Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

VENDIM Nr. 221, datë 23.3.2016

 

PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË SË TRAJTIMIT TË PRONËS

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26, pika 5, dhe 37, të ligjit nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, dhe nenit 6, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e

administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

VENDOSI:

1. Agjencia e Trajtimit të Pronës, më poshtë e quajtur ATP, është person juridik publik, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit të Drejtësisë.

2. ATP-ja ka si mision ofrimin direkt të shërbimeve publike, nëpërmjet shqyrtimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara, ne për

trajtimin e pronës, për të cilat nuk është marrë vendim, dhe shqyrtimit e vlerësimit të kërkesave për përfitimin e së drejtës së njohur për kompensim, si dhe detyra e shërbime të tjera, të ngarkuara me akte ligjore apo nënligjore në fuqi.

3. ATP-ja përmbush objektivat, kryen detyrat dhe ushtron përgjegjësitë në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

4. ATP-ja, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, është e hapur për publikun dhe në shërbim të subjekteve të shpronësuara apo të trashëgimtarëve të tyre, gjatë të gjithë orarit zyrtar të punës. Çdo kufizim, brenda orarit zyrtar, për aplikim, plotësim

dokumentacioni, takim, këshillim, me punonjësit e ATP-së, përcaktohet me urdhër të brendshëm apo me rregulloren e brendshme, që miratohen nga drejtori.

5. Organizimi i brendshëm i ATP-së miratohet nga Kryeministri, në përputhje me pikën 3, të nenit 10, të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”.

6. ATP-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori i përgjithshëm dhe nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm, për detyra që i delegohen nga drejtori i përgjithshëm, të cilët i raportojnë ministrit të Drejtësisë.

7. Drejtori i përgjithshëm i ATP-së emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, ndërsa zëvendësdrejtori i përgjithshëm emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm.

8. Drejtori i përgjithshëm, përveç detyrave dhe përgjegjësive të parashikuara në ligj, ushtron dhe këto përgjegjësi:

a) Drejton veprimtarinë e përditshme të institucionit;

b) Përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretët;

c) Shqyrton kundërvajtjet administrative, kur kryhen nga vartësit e tij;

ç) Raporton, informon dhe relaton për veprimtarinë e ATP-së në Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e përcaktuara në pikën 4, të nenit 26, të ligjit nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”;

d) Miraton rregulloren e brendshme të ATP-së.

9. Drejtori i përgjithshëm propozohet nga radhët e personave të aftë profesionalisht, me përvojë në drejtim dhe me integritet të lartë

personal.

10. Në rastet kur pozicioni i drejtorit të përgjithshëm mbetet vakant për më shumë se 20 (njëzet) ditë kalendarike, detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të përgjithshëm të ATP-së, në zbatim të ligjit nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ushtrohen, drejtpërdrejt, nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm, me përjashtim të detyrave dhe përgjegjësive që, në përputhje me ligjin nr. 133/2015, i ngarkohen drejtpërdrejt drejtorit të përgjithshëm.

11. Strukturat e ATP-së, sipas detyrave dhe përgjegjësive që kanë, raportojnë me shkrim, një herë në muaj, te drejtori i përgjithshëm i ATP-së. Raporti përmban të dhëna të përgjithshme për:

a) ecurinë e procesit të njohjes e të kompensimit të pronave dhe për mbarëvajtjen e këtij procesi, përfshirë të dhëna për masën e sipërfaqes së njohur, kompensuar fizikisht në pronën e njohur, dhe atë të njohur për kompensim, dhe, sipas rastit,

edhe për përcaktimin e zërit kadastral të saj, si dhe për vlerën e kompensuar;

b) numrin e vendimeve përfundimtare, që kanë njohur të drejtën për kompensim, të vlerësuara,  numrin e kërkesave të paraqitura nga subjektet e shpronësuara, për realizimin e së drejtës së njohur për kompensim, vlerën dhe llojin e pasurisë, si dhe

për numrin e kompensimeve të ekzekutuara, duke përfshirë, këtu, të dhëna për fondin e shpërndarë dhe për sipërfaqen e kompensuar;

c) numrin e kërkesave të shqyrtuara për raportet e objektit të punës së ATP-së, indeksin e saktë të çështjeve të pranuara apo të rrëzuara;

ç) nivelin e bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore dhe problematikat e hasura;

d) indeksin e rasteve të ankimit gjyqësor dhe ecurinë e çështjeve në gjykatë;

dh) informatizimin dhe përditësimin e sistemit të digjitalizimit të informacionit, të regjistrit digjital dhe të arkivit të ATP-së;

e) numrin dhe ecurinë e punës për komunikimin zyrtar të ATP-së, lidhur me kërkesat që paraqiten pranë institucionit;

ë) raportime të tjera, që lidhen me punën dhe detyrat funksionale të strukturave të ATP-së; Raporti për drejtorin e përgjithshëm duhet të përmbajë edhe informacion për mënyrën e zbatimit të politikës, performancën e personelit të punësuar, zbatimin dhe ndjekjen e buxhetit, zbatimin e detyrave e të përgjegjësive, të lëna nga drejtori i përgjithshëm, raportet e Departamentit të

Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit, në Kryeministri, apo raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

12. ATP-ja, nëpërmjet strukturave të saj, pranon, ndjek, plotëson, shqyrton apo heton administrativisht kërkesat e subjekteve të

shpronësuara dhe i ushtron funksionet e veta në përputhje me ligjet nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, nr. 8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, dhe ligje e akte nënligjore në fuqi.

13. Të gjithë punonjësit e ATP-së që, sipas detyrës funksionale, pranojnë, përpunojnë, plotësojnë, shqyrtojnë, hetojnë, mbikëqyrin

kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të cilat kalojnë për miratimin e vendimit përkatës te drejtori i përgjithshëm, sipas ligjit nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, kanë përgjegjësinë e vlerësimit ligjor e teknik të çështjes dhe të propozimit, në funksion të zgjidhjes së drejtë të saj, si dhe të administrimit, pasqyrimit e dokumentimit

të çdo të dhëne e veprimi teknik apo procedural, të kryer në lidhje me dosjen, objekt shqyrtimi. Evidentimi i të gjitha veprimeve procedurale kryhet nëpërmjet përfshirjes në dosje të çdo shkrese, që i bashkëlidhet praktikës, si dhe nëpërmjet depozitimit të të gjitha procesverbaleve, kujtesave, informacioneve, akteve të vlerësimit teknik apo ekspertimit, vlerësimeve ligjore të përgatitura, sipas rastit, apo çdo shkrese tjetër të brendshme apo për të tretët, lidhur me trajtimin e kërkesës. Në kuptim të këtij detyrimi, sektorët përkatës në ATP kanë përgjegjësinë ligjore të vlerësojnë ligjërisht e hartografikisht kërkesat dhe dokumentet e paraqitura, për çështje të bazueshmërisë së saj në ligj dhe në prova, brenda afatit procedural, të përcaktuar në ligj.

Vlerësimi ligjor dhe hartografik i çështjes është pjesë përbërëse e praktikës dhe nënshkruhet nga grupi i punës, me përbërje jurist dhe hartograf, që shqyrtojnë kërkesën, dhe përgjegjësin e sektorit, që e mbikëqyri dhe e pranoi atë.

14. Drejtori i përgjithshëm i raporton me shkrim, periodikisht, çdo tre muaj, ministrit të Drejtësisë, Kryeministrit dhe Komisionit të

Përhershëm Parlamentar për Ekonominë dhe

Financën të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, drejtori i përgjithshëm i raporton një herë në vit Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Raporti përmban të dhëna:

a) të përgjithshme për ecurinë e vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare, që kanë

njohur të drejtën e kompensimit, si dhe ecurinë e ekzekutimit të këtyre vendimeve, duke përgjithësuar të dhënat për sipërfaqen e

kompensuar sipas llojit të pasurisë, numrin e tyre dhe vlerën monetare të shpërndarë;

b) për numrin e kërkesave të paraqitura nga subjektet e shpronësuara, të ndara sipas qarkut dhe në shkallë vendi, si dhe për llojin e pasurisë së pretenduar;

c) për numrin e kërkesave të shqyrtuara, indeksin e saktë të çështjeve të pranuara apo të rrëzuara në ATP, si dhe për numrin e çështjeve të ndjekura e të ankimuara në gjykatë;

ç) në lidhje me fondin e tokës që është shpërndarë për kompensim nga ATP-ja; 

d) për punën e Komisionit Ndërinstitucional për identifikimin e pronës shtetërore që mund të kalojë në Fondin e Kompensimit të Pronave dhe për pronën shtetërore të identifikuar prej komisionit për të kaluar në Fondin e Kompensimit të Pronave, duke specifikuar sipërfaqen e identifikuar, llojin e pasurisë dhe vendndodhjen e saj;

dh) për nivelin e bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore;

e) për çdo çështje tjetër, për të cilën kërkohet informacion apo që, sipas vlerësimit të drejtorit të përgjithshëm, duhet të vihet në dijeni Kryeministri dhe/apo komisioni përkatës i Kuvendit. Të dhënat e përcaktuara nga shkronjat “a” deri në “e” dhe të dhënat e tjera, që kanë lidhje me procesin e njohjes dhe të kompensimit të pronave, për subjektet e shpronësuara, përgjithësohen dhe bëhen publike në faqen elektronike të Agjencisë, brenda 2 (dy) javëve nga data e dorëzimit të raportit.

15. Drejtori i përgjithshëm i ATP-së ndjek dhe vë në dijeni ministrin e drejtësisë për ecurinë e vendimmarrjes ndaj kërkesave të subjekteve të shpronësuara, për çështje të përfaqësimit të interesave ligjore të shtetit në gjykatë gjatë zgjidhjes dhe shqyrtimit të konflikteve, dhe për çdo çështje, sa herë që i kërkohet ose çmohet e domosdoshme nga drejtori i përgjithshëm.

16. Procedurat e rekrutimit dhe emërimit të punonjësve të ATP-së kryhen në përputhje me Kodin e Punës.

17. Emërohet punonjës i ATP-së shtetasi që plotëson kushtet e përgjithshme, si më poshtë vijon:

a) Të jetë shtetas shqiptar;

b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c) Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;

ç) Të zotërojë një diplomë të nivelit “Master shkencor”/“Master i arteve” apo të barasvlershmeme to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në degët drejtësi, urbanistikë, arkitekturë, inxhinieri, specialist për vlerësim pasurish të paluajtshme, ekonomist, topograf;

d) Të gëzojë figurë të pastër morale;

dh) Të mos jetë i dënuar për kryerjen e një vepre penale me vendim gjyqësor të formës së prerë;

e) Të ketë aftësi të mira komunikimi dhe organizative.

18. Punonjësit e ATP-së, përveç kërkesave të përgjithshme, të përcaktuara në pikën 17 të këtij vendimi, duhet të plotësojnë edhe kërkesat e posaçme, të përcaktuara në përshkrimin e punës.

19. Punonjësi i ATP-së nuk mund të kryejë funksione të tjera, publike apo private, të cilat bien ndesh me detyrat e tij funksionale dhe ligjore.

20. Punonjësi i ATP-së deklaron të gjitha rastet e rënies së tij në konflikt interesi, sipas parashikimeve të ligjit nr. 9367 datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar, gjatë ushtrimit të detyrave të tij. Deklarimi i konfliktit të interesit dhe kërkesa për heqjen dorë i paraqitet për vendim drejtorit të përgjithshëm të ATP-së. Përmbajtja e kërkesës dhe e vendimit u njoftohet palëve në çdo rast, brenda afateve ligjore.

21. Për realizimin e detyrave, ATP-ja ka buxhetin e vet, si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.

22. Buxheti krijohet dhe përdoret sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e sistemit financiar dhe buxhetor. Të gjitha donacionet ose të ardhurat e tjera të ligjshme përdoren sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit financiar dhe buxhetor.

23. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

Niko Peleshi