Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 35 / 5 SHTATOR 2013, PRISHTINË

 

LIGJI NR. 04/L-219 PËR TË HUAJT

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton

 

LIGJ PËR TË HUAJT

 

KREU I

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi

Ky ligj rregullon kushtet e hyrjes, lëvizjes, qëndrimit dhe punësimit të të huajve në territorin e Republikës së Kosovës.

 

Neni 2

Fushëveprimi

1. Dispozitat e këtij ligji janë të zbatueshme për të huajt, për aq sa statusi i tyre nuk është i rregulluar me dispozita të tjera ligjore apo me marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Kosovës.

2. Dispozitat e këtij ligji nuk janë të zbatueshme për të huajt, aq kohë sa statusi i tyre rregullohet me Ligjin për statusin, imunitetin dhe privilegjet e misioneve diplomatike dhe konsullore, personelit të tyre, pranisë ndërkombëtare ushtarake dhe personelit të tyre në Republikën e Kosovës.

3. Asnjë dispozitë e këtij ligji nuk do të jetë në kundërshtim me të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e autoriteteve dhe të individëve sipas të drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat ndërkombëtare të njeriut, në veçanti, Konventën e vitit 1951 dhe Protokollit të vitit 1967 lidhur me Statusin e Refugjatëve, parimin e mos dëbimit (non-refoulement) dhe të drejtën për të kërkuar azil të përfshira në to.

 

Neni 3

Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. I huaji - çdo person fizik i cili nuk është shtetas i Republikës së Kosovës;

1.2. Personi pa-shtetësi - personi i cili nuk konsiderohet shtetas i asnjë shteti në kuadër të fushëveprimit të ligjit të shtetit përkatës;

1.3. Dokument udhëtimi pasaporta ose ndonjë dokument i ngjashëm i cili i mundëson bartësit të tij të kaloj kufirin dhe në të cilin mund të vendoset viza;

1.4. Dokumenti i udhëtimit për të huaj - dokument udhëtimi për të huaj, dokument udhëtimi për personat pa shtetësi, dokument udhëtimi për refugjatë, persona nën mbrojtje plotësuese dhe fletë udhëtimi për të huaj j lëshuar nga Republika e Kosovës;

1.5. Transportuesi - personi fizik ose juridik profesioni i të cilit është të ofroj transportimin e personave;

1.6. Migrant ditor shtetasi i një shteti fqinj, ku ai banon dhe vjen çdo ditë në punë në Republikën e Kosovës dhe kthehet në vendin e tij të qëndrimit;

1.7. Person juridik entiteti i cili e ka atë status sipas ligjit të aplikueshëm, përveç për organet shtetërore ose publike që ushtrojnë autoritet shtetëror dhe për organizatat ndërkombëtare publike;

1.8. Viza autorizimi i dhënë nga Republika e Kosovës me qëllim të transitit përmes territorit të Republikës së Kosovës ose Aeroportit Ndërkombëtar, ose qëndrimit për një kohë të caktuar por jo më gjatë se tre muaj brenda një periudhe gjashtë mujore prej datës së hyrjes së parë në territorin e Republikës së Kosovës;

1.9. Leje qëndrimi – çdo autorizim i lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës që lejojnë qëndrimin e ligjshëm të të huajit në territor, me përjashtim të:

1.9.1. vizave;

1.9.2. lejeve të lëshuara në pritje të shqyrtimit të kërkesave për leje qëndrim apo azil.

1.10. Qëndrimi i paligjshëm –prezenca e të huajit në territorin e Republikës së Kosovës i cili nuk i plotëson, apo nuk i plotëson më kushtet për hyrje apo qëndrim në Republikën e Kosovës;

1.11. Refugjat - personi i cili për shkak të frikës mirë të bazuar për të qenë i persekutuar për arsye të racës, religjionit, kombësisë, mendimit politik apo përkatësisë së grupit të caktuar shoqëror, është jashtë vendit të shtetësisë dhe nuk ka mundësi apo për shkak të frikës së tillë nuk ka dëshirë të përfitoj mbrojtjen e atij vendi, apo personin pa shtetësi i cili duke qenë jashtë vendit të banimit të mëparshëm të rregullt për arsye të njëjta siç përmendën më lartë, nuk ka mundësi, apo për shkak të frikës së tillë nuk ka dëshirë të kthehet në atë vend.

1.11.1. Koncepti i racës në veçanti do të përfshijë konsideratën ndaj ngjyrës, prejardhjes, apo përkatësisë së ndonjë grupi të veçantë etnik;

1.11.2. Koncepti i religjionit në veçanti do të përfshijë mbajtjen e besimeve teiste, jo-teiste dhe ateiste, pjesëmarrjen në apo abstenimin nga ritualet religjioze në hapësira private apo publike, qoftë i vetëm apo në bashkësi me të tjerët, aktet e tjera religjioze apo shprehjen e pikëpamjeve, ose format personale apo kolektive të sjelljes të bazuara në besimin religjioz apo të urdhëruara nga çfarëdo besimi religjioz;

1.11.3. Koncepti i kombësisë nuk do të kufizohet në shtetësi apo në mungesën e saj, po në veçanti do të përfshijë përkatësinë në një grup të përcaktuar nga identiteti kulturor, etnik apo linguistik, nga origjina gjeografike apo politike apo nga marrëdhënia e grupit të tillë me popullatën e shtetit tjetër;

1.11.4. Grupi do të konsiderohet të krijojë grupin e veçantë shoqëror kur në veçanti:

1.11.4.1. pjesëtarët e atij grupi ndajnë një karakteristikë të lindur apo një prapavijë të përbashkët që nuk mund të ndërrohet, ose ndajnë ndonjë karakteristikë apo besim që është aq esencial për identitetin apo vetëdijen sa që personi nuk duhet të detyrohet të heq dorë nga e njëjta, dhe

1.11.4.2. ai grup ka identitet të dalluar në vendin relevant, për shkak se i njëjti është i perceptuar si i ndryshëm nga shoqëria që e rrethon. Varësisht nga rrethanat ne vendin e origjinës, një grup i veçante social mund të përfshij një grup bazuar ne karakteristikat e përbashkëta te orientimit seksual. Orientimi seksual nuk mund te kuptohet qe duhet të përfshij akte qe konsiderohen te jenë kriminale në pajtim me ligjin kombëtar të Republikës së Kosovës.

Aspektet e lidhura me moshën, përfshirë identitetin gjinor, duhet t’i jepet konsideratë e theksuar me qëllim të përcaktimit të anëtarësisë se grupit të veçantë social ose identifikimit të karakteristikave të një grupi të tillë.

1.11.5. Koncepti i pikëpamjes politike në veçanti do të përfshijë mbajtjen e opinionit, mendimit apo besimit në çështjen që ka të bëjë me akterët potencial të persekutimit të përmendur në nen nën-paragrafin 1.11. të këtij neni dhe me politikat apo metodat e tyre, pavarësisht nëse opinioni, mendimi apo besimi i tillë është shprehur nga azilkërkuesi.

1.12. Marrëdhënia e punës– ushtrimi i aktiviteteve që mbulojnë çfarëdo forme të punës të rregulluar me ligjet e aplikueshme ose në përputhje me praktikën e përcaktuar, për/ose nën drejtimin dhe/ose mbikëqyrjen e një punëdhënësi;

1.13. Punëdhënësi personi fizik ose juridik, duke përfshirë Agjencinë e Përkohshme të Punësimit, për/apo nën drejtimin dhe /ose mbikëqyrjen e të cilit puna është ndërmarrë;

1.14. Punëmarrësi personi fizik i cili është punësuar për kryerjen e punës apo shërbimeve për punëdhënësin kundrejt një pagese;

1.15. Leje pune autorizimi i bartësit të saj për të qëndruar dhe punuar në territorin e Republikës së Kosovës sipas kushteve të përcaktuara me këtë ligj;

1.16. Punësimi ilegal –punësimi i një të huaji i cili qëndron ilegalisht në Republikën e Kosovës;

1.17. Nënkontraktor personi fizik ose juridik, të cilit i është caktuar kryerja e të gjitha ose një pjese të obligimeve të kontratës paraprake;

1.18. Agjencia për Punësimin e Përkohshëm - personi fizik ose juridik, i cili në pajtim me legjislacionin e aplikueshëm lidh kontrata të punësimit me punëmarrësit e agjencisë së përkohshme, me qëllim të caktimit të tyre për të punuar përkohësisht për ndërmarrjet nën mbikëqyrjen dhe drejtimin e tyre;

1.19. Punëtor sezonal - i huaji që banon në shtetin e të cilit ai është shtetas ose në të cilin ai ka një leje qëndrimi të përhershme, është me një punëdhënës të bazuar në Republikën e Kosovës dhe ka nënshkruar një kontratë për një punë të caktuar në një periudhë të caktuar jo më të gjatë se gjashtë (6) muaj;

1.20. Punëdhënësi i huaji personi fizik ose juridik që kryen punë në Republikën e Kosovës në bazë të një marrëveshjeje apo kontrate paraprake, dhe i cili ka një përfaqësi të regjistruar në Republikën e Kosovës;

1.21. Punëtori i sistemuar - punëtori, punëdhënësi i tij/saj i huaj në kuadër të ofrimit të shërbimeve ndërkufitare i cili e ka dërguar atë për një periudhë të kufizuar kohore për të punuar në Republikën e Kosovës, i cili nuk është shteti në të cilin ai/ajo normalisht punon;

1.22. Punësimi i punëtorëve me kualifikim të lartë –puna e një personi i cili:

1.22.1. është i mbrojtur si një punëmarrës sipas Ligjit mbi Punën apo në pajtim me praktikën e brendshme, pa marrë parasysh marrëdhënien juridike, me qëllim të ushtrimit të punës efektive, apo nën drejtimin e dikujt tjetër;

1.22.2. është paguar dhe

1.22.3. e ka kompetencën adekuate dhe specifike, që dëshmohet me kualifikimet e larta profesionale.

1.23. Kualifikime të larta profesionale kualifikimet që dëshmohen në bazë të kualifikimeve të larta profesionale;

1.24. Kualifikime të arsimit të lartë -- çdo diplomë, certifikatë apo dëshmi tjetër të kualifikimeve formale të lëshuara nga autoriteti kompetent për aftësimin e përfundimit të suksesshëm të një programi arsimimi pas shkollës së mesme, konkretisht një sërë kursesh të ofruara nga një institucion i arsimit të lartë i pranuar si institucion i arsimit të lartë nga Republika e Kosovës. Kualifikimet e arsimit të lartë duhet të merren parasysh, me kusht që studimet e nevojshme për arritjen e këtij kualifikimi zgjasin së paku tre (3) vjet;

1.25. Kthimi procesi i kthimit prapa të një të huaji, qoftë në pajtim me një obligim vullnetar apo të detyrueshëm për t’u kthyer, në vendin e tij të origjinës apo në vend tjetër;

1.26. Largimi ekzekutimi i obligimit për t’u kthyer, përkatësisht transportimi fizik jashtë Republikës së Kosovës;

1.27. Ribashkimi familjar hyrja dhe qëndrimi në territorin e Republikës së Kosovës të anëtarëve të familjes të të huajit që qëndron ligjshëm në Republikën e Kosovës në mënyrë që të ruhet njësia familjare, nëse marrëdhënia familjare ka lindur para ose pas hyrjes së të huajit;

1.28. Fëmijë i pashoqëruar - shtetasi i huaj apo personi pa shtetësi, nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç, që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës pa qenë të shoqëruar nga një person madhor, përgjegjës për ta, sipas ligjit apo traditës zakonore, dhe përderisa ata nuk janë nën kujdesin efektiv të personit të tillë, fëmijë i pashoqëruar përfshinë dhe të miturit e lënë vetëm pas hyrjes në territorin e Kosovës;

1.29. Sponsor i huaji i cili qëndron ligjërisht në Republikën e Kosovës dhe që parashtron kërkesë apo anëtarët e familjes të të cilit parashtrojnë kërkesë për ribashkimin familjar që të bashkohen me të.

 

Neni 4

I huaji me më shumë se një shtetësi

I huaji i cili ka më shumë se një shtetësi, obligohet që gjatë qëndrimit të tij në Republikën e Kosovës të shërbehet dhe të largohet nga Republika e Kosovës me dokumentin e rregullt të udhëtimit me të cilin ka hyrë në Republikën e Kosovës.

 

Neni 5

Legjislacioni i zbatueshëm

1. I huaji obligohet që gjatë lëvizjes dhe qëndrimit të tij në Republikën e Kosovës, t’i përmbahet legjislacionit të zbatueshëm në Republikën e Kosovës.

2. Të huajit të cilit i është kufizuar lëvizja në një zonë të caktuar, ai mund të lëvizë vetëm brenda asaj zone.

3. I huaji, i cili shkel dispozitën e paragrafit 2. të këtij neni, mund t’i konfiskohet dokumenti që i mundëson lëvizjen në atë zonë të caktuar dhe për këtë i lëshohet një vërtetim.

4. Të drejtat e të huajve që kërkojnë ose është e arsyeshme të besohet se mund të kërkojnë çfarëdo formë të mbrojtjes në Kosovë, duhet të përcaktohen në përputhje me dispozitat e Ligjit për Azil.

5. Të huajit nuk i lejohet themelimi i partive politike, por mund të formoj asociacione në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi.

6. Nëse nuk është rregulluar ndryshe me këtë ligj, procedura për të huaj do të jetë në përputhje me Ligjin për Procedurën Administrative dhe ligjet tjera përkatëse.

 

Neni 6

Refuzimi apo revokimi i leje qëndrimit për rrethanat të sigurisë shtetërore

1. Kontrollet e sigurisë për të huajt për qëllime të përcaktimit të arsyeve që lidhen me sigurinë shtetërore kryhen nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (në tekstin e mëtejmë AKI), siç është përcaktuar në nenin 2 të Ligjit mbi Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

2. Në raste të refuzimit apo revokimit të leje qëndrimit të të huajit për arsye që ndërlidhen me sigurinë shtetërore, lëshohet vendim pa arsyetim lidhur me rrethanat për të cilat është nxjerrë ky vendim.

3. I huaji subjekt i paragrafit 1. të këtij neni ka të drejtë ankese në gjykatën kompetente.

4. I huaji subjekt i paragrafit 1. të këtij neni që kanë status të refugjatit apo mbrojtje plotësuese do të procedohen bazuar në procedurat të përcaktuara në Ligjin për Azil.

 

Neni 7

Dokumentet e udhëtimit për të huajt

1. Republika e Kosovës lëshon dokumentet e udhëtimit për të huajt si në vijim, të cilët nuk posedojnë ndonjë dokument udhëtimi:

1.1. dokument udhëtimi për të huaj, të vlefshëm për një të huaj i cili qëndron ligjërisht në Republikën e Kosovës por që nuk posedon dhe nuk është në gjendje të marrë një dokument udhëtimi nga shteti shtetas i të cilit ai/ajo është;

1.2. dokument udhëtimi për refugjatë, i vlefshëm për një të huaj të cilit i është dhënë azili apo mbrojtje plotësuese në pajtim me Ligjin mbi Azilin;

1.3. dokument udhëtimi për personat pa shtetësi, siç definohen në Konventën e vitit 1954 për Statusin e Personave Pa Shtetësi;

1.4. fletudhëtimi për të huajin, i vlefshëm për një dalje apo hyrje te vetme për të huajin i cili nuk posedon një dokument te vlefshëm të udhëtimit, siç specifikohet në këtë ligj.

2. Dokumenti i udhëtimit për personat pa shtetësi lëshohet sipas kushteve të përcaktuara nga konventat ndërkombëtare.

3. Fletudhëtimi për të huajt lëshohet me afat vlefshmërie prej tridhjetë (30) ditësh.

4. Forma, përmbajtja dhe procedura për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit të parapara në këtë nen, caktohen me akt nënligjor të nxjerrë nga MPB-ja.

 

Neni 8

Lëshimi i fletudhëtimi për të huajt

1. Fletudhëtimi për të huaj i lëshohet personit i cili nuk ka asnjë dokument të huaj udhëtimi nëse:

1.1. lirohet nga shtetësia e Republikës së Kosovës për të shkuar jashtë vendit;

1.2. ka humbur dokumentin e udhëtimit apo në ndonjë mënyrë tjetër ka mbetur pa të, ndërsa shteti, shtetasi i të cilit është, nuk ka mision diplomatik gjegjësisht zyra konsullore në Republikën e Kosovës e as interesat e tij nuk ka kush t’i përfaqësoj nga një shtet tjetër për të dalë jashtë vendit;

1.3. i huaji ka humbur dokumentin e udhëtimit për refugjat jashtë vendit, dokumentin e udhëtimit për personat pa shtetësi apo personat nën mbrojtje plotësuese të lëshuara nga Republika e Kosovës;

1.4. është në procedurë të dëbimit të detyruar me qëllim të largimit nga Republika e Kosovës.

2. Me përjashtim të paragrafit 1. të këtij neni, fletudhëtimi për të huaj mund të lëshohet edhe në rastet kur ekzistojnë arsye tjera të ligjshme.

3. Fletudhëtimi për të huaj sipas arsyeve të nën-paragrafit 1.1. 1.2. dhe 1.4. të këtij neni lëshohet nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim (në tekstin e mëtejmë DSHAM) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

4. Fletudhëtimi për të huaj sipas arsyeve të nën-paragrafit 1.3. të këtij neni, lëshohet nga misionet diplomatike apo konsullore të Republikës së Kosovës, në bazë të pëlqimit paraprak nga DSHAM.

 

Neni 9

Refuzimi për lëshimin e dokumentit të udhëtimit për të huajt

1. Dokument udhëtimi për të huajt nuk do t’i lëshohet të huajit:

1.1. kundër të cilit është duke u zhvilluar një procedurë për vepër penale apo kundërvajtëse, përveç nëse ekziston pëlqimi i organit shtetëror i cili zhvillon procedurën;

1.2. i cili ishte dënuar me burgim ose me gjobë, përderisa nuk e vuan dënimin apo derisa ai nuk e paguan dënimin me gjobë;

1.3. i cili nuk i ka kryer detyrimet pronësore–juridike të akumuluara për të cilat ekziston urdhri ekzekutiv;

1.4. nëse kërkohet për shkaqe të sigurisë shtetërore, rendit publik apo shëndetit publik.

2. Një i huaj i cili është në proces të dëbimit mund t’i lëshohet një dokument udhëtimi për të huaj, pavarësisht ekzistencës së rrethanave sipas paragrafit 1. nën-paragrafi 1.1. 1.2. dhe 1.3. të këtij neni.

3. Në rastin e paragrafit 1. të këtij neni, i huaji ka të drejtë të ankohet për refuzimin e lëshimit të dokumentit të udhëtimit, për të cilën vendoset nga komisioni i ankesave i cili do të emërohet nga Qeveria (në tekstin e mëtejmë Komisioni i Ankesave).

4. Përbërja, detyrat, përgjegjësitë dhe procedura e vendimmarrjes së Komisionit të Ankesave rregullohet me akte nënligjore të nxjerra nga Qeveria.

 

Neni 10

Marrja e dokumenteve të udhëtimit për të huajt

1. Në rastet kur vërtetohet se ekziston njëra prej arsyeve të parapara në paragrafin 1. të nenit 9 të këtij ligji, DSHAM do të marrë dokumentin e udhëtimit për të huajt.

2. Në rastet kur merret dokumenti i udhëtimit për të huajin, DSHAM duhet të nxjerrë një vendim. Kundër këtij vendimi i huaji ka të drejtë ankese për të cilën vendos Komisioni i Ankesave.

 

KREU II

VIZAT

 

Neni 11

Regjimi i Vizave

1. I huaji i cili është shtetas i shtetit për të cilin kërkohet vizë për hyrje në Republikën e Kosovës, është i obliguar të siguroj vizën para hyrjes në Republikën e Kosovës.

2. Qeveria e Republikës së Kosovës përcakton regjimin e vizave me vendim në bazë të propozimit të Ministrisë për Punë të Jashtme (në tekstin e mëtejmë MPJ).

3. Në bazë të vizës, një i huaj nuk mund të punojë në territorin e Republikës së Kosovës.

4. Vizat lëshohen nga misionet diplomatike apo konsullore të Republikës së Kosovës, ose organet e autorizuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

5. Viza e lëshuar nuk garanton hyrjen e të huajit në Republikën e Kosovës.

 

Neni 12

Llojet e vizave

1. Republika e Kosovës lëshon këto viza:

1.1. viza transite-ajrore;

1.2. viza hyrëse.

 

Neni 13

Viza transite-ajrore

1. I huaji i cili gjatë kohës së qëndrimit në Aeroportin e Republikës së Kosovës apo gjatë fluturimeve ndërkombëtare, nuk e lëshon zonën ndërkombëtare transitore, nuk ka nevojë për vizë.

2. Me përjashtim të paragrafit 1. të këtij neni, Qeveria e Republikës së Kosovës mund të përcaktojë që shtetasit e huaj të shteteve të caktuara si dhe mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga organet kompetente të shtetit, duhet të kenë viza transite-ajrore.

3. Viza transite-ajrore lëshohet për një (1), dy (2) ose më shumë kalime transiti nëpër zonën ndërkombëtare të transitit ajror.

4. Vlefshmëria e vizës transite-ajrore përfshinë edhe një periudhë toleruese shtesë prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh.

5. Me përjashtim të paragrafit 4. të këtij neni, koha shtesë nuk zbatohet nëse për këtë ekzistojnë arsye që ndërlidhen me sigurinë shtetërore, rendin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare.

6. Viza transite-ajrore shumë hyrëse jepet për një periudhë kohore deri në gjashtë (6) muaj.

 

Neni 14

Viza hyrëse

1. Viza hyrëse lëshohet për qëllim të transitit nëpër Republikën e Kosovës ose të qëndrimit në territorin e Republikës së Kosovës.

2. Viza hyrëse lëshohet për një (1), dy (2) apo më shumë hyrje në Republikën e Kosovës.

3. Periudha e vlefshmërisë së vizave hyrëse nuk mund të jetë më e gjatë së pesë (5) vjet.

4. Vizat hyrëse për më shumë hyrje lëshohen për një periudhë të vlefshmërisë prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet, nëse i huaji ka dëshmuar:

4.1. nevojën ose qëllimin për të udhëtuar shpesh dhe/ose rregullisht, sidomos për arsye të profesionit apo statusit familjar siç janë: qëllime biznesi, shërbyes civil të përfshirë në kontakte të rregullta zyrtare me institucione të Republikës së Kosovës, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që udhëtojnë për qëllime të edukimit, trajnimit, seminareve dhe konferencave, anëtarë të familjes të një shtetasi të Republikës së Kosovës, anëtar të familjes të shtetasit të huaj i cili qëndron në mënyrë të ligjshme në Republikën e Kosovës;

4.2. integritetin dhe besueshmërinë, veçanërisht përmes përdorimit ligjor të vizave të lëshuara më parë, gjendjes së tij financiare në vendin e origjinës dhe qëllimit të vërtetë për tu larguar nga territori i Republikës së Kosovës para skadimit të afatit të vizës së kërkuar.

5. Në rast transiti kohëzgjatja e vizës duhet të jetë në përputhje me kohën e nevojshme për transit.

6. Periudha e vlefshmërisë përfshinë edhe një periudhë toleruese shtesë prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh.

7. Me përjashtim të paragrafit 6. të këtij neni, koha shtesë toleruese nuk zbatohet nëse për këtë ekzistojnë arsye që ndërlidhen me sigurinë shtetërore, rendin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare.

 

Neni 15

Bashkëpunimi me ndërmjetësuesin komercial si dhe ofruesit e jashtëm të shërbimeve

1. Gjatë mbledhjes së kërkesave për vizë mund të marrin pjesë edhe ndërmjetësuesit komercial dhe/ose ofruesit e jashtëm të shërbimeve.

2. Bazuar në paragrafin 1. të këtij neni, shqyrtimi i kërkesave, intervistimi, marrja e vendimit, shtypja dhe afishimi i vizës është përgjegjësi ekskluzive e misioneve diplomatike apo konsullore. Ndërmjetësuesit komercial dhe/ose ofruesit e jashtëm të shërbimeve nuk mund të kenë qasje në sistemin informativ të vizave të Kosovës.

3. Detyrat dhe përgjegjësitë e ndërmjetësuesit komercial dhe/ose ofruesit e jashtëm të shërbimeve rregullohen me akt nënligjor të nxjerra nga MPJ.

 

Neni 16

Obligimi për pajisje me vizë

1. Para lëshimit të vizës MPJ në raste të parapara me akt nënligjor duhet të marrë pëlqimin paraprak nga MPB dhe AKI.

2. Pavarësisht nga paragrafi 1. i këtij neni, kërkesat për viza mund të shqyrtohen dhe të vendoset në kufi, në pajtim me nenin 25 dhe 26 të këtij ligji.

 

Neni 17

Parashtrimi i kërkesës për vizë

1. Kërkesa për vizë duhet të dorëzohet përmes formularit jo më vonë se tre (3) muaj para udhëtimit të planifikuar.

2. Në rastet kur në një dokument udhëtimi janë më shumë se një person kërkesa për vizë duhet të bëhet për secilin person që ka për qëllim të pajiset me vizë, sipas formularit të paraparë në paragrafin

3. të këtij neni.

4. Kërkesës për vizë duhet t’i bashkëngjitet edhe dokumentacioni që vërteton qëllimin e hyrjes ose të qëndrimit në Republikën e Kosovës si dhe kushtet e transitit. Taksat dhe dokumentet tjera të nevojshme për tu pajisur me vizë, formulari, mënyra dhe procedura e lëshimit përcaktohet me akte nënligjore të nxjerra nga MPJ.

 

Neni 18

Vendosja e afishes

1. Viza do të vendoset në dokument të vlefshëm të udhëtimit në formën e një afisheje.

2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, nëse dokumenti i udhëtimit i parashtruesit të kërkesës nuk njihet zyrtarisht nga Republika e Kosovës, afisha e vizës vendoset në një fletë të veçantë dhe kjo rrethanë duhet të regjistrohet në sistemin informativ të vizave të Republikës së Kosovës.

 

Neni 19

Sigurimi shëndetësor i udhëtimit

1. I huaji i cili aplikon për lëshimin e vizës hyrëse për një ose me shumë hyrje obligohet që të dëshmoj se ai ka sigurim adekuat dhe të vlefshëm mjekësor të udhëtimit, për të mbuluar shpenzimet që mund të shkaktohen në lidhje me kthimin në vendin e origjinës nga ka ardhur për arsye mjekësore, ndihmë urgjente mjekësore ose trajtimi spitalor urgjent ose vdekje gjatë qëndrimit të tij në Republikën e Kosovës.

2. I huaji i cili aplikon për lëshimin e vizës hyrëse për një ose me shumë hyrje, duhet të tregoj se ka sigurim adekuat dhe të vlefshëm mjekësor të udhëtimit për herë të parë të vizitës së tij të planifikuar. Përveç kësaj i huaji duhet të nënshkruaj një deklaratë, siç është paraparë në formularin e aplikimit, me të cilën deklaron se ai është i vetëdijshëm që duhet të jetë në posedim të një sigurimi shëndetësor të udhëtimit për hyrje të mëvonshme.

3. Pavarësisht nga paragrafi 1. dhe 2. të këtij neni, dëshminë e sigurimit shëndetësor të udhëtimit nuk janë të detyruar ta dorëzojnë:

3.1. poseduesit e pasaportave diplomatike;

3.2. grupet e tjera profesionale, të cilët tashmë kanë sigurim shëndetësor të udhëtimit për shkak të aktiviteteve të tyre profesionale.

 

Neni 20

Sistemi Informativ për Viza i Kosovës

1. Formulari për viza dhe të dhënat e mbledhura nga një i huaj, si dhe personat fizik ose juridik të përmendur në nenin 17 paragrafi 3. të këtij ligji, do të ruhen dhe përpunohen në Sistemin Informativ të Vizave të Kosovës (në tekstin e mëtejmë SIVK) në përputhje me aktet nënligjore të nxjerra nga MPJ-ja.

2. Të dhënat mbi lëshimin, vazhdimin, refuzimin dhe anulimin e vizës do të futen në SIVK në përputhje me aktet nënligjore të nxjerra nga MPJ.

 

Neni 21

Mbledhja e të dhënave biometrike

1. I huaji i cili së pari parashtron kërkesën për lëshimin e vizës hyrëse, duhet që personalisht të parashtroj kërkesë tek misioni diplomatik apo konsullor i Republikës së Kosovës për mbledhjen e të dhënave biometrike siç janë:

1.1. fotografi të skanuar ose e marrë në kohën e paraqitjes së kërkesës në përputhje me aktet nënligjore me të cilat rregullohet lëshimi i vizave;

1.2. shenjat e dhjetë (10) gishtërinjve të dorës, të merren në mënyrë digjitale në përputhje me aktin nënligjor me të cilin rregullohet në SIVK.

2. Të dhënat biometrike nga paragrafi 1. i këtij neni duhet të futen në SIVK.

3. Pavarësisht nga paragrafi 1. i këtij neni, shenjat e gishtërinjve nuk merren nga:

3.1. fëmijët nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare;

3.2. personat tek të cilët marrja e shenjave të gishtërinjve fizikisht është e pamundur. Nëse ka mundësi të merren shenjat e më pak se dhjetë (10) gishtërinjve, atëherë duhet të merret numri maksimal i mundshëm i shenjave të gishtërinjve. Në rast të pamundësisë së përkohshme të marrjes së shenjave të gishtërinjve, paraqitësi i kërkesës obligohet të jap shenjat e gishtërinjve me rastin e paraqitjes së kërkesës tjetër;

3.3. krerët e shtetit ose qeverisë, anëtarët e qeverisë së bashku me bashkëshortët dhe anëtarët e delegacionit të tyre zyrtar kur ata ftohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës ose ndonjë organizatë ndërkombëtare për qëllime zyrtare;

3.4. sovranët dhe anëtarët tjerë të lartë të familjes mbretërore kur ata ftohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës ose ndonjë organizatë ndërkombëtare për qëllime zyrtare.

 

Neni 22

Pranimi i kërkesës për viza

1. Kërkesa për vizë është e pranueshme nëse:

1.1. është paraqitur jo më herët se tre (3) muaj para datës së planifikuar të udhëtimit;

1.2. është dërguar në formën e përcaktuar me nenin 17 të këtij ligji;

1.3. kërkesës i është bashkëngjitur dokumenti i udhëtimit në përputhje me nenin 24 paragrafi 1. i këtij ligji;

1.4. kërkesës i është bashkëngjitur fotografia;

1.5. janë marrë të dhënat biometrike;

1.6. është bërë pagesa administrative e paraparë me akt nënligjor për lëshimin e vizave.

2. Në rastet kur janë plotësuar kushtet e përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni, konsullata kompetente e pranon kërkesën, bën shqyrtimin e kërkesës dhe ndjek procedurat e parapara me aktin nënligjor për lëshimin e vizave.

3. Në rastet kur nuk janë plotësuar kushtet e parapara nga paragrafi 1. i këtij neni, konsullata kompetente e shpall kërkesën të pavlefshme dhe vepron në përputhje me aktin nënligjor për lëshimin e vizave. Përjashtimisht nëse kushtet e parapara nga paragrafi 1. i këtij neni nuk janë plotësuar, kërkesa mund të konsiderohet e pranueshme për shkaqe humanitare ose për arsye të interesit shtetëror.

 

Neni 23

Afati i vendosjes për kërkesën për vizë

1. Në rastet kur kërkesa për vizë është e pranueshme në përputhje me nenin 22 të këtij ligji, konsullata kompetente vendos për kërkesën për vizë brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve kalendarike nga dita e parashtrimit të kërkesës.

2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, afati i vendosjes lidhur me kërkesën për vizë mund të zgjatet deri në tridhjetë (30) ditë kalendarike kur nevojitet shqyrtim shtesë i kërkesës, në rastet e përfaqësimit kur kërkohet konsultim shtesë nga autoritetet e Republikës së Kosovës ose deri në gjashtëdhjetë (60) ditë kalendarike në raste të veçanta kur kërkohet dokumentacion shtesë.

 

Neni 24

Lëshimi i vizës në dokument të udhëtimit

1. Viza lëshohet në dokument udhëtimi nëse:

1.1. është i vlefshëm së paku tre (3) muaj nga data e synuar e largimit nga territori i Republikës së Kosovës ose në rastet e vizitave të shumëfishta pas datës së synuar të largimit nga territori i Republikës së Kosovës;

1.2. përmban të paktën dy (2) faqe të zbrazëta;

1.3. është i lëshuar brenda dhjetë (10) viteve të fundit.

2. Përjashtimisht nga nën-paragrafi 1.1. i këtij neni, në raste të emergjencës viza mund të lëshohet edhe në dokument të udhëtimit, vlefshmëria e të cilit është më e shkurtër.

 

Neni 25

Lëshimi i vizave në pikën e kalimit kufitar

Përjashtimisht viza hyrëse mund të lëshohet në pikën e caktuar të kalimit kufitar për qëndrim jo më të gjatë se pesëmbëdhjetë (15) ditë, varësisht nga qëllimi dhe kushtet e qëndrimit.

 

Neni 26

Kushtet për lëshimin e vizës në pikën e kalimit kufitar

1. Viza në pikën e kalimit kufitar në pajtim me nenin 25 të këtij ligji mund të lëshohet përjashtimisht nga Policia Kufitare nëse të huajt plotësojnë kushtet si në vijim:

1.1 janë në posedim të një dokumenti të vlefshëm udhëtimi ose dokumenteve tjera të nevojshme për kalimin e kufirit;

1.2. arsyetojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit, kanë mjete të mjaftueshme për jetesë, duke përfshirë kohëzgjatjen e qëndrimit në Republikën e Kosovës dhe për kthimin në vendin nga kanë ardhur apo të kalojnë transit në një vend në të cilën është e sigurtë se do të pranohen, apo janë në gjendje t’i fitojnë ato mjete në mënyrë të ligjshme;

1.3. nuk ka ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës;

1.4. nuk paraqet kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik, shëndetin publik, ose marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me shtetet tjera;

1.5. Parashtruesi i kërkesës nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesë për vizë paraprakisht dhe të dorëzojë, nëse kërkohet, dokumente shtesë qe mbështesin arsyet e paparashikueshme dhe të domosdoshme për hyrje;

1.6. Kthimi i parashtruesit të kërkesës në vendin e tij të origjinës apo qëndrimit apo transitit vlerësohet si i sigurt.

2. Kushtet dhe procedura e lëshimit të vizës në pikën e kalimit kufitar rregullohet me akt të veçantë nënligjor të nxjerrë nga MPB.

 

Neni 27

Vazhdimi i vizës

1. Vazhdimi i vizës dhe kohëzgjatja e qëndrimit bëhet nga DSHAM, kur konsiderohet se bartësi i vizës ka ofruar dëshmi të mjaftueshme të ekzistimit të fuqisë madhore ose arsyeve humanitare, të cilat e parandalojnë atë për të lëshuar territorin e Republikës së Kosovës para skadimit të afatit të vlefshmërisë ose kohëzgjatjes së qëndrimit të autorizuar me vizë. Vazhdimi i vizës nga ky paragraf bëhet pa pagesë.

2. Afati i vlefshmërisë së vizës dhe kohëzgjatja e qëndrimit, mund të vazhdohet edhe atëherë kur bartësi i vizës ofron dëshmi të arsyeve serioze personale të cilat arsyetojnë vazhdimin e vizës dhe kohëzgjatjen e qëndrimit. Shuma e pagesës për vazhdimin e vizës sipas këtij paragrafi përcaktohet me akt nënligjor.

3. Vazhdimi i vizës bëhet përmes afishes së veçantë dhe informatat për vazhdimin e vizës regjistrohen në SIVK.

4. Kushtet dhe procedura e vazhdimit të vizës rregullohet me akt nënligjor të nxjerrë nga MPB.

 

Neni 28

Refuzimi i vizave

1. Viza refuzohet nëse parashtruesi i kërkesës:

1.1. paraqet dokument të udhëtimit të falsifikuar, ndryshuar ose të dikujt tjetër;

1.2. nuk ofron arsyetim për qëllimin dhe kushtet e qëndrimit;

1.3. nuk ofron dëshmi të mjaftueshme për jetesë gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës, duke përfshirë kohëzgjatjen e qëndrimit në Republikën e Kosovës dhe kthimin në vendin nga i cili vjen, ose për të kaluar transit në vendin për të cilin vërtetohet se do të pranohet;

1.4. ka qëndruar tre (3) muaj gjatë periudhës kohore prej gjashtë (6) muajve në Republikën e Kosovës;

1.5. ka ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës;

1.6. paraqet kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik, shëndetin publik, ose marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me shtetet tjera;

1.7. nuk posedon sigurim shëndetësor adekuat të udhëtimit.

2. Viza refuzohet edhe kur ekziston dyshim i arsyeshëm lidhur me vërtetësinë e dokumenteve mbështetëse të paraqitura nga parashtruesi i kërkesës ose deklaratat e bëra nga parashtruesi i kërkesës, si dhe qëllimi për ta lëshuar territorin e Republikës së Kosovës nuk është i besueshëm.

3. Në rastet të refuzimit të vizës lëshohet vendimi me shkrim duke përfshirë edhe arsyet e refuzimit të vizës bazuar në formularin e paraparë me akt nënligjor.

4. Në rastet e refuzimit të vizës, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë ankese brenda tetë (8) dite nga data e pranimit të vendimit, në komisionin e ankesave.

5. Informatat mbi refuzimin e vizës regjistrohen në SIVK.

 

Neni 29

Anulimi dhe revokimi i vizës

1. Viza do të anulohet në rastet kur bëhet e qartë se kushtet për lëshimin e saj nuk ishin plotësuar në kohën kur ishte lëshuar, në veçanti kur ekziston dyshimi i bazuar për të besuar se ishte marrë përmes mashtrimit. Anulimi i vizës bëhet nga organi i cili e ka lëshuar.

2. Viza do të revokohet në rastet kur bëhet e qartë se kushtet për lëshimin e saj nuk plotësohen më tej. Revokimi i vizës bëhet nga organi i cili e ka lëshuar atë. Viza revokohet edhe me kërkesë të poseduesit të vizës.

3. Në rast të anulimit ose revokimit të vizës vendoset vula "ANNULLED" ose "REVOKED" në afishe dhe duhet të zhvlerësohet përmes vijëzimit.

4. Në rast të anulimit ose revokimit të vizës lëshohet vendimi me shkrim duke përfshirë edhe arsyet e anulimit ose revokimit.

5. Në rast të anulimit ose revokimit të vizës, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë ankese brenda tetë (8) dite nga data e pranimit të vendimit, në komisionin e ankesave.

6. Informata mbi anulimin ose revokimin e vizës regjistrohen në SIVK.

 

KREU III

HYRJA DHE DALJA E TË HUAJVE

 

Neni 30

Hyrja e të huajve në territorin e Republikës së Kosovës

1. Konsiderohet se i huaji ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, kur ai ka kaluar në pikën kufitare të kontrollit dhe i është nënshtruar kontrollit kufitar dhe në raste të veçanta kur ai e kalon vijën kufitare.

2. I huaj i cili është i regjistruar në dokumentin e udhëtimit të personit tjetër mund të hyjë dhe të dalë nga territori i Republikës së Kosovës vetëm me personin në dokumentin e udhëtimit në të cilin ai është i regjistruar.

3. Kontrolli kufitar sipas paragrafit 1. të këtij neni, kryhet në përputhje me Ligjin për Kontrollin e Kufirit Shtetëror dhe përfshinë vërtetimin e kushteve për hyrje të parapara me nenin 31 të këtij ligji.

 

Neni 31

Kushtet për hyrjen e të huajit në Republikën e Kosovës

1. I huaji mund të lejohet të hyjë në Republikën e Kosovës për qëndrimet qe nuk i kalojnë tre (3) muaj brenda periudhës gjashtë (6) mujore dhe nëse ai ose ajo plotëson kushtet në vijim:

1.1. posedon dokument të vlefshëm të udhëtimit ose dokument tjetër për kalimin e kufirit;

1.2. posedon vizë të vlefshme ose leje qëndrimi të vlefshme, kur kjo kërkohet;

1.3. ai/ajo arsyeton qëllimin, kushtet e hyrjes dhe qëndrimit dhe dëshmon se ka mjete të mjaftueshme për jetesë, qoftë gjatë kohëzgjatjes së qëllimit të qëndrimit në Republikën e Kosovës dhe për kthim në vendin e origjinës apo transit në vendin e tretë në të cilin është e sigurte së do të pranohen, apo janë në gjendje qe ato mjete t’i fitojnë ligjërisht;

1.4. nuk ka ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës;

1.5. nuk përbën kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik, shëndetit publik në Republikën e Kosovës.

2. I huaji i cili nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni, mund t'i lejohet hyrja në Republikën e Kosovës në një pikë të caktuar të kalimit kufitar, nëse kjo kërkohet për arsye humanitare, interesat shtetërore ose detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

3. Shuma e mjeteve të mjaftueshme për jetesë përcaktohet me vendim të veçantë të ministrit të MPB-së dhe lartësia e kësaj shume vlerësohet në përputhje me kohëzgjatjen dhe qëllimin e qëndrimit duke u bazuar në çmimet mesatare për jetesë.

4. Vlerësimi i mjeteve të mjaftueshme për jetesë mund të bazohet në para të gatshme, çeqe të udhëtimit dhe kartela krediti në posedim të të huajit. Deklaratat e sponsorimit dhe letrat e garancionit nga nikoqiri të cilat do të miratohen nga DSHAM-i para hyrjes së tyre në Republikën e Kosovës, mund të konsiderohen, në raste të caktuara, si dëshmi për mjete të mjaftueshme për jetesë.

5. Qeveria e Republikës së Kosovës me vendim mund të përcaktojë që qytetarët e vendeve të caktuara mund të hyjnë dhe të lëshojnë Republikën e Kosovës me një dokument identiteti të vlefshëm ose dokumente tjera që vërtetojnë identitetin dhe shtetësinë. Gjithashtu Qeveria e Kosovës me vendim mund të përcaktojë që në rastet kur për qytetarët e huaj të vendeve për të cilët kërkohet viza, të hyjnë dhe qëndrojnë për një kohë të caktuar në Republikën e Kosovës me një vizë të vlefshme Schengen apo me leje qëndrim të ndonjë shteti të zonës Schengen, nëse ata i plotësojnë kushtet e tjera të përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni.

6. Një listë jo-përfundimtare e dokumenteve shtesë të cilat Policia Kufitare mund t’i kërkojë nga i huaji në mënyrë qe të verifikojë plotësimin e kushteve të përcaktuara ne nën-paragrafin 1.3. të këtij neni do të përcaktohen detajisht në një akt nënligjor qe ndërlidhet me ndalimin e hyrjes së të huajve në Republikën e Kosovës.

 

Neni 32

Refuzimi i hyrjes së të huajit në Republikën e Kosovës

1. Të huajt i cili nuk i plotëson kushtet për hyrje të përcaktuara me nenin 31 të këtij ligji, i refuzohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës dhe i lëshohet vendimi me arsyetim për refuzimin e hyrjes.

2. I huaji ka të drejtë të parashtroj ankesë kundër vendimit nga paragrafi 1. i këtij neni. Ankesa bëhet në misionin diplomatik apo konsullor që ka kompetencë territoriale ose pranë Komisionit për Ankesa. Ankesa kundër vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij.

 

Neni 33

Hyrja e paligjshme në Republikën e Kosovës

1. Hyrja e paligjshme në Republikën e Kosovës konsiderohet kur i huaji:

1.1. kalon kufirin jashtë vendit apo kohës së caktuar për kalimin e kufirit shtetëror;

1.2. i shmanget kontrollit kufitar të përcaktuar me Ligjin për Kontrollin e Kufirit Shtetëror;

1.3. hyn në territorin e Republikës së Kosovës përderisa ka ndalesë për hyrje dhe qëndrim në Republikën e Kosovës;

1.4. ka konsumuar afatin tre (3) mujor të qëndrimit brenda gjashtë (6) muajve;

1.5. ka hyrë në bazë të një dokumenti të udhëtimit, vizë apo lejeqëndrim të falsifikuar, ndryshuar apo të dikujt tjetër.

 

Neni 34

Dalja e të huajit nga Republika e Kosovës

1. I huaji mund të dalë lirshëm nga Republika e Kosovës, përveç nëse:

1.1. i huaji posedon dokument të huaj të pavlefshëm, dokument të falsifikuar si dhe dokument udhëtimi autentik të personave të tjerë të përdorur në mënyrë abuzive;

1.2. i huaji nuk i plotëson kushtet për hyrje në shtetin tjetër;

1.3. për të huajin ekziston dyshimi i bazuar se do t’i shmangen ndjekjes për vepra penale apo për kundërvajtje, fletarrestimit, apo shlyerjes së detyrimeve të përcaktuara me ligj;

1.4. këtë e kërkojnë shkaqet e mbrojtjes së sigurisë shtetërore, rendit kushtetues ose të shkaqeve publike, në mbështetje të vendimit të organit kompetent.

2. Të huajit i lejohet dalja nga Republika e Kosovës kur pushojnë së ekzistuari shkaqet nga paragrafi 1. i këtij neni.

 

Neni 35

Detyrimet e transportuesit

1. Transportuesi mund të sjellë një të huaj në pikën e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës, në qoftë se i huaji ka një dokument udhëtimi të vlefshëm ose dokument tjetër të nevojshëm për kalimin e kufirit, ka një vizë të vlefshme nëse është e nevojshme ose lejeqëndrim.

2. Transportuesi mund ta sjell të huajin në pikën e kalimit kufitar nëse i plotëson kushtet për hyrje në Republikën e Kosovës.

3. Nëse të huajit i është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës, transportuesi që e ka sjellë atë në pikën e kalimit kufitar, duhet që me kërkesën e organit për kontrollin e kufirit, ta kthejë në shtetin nga i cili ka hyrë, në shtetin ku dokumenti i të huajit është lëshuar, apo në ndonjë shtet tjetër që është i sigurt që do ta pranon atë.

4. Nëse transportuesi nuk mund ta kthej të huajin nga Republika e Kosovës në pajtim me paragrafin 3. të këtij neni, duhet që menjëherë dhe me shpenzimet e tij të siguroj transportues tjetër.

5. Transportuesi i cili e ka sjellë të huajin në kufirin shtetëror apo në territorin e Republikës së Kosovës në kundërshtim me paragrafin 2. të këtij neni, duhet të paguaj shpenzimet e akomodimit dhe kthimit prapa të të huajit.

6. Detyrimet që rrjedhin nga ky nen duhet të zbatohen edhe ndaj transportuesit që bartin të huajin në kufirin shtetëror ose brenda territorit të Republikës së Kosovës, i cili është duke kaluar transit ose të cilit i është refuzuar transporti i mëtutjeshëm nga transportuesi tjetër ose të cilit i është refuzuar hyrja në shtetin e destinacionit dhe është kthyer në Republikën e Kosovës.

7. Organizatori i udhëtimeve turistike apo atyre të punës në Republikën e Kosovës, është i obliguar që për të huajt të cilëve i është ofruar shërbimi përkatës, t’i mbulojë shpenzimet e largimit nga Republika e Kosovës, nëse të huajit i është ndaluar hyrja apo largohet me forcë nga Republika e Kosovës dhe nëse këto shpenzime i huaji nuk mund t’i mbulojë vetë.

 

Neni 36

Ndalimi për dhënien e ndihmës së jashtëligjshme për të huaj

Asnjë i huaj nuk duhet të ndihmohet në kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror, për transit nëpër territorin ku i huaji ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Republikën e Kosovës dhe të qëndroj paligjshëm.

 

KREU IV

QËNDRIMI I TË HUAJVE

 

Neni 37

Llojet e qëndrimit

1. Llojet e qëndrimit në Republikën e Kosovës janë:

1.1. qëndrim afatshkurtër;

1.2. qëndrimi i përkohshëm dhe

1.3. qëndrimi i përhershëm.

 

Neni 38

Qëndrimi afatshkurtër

1. Qëndrimi afatshkurtër nënkupton qëndrimin e një të huaji deri në tre (3) muaj brenda periudhës kohore prej gjashtë (6) muajve pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet.

2. Qëndrimi afatshkurtër mund të jetë më i shkurtër se tre (3) muaj kur kjo përcaktohet me vizë. Periudha e qëndrimit llogaritet prej ditës së hyrjes së parë në Republikën e Kosovës.

3. I huaji i cili tashmë e ka shfrytëzuar afatin e qëndrimit prej tre (3) muajve brenda periudhës kohore prej gjashtë (6) muajve, mund të hyjë prapë dhe qëndrojë në Republikën e Kosovës pas kalimit të periudhës kohore prej gjashtë (6) muajsh nga data e hyrjes së parë.

 

Neni 39

Ndërprerja e qëndrimit afatshkurtër

1. Qëndrimi afatshkurtër i ndërpritet të huajit nëse:

1.1. nuk i plotëson më kushtet e parapara nga neni 31 paragrafi 1. i këtij ligji;

1.2. i ka skaduar periudha e vlefshmërisë së vizës;

1.3. ka shfrytëzuar afatin e paraparë në nenin 38 të këtij ligji;

1.4. i është anuluar qëndrimi.

 

Neni 40

Anulimi i qëndrimit afatshkurtër

1. Qëndrimi afatshkurtër i anulohet të huajit nëse:

1.1. nuk i plotëson më kushtet e parapara me nenin 31 të këtij ligji;

1.2. qëndron në Republikën e Kosovës në kundërshtim me qëllimin e hyrjes;

1.3. cenon sigurinë shtetërore, rendin publik apo shëndetin publik;

1.4. nuk i kryen detyrimet financiare ndaj shtetit.

2. Anulimin nga paragrafi 1. të këtij neni e bën Policia Kufitare.

3. Kundër vendimit për anulim e qëndrimit afatshkurtër, i huaji ka të drejtë të iniciojë konflikt administrativ pranë Gjykatës Themelore.

 

Neni 41

Qëndrimi i përkohshëm

1. Qëndrimit i përkohshëm i jepet të huajit i cili qëndron ose ka për qëllim të qëndroj në territorin e Republikës së Kosovës me qëllim të:

1.1. ribashkimit familjar;

1.2. arsimit parauniversitar ose arsimit të lartë;

1.3. kërkime shkencore;

1.4. arsye humanitare duke përfshirë refugjatët, personat nën mbrojtje plotësuese dhe viktimat e trafikimit me njerëz ose viktimave të kontrabandës me migrant dhe të huajt të cilët kanë shprehur vullnet të bashkëpunimit me autoritete kompetente;

1.5. punës; dhe

1.6. punësimit të punëtorit të sistemuar.

2. Të huajit me lejeqëndrim të përkohshëm dhe të huajit me lejeqëndrim të përhershëm sipas nenit 84 të këtij ligji i lëshohet lejeqëndrim unik.

3. Qëndrimi i përkohshëm për punëtorin e sistemuar i jepet të huajit nëse i plotëson kushtet e parapara nga neni 48 dhe neni 77 paragrafi 1. i këtij ligji.

4. Pavarësisht nga paragrafi 1. i këtij neni, të huajit mund t’i jepet qëndrimi i përkohshëm edhe për qëllime të tjera. Qëndrimi për qëllime tjera nuk mund të jetë më i gjatë se gjashtë (6) muaj brenda një (1) viti.

5. Forma, përmbajtja dhe procedura për lëshimin e lejeqëndrimit sipas paragrafit 2. të këtij neni rregullohet me akt nënligjor të nxjerrë nga MPB-ja.

 

Neni 42

Parashtrimi i kërkesës për qëndrim të përkohshëm

1. Kërkesa për leje qëndrim të përkohshëm do të parashtrohet në misionin diplomatik apo konsullor të Republikës së Kosovës.

2. I huaji për të cilin për të hyrë në Republikën e Kosovës nuk kanë nevojë për vizë, mund të parashtroj kërkesën për lejeqëndrim të përkohshëm në DSHAM.

3. Pavarësisht nga paragrafi 1. i këtij neni, të huajit i cili posedon vizë hyrëse dhe nëse ai vjen për qëllime studimi të rregullt me kohë të plotë në nivelet universitare, parauniversitare dhe pasuniversitare, si dhe një i huaj nga neni 70 paragrafi 1. nën-paragrafi 1.12. 1.13. dhe 1.14. të këtij ligji dhe anëtarët e ngushtë të familjes së tyre mund të paraqesin kërkesë për lejeqëndrim të përkohshëm në DSHAM.

4. I huaji sipas paragrafit 2. dhe 3. këtij neni, duhet të paraqes kërkesë për lejeqëndrim të përkohshëm para skadimit të qëndrimit afat-shkurtër dhe mund të qëndroj në Republikën e Kosovës deri në vendosjen lidhur me kërkesën.

 

Neni 43

Mënyra e parashtrimit të kërkesës për lejeqëndrim të përkohshëm nga i huaji

1. Kërkesën për lejeqëndrim të përkohshëm i huaji e parashtron personalisht apo në rast të fëmijëve të pashoqëruar apo personave të ndjeshëm kërkesa mund të parashtrohet nga prindi apo kujdestari ligjor.

2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, kërkesën për lejeqëndrim të përkohshëm për qëllim pune mund ta parashtroj edhe punëdhënësi.

 

Neni 44

Vendimi mbi kërkesën për lejeqëndrim të përkohshëm

1. Lidhur me kërkesën për lejeqëndrim të përkohshëm vendos DSHAM, brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të kërkesës.

2. Kundër vendimit nga paragrafi 1. të këtij neni brenda tetë (8) ditëve mund të parashtrohet ankesa për të cilën vendos komisioni i ankesave, brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të ankesës. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit.

3. Kundër vendimit për refuzimin e lejeqëndrimit të përkohshëm për punë për shkak të plotësimit të kuotës vjetore për punësim, apo në qoftë se akoma nuk është vendosur kuota vjetore për vazhdimin e lejeve të vlefshme, punësimin e ri apo punësimin sezonal, i huaji nuk ka të drejtë ankese por mund të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore.

 

Neni 45

Rregullimi i qëndrimit të përkohshëm të fëmijëve të lindur në Republikën e Kosovës

1. Prindi ose kujdestari i një fëmije të lindur në Republikën e Kosovës është i obliguar të parashtrojë kërkesë për lejeqëndrim të përkohshëm për fëmijën, jo më vonë se tre (3) muaj nga data e lindjes.

2. Qëndrimi i përkohshëm sipas paragrafit 1. të këtij neni mund të jepet për kohën në të cilën është lejuar qëndrimi i përkohshëm për prindin ose kujdestarin e fëmijës, ose deri në një (1) vit, nëse njëri prej prindërve ose kujdestari kanë lejeqëndrim të përhershëm.

 

Neni 46

Periudha e vlefshmërisë së qëndrimit të përkohshëm

1. Lejeqëndrimi i përkohshëm lëshohet për një periudhë deri në një (1) vit përveç rasteve kur është paraparë ndryshe me këtë ligj.

2. Periudha e vlefshmërisë së dokumentit të udhëtimit duhet të jetë të paktën tre (3) muaj më gjatë se periudha për të cilën është lëshuar lejeqëndrimi i përkohshëm.

3. Lejeqëndrimi për personat që gëzojnë statusin e refugjatit do të lëshohet për një periudhë vlefshmërie prej së paku tre (3) vjet dhe e ripërtërishme, përveç nëse arsyet bindëse të sigurisë nacionale apo rendit publik kërkojnë ndryshe.

 

Neni 47

Vazhdimi i lejeqëndrimit të përkohshëm

1. Kërkesa për vazhdimin e lejes së qëndrimit të përkohshëm duhet të paraqitet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para skadimit të lejeqëndrimit të përkohshëm në DSHAM.

2. I huaji i cili ka paraqitë kërkesën për vazhdimin e lejes së qëndrimit të përkohshëm para skadimit të qëndrimit të përkohshëm ekzistues mund të qëndrojë në Republikën e Kosovës deri në vendosje lidhur me kërkesën.

3. Përjashtimisht nga neni 46, paragrafin 2. të këtij ligji, i huaj që nuk posedon një dokument udhëtimi të vlefshëm, dhe i cili parashtron kërkesë për vazhdimin e lejeqëndrimit të përkohshëm në Republikën e Kosovës, i lëshohet një vendim për miratimin e lejeqëndrimit të përkohshëm.

4. I huaji nga paragrafi 3. i këtij neni, i cili parashtron kërkesë për vazhdimin e lejeqëndrimit të përkohshëm duhet t’ia bashkëngjit dokumentin e huaj të udhëtimit.

5. I huaji me lejeqëndrim të përkohshëm mund të parashtrojë një kërkesë për një lejeqëndrim të radhës për një qëllim tjetër, para skadimit të periudhës për të cilën është lëshuar.

 

Neni 48

Kushtet për dhënien e lejeqëndrimit të përkohshëm

1. Të huajit do t’i jepet lejeqëndrimi i përkohshëm, nëse:

1.1. dëshmon qëllimin e qëndrimit të përkohshëm;

1.2. posedon dokument të vlefshëm udhëtimi;

1.3. posedon mjete të mjaftueshme për jetesë;

1.4. posedon sigurim shëndetësor;

1.5. nuk ka ndalesë të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës;

1.6. nuk përbën kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik ose shëndetin publik.

 

Neni 49

Qëndrimi i përkohshëm më qëllim të ribashkimit familjar

1. Lejeqëndrimi i përkohshëm me qëllim të ribashkimit familjar mund t'i jepet një të huaji i cili është anëtar i ngushtë i familjes:

1.1. i shtetasit të Kosovës;

1.2. i të huajit i cili ka lejeqëndrim të përhershëm;

1.3. i të huajit i cili ka lejeqëndrim të përkohshëm;

1.4. i të huajit të cilit i është dhënë mbrojtje në pajtim me Ligjin për Azil.

2. Pavarësisht nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.3. i këtij neni, anëtarit të ngushtë të familjes së të huajit i cili qëndron në Republikën e Kosovës në bazë të lejeqëndrimit të përkohshëm për punë të lëshuar për një (1) vit, në përputhje me kuotat vjetore për punësimin e të huajve, mund t'i jepet lejeqëndrim i përkohshëm me qëllim të ribashkimit familjar, vetëm nëse i huaji kërkon bashkim familjar në Republikën e Kosovës dhe nëse i ka të paktën dy (2) vjet të qëndrimit të përkohshëm.

3. Qëndrimi i përkohshëm me qëllim të ribashkimit familjar nuk do t’i jepet për një anëtar të familjes së të huajit të cilit i është lëshuar lejeqëndrimi për punë sezonale, azilkërkuesve dhe të huajve nën mbrojtje të përkohshme.

4. Parashtrimi i kërkesës për qëndrim të përkohshëm më qëllim të ribashkimit familjar do të dorëzohet dhe shqyrtohet kur anëtarët e familjes janë duke qëndruar jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Përjashtimisht, në rrethana të caktuara, kërkesa për qëndrim të përkohshëm më qëllim të ribashkimit familjar mund të dorëzohet dhe shqyrtohet kur anëtarët e familjes gjenden në territorin e Republikës së Kosovës.

5. Kur bëhet shqyrtimi i kërkesës, interesat më të mira te fëmijëve të mitur do të merren parasysh.

 

Neni 50

Anëtarët e familjes

1. Anëtarët e familjes në kuptimin të këtij ligji janë:

1.1. bashkëshortët ose partnerët e sponsorit;

1.2. fëmijët e mitur të sponsorit dhe të bashkëshortit të tij/saj, duke përfshirë fëmijët e adoptuar ne pajtim me vendimin e marrë nga autoriteti i Republikës së Kosovës, apo një vendim i cili është automatikisht i zbatueshëm për shkak te detyrimeve ndërkombëtare te Republikës së Kosovës, apo duhet të njihen në pajtim me detyrimet ndërkombëtare;

1.3. fëmijët e mitur duke përfshirë fëmijët e sponsorit kur sponsori ka kujdestarinë dhe fëmijët janë te varur në të. Ribashkimi familjar mund te autorizohet për fëmijët kujdestaria e të cilëve është e ndarë, me kusht qe pala tjetër qe e ndan kujdestarinë ka dhënë pajtimin e tij apo saj;

1.4. fëmijët e mitur duke përfshirë fëmijët e adoptuar te bashkëshortit kur bashkëshorti ka kujdestarinë dhe fëmijët janë të varur në të. Ribashkimi familjar mund te autorizohet për fëmijët kujdestaria e të cilëve është e ndarë, me kusht qe pala tjetër e cila ndanë kujdestarinë ka dhënë pajtimin e tij apo saj.

2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, autoriteti kompetent mund të konsiderojë gjithashtu anëtarin e familjes se shtetasit të Kosovës, të huajit të cilit i është dhënë lejeqëndrimi i përkohshëm apo i përhershëm, dhe të huajit i cili ka statusin e refugjatit, nëse ka arsye të veçanta personale apo serioze humanitare për ribashkim familjar në Republikën e Kosovës.

3. Në rastin e një martese poligame, kur sponsori tashme ka një bashkëshort që jeton me të në territorin e Republikës së Kosovës nuk do të autorizohet ribashkimi familjar me një bashkëshort të mëvonshëm.

4. Ribashkimi familjar nuk do të jepet nëse bashkëshorti ose nëse partneri jashtëmartesor është i martuar ose është në një marrëdhënie afatgjatë me një person tjetër.

5. Bashkëjetesa në kuptim të këtij ligji është bashkësia jetësore e një burri të pamartuar dhe një gruaje të pamartuar qe jetojnë se bashku dhe e cila zgjatë së paku tre (3) vjet ose më pak nëse në këtë bashkëjetesë ka lindur një fëmijë i përbashkët.

6. Fëmijët e mitur duhet të jenë në moshë me të vogël se mosha e madhorisë dhe nuk duhet të jenë te martuar.

7. Si përjashtim, nëse fëmija është në moshë mbi dymbëdhjetëvjeçare (12) vjeçare dhe arrin në mënyrë të pavarur nga pjesa tjetër e familjes së tij/saj, Republika e Kosovës mund, para se të autorizojë hyrjen dhe qëndrimin sipas këtij ligji, të verifikojë nëse ai ose ajo e plotëson kushtin për integrim.

 

Neni 51

Ndëshkimet dhe rishqyrtimi

1. DSHAM mund të refuzojë një kërkesë për hyrje dhe qëndrim për qëllim të ribashkimit familjar, apo, nëse është e duhur, revokon apo refuzon ta ripërtërije lejeqëndrimin e anëtarit të familjes, në rrethanat si në vijim:

1.1. kur kushtet e përcaktuara me këtë ligj nuk janë plotësuar apo nuk plotësohen më tej. Kur ripërtërihet një leje qëndrim, në rast se sponsori nuk ka mjete te mjaftueshme pa pasur qasje ne sistemin e asistencës sociale të Republikës së Kosovës, do të merren parasysh kontributet e anëtareve të familjes në ekonominë familjare;

1.2. kur sponsori dhe anëtari i familjes se tij/saj nuk jeton apo nuk jeton më ne një marrëdhënie të vërtetë martesore apo familjare;

1.3. kur gjendet se sponsori apo partneri i pamartuar është i martuar apo është në një marrëdhënie stabile afatgjate me një person tjetër.

2. DSHAM mund gjithashtu të refuzoje një kërkesë për hyrje dhe qëndrim për qëllim të ribashkimit familjar, apo revokon apo refuzon të ripërtërijë lejeqëndrimin e anëtarit te familjes, kur shihet se:

2.1. janë përdorur informacione te falsifikuara apo mashtruese, dokumente false apo te falsifikuara, mashtrimi ishte kryer apo mjete të tjera te kundërligjshme ishin përdorur;

2.2. martesa, marrëdhënia jashtëmartesore apo adoptimi ishin kontraktuar me qëllim të vetëm te lejimit te personit të hyje apo qëndroje në territorin e Republikës së Kosovës. Kur e bënë vlerësimin në lidhje me këtë çështje, DSHAM mund të merr parasysh në veçanti faktin se martesa, bashkësia jashtëmartesore apo adoptimi ishin kontraktuar pas lëshimit të lejeqëndrimit për sponsorin.

3. DSHAM mund të revokojë apo refuzojë te ripërtërijë lejeqendrimin për anëtarin e familjes kur lejeqendrimi i sponsorit skadon dhe anëtari i familjes akoma nuk e gëzon lejeqendrimin autonom te qëndrimit sipas nenit 54 të këtij ligji.

4. DSHAM mund të kryejë kontrollime specifike dhe inspektime kur ka arsye për të dyshuar se ka mashtrim, apo martesa, marrëdhënie jashtëmartesore apo adoptimi është lidhur sipas interesit. Kontrollime specifike mund gjithashtu te ndërmerren në rast të ripërtëritjes se lejëqendrimit te anëtarëve të familjes.

 

Neni 52

Hyrja dhe qëndrimi i përkohshëm për anëtarët e familjes të të huajit që gëzojnë mbrojtje në pajtim me Ligjin për Azil

1. Definicioni i anëtarëve të familjes i paraparë në paragrafin 1. të nenit 50 të këtij ligji, duhet të zbatohet gjithashtu edhe për anëtaret e familjes së personave cilëve iu është dhënë mbrojtje në pajtim me Ligjin për Azilin.

2. Anëtari i familjes të cilit iu është dhënë mbrojtje në përputhje me Ligjin për Azil, për fitimin e lejeqëndrimit të përkohshëm me qëllim të ribashkimit familjar, nuk i kërkohet t’i përmbush kushtet e përcaktuara në nenin 48 paragrafi 1., nën paragrafi 1.3. dhe 1.4. të këtij ligji.

3. Nëse të huajit të cilit i lejohet mbrojtja në përputhje me Ligjin për Azil është fëmijë i pashoqëruar, atëherë Republika e Kosovës:

3.1. do të autorizojë hyrjen dhe qëndrimin me qëllim të ribashkimit familjar të afërmeve te tij/saj të shkallës së parë në linjë direkte të ngjitjes.

3.2. do të autorizojë hyrjen dhe qëndrimin me qëllim të ribashkimit familjar të kujdestarit ligjor te tij/saj apo ndonjë anëtari tjetër të familjes, kur refugjati nuk është në lidhje direkte të ngjitjes apo të afërm të tillë nuk mund të gjinden.

4. Kur refugjati nuk mund të ofrojë dëshmi zyrtare të marrëdhënies familjare, DSHAM do të marrë parasysh dëshmi tjera, që do të vlerësohen në pajtim me legjislacionin në fuqi, të ekzistimit të marrëdhënies së tij. Vendimi me të cilin refuzohet kërkesa nuk mund të bazohet vetëm në faktin se dëshmia dokumentuese mungon.

5. Personave të cilët parashtrojnë kërkesë për qëndrim të përkohshëm më qëllim të ribashkimit familjar do t’u krijohen lehtësira për pajisje më vizë të nevojshme.

 

Neni 53

Vlefshmëria e lejeqëndrimit të përkohshëm me qëllim të ribashkimit familjar

1. Lejeqëndrimi i përkohshëm me qëllim të ribashkimit familjar jepet për një afat vlefshmërie prej një (1) viti ose deri në skadimin e qëndrimit të përkohshëm të lejuar të huajit i cili kërkon ribashkimin familjar.

2. I huaj i cili më parë ka pasur lejeqëndrim të vazhdueshëm të qëndrimit të përkohshëm për qëllim të ribashkimit familjar për të paktën dy (2) vjet, lejeqëndrimi i përkohshëm për të njëjtin qëllim mund të jepet për një periudhë deri në dy (2) vjet, ose deri në skadimin e lejeqëndrimit të përkohshëm i të huajit me të cilin është kërkuar ribashkimi familjar.

 

Neni 54

Qëndrimi autonom

1. Bashkëshortit, bashkëshortit jashtëmartesor dhe fëmiut i cili ka arritur moshën madhore, mund t’i jepet lejeqëndrim autonom, nëse ai plotëson kushtet nga nenit 48 paragrafi 1. nën-paragrafi 1.2. 1.3. 1.4. 1.5. dhe 1.6. të këtij ligji, në qoftë se atij i është dhënë lejeqëndrim i përkohshëm për qëllime të ribashkimit familjar për një periudhë të vazhdueshme prej tre (3) vitesh.

2. Përjashtimisht, një të huaji nga paragrafi 1. i këtij neni mund t’i jepet një qëndrim autonom nëse ai plotëson kushtet nga nenit 48, paragrafi 1., nën-paragrafi 1.2. 1.3. 1.4. 1.5. dhe 1.6 të këtij ligji dhe nëse atij/asaj i është dhënë lejeqëndrimi i përkohshëm për qëllim të ribashkimit familjar për një periudhë të vazhdueshme prej dy (2) vitesh dhe në rast se personi në bazë të së cilës atij i është dhënë lejeqëdrimi i përkohshëm me qëllim të ribashkimit familjar, ka vdekur.

3. Përjashtimisht, lejeqëndrimi autonom mund të lëshohet pas parashtrimit të kërkesës së personave që kanë hyrë në bazë të ribashkimit familjar, vejushisë, shkurorëzimit dhe ndarjes.

 

Neni 55

Të drejtat e të huajve me qëndrim të përkohshëm me qëllim të ribashkimit familjar dhe qëndrimit autonom

Të huajit të cilit i është dhënë lejeqëndrim i përkohshëm me qëllim të ribashkimit familjar dhe të huajit me qëndrim autonom nga neni 54 i këtij ligji, gëzon të drejtën për shkollim, aftësim profesional, punë dhe vetëpunësim.

 

Neni 56

Qëndrimi i përkohshëm me qëllim të arsimit parauniversitar

1. Lejeqëndrimi i përkohshëm për qëllim të arsimit parauniversitar, do t’i jepet një të huaji i cili krahas kushteve nga neni 48 i këtij ligji, përmbushë edhe kushtet e mëposhtme:

1.1. është regjistruar në institucionin arsimor;

1.2. merr pjesë në një program të shkëmbimit të nxënësve të miratuar nga ministria përgjegjëse për arsim;

1.3. paraqet pëlqimin e prindërve ose kujdestarit ligjor për qëndrimin e planifikuar, qëllimi i së cilës është arsimimi parauniversitar në Republikën e Kosovës;

1.4. ofron dëshmi se organizata e cila udhëheq programin e shkëmbimit të nxënësve është përgjegjëse për atë gjatë qëndrimit të tij në Republikën e Kosovës, veçanërisht në lidhje me mjetet e jetesës, të mësuarit, kujdesin shëndetësor dhe shpenzimet e kthimit dhe

1.5. familja tek e cila ai banon ligjshëm i përmbush kushtet në bazë të dispozitave të veçanta dhe është zgjedhur në bazë të programit të këmbimit të nxënësve.

2. Leje qëndrimi i përkohshëm për qëllime të arsimit parauniversitar lëshohet me afat vlefshmërie deri në një (1) vit.

 

Neni 57

Qëndrimi i përkohshëm me qëllim të arsimit të lartë

1. Lejeqëndrimi i përkohshëm me qëllim të arsimit të lartë do t’i jepet një të huaj i cili i plotëson kushtet nga nenit 48 i këtij ligji dhe plotëson kushtet e mëposhtme:

1.1. studion në një institucion të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës;

1.2. vjen në kuadër të shkëmbimit të studentëve dhe lëvizshmërisë së të rinjve;

1.3. vjen në praktikë të autorizuar nga organizata apo në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërmjet universiteteve.

2. Lejeqëndrimi i përkohshëm me qëllim arsimit të lartë lëshohet me afat vlefshmërie deri në një (1) vit, ose deri në fund të vitit akademik.

3. Kryerja e praktikës e të huajit nga paragrafi 1. i këtij neni nuk do të konsiderohet si punë në kuptim të dispozitave të këtij ligji.

 

Neni 58

Qëndrimi i përkohshëm me qëllim të kërkimit shkencor

1. Qëndrimi i përkohshëm me qëllim të kërkimit shkencor do t’i jepet të huajit i cili ka marrëveshje me një institucion të licencuar në Republikën e Kosovës për vizitë dhe plotëson kushtet e nenit 48 i këtij ligji.

2. Lejeqëndrimi i përkohshëm me qëllim të kërkimeve shkencore lëshohet me afat vlefshmërie deri në një (1) vit.

3. I huaji i cili ka marrëveshje me qëllim të kërkimeve shkencore me ndonjërin nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian apo shtetet të cilat janë pjesë e zonës Schengen, mund të qëndroj me qëllim të kërkimeve shkencore deri në nëntëdhjetë (90) ditë në Republikën e Kosovës pa marrëveshje sipas paragrafit 1. të këtij neni me kusht që t’i plotësojë kushtet nga neni 48 i këtij ligji.

 

Neni 59

Qëndrimi i përkohshëm për arsye humanitare

1. Qëndrimi i përkohshëm për arsye humanitare do t’i jepet një të huaji në rastet e mëposhtme:

1.1. nëse ai/ajo është viktimë e trafikimit me njerëz (në tekstin e mëtejmë viktimë) dhe ka pranuar programin e ndihmës dhe mbrojtjes;

1.2. nëse i mituri ka qenë i braktisur ose është viktimë e krimit të organizuar apo për ndonjë arsye tjetër, pa kujdes prindëror, kujdestari, apo pa përcjellje;

1.3. ka bashkëpunuar apo pranon të bashkëpunojë me autoritetet e drejtësisë apo me propozimin e autoriteteve të sigurisë shtetërore;

1.4. në qoftë se ai/ajo bashkëpunon me autoritetet dhe pjesëmarrja e tij është e nevojshme në procedurat penale kundër një punëdhënësi që e ka punësuar ilegalisht;

1.5. është grua shtatzënë mbi gjashtë (6) muaj; dhe

1.6. arsye tjera serioze humanitare.

2. I huaj nga paragrafi 1. i këtij neni përjashtohet nga përmbushja e kushteve nga neni 48 paragrafi 1. nën-paragrafi 1.3. dhe 1.4. të këtij ligji.

 

Neni 60

Viktimat e trafikimit me njerëz

Pas identifikimit të viktimës nga autoritetet e përcaktuara me ligjin përkatës për trafikim me njerëz, viktimave të trafikuara u jepet lejeqëndrim i përkohshëm.

 

Neni 61

Periudha e reflektimit dhe lëshimi i lejeqëndrimit

1. Republika e Kosovës duhet të siguroj që të huajve në fjalë duhet t’u lejohet një periudhë reflektuese që i lejon ata të rimarrin vetën dhe t’i ikin ndikimit të kryesve të veprave në mënyre që ata të marrin një vendim të bazuar në informacion nëse do të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente. Kohëzgjatja e periudhës reflektuese duhet të jetë prej tridhjetë (30) deri në nëntëdhjetë (90) ditë dhe se pika filluese e kësaj periudhe do të llogaritet nga moment kur çështja iu është referuar njësisë përkatëse kundër trafikimit me njerëz.

2. Gjatë periudhës reflektuese dhe gjatë pritjes së vendimit nga autoriteti kompetent, i huaji do të ketë qasje në trajtimin e referuar në paragrafin 1. të nenit 62 të këtij ligji dhe kur është e përshtatshme qasje në asistencë psikologjike, shërbime të përkthimit dhe interpretimit, sigurisë, nevojën për mbrojtje, ndihme ligjore falas sipas ligjit në fuqi.

3. Republika e Kosovës mund që në çdo kohë të përfundojë periudhën e reflektimit nëse autoritetet kompetente kanë gjetur që personi në fjalë në mënyre aktive, vullnetarisht dhe me iniciativën e tij/saj i ka ripërtërirë kontaktin me kryerësit e veprave apo për arsyet të lidhura me politikat publike dhe mbrojtjen e sigurisë shtetërore.

4. Pasi të ketë përfunduar periudha e reflektimit, me kërkesë të autoriteteve kompetente do të lëshohet lejëqendrimi për së paku gjashtë (6) muaj dhe do të ripërtërihet nëse kushtet përkatëse vazhdojnë të përmbushen.

 

Neni 62

Të drejtat e viktimave të trafikimit me njerëz të cilëve iu është dhënë lejeqëndrimi i përkohshëm

1. Viktimës të cilës i është lejuar qëndrimi i përkohshëm, ka të drejtë për strehim të sigurt, kujdes shëndetësor, ndihmë financiare, arsim dhe punë sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

2. Kujdes i veçantë duhet pasur për gratë shtatzëna dhe njerëzit me aftësi të kufizuara si grupe të viktimave veçanërisht të ndjeshme.

3. Të huajit të cilit i është dhënë qëndrimi i përkohshëm për shkaqe humanitare në pajtim me nenin 59 paragrafi 1. nën-paragrafi 1.4. dhe 1.5. do të ushtrojnë të drejtat e tyre sipas paragrafit 1. të këtij neni.

 

Neni 63

Interesi me i mirë i viktimave të mitur të trafikimit me njerëz

1. Autoritetet e përfshira në parandalimin, luftimin dhe mbrojtjen e viktimave të mitura, do të marrin parasysh interesat më të mira të të miturit.

2. Për viktimën e mitur sipas paragrafit 1. të këtij neni merren masat e nevojshme në interesin më të mirë të fëmijës, qasja në sistemin e arsimit dhe masat e nevojshme duhet të merren për të përcaktuar identitetin, shtetësinë dhe për të gjetur anëtarët e tjerë të familjes.

 

Neni 64

Kthimi i viktimës së trafikuar

1. Kthimin e sigurt të të huajit që e gëzon statusin e viktimës e bën MPB-ja, duke u kujdesur për të drejtat e tij, sigurinë dhe dinjitetin. Kthimi sipas mundësisë duhet të jetë vullnetar dhe parimi i moskthimit duhet të merret çdo herë në konsideratë.

2. Të miturit të cilët janë viktima të trafikimit me njerëz nuk do të kthehen në asnjë shtet tjetër, nëse pas vlerësimit të rrezikshmërisë dhe sigurisë dyshohet që kthimi i tillë nuk do të jetë në interesin më të mirë për të miturin.

 

Neni 65

Përfundimi i lejeqëndrimit të përkohshëm për viktimat e trafikuara

1. Qëndrimi i përkohshëm për arsye humanitare, i përfundon viktimës në qoftë se:

1.1. e ka humbur statusin e viktimës;

1.2. vërtetohet se ai/ajo abuzon me statusin e viktimës apo ai /ajo marrë atë me mashtrim, pushon bashkëpunimin me autoritete kompetente dhe kur autoritetet kompetente e përfundojnë procedurën;

1.3. atë e kërkojnë arsyet për mbrojtjen e rendit publik, sigurisë shtetërore dhe shëndetit publik.

2. Me rastin e marrjes së vendimit përfundimtar për qëndrimin e përkohshëm të viktimës së mitur do të kërkohet mendimi i autoriteteve kompetente për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz.

3. Qëndrimi i përkohshëm për arsye humanitare në bazë të nenit 59 paragrafi 1. nën-paragrafi 1.2. 1.3. 1.4. 1.5. 1.6. dhe 1.7. të këtij ligji përfundon në qoftë se përfundon qëllimi për të cilin të huajit i është dhënë qëndrimi i përkohshëm ose atë e kërkon mbrojtja e rendit publik, sigurisë shtetërore dhe shëndetit publik.

4. Kundër vendimit nga paragrafi 1. dhe 3. të këtij neni mund të ushtrohet ankesë, për të cilën vendos Komisioni i Ankesave.

 

Neni 66

Revokimi i qëndrimit të përkohshëm

1. Qëndrimi i përkohshëm i revokohet të huajit nëse:

1.1. pushojnë kushtet për dhënien e qëndrimit të përkohshëm sipas nenit 48 të këtij ligji;

1.2. në qoftë se brenda tridhjetë (30) ditëve pas miratimit të qëndrimit të përkohshëm nuk e lajmëron vendbanimin;

1.3. qëndron jashtë territorit të Republikës së Kosovës për më shumë se tridhjetë (30) ditë pandërprerë;

1.4. nëse qëndrimi i tij në Republikën e Kosovës është në kundërshtim me qëllimin e qëndrimit të përkohshëm.

2. Vendimi sipas paragrafit 1. nën-paragrafin 1.2. dhe 1.3. të këtij neni mund të merret pa një dëgjim paraprak të të huajit, përderisa paraprakisht ai ka qenë i njoftuar se ndaj tij është duke u zhvilluar procedura për revokimin e qëndrimit të përkohshëm.

3. Kundër vendimit sipas paragrafit 1. të këtij neni, mund të parashtrohet ankesë në Komision të Ankesave.

4. Përjashtimisht nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.3. i këtij neni, i huaji i cili nëntëdhjetë (90) ditë për shkaqe të arsyeshme qëndron jashtë Republikës së Kosovës, qëndrimi i përkohshëm nuk do t’i revokohet vetëm nëse e njofton DSHAM-in ose Policinë Kufitare, jo më vonë se dhjetë (10) ditë nga data e kthimit në Republikën e Kosovës.

 

Neni 67

Puna e të huajve në Republikën e Kosovës

1. I huaji në Republikën e Kosovës mund të punojë në bazë të lejes së dhënë për qëndrim dhe punë ose vërtetimit për lajmërimin e punës, nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe.

2. Lejeqëndrimi për punë mund të lëshohet në bazë të kuotës vjetore ose jashtë saj.

3. Përjashtohen nga pajisja me leje pune dhe vërtetimi për lajmërimin e punës të huajit me:

3.1. qëndrim të përhershëm;

3.2. me status të refugjatit, apo mbrojtje të përkohshme ose plotësuese;

3.3. me qëndrim të përkohshëm me qëllim të ribashkimit familjar me shtetas të Republikës së Kosovës, me të huaj me qëndrim të përhershëm, me të huaj me status të refugjatit, si dhe të huaj të cilëve iu është aprovuar mbrojtja plotësuese ose mbrojtja e përkohshme;

3.4. qëndrim të përkohshëm për arsye humanitare;

3.5. qëndrim autonom;

3.6. status të nxënësit ose studentit të rregullt, kur i kryejnë punët përmes ndërmjetësuesit të autorizuar, pa themelim të marrëdhënies së punës;

3.7. qëndrim të përkohshëm me qëllim të kërkimit shkencor nga neni 58 i këtij ligji.

4. Punë në kuptim të këtij ligji, nuk konsiderohet kryerja e veprimeve paraprake për themelimin dhe regjistrimin e shoqërisë ose qarkullimit tregtar.

5. I huaji mund të punojë në Republikën e Kosovës vetëm në ato punë për të cilat i është lëshuar lejeqëndrimi për punë ose vërtetimi për lajmërimin e punës dhe vetëm tek ai punëdhënës, me të cilin është themeluar marrëdhënia e punës.

6. Punëdhënësi mund ta punësojë të huajin vetëm në ato punë, për të cilat i është dhënë lejeqëndrimi për punë, respektivisht vërtetimi për lajmërimin e punës.

7. Punëdhënësi nuk mund ta punësojë të huajin, i cili në mënyrë të paligjshme qëndron në Republikën e Kosovës.

8. Nëse shtetasi i huaj e ka paraqitur lejen e pavlefshme nga paragrafi 7. i këtij neni, punëdhënësi nuk do të konsiderohet fajtor për punësimin e shtetasit të huaj, i cili në mënyrë të paligjshme qëndron në Republikën e Kosovës, përveç nëse punëdhënësi e ka ditur se dokumenti i paraqitur si lejeqëndrim dhe i punës nuk është në rregull dhe i vlefshëm.

9. Punëdhënësi, i cili e punëson të huajin nga paragrafi 3. i këtij neni, është i obliguar që në afatin prej tetë (8) ditësh nga dita e themelimit të marrëdhënies së punës ose fillimit të punës, për këtë ta informojë MPMS-në, e cila për këtë duhet ta njoftoj MPB-në.

10. Dispozitat e këtij neni që kanë të bëjnë me punëdhënësin në mënyrë adekuate zbatohen edhe tek nënkontraktori.

 

Neni 68

Kuota vjetore e punësimit të shtetasve të huaj

1. Me Vendim Qeveria e Republikës së Kosovës e përcakton kuotën vjetore të punësimit të të huajve jo më vonë se deri më 31 tetor për vitin e ardhshëm për vazhdimin e lejeve të lëshuara dhe punësimin e ri. Kuota vjetore e punësimit për të huajt duhet të bëhet publike.

2. Propozimin e kuotës vjetore për punësimin e të huajve e harton MPMS-ja në bazë të rekomandimit të Këshillit Ekonomiko-Social.

3. Kuota vjetore për punësimin e të huajve përcaktohet në harmoni me politikën e migracionit dhe gjendjen në tregun e punës, në përputhje me nevojat dhe mundësitë e punësimit të të huajve në Republikën e Kosovës.

4. Me kuotën vjetore për punësimin e të huajve përcaktohen veprimtaritë dhe profesionet, në të cilat lejohet punësimi i ri, si dhe numri i lejeve për secilën veprimtari dhe profesion.

5. Me kuotën vjetore për punësimin e të huajve mund të përcaktohet edhe kuota për punësim sezonal.

 

Neni 69

Lejeqëndrimi për punë në bazë të kuotës vjetore për punësimin e të huajve

1. Lejeqëndrimi për punë në bazë të kuotës vjetore nga neni 68 i këtij ligji, do t’i lejohet të huajit, i cili i plotëson kushtet nga neni 48 i këtij ligji dhe duhet t’ia bashkëngjis:

1.1. kontratën e punës, respektivisht vërtetimin me shkrim për lidhjen e kontratës për punë ose dëshminë adekuate të punës;

1.2. dëshminë mbi arsimimin, kualifikimin e fituar dhe aftësimin e të huajit;

1.3. dëshminë mbi regjistrimin e shoqërisë tregtare, shoqatës, një filial, degë, biznes, përfaqësi dhe organizatë në Republikën e Kosovës.

 

Neni 70

Lejeqëndrimi për punë jashtë kuotës vjetore

1. Lejeqëndrimi për punë jashtë kuotës vjetore mund të lëshohet:

1.1. emigrantëve ditor me kushte të reciprocitetit;

1.2. personelit kyç, ofruesve të shërbimeve, punëtorëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre, statusi i të cilëve është i rregulluar me Marrëveshjen e Stabilizimit Asociimit dhe bashkëveprimit në mes të Bashkimit Evropian e shteteve të saj dhe të Republikës së Kosovës;

1.3. të huajve që punojnë në kompanitë private të cilat janë nënkontraktorë të misioneve diplomatike që veprojnë në Republikën e Kosovës;

1.4. të huajve që kryejnë punët kryesore në shoqëritë tregtare, shoqatave dhe përfaqësive;

1.5. të huajve që janë transferuar në kuadër të transferit të brendshëm të personelit në kuadër të shoqërive tregtare dhe personelit tjetër të domosdoshëm të përcaktuar paraprakisht me kontratë;

1.6. të huajve që vetëpunësohen në shoqërinë e vetë tregtare ose në shoqërinë tregtare, në të cilën ka pjesëmarrje të pasurisë së tij më të madhe se 51% ose qarkullim të vetin;

1.7. mësimdhënësve të cilët japin mësim në institucionet shkollore në gjuhën dhe shkrimin e pakicave kombëtare;

1.8. sportistëve profesionistë ose veprimtarëve-punëtorë sportiv, të cilët punojnë në Republikën e Kosovës;

1.9. artistëve që punojnë në institucionet e kulturës në Republikën e Kosovës;

1.10. të huajve, të cilët kanë themeluar marrëdhënie pune në korporatat, të cilat janë të regjistruara si korporata të huaja në Republikën e Kosovës dhe më së paku edhe në tri (3) shtete tjera;

1.11. të huajve që punojnë në bazë të programit të lëvizshmërisë së të rinjve, të cilat Republika e Kosovës i realizon në bashkëpunim me shtetet tjera;

1.12. kërkuesve shkencorë, të huajve që punësohen në vendet shkencore të punës, shkencorë-arsimore ose vendet tjera kërkimore të punës tek personat juridik shkencor;

1.13. profesorëve të gjuhëve të huaja, ligjëruesve dhe arsimtarëve të tjerë të cilët japin mësim në institucionet e larta arsimore në Republikën e Kosovës ose në shkollat e regjistruara të gjuhëve të huaja;

1.14. të huajve që punojnë në bazë të kontratave ndërkombëtare, përveç kontratës nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.2. të këtij neni.

2. Personi, që kryen punët kyçe në shoqërinë tregtare, shoqatën ose përfaqësinë e shoqërisë së jashtme tregtare në kuptim të paragrafit 1. nën-paragrafi 1.4. të këtij neni, konsiderohet personi:

2.1. personi, i cili në shoqërinë tregtare, shoqatën ose përfaqësinë ka pozitë të lartë, personi që udhëheqë me afarizëm, personi që gjendet nën mbikëqyrjen e përgjithshme ose në udhëheqjen e drejtorisë ose aksionarit, respektivisht anëtari i shoqërisë tregtare si dhe personi i cili kryen përgjegjësi të barabartë, duke përfshirë:

2.1.1. udhëheqjen e punës së repartit ose nën-repartit të shoqërisë tregtare;

2.1.2. përcjelljen dhe mbikëqyrjen e punës të punëtorëve të tjerë, respektivisht kryerjen e punëve mbikëqyrëse ose udhëheqëse;

2.1.3. autorizimin për punësim dhe shkarkimin e punëtorëve, respektivisht dhënies së rekomandimeve që janë të lidhura me punësim, shkarkimin ose punëve të tjera kadrovike.

2.2. personi që punon në shoqërinë tregtare, shoqatën ose përfaqësinë, i cili posedon aftësi të posaçme profesionale ose aftësi të nevojshme për ofrimin e shërbimeve, përdorimin e mjeteve për kërkime, pranimin e teknikave ose udhëheqjen e afarizmit të shoqërisë tregtare, shoqatës ose përfaqësisë.

 

Neni 71

Kushtet për marrjen e lejeqëndrimit për punë jashtë kuotës vjetore

1. Lejeqëndrimi për punë nga neni 70 i këtij ligji, mund t’i jepet të huajit nëse i ka plotësuar kushtet e parapara në nenin 48 të këtij ligji, dhe duhet të bashkëngjis:

1.1. kontratën e punës, respektivisht vërtetimin me shkrim për lidhjen e kontratës për punë ose dëshminë adekuate të punës;

1.2. dëshminë mbi arsimimin, kualifikimin e fituar dhe aftësimin e të huajit;

1.3. dëshminë mbi regjistrimin e shoqërisë tregtare, shoqatës, një filial, degë, biznes, përfaqësi dhe organizatë në Republikën e Kosovës;

1.4. arsyetimin për punësimin e të huajit që përmban shënimet për aftësitë dhe kualifikimet profesionale dhe përvojën e punës së të huajit si dhe arsyetimin përse vendi i punës nuk mund të plotësohet nga fuqia punëtore prej tregut të punës në Republikën e Kosovës.

2. Me kërkesën për lëshimin e lejeqëndrimit për punë nga neni 70 paragrafi 1. nën-paragrafi 1.1. 1.2. 1.4. 1.5. dhe 1.6. i këtij ligji nuk është e nevojshme që t’i bashkëngjitet arsyetimi mbi arsyeshmërinë e punësimit të shtetasit të huaj.

 

Neni 72

Kushtet për marrjen e lejeqëndrimit për punë jashtë kuotës vjetore për të huajt qe kryejnë detyra madhore për kompanitë tregtare, asociacionet dhe përfaqësitë

1. Të huajit nga neni 70 paragrafi 1. nën-paragrafi 1.4. i këtij ligji, lejeqëndrimi për punë mund t’i lëshohet, nëse i plotëson kushtet e parapara në nenin 71 të këtij ligji dhe nëse:

1.1. paraqet dëshmi mbi regjistrimin e shoqërisë tregtare;

1.2. në shoqërinë tregtare, shoqatën ose përfaqësinë e huaj ka të punësuar së paku tre (3) shtetas të Republikës së Kosovës në punët e ndryshme, duke filluar nga punët e përfaqësuesit, anëtar i drejtorisë ose i organit mbikëqyrës;

1.3. pagesa është e njëjtë me vlerën e pagës minimale në Republikën e Kosovës, të përcaktuar në vitin e kaluar.

2. Nëse më shumë të huaj nga paragrafi 1. i këtij neni, i kryen punët kyçe për të njëjtin punëdhënës, lejeqëndrimi për punë mund t’i lëshohet, nëse:

2.1. janë të punësuar për çdo shtetas të huaj më së paku pesë (5) shtetas të Republikës së Kosovës në punët e ndryshme, duke filluar nga përfaqësuesi, anëtari i drejtorisë ose organit mbikëqyrës;

2.2. paraqet dëshmi mbi regjistrimin e shoqërisë tregtare;

2.3. pagesa është e njëjtë me vlerën e pagës mesatare në Republikën e Kosovës, të përcaktuar në vitin e kaluar.

3. Të huajit nga neni 70 paragrafi 1. nën-paragrafi 1.6. i këtij ligji, lejeqëndrimi për punë do t’i lëshohet nëse i plotëson kushtet nga neni 71 i këtij ligji dhe nëse:

3.1. paraqet dëshmi mbi regjistrimin e shoqërisë tregtare;

3.2. janë të punësuar së paku tre (3) shtetas të Republikës së Kosovës;

3.3. pagesa është e njëjtë me vlerën e pagës minimale në Republikën e Kosovës, të përcaktuar në vitin e kaluar;

3.4. dëshminë mbi kryerjen e obligimeve tatimore dhe kontributet në Republikën e Kosovës.

 

Neni 73

Kushtet për marrjen e lejeqëndrimit për punë jashtë kuotës vjetore për të huajt statusi i të cilëve është i rregulluar përmes Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit si dhe ndërveprimit ndërmjet Bashkimit Evropian, shteteve të tij dhe Republikës së Kosovës

1. Lejeqëndrimi për punë jashtë kuotës vjetore mund t’i lëshohet shtetasit të huaj që i plotëson kushtet nga neni 48 i këtij ligji dhe:

1.1. që kryen punët kyçe në pajtim me nenin 70 nën-paragrafi 1.2. i këtij ligji, në shoqërinë tregtare e cila është bartëse e masave nxitëse në pajtim me dispozitën për joshjen e investimeve, ose që e ka pjesën e pasurisë prej më së paku 51% ose;

1.2. i cili në Republikën e Kosovës kryen punë ose udhëheq projekte në bazë të kontratave ndërkombëtare mbi ndihmën profesionale dhe teknike, të cilat Republika e Kosovës i ka lidhur me Bashkimin Evropian, me një shtet tjetër ose me një organizatë ndërkombëtare.

 

Neni 74

Vendimi për dhënien e lejeqëndrimit për punë

1. Lidhur me kërkesën për lëshimin e lejeqëndimit për punë vendos DSHAM-i, pas konfirmimit për lejimin e punës nga MPMS-ja. Kundër vendimit mund të ushtrohet ankesë brenda tetë (8) ditëve nga pranimi i vendimit, për të cilën vendos Komisioni i Ankesave.

2. Lejeqëndrimi për punë i lëshohet shtetasit të huaj për kohën sa është e nevojshme për kryerjen e punëve, respektivisht për kohën për të cilin është lidhur kontrata e punës ose kontrata tjetër përkatëse, e më së gjati deri një (1) vit.

3. Përjashtimisht nga paragrafi 2. i këtij neni, lejeqëndrimi për punë të huajit nga neni 70 paragrafi 1. nën-paragrafi 1.5. të këtij ligji i lëshohet me afat të vlefshmërisë prej dy (2) vitesh, nëse nuk është kërkuar periudha më e shkurtër e lëshimit të lejeqëndrimit për punë.

4. Shtetasi i huaj, të cili i është lëshuar lejeqëndrimi për punë për shkak të kryerjes së punëve sezonale, mund të qëndrojë në Republikën e Kosovës më së gjati gjashtë (6) muaj, në periudhën kohore prej një (1) viti dhe patjetër duhet të qëndrojë jashtë Republikës së Kosovës më së paku gjashtë (6) muaj, para se t’i i bëhet përsëri e mundur hyrja dhe qëndrimi me qëllim të punës.

5. Punëdhënësi dhe Administrata Tatimore në bazë të selisë së personit juridik ose vendbanimit të personit fizik, i cili i shfrytëzon shërbimet e të huajit ose vendit ku puna e kontraktuar do të kryhet do të njoftohen nga DSHAM-i për dhënien e lejeqëndrimit për punë.

 

Neni 75

Refuzimi i lëshimit të lejeqëndrimit për punë

Të huajit mund t’i refuzohet lëshimi i lejeqëndrimit për punë, me qëllim të sigurisë shëndetësore, nëse punëdhënësi i shkelë dispozitat e punës dhe mbrojtës në punë, sigurimit shëndetësor dhe pensional ose në rast se i huaji ose punëdhënësi nuk e ka paguar dënimin e shqiptuar me para.

 

Neni 76

Vërtetimi për lajmërimin e punës

1. Në bazë të vërtetimit për lajmërimin e punës, deri në nëntëdhjetë (90) ditë brenda një (1) viti, mund të punojnë të huajt si vijon:

1.1. përfaqësuesi tregtar, personeli kryesor dhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës të shoqërisë tregtare, të cilët i kryejnë punët për shoqërinë tregtare, por nuk janë në marrëdhënie pune;

1.2. ofruesit e shërbimeve në turizëm, përfaqësuesit turistik, respektivisht animatorët në pajtim me dispozitat e posaçme;

1.3. shkencëtarët në aftësimin shkencor dhe profesional, shkencëtarët –përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shkencëtarët që do të marrin pjesë në realizimin e projekteve shkencore, të rëndësishëm për Republikën e Kosovës;

1.4. personeli udhëheqës, ekspertët, arsimtarët dhe ligjëruesit e institucioneve të jashtme kulturore, arsimore dhe shkencore, të cilët në Republikën e Kosovës i kryejnë punët në kuadër të programeve të bashkëpunimit kulturor dhe arsimor, si dhe personeli udhëheqës, ekspertët, arsimtarët dhe ligjëruesit e institucioneve të jashtme kulturore, arsimore dhe shkencore, të cilët në Republikën e Kosovës i kanë shoqatat e veta, nëse vijnë nga institucioni amë;

1.5. zyrtarët civil dhe ushtarak të qeverive të shteteve tjera, të cilët në Republikën e Kosovës vijnë të punojnë në bazë të kontratës së bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Kosovës;

1.6. korrespondentët e jashtëm, të akredituar në Republikën e Kosovës ose reporterët e medieve të huaja;

1.7. përfaqësuesit dhe personeli i bashkësive fetare, të cilët i kryejnë punët ekskluzivisht të lidhura me shërbimin fetar mirëbërës;

1.8. studentët, të cilët në unionet ose institucionet e Kosovës vijnë për punë vullnetare në kampet punuese ose në programet arsimore dhe të punës, respektivisht, të cilët vijnë në praktikë në misionet diplomatike dhe konsullore, të akredituara në Republikën e Kosovës;

1.9. vullnetarët, të cilët punojnë në unionet dhe institucionet jo fitimprurëse në Republikën e Kosovës në pajtim me dispozitat e posaçme, respektivisht në bazë të programeve të shkëmbimit dhe bashkëpunimit vullnetar;

1.10. shtetasit e huaj, të cilët në Republikën e Kosovës vijnë ta kryejnë stazhin ushtrimor në shoqëritë tregtare, shoqatat ose përfaqësitë, të cilët janë pronarë të firmës tregtare të jashtme, nëse ata të huaj vijnë nga ajo firmë në seli, respektivisht nga përfaqësia ose shoqata e saj në një shtet tjetër;

1.11. të huajt që i kryejnë punët e mbikëqyrjes dhe inspeksionit të riparimit dhe ndërtimit të anijeve, respektivisht të huajt që i kryejnë punët e mbikëqyrjes ose inspeksionit të prodhimit, të pajisjeve montazhe, të makinerisë dhe instrumenteve tjera, në bazë të kontratës mbi eksportimin ose porosinë e porositësit të huaj;

1.12. të huajt që e kryejnë praktikën, aftësimin ose punën vullnetare në kuadër të Programit të Bashkëpunimit, Programit për mësim gjatë tërë jetës dhe Programit të Rinjve në Veprim, pastaj të programeve dhe iniciativave tjera, të cilat i zbaton organi i arsimit dhe shkencës;

1.13. ekspertët në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, të letërsisë dhe arkivave;

1.14. të huajt, që kryejnë mësimin profesional, aftësimin dhe shkollimin e të punësuarve të personat fizik dhe juridik në Republikën e Kosovës;

1.15. të huajt, të cilët i kryejnë punët e lidhura me porositë, montazhet ose servisimin e makinave ose pajisjeve, ndërsa puna e tyre është kusht për realizimin e të drejtave të tyre garantuese ose është e lidhur me porosinë e makinerisë ose pajisjeve;

1.16. të huajt, të cilët aftësohen profesionalisht te personi juridik me seli në Republikën e Kosovës, i cili është i lidhur me punëdhënësin e jashtëm;

1.17. nxënësit, të cilët përmes të organizatës së autorizuar ose përmes të programit të shkëmbimit të nxënësve vijnë në praktikë.

2. Shtetasve të huaj nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.3. 1.4. 1.5. 1.6. 1.7. 1.8. 1.9. 1.10. 1.11. 1.12. 1.13. 1.14. dhe 1.15. të këtij neni, të cilët kanë për qëllim të qëndrojnë për punë në Republikën e Kosovës më gjatë se nëntëdhjetë (90) ditë, mund t’iu lëshohet lejeqëndrimi për punë jashtë kuotës vjetore, nëse i plotësojnë kushtet nga neni 48 i këtij ligji.

3. Në bazë të vërtetimit për lajmërimin e punës, deri në gjashtëdhjetë (60) ditë brenda një (1) viti, mund të punojnë të huajt si vijon:

3.1. ofruesit e shërbimeve të revizioneve dhe konsulencës;

3.2. ligjëruesit që marrin pjesë në tubimet dhe seminaret e organizuar profesional;

3.3. artistët dhe personeli teknik, për shfaqjet e operave, baletit, teatrit, koncerteve dhe shfaqjeve tjera kulturore, respektivisht autorët dhe ekzekutuesit në fushën e artit të filmit dhe televizionit;

3.4. punëtorët në parqet e cirkut dhe ato zbavitëse.

4. Në bazë të vërtetimit mbi lajmërimin e punës, deri në tridhjetë (30) ditë gjatë vitit, mund të punojnë shtetasit e huaj siç vijon:

4.1. autorët dhe ekzekutuesit në fushën e muzikës, muzikës së skenës dhe artit të vallëzimit si dhe ekzekutuesit përcjellës, personeli teknik;

4.2. në shfaqjet e panairit dhe ekspozitës, në të cilat ekzekuton punëdhënësi i tyre.

5. Lajmërimi nga paragrafi 1. 3. dhe 4. i këtij neni bëhet në MPMS, e cila i lëshon një vërtetim për lajmërimin e punës dhe menjëherë e njofton Administratën Tatimore, DSHAM-in, dhe Policinë Kufitare.

6. Në bazë të vërtetimit për lajmërimin e punës, i huaji mund të punoj për të njëjtin punëdhënës ose marrësin e shërbimeve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

7. Personi juridik ose fizik, i cili punëson ose i shfrytëzon shërbimet e shtetasit të huaj nga ky nen, duhet të ketë të lidhur kontratën adekuate ose dëshminë tjetër për kryerjen e punëve me shtetasin e huaj ose punëdhënësin e jashtëm, i cili e dërgon shtetasin e huaj në punë në Republikën e Kosovës.

8. Nëse shtetasit e huaj, të cilët në Republikën e Kosovës paraqitën në shfaqjet dhe garat sportive, si përfaqësues të ekipeve, klubeve të jashtme ose reprezentacioneve shtetërore, nuk aplikohet paragrafi 5. dhe 7. i këtij neni.

 

Neni 77

Punëtori i sistemuar

1. Punëtori i sistemuar është punëtori, të cilin punëdhënësi i huaj e ka sistemuar në Republikën e Kosovës në kuadër të punës së përkohshme ose të kohëpaskohshme përmes ofrimit të shërbimeve ndërkufitare në periudhë të kufizuar kohore, sipas njërës prej rrethanave në vijim:

1.1. e dërgon në punë në Republikën e Kosovës në llogari të vetë dhe në udhëheqje të vetën, në bazë të kontratës së lidhur në mes të punëdhënësit të jashtëm dhe punëtorit, ekziston marrëdhënia e punës ose;

1.2. e dërgon në Republikën e Kosovës në shoqatën e tij ose në shoqërinë që është pronë e të njëjtit grup, të cilës i përket edhe punëdhënësi i huaj, me kusht që në kohën e dërgimit në mes të punëdhënësit të huaj dhe punëtorit të ekzistojë marrëdhënia e punës;

1.3. të paraqitet si agjenci për punësim të përkohshëm, shfrytëzuesit që është themeluar ose vepron në Republikën e Kosovës, me kusht që me rastin e paraqitjes të ekzistoj marrëdhënia e punës në mes të agjencisë për punësim të përkohshëm dhe punëtorit.

2. Punëtori i sistemuar nga ky nen i cili qëndron më shumë se tre (3) muaj në Republikën e Kosovës duhet të pajiset me lejeqëndrim për punë në përputhje me nenin 41 nënparagrafin 1.6. të këtij ligji.

3. Puna dhe kushtet e punës të referuara në këtë ligj nuk do të zbatohen për punëtorin e aftësuar të dërguar nga ana e punëdhënësit të huaj në Republikën e Kosovës për një periudhë më të shkurtër se tetë (8) ditë, nëse punëdhënësi i huaj, i cili bën sistemimin për bërjen e vendosjes së parë, të nevojshme për marrjen e të mirave që janë në përdorim, dhe i cili është i kontraktuar, si një pjesë e rëndësishme e kontratës për furnizim me të mira.

4. Për punëtoret, të cilët punëdhënësi i huaj do t’i dërgoj në Republikën e Kosovës në punët e konstruksionit të lidhura me konstruksionin, riparimin, mirëmbajtjen, apo shkatërrimin e ndërtesave posaçërisht punët e mihjes, punët e tokës, punët e rënda të konstruksionit, montimit dhe demontimit të instalimeve, renovimeve, shkatërrimeve, mirëmbajtjes së rregullt, pastrimit dhe përparimit, nuk do të aplikohet paragrafi 3. i këtij neni.

 

Neni 78

Periudha referuese

1. Periudha kohore në të cilën punëtori është sistemuar sipas nenit 77 të këtij ligji në punë, në Republikën e Kosovës llogaritet në bazë të periudhës referuese prej një (1) viti, nga fillimi i dërgimit.

2. Me qëllim të llogaritjes së afatit kohor të dërgimit, merren parasysh të gjitha periudhat e mëhershme, në të cilat puna e njëjtë për punëdhënësin e huaj e ka kryer secili punëtor i sistemuar.

 

Neni 79

Mbrojtja ligjore dhe bashkëpunimi

1. Për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave dhe kushteve të përcaktuara nga neni 77 të këtij ligji, punëtori i sistemuar mundet kundër personit fizik ose juridik punëdhënës i huaj, respektivisht marrësit të shërbimeve në Republikën e Kosovës të inicioj procedurë gjyqësore në Gjykatën Themelore, në përputhje me legjislacionin përkatës në Republikën e Kosovës.

2. Me qëllim të informimit për realizimin dhe shtrirjen e të drejtave të përcaktuara në nenin 77 të këtij ligji dhe bashkëpunimit të duhur ndërkombëtar, MPMS do ta sigurojë bashkëpunimin administrativ dhe ndihmën e ndërsjellët, në mënyrë që kushtet e punës të jenë të kapshme për të gjithë të interesuarit.

 

Neni 80

Deklarata për dërgim

1. Punëdhënësi i huaj nga neni 77 i këtij ligji, është i obliguar që para fillimit të dërgimit ta paraqes deklaratën për dërgim, e cila duhet të përmbajë:

1.1. emrin dhe selinë, respektivisht emrin dhe mbiemrin, adresën e punëdhënësit të huaj dhe shënimet kontaktuese;

1.2. emrin dhe mbiemrin e punëtorit të sistemuar dhe shënimet për shtetin, në të cilin zakonisht punon;

1.3. fillimin dhe periudhën kohore të paraparë për dërgim;

1.4. emrin dhe selinë respektivisht emrin dhe mbiemrin, adresën e shfrytëzuesit të shërbimeve, vendin e ofrimit të shërbimeve dhe përshkrimin e shkurtër të shërbimeve;

1.5. të dhënat e datës së lëshimit, afatin e vlefshmërisë, numrin dhe organin kompetent, i cili e ka lëshuar lejen e vlefshme të qëndrimit dhe lejen për punëtorin e sistemuar nga neni 76 paragrafi 4. i këtij ligji sipas legjislacionit përkatës në Republikën e Kosovës, në të cilin punëdhënësi i huaj e kryen veprimtarinë.

2. Punëdhënësi i huaj nga neni 77 i këtij ligji është i obliguar që me rastin e zgjatjes së afatit për dërgim ta paraqes çdo ndryshim nga paragrafi 1. i këtij neni.

3. Deklarata nga paragrafi 1. i këtij neni i paraqitet me shkrim ose në mënyrë elektronike organit, i cili me dispozitat e posaçme është caktuar si organ i autorizuar për koordinimin e sistemit të sigurimit social në Republikën e Kosovës.

 

Neni 81

Revokimi i lejeqëndrimit për punë

1. Lejeqëndrimi për punë revokohet nëse:

1.1. janë plotësuar kushtet nga neni 66 paragrafi 1. i këtij ligji;

1.2. pushojnë kushtet, në bazë të cilave është lëshuar;

1.3 i huaji i kryen punët, për të cilat nuk i është lëshuar lejeqëndrimi për punë;

1.4. i huaji punon për punëdhënësin, për të cilin nuk i është lëshuar lejeqëndrimi për punë;

1.5. punëdhënësi apo i huaji nuk i respektojnë dispozitat nga marrëdhënia e punës, mbrojtjes dhe sigurisë në punë, të sigurimit shëndetësor dhe pensional, në bazë të cilave veprimtaria patjetër duhet të kryhet;

1.6. punëdhënësi ka refuzuar të punësojë një punëkërkues të papunë, ofruar nga zyra e punësimit, i cili plotësonte kushtet e përcaktuara nga autoritetet shtetërore përgjegjëse, sipas dispozitave të këtij ligji;

1.7. është lëshuar në bazë të të dhënave të pavërtetuara për punëtorin apo punëdhënësin;

1.8. pagat e marra nga punëtorët kanë qenë nën nivelin e përcaktuar me aktet nënligjore të nxjerra nga Qeveria;

1.9. punëdhënësi nuk ka shlyer detyrimet për taksat dhe kontributet e sigurimeve të detyrueshme;

1.10. ka arsye të rëndësishme, që përbëjnë rrezik për rendin, sigurinë dhe shëndetin publik të Republikës së Kosovës, me përjashtim të rasteve kur gjendja shëndetësore e të huajit nuk ka ndikim në punën, për të cilën ai rekrutohet;

1.11. i huaji largohet nga Republika e Kosovës për një periudhë më gjatë se gjashtë (6) muaj.

2. Revokimin e lejeqëndrimit për punë e bën DSHAM-i.

3. Kundër vendimit të DSHAM-it nga paragrafi 2. i këtij neni, mund të ushtrohet ankesë sipas nenit 44 paragrafi 2. të këtij ligji.

 

Neni 82

Qëndrimi në rast të ndërprerjes së kontratës

1. Të huajit, të cilit pa fajin e tij i është ndërprerë kontrata e punës ose kontrata tjetër përkatëse, ka të drejtë të qëndrojë në Republikën e Kosovës deri në skadimin e afatit të lejeqëndrimit për punë.

2. Në rast të ndërprerjes së kontratës së punës ose kontratës tjetër përkatëse, ndërprerjes së ekzistimit të kushteve të tjera, në bazë të cilave është lëshuar lejeqëndrimi për punë, punëdhënësi dhe i huaji janë të obliguar që ta lajmërojnë DSHAM-në, në afatin prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e paraqitjes së atyre rrethanave.

 

Neni 83

E drejta në trajtim të barabartë

1. I huaji i cili punon në Republikën e Kosovës gëzon trajtim të barabartë sikurse shtetasit e Republikës së Kosovës në:

1.1. kushtet e punës duke përfshirë pagën dhe largimin nga puna, si dhe sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës;

1.2. të drejtat në asocim dhe afilijim dhe anëtarësim në një organizatë që përfaqëson punëtorët apo punëdhënësit ose në ndonjë organizatë tjetër, anëtarët e të cilës janë të përfshirë në një profesion specifik, duke përfshirë përfitimet që rrjedhin nga ato organizata duke mos paragjykuar dispozitat ligjore të Republikës së Kosovës që kanë të bëjnë me interesin publik dhe sigurinë shtetërore;

1.3. arsimimin dhe trajnimin profesional;

1.4. njohjen e diplomave, certifikatave dhe kualifikimeve tjera profesionale në përputhje me legjislacionin përkatës;

1.5. dispozitat e legjislacionit përkatës lidhur me sigurimin social;

1.6. qasjen në të mira dhe shërbime publike dhe furnizimi me këto të mira dhe shërbime që i ofrohen publikut duke përfshirë procedurat për sigurimin e banimit, po ashtu informimin dhe shërbimet e këshillimit që ofrohen nga zyrat e punësimit.

2. I huaji qoftë person fizik dhe juridik ka përgjegjësi dhe obligime të barabarta në punë si shtetasi i Republikës së Kosovës.

 

Neni 84

Qëndrimi i Përhershëm

1. Lejeqëndrimi i përhershëm mund t’i jepet të huajit i cili në kohën e parashtrimit të kërkesës posedon lejeqëndrim të përkohshëm pandërprerë prej pesë (5) viteve në Republikën e Kosovës.

2. Periudha e mungesës në territorin Republikës së Kosovës nuk e ndërpret llogaritjen e afatit sipas paragrafit 1. të këtij neni, nëse ajo është më e shkurtër se gjashtë (6) muaj pandërprerë dhe në tërësi nuk e kalon periudhën prej dhjetë (10) muaj.

3. Në kohën e marrjes së vendimit për lejeqëndrim të përhershëm duhet të jetë i vlefshëm qëndrimi i përkohshëm.

 

Neni 85

Llogaritja e kohës së nevojshme për lejeqëndrim të përhershëm

1. Si periudhë e nevojshme për dhënien e lejeqëndrimit të përhershëm sipas nenit 84 paragrafi 1. i këtij ligji, nuk do të llogaritet:

1.1. lejeqëndrimi i lëshuar në bazë të punës së punëtorëve sezonal, emigrantëve ditor dhe ofruesit e shërbimeve në emër të një punëdhënësi të huaj dhe

1.2. koha e kaluar gjatë vuajtjes së dënimit me burg.

2. Të huajit të cilit i është dhënë lejeqëndrimi i përkohshëm për qëllim të studimit, periudha e nevojshme për qëndrim nga neni 84 paragrafi 1. i këtij ligji, do të llogaritet vetëm gjysma e kohës së kaluar në bazë të lejeqëndrimit të përkohshëm për qëllime studimi.

 

Neni 86

Rrethanat e jashtëzakonshme për dhënien e lejeqëndrimit të përhershëm

1. Përjashtimisht nga neni 84 i këtij ligji, qëndrimi i përhershëm mund t'i jepet:

1.1. i huaji i cili deri në ditën e parashtrimit të kërkesës ka së paku pesë (5) vite me status të refugjatit sipas Ligjit për Azil;

1.2. të huajit i cili ka qëndruar në territorin e Republikës së Kosovës së paku pesë (5) vjet pa ndërprerë dhe i cili konsiderohet se ka lidhje të ngushta ekonomike dhe familjare me Republikën e Kosovës. Qëndrimi nga ky paragraf mund të dëshmohet me dokumente që dëshmojnë qëndrimin e tij të pandërprerë në territorin e Republikës së Kosovës dhe i cili plotëson kushtet sipas nenit 48 të këtij ligji;

1.3. fëmija të cilit të dy prindërit në kohën e lindjes së tij iu është dhënë qëndrimi i përhershëm, ose një fëmijë që jeton me një prind vetushqyes i cili ka lejeqëndrimi të përhershme;

1.4 personat të cilët lirohen nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

 

Neni 87

Kushtet shtesë për dhënien e lejeqëndrimit të përhershëm

1. Lejeqëndrimi i përhershëm i jepet të huajit i cili i plotëson kushtet nga neni 84 i këtij ligji dhe duhet të:

1.1. posedojë dokument të udhëtimit për të huaj të vlefshëm;

1.2. posedojë mjete të mjaftueshme për jetesë;

1.3. posedojë sigurim shëndetësor;

1.4. ketë njohuri elementare të njërës prej gjuhëve zyrtare në shkrim dhe lexim në Republikën e Kosovës, njohja e kulturës dhe rregullimit shoqëror;

1.5. mos ketë kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik ose shëndetin publik.

2. Të huajt nga neni 86 paragrafi 1. nën-paragrafi 1.1. dhe 1.3. të këtij ligji nuk kërkohet t’i plotësoj kushtet e parapara sipas paragrafit 1. nën-paragrafit 1.1. 1.2. dhe 1.3. të këtij neni.

3. Të huajit sipas nenit 86 paragrafit 1. nën-paragrafit 1.2. dhe 1.4. të këtij ligji nuk kërkohet t’i plotësojnë kushtet nga nën-paragrafi 1.4. të këtij neni.

 

Neni 88

Parashtrimi i kërkesës për lejeqëndrim të përhershëm

1. Kërkesa për lejeqëndrim të përhershëm parashtrohet në DSHAM.

2. Lidhur me kërkesën për lejeqëndrim të përhershëm vendos DSHAM-i, brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga data e parashtrimi të kërkesës.

3. Kundër vendimit nga paragrafi 2. i këtij neni, nuk lejohet ankesa, por mund të iniciohet konflikt administrativ në Gjykatën Themelore.

 

Neni 89

Ekzaminimi i gjuhës, kulturës dhe rregullimit shoqëror në Republikën e Kosovës

1. Provimin e njohurive të njërës nga gjuhët zyrtare dhe shkrimit në njërën nga gjuhët zyrtare mund ta kryejnë në institucionet e arsimit të lartë, shkollat e mesme dhe institucionet e arsimit të të rriturve të licencuara ose akredituara në Republikën e Kosovës.

2. Njohja e kulturës dhe organizimi shoqëror i Republikës së Kosovës mund të vërtetohet me plotësimin e pyetësorit në procesin e miratimit të qëndrimit të përhershëm.

3. Dispozitat nga paragrafi 1. i këtij neni nuk vlejnë për:

3.1. fëmijët parashkollor;

3.2. pjesëmarrës, ose personat që kanë përfunduar arsimin fillor, të mesëm apo të lartë në Republikën e Kosovës;

3.3. personat më të vjetër se gjashtëdhjetepesë (65) vjet, nëse ata nuk janë të punësuar.

4. I huaj i cili me plotësimin e një pyetësori në mënyrë të pavarur nga paragrafi 2. i këtij neni, ka demonstruar njohuri të kulturës dhe të organizimit shoqëror në Republikën e Kosovës, nuk duhet të jap provimin në ndonjërën nga gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës.

5. I huaj i cili nuk është i aftë në gjuhën dhe në shkrimin zyrtar, është i detyruar të ndjekë një kurs të ndonjërës nga gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës të paktën njëqindepesëdhjetë (150) orë.

6. Shpenzimet e provimit sipas paragrafit 1. të këtij neni dhe marrjen pjesë në kurset e ndonjërës nga gjuhët zyrtare nga paragrafi 5. i këtij neni, do t’i bartë vetë i huaji.

 

Neni 90

Të drejtat e të huajve me lejeqëndrim të përhershëm

1. I huaji me qëndrim të përhershëm ka të drejtë në:

1.1. punësim dhe vetë-punësim;

1.2. aftësim profesional;

1.3. arsimim dhe bursa studentore;

1.4. mirëqenie sociale, të drejta për pension dhe sigurim shëndetësor;

1.5. qasje në të mira dhe shërbime si dhe ofrimi i të mirave dhe shërbimeve;

1.6. të drejta në asocim dhe afilijim apo anëtarësim në një organizatë që përfaqëson punëtorët apo punëdhënësit ose në ndonjë organizatë tjetër anëtarët e të cilës janë të përfshirë në një profesion specifik, duke përfshirë përfitimet që rrjedhin nga ato organizata.

2. I huaji do të ushtrojë të drejtat e tij të parapara në paragrafin 1. të këtij neni, në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

 

Neni 91

Revokimi i lejeqëndrimit të përhershëm

1. Lejeqëndrimi i përhershëm i revokohet të huajit nëse:

1.1. ka ndalesë për hyrje dhe qëndrim në Republikën e Kosovës;

1.2. qëndron jashtë Republikës së Kosovës pa ndërprerë më shumë se një (1) vit;

1.3. konstatohet se me vetëdije ka dhënë informacion të rremë ose i ka fshehur me vetëdije qëllimet dhe rrethanat që ishin me rëndësi për qëndrim të përhershëm;

1.4. paraqet rrezik për rendin publik, sigurinë shtetërore apo shëndetin publik;

1.5. nëse këtë e bën me kërkesën e tij.

2. Vendimi për revokimin e qëndrimit të përhershëm e nxjerr DSHAM.

3. Vendimi për revokimin e leje qëndrimit të përhershëm mund të lëshohet pa dëgjimin e të huajit.

4. Kundër vendimit për revokimin e lejeqëndrimit të përhershëm nuk lejohet ankesa, por mund të iniciohet konflikt administrativ në Gjykatën Themelore.

 

KREU V

QËNDRIMI I PALIGJSHËM, KTHIMI DHE DËBIMI I TË HUAJVE

 

Neni 92

Mos-kthimi, interesi me i mirë i fëmijës, jeta familjare dhe gjendja shëndetësore

1. Republika e Kosovës nuk duhet ta dëboj ose kthej refugjatin në asnjë mënyrë në kufijtë e territoreve, ku do të kërcënohet jeta apo liria e tij për arsye të racës, religjionit, përkatësisë kombëtare, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror apo bindjeve të tij politike.

2. Përfitimet nga paragrafi 1. i këtij neni, nuk do të mund të kërkohen nga një refugjat për të cilin ka arsye të forta të mendohet se ai paraqet rrezik për sigurinë e Republikës së Kosovës apo i cili duke qenë i dënuar me vendim të formës së prerë për një krim veçanërisht të rëndë, paraqet rrezik për sigurinë e Republikës së Kosovës.

3. Me rastin e vendosjes për kthimin ose largimin e të huajit nga Republika e Kosovës, do të merren parasysh rrethanat e mëposhtme:

3.1. interesi me i mirë i fëmijës;

3.2. jeta familjare;

3.3. gjendja shëndetësore e të huajit në fjalë; dhe

3.4. parimi i mos-kthimit.

 

Neni 93

Qëndrimi i paligjshëm

1. Konsiderohet se i huaji qëndron në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikën e Kosovës atëherë kur:

1.1. nuk posedon vizë të vlefshme kur kërkohet për hyrje dhe qëndrim në Republikën e Kosovës;

1.2. ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë të kundërligjshme;

1.3. nuk ka leje qëndrimi të vlefshme ose i është anuluar ose revokuar lejeqëndrimi;

1.4. iu ka refuzuar kërkesa për azil, mbrojtje plotësuese ose të përkohshme dhe nuk i plotëson më kushtet e hyrjes dhe qëndrimit të parapara me këtë ligj;

1.5 gjendet duke punuar në kundërshtim me kushtet e parapara me këtë ligj ose ligjet tjera në fuqi.

2. I huaji i cili qëndron në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës duhet që menjëherë ta lëshoj territorin e Republikës së Kosovës, përveç të huajit i cili ka aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare dhe është në pritje të vendimit për statusin e tij/saj.

 

Neni 94

Urdhri i largimit dhe afati i ekzekutimit

1. DSHAM nxjerr urdhrin e largimit për të huajt që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës ose kur i huaji ka vuajtur një dënim të dhënë nga gjykatat kompetente për një vepër penale, për të cilën Kodi Penal i Republikës së Kosovës parashikon një dënim minimal një (1) vjet me burgim.

2. Urdhër largimi, sipas paragrafit 1. të këtij neni, lëshohet në formë vendimi dhe përmban të dhënat personale të të huajit i cili është subjekt largimi, shkakun e urdhrit të largimit nga territori, afatin brenda të cilit i huaji duhet të largohet nga territori i Republikës së Kosovës, pikën e kalimit kufitar nga duhet të kalojë, si dhe afatin e ndalimit të hyrjes në Republikën e Kosovës, nëse largimi i të huajit shoqërohet me një masë të tillë ndaluese.

3. Afati i ndalimit të hyrjes sipas paragrafit 2. të këtij neni, nuk mund të jetë më i shkurtër se një (1) muaj dhe as më i gjatë se pesë (5) vjet.

4. Afati për ekzekutimin vullnetar të urdhrit të largimit është jo më pak se shtatë (7) ditë dhe jo më gjatë se tridhjetë (30) ditë nga data e njoftimit.

5. Urdhri i largimit për kategoritë e ndryshme të të huajve me qëndrim të paligjshëm zbatohet si në vijim:

5.1. për të huajin, i cili ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin Republikës së Kosovës, apo nuk plotëson, ose nuk plotëson më kushtet e hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës sipas kushteve të parapara me këtë ligj, ose kapet duke punuar në mënyrë të paligjshme, jo më gjatë se dhjetë (10) ditë nga data e njoftimit;

5.2. për të huajin, të cilit i është anuluar ose revokuar viza, ose i është refuzuar përtëritja e lejes së qëndrimit ose i është anuluar apo revokuar leja e qëndrimit jo më shumë se tridhjetë (30) ditë nga data e njoftimit.

6. Ekzekutimi vullnetar i urdhrit të largimit mund të shtyhet për një periudhë të përshtatshme jo më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë, duke marrë në konsideratë rrethanat specifike të çdo rasti të veçantë, për kategoritë e mëposhtme:

6.1. fëmijët të cilët ndjekin procesin mësimor dhe afati i përfundimit të vitit shkollor është më pak se tre (3) muaj deri në përfundimin e vitit shkollor të fëmijës/ve;

6.2. të huajit, që ka një detyrim financiar dhe duhet të likuidojë një investim tre (3) muaj nga data e njoftimit;

6.3. të huaj me probleme shëndetësore, deri në aftësimin shëndetësor të tyre për të udhëtuar apo të përfundimit të qëndrimit në izolim sipas një vendimi të autoriteteve të shëndetit publik.

7. I huaji me qëndrim të kundërligjshëm të cilit i është miratuar kohëzgjatja e afatit të zbatimit vullnetar të urdhrit të largimit, çdo dhjetë (10) ditë, duhet të paraqiten pranë Policisë Kufitare.

8. Të huajve të cilëve iu është miratuar zgjatja e periudhës së zbatimit të urdhrit vullnetar të largimit kanë të drejtë:

8.1. të qëndrojnë së bashku me familjarët e tyre të cilët janë prezent në territorin e Republikës së Kosovës;

8.2. të shfrytëzojnë shërbimet e emergjencës mjekësore, trajtimet për sëmundje specifike, si dhe shërbimet e shëndetit publik;

8.3. të miturit të kenë qasje të garantuar në sistemin arsimor bazuar në periudhën e tyre të qëndrimit;

8.4. për shërbime të veçanta për personat me aftësi të kufizuara.

9. Në kohën e zbatimit të largimit të të huajit nga territori i Republikës së Kosovës duhet të merret në konsideratë interesi më i mirë i fëmijës, personave të ndjeshëm, jeta familjare si dhe gjendja shëndetësore e të huajit që është subjekt i largimit nga territori.

10. Të huajit i komunikohet në formë të shkruar urdhri për largim, në njërën nga gjuhët zyrtare dhe në gjuhën angleze. Urdhër largimi duhet të përmbaj edhe këshillën juridike për ankesë dhe procedurën e ankimimit. Forma e urdhër largimit përcaktohet me akt nënligjor të nxjerrë nga MPB-ja.

 

Neni 95

Ankesa kundër urdhër largimit

1. I huaji i cili është subjekt i urdhër largimit, ka të drejtë ankese, brenda tetë (8) ditëve nga dita e marrjes së urdhër largimit pranë Komisionit për Ankesa. Komisioni duhet ta zgjidh çështjen brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të ankesës.

2. Në rastet kur i huaji është i pakënaqur me vendimin e komisionit të ankesave, atëherë ai mund të hap konflikt administrativ pranë Gjykatës Themelore, brenda tetë (8) ditëve nga marrja e vendimit. Gjykata duhet të zgjidh çështjen nga ky paragraf brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e pranimit të padisë.

3. Ankesa kundër urdhër largimit nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit.

 

Neni 96

Zbatimi vullnetar i urdhër largimit

1. Zbatimi vullnetar i urdhër largimit nga i huaji bëhet në rastet kur i huaji deklaron se do të largohet vullnetarisht nga territori i Republikës së Kosovës. Deklarimi i largimit vullnetar i të huajit merret parasysh kur vendoset për kohëzgjatjen e masës së ndalimit të hyrjes, përjashtuar rastet kur për interesa të rendit dhe sigurisë publike ky deklarim nuk mund të merret në konsideratë.

2. Gjatë zbatimit vullnetar të urdhër largimit i jepet përparësi kthimit si me poshtë:

2.1. i huaji i gjetur duke qëndruar në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës por që nuk ka sjellë pasoja të dëmshme për rendin dhe sigurinë publike dhe që deklaron se do të largohet vullnetarisht nga territori i Republikës së Kosovës;

2.2. fëmijës së pashoqëruar;

2.3. personat e sëmurë, invalid ose me aftësi të kufizuara;

2.4. prindërit me fëmijë të vegjël;

2.5. viktimat e trafikimit me njerëz, që duan të kthehen në vendin e tyre të origjinës;

2.6. azilkërkuesit, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për azil ose që kanë tërhequr kërkesën për azil dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për kthim;

2.7. të huajin e pajisur me dokumente të rregullta udhëtimi, por që nuk ka mjete financiare të nevojshme për qëndrim;

2.8. i huaji i cili është gjetur duke punuar në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës.

 

Neni 97

Largimi me forcë nga Republika e Kosovës

1. Largimi me forcë i të huajit nga territori i Republikës së Kosovës bëhet nga Policia Kufitare atëherë kur i huaji:

1.1. ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës dhe ekziston dyshimi i bazuar se do të përdorë territorin e saj për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të tjera;

1.2. nuk është larguar nga Republika e Kosovës brenda afateve kohore, të përcaktuara në urdhrin e largimit pa ndonjë arsye objektive, apo pas largimit nga territori dhe brenda afateve të ndalimit të hyrjes, ri-hyn në territorin e Republikës së Kosovës;

1.3. nuk e ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës deri në gjashtëdhjetë (60) ditë pas përfundimit të afatit të vizës, të lejes së qëndrimit, ose afatit të qëndrimit të parashikuar në këtë ligj për të huajt që hyjnë pa vizë;

1.4. është ripranuar nga një vend tjetër në kuadër të Marrëveshjeve të Ripranimit në fuqi në Republikën e Kosovës;

1.5. është dënuar për një vepër penale për të cilën legjislacioni i Republikës së Kosovës parashikon një dënim minimal një (1) vit heqje lirie.

2. Në rast se i huaji bëhet subjekt i largimit me forcë sipas këtij neni, ai mbahet i ndaluar në Qendër të Mbajtjes, derisa të ekzekutohet urdhri i largimit me forcë. Në rast të gjetjes së mundësive të tjera alternative, të zbatimit të masave të përkohshme siç përcaktohen me këtë ligj, këto të fundit kanë prioritet ndaj ndalimit.

3. I huaji, i cili nuk disponon një dokument udhëtimi duhet të paraqitet vetë ose i shoqëruar nga autoritetet kompetente, pranë përfaqësive diplomatike dhe konsullore të akredituara në Republikën e Kosovës, për t'u pajisur me një dokument të tillë.

4. Nëse në Republikën e Kosovës nuk ka përfaqësi diplomatike dhe konsullore të vendit të shtetasit të huaj, autoriteti përgjegjës në kuadër të MPB-së kërkon pajisjen me dokument udhëtimi në vendin e origjinës ose në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të vendit të shtetasit të huaj në ndonjë vend tjetër, nëpërmjet Drejtorisë Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

5. Në rast se përfaqësia diplomatike nuk mund të lëshojë dokument udhëtimi, MPB –ja e pajisë të huajin me dokument standard udhëtimi të përcaktuar me marrëveshje ripranimi, i cili ka për qëllim zbatimin e largimit me forcë të të huajit.

6. Në zbatim të këtij ligji, MPB-ja mund t’i lëshoj fletudhëtim të huajit, nëse i huaji nuk pajiset me dokument udhëtimi, sipas nenit 7 të këtij ligji.

7. MPB në bazë të marrëveshjeve në fuqi në Republikën së Kosovës mund të bashkëpunoj me vende të tjera në procedurën e kthimit, apo kthimeve të përbashkëta të të huajve.

8. Të huajit i komunikohet në formë të shkruar, në njërën nga gjuhët zyrtare dhe në gjuhën angleze, se ndaj tij do të ekzekutohet masa administrative e largimit me forcë, duke i shpjeguar arsyet e nxjerrjes së urdhrit, datën dhe vendin ku do të ekzekutohet, mënyrën e transportimit të tij për në vendin e destinacionit dhe afatin e ndalimit të hyrjes. Forma dhe procedura e urdhër largimit me forcë përcaktohet me akt nënligjor të nxjerrë nga MPB-ja.

 

Neni 98

Ankesa ndaj urdhrit të largimit me forcë

1. I huaji ka të drejtë ankese brenda tetë (8) ditëve, pas pranimit të urdhër largimit me forcë të Komisioni i Ankesave. Komisioni duhet ta zgjidh çështjen brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të ankesës. Ankesa kundër vendimit lidhur me urdhrin e largimit me forcë, nuk e pezullon ekzekutimin e urdhër largimit me forcë.

2. Në rastet kur i huaji është i pakënaqur me vendimin e Komisionit të ankesave atëherë ai mundet të hap konflikt administrativ pranë Gjykatës Themelore, brenda tetë (8) ditëve nga marrja e vendimit. Gjykata duhet të zgjidh çështjen nga ky paragraf brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e pranimit të padisë.

 

Neni 99

Procedurat e zbatimit të urdhrit të dëbimit

1. Urdhri i dëbimit jepet nga DSHAM dhe zbatohet nga Policia Kufitare, e cila:

1.1. merr masa për ndalimin e të huajit në Qendrën e Mbajtjes, ose zbatimin e masave të përkohshme të përcaktuara në këtë ligj, derisa të zbatohet urdhër dëbimi;

1.2. merr shenjat e gishtërinjve dhe të pëllëmbës së dorës të të huajit, fotografinë dhe shenjat biometrike;

1.3. regjistron urdhrin për dëbim në bazat përkatëse të të dhënave, ku shënohet periudha e ndalimit të hyrjes në Republikën e Kosovës dhe pikën e kalimit kufitar të largimit të të huajit;

1.4. inicion pranë institucioneve përgjegjëse marrjen e masave të parapara për pajisje me fletudhëtim, sigurimin e kthimit në vendin e origjinës dhe biletën e udhëtimit.

2. Urdhri i dëbimit zbatohet menjëherë, në rast se prania e të huajit përbën kërcënim për rendin dhe sigurinë shtetërore.

3. Në rast se as i huaji e as ftuesi nuk kanë mundësi financiare për të përballuar shpenzimet e kthimit të të huajit në vendin e destinacionit, shpenzimet e udhëtimit do të jepen si hua në paradhënie nga MPB-ja dhe do të kthehen nga ftuesi në rast se i huaji kërkon të vij në Republikën e Kosovës pas përfundimit të afatit të ndalimit të hyrjes ose nga punëdhënësi i tij i ardhshëm.

 

Neni 100

Kategoria e të huajve që nuk dëbohen

1. I huaji nuk dëbohet nëse i plotëson njërën nga kushtet e mëposhtme:

1.1. është i pajisur me leje qëndrim të përhershëm;

1.2. ka lindur në Republikën e Kosovës;

1.3. ka hyrë në Republikën e Kosovës si fëmijë i pashoqëruar dhe është pajisur me leje qëndrim të përhershëm;

1.4. është i pajisur me leje të përkohshme qëndrimi dhe është martuar me një të huaj, i cili ka leje të përhershme qëndrimi ose me një shtetas të Kosovës;

1.5. ekziston dyshimi i bazuar se i huaji, në vendin e origjinës apo në një vend tjetër, do të dënohet me vdekje, do t’i nënshtrohet torturës, trajtimit çnjerëzor e degradues apo dënimeve për shkaqe diskriminuese;

1.6. fëmija i pashoqëruar, nëse nga vendi i origjinës, një vend tjetër ose nga institucione të tjera nuk garantohet ribashkimi familjar ose kujdesi i duhur shëndetësor;

1.7. është anëtar i familjes së të huajit, të cilit i njihet statusi i refugjatit në Republikën e Kosovës.

2. Përjashtimisht, i huaji mund të dëbohet, edhe pse përmbushen kushtet e përmendura në paragrafin 1. të këtij neni, në qoftë se qëndrimi i tij rrezikon rendin dhe sigurinë publike, si dhe përbën kërcënim për sigurinë shtetërore.

 

Neni 101

Ankesa ndaj urdhër dëbimit

1. Ndaj urdhër dëbimit i huaji ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Themelore, brenda tetë (8) ditëve nga data e marrjes së vendimit.

2. Vendimi i Gjykatës Themelore mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda tetë (8) ditëve, e cila e shqyrton çështjen me përparësi.

 

Neni 102

Ekzekutimi i masave të përkohshme

1. Masat e përkohshme ndërmerren nga Policia Kufitare për të përgatitur apo siguruar zbatimin e një urdhri për largimin e të huajit nga territori ose për të mbikëqyrë largimin e tij.

2. Masat e përkohshme ndërmerren si masa alternative të ndalimit në Qendër të Mbajtjes së të Huajve që janë subjekt i largimit me forcë, bazuar në shqyrtimin rast pas rasti, pa ndikuar në garantimin e ekzekutimit të urdhrit të largimit me forcë.

3. Masat e përkohshme mund të merren menjëherë pas nxjerrjes së urdhër largimit me forcë, por mund të zëvendësojnë nëse është e nevojshme, masën e ndalimit në Qendër të Mbajtjes pasi ajo është nxjerrë dhe është zbatuar.

4. Kriteret, procedurat dhe forma e urdhër dëbimit do të përcaktohen me akt nënligjor të nxjerr nga MPB.

 

Neni 103

Detyrimi për tu paraqitur pranë autoriteteve publike

1. I huaji mund të detyrohet të paraqitet në periudha të rregullta kohore pranë Policisë Kufitare kur:

1.1. ndaj tij është nxjerrë një urdhër largimi nga territori dhe kërkohet siguri për zbatimin e këtij urdhri apo nevojitet të mbikëqyret largimi i të huajit nga territori;

1.2. i huaji para largimit ka pasur një adresë të saktë dhe të njohur nga Policia Kufitare dhe nuk ka të dhëna se i huaji mund t’i shmanget zbatimit të largimit dhe nuk i ka respektuar afatet e largimit vullnetar;

1.3. vlerësohet interesi më i mirë i familjes së të huajit.

2. I huaji i cili detyrohet të paraqitet pranë Policisë Kufitare, duhet të informohet për arsyet e këtij detyrimi.

3. Detyrimi për tu paraqitur mbetet në fuqi deri kur i huaji i përmbush kërkesat për largimin nga territori, apo kur shqyrtimi i çështjes ka përfunduar ndryshe. Detyrimi për tu paraqitur do të marrë fund menjëherë kur nuk është më e nevojshme për të kërkuar zbatimin e një mase të tillë.

 

Neni 104

Sekuestrimi i biletës ose i dokumentit të udhëtimit

1. Në rast se i huaji është subjekt i një urdhri largimi me forcë ose dëbimi, Policia Kufitare mund të sekuestrojë biletën e udhëtimit dhe të dokumentit të udhëtimit, për garantimin e kthimit. Procedurat e sekuestrimit do të përcaktohen me akt nënligjor nga MPB-ja.

2. Policia Kufitare sekuestron dokumentet e udhëtimit të të huajit deri kur vendimi, nga një procedurë administrative, merr formë të prerë ose deri kur të paguhet gjoba, apo deri në përfundimin e afatit të vendosur nga gjykata apo nga prokuroria.

3. Gjatë kohës së sekuestrimit të dokumenteve të udhëtimit, të huajit i lëshohet një vërtetim.

 

Neni 105

Sekuestrimi i mjeteve financiare ose vendosja e garancisë

1. Policia Kufitare i sekuestron të huajit mjetet financiare nëse posedon, deri në shumën e nevojshme për të mbuluar shpenzimet e kthimit të tij. Pjesa e mbetur nga garancia financiare i kthehet të huajit menjëherë.

2. Në vend të masave të tjera të përkohshme, ose paralelisht, sipas vlerësimit rast pas rasti, Policia Kufitare mund t’i kërkoj të huajit të vendos një garancion financiar me anë të cilit garanton kthimin e tij.

3. Garancia financiare i kthehet të huajit menjëherë kur kjo vlerësohet se nuk është më e nevojshme ose kur realizohet kthimi i të huajit.

 

Neni 106

Qëndrimi i detyrueshëm në një territor të caktuar

1. Policia Kufitare vendos kufizimin e lirisë së lëvizjes të të huajve, duke e urdhëruar atë të qëndrojë në një territor të caktuar, në rastin kur:

1.1. rikthimi, ose dëbimi nuk mund të urdhërohet apo zbatohet, për arsye objektive ose për shkak të një detyrimi të marrë përsipër nga Republika e Kosovës në kuadër të një marrëveshjeje ndërkombëtare në fuqi;

1.2. ka një leje qëndrimi për arsye humanitare;

1.3. ka përfunduar afati i ndalimit në Qendër të Mbajtjes dhe nuk është i mundur largimi i të huajit ose për arsye humanitare i huaji nuk mund të mbahet i ndaluar në Qendër të Mbajtjes;

1.4. në rastet kur autoritetet e shëndetit publik, në bazë të një vlerësimi dhe sipas Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit, rekomandojnë izolimin e personit apo personave për një periudhë kohore të vlefshme për izolimin e sëmundjes së dyshuar.

2. I huaji ka të drejtë të parashtroj padi në Gjykatën Themelore kundër urdhrit për qëndrim në një territor të caktuar, njëjtë si ndaj urdhrit të ndalimit të të huajit në Qendrën e Mbajtjes.

3. Policia Kufitare në urdhrin për qëndrim në një territor të caktuar, përcakton rregullat e përgjithshme të qëndrimit, vendin dhe kohëzgjatjen e qëndrimit, si dhe njofton të huajin të paraqitet pranë autoriteteve kompetente policore për çdo muaj. Forma e urdhrit të qëndrimit të detyrueshëm në një territor të caktuar përcaktohet me akt nënligjor nga MPB-ja.

 

Neni 107

Qendra e Mbajtjes

1. Qendra e Mbajtjes duhet të ketë nivel të caktuar të sigurisë dhe kufizim të lirisë, në të cilin mund të mbahen vetëm të huajt të cilët janë subjekt i largimit me forcë apo dëbimi nga territori i Republikës së Kosovës.

2. Qendra e Mbajtjes duhet të plotësojë të gjitha kushtet e një trajtimi njerëzor si dhe respektimin e të drejtave njerëzore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe të mundësojë ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

3. DSHAM-i në rast të ndalimit të një të huaji në Qendër të Mbajtjes me kërkesën e këtij të fundit, merr masa të menjëhershme për kujdesin ndaj anëtarëve të familjes së të huajit të ndaluar, të cilët kanë mbetur pa mbikëqyrje.

4. Qendra e Mbajtjes është pjesë e strukturës organizative të MPB-së.

 

Neni 108

Ndalimi në Qendër të Mbajtjes

1. Ndalimi në Qendrën e Mbajtjes është masë e fundit administrative, që nxjerrët dhe ekzekutohet nga Policia Kufitare, ndaj të huajit, për të cilin është nxjerrë një urdhër largimi me forcë apo dëbimi, në bazë të vlerësimit rast pas rasti, kur janë zbatuar të gjitha masat e mundshme alternative apo kur nga vlerësimi konsiderohet se këto masa nuk mund të zbatohen për të huajin, ose për të huajin e i cili është në procedurë të ripranimit në bazë të marrëveshjeve të ripranimit në fuqi.

2. I huaji qëndron i ndaluar në Qendër të Mbajtjes, në afate sa më të shkurtra kohore, derisa të kryhen procedurat ligjore, për të mundësuar largimin e tij nga Republika e Kosovës, brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj.

3. Policia Kufitare mund të ndalojë të huajin në Qendër të Mbajtjes, për arsye të sigurisë publike, vërtetim të identitetit apo arsye tjera.

4. I huaji njoftohet në formë të shkruar, në njërën nga gjuhët zyrtare dhe në gjuhën angleze, për ndalimin në Qendër të Mbajtjes, i cili përmban arsyen e ndalimit, afatet e ndalimit, të drejtën të sigurojë mbrojtjen ligjore të tij, si dhe të kontaktoj me të afërmit e vet.

 

Neni 109

Ankesa ndaj urdhrit të ndalimit

1. I huaji, ka të drejtë të parashtrojë padi kundër urdhrit për ndalim, në Gjykatën Themelore, brenda tridhjetë (30) ditëve pas pranimit të urdhrit për ndalimin ose zgjatjen e ndalimit.

2. Padia ndaj vendimit të Gjykatës Themelore bëhet në Gjykatën e Apelit sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

 

Neni 110

Koha e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes

1. I huaji ndalohet në Qendër të Mbajtjes për një periudhë maksimale deri në gjashtë (6) muaj.

2. Policia Kufitare në konsultim me DSHAM-in mund të zgjatë periudhën e ndalimit në Qendër të të huajit deri në gjashtë (6) muaj të tjerë, nëse brenda periudhës gjashtë (6) mujore të ndalimit, largimi i të huajit ka qenë i pamundur në rastet kur:

2.1. i huaji refuzon të japë të dhëna apo informacione personale si dhe dokumente udhëtimi të nevojshme për kthimin e tij ose paraqet informacione të rreme;

2.2. i huaji ka penguar kthimin e tij në forma të ndryshme;

2.3. ka vonesa në lëshimin e dokumentit të udhëtimit apo ndonjë dokumenti tjetër të nevojshëm për kthim.

3. Shtyrja e afatit të qëndrimit në Qendrën për Mbajtje bëhet së paku pesëmbëdhjetë (15) ditë përpara mbarimit të afatit gjashtë (6 ) mujor të ndalimit në qendër.

4. Gjatë kohës së ndalimit në Qendrën e Mbajtjes, Policia Kufitare në konsultim me DSHAM-in shqyrton ekzistencën e kushteve për të mbajtur të mbyllur në qendër të huajin e ndaluar. Në varësi të vlerësimit të rrethanave, Policia Kufitare mund të vendos për zëvendësimin e masës së ndalimit në qendër me masa tjera të përshtatshme të përcaktuara me këtë ligj.

5. Në rast se i huaji kryen një vepër penale gjatë kohës së qëndrimit në Qendrën e Mbajtjes, ndaj tij fillon ndjekja penale, sipas dispozitave të legjislacionit penal në fuqi.

 

Neni 111

Përfundimi i mbajtjes në Qendrën e Mbajtjes

1. Mbajtja e të huajit në Qendrën e Mbajtjes përfundon në rastet si me poshtë:

1.1. me largimin e të huajit;

1.2. me përfundimin e periudhës së mbajtjes të përcaktuar në urdhrin e ndalimit;

1.3. nëse qëndrimi i të huajit bëhet i paligjshëm;

1.4. me anulimin e vendimit të ndalimit në Qendrën e Mbajtjes;

1.5. me zëvendësimin e masës së ndalimit në Qendrën e Mbajtjes me një masë tjetër të përkohshme të përcaktuar në këtë ligj;

1.6. me lirimin nga qendra.

2. I huaji lirohet nga Qendra e Mbajtjes në raste kur:

2.1. në bazë të rrethanave largimi i të huajit nuk mund të bëhet me forcë;

2.2. gjykata urdhëron lirimin e tij nga Qendra e Mbajtjes.

 

Neni 112

Ndalimi i fëmijëve të pashoqëruar

1. Përjashtimisht, fëmija i pashoqëruar, ndaj të cilit është nxjerrë një urdhër ndalimi, mbahet në një qendër sociale shtetërore ose në një qendër tjetër në kuadër të bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare, që kryejnë misione për fëmijët, viktimat e trafikimit ose kategori të tjera individësh në nevojë.

2. Fëmija mund të mbahet në Qendër të Mbajtjes, vetëm në rast të interesit më të mirë të tij apo të familjes, në ambiente të posaçme të ndara nga ato për të rritur.

3. Para se një fëmijë të ndalohet në Qendër të Mbajtjes, kërkohet mendimi i një punonjësi social apo psikologu.

 

Neni 113

Njoftimi i përfaqësuesit diplomatik

1. Me kërkesën e të huajit, ose kur është përcaktuar me marrëveshje dypalëshe, Ministria e Punëve të Jashtme e njofton menjëherë përfaqësuesin diplomatik apo konsullor të vendit të të huajit në Republikën e Kosovës për ndalimin e të huajit në Qendrën e Mbajtjes, si dhe për zgjatjen e periudhës së ndalimit.

2. Në rast se i huaji ka kërkuar azil ose gëzon statusin e refugjatit apo të një mbrojtjeje tjetër në Republikën e Kosovës, informacioni nga paragrafi 1. i këtij neni nuk i bëhet i ditur përfaqësuesit diplomatik apo konsullor të vendit të tij.

 

Neni 114

Të drejtat e të huajit në Qendrën e Mbajtjes

1. I huaji, i cili qëndron në Qendrën e Mbajtjes, informohet kur është e mundur në gjuhën e tij ose së paku në gjuhën angleze me çdo veprim, i cili ndërmerret nga autoritetet kompetente për mbajtjen e tij në qendër.

2. I huaji gëzon të drejtën për një trajtim njerëzor, ushqim të mjaftueshëm, ndihmë juridike në çdo çast dhe përkujdesje shëndetësore.

3. I huaji gëzon të drejtën për të informuar përfaqësuesin diplomatik apo konsullor për ndalimin e tij. I huaji ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Themelore për shkeljen e të drejtave të tij themelore në Qendrën e Mbajtjes.

4. Në rast se i huaji i nënshtrohet procedurës së ripranimit, ai informohet për të drejtat dhe detyrimet, që i ka në bazë të legjislacionit në fuqi, kur është e mundur në gjuhën që ai e kupton, apo së paku në gjuhën angleze.

 

Neni 115

Kompensimi i shpenzimeve të largimit apo kthimit me forcë

1. I huaji ngarkohet me shpenzimet e akomodimit në Qendrën e Mbajtjes dhe me shpenzimet tjera të shkaktuara gjatë largimit të tij apo kthimit me forcë.

2. Të gjitha mjetet financiare që i merren të huajit që është subjekt largimi apo kthimi me forcë bëhen kundrejt lëshimit të një vërtetimi.

3. Mjetet financiare që i merren të huajit përdoren vetëm për të mbuluar shpenzimet e përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni.

4. Nëse i huaji nuk ka mjete për mbulimin e shpenzimeve sipas paragrafit 1 të këtij neni, shpenzimet i ngarkohen personit fizik ose juridik, i cili ka mundësuar hyrjen ose qëndrimin, apo transitin e paligjshëm të të huajit në territorin e Republikës së Kosovës, ose personit fizik apo juridik i cili ka marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit dhe kthimit të të huajit në dhe nga territori i Republikës së Kosovës, transportuesit dhe punëdhënësit i cili ka punësuar një të huaj në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.

5. Sekuestrimi i mjeteve financiare sipas këtij neni bëhet nga Policia Kufitare për mbulimin e shpenzimeve.

 

KREU VI

MBIKËQYRJA DHE KONTROLLI

 

Neni 116

Mbikëqyrja dhe kontrolli i të huajve

1. Policia Kufitare, në ushtrim të detyrave të parashikuara në ligj:

1.1. mbikëqyrë zbatimin e rregullave të hyrjes dhe qëndrimit të të huajve të paraparë me këtë ligj;

1.2. kryen kontroll dhe hyn në mjedise private, ku qëndron i huaji, në rast se ekzistojnë dyshime të bazuara, në përputhje me rregullat dhe kushtet e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale;

1.3. kërkon dokumentet e udhëtimit, lejen e qëndrimit ose dokumentin e identifikimit;

1.4. shoqëron të huajin, i cili nuk disponon dokument identifikimi, leje qëndrimi, dokument udhëtimi ose ndonjë dokument tjetër, që dëshmon identitetin e tij;

1.5. shoqëron të huajin, për të cilin ka një urdhër largimi, largimi me forcë ose dëbimi, për në pikën e kalimit kufitar, apo në vendin e origjinës;

1.6. transporton të huajin e ndaluar, kur është e nevojshme, në institucionin shëndetësor, për të marrë trajtim mjekësor, ose për arsye të shëndetit publik për të siguruar izolimin e tij;

1.7. shoqëron dhe merr masa për kthimin e të huajve me qëndrim të paligjshëm në vendin e origjinës apo vendin transit të cilin i huaji e ka përdorur për të hyrë në Republikën e Kosovës;

1.8. merr masa që i huaji i ndaluar të paraqitet pranë gjykatës;

1.9. shoqëron të huajin në përfaqësinë diplomatike ose konsullore, me qëllim të zhvillimit të intervistës së kërkuar, për të siguruar dokumentet e udhëtimit dhe e kthen atë në institucionin ku zbatohet ndalimi;

1.10. bashkëpunon me organet tjera për kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë nga të huajt gjatë hyrjes dhe qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës;

1.11. vendos gjoba ndaj të huajit dhe merr masa për ekzekutimin e tyre për të gjitha rastet e parapara me këtë ligj.

2. Mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij ligji sa i përket kushteve të punës, mbrojtjes në punë, ambientit të punës si dhe të drejtave tjera të punësuarve të huaj, i kryen Inspektorati i Punës sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

 

Neni 117

Detyrimi i të huajit për dëshmimin e identitetit të tij/saj

1. I huaji e dëshmon identitetin e tij me anë të një:

1.1. dokumenti të udhëtimit;

1.2. dokumenti të identitetit personal për të huaj;

1.3. dokumenti tjetër zyrtar që përmban fotografi dhe në bazë të së cilës është e mundur të përcaktohet identiteti i tij/saj.

2. I huaji është i detyruar të mbaj dokumentin me anë të të cilit e dëshmon identitetin e tij dhe t’a paraqes atë në rast se i kërkohet nga një person zyrtar përgjegjës për kontrollin e tyre.

3. I huaji është i detyruar të paraqes dokumentin e tij të udhëtimit gjatë kalimit të kufirit kur kjo i kërkohet nga një person zyrtar.

4. I huaji i cili nuk disponon një dokument identifikimi është i detyruar të paraqes të dhënat e tij personale të sakta një zyrtar përgjegjës për kontrollin e të huajve në territor.

5. I huaji nuk mund t’u jep të tjerëve në përdorim dokumentet e tij/saj të udhëtimit, si dhe ndalohet përdorimi i dokumenteve të identifikimit të falsifikuara apo dokumentet e udhëtimit të personit tjetër.

 

Neni 118

Detyrimi i punëdhënësit në raste të punësimit të të huajve të cilët punojnë në mënyrë të paligjshme

1. Punëdhënësi, i cili punëson ose përdor punën e të huajve që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës, është obligues i pagimit të tatimit, gjobave dhe dënimeve tjera shtrënguese.

2. Detyrimet nga paragrafi 1. i këtij neni, konsiderohen të gjitha taksat dhe kontributet për sigurimet e detyrueshme të parapara me legjislacion në fuqi, të cilat i paguan punëdhënësi sikurse kur i huaji do të ishte i punësuar ligjërisht.

 

Neni 119

Kthimi i dokumentit të udhëtimit dhe lejeqëndrimit për të huajt

1. I huaji, është i detyruar të kthej dokumentin e udhëtimit dhe lejeqëndrimin për të huaj të lëshuara nga Republika e Kosovës, në rast se:

1.1. largohet përfundimisht nga territori i Republikës së Kosovës;

1.2. skadon afati i vlefshmërisë së dokumentit;

1.3 fiton shtetësinë e Kosovës.

 

KREU VII

PËRPUNIMI I TË DHËNAVE PERSONALE

 

Neni 120

Mbledhja e të dhënave dhe evidencat

1. Autoritetet kompetente shtetërore për trajtimin e të huajve mbledhin dhe administrojnë të dhënat personale për të huajt nga organet shtetërore, subjektet private, apo të huajt me qëndrim në Republikën e Kosovës, si dhe nga vetë i huaji, i regjistrojnë këto të dhëna në bazat e të dhënave për të huajt, si dhe në evidencat e posaçme kur kjo:

1.1. është e parashikuar me ligj apo me marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Kosovës;

1.2. është në interes të të huajit dhe i njëjti nuk e kundërshton atë;

1.3. kërkohet me qëllim të mbrojtjes së rendit publik, sigurisë shtetërore dhe shëndetit publik.

2. Me qëllim të zbatimit të këtij ligji, në rastet e largimit apo depërtimit të huajve autoritetet përgjegjëse kanë të drejtë të komunikojnë të dhënat personale shteteve te origjinës dhe transitit, shteteve tjera dhe organizatave ndërkombëtare relevante, me kusht që shtetet apo organizatat ndërkombëtare në fjalë garantojnë një mbrojtje të ngjashme të të dhënave të transmetuara.

3. Komunikohen të dhënat personale të përcaktuara me poshtë:

3.1. të dhënat personale (emrin, mbiemrin, datën dhe vendin e lindjes, gjininë, shtetësinë, adresën e fundit të njohur në vendin e origjinës apo të prejardhjes) të personit në fjalë dhe, nëse është e nevojshme, të dhënat personale të të afërmve të tij;

3.2. të dhënat lidhur me pasaportën apo dokument tjetër identiteti;

3.3. gjurmët e gishtërinjve, fotografitë dhe të dhënat e tjera biometrike;

3.4. të dhënat lidhur me dokumente tjera që mundësojnë identifikimin e personit;

3.5. të dhënat lidhur me gjendjen shëndetësore të personit, me kusht që kjo të jetë në përputhje me interesin e tij;

3.6. çdo e dhënë tjetër e domosdoshme për të garantuar hyrjen e personit në shtetin e destinuar dhe për ruajtur sigurinë e personave që e shoqërojnë;

3.7. të dhënat lidhur me itinerarin e ndjekur nga personi, si dhe vendqëndrimet e tij;

3.8. të dhënat lidhur me lejet e qëndrimit dhe vizat që i janë lëshuar personit;

3.9. të dhënat lidhur me procedurën penale për aq sa kjo është e rëndësishme për procedurën e kthimit, për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vendin e origjinës apo vendin e qëndrimit dhe për aq sa i huaji nuk rrezikohet.

4. Më kërkesë të dhënat nga paragrafi 3. i këtij neni u komunikohen autoriteteve te ndjekjes penale.

5. Komunikimi, qasja, dhe informimi i të dhënave personale sipas këtij neni do të bëhet në pajtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

6. Mbledhja, përpunimi, evidentimi, komunikimi, informimi, qasja dhe fshirja e të dhënave personale për të huajt pas përfundimit të afatit të paraparë në nenin 122 të këtij ligji rregullohet me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave personale.

 

Neni 121

Përdorimi i të dhënave

1. Autoritetet kompetente për trajtimin e të huajve administrojnë dhe përdorin të dhënat e grumbulluara për të huajt në përputhje me parimet e mbrojtjes së të dhënave, si dhe i vënë ato në dispozicion të organeve të drejtësisë, organeve të sigurisë shtetërore, institucioneve për refugjatët që merren me fushën e të huajve.

2. Të dhënat e mbledhura dhe të administruara, sipas këtij ligji dhe në zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ruhen dhe përdoren për një afat të caktuar, por jo më tepër se sa është e nevojshme për qëllimin për të cilin ato janë grumbulluar ose përpunuar.

3. Për arsye të ligjshme, kanë të drejtë të mbledhin, të administrojnë, të shkëmbejnë dhe të kërkojnë vënie në dispozicion të të dhënave për të huajt autoritetet e mëposhtme për çështjet e:

3.1. shtetësisë;

3.2. punësimit të të huajve;

3.3. financave dhe doganave;

3.4. gjendjes civile;

3.5. shëndetit publik;

3.6. arsimit dhe shkencës.

 

Neni 122

Ruajtja e të dhënave

1. Autoritetet kompetente për trajtimin e të huajve, të cilat mbledhin dhe administrojnë të dhënat për të huajt, sipas këtij ligji, i ruajnë ato për një periudhë pesë (5) vjeçare pas skadimit të vlefshmërisë së vizës ose të lejes së përkohshme të qëndrimit, apo dhjetë (10) vjeçare nga përfundimi i procedurës ndëshkuese administrative ose penale.

2. Autoritetet kompetente për trajtimin e të huajve, të cilët mbledhin dhe administrojnë të dhënat personale për të huajt, marrin masat e duhura organizative dhe teknike për mbrojtjen e të dhënave personale nga shkatërrimi i jashtëligjshëm ose aksidental, humbja aksidentale, qasja ose shpërndarja tek persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave kryhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër të përpunimit të jashtëligjshëm.

3. Kushdo që ka qasje në të dhënat personale të mbledhura, ruajtura dhe përpunuara nga autoritetet kompetente për trajtimin e të huajve, si gjatë ushtrimit të detyrave si dhe pas përfundimit, i nënshtrohet detyrimit të ruajtjes së konfidencialitetit dhe mos shpërndarjes së asnjë të dhëne personale, përveç kur parashikohet ndryshe me ligj.

 

KREU VIII

ADRESA E QËNDRIMIT TË TË HUAJIT

 

Neni 123

Lajmërimi i adresës

1. I huaji është i detyruar ta lajmëroj adresën dhe ndryshimin e adresës në stacionin më të afërt të policisë në afat prej tri (3) ditësh nga dita e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht nga dita e ndryshimit të adresës së banimit.

2. I huaji me lejeqëndrim në Republikën e Kosovës është i obliguar që ta lajmëroj vendbanimin dhe ndryshimin e adresës së banimit në stacionin më të afërt të policisë ose DSHAM-in, në afat prej tetë (8) ditëve që nga dita e ndryshimit të adresës së banimit.

3. I huaji nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni, është i obliguar të ç’lajmëroje vendbanimin gjegjësisht vendqëndrimin para se ta lëshoj Republikën e Kosovës.

 

Neni 124

Lajmërimi i adresës nga institucionet publike dhe private

1. Institucionet shëndetësore publike apo private të cilët pranojnë të huajt për shërim, obligohen ta lajmërojnë stacionin më të afërt të policisë brenda njëzetekatër (24) orëve nga dita e pranimit të tij.

2. Personat fizik dhe juridik të cilët ofrojnë akomodim të të huajve, por edhe personat tek të cilët vijnë të huajt për vizitë në Republikën e Kosovës, janë të obliguar që të lajmërojnë stacionin më të afërt të policisë brenda dymbëdhjetë (12) orëve nga pranimi i të huajit.

3. Dispozitat nga paragrafi 1. dhe 2. të këtij neni kanë të bëjnë me të huajt të cilët qëndrojnë në Republikën e Kosovës deri në nëntëdhjetë (90) ditë.

 

Neni 125

Evidenca e të huajve

1. Personat fizik dhe juridik të cilët ofrojnë akomodim për të huajt, obligohen që të mbajnë evidencën për të huajt e akomoduar.

2. Personat nga paragrafi 1. i këtij neni, janë të obliguar ta ruajnë evidencën mbi të huajt më së paku tre (3) vite nga dita e përmbylljes së saj.

3. Personat nga paragrafit 1. i këtij neni, obligohen që me kërkesë zyrtare të zyrtarit të autorizuar të organit kompetent, t’i japin për shikim të dhënat nga evidenca e të huajve.

 

KREU IX

INTEGRIMI I TË HUAJVE NË JETËN EKONOMIKE, KULTURORE DHE SHOQËRORE

 

Neni 126

Ndihma për integrimin e të huajve

Institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë kushtet për integrim në jetën ekonomike, kulturore dhe shoqërore të të huajve, të cilët e gëzojnë të drejtën e qëndrimit në Republikën e Kosovës.

 

Neni 127

Institucionet dhe organizatat

1. Institucionet shtetërore në pajtim me kompetencat e tyre bashkëpunojnë me partnerët socialë, organizatat jofitimprurëse dhe organizatat ndërkombëtare, për promovimin dhe zbatimin e programeve të integrimit të të huajve në shoqëri.

2. Institucionet shtetërore dhe organizatat sipas paragrafit 1. të këtij neni, iu ofrojnë të huajve mbrojtje kundër çdo lloj forme diskriminimi.

 

KREU X

DISPOZITAT NDËSHKIMORE

 

Neni 128

Masat ndëshkimore dhe ekzekutimi

1. Gjoba në shumë prej njëqind (100) deri treqind (300) euro do t’i shqiptohet nga Policia të huajit i cili:

1.1. shërbehet me një dokument udhëtimi të ndryshëm prej atij me të cilin ai ka hyrë në Republikën e Kosovës (neni 4 i këtij ligji);

1.2. nuk parashtron kërkesë për qëndrim të përkohshëm për fëmijën brenda afatit të përcaktuar ligjor (neni 45, paragrafi 1. i këtij ligji);

1.3. nuk parashtron kërkesë për zgjatjen dhe vazhdimin e qëndrimit të përkohshëm brenda tridhjetë (30) ditësh para skadimit të qëndrimit të përkohshëm ekzistues (neni 47 paragrafi 1. i këtij ligji);

1.4. ka qëndruar në Republikën e Kosovës në kundërshtim me qëllimin për të cilin i është dhënë qëndrimi i përkohshëm (neni 66, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.4. i këtij ligji);

1.5. nuk i paraqet urdhrin e largimit tek zyrtari policor në pikën e kalimit kufitar (neni 94, paragrafi 2. i këtij ligji);

1.6. nuk informon DSHAM-në, për pushimin e kushteve për të cilat i është dhënë lejeqëndrimi i përkohshëm për punë (neni 81, paragrafi 1.2. i këtij ligji);

1.7. nuk posedon vërtetim mbi lajmërimin e punës (neni 76 i këtij ligji);

1.8. me kërkesën e personit zyrtar ai/ajo nuk e paraqet një dokument i cili dëshmon identitetin e tij/saj ose nuk bart me vete atë (neni 117, paragrafi 2. i këtij ligji);

1.9. nuk e kthen dokumentin e udhëtimit për të huaj dhe lejeqëndrimin, (neni 119 i këtij ligji);

1.10. nuk raporton humbjen, zhdukjen ose vjedhjen e dokumenteve;

1.11. nuk e lajmëron apo nuk e ç’lajmëron adresën, (neni 123 dhe 124 i këtij ligji);

1.12. qëndron në territorin e Republikës së Kosovës në kundërshtim me qëllimin e hyrjes ( neni 40 paragrafi 1.2. i këtij ligji).

2. Nga Inspektorati i Punës me gjobë në shumë prej njëmijë (1.000) deri dymijë e pesëqind (2.500) euro dënohet punëdhënësi si person fizik, me gjobë në shumën prej pesëmijë (5.000) deri shtatëmijë (7.000) euro do të dënohet punëdhënësi si person juridik dhe personi përgjegjës, i cili:

2.1. nuk nënshkruan një kontratë ose pa dokumente të tjera të përshtatshme për një të huaj shërbimet e të cilit ai shfrytëzon (neni 71 paragrafi 1. i këtij ligji);

2.2. nuk informon DSHAM-in për ndërprerjen e kushteve për të cilat i është dhënë leja e qëndrimit për punë (neni 82, paragrafi 2. i këtij ligji);

 

Neni 129

1. Me gjobë prej dyqind (200) deri pesëqind (500) euro do të dënohet nga Policia një i huaj i cili:

1.1. lëviz në zona në të cilat atij i është kufizuar lëvizja (neni 106 i këtij ligji);

1.2. qëndron paligjshëm në Republikën e Kosovës (neni 93 i këtij ligji);

1.3. e pengon largimin me forcë (neni 97, paragrafi 2. i këtij ligji);

1.4. është larguar nga Qendra e Mbajtjes pa leje ose nuk i ka zbatuar rregullat e qëndrimit në Qendër të Mbajtjes (neni 108 i këtij ligji);

1.5. me kërkesën e zyrtarëve nuk i dorëzon për kontrollim dokumentet e udhëtimit ose ndonjë dokument tjetër që përdoret për kalimin e kufirit (neni 117, paragrafi 3. i këtij ligji);

1.6. nuk ka një dokument identiteti dhe me kërkesën e zyrtarit policor nuk jep të dhënat personale (neni 117, paragrafi 4. i këtij ligji);

1.7. dokumentet e tij i jep për përdorim një personi tjetër, ose përdor një dokument të pavlefshëm, ose të dikujt tjetër sikur të ishin të tij/saj (neni 117, paragrafi 5. i këtij ligji).

2. Për shkeljet nga paragrafin 1. të këtij neni mund të shpallet urdhri për largimin e të huajit paralelisht ose në mënyrë të pavarur pa dënim.

 

Neni 130

1. Nga Inspektorati i Punës me gjobë në shumë prej pesëmijë (5.000) deri shtatëmijë (7.000) euro do të shqiptohet nëse i huaji:

1.1. punon pa lejeqëndrimin e punës si dhe vërtetimin e regjistrimit të punës (neni 67, paragrafi 1. i këtij ligji);

1.2. i cili punon dhe vepron në kundërshtim me nenin (67, paragrafi 5. i këtij ligji) këtij ligji.

2. Për shkeljet e referuara në paragrafin 1. këtij të këtij neni, mund të shqiptohet urdhri për largim në mënyrë të pavarur dhe pa dënim.

 

Neni 131

1. Me gjobë në shumë prej tremijë (3.000) deri gjashtëmijë (6.000) euro për çdo të huaj të transportuar, do të dënohet nga Policia transportuesi i të huajit të cilët nuk kanë pasaportë të vlefshme ose dokument tjetër që përdoret për kalimin e kufirit, vizë të vlefshme ose leje qëndrimi (neni 35 paragrafi 2. i këtij ligji).

2. Me gjobë në shumë prej katërmijë (4.000) deri gjashtëmijë (6.000) euro për çdo të huaj të transportuar, do të dënohet nga Policia transportuesi si person fizik i cili me shpenzimet e veta nuk e ka dërguar (larguar) të huajin deri te vendkalimi i kufirit ose nga Republika e Kosovës ose nuk i ka marrë përsipër shpenzimet për kthimin e të huajit (neni 35, paragrafi 3., 4. dhe 5. i këtij ligji).

3. Me gjobë në shumën e katërmijë (4.000) deri gjashtëmijë (6.000) euro për çdo të huaji të asistuar, do të dënohet nga Policia personi fizik i cili ndihmon një të huaj në mënyrë të paligjshme të kaloj kufirin, transit dhe qëndrimit të paligjshëm në Republikën e Kosovës (neni 36 i këtij ligji).

4. Me gjobë në shumën prej gjashtëmijë (6.000) euro do të dënohet nga Policia një person juridik në rastin e paragrafit 2. dhe 3. të këtij neni, me gjobë në shumën prej dymijë e pesëqind (2.500) euro personi përgjegjës në personin juridik, për çdo të huaj të transportuar, apo të ndihmuar.

 

Neni 132

1. Nga Inspektorati i Punës me gjobë në shumë prej pesëmijë (5.000) deri tetëmijë (8.000) euro për çdo të huaji do të dënohet punëdhënësi - një person fizik i cili e ka punësuar një të huaj ose e përdor punën e tij, dhe me gjobë në shumën prej njëzetmijë (20.000) në dyzetmijë (40.000) euro për çdo të huaj do të dënohet punëdhënësi - një person juridik i cili ka punësuar një të huaj ose e përdor punën e tij:

1.1. nëse e punëson një të huaj i cili nuk posedon lejeqëndrim për punë ose certifikatë të regjistrimit të punës (neni 67, paragrafi 1. i këtij ligji);

1.2. nëse e punëson një të huaj në kundërshtim me dispozitat e nenit 67 paragrafi 6. të këtij ligji.

2. Nga Inspektorati i Punës me gjobë në shumë prej pesëmijë (5.000) deri tetëmijë (8.000) euro për çdo të huaji do të dënohet punëdhënësi - personi fizik që punëson ose përdor punën e të huajve që banojnë ilegalisht në Republikën e Kosovës, dhe me gjobë në shumën prej shtatëdhjetëmijë (70.000) deri tetëdhjetëmijë (80.000) euro për çdo të huaj do të dënohet punëdhënësi - një person juridik që punëson ose përdor punën e të huajve që banojnë ilegalisht në Republikën e Kosovës (neni 67, paragrafi 7. i këtij ligji).

3. Për shkeljet e referuara në paragrafin 1. këtij neni, do të dënohet nga Inspektorati i Punës me një gjobë prej pesëmijë (5.000) deri tetëmijë (8.000) euro personi përgjegjës i personit juridik.

4. Për shkeljet e referuara në paragrafin 2. këtij neni me gjobë në shumën prej njëzetmijë (20.000) deri dyzetmijë (40.000) euro, do të dënohet nga Inspektorati i Punës personi përgjegjës në personin juridik.

5. Për shkeljet e referuara në paragrafin 1. dhe 2. të këtij neni, mund të ndalohet kryerja e aktiviteteve.

6. Nga Inspektorati i Punës me gjobë prej dhjetëmijë (10.000) deri në pesëmbëdhjetëmijë (15.000) Euro do të dënohet punëdhënësi-personi fizik, me një gjobë prej tridhjetëmijë (30.000) deri në gjashtëdhjetëmijë (60.000) do të dënohet punëdhënësi- personi juridik i cili nuk ofron të dhëna apo pengon qasjen në hapësira të mbyllura apo të rrethuara të pronës komerciale.

 

Neni 133

1. Nga Inspektorati i Punës me gjobë në shumë prej pesëmijë (5.000) deri tetëmijë (8.000) euro do të dënohet punëdhënësi i huaj si person juridik, nëse para fillimit të dërgimit të punëtorit nuk e dorëzon deklaratën ose e dorëzon atë jo të plotë ose të gabuar (neni 80 i këtij ligji).

2. Nga Inspektorati i Punës me një gjobë prej pesëqind (500) deri njëmijepesëqind (1.500) euro për shkeljet e referuara nga paragrafin 1. të këtij neni, do të dënohet punëdhënësi i huaj si person fizik, dhe personi përgjegjës i personit juridik.

3. Inspektorati i Punës me gjobë prej pesëmbëdhjetëmijë (15.000) deri tridhjetëmijë (30.000) euro do ta dënoj çdo të huaji si marrës i shërbimit, nëse ai e di ose ka arsye për të ditur se për punën e përdor një punëtor të sistemuar i cili nuk është i punësuar ligjërisht nga një punëdhënës i huaj (neni 77 i këtij ligji);

4. Inspektorati i Punës me gjobë prej tremijë (3.000) deri pesëmijë (5.000) euro për çdo të huaji për shkeljet e referuara në paragrafin 3. të këtij neni, do të dënohet përfituesi, personin fizik dhe personi përgjegjës i personit juridik.

 

Neni 134

1. Me gjobë në shumë prej dyqind (200) deri katërqind (400) euro do të dënohet një person fizik apo me gjobë në shumën prej katërqind (400) deri tetëqind (800) euro do të dënohet nga Policia personi juridik, nëse:

1.1. nuk e lajmëron apo nuk e ç’lajmëron adresën, (neni 124 i këtij ligji);

1.2. personit të autorizuar nuk i vë në dispozicion të dhënat nga regjistrat për të huajt që ofrojnë shërbime (neni 125 paragrafi 3. i këtij ligji).

2. Për shkeljet të referuar në paragrafin 1. këtij neni, me gjobë në shumën prej pesëqind (500) deri njëmijë (1.000) euro dënohet nga Policia personi përgjegjës i personit juridik.

 

KREU XI

DISPOZITA KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

 

Neni 135

Dispozita përfundimtare për lejet e punës

Lejet e punës, të lëshuara për punëmarrësit dhe të punësuarit e huaj dhe përjashtimet nga detyrimi për pajisje me leje pune, në zbatim të dispozitave të legjislacionit në fuqi, para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në përfundim të vlefshmërisë së afatit, sa kohë që nuk anulohen nga autoritetet shtetërore përgjegjëse ose nuk bëhen të pavlefshme, në zbatim të dispozitave të këtij ligji.

 

Neni 136

Dispozita përfundimtare për lejeqëndrim

Lejet e qëndrimit lëshuar të huajve në zbatim të dispozitave të legjislacionit në fuqi, para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në përfundim të datës së përfundimit të tyre, sa kohë që nuk anulohen nga autoritetet shtetërore përgjegjëse ose nuk bëhen të pavlefshme, në zbatim të dispozitave të këtij ligji, apo akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.

 

Neni 137

Nxjerrja e akteve nënligjore dhe zbatimi i akteve nënligjore ne fuqi

1. Në zbatim të këtij ligji, MPB nxjerr aktet nënligjore për:

1.1. forma, përmbajtja dhe procedura për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit, sipas paragrafit 4. të nenit 7 të këtij ligji;

1.2. përbërja, detyrat, përgjegjësitë dhe procedura e vendimmarrjes së Komisionit të Ankesave, sipas paragrafit 4. të nenit 9 të këtij ligji;

1.3. kushtet dhe procedura e lëshimit të vizës në pikën e kalimit kufitar, sipas paragrafit 3. të nenit 26 të këtij ligji;

1.4. kushtet dhe procedura e vazhdimit të vizës, sipas paragrafit 4. të nenit 27 të këtij ligji;

1.5. forma, përmbajtja dhe procedura për lëshimin e leje qëndrimit të përkohshëm, sipas paragrafit 5. të nenit 41 të këtij ligji;

1.6. forma e urdhër largimit, Forma e urdhër largimit me forcë dhe Forma e urdhrit të qëndrimit të detyrueshëm në një territor të caktuar, sipas paragrafit 10. të nenit 94, paragrafit 8. të nenit 97 dhe paragrafit 3. të nenit 106 të këtij ligji;

1.7. procedurat e sekuestrimit, sipas paragrafit 1. të nenit 104 të këtij ligji.

2. Në zbatim të këtij ligji, MPJ nxjerr aktet nënligjore për:

2.1. detyrat dhe përgjegjësitë e ndërmjetësuesit komercial dhe/ose ofruesit e jashtëm të shërbimeve, sipas paragrafit 3. të nenit 15 të këtij ligji;

2.2. formularin, mënyrën dhe procedurat e lëshimit të vizave, sipas paragrafit 3. të nenit 17 të këtij ligji;

2.3. Sistemin Informativ të Vizave të Kosovës SIVK, sipas paragrafit 2. të nenit 20 të këtij ligji.

3. Në zbatim të këtij ligji, MPMS në bashkëpunim me MPB nxjerr akte nënligjore për:

3.1. formën, përmbajtjen, kategoritë dhe procedurat e aplikimit për lejeqëndrim për punë.

4. Lartësia e taksave për lejeqëndrimin do të përcaktohet me akt nënligjor të veçantë të nxjerrë nga ministri i MPB-së.

5. Për zbatim të këtij ligji mund të nxirren edhe akte tjera nënligjore.

 

Neni 138

Shfuqizimi

1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen:

1.1. Ligji Nr. 04/L-069 për të Huajit;

1.2. Ligji Nr.03/L-136, për Dhënien e Lejes për Punë dhe Punësimin e Shtetasve të Huaj;

1.3. të gjitha dispozitat që bien në kundërshtim me këtë ligj.

2. Deri në nxjerrjen e Udhëzimeve Administrative, mbesin në fuqi udhëzimet Administrative siç janë:

2.1. Udhëzimi Administrativ Nr. 18/2009 - MPB për Fletudhëtimin për të Huaj;

2.2. Udhëzimi Administrativ Nr. 01/2010 - MPB për Themelimin e Komisionit Shqyrtues dhe të Komisionit për Ankesa;

2.3. Udhëzimi Administrativ Nr. 02/2010 - MPB për Përmbajtjen, Formën, Mënyrën e Dhënies dhe Anulimin e Lejes së Qëndrimit;

2.4. Udhëzimi Administrativ Nr. 03/2010-MPB për Ndalimin e Hyrjes në Republikën e Kosovës;

2.5. Udhëzim Administrativ Nr. 21/2010 - MPB për Lëshimin e Vizave në Pikat e Kalimit Kufitar;

2.6. Udhëzim Administrativ Nr. 22/2010 – MPB për Lëshimin e Dokumenteve të Udhëtimit për të Huajt;

2.7. Udhëzim Administrativ Nr. 23/2010 – MPB për Mirëmbajtjen dhe Menaxhimin e Regjistrave për të Huajt;

2.8. Udhëzim Administrativ Nr. 31/2010 – MPB për Letërnjoftim për tëHuajt;

2.9. Udhëzim Administrativ 07/2012 për Procedurat e Lëshimit të Vizave për të Huajt nga Misionet Konsullore të Republikës së Kosovës;

2.10. Udhëzim Administrativ 08/2012 për Rregullimin e Sistemit të Informatave për Viza të Kosovës (SIVK);

2.11. Udhëzimi Administrativ Nr. 05/2010, për Rregullimin e Procedurave për Dhënien e Lejeve për Punë dhe Punësimin e Shtetaseve të Huaj në Republikën e Kosovës;

2.12. Udhëzimi Administrativ Nr.14/2012, për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ nr.05/2010, për Rregullimi e Procedurave për Dhënien e Lejeve për Punë dhe Punësimin e Shtetasve të Huaj në Republikën e Kosovës.

 

Neni 139

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Ligji Nr. 04/L-219 31 korrik 2013

Shpallur me dekretin Nr. DL-042-2013, datë 19.08.2013 nga Presidentja e Republikës së Kosovës

Atifete Jahjaga