Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

PËR TRAJTIMIN E PRONËS DHE PËRFUNDIMIN E PROCESIT TË KOMPENSIMIT TË PRONAVE

(LIGJ. Nr. 133/2015 Tiranë, 5.12.2015)

 

Në mbështetje të neneve 41, 78, 83, pika 1, dhe 181 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Objekti i ligjit

Ky ligj ka për objekt:

a) rregullimin dhe shpërblimin e drejtë të çështjeve të së drejtës së pronësisë që kanë lindur nga shpronësimet, shtetëzimet ose konfiskimet, në përputhje me nenin 41 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore;

b) krijimin dhe administrimin e Fondit të Kompensimit, që do të shërbejë për kompensimin e pronave;

c) përcaktimin e procedurave për trajtimin e pronës e përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, si dhe të organeve administrative të ngarkuara për realizimin e tyre.

 

Neni 2

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është:

a) përfundimi, në përputhje me këtë ligj, i procesit të trajtimit nëpërmjet njohjes dhe kompensimit të pronave të subjekteve, të cilave u janë shpronësuar, shtetëzuar ose konfiskuar pronat, sipas akteve ligjore e nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose të marra me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti komunist prej datës 29.11.1944;

b) rregullimi dhe shpërblimi i drejtë i kompensimit të pronës, ekzekutimi i vendimeve përfundimtare të kompensimit, si dhe përfundimi i procesit të kompensimit, brenda afateve të

përcaktuara në këtë ligj, nëpërmjet fondit të kompensimit.

 

Neni 3

Fusha e zbatimit

1. Ky ligj vepron për të gjitha kërkesat, të cilat janë në shqyrtim në AKKP, në ditën e hyrjes në fuqi të tij, si edhe mbi të gjitha ato kërkesa, të cilat do të paraqiten brenda afateve të këtij ligji, sa i takon njohjes së të drejtës së pronës.

2. Gjithashtu, ky ligj i shtrin efektet, sa i takon vlerësimit financiar, për:

a) ekzekutimin e të gjitha vendimeve, të cilat nuk janë zbatuar, për njohjen e së drejtës së kompensimit, të dhëna nga organet administrative ose gjyqësore në vendin tonë;

b) çështjet që janë në shqyrtim në gjykatat e të gjitha niveleve, në Gjykatën e Lartë, si edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, sa i takon vlerësimit financiar të tyre.

 

Neni 4

Pronat që përjashtohen nga trajtimi

Nuk u nënshtrohen dispozitave të këtij ligji:

1. Pronat e përfituara si rezultat i zbatimit të ligjit nr. 108, datë 29.8.1945, për "Reformën agrare", me ndryshimet e mëvonshme.

2. Shpronësimet kundrejt një shpërblimi të drejtë, sipas përcaktimeve të kohës.

3. Pronat që i janë dhuruar shtetit, veprim për të cilin ka dokumente zyrtare.

 

Neni 5

Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. "Agjencia e Trajtimit të Pronës (ATP)" është personi juridik publik, në varësi të Ministrit të Drejtësisë, i cili ushtron përgjegjësitë e ngarkuara me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi.

2. "Fondi Financiar i Kompensimit" është fondi special, në kuptim të nenit 7, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë", i cili përdoret për kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara, të cilave u është njohur e drejta e kompensimit.

3. "Fond i tokës" është fondi fizik i pronave me status juridik shtet, që, me vendim të Këshillit të Ministrave apo vendim të ATP-së, vihet në

dispozicion për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara që disponojnë vendime përfundimtare për kompensim.

4. "Harta e vlerës" është harta e përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave "Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë", që është në fuqi në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

5. "Kompensim" është shpërblimi i drejtë, sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj. Format e kompensimit janë: "Kompensim financiar", "Kompensim fizik nga fondi i tokës" dhe "Kompensim fizik brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar".

6. "Kompensim fizik brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar" është sipërfaqja e pasurisë që është vendosur t'u jepet subjekteve të shpronësuara me vendim përfundimtar.

7. "Ndërtim" është çdo objekt që ndërtohet ose instalohet në territor, me vendosje të palëvizshme apo të përkohshme dhe që zhvillohet nën dhe/ose mbi tokë, sipas legjislacionit në fuqi.

8. "Pronë" është një send i paluajtshëm, sipas përcaktimit në Kodin Civil.

9. "Subjekt i shpronësuar" janë personat juridikë ose fizikë apo trashëgimtarët e tyre, prona e të cilëve është shtetëzuar, shpronësuar, konfiskuar ose marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti.

10. "Strukturat përgjegjëse" janë të gjitha organet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi i kohës, i ngarkuar për të vepruar në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave.

11. "Tokë" është toka bujqësore, toka pyjore, pyjet, livadhet e kullotat, tokat e pafrytshme dhe trualli.

12. "Tokë bujqësore" është toka që ndodhet jashtë vijave kufizuese të qyteteve e qendrave të banu ara në çastin e shpronësimit dhe që si e tillë figuron në regjistrat kadastralë të shtetit, e zënë me bimët e arave, pemishtet, vreshtat dhe ullishtat, kudo ku ndodhet dhe që ka veçori thelbësore të saj pjellorinë.

13. "Truall" është toka që ndodhet brenda vijave kufizuese të qyteteve e qendrave të banuara në çastin e shpronësimit. Kur për qendrën e banuar nuk ka pasur vijë kufizuese, truall do të jetë sipërfaqja e tokës që zë objekti i ndërtuar mbi të dhe oborri funksional. Sipërfaqja e këtij të fundit llogaritet sa trefishi i sipërfaqes së objektit, por jo më shumë se 500 metra katrorë.

14. "Truall industrial" është sipërfaqja e tokës që ndodhej jashtë vijave kufizuese të qyteteve dhe qendrave të banuara në çastin e shpronësimit, mbi të cilën kanë qenë të ngritura objekte të përhershme ndërtimore për qëllime ekonomike ose që i shërbejnë funksionit të tyre.

15. "Tjetërsim" është kalimi i pronësisë ose kalimi i të drejtave të tjera reale, sipas Kodit Civil.

16. "Vlerësim" është vlerësimi financiar që ATP-ja i bën vendimit përfundimtar të kompensimit, sipas dispozitave të këtij ligji.

17. "Vendim përfundimtar" është çdo vendim administrativ ose gjyqësor, i cili nuk i nënshtrohet më një procedure kontrolli dhe rishikimi nga një autoritet më i lartë administrativ ose gjyqësor, duke përfshirë këtu vendimet e formës së prerë dhe kur këto i janë nënshtruar rekursit, si përfundimtar konsiderohet vendimi i Gjykatës së Lartë.

18. "Vendim për kthim/kompensim" janë vendimet e ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave, zyrave rajonale vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave dhe të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

19. "Zë kadastral" është lloji i pasurisë dhe llojet e zërave kadastralë të trajtuar në këtë ligj, që janë truall, arë, pyll, livadh, kullotë dhe tokë e pafrytshme.

20. "Zonë kadastrale" është ndarja e pasurive, sipas hartës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

 

KREU II

RREGULLAT PËR KOMPENSIMIN

 

Neni 6

Metodologjia e vlerësimit

1. Për efekt të ekzekutimit, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës do t'i nënshtrohen vlerësimit financiar nga ATP-ja, si më poshtë:

a) prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit;

b) prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.

2. Vendimet përfundimtare, që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, vlerësohen financiarisht, sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, sipas shkronjës "a", të pikës 1, të këtij neni.

3. Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur, sipas shkronjës "b", të pikës 1, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim, e llogaritur sipas shkronjës "a", të pikës 1, të këtij neni.

4. Vlerësimi për vendimin përfundimtar që ka njohur të drejtën e kompensimit bëhet duke marrë si referim zërin kadastral, sipas origjinës së pronës, që ndodhet më afër pronës që do të kompensohet, duke u bazuar në hartën e vlerës në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në rast se pranë pronës që do të kompensohet gjenden disa zëra kadastralë të njëjtë me atë të origjinës së pronës, me distancë të njëjtë dhe me vlera të ndryshme, atëherë për referim në përllogaritje merret zona që ka çmimin më të lartë.

5. Në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet sipas pikës 1 të këtij neni. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së.

6. Vlera e aksioneve, obligacioneve, kompen-simit financiar apo çdo lloj kompensimi tjetër, duke përfshirë vlerën e pronës së përfituar nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore, që subjekti apo trashëgimtarët e tij kanë përfituar më parë, zbritet nga shuma e përllogaritur për kompensim.

7. Për vendimet e kompensimit, të përcaktuara me vlerë dhe ende të paekzekutuara, nga periudha e njohjes së të drejtës për kompensim deri në marrjen e shpërblimit, subjektet e shpronësuara do të përfitojnë indeksimin, sipas vlerës zyrtare të inflacionit dhe interesin bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

Neni 7

1. Të gjitha vendimet përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit dhe ato që do të merren deri në përfundim të procesit, sipas këtij ligji, do të zbatohen sipas parashikimeve të këtij ligji.

2. Vlerësimi financiar i vendimeve përfun-dimtare për kompensim do të bëhet duke vlerësuar financiarisht pronën e njohur për kompensim, sipas nenit 6, të këtij ligji, në përputh je me procedurën e mëposhtme:

a) nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh sesa vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar;

b) nëse vlerësimi i pronës që është njohur për kompensim është më i madh sesa vlerësimi i tokës së kthyer, atëherë subjektit i kompensohet diferenca, sipas përcaktimeve të këtij ligji;

c) në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kthim prone, atëherë llogaritet vlerësimi financiar i pronës së njohur për kompensim, bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në momentin e shpronësimit, sipas pikës 3, të nenit 6, të këtij ligji;

ç) në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kompensim prone, atëherë vendimi dhe dokumentacioni përkatës arkivohen sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për arkivat.

 

Neni 8

Format e kompensimit dhe vlerësimi

1. Subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet përfundimtare për njohje dhe kompensim:

a) financiar;

b) me pronë tjetër të paluajtshme të çdo lloji, me vlerë të barabartë, në pronësi të shtetit;

c) me aksione në shoqëri me kapital shtetëror ose ku shteti është bashkëpronar, që kanë vlerë të barabartë me pronën e paluajtshme;

ç) me vlerën e objekteve, të cilat janë objekt i privatizimit.

2. Procesit të vlerësimit të pronës që do të kompensohet, sipas këtij neni, i nënshtrohen:

a) toka;

b) objektet ndërtimore.

3. Treguesit bazë të vlerës së pronës caktohen të veçantë për tokën dhe objektet ndërtimore. Kur një pronë është bashkim i tokës me objektin ndërtimor, vlera e saj nxirret për njësi, si shumë e vlerave të objektit ndërtimor dhe të tokës mbi të cilën ai ngrihet.

4. Vlera e pronës që kompensohet nxirret sipas përcaktimeve të këtij ligji, duke u bazuar:

a) për tokën, në hartën e vlerës;

b) për objektet, në vendimin e Këshillit të Ministrave për metodologjinë e vlerësimit të pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë.

 

KREU III

FONDI I KOMPENSIMIT DHE PROCEDURA E KOMPENSIMIT TË PRONËS

 

Neni 9

Fondi i Kompensimit të pronave

1. Fondi i Kompensimit të pronave është një fond i vënë në dispozicion të kompensimit të vendimeve përfundimtare për kompensim, sipas përcaktimeve të këtij ligji, i cili përbëhet nga:

a) Fondi Financiar i Kompensimit;

b) fondi i tokës.

2. Fondi i Kompensimit është i paprekshëm. Asnjë organ administrativ apo gjyqësor nuk mund të disponojë mbi këtë fond, përveç subjekteve të parashikuara në këtë ligj për administrimin e tij.

 

Neni 10

Fondi Financiar i Kompensimit

1. Fondi Financiar i Kompensimit vlerësohet fond special, në kuptim të nenit 7, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë". Procedurat e propozimit dhe të miratimit të buxhetit të këtij fondi janë po ato që zbatohen për ligjin për Buxhetin e Shtetit dhe paraqiten së bashku me të për miratim në Kuvend.

2. Fondi i Kompensimit të pronave përdoret për kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara, të cilave u është njohur e drejta e kompensimit, me vendim përfundimtar.

3. Burimet e Fondit Financiar të Kompensimit të pronave janë:

a) të ardhurat nga Buxheti i Shtetit për kompensimin e pronarëve;

b) të ardhurat nga shitja në ankand e pasurive shtetërore, pjesë e fondit të tokës;

c) të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, sipas ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar;

ç) të ardhura të tjera që, sipas ligjeve të veçanta apo akteve nënligjore, kalojnë për llogari të fondit të kompensimit të pronave;

d) të ardhurat nga donatorë të ndryshëm.

4. Fondi i Kompensimit të pronave administrohet nga Agjencia e Trajtimit të Pronave në një llogari të veçantë të thesarit në Bankën e Shqipërisë. Burimet që përbëjnë Fondin e Kompensimit të pronave, sipas pikës 3, të këtij neni, arkëtohen dhe administrohen, sipas natyrës së tyre, nëpërmjet sistemit të thesarit.

5. Pavarësisht nga rregulli i përcaktuar në nenin 5, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë", gjendja e mjeteve monetare të papërdorura nga Fondi i Kompensimit të pronave në fund të vitit buxhetor, në llogarinë e veçantë në Bankën e Shqipërisë, mbartet për llogari të vitit të ardhshëm.

6. Llogaritë e Fondit të Kompensimit të pronave paraqiten në Kuvend si pjesë e raportit vjetor të konsoliduar të zbatimit të Buxhetit të Shtetit.

7. Subjektet e shpronësuara, të cilat disponojnë një vendim përfundimtar për kompensim, përfitojnë kompensim nga Fondi i Kompensimit në masën dhe sipas mënyrës së përcaktuar në këtë ligj.

8. Mënyra dhe procedura për administrimin e Fondit Financiar të Kompensimit dhe rregullat për arkëtimin e administrimin e burimeve, që përbëjnë këtë fond, rregullohen sipas legjislacionit në fuqi.

 

Neni 11

Shpërndarja e Fondit Financiar të Kompensimit

1. B uxheti i shtetit miraton çdo vit buxhetor një fond financiar, sipas tabelës të paraqitur në shtojcën 2 të këtij ligji, por jo më pak se 50 miliardë lekë në10 vjet, i cili do të administrohet nga ATP-ja për realizimin e procesit të kompensimit të pronave.

2. ATP-ja njofton publikisht, nëpërmjet faqes zyrtare të institucionit, Buletinit të Njoftimeve Zyrtare dhe/ose në media, listën e subjekteve që përfitojnë nga Fondi i Kompensimit të pronave për periudhën përkatëse, duke i orientuar subjektet që të hapin llogari pranë njërës prej bankave të nivelit të dytë.

3. ATP-ja hap llogari bankare në banka të nivelit të dytë, në të cilat depozitohet fondi i vënë në dispozicion për kompensimin e pronave.

4. Subjektet përfituese i njoftojnë ATP-së të dhënat e llogarisë së tyre bankare, në të cilën do të kryhet pagesa e kompensimit.

5. Pas çeljes së llogarisë bankare individuale në bankë nga subjektet përfituese, ATP-ja urdhëron bankën për kryerjen e pagesave nga llogaria e ATP-së në llogarinë e subjektit përfitues. Në urdhrin që i dërgohet bankës duhet të përcaktohen emri i përfituesit, shuma e përfitimit si dhe numri i llogarisë bankare të përfituesit.

6. Bazuar në urdhrin e ATP-së, banka bën kalimin e shumës në llogaritë respektive të subjekteve përfituese.

7. Llogaria bankare e hapur në emër të ATP-së, në të cilën do të depozitohen shumat e caktuara për kryerjen e kompensimit, është e përjashtuar nga vendimet për bllokimet dhe sekuestrimet e përmbaruesit gjyqësor.

 

Neni 12

Fondi i tokës

1. Fondi i tokës përbëhet nga:

a) fondi fizik i pronave në çdo qark, i vënë në dispozicion me vendim të Këshillit të Ministrave;

b) fondi fizik i pronave, i cili, me vendim të ATP-së, sipas pikës 5, të nenit 6, të këtij ligji, bëhet pjesë e fondit të tokës bazuar në rregullat e përcaktuara në këtë ligj;

c) sipërfaqet e mbetura të lira në territoret me ndërtime informale;

ç) sipërfaqe të tjera të vëna në dispozicion, sipas mënyrave të përcaktuara me ligj ose akte nënligjore.

2. Fondi i tokës vlerësohet financiarisht nga ATP-ja, bazuar në hartën e vlerës, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, brenda 30 ditëve për fondin që vihet në dispozicion me vendim të Këshillit të Ministrave dhe menjëherë për fondin që kalon me vendim të ATP-së.

3. Të dhënat për këtë fond publikohen në mjediset e ATP-së dhe në faqen zyrtare menjëherë pas kryerjes së procedurës së vlerësimit.

 

Neni 13

Kompensimi fizik me ankand

1. ATP-ja, me qëllim shtimin e burimeve financiare për Fondin Financiar të Kompensimit, realizon ankande për shitjen e pronës, pjesë e

fondit të tokës. Në ankand marrin pjesë të gjitha subjektet që disponojnë një vendim kompensimi, të vlerësuar financiarisht nga ATP-ja. Subjektet, që kanë një vlerësim financiar të vendimit përfundimtar për kompensim, mund të marrin pjesë në ankand nëse ata shprehin vullnetin për të përfituar nga fondi i kompensimit fizik. ATP-ja shpall subjektin fitues në përputhje me legjislacionin në fuqi për ankandin publik, bazuar në ofertën më të lartë. Nëse ofertat janë të barabarta, i jepet përparësi ofertave brenda qarkut ku ndodhet prona e njohur për kompensim dhe në rast se ka disa oferta të tilla, vendimit përfundimtar më të hershëm.

2. Nëse ankandi për shitjen e pronës nuk realizohet 2 herë radhazi për subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi, atëherë ATP-ja bën një ankand publik për shitjen e kësaj prone. ATP-ja realizon ankandin në përputhje me legjislacionin në fuqi për ankandin publik. ATP-ja, gjatë procedurave të ankandit, në asnjë rast nuk mund ta shesë pronën, pjesë e fondit të tokës, me një çmim më të ulët sesa vlerësimi fillestar i saj, i bërë sipas pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji.

3. Të ardhurat e realizuara nga shitja në ankand e pronave, pjesë të fondit të tokës, kalojnë në Fondin Financiar të Kompensimit dhe përdoren për kompensimin financiar të subjekteve, sipas dispozitave të këtij ligji.

 

Neni 14

Raste të tjera të kompensimit fizik

1. Në rast se pas ankandit publik, sipas përcak-timeve në nenin 13, të këtij ligji, prona nuk shitet, atëherë ajo përdoret për kompensimin fizik të subjekteve që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi.

2. ATP-ja publikon në faqen e saj zyrtare dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, për një periudhë 45-ditore, informacionin për pronën që do të përdoret për kompensim fizik dhe gjatë kësaj periudhe pret kërkesa nga subjektet që disponojnë vendim përfundimtar kompensimi. Në përfundim të afatit 45-ditor, ATP-ja, brenda 30 ditëve, shpall subjektin përfitues që ka aplikuar, sipas ofertës më të lartë ose, në raste kur ka oferta të barabarta, sipas prioritetit të përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, të këtij ligji, dhe vijon procedurat për kompensimin fizik të subjektit përfitues.

3. Subjekti, kërkesës për kompensim fizik duhet t'i bashkëlidhë edhe një deklaratë, me anë të së cilës heq dorë nga pjesa e mbetur e kompensimit nëse shpallet përfitues.

4. Në rast se edhe në përfundim të kësaj procedure nuk përdoret t ërësisht fondi i kompensimit fizik, ATP-ja disponon drejtpërdrejt me vendim kompensimi fizik, sipas përcaktimeve të kreut IV "Shqyrtimi i kërkesave të patrajtuara".

5. Rregullat dhe procedurat për zbatimin e këtij neni përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 15

Afatet e vlerësimit financiar të vendimeve për kompensim

1. Brenda një afati 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe sipas përcaktimeve të tij, ATP-ja, vlerëson vetëm financiarisht, të gjitha vendimet përfundimtare të pavlerësuara që kanë njohur të drejtën e kompensimit.

2. Nëse ATP-ja nuk përmbush brenda këtij afati 3-vjeçar detyrimin, sipas pikës 1, të këtij neni, subjektit i lind e drejta t'i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

3. Prioritet për vlerësimin financiar do të kenë vendimet përfundimtare në rend kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm.

 

Neni 16

Procedura e regjistrimit dhe zbatimit të vendimeve të kompensimit

1. ATP-ja, brenda një afati 6-mujor nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, publikon regjistrin e të gjitha vendimeve që njohin të drejtën e kompensimit të pronës së subjekteve të shpronësuara. Regjistri duhet të përmbajë informa-cion për dokumentacionin që mungon në dosjen e vendimit. Regjistri bëhet publik në faqen zyrtare të ATP-së, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare dhe/ose në media. Rregullat e krijimit, mbajtjes dhe administrimit të regjistrit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ATP-së.

2. Subjektet e interesuara mund të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit.

3. Në rast se vendimet administrative kanë të meta teknike/hartografike apo gabime materiale të dukshme, me kërkesë të subjektit, ATP-ja mund të bëjë plotësimin e të metës apo ndreqjen e gabimit, pa prekur përmbajtjen e vendimit, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Adminis-trative të Republikës së Shqipërisë.

4. Vendimi i kompensimit vlerësohet financiarisht me çmimin minimal të përcaktuar në hartën e vlerës për atë njësi administrative dhe për atë kategori prone, nëse:

a) subjektet e interesuara nuk sjellin dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit brenda afatit të përcaktuar, sipas pikës 2, të këtij neni, dhe;

b) ATP-ja është në pamundësi objektive për të vlerësuar pronën, bazuar në dokumentacionin që disponon.

5. Kompensimi i subjekteve fillon pasi vendimi i vlerësimit financiar bëhet përfundimtar. Ky vendim bëhet përfundimtar kur:

a) ka kaluar afati i përcaktuar në pikën 3, të nenit 19, të këtij ligji, dhe nuk ka pasur ankim;

b) Avokatura e Shtetit dhe subjektet e interesuara deklarojnë që nuk do të bëjnë ankim;

c) ka ankim dhe është përfunduar shqyrtimi në gjykatat e të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë.

6. Procesi i pagesës për të gjitha vendimet përfundimtare që kanë të njohur të drejtën e kompensimit do të përfundojë brenda një afati prej 10 vitesh nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.

7. Shpërblimi për efekt kompensimi nuk i nënshtrohet asnjë takse dhe tatimi.

 

Neni 17

Shqyrtimi i kërkesave të veçanta për kompensim financiar

1. Nga fondi vjetor buxhetor i kompensimit financiar, referuar pikës 1, të nenit 11, të këtij ligji, jo më shumë se 1/3 e tij mund të përdoret për rastet e kërkesave të veçanta për kompensim financiar.

2. Subjektet, që shprehin vullnetin për t'u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë, mund të përfitojnë nga ky fond, si më poshtë:

a) kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20 për qind të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere;

b) kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 3 vitesh, atëherë ai përfiton 30 për qind të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere;

c) kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 5 vitesh, atëherë ai përfiton 40për qind të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.

3. Prioritet për trajtim do të kenë kërkesat e bëra sipas shkronjës "a" ndaj kërkesave të bëra sipas shkronjave "b" e "c" dhe kërkesat sipas shkronjës "b" ndaj kërkesave, sipas shkronjës "c", të pikës 2, të këtij neni. Në kërkesat sipas së njëjtës pikë, prioritet do të kenë vendimet përfundimtare që janë më të hershme.

 

Neni 18

Trajtimi i rasteve me mbivendosje

1. Në rastet kur evidentohen mbivendosje të së drejtës për kompensim, ATP-ja bën vlerësimin përkatës, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

2. ATP-ja vijon procedurat për ekzekutimin e vendimit në pjesët që nuk kanë mbivendosje. Për pjesën që është me mbivendosje, Agjencia depoziton vlerën përkatëse në një llogari të veçantë bankare, e cila, pas zgjidhjes përfundimtare të mbivendosjes, i paguhet subjektit. Palët mund ta zgjidhin rastin me mbivendosje me marrëveshje me njëri- tjetrin ose në rrugë gjyqësore.

 

Neni 19

Ankimi ndaj vlerësimit financiar

1. Çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet kundër vlerësimit financiar të kryer nga ATP-ja për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit.

2. ATP-ja publikon vlerësimin në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurave Adminis-trative.

3. Pas kalimit të afatit 30-ditor, nëse subjekti i interesuar nuk ka bërë ankim, vlerësimi i vendimit përfundimtar të kompensimit ekzekutohet nga ATP-ja, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

 

KREU IV

SHQYRTIMI I KËRKESAVE TË PATRAJTUARA

 

Neni 20

Kërkesat e patrajtuara

Kërkesat e bëra para hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe kërkesat e bëra brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj, nëse prona nuk kategorizohet në pronat e përcaktuara në nenet 4 dhe 25, të këtij ligji, do t'i nënshtrohen trajtimit të pronës nëpërmjet njohjes së të drejtës së subjekteve të shpronësuara me vendim të ATP-së dhe kompensimit të tyre sipas këtij ligji. Në çdo rast, aty ku është e mundur, i jepet përparësi kompensimit fizik në pronën që i njihet subjektit me vendim të ATP-së.

 

Neni 21

Kompensimi fizik në pronën e subjektit të shpronësuar

1. Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kompensohen pa kufizim fizikisht, brenda pronës së njohur, pronat e paluajtshme të lira, sipas përcaktimeve të këtij ligji, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kompensohet fizikisht deri në 100 ha.

2. Në rast se subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) ka përfituar nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore, atëherë vlera e sipërfaqes, që i kompensohet fizikisht në tokën e njohur apo në çdo mënyrë tjetër, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës, që do t'i takonte në kushtet e mospërfitimit nga zbatimi i dispozitave ligjore për ndarjen e tokës bujqësore, me vlerën për sipërfaqen, që secili prej subjekteve të shpronësuara apo trashëgimtarëve të tyre kanë përfituar nga zbatimi i këtij ligji.

3. Në rast se prona e pretenduar kategorizohet në pronat që nuk kompensohen fizikisht dhe subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) ka përfituar nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore, atëherë vlerës së kompensimit, sipas këtij ligji, i zbritet vlera e pronës për sipërfaqen, që secili prej subjekteve të shpronësuara apo trashëgimtarëve të tyre kanë përfituar nga zbatimi i dispozitave ligjore për ndarjen e tokës bujqësore.

4. Në çdo rast, në caktimin e vlerës së pronës për kompensim mbahet në konsideratë edhe çdo përfitim i zbritshëm në vlerën e kompensimit, sipas këtij ligji.

5. U kompensohen fizikisht subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, në rastet kur këto prona nuk janë të zëna, sipas përcaktimit të pikës 1,të nenit 25, të këtij ligji. Përcaktimi i territoreve turistike, për efekt të zbatimit të këtij ligji, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

6. Subjekteve të shpronësuara u kompensohen fizikisht pronat e paluajtshme, në pronësi apo administrim të institucioneve shtetërore që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre dhe nuk kryejnë funksion publik, si dhe në rastet kur këto prona nuk janë të zëna, sipas përcaktimit të pikës 1,të nenit 25, të këtij ligji.

7. Trualli i zënë me ndërtime në pronësi të shtetit, mbi të cilin janë ngritur ndërtime të përhershme dhe të ligjshme në pronësi të pronarit shtet, trajtohet sipas dispozitave të këtij ligji.

8. Subjektet e shpronësuara, pronat e të cilave janë përmbytur nga ndërtimi i hidrocentraleve, trajtohen sipas dispozitave të këtij ligji, me përjashtim të rasteve kur kanë përfituar sipas legjislacionit për shpronësimet për interes publik.

9. Subjektet e shpronësuara,të trajtuara me kthim apo kompensim, sipas akteve ligjore që kanë trajtuar procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës ndër vite, kanë të drejtën e përfitimit nga ky ligj vetëm për pjesën e pronës së pakthyer ose të pakompensuar.

10. Në rastet kur një apo disa nga trashëgimtarët e subjektit kanë përfituar nga dispozitat ligjore për ndarjen e tokës bujqësore, ATP-ja i orienton subjektet të bëjnë ndarjen e pjesëve takuese dhe pozicionimin e tyre me aktmarrëveshje.

 

Neni 22

E drejta e parablerjes

1. Në rast se objektet shtetërore, të ndërtuara mbi troje të njohura për kompensim me vendime përfundimtare, ku është përcaktuar e drejta e parablerjes, transferohen në pronësi apo në administrim të një institucioni tjetër shtetëror, e drejta e parablerjes nuk shuhet.

2. Për pronat e paluajtshme, të zëna me objekte shtetërore, subjektet e shpronësuara kanë të drejtën e parablerjes mbi këto objekte kur ato të privatizohen. Subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të heqin dorë nga e drejta e parablerjes përkundrejt kompensimit, sipas rregullave të

përcaktuara në këtë ligj, brenda një afati 1-vjeçar nga publikimi i regjistrit, sipas këtij ligji. Ky afat është prekluziv.

3. E drejta e p arablerjes regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

 

Neni 23

Tokat e dhëna në përdorim

Tokat e dhëna në përdorim, me qira ose në ndonjë formë tjetër, nga shteti, kur nuk janë të zëna, në kuptim të nenit 25, të këtij ligji, i kompensohen subjektit të shpronësuar, sipas kritereve dhe kushteve të këtij ligji. Subjekti përfitues në çdo rast detyrohet të respektojë marrëdhënien juridike ekzistuese.

 

Neni 24

Trajtimi i pronës në tokat e zëna me ndërtime

1. Për aplikimet e bëra, sipas nenit 21, të këtij ligji, në zonat e deklaruara informale me akt ligjor dhe nënligjor, aplikuesve u njihet e drejta për kompensimin e pronës së zënë, sipas kritereve të këtij ligji. Brenda territorit të zonave të deklaruara informale nuk lejohet kompensimi fizik.

2. ATP-ja, në territoret e tjera me ndërtime, për aq sa është e mundur, trajton me kompensim fizik brenda pronës së njohur aplikuesit për pjesën e pronës që është e lirë nga ndërtimi. Nuk lejohet kompensimi fizik nën truallin e objekteve dhe në një hapësirë funksionale përreth, të nevojshme për t'i shërbyer objektit.

3. ATP-ja dhe ALUIZNI veprojnë në vendimmarrjen e tyre mbi të njëjtën hartë, të unifikuar dhe të publikuar elektronikisht, e cila bëhet funksionale brenda 3 muajve nga hyja në fuqi e këtij ligji. ATP-ja, në çdo rast, kryen verifikimin në terren të pronës.

4. Të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, sipas ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar, transferohen në llogari të ATP-së, e cila bën shpërndarjen e tyre, sipas vlerës së miratuar të shpërblimit.

5. Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Financave, në bazë të të ardhurave të arkëtuara, sipas shkronjës "c", të pikës 3, të nenit 10, të këtij ligji, miraton shumën në dispozicion të subjekteve, të parashikuar në pikën 5, të këtij neni, si dhe shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume.

6. Subjektet, të cilave u është njohur e drejta për shpërblim, në përputhje me ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar, përfitojnë shpërblim në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelave ndërtimore, sipas pikës 4 të këtij neni.

7. Pas likuidimit të vlerës së shpërblimit, pjesa e mbetur e fondit kalon në Fondin e Financiar të Kompensimit të subjekteve të shpronësuara, sipas shkronjës "c", të pikës 3, të nenit 10, të këtij ligji.

 

Neni 25

Pronat që nuk kompensohen fizikisht

1. Nuk i nënshtrohen kompensimit fizik në pronën e njohur pronat e paluajtshme, që:

a) i shërbejnë një interesi publik, sipas kufizimeve të vendosura me ligj;

b) shërbejnë për realizimin e detyrimeve të shtetit shqiptar, që rrjedhin nga traktatet dhe konventat, në të cilat shteti është palë;

c) janë pronë publike e patjetërsueshme, në përputhje me aktet ligjore ose nënligjore;

ç) janë të zëna, sipas akteve ligjore, paraqitur në shtojcën 1 të ligjit.

2. Në rast se pronat e paluajtshme, që përfshihen në pikën 1, të këtij neni, propozohen të tjetërsohen, ato u kalojnë subjekteve të shpronësuara kur këto nuk janë kompensuar për atë pronë. Në këtë rast, pronat kompensohen sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

 

KREU V

ORGANET SHTETËRORE PËR PROCESIN E TRAJTIMIT TË PRONAVE

 

Neni 26

Agjencia e Trajtimit të Pronave

1. Për zbatimin e këtij ligji ngarkohet Agjencia e Trajtimit të Pronave, në vijim ATP-ja, person juridik publik, në varësi të Ministrit të Drejtësisë, me seli në Tiranë. ATP-ja kryen këto detyra dhe përmbush këto përgjegjësi:

a) përfundon brenda afatit ligjor shqyrtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara për trajtimin e pronës, për të cilat nuk është marrë vendim, duke kontrolluar, vlerësuar e konfirmuar:

i) tërësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara dhe përputhshmërinë e tij me kriteret e përcaktuara në këtë ligj;

ii) vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara, përmes ballafaqimit me aktet ligjore e nënligjore ose vendimet gjyqësore, në përputhje me nenin 2, të këtij ligji, të cilat kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë të pronës nga shteti.

Pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave, sipas përcaktimeve të bëra në shkronjën "a", të pikës 1, të këtij neni, Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së shprehet me vendim brenda afatit të përcaktuar në nenin 33, të këtij ligji, për:

- rrëzimin e kërkesës;

- njohjen, sipas rastit, të së drejtës së pronësisë, kompensimin fizik brenda kufijve të pronës së njohur apo kompensimin nga fondi i tokës ose kompensimin financiar të pasurisë dhe të të drejtave të tjera reale, sipas përcaktimeve në këtë ligj;

b) pranon, shqyrton dhe vlerëson kërkesat për përfitimin e së drejtës së njohur për kompensim, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore në fuqi;

c) verifikon dhe llogarit detyrimet financiare, që i lindin shtetit për subjektet e shpronësuara ose për të tretët, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj;

ç) depoziton për regjistrim në regjistrat e pasurisë së paluajtshme të gjitha vendimet që trajtojnë pronën;

d) çdo detyrë tjetër të caktuar me këtë ligj dhe aktet nënligjore që nxirren në zbatim të tij.

2. Këshilli i Ministrave, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton listën e dokumenteve të nevojshme për procesin e trajtimit të pronës, sipas këtij ligji.

3. Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave miraton me vendim ngritjen e një komisioni me përbërje ndërinstitucionale, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri, me përfaqësim nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit. Komisioni administron punën për identifikimin e pronës shtetërore që mund të kalojë dhe të bëhet pjesë në Fondin e Kompensimit të pronave. Komisioni kryen identifikimin e pronave dhe i propozon Këshillit të Ministrave kalimin e këtyre pronave në fondin e tokës. ATP-ja ngre dhe kryeson një sekretariat teknik për mbështetjen e punës së komisionit. Organizimi dhe funksionimi i këtij procesi përcaktohen në vendimin e Këshillit të Ministrave për ngritjen e komisionit.

4. ATP-ja raporton çdo vit pranë Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, për zbatimin e këtij ligji. Nëse është e nevojshme, raportojnë, gjithashtu, para këtij Komisioni Parlamentar, institucionet përfaqësuese në komisionin me përbërje ndërinstitucionale, i ngritur sipas pikës 3 të këtij neni.

5. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të ATP-së përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

6. Tarifat, që mbulojnë kostot administrative për procedurat e trajtimit të pronës nga ATP-ja, përcaktohen me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.

 

Neni 27

Trajtimi i kërkesave

1. ATP-ja shqyrton kërkesat e paraqitura dhe që janë të patrajtuara, sipas dispozitave të këtij ligji. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, subjekteve të interesuara u caktohet një afat prekluziv prej 90 ditësh për aplikim në lidhje me njohjen e pronësisë. Ky afat nuk mund të zgjatet dhe as të rivendoset në afat nga gjykata apo ndonjë organ tjetër administrativ.

2. ATP-ja shqyrton kërkesat për kompen-sim, sipas procedurave dhe afateve të përshkruara në kreun III të këtij ligji.

3. Në zbatim të këtij ligji, të gjitha aplikimet e mbështetura vetëm mbi vërtetimin e faktit juridik, në kuptim të nenit 388, të Kodit të Procedurës Civile, refuzohen nga ATP-ja me vendim.

4. ATP-ja, gjatë shqyrtimit të kërkesave të patrajtuara, zbaton rregullat e vendosura nga ky ligj dhe gjatë trajtimit bën vlerësimin e pronës, sipas neneve 6 dhe 7 të këtij ligji.

5. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së, në zbatim të përgjegjësive të ngarkuara nga ky ligj, shprehet me vendim. Vendimet e dhëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, sipas këtij neni, duhet të jenë në formë të shkruar, të arsyetuara, të nënshkruara nga titullari dhe të përmbushin kërkesat për aktin administrativ, të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë. Kur vendimi nuk ankimohet Brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, ai përbën titull ekzekutiv.

 

Neni 28

Procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të akteve nga subjektet e shpronësuara gjatë trajtimit të kërkesave

1. Mbledhja, përpunimi dhe administrimi i akteve të subjekteve të shpronësuara, gjatë procesit të trajtimit të kërkesave, bëhen sipas këtyre procedurave:

a) për kërkesat e reja, të cilat do të depozitohen nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në mbylljen e afatit prekluziv prej 90 ditësh, subjektet e shpronësuara do të plotësojnë:

i) formularin tip për aplikimin e kërkesave për njohje dhe kompensim, i cili duhet të jetë i nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi, sipas ligjit, subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar;

ii) dokumentacionin ligjor;

iii) dokumentacionin hartografik, sipas kër-kesave që do të përcaktohen për dorëzimin e tyre;

b) për kërkesat e paraqitura për trajtim, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, dhe të patrajtuara me vendim, ATP-ja fillon menjëherë shqyrtimin e tyre si më poshtë:

i) brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, krijon regjistrin e kërkesave pa vendim, bazuar në rendin kronologjik të aplikimit të tyre, pranë strukturave përgjegjëse në kohën e dorëzimit të tyre, bazuar në nivel qarku;

ii) brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nis procesin e njoftimit të subjekteve të shpronësuara për dokumentacionin që duhet plotësuar, në përputhj e me kërkesat e përcaktuara me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së, sipas prioritetit të përcaktuar në pikën 3, të nenit 15, të këtij ligji;

iii) procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të akteve nga subjektet e shpronësuara, gjatë trajtimit të kërkesave, u nënshtrohen dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.

2. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton formularin tip, referuar në nënndarjen "i", të shkronjës "a", të pikës 1, të këtij neni, dhe brenda 60 ditëve miraton kërkesat për plotësimin e kërkesave të patrajtuara, sipas nënndarjes "iii", të shkronjës "b", të pikës 1, të këtij neni.

3. Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të pajiset nga zyra e protokollit të ATP-së me vërtetimin përkatës për numrin e protokollit të dosjes së regjistruar, që tregon edhe datën e dorëzimit të kërkesës e të dokumenteve të tij.

4. Kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të cilat depozitohen nëpërmjet shërbimit postar dhe kanë mangësi në dokumentacionin shoqërues, gjë që e bën të pamundur vlerësimin e tyre, do t'i kthehen kërkuesit në adresën e dhënë, duke i kërkuar plotësimin e dokumentacionit në mënyrë të hollësishme. Kërkesa, së cilës i mungon adresa e saktë postare, vlerësohet jo e mirëqenë dhe riaktivizohet vetëm me interesimin e kërkuesit pranë zyrave të ATP-së. Në çastin e konstatimit, nga struktura përkatëse e ATP-së bëhet shpallja publike në mjediset e ATP-së dhe në njësitë e qeverisjes vendore, ku ndodhet prona, objekt pretendimi. Kërkesa e subjektit të interesuar pranohet brenda një afati 3-mujor nga data e konstatimit, në të kundërt, kërkesa e subjektit nuk pranohet, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së.

5. ATP-ja pranon dhe administron kërkesat e subjekteve të shpronësuara kundrejt tarifave të përcaktuara, me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.

 

Neni 29

Ankimi

Kundër vendimit të ATP-së për njohjen e së drejtës, palët e interesuara dhe Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjnë ankim, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të këtij vendimi, pranë Gjykatës së Apelit, sipas rregullave të Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 30

Regjistrimi i vendimit

1. Kur vendimi i marrë, sipas këtij ligji, bëhet përfundimtar, Agjencia ose çdo palë e interesuar e dërgon atë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për regjistrim.

2. Për vendimet që nuk u është dhënë formë e prerë, për shkak të ndryshimeve të ligjit, Agjencia verifikon nëse është bërë ankim brenda afatit ligjor dhe, në rast të kundërt, këto vendime konsiderohen të formës e prerë.

3. Vendimet mbi të drejtën e parablerjes, që janë verifikuar nga Agjencia pas përfundimit të regjistrit, do t'i dërgohen Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme brenda një muaji nga data e verifikimit dhe në çdo rast brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Zyra do t'i regjistrojë ato pa aplikuar gjoba, kamata apo tarifa. Subjektet e interesuara janë përgjegjëse për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm që kërkohet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të mbështetur regjistrimin e vendimit. E njëjta gjë do të bëhet edhe për vendimet e kompensimit.

4. Çdo vendim gjykate, që ka ndryshuar vendimin e ATP-së për kthimin/kompensimin apo për vlerën e kompensimit, do t'i njoftohet ATP-së dhe do të regjistrohet në regjistrin përkatës të vendimmarrjes, i cili mbahet nga ATP-ja. Ky regjistër bashkërendohet me regjistrin aktual të vendimmarrjes së ATP-së dhe të agjencive të tjera të mëparshme kompetente për kthimin dhe kompensimin e pronës.

 

Neni 31

Kundërvajtjet administrative

1. Në kuptim të këtij ligji, shkeljet e mëposhtme, pavarësisht nëse përbëjnë ose jo vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:

a) shkelja e dispozitave ligjore dhe nënligjore për administrimin e Fondit të Kompensimit dënohet me gjobë administrative nga 200 000 (dyqind mijë) - 800 000 (tetëqind mijë) lekë;

b) shkelja e dispozitave ligjore dhe nënligjore për respektimin e afateve dhe procedurave të kompensimit fizik me ankand, rasteve të tjera të kompensimit fizik, vlerësimit financiar të vendimeve për kompensim, kompensimit fizik në pronën e subjektit të shpronësuar, shqyrtimit të kërkesave të patrajtuara dhe çdo afat dhe procedurë tjetër, të detyrueshme, të parashikuar në këtë ligj, dënohet me gjobë administrative nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) - 300 000 (treqind mijë) lekë.

2. Masa e gjobës përcaktohet, në çdo rast, në përpjesëtim të drejtë me natyrën e kundërvajtjes së konstatuar, me përgjegjësinë dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje të zyrtarit ose të kundërvajtësit dhe me faktin nëse kundërvajtësi është përsëritës apo jo. Në rast përsëritjeje të kundërvajtjes, kundërvajtësi dënohet me dyfishin e vlerës së gjobës.

3. Kompetenca për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, të parashikuara në këtë nen, i takon:

a) Drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së, kur sh kelja është kryer nga vartësit e tij;

b) gjykatës administrative, kur shkelja kryhet nga Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së.

4. Procedurat e konstatimit të kundërvajtjes, të njoftimit të kundërvajtësit, vendimit, ankimit dhe masave të tjera administrative, kundrejt shkeljeve të këtij ligji, si dhe ekzekutimi i dënimit rregullohen sipas dispozitave të ligjit në fuqi për kundërvajtjet administrative.

 

KREU VI

DISPOZITA TË FUNDIT

 

Neni 32

Dispozitë kalimtare

1. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave transformohet në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

2. AKKP-ja do të vazhdojë të funksionojë, sipas strukturës ekzistuese, deri në miratimin e mënyrës së organizimit dhe funksionimit të ATP-së, sipas parashikimit të pikës 5, të nenit 26, të këtij ligji, dhe miratimit të strukturës e të organikës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3. Praktikat dokumentare administrative, të cilat janë në shqyrtim dhe ndjekje nga ana e AKKP-së, transferohen për administrimin e ndjekjen e tyre në vazhdim nga ATP-ja.

4. Arkivi, mjetet e punës dhe logjistika e zyrave të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, krijuar dhe administruar sipas ligjit, i transferohen në përgjegjësi administrimi ATP-së.

5. Fondet buxhetore, të planifikuara për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, transferohen në llogari të ATP-së.

6. ATP-ja ngarkohet të dixhitalizojë

informacionin hartografik të të gjitha vendimeve përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës.

 

Neni 33

Kërkesat për trajtimin e sipërfaqes së patrajtuar me vendimet e mëparshme për shkak të kufizimeve ligjore të kohës.

Për aplikimet e bëra, mbështetur në nenin 22, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar, do të procedohet në mënyrën, formën dhe kushtet e parashikuara nga ky ligj.

 

Neni 34

Afati i përfundimit të procesit

1. Procesi i shqyrtimit të dosjeve, që janë aplikuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që janë në proces shqyrtimi pranë Agjencisë, përfundon brenda 3vitesh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Procesi i ndarjes së Fondit të Kompensimit të pronave vazhdon deri në kompensimin, sipas përcaktimeve të këtij ligji, të të gjitha subjekteve që disponojnë vendim përfundimtar kompensimi dhe brenda afatit të përcaktuar në pikën 6, të nenit 16, të këtij ligji.

2. Nëse ATP-ja nuk përmbush detyrimin për të trajtuar kërkesat e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, brenda afatit 3-vjeçar,atëherë subjektet mund t'i drejtohen gjykatës së shkallës së parë për të trajtuar kërkesën e tyre, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

 

Neni 35

Ruajtja e dokumentacionit

Dokumentacioni i procesit të njohjes e kompensimit të pronave ruhet, sipas legjislacionit në fuqi për arkivat. Me përfundimin e procesit, sipas nenit 33, të këtij ligji, ky dokumentacion i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

 

Neni 36

Bashkëpunimi ndërinstitucional

1. ATP-ja, në funksion të procesit të njohjes dhe kompensimit të pronës, bashkërendon veprim-tarinë me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencinë e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale, Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, Avokaturën e Shtetit, Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Arkivin e Shtetit, Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit, organet e pushtetit vendor dhe çdo institucion tjetër, veprimtaria e të cilit lidhet apo ka përgjegjësi për këtë proces. Çdo institucion shtetëror, veprimtaria e të cilit lidhet apo ka përgjegjësi për procesin e njohjes dhe kompensimit të pronës, është i detyruar të bashkëpunojë dhe të sigurojë pa tarifa dhe taksa informacionin apo dokumen-tacionin e kërkuar nga Agjencia, si dhe të raportojë arsyet e mospërmbushjes së një mase apo reko-mandimi të kërkuar.

2. Këshilli i Ministrave, me vendim, cakton rregulla të hollësishme për procedurën e bashkë-punimit dhe të bashkërendimit të veprimtarisë së Agjencisë me institucionet e tjera shtetërore.

 

Neni 37

Aktet nënligjore

Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave nxjerr aktet e nevojshme nënligjore në bazë dhe për zbatim të tij. Deri në nxjerrjen e këtyre akteve, aktet nënligjore ekzistuese vazhdojnë të mbeten në fuqi, për aq sa nuk vijnë në kundërshtim me këtë ligj.

 

Neni 38

Shfuqizime

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligji nr. 9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar; ligji nr. 10 239, datë 25.2.2010, "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave", të ndryshuar, dhe çdo dispozitë tjetër nënligjore, që është në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

 

Neni 39

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 5.12.2015

KRYETARI

Ilir Meta