The measure is available in the following languages:
MBI PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE TË VEÇANTA QË DUHET TË PLOTËSOJNË AUTOMJETET E VARRIMIT
(UDHËZIM, Nr. 1, datë 31.3.2006)
Në zbatim të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës dhe të nenit 24 pika 3 të ligjit nr.9220, datë 15.04.2004 "Për shërbimin publik të varrimit", Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit edhe Ministri i Shëndetësisë
UDHËZON:
- Transportimi i kufomave bëhet vetëm me automjete të posaçme funerali, të cilat, kur transportojnë kufomën, nuk lejohen që të kenë ngarkesë tjetër.
- Automjetet e varrimit, të destinuara për transportimin e kufomave në rrugët e qyteteve për në varrezë, duhet të jenë të veshura nga brenda me fletë metali inoks ose me material tjetër të papërshkueshëm nga lëngjet dhe që pastrohen e dezinfektohen me lehtësi. Automjeti duhet të jetë i pajisur me karel për fiksimin e arkivolit, që ai të mos lëvizë gjatë transportimit.
- Këto automjete mund të vihen në shërbimin publik të varrimit nga komuna, bashkia apo subjektet private vetëm pasi të jenë verifikuar dhe konfirmuar si të përshtatshme nga Inspektorati Sanitar Shtetëror, i cili, pasi jep lejen, duhet të kontrollojë të paktën një herë në vit gjendjen higjienike të tyre.
- Ndalohet transportimi i kufomave me mjete që shërbejnë për transportin e pasagjerëve, si dhe mjete të destinuara për transportimin e produkteve ushqimore.
- Automjeti i varrimit, kur transporton një kufomë, pasi kthehet nga varrimi, pastrohet dhe dezinfektohet. Për çdo rast të tillë, në varreza duhet të ketë vende të posaçme ku bëhet dezinfektimi, edhe i gomave të automjeteve, me solucion dezinfektant.
- Për çdo lëvizje të automjetit të varrimit, duhet të mbahet një regjistër i veçantë nga drejtuesi i tij ose nga subjekti funeral. Ky regjistër paraqitet sa herë e kërkojnë organet e kontrollit.
- Automjetet e varrimit duhet të parkohen në parkime të vendosura në vende të veçanta, të caktuara me urdhëresë të kryetarit të bashkisë a të komunës duke respektuar normat e rregullores vendore të urbanistikës.
- Këto vendparkime duhet të jenë të kompletuara me mjetet e nevojshme për pastrimin dhe dezinfektimin e automjeteve të varrimit.
- Përshtatshmëria e vendeve të parkimit të automjeteve të varrimit duhet të jetë e tillë që të respektojë rregullat kompetente të sigurimit publik dhe të shërbimit zjarrfikës.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I PUNËVE PUBLIKE, TRANSPORTIT DHE TELEKOMUNIKACIONIT
Lulzim Basha
MINISTRI I SHËNDETËSISË
Maksim Cikuli