Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

GAZETA ZYRTARE E INSTITUCIONEVE TË PËRKOHSHME TË VETËQEVERISJES NË KOSOVË / PRISHTINË :VITI I / NR. 1 / 01 QERSHOR 2006

 

Ligji Nr. 02/L-52

 

MBI EDUKIMIN PARASHKOLLOR

 

Kuvendi i Kosovës,

Në bazë të Kreut 5.1 (d) dhe 9.1.26 (a) të Kornizёs Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9 e datës 15. maj 2001),

Me qëllim të vënies së bazës ligjore për rregullimin, përparimin dhe pёrmirёsimin e edukimit parashkollor;

Miraton:

 

LIGJIN MBI EDUKIMIN PARASHKOLLOR

 

I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Përkufizimet:

Neni 1

Edukimi parashkollor i referohet edukimit të hershëm nga edukatorët e njohur për fëmijët e moshës parashkollore.

Edukimi i fëmijëve me nevoja të veçanta i referohet edukimit tё posaçëm të tyre qё kanë ngecje ose dëmtime shqisore, dëmtime fizike, vёshtirёsi në të nxёnё, çrregullime sociale, emocionale dhe nё komunikim.

Gjithëpërfshirja (shih Konventa e të Drejtave të Fëmijës, neni 2) - Shtetet palë angazhohen të respektojnë të drejtat e përmendura në këtë Konventë dhe t’ia garantojnë ato çdo fëmije, që përfshihet në juridiksionin e tyre, pa asnjë lloj dallimi, pavarësisht nga raca, ngjyra, gjinia, gjuha, feja, opinioni politik ose çdo opinion tjetër, nga origjina kombëtare, etnike ose shoqërore, pasuria, paaftësia, prejardhja familjare apo çdo gjendje tjetër e fëmijës ose prindërve të tij ose përfaqësuesve të tij ligjorë.

Institucione parashkollore mund të definohen objektet apo shtëpitë e konventuara të cilat janë të ndërtuara në mënyrë speciale për të ofruar programe parashkollore dhe të cilat plotësojnë nevojat edukative dhe zhvillojnë nevojat e fëmijëve deri në regjistrimin e tyre në shkollë fillore. Këto institucione ofrojnë shërbime të cilat janë me orar të plotë, gjysmë orari dhe mund të zgjatet orari edhe gjatë shërbimit të mbrëmjes.

Institucione tjera parashkollore, këtu hyjnë të gjitha institucionet tjera parashkollore, pos atyre publike d.m.th institucionet parashkollore private, Qendrat me Bazë në Komunitet etj.

Mbrojtja e fëmijëve (shih Konventa e të Drejtave të Fëmijës, neni 19)

-Shtetet palë marrin të gjitha masat legjislative, administrative, shoqërore dhe edukative për mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e dhunës fizike ose mendore, fyerja ose keqtrajtimi, braktisja apo mospërfillja, nëpërkëmbja apo shfrytëzimi, përfshirë abuzimin seksual, për sa kohë që ai është nën ruajtjen e prindërve të tij, ose të njërit prej tyre, të përfaqësuesit ose të përfaqësuesve të tij ligjorë ose të çdo personi tjetër të cilit i është besuar.

Pjesëmarrja e prindërve i referohet involvimit të prindërve në aranzhimet e bëra nga institucionet parashkollore për të ndihmuar dhe kontribuar prindërit në efektivitetin e vendimeve në edukimin e fëmijëve të tyre, aktivitetet të cilat mbështesin planprogramin e atyre të cilët asistojnë në veprimin e institucioneve parashkollore.

Programet e edukimit parashkollor i referohen shërbimeve për edukim dhe zhvillim të hershëm të ofruara në institucione parashkollore publike, paralele parafillore, institucione tjera parashkollore e familje.

Standardet e edukimit parashkollor i referohen udhëzimeve të vendosura nga MASHT-i të cilat paraqesin kërkesat esenciale për ofrimin e edukimit parashkollor në Kosovë.

 

Neni 2

2.1. Edukimi parashkollor është hallkë përbërëse e sistemit unik të edukimit dhe arsimit në Kosovë.

2.2. Edukimi parashkollor përfshin fëmijët deri me regjistrimin e tyre në shkollën fillore.

2.3. Përfshirja e fëmijëve në edukim parashkollor rregullohet me udhëzim administrativ.

2.4. Vijimi i edukimit parashkollor është vullnetar.

 

Qëllimet e edukimit parashkollor

Neni 3

Qëllimet e ligjit për edukim parashkollor janë rregullimi normativ institucional i edukimit parashkollor në institucionet parashkollore, përmes të cilave do të arrihet :

(a) Të inkurajohet aftësia që të kuptohet dhe të pranohet vetvetja dhe të tjerët;

(b) Të inkurajohet aftësia për bashkëbisedime, të pranohen ndryshimet dhe të marrin pjesë në grupe;

(c) Të inkurajohet aftësia për të identifikuar emocionet dhe të nxiten në shprehjen dhe manifestimin e përjetimeve emocionale;

(d) Të inkurajohet kërshëria, shpirti hulumtues, intuita dhe imagjinata dhe të zhvillohet mendimi i pavarur;

(e) Të inkurajohet zhvillimi gjuhësor dhe i komunikimeve tjera për përdorimin efikas dhe kreativ të gjuhës, që më vonë të ndihmojë në lexim dhe shkrim;

(f) Të inkurajohet aftësia dhe shprehja artistike;
(g) Të transferohet dituria në fusha të ndryshme të shkencës dhe jetës së përditshme;.

(h) Të inkurajohet zhvillimi trupor dhe psikik;

(i) Të inkurajohet pavarësia e fëmijëve në higjienën personale dhe në kujdesin e shëndetit të tyre;

(j) Të inkurajohet raporti pozitiv ndaj mjedisit jetësor dhe vetëdijesimi për mjedisin ekologjik.

 

Parimet e edukimit në institucionet parashkollore

Neni 4

Edukimi në institucionet parashkollore do të bazohet në këto parime:

(a) Barazia;

(b) Gjithë përfshirja;

(c) Demokracia;

(d) Autonomia e personelit;

(e) Profesionalizmi dhe përgjegjësia;

(f) Mundësitë e barabarta për fëmijët dhe prindërit, duke marrë parasysh ndryshimet në mes të fëmijëve;

(g) E drejta për të qenë ndryshe;
(h) Zhvillimi i gjithanshëm i personalitetit tё fёmijёve.

 

Gjuha

Neni 5

5.1. Në institucionet parashkollore, edukimi parashkollor do të bëhet në gjuhën shqipe.

5.2. Në vendbanimet me popullsi të përzier institucionet parashkollore do të ofrojnë edukim edhe në gjuhën e minoriteteve konform dispozitave kushtetuese dhe ligjeve të veçanta.

 

Fëmijët me nevoja të veçanta

Neni 6

6.1. Edukimi parashkollor është e drejtë e të gjithë fëmijëve përfshirë këtu edhe ata me nevoja të veçanta, i cili do të realizohet në përputhje me këtë ligj dhe me akte nënligjore.

6.2. Në pajtim me këtë ligj, fëmijët me nevoja të veçanta përfshijnë edhe fëmijë me dëmtime mentale, të verbër dhe fëmijë me dëmtime të shikimit, të shurdhër dhe ata me dëmtime të dëgjimit, fëmijët me dëmtime në të folur, fëmijët me dëmtime motorike dhe me çrregullime të sjelljes dhe emocioneve, fёmijёt me dëmtime tё kombinuara dhe fëmijët tjerë në rrezik për të qenë në pozitë të pafavorshme arsimore, të cilëve u duhen instruksione të ndara me ndihmë profesionale shtesë ose programe speciale.

 

Krijimi i kushteve për vendosje të fëmijëve në institucionet parashkollore

Neni 7

7.1. Kur në rrethin e vendbanimit të fëmijëve, nuk ka institucione parashkollore, komuniteti ka të drejtë të vetorganizohet në përputhje me këtë ligj, për të ofruar shërbime të edukimit parashkollor. Në mbështetje të këtyre organizimeve të komunitetit, institucionet përgjegjëse të edukimit parashkollor të komunës përkatëse, duhet të synojnë të gjejnë mundësi për të përkrahur këto iniciativa. Përkrahja duhet të jetë në përputhje me këtë ligj dhe aktet tjera nënligjore.

7.2. Kur në rrethin e vendbanimit të fëmijëve, në institucionet parashkollore nuk ka vende të lira edhe pse numri i aplikantëve i përmbush kushtet për formimin e grupeve të tjera, komuniteti ka të drejtë të kërkojë nga institucionet përgjegjëse të edukimit parashkollor komunal, të zgjerojë kapacitetin e institucioneve parashkollore përkatëse. Këto të fundit brenda një afati optimal duhet të synojnë t’i përmbushin kërkesat e komunitetit, ose të ndihmojnë në gjetjen e alternativave të tjera.

7.3. Kushtet dhe mundësitë e përkrahjes së përmendur në të dy paragrafët e mësipërme do të përcaktohen qartë me aktet nënligjore.

 

II. ORGANIZIMI DHE PËRMBAJTJA E EDUKIMIT PARASHKOLLOR NË INSTITUCIONET PARASHKOLLORE PUBLIKE DHE INSTITUCIONET TJERA PARASHKOLLORE

 

Detyrat themelore

Neni 8

Detyrat themelore të institucioneve parashkollore janë:

a) Ndihma prindërve në përkujdesin dhe edukimin e fëmijëve;

b) Përparimi i cilësisë së jetesës së fëmijëve dhe familjes;

c) Krijimi i kushteve për zhvillimin e potencialeve individuale të fëmijëve dhe manifestimin e tyre; dhe

d) Krijimi i kushteve pёr t’i aftësuar fёmijёt nё përmbushjen e detyrave dhe obligimeve qё i shtron shkolla.

 

Neni 9

Programet edukativo-arsimore për fëmijët parashkollor duhet të bazohen në plan programin e përgjithshëm të edukimit parashkollor të miratuar nga Këshilli i Ekspertëve të Programeve dhe Teksteve Shkollore të MASHT-it.

 

Plani dhe Programi

Neni 10

10.1. Institucioni parashkollor e ushtron veprimtarinë e vet në bazë të planit dhe programit të punës, i cili bëhet për një vit shkollor dhe zgjat, nga 1 shtatori i vitit vijues deri më 31 gusht të vitit të ardhshëm.

10.2. Planin dhe programin vjetor të punës për një vit shkollor e bie këshilli drejtues i institucionit parashkollor më së largu deri më 31 gusht.

10.3. MASHT nxjerr udhëzim administrativ lidhur me këshillin drejtues, përbërjen dhe kompetencat e tij.

10.4. Plani vjetor i punës përfshin programet edukative, programet e mbrojtjes shëndetësore të fëmijëve, të higjienës dhe ushqimit, të kujdesit shoqëror si dhe programet tjera të cilat institucioni parashkollor i realizon në marrëveshje me prindërit e fëmijëve.

10.5. Organizimi dhe komponentet e detajizuara të jetës në institucionet parashkollore do të përcaktohen nga plani vjetor i punës, i miratuar nga këshilli drejtues i institucionit parashkollor në bashkëpunim me këshillin e prindërve.

10.6. Plani vjetor i punës do të përcaktojë organizimin e institucionit dhe orët e punës, programet, edukimin dhe kujdesin për fëmijët (në kujdesin familjar të fëmijëve), vendosjen e fëmijëve në grup mosha, punën e profesionalistëve dhe personelin tjetër në institucion, bashkëpunimin me prindërit për edukimin dhe kujdesin, shëndetin dhe ndihma të tjera, mbikëqyrje të edukatorëve fillestar, relacionet e komunitetit, bashkëpunimin me personelin trajnues të institucionit parashkollor në fushën e edukimit parashkollor, programet e avancimit të personelit, programet e punës të institucionit për trupin profesional dhe personelin tjetër, si dhe dinamikën e veprimtarisë edukative, nevojat materiale dhe të tjera për realizimin e procesit edukativ.

10.7. Zbërthimi i detyrave të dhëna në paragrafin dy dhe detyrave tjera rregullohet me udhëzim administrativ.

 

Prezantimi i plan programeve parashkollore

Neni 11

11.1 Institucionet parashkollore do të shkoqisin plan programet duke i ofruar, objektivat, përmbajtjet dhe metodat e punës. Plan programet publikohen posaçërisht për prindërit.

11.2. Institucionet parashkollore publike dhe të tjera do të publikojnë opinionin e Këshillit të Ekspertëve të Programeve dhe Teksteve Shkollore të MASHT-it.

11.3. Çështjet e obligueshme për (shpallje) publikim do të përcaktohen nga MASHT-i me udhëzim administrativ.

 

Programet për fëmijët parashkollor dhe miratimi

Neni 12

12.1. Programet edukativo-arsimore për fëmijët parashkollor të përpiluara nga institucionet parashkollore publike dhe të tjera dhe ekspertëve të tjerë duhet të jenë në harmoni me standardet e përgjithshme të edukimit parashkollor.

12.2. Programet edukativo-arsimore për fëmijët parashkollor të përpiluara në institucionet parashkollore publike e tjera do të miratohen nga Këshilli i Ekspertëve të Programeve dhe Teksteve Shkollore i MASHT-it.

12.3. Programet edukativo-arsimore për fëmijët parashkollor do të përfshijnë:

(a) Emërtimin e programit;

(b) Premisat filozofike;

(c) Fushat dhe objektivat e veprimtarive edukative;

(d) Përmbajtjen;

(e) Metodologjinë;

(f) Kohëzgjatjen;

(g) Mënyrat dhe format e bashkëpunimit me prindër.

12.4. Ofruesit e programeve edukative për fëmijët parashkollorë në institucione publike duhet të zgjidhen nga Kuvendi Komunal ose nga dy e më shumë komuna nëse në mes tyre ka një marrëveshje.

12.5. Programet për fëmijët parashkollor në institucionet tjera parashkollore, do të hartohen nga themeluesit ose personeli i përshtatshëm i institucioneve parashkollore në pajtim me këtë ligj dhe statutin e themeluesit.

 

E drejta për të zgjedhur një program

Neni 13

13.1. Prindërit kanë të drejtën e zgjedhjes së programeve parashkollore për fëmijët e tyre në institucionet publike apo private.

13.2. Mënyra e zgjedhjes së programeve rregullohet me udhëzim administrativ.

 

Kohëzgjatja e programeve në institucionet parashkollore

Neni 14

14.1. Institucionet parashkollore ofrojnë programe me kohëzgjatje si në vijim:

a) Programet me orar të plotë që zgjasin gjashtë deri në dhjetë orë në ditë;

b) Programet me gjysmë orari që zgjasin tri deri në gjashtë orë në ditë, të cilat mund të ofrohen në mëngjes, pasdite ose me ndërrime;

c) Programe afatshkurta që zgjasin 240 deri në 600 orë në vit për fëmijët parashkollor.

14.2. Programet afatshkurtra dhe afatgjata u ofrohen fëmijëve deri në përfshirjen e tyre në shkollë fillore.

14.3. Kohëzgjatja e programeve tjera parashkollore do të rregullohet me udhëzim administrativ.

 

Regjistrat e edukimit parashkollor

Neni 15

15.1. Institucionet parashkollore duhet të mbajnë regjistra të edukimit parashkollor të përcaktuara nga MASHT-i.

15.2. Më kërkesën e MASHT-it dhe organeve tjera kompetente regjistrat e mbajtur për edukimin parashkollor duhet të dorëzohen në afatin e paraparë.

 

III. EDUKIMI PARASHKOLLOR FORMAL NË FAMILJE

 

Neni 16

16.1. Edukimi parashkollor formal organizohet edhe në familje.

16.2. Edukimi parashkollor formal në familje organizohet për fëmijët të cilët nuk mund të shkojnë në institucione parashkollore për shkak të sëmundjes.

16.3. Kushtet dhe mënyrat e organizimit të edukimit parashkollor formal rregullohen në përputhje me këtë ligj dhe me anë të udhëzimit administrativ.

16.4. Mënyra e caktimit, financimit dhe mbikëqyrjes së edukatorit që punon në edukimin parashkollor në familje do të rregullohet me udhëzim administrativ.

 

IV. THEMELIMI I ASOCIACIONEVE DHE GRUPEVE KËSHILLUESE

 

Themelimi i asociacioneve dhe grupeve këshilluese

Neni 17

Institucionet përgjegjëse të edukimit parashkollor në Kosovë që sigurojnë dhe mbështesin edukimin parashkollor mund të themelojnë asociacione dhe grupe këshilluese në mënyrë që së bashku t’i zgjidhin problemet e tyre, të bashkëpunojnë me trupa profesional dhe administrativ, si dhe të kryejnë detyra të tjera të përbashkëta.

 

V. FINANCIMI

 

Burimet e financimit

Neni 18

Programet e edukimit parashkollor mund të financohen nga :

(a) Buxheti i Kosovës;

(b) Themeluesit;

(c) Pagesat nga prindërit;

(d) Donacionet dhe burimet tjera.

 

Themeluesit dhe mjetet financiare

Neni 19

19.1. Themeluesi i institucionit parashkollor, është i obliguar që të sigurojë mjete për themelimin dhe punën e institucionit parashkollor.

19.2. Themelues i institucioneve parashkollore publike është komuna, ndërsa themelues i institucioneve tjera parashkollore janë personat juridik privat.

19.3. Institucioni parashkollor i siguron mjetet edhe përmes shitjes së shërbimeve në treg dhe nga burime tjera në pajtim me ligjin.

19.4. Nëse dy apo më tepër themelues e themelojnë së bashku një institucion parashkollor, mjetet nga paragrafi 1 i këtij neni, i sigurojnë themeluesit sipas aktit të themelimit.

19.5. Mjetet nga paragrafët paraprake të këtij neni, të realizuara në institucionin parashkollor publik duhet të depozitohen në llogarinë adekuate zyrtare bankare në Fondin e Konsoliduar të Kosovës, ndërsa shpenzimi i tyre do të bëhet në bazë të planit dhe programit vjetor të institucionit parashkollor publik, të cilin e miraton DKA.

19.6. Mjetet e dedikuara për financimin e edukimit parashkollor publik dhe mënyra e shpenzimit të tyre do të rregullohet me udhëzim administrativ.

 

Kontrolli financiar

Neni 20

Përdorimi i mjeteve financiare në institucionet parashkollore do të kontrollohet dhe inspektohet nga mekanizmat e kontrollit dhe inspektimit nga MASHT-it dhe institucionet tjera përkatëse.

 

Institucionet parashkollore publike Financimi nga komuna

Neni 21

21.1. Dallimi në mes të çmimit të programeve edukative dhe pagesës së bërë nga prindërit do të sigurohet nga buxheti i komunës për financimin e të ardhurave personale, të mirave, taksat e të punësuarve në institucion e po ashtu edhe shpenzimet për material në pajtim me standardet.

21.2. Financimi nga paragrafi paraprak do të sigurohet nga komuna në të cilën prindërit kanë banim të përhershëm. Komuna gjithashtu do të sigurojë financimin për fëmijët, prindërit e të cilëve janë banorë të përkohshëm të këtij komuniteti lokal nëse të paktën njëri prej tyre është pagues i taksave në Kosovë.

21.3. Buxheti i komunës gjithashtu do të sigurojë fonde për mirëmbajtjen dhe investimin në prona dhe pajisjen e institucioneve parashkollore publike dhe mundësisht institucionet parashkollore që veprojnë në bazat e një koncesioni.

 

Pagesat e bëra nga prindërit

Neni 22

Bazë e pagesës së bërë nga prindi do të jetë ushqimi i fëmijëve dhe materiali didaktik.

 

Përcaktimi i çmimeve të programeve

Neni 23

Kushtet për përcaktimin e çmimeve të programeve edukative rregullohen me udhëzim administrativ.

 

Përcaktimi i tarifave të paguara nga prindërit

Neni 24

24.1. Tarifat që duhet të paguhen nga prindërit do të përcaktohen nga komuna në bazë të një shkalle që i grupon prindërit në të ardhurat për pjesëtarë të familjes në krahasim me pagën mesatare në Kosovë dhe pasurisë familjare.

24.2. Prindërit që marrin ndihmë sociale do të jenë të liruar nga këto tarifa.

24.3. Në raste përjashtimesh, komuna mundet në bazë të opinionit të autoriteteve kompetente mbi taksat dhe ndihmën sociale, qe gjatë përcaktimit të tarifës për pagesë të pranojnë fakte të tjera që tregojnë gjendjen e vërtetë sociale të familjes si dhe shtesën e të ardhurave dhe pasurisë të specifikuara në paragrafin e parë të këtij neni.

24.4. Nëse më shumë se një fëmijë vijon institucionin parashkollor, tarifat për fëmijën tjetër do të zbriten për një klasë.

24.5. Zbritja e tarifave për fëmijë do të rregullohen me udhëzim administrativ.

24.6. Duke mos marrë parasysh kushtëzimet e këtij paragrafi, prindërit që nuk i përmbahen detyrimit të taksës mbi të ardhurat në Kosovë, do të duhet të paguajnë çmimin e plotë të programit të ndjekur nga fëmija i tyre.

 

Zhvillimi i edukimit parashkollor Mjetet nga Buxheti i Kosovës

Neni 25

25.1. Nga Buxheti i Kosovës mund të financohen si më poshtë:

a) Për zhvillimin e mëtejmë të përhershëm shkencor të edukimit parashkollor, MASHT-i bart përgjegjësinë për institucionet përkatëse;

b) Personelit profesional dhe ndihmës të institucioneve parashkollore u mundësohet qasja në të arriturat më të reja shkencore;

c) Mbledhje profesionale;

d) Punësimi dhe trajnimi profesional gjatë punës provuese;

e) Revista për fëmijë, revista profesionale dhe subvencionime për publikime profesionale;

f) Pajisjen dhe funksionimin e mediatekës në institucione parashkollore publike;

g) Bashkëpunim ndërkombëtar.

25.2. Kategoritë e fëmijëve që janë përfitues të veçantë nga Buxheti i Kosovës janë:

a) Grupet parashkollore të hospitalizuara në spitalet që veprojnë në nivele të Kosovës;

b) Grupet parashkollore të fëmijëve me nevoja të veçanta , dhe

c) Fëmijët e invalidëve të luftës.

 

Institucionet tjera parashkollore Licencimi i institucioneve tjera parashkollore

Neni 26

Licencimin e institucioneve parashkollore private e bën MASHT-i.

 

Mundësitë dhe kërkesat për mbështetje, financim

Neni 27

27.1 MASHT-i dhe institucionet përgjegjëse komunale të edukimit parashkollor do të synojnë të përkrahin financiarisht iniciativat jopublike që ofrojnë shërbime të edukimit parashkollor. Me synim që të rritet përqindja e fëmijëve që kanë qasje në këtë lloj edukimi dhe cilësia e përgjithshme e edukimit parashkollor në Kosovë, MASHT-i dhe institucionet përgjegjëse komunale të edukimit parashkollor gjatë marrjes në konsiderate, përkrahjes financiare të këtyre iniciativave, duhet të ketë parasysh këto kritere:

a)  Pozita gjeografike e komunitetit ku ofrohet ky shërbim, duke marrë parasysh sidomos zonat rurale dhe ato të lëna pas dore;

b)  Shërbimet për fëmijë me nevoja të veçanta;

c)  Personeli i institucioneve parashkollore duhet të jenë të punësuar në baza të rregullta ligjore;

d)  Qasja të jetë e hapur për të gjithë fëmijët.

27.2. Mënyrat, kushtet dhe mundësitë e financimit të institucioneve tjera parashkollore do të rregullohen me udhëzim administrativ.

 

VI. TË PUNËSUARIT E INSTITUCIONEVE PARASHKOLLORE

 

Kërkesat lidhur me kualifikim

Neni 28

28.1. Veprimtaritë edukative në institucione parashkollore duhet të realizohen nga edukatorë parashkollorë, asistentë parashkollor, këshilltarë, specialistë të fushave të ndryshme edukativo- arsimore.

28.2. Edukatorët parashkollor të grup-moshave parashkollore që ofrojnë programe speciale për fëmijë të moshës parashkollore me nevoja të veçanta, duhet të kenë të njëjtin nivel të arsimimit që nevojitet për edukatorë të tjerë parashkollor dhe duhet të kenë kualifikim adekuat.

28.3. Grupet parashkollore që përfshijnë edhe fëmijë me nevoja të veçanta, në mungesë të kuadrit të paraparë në nenin 28.2 mund t’u jepet edukim nga një edukator parashkollor me një diplomë në arsimim parashkollor të përgjithshëm dhe arsimim ose aftësim shtesë për fëmijë me nevoja të veçanta.

28.4. Edukatorët duhet të kenë:

a) Diplomën e Fakultetit të Edukimit programi parashkollor;

b) Shkollës së Lartë Pedagogjike-drejtimi për edukatorë;

c) Fakulteti Filozofik-dega e Pedagogjisë, dhe

d) Diploma të fakulteteve arsimore, të plotësuara me trajnime adekuate për edukatorë parashkollorë e të certifikuara nga MASHT-i.

28.5. Personeli që udhëheq institucionin parashkollor duhet të ketë:

(a) Diplomë fakulteti me programe të edukimit dhe zhvillimit të fëmijëve parashkollor;

(b) Përvojë dhe aftësi menaxhuese;

(c) Në mungesë të tyre mund të zgjidhen edhe kandidatët e profileve arsimore me përgatitje pedagogjike

28.6. Zgjedhjen e udhëheqësve të institucioneve parashkollore publike e bën MASHT, kurse të institucioneve tjera parashkollore themeluesi.

28.7. Përbërja e komisionit dhe mënyra e zgjedhjes së udhëheqësve të institucioneve parashkollore, përcaktohet me udhëzim administrativ.

28.8. Asistenti parashkollor duhet të ketë:

a) Një diplomë të shkollës së mesme të marrë nga mbarimi i një programi për arsimin parashkollor, ose

b) Një diplomë të shkollës së mesme të plotësuar me trajnime adekuate profesionale, e të certifikuar nga MASHT-i.

28.9. Këshilltarët duhet të kenë diplomë universitare në fushën përkatëse si dhe kualifikime pedagogjike.

28.10. Specialistët duhet të kenë diplomë universitare, në mungesë të tyre mund të punojnë edhe me Shkollë të Lartë.

28.11. Punësimi në institucionet parashkollore bëhet në bazë të Ligjit mbi Shërbimin Civil.

 

Orët e punës së edukatorëve

Neni 29

29.1. Fondi i orëve të punës për edukatorë parashkollor duhet të përfshijë përgatitjet, planifikimin, realizimin e aktiviteteve edukative, bashkëpunim me prindërit, pjesëmarrje në organizimin e jetës dhe punës në institucionet parashkollore.

29.2. Fondi i orëve të punës së edukatores për javë do të caktohet me udhëzim administrativ.

 

VII. MBLEDHJA DHE MBROJTJA E TË DHËNAVE PERSONALE

 

Neni 30

Institucionet parashkollore do të mbledhin, procesojnë, ruajnë, mbajnë dhe të përdorin të dhënat personale të mbajtura në regjistra në përputhje me rregullat për mbrojtjen e informacioneve personale të identifikimit në qoftë se ndryshe nuk përcaktohet me ligj.

 

Lloji i të dhënave në institucione parashkollore

Neni 31

Në mënyrë që të sigurojnë edukimin parashkollor, të monitorojnë aktivitetet dhe t’i përdorin për statistika, institucionet parashkollore duhet të ruajnë shënimet e më poshtme:

a) Të dhënat e fëmijëve që kanë aplikuar dhe atyre që janë pranuar;

b) Të dhënat e shumave të paguara nga prindërit;

c) Të dhënat e fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje dhe këshillim të veçantë;

d) Të dhënat eventuale të ndonjë kujdestari shtëpiak të fëmijës/fëmijëve.

 

Të dhënat e fëmijëve aplikues dhe të pranuar

Neni 32

Të dhënat e fëmijëve aplikues dhe të pranuar do të rregullohen me udhëzim administrativ.

 

Të dhënat e shumave të paguara nga prindërit dhe gjendja sociale e familjeve

Neni 33

33.1. Institucionet parashkollore duhet të ruajnë të dhëna mbi shumat e paguara nga prindërit.

33.2. Të dhënat mbi shumat e paguara nga prindërit duhet të përmbajnë:

a) Shumat individuale të faturave që duhet të paguhen nga prindërit;

b) Pagesat e faturave mujore nga prindërit.

33.3. Të dhënat nga paragrafi 2, i këtij neni duhet të ruhen për të monitoruar pagesat mujore.

33.4. Institucionet parashkollore publike duhet të sigurojnë të dhënat nga paragrafi 2, i këtij neni nga komuna që është kompetente për përcaktimin e shumave të faturave për t’u paguar nga prindërit, ndërsa për institucionet tjera parashkollore përcaktohen nga themeluesi.

33.5. Të dhënat e gjendjes sociale të familjeve të fëmijëve që ndjekin një institucion parashkollor duhet të përfshijnë informacion mbi:

a) Të ardhurat, buxhetin dhe pronën e pjesëtarëve të familjes;

b) Numrin e pjesëtarëve të familjes;

c) Fakte dhe rrethana të tjera që mund të ndikojnë në shumën e faturave;

d) Faturat e paguara nga prindërit.

33.6. Komunat duhet të mbledhin të dhënat nga pika (a) dhe (b) e paragrafit paraprak të këtij neni, vetëm për prindërit që kërkojnë një zbritje në fatura (çmime).

33.7. Themeluesit mund t’ia delegojnë të drejtën për të mbledhur dhe ruajtur të dhënat e gjendjes sociale të familjeve, institucioneve parashkollore.

Të dhënat e fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje

 

Dhe këshillim të veçantë

Neni 34

34.1. Të dhënat e fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje dhe këshillim të veçantë duhet të përfshijnë:

a) Anamnezën familjare dhe sociale;

b) Anamnezën e zhvillimit;

c) Procedurën diagnostike;

d) Procedurën për mbështetje profesionale;

e) Opinione profesionale të institucioneve të tjera: qendra të mirëqenies, institucione shëndetësore, qendra mbështetëse për këshillim dhe arsimim.

34.2. Të dhënat personale të fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje dhe këshillim të veçantë do të mblidhen në bazë të gjykimit të shërbimit këshillues.

34.3. Të dhënat personale të specifikuara në paragrafin e parë do të mblidhen në marrëveshje me prindërit e fëmijëve ose me kujdestarët ligjorë, përveç rasteve kur fëmijët janë të rrezikuar nga familjet dhe ju nevojitet mbrojtje.

34.4. Këshilltarët do të jenë të detyruar të trajtojnë informacionin e specifikuar nga paragrafi i parë i këtij neni me besueshmëri profesionale. Specialistë të tjerë që marrin të dhëna të tilla si shkas i natyrës të punës së tyre gjithashtu duhet t’i trajtojnë të dhënat me besueshmëri profesionale.

 

Mënyra e mbledhjes së të dhënave

Neni 35

Mënyra e mbledhjes së të dhënave do të rregullohet me udhëzim administrativ.

 

Ruajtja e të dhënave

Afati i ruajtjes së të dhënave

Neni 36

Shënimet për të dhënat e aplikantëve do të fshihen brenda një viti pasi që një fëmijë nuk është pranuar, ndërsa të dhënat e vijuesve të edukimit parashkollor mund të fshihen duke u bazuar në ligjin për ruajtjen e dokumenteve zyrtare.

 

Mbrojtja e të dhënave

Neni 37

37.1. Institucionet parashkollore janë të obliguara që të dhënat e tyre sipas kërkesës t’ia dërgojnë MASHT-it.

37.2. Institucionet parashkollore dhe komuna duhet t’i bëjnë të ditura të dhënat nga dosjet e tyre organeve të tjera administrative ose organizatave të tjera në bazë të Ligjit për qasje në dokumente zyrtare.

37.3. Kur të procesohen, të dhënat personalisht të identifikueshme mund të përdoren dhe publikohen vetëm në atë formë që mos të bëjnë të ditur identitetin e një individi.

37.4. Të dhënat personalisht të identifikueshme lidhur me zhvillimin personal të fëmijës nga dosjet personale të fëmijëve në institucionet parashkollore mund të dërgohen jashtë institucionit parashkollor për dhe me kërkesën e institucionit tjetër vetëm me lejen e prindit të fëmijës, nëse nuk është paraparë ndryshe me ligj të veçantë.

 

VIII. MBIKËQYRJA

 

Neni 38

38.1. Mbikëqyrjen mbi zbatueshmërinë e këtij ligji dhe dispozitave që dalin nga ky ligj e bën MASHT-i.

38.2. Mbikëqyrjen inspektuese e bën inspekcioni i arsimit, në përputhje me ligjin mbi inspekcionin e arsimit.

38.3. Mbikëqyrja profesionale pedagogjike e punës së edukatorëve dhe bashkëpunëtorëve profesional realizohet në suaza të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nga mbikëqyrës profesional pedagogjik ose persona tjerë profesional, të cilët i autorizon MASHT-i.

38.4. Mënyra e kryerjes së mbikëqyrjes profesionale pedagogjike, të drejtat, detyrat, dhe autorizimet e mbikëqyrësve profesional pedagogjik dhe personave tjerë të autorizuar për mbikëqyrje profesionale pedagogjike rregullohen me udhëzim administrativ.

38.5. Mbikëqyrjen inspektuese shëndetësore mbi zbatimin e këtij ligji, që ka të bëjë me mbrojtjen shëndetësore dhe ushqimin e fëmijëve, e ushtron inspeksioni sanitar komunal.

38.6. Mbikëqyrjen inspektuese sanitare mbi zbatueshmërinë e këtij ligji, që ka të bëjë me ushqimin e fëmijëve, e ushtron Ministria e Shëndetësisë.

38.7. Mbikëqyrjen inspektuese të rrezikut nga zjarri e bën shërbimi i zjarrfikësve .

38.8. Mbikëqyrjen për punën profesionale në zbatimin e këtij ligji, për pjesën që ka të bëjë me kujdesin social dhe abuzimit të fëmijëve e organizon dhe zbaton Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe institucionet tjera përkatëse.

38.9. Institucionet parashkollore janë të obliguara të raportojnë çdo shqetësim apo rast që ka të bëjë me mbrojtjen e fëmijës institucioneve përkatëse, në bazë të nenit 19 të Konventës së të Drejtave të Fëmijës, Miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989.

 

Ndalimi i punës

Neni 39

39.1. Nëse organi kompetent shtetëror vërteton se institucioni parashkollor nuk plotëson kushtet e parapara me ligj do të përcaktojë një afat optimal, që nuk e cenon mirëqenien e fëmijës, brenda të cilit institucioni parashkollor duhet t’i eliminojë parregullsitë.

39.2. Nëse institucioni parashkollor nuk i mënjanon parregullsitë në afatin e përcaktuar, organi kompetent shtetëror do të bie aktin me të cilin do t’i ndalohet puna institucionit parashkollor. Shpenzimet e sistemimit të fëmijëve në institucionet parashkollore do t’i bartë institucioni parashkollor, të cilit i është ndaluar puna.

 

Gjobat

Neni 40

40.1. Themeluesi i institucioneve dhe organizatat edukativo-arsimore do të dënohen me dënime administrative, gjobë prej 500-1.000 €, nëse do të kalojnë numrin e fëmijëve të grup moshave, ndërsa drejtorët parashkollor të përgjegjshëm për veprimtarinë e institucioneve parashkollore do të jenë përgjegjës për një gjobë prej 200-1.000 €, nëse numri i fëmijëve në grup-moshë është më i madh se sa në udhëzim administrativ.

40.2. Në rast të përsëritjes së shkeljeve të parapara në paragrafin 1, dënimet administrative dyfishohen.

40.3. Në rast të ripërtrirjes së shkeljeve do të ngritët procedura për shkarkimin e drejtorit dhe marrjen e licencës së punës institucionit.

 

IX. NDËRPRERJA E PUNËS SË INSTITUCIONIT PARASHKOLLOR

 

Neni 41

41.1. Ndërprerja e punës së institucioneve dhe organizatave të edukimit parashkollor mund të bëhet me vendimin e themeluesit.

41.2. Me vendimin e MASHT-it, nëse veprimtaria edukativo-arsimore bëhet pa licencim nga MASHT-i.

41.3. Institucionit parashkollor i ndërpritet puna sipas kushteve dhe mënyrës së paraparë me këtë ligj.

41.4. Me vendimin për ndërprerjen e punës së institucionit parashkollor përcaktohet edhe afati dhe mënyra e ndërprerjes së punës dhe rregullohet mënyra e sistemimit të fëmijëve, të cilët kanë qenë vijues të institucionit parashkollor në institucion tjetër përkatës, sipas mundësive.

41.5. Rastet e ndërprerjes së punës së institucionit parashkollor do të caktohen me udhëzim administrativ.

 

X. DISPOZITAT E PËRKOHSHME DHE PËRFUNDIMTARE

 

Financimi

Neni 42

42.1. Para adaptimit të programeve të edukimit parashkollor në përputhshmëri me këtë ligj, në vijim këto pika konsiderohen si shërbime publike në fushën e edukimit parashkollor dhe përgatitjes për shkollë:

a) Edukimi parashkollor i fëmijëve para se të hyjnë në shkollë, duke përfshirë përgatitjen e fëmijëve për shkollë fillore;

b) Edukimi dhe kujdesin për parashkollorë me nevoja të veçanta sipas ligjit;

c) Programe për fëmijë parashkollor të qytetarëve jashtë shtetit.

42.2. Aktivitetet e specifikuara në pikën (a) të paragrafit paraprak do të jenë të financuara nga buxhetet e komunave, aktivitet e specifikuara në pikën (b) do të jenë të financuara nga buxhetet e komunës dhe shtetit, ndërsa aktivitetet e specifikuara në pikën (c) të paragrafit paraprak do të financohen nga buxheti i konsoliduar i Kosovës dhe qytetarët tanë jashtë Kosovës.

 

Edukatorët parashkollorë

Neni 43

Edukatorët parashkollor që i kanë përmbushur kërkesat për mësimdhënie para hyrjes në fuqi të këtij ligji mund të vazhdojnë punën edukative edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

Punësimi Neni

44

Punësimi i personelit në institucione parashkollore publike bëhet në bazë të Ligjit për shërbime civile.

 

Miratimi i plan programit

Neni 45

45.1. Këshilli i Ekspertëve i programeve dhe teksteve shkollore i MASHT- bën miratimin e plan programit të edukimit parashkollor.

45.2. Deri në miratimin e plan programit të ri të edukimit parashkollor vazhdohet të punohet me atë ekzistues.

 

Përshtatja e programit

Neni 46

46.1. Institucionet parashkollore publike dhe të tjera duhet të përshtatin programet e tyre në harmoni me standardet e edukimit dhe arsimit parashkollor me këtë ligj brenda 2 vitesh, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

46.2. Përshtatja e planeve dhe programeve me plan programin e ri të edukimit parashkollor, duhet të realizohet deri në vitin 2007.

46.3. Nëse institucionet e përmendura në paragrafin e parë të këtij neni nuk i përmbushin obligimet e specifikuara në paragrafin e parë dhe dytë të këtij neni, do t’i merret licenca e punës.

 

Zbritja graduale e numrit të fëmijëve sipas grup-moshave

Neni 47

Numri i fëmijëve sipas nenit 2.3 të këtij ligji, do të realizohet deri më 1 shtator 2007.

 

Neni 48

MASHT duhet të synojë që deri në vitin 2010 të sigurojë gjithë përfshirjen e fëmijëve pesë deri në gjashtë vjeç në edukimin parafillor.

 

Neni 49

MASHT nxjerr udhëzime administrative në afat prej një viti për plotësimin e këtij ligji.

 

Hyrja në fuqi e ligjit

Neni 50

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, pushojnë së vlejturi aktet ligjore dhe nënligjore të mëparshme, të cilat e kanë rregulluar këtë fushë.

 

Neni 51

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.

 

Më 6 mars 2006

UNMIK/REG/2006/11