Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

PËR SHËRBIMIN PUBLIK TË VARRIMIT

(Ligj Nr.9220, datë 15.4.2004)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 Neni 1

Objekti

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave, procedurave e afateve për organizimin dhe funksionimin e shërbimit publik të varrimit dhe për administrimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni  2

Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Vdekje” është  ndalimi i veprimtarisë jetësore të organizmit të njeriut.

2. “Kufomë” është trupi pa jetë i njeriut.

3. “Varr” është një gropë e hapur në tokë, për të futur kufomën.

4. “Varrezë” është një parcelë e veçantë toke, ku varrosen të vdekurit.

5. “Varrim” është ceremonia e fundit që i bëhet të vdekurit.

6. “Varrezë publike” është vendi ku ndodhen varrezat e një rajoni, të cilat janë pronë e bashkisë ose komunës.

7. “Mineralizim i kufomës” është dekompozimi i indeve të kockave, të cilat fitojnë cilësi minerare.

8. “Mbetje mortale” janë mbeturinat, që kanë mbetur pas mineralizimit të kufomës.

9. “Shërbim i varrimit” është veprimtaria që  zhvillohet nga ndërmarrja publike ose private, nga çasti i vdekjes deri në varrosjen e kufomës.

10. “Morg” është mjedisi për mbajtjen e kufomës në kushte frigoriferike.

11. “Periudha e observimit” është koha e mbikëqyrjes së kufomës para varrimit.

12. “Shenjë funebre” është çdo lloj simboli ose mbishkrimi i vendosur mbi varr nga familjarët.

13. “Zonë e rezervuar” është zona që nga banesa e fundit e periferisë së qytetit ose fshatit deri te fillimi i varrezave.

 KREU  II

PROCEDURAT E ZHVILLIMIT TË VARRIMIT

Neni 3

Administrimi i varrezave

 1. Çdo bashki ose komunë duhet të ketë të paktën një varrezë. Toka e caktuar për ndërtimin e varrezave është pronë publike.

2.  Komunat, që përfshijnë disa fshatra, në të cilat transporti i kufomave deri në qendër të komunës nuk është i lehtë, për shkak të vështirësive të komunikacionit, duhet të kenë varreza të veçanta për këto fshatra.

3. Komunat e vogla mund të kenë një varrezë të përbashkët vetëm në qoftë se janë fqinje me njëra – tjetrën. Në këtë rast, me marrëveshje të përbashkët, shpenzimet për shërbimin dhe mirëmbajtjen e varrezave shpërndahen ndërmjet komunave, në bazë të të dhënave të popullsisë së tyre.

4. Mbështetur në ligjin nr.8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e organeve të pushtetit vendor” bashkia ose komuna sigurojnë mirëmbajtjen, rregullin dhe ruajtjen e varrezave dhe kur varreza është e përbashkët këtë detyrë e kryen komuna ku ndodhet varreza. Këto veprime kryhen nga  ndërmarrja publike  vendore ose nga një shoqëri private e licencuar, sipas kritereve të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike.

5. Zyrat përgjegjëse të bashkisë ose komunës duhet të jenë të pajisura me një planimetri me shkallë 1 : 5000 të varrezave ekzistuese, e shtrirë në zonën rrethuese të tyre. Planimetria duhet të azhurnohet çdo vit, duke pasqyruar në të të gjitha ndryshimet e kryera.

6. Bashkia ose komuna, për administrimin e varrezave, bashkëpunon edhe me komunitetet fetare.

Neni 4

Zona e rezervuar

1. Varrezat duhet të jenë të izoluara nga zonat e banimit nëpërmjet zonës së rezervuar. Ndalohet të bëhen ndërtime të reja apo të zgjerohen ato ekzistuese brenda zonës së rezervuar.

2. Në qendrat e banuara me popullsi mbi 10 000 banorë, gjerësia e zonës së rezervuar duhet të jetë më e madhe se 100 m nga vija kufizuese e qendrës së banuar dhe për ato me popullsi më të vogël se 10 000 banorë, duhet të jetë më e madhe se 50 m.

3. Këshilli bashkiak ose komunal ka të drejtë të zvogëlojë gjerësinë e zonës së rezervuar. Kjo bëhet vetëm me vendim të motivuar të organeve të mësipërme, duke marrë mendimin e inspektoratit sanitar.

Neni 5

Ndalimi i varrimit në një vend të ndryshëm nga varrezat

1. Varrosja e kufomave bëhet vetëm në varreza. Me kërkesë të komuniteteve fetare lejohet varrosja në mjediset brenda selive fetare. Kundërvajtësi dënohet me masë administrative me gjobë dhe të gjitha shpenzimet për transportimin e kufomës janë në ngarkim të tij.

2. Varret e vendosura në vende të ndryshme nga varrezat transferohen, pas periudhës së mineralizimit, në varrezat publike me shpenzimet e familjarëve.

Neni 6

Pranimi i kufomave në varreza

Në varrezat publike të bashkive dhe komunave pranohen:

a) kufomat e personave të vdekur në territorin e bashkive ose komunave, pavarësisht nga vendi i banimit kur ishin gjallë;

b) kufomat e personave të vdekur jashtë territorit të bashkive ose   komunave, por që, kur ishin gjallë, ishin banues të tyre;

c) kufomat e personave që nuk banonin në këtë bashki ose komunë kur ishin gjallë dhe që kanë vdekur jashtë territorit të kësaj bashkie ose komune;

ç) kufomat e shtetasve të huaj me banim ose jo në Shqipëri, që dëshirojnë të varrosen në këto territore;

d) mbeturina mortale të personave të përmendur në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç” të këtij neni;

dh) të lindurit të vdekur.

Neni 7

Shërbimi i varrimit

1. Pranë çdo bashkie ose komune funksionon shërbimi i varrimit. Përgjegjësi i këtij shërbimi merr në dorëzim dhe ruan për çdo varrim lejen e varrimit, të lëshuar nga zyrat e gjendjes civile pranë bashkisë ose komunës. Ndalohet kryerja e varrimeve pa lejen përkatëse.

2. Kur vdekja ndodh në ditët e pushimeve dhe nuk mund të sigurohet leja e varrimit, përgjegjësi i shërbimit kërkon dokumentet që vërtetojnë vdekjen, në përputhje me nenin 51 të ligjit nr.8950, datë 10.10.2002 “Për gjendjen civile” dhe me këto dokumente bën deklarimin e vdekjes në zyrën e gjendjes civile në ditën e parë të punës.

3. Çdo shërbim varrimi regjistrohet në dy regjistra të njëjtë, numri i faqeve të të cilave vërtetohet nga kryetari ose sekretari i bashkisë apo komunës. Në regjistër shënohen:

a) varrimet që janë kryer, duke saktësuar emrin, mbiemrin, moshën, vendin dhe datën e lindjes (siç rezulton nga leja e varrimit), vitin, ditën dhe orën e varrimit, numrin e gurit të varrit dhe numrin rendor të faturës së varrimit;

b) çdo ndryshim që ka ndodhur si pasojë e zhvarrosjeve.

Regjistri nënshkruhet në çdo fletë nga përgjegjësi i shërbimit. Modeli i tij përcaktohet në udhëzimin e ministrit që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike.

4. Njëra prej kopjeve të regjistrit dorëzohet çdo fund viti në arkivin e bashkisë ose komunës, ndërsa kopja tjetër mbetet në ruajtje pranë shërbimit të varrimit.

5. Rakordimi i regjistrave me zyrat e gjendjes civile bëhet çdo tremujor.

6. Regjistrat e përmendur në pikën 3 të këtij neni paraqiten pranë organeve të kontrollit të njësisë vendore pas çdo kërkese të tyre.

KREU III

NORMAT TEKNIKE PËR NDËRTIMIN E VARREZAVE

Neni 8

Projektimi i varrezave

1. Çdo projekt për zgjerimin e varrezave ekzistuese dhe ndërtimin e varrezave të reja bëhet në bazë të një studimi të plotë të zonës, të miratuar nga këshilli bashkiak ose komunal, veçanërisht, për sa i përket vendndodhjes, shtrirjes së tokës e natyrës fiziko-kimike të saj, thellësisë dhe drejtimit të shtresës hidrike.

2. Në projektet e ndërtimit të varrezave të reja mund të parashikohen edhe parcela të ndara sipas komuniteteve fetare, në funksion të përbërjes fetare të popullsisë së rajonit.

3. Normat teknike për projektimin dhe ndërtimin e varrezave përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike.

Neni  9

Vendmbajtja e përbashkët e eshtrave

Çdo varrezë ka vendmbajtjen e eshtrave, që përbëhet nga një ndërtesë e destinuar për mbledhjen e eshtrave, që vijnë nga zhvarrimet dhe që nuk janë kërkuar nga familjarët për destinacion tjetër në varreza. Vendmbajtja e eshtrave duhet ndërtuar në mënyrë të tillë  që eshtrat të mos shihen nga publiku. Vendmbajtja e eshtrave lejohet edhe brenda selive të komuniteteve fetare, pas marrjes së lejes nga bashkia ose komuna.

Neni 10

Krijimi i kushteve për kryerjen e riteve fetare

Planetrregulluese të varrezave parashikojnë vende të veçanta për kryerjen e riteve fetare, sipas kërkesave të komuniteteve fetare, në bazë të parimit të barazisë për të gjithë.

KREU  IV

VARRIMET JASHTË VARREZAVE

Neni 11

Varrime të veçanta mbisipërfaqësore

Varrimi i veçantë mbisipërfaqësor i kufomave ose mbetjeve mortale në vende të ndryshme nga varrezat autorizohet me dekret të Presidentit të Republikës, duke respektuar normat e përcaktuara në këtë ligj. Autorizimi për këtë lloj varrimi bëhet kur ekzistojnë motive të justifikueshme për nderime të veçanta.

KREU  V

PRISHJA E VARREZAVE

Neni 12

E drejta e prishjes së varrezave

1. Prishja e varrezës vendoset nga një komision i posaçëm, i ngritur nga këshilli bashkiak ose komunal, i cili harton dokumentin përkatës për verifikimin e gjendjes së plotë të varrezës, pasi është marrë mendimi i Inspektoratit Sanitar Shtetëror.

2. Ndalohet prishja e varrezave, që janë në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë ligj, përveç rasteve kur bëhet e domosdoshme për interesa publikë.

Neni 13

Përdorimi i varrezës së prishur

1. Toka e një varreze, për të cilën është vendosur prishja, nuk destinohet për përdorim tjetër pa kaluar 15 vjet nga varrimi i fundit që bëhet në të. Gjatë kësaj periudhe, kjo varrezë mbetet nën mbikëqyrjen e bashkisë ose komunës, e cila organizon mirëmbajtjen e saj.

2. Përpara se të përdoret për qëllim tjetër, nga toka e varrezës duhet të hiqen me kujdes eshtrat në një thellësi jo më të madhe se 2 m dhe ato vendosen në ndërtesën e përbashkët të vendosjes së eshtrave ose në varrezën e re.

Neni 14

Materialet dhe shenjat funebre të varrezës së prishur

1. Materialet mbitokësore të varrezave, monumentet dhe shenjat funebre, të vendosura mbi varret që do të prishen, mbeten në pronësi të familjarëve, të cilët mund t’i transportojnë ato në varrezën e re.

2. Në rastet kur familjarët refuzojnë ta bëjnë këtë, këto materiale kalojnë në pronësi të bashkisë ose komunës.

3. Shpenzimet për ndërtimin dhe ripërshtatjen e monumenteve të varrezave, që kërkohen gjatë transferimit të mbetjeve ekzistuese, janë në ngarkim të familjarëve.

KREU VI

MËNYRA E VARRIMIT

Neni 15

Varrimi nëntokësor

1. Varrimi nëntokësor bëhet në gropa të gërmuara dhe më pas të mbuluara me dhe. Kufomat duhet të vendosen në arkivole të lehta, që të dekompozohen me lehtësi. Çdo varr dallohet nga bordura anësore, pllaka e varrit, sipas një numri progresiv dhe identifikimi i kufomës.

2. Fushat e destinuara për këtë lloj varrimi shtrihen në toka të përshtatshme nga pikëpamja e strukturës gjeologjike dhe mineralogjike për vetitë mekanike dhe fizike, si dhe për nivelin e shtresës hidrike.

3. Kushtet e përdorimit të varrezës, të mënyrës së hapjes së varreve, si dhe të dhënat teknike të arkivoleve që do të përdoren, përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike.

Neni 16

Varrimi mbitokësor

1. Varrimi mbitokësor ka të bëjë me vendosjen e kufomës në një dhomë të mbyllur hermetikisht me mur ose  me pllaka guri. Në këtë mënyrë mund të vendosen edhe kufomat e balsamosura.

2. Kufomat e destinuara për varrim mbitokësor duhet të vendosen në arkivole me mure të dyfishta, njëri prej druri dhe tjetri prej metali.

3. Në arkivolin e jashtëm vendoset pllaka metalike, ku shënohen emri, mbiemri, data e lindjes dhe e vdekjes së kufomës.

4. Kushtet teknike të ndërtimit dhe të përdorimit të varrezave mbitokësore përcaktohen me udhëzim të ministrit që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike.

KREU VII

MËNYRAT E ZHVARRIMIT

Neni 17

Zhvarrime të zakonshme nga nëntoka

1. Zhvarrimet e zakonshme nga nëntoka kryhen pas një periudhe 10-vjeçare nga viti i varrimit. Varret e liruara nga mbeturinat e arkivolit përdoren për varrime të reja.

2. Në rastet kur vërtetohet se pas periudhës 10-vjeçare nuk sigurohet mineralizimi i plotë i kufomave, bëhet zgjatja e kësaj periudhe me miratim të mjekut ligjor dhe, në mungesë të tij, të mjekut anatomo-patolog. Në rast se edhe pas kësaj periudhe nuk realizohet mineralizimi i plotë i kufomave, Ministria e Shëndetësisë vendos për transferimin ose jo të varrezave.

3. Kur vërtetohet se në një varrezë, për shkak të kushteve të veçanta të përbërjes apo strukturës së tokës, mineralizimi i kufomave kryhet për një periudhë më të shkurtër, mjeku ligjor dhe, në mungesë të tij, mjeku anatomo-patalog autorizon shkurtimin e kësaj periudhe jo më pak se 5 vjet.

4. Kryetari i bashkisë ose komunës lëshon lejet për zhvarrimet e zakonshme nga nëntoka, të cilat kryhen nga ndërmarrja që administron varrezat.

Neni 18

Zhvarrime të jashtëzakonshme nga nëntoka

1. Kufomat mund të zhvarrosen përpara periudhës së caktuar,  me urdhër të gjyqtarit ose prokurorit, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale ose me autorizimin paraprak të kryetarit të bashkisë ose komunës, për t’i transportuar në varr tjetër.

2. Për zhvarrimet e jashtëzakonshme nga nëntoka, të urdhëruara nga gjyqtari ose prokurori, kufomat duhet të transportohen në sallat e autopsisë, duke respektuar kërkesat e bëra nga këto organe.

3. Të tilla zhvarrime duhet të kryhen në prani të grupit të mjekëve ligjorë, përfaqësues të organeve që e kanë kërkuar zhvarrimin dhe të të ngarkuarit me shërbimin e varrezave.

Neni 19

Rastet kur nuk mund të kryhen zhvarrime të jashtëzakonshme nga nëntoka

Përveç rasteve të urdhëruara nga gjyqtari ose prokurori, nuk kryhen zhvarrime të jashtëzakonshme nga nëntoka:

a) në muajt maj, qershor, korrik, gusht dhe shtator, duke përjashtuar rastet kur kemi të bëjmë me varreza malore, ku lejohen procedurat e zhvarrimeve edhe në muajt e mësipërm;

b) në rastet e kufomave të personave të vdekur nga sëmundje infektive, përveç rasteve kur ka kaluar 2 vjet nga data e varrimit dhe kur zhvarrimi kryhet në përputhje me masat për mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik.

Neni 20

Depozitimi i eshtrave të zhvarrosura nga nëntoka

1. Eshtrat, që mblidhen si rezultat i zhvarrimeve të zakonshme, duhet të grumbullohen në vendin e tyre të përbashkët, me përjashtim të rasteve kur varrosen në një parcelë të veçantë.

2. Eshtrat, si rezultat i zhvarrimeve të zakonshme, mund të groposen në të njëjtin varr me një kufomë tjetër, sipas kërkesës së familjarëve.

3. Të gjitha mbeturinat e varrezave konsiderohen si mbeturina të veçanta dhe duhet të asgjësohen.

Neni 21

Zhvarrime të zakonshme mbitokësore

1. Zhvarrimet mbitokësore kryhen në mbarim të periudhës së lejes, që varion nga 5 deri në 20 vjet dhe bëhen me autorizim të kryetarit të bashkisë ose komunës.

2. Arkivolet e zhvarrosura varrosen nën tokë, pasi arkivolit t’i hapen disa të çara të përshtatshme, për të lejuar fillimin e procesit të mineralizimit të kufomës.

3. Kur kufomat e zhvarrosura gjenden në kushtet e një mineralizimi të plotë, me miratimin e mjekut anatomo-patolog, nga ndërmarja që administron varrezat mund të merren masa për mbledhjen e eshtrave në kasën e tyre.

Neni 22

Ndalimi i zvogëlimit të përmasave të kufomave

1. Ndalohet çdo veprim që ka të bëjë me zvogëlimin e përmasave  të kufomës së varrosur mbi tokë, për ta futur në një arkivol me përmasa më të vogla se ato fillestare të arkivolit, me të cilin është varrosur.

 2. Për rastet e parashikuara si vepër penale nga neni 118 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përgjegjësi i shërbimit të rojes së varrezave bën kallëzim për ndjekje penale dhe ndërkohë vë në dijeni kryetarin e bashkisë ose komunës.

Neni 23

Zhvarrimet e jashtëzakonshme mbitokësore

1. Kryetari i bashkisë ose komunës autorizon zhvarrimin mbitokësor të arkivoleve të destinuara për t’u transportuar në një vend tjetër pas çdo periudhe kohe dhe në çdo muaj të vitit, me kusht që, pas hapjes së varrit mbitokësor, autoriteti sanitar vendor të verifikojë gjendjen e rregullt të arkivolit dhe të deklarojë se transferimi i tij nuk përbën asnjë rrezik për shëndetin publik.

2. Kur autoriteti sanitar i sipërpërmendur vëren se arkivoli nuk është në gjendje të rregullt, mund të lejojë transferimin e tij, vetëm pasi të sistemohet në mënyrë të përshtatshme, sipas normave të përcaktuara në zbatim të këtij ligji.

KREU VIII

TRANSPORTIMI I KUFOMËS

Neni 24

Transportimi i kufomës në varrezë

1. Transportimi i kufomës nga vendi i vdekjes deri në morg ose në varrezë bëhet me automjete të mbyllura dhe nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e policisë bashkiake ose komunale.

2. Ndalohet të kryhet transportimi i kufomave përpara periudhës së observimit, të këshilluar nga grupi mjekësor, gjatë së cilës mund të shfaqen raste eventuale të kthimit në jetë.

3. Automjetet e varrimit duhet të plotësojnë kushte të veçanta, të cilat përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike, të ministrit që mbulon veprimtarinë e transportit dhe të Ministrit të Shëndetësisë.

Neni 25

Leja për transportimin e kufomave

1. Transportimi i kufomave nga një bashki ose komunë në një tjetër autorizohet nga kryetari i bashkisë ose komunës, ku ka ndodhur vdekja.

Kryetari i bashkisë ose komunës pritëse duhet të lajmërohet për ardhjen e kufomës. Autorizimi i dorëzohet përgjegjësit të shërbimit të varrezave.

2. Për rastet kur kërkohet vendosja e kufomës në bashki ose komuna të tjera ndërmjetëse, për kryerjen e nderimeve të veçanta, autorizimi i lëshuar nga kryetari i bashkisë ose komunës u njoftohet edhe kryetarëve të njësive vendore ndërmjetëse.

3. I ngarkuari për transportimin e kufomës jashtë bashkisë ose komunës pajiset me autorizimin e kryetarit të bashkisë ose komunës, ku ka ndodhur vdekja.

4. Nëse transportimi kryhet me hekurudhë, anije ose avion, autorizimi i mësipërm duhet t’i dorëzohet transportuesit gjatë kryerjes së transportit.

Neni 26

Transportimi i eshtrave

1. Transportimi i eshtrave ose i mbetjeve të tjera mortale të asimilueshme, përveç autorizimit të përmendur në nenin 25 të këtij ligji, shoqërohet edhe me autorizimin e Inspektoratit Sanitar Shtetëror.

2. Eshtrat dhe mbetjet mortale të asimilueshme futen në çdo rast në kaseta zinku, me trashësi jo më të vogël se 0,6 mm dhe mbyllen me saldim. Mbi kasetë shënohen emri dhe mbiemri i kufomës.

3. Në rast se eshtrat ose mbetjet mortale janë të gjetura dhe nuk është i mundur identifikimi i tyre, në kasetë shënohen vendi dhe data e gjetjes.

Neni 27

Transportimi i kufomave për dhe nga jashtë shtetit

1. Kufomat, që transportohen për dhe nga jashtë shtetit, duhet të jenë të shoqëruara nga një dokument i veçantë. Ky dokument lëshohet nga prefekti, për kufomat që nxirren nga territori shtetëror dhe nga autoriteti përgjegjës i shtetit nga sillet kufoma, për kufomat që hyjnë në territorin shtetëror.

2. Për futjen në vend të kufomave, që vijnë nga shtetet e tjera, i interesuari për transportimin e kufomës duhet të paraqesë, nëpërmjet autoriteteve përkatëse ose personalisht, në autoritetin konsullor shqiptar, në shtetin ku ka ndodhur vdekja:

a) kërkesën për lejen e transportimit të kufomës për në Shqipëri;

b) certifikatën e vdekjes, të lëshuar nga autoritetet përgjegjëse;

c) certifikatën e organeve përgjegjëse, që vërteton se janë respektuar të gjitha kushtet sanitare për trasportimin e kufomës.

Dokumentacioni i mësipërm paraqitet nga i interesuari me rrugë postare ose me faks.

Për shtetet ku Republika e Shqipërisë nuk ka përfaqësi diplomatike, kërkesa e mësipërme dërgohet në përfaqësinë, nga e cila mbulohet ai shtet.

3. Autoriteti konsullor shqiptar, pasi kontrollon rregullsinë e dokumentacionit të paraqitur dhe pasi bën verifikimin në autoritetet përkatëse që kanë lëshuar dokumentet e mësipërme, lëshon lejen për futjen e kufomës në Republikën e Shqipërisë. Leja i lëshohet drejtpërdrejt të interesuarit dhe autoritetit përkatës me postë ose me faks. Autoriteti konsullor shqiptar njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme, ministrinë që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike dhe prefektin e qarkut ose kryetarin e njësisë vendore ku do të çohet kufoma.

4. Për ekstradimin nga vendi të kufomave për në një shtet tjetër, i interesuari duhet t’i drejtojë një kërkesë prefektit të qarkut, ku ndodhet kufoma, të shoqëruar me dokumentet e mëposhtme:

a) miratimin për futjen e kufomës nga autoriteti konsullor i shtetit, në të cilin do të çohet kufoma;

b) certifikatën e organeve shëndetësore përgjegjëse, ku vërtetohet se janë respektuar të gjitha kushtet sanitare për transportimin e kufomës.

5. Prefekti, pasi merr kërkesën, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, lëshon autorizimin, duke njoftuar prefektin e qarkut të pikës kufitare nga do të kalojë kufoma.

6. Masa e shpenzimeve, procedura që do të ndiqet, institucioni që do të ngarkohet për përballimin e shpenzimeve të varrimit, për shtetasit shqiptarë që vdesin jashtë vendit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 28

Kushtet e veçanta për transportimin e kufomave

1. Kufomat e destinuara për ekstradim jashtë territorit të vendit ose që duhet të transportohen në bashki ose komuna dhe me mjetin e zgjedhur të transportit mund të arrijnë vetëm pas 24 orëve, ose kur transportimi kryhet pasi kanë kaluar 48 orë nga çasti i vdekjes, duhet t’i nënshtrohen trajtimit antiprishje, duke injektuar në trupin e kufomës të paktën 500 cc formalinë, pasi të ketë kaluar periudha e observimit.

2. Kufomat që janë balsamosur nuk u nënshtrohen këtyre kushteve.

Neni 29

Transportimi i të vdekurve me sëmundje infektive

Kur vdekja ka ardhur si pasojë e një sëmundjeje infektive, ngjitëse, që bën pjesë në listën e veçantë të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, trasportimi i kufomës u nënshtrohet rregullave të veçanta, të përcaktuara me udhëzim të ministrit që mbulon këtë veprimtari.

KREU IX

SANKSIONET NDAJ SHKELËSVE

Neni 30

1. Në kuptim të këtij ligji, kur shkeljet nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si më poshtë:

a) për shkelje të nenit 5 të këtij ligji, gjoba është në vlerën  30 000 lekë;

b) për shkelje të neneve 4 pikat 1 dhe 2, 7 pika 1, 16 pikat 1 dhe 2,  17,  18 pika 3, 19 shkronjat “a” dhe “b”, gjoba është në vlerën 20 000 lekë;

c) për shkelje të nenit 24 pikat 1 dhe 3, 25 pika 1, 28 pika 1, gjoba është në vlerën 25 000 lekë.

2. Policia bashkiake dhe policia komunale janë organet që vendosin  gjobën dhe bëjnë ekzekutimin e saj, në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, i ndryshuar.

3. Në rast përsëritjeje të shkeljeve, policia bashkiake ose komunale bën pezullimin ose ndërprerjen e veprimtarisë për subjektet shkaktare.

4. Kur këto shkelje përbëjnë vepër penale, policia bashkiake ose komunale bën kallëzim për ndjekje penale.

Neni 31

Ankimi

1. Ankimi kundër vendimit të policisë bashkiake ose policisë komunale bëhet te kryetari i bashkisë ose komunës, brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit. Kryetari i bashkisë ose komunës duhet t’i përgjigjet ankimit brenda afatit kohor prej 30 ditësh.

2. Ankimi kundër vendimit të kryetarit të bashkisë ose  komunës apo kur ky i fundit nuk kthen përgjigje brenda afatit kohor të përcaktuar më sipër, bëhet brenda 30 ditëve nga marrja ose jo e njoftimit në gjykatën e rrethit.

Neni 32

Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 27 të këtij ligji.

2. Ngarkohet ministri që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 7 pika 3, 8, 15 pika 3 dhe 16 pika 4.

3. Ngarkohen ministri që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike, ministri që mbulon veprimtarinë e transportit dhe Ministri i Shëndetësisë të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të nenit 24 të këtij ligji.

4. Ngarkohet Ministri i Shëndetësisë të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 29 të këtij ligji.

Neni 33

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4225, datë 14.5.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

 

©GC

 
Trascina file per caricare