË NDËRPRERJES SË SHTATZËNËSISË

 

Neni 14

Ndërprerja e shtatzënisë me motiv të përzgjedhjes se gjinisë së frytit është e ndaluar.

 

Neni 15

1. Ndërprerja e shtatzënësisë për arsye mjekësore në rastet ku konstatohet se vazhdimi i shtatzënësisë, ose lindja e fëmijës rrezikon jetën ose shëndetin e femrës mund të bëhet në çdo periudhë të shtatzënësisë, me vendimin e Komisionit mjekësor dhe pëlqimin e femrës shtatzëne përderisa ajo është e vetëdijshme.

2. Ndërprerja e shtatzënësisë për arsye mjekësore kur vërtetohet se fetusi ka keq formime të papajtueshme me jetën, sëmundje ose gjendje të rënda që lënë invaliditet të rëndë dhe kanë trajtim të pasigurt, mund të bëhet në çdo kohë pas rekomandimit dhe vendimit të Komisionit mjekësor për ndërprerjen e shtatzënësisë dhe pëlqimin e pacientes përderisa ajo është e vetëdijshme.

3. Indikacionet mjekësore për ndërprerjen e shtatzënisë për arsyet nga paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni përcaktohen me akt nënligjor.

 

Neni 16

1. Ndërprerja e shtatzënësisë për arsye kriminologjike mund të behet gjerë në javën e njëzetedytë (22) të shtatzënësisë dhe lindja e indukuar edhe më vonë me rekomandim mjekësor dhe pas konfirmimit nga institucionet kompetente të cilat janë të autorizuara të përcaktojnë nëse shtatzёnёsia është pasojë prej njërës nga veprat penale në vijim:

1.1. dhunimit;

1.2. marrëdhënieve të padëshiruara të femrave të cilat janë viktima të trafikimit dhe shfrytëzimit seksual të detyruar;

1.3. marrëdhënies seksuale me të mitur ose incestit.

 

Neni 17

1. Përbërja e Komisionit mjekësor për ndërprerjen e shtatzënësisë është e rregulluar me nenin 107 pika 3 të Ligjit për Shëndetësi.

2. Komisioni mjekësor për ndërprerjen e shtatzënësisë ka të drejtë që të kërkojë ndihmë dhe këshillë profesionale nga ekspertë të lëmive të ndryshme, në bazë të vlerësimit të anëtarëve të tij.

 

KREU V

FAZA PAS NDËRPRERJES SË SHTATZËNËSISË

 

Neni 18

Pas ndërprerjes së shtatzënësisë, në të gjitha rastet, mjeku apo ekipi mjekësor që ofron këtë shërbim shëndetësor është i detyruar që të informojë femrën për shërbimet e planifikimit familjar dhe ta këshillojë atë për metodat dhe mjetet kontraceptive që ofron ai ose institucionet tjera shëndetësore.

 

Neni 19

Institucionet shëndetësore të të gjitha niveleve ofrojnë shërbime të planifikimit familjar për burra dhe femra si mënyrë për ushtrimin e plotë të drejtave të tyre të vendimit për madhësinë e familjeve të tyre dhe intervale të lindjeve, si dhe shmangien e shtatz n sive të padëshiruara.

 

KREU VI

DISPOZITAT E VEÇANTA

 

Neni 20

Ndalohet çdo lloj promovimi dhe reklamimi, direkt ose indirekt, me fjalë ose figurë, i institucioneve, metodave, medikamenteve e produkteve që shkaktojnë ndërprerje të shtatzënësisë, përveç se në botimet shkencore të destinuara për mjekë dhe farmacistë.

 

Neni 21

Çdo institucion shëndetësor është i obliguar të raportoj të dhënat statistikore lidhur me ndërprerjen e shtatz n sisë.

 

Neni 22

Bashkëpagesa për ndërprerjen elektive të shtatzënësisë në institucionet shëndetësore rregullohet me akt nënligjor.

 

KREU VII

DISPOZITAT DISIPLINORE DHE NDËSHKIMORE

 

Neni 23

Në rastet e mos zbatimit dhe shkeljeve te dispozitave të këtij ligji do të merren masa konform neneve 118, 119 dhe 120 të Ligjit për Shëndetësi dhe nenit 152 të Kodit Penal të Kosovës.

 

KREU VIII

DISPOZITAT KALIMTARE

 

Neni 24

Më qëllim të zbatimit të këtij ligji, Ministria e Shëndetësisë do të nxjerr akte nënligjore të përcaktuara me k të Ligj në afat prej një (1) viti.

 

Neni 25

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Ligji Nr. 03/ L-110 6 nëntor 2008

Shpallur më Vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

nr. 03-V-081, datë 22 janar 2009.