Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

MBI PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE TË VEÇANTA QË DUHET TË PLOTËSOJNË AUTOMJETET E VARRIMIT

(UDHËZIM, Nr. 1, datë 31.3.2006)

 

Në zbatim të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës dhe të nenit 24 pika 3 të ligjit nr.9220, datë 15.04.2004 "Për shërbimin publik të varrimit", Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit edhe Ministri i Shëndetësisë

 

UDHËZON:

  1. Transportimi i kufomave bëhet vetëm me automjete të posaçme funerali, të cilat, kur transportojnë kufomën, nuk lejohen që të kenë ngarkesë tjetër.
  2. Automjetet e varrimit, të destinuara për transportimin e kufomave në rrugët e qyteteve për në varrezë, duhet të jenë të veshura nga brenda me fletë metali inoks ose me material tjetër të papërshkueshëm nga lëngjet dhe që pastrohen e dezinfektohen me lehtësi. Automjeti duhet të jetë i pajisur me karel për fiksimin e arkivolit, që ai të mos lëvizë gjatë transportimit.
  3. Këto automjete mund të vihen në shërbimin publik të varrimit nga komuna, bashkia apo subjektet private vetëm pasi të jenë verifikuar dhe konfirmuar si të përshtatshme nga Inspektorati Sanitar Shtetëror, i cili, pasi jep lejen, duhet të kontrollojë të paktën një herë në vit gjendjen higjienike të tyre.
  4. Ndalohet transportimi i kufomave me mjete që shërbejnë për transportin e pasagjerëve, si dhe mjete të destinuara për transportimin e produkteve ushqimore.
  5. Automjeti i varrimit, kur transporton një kufomë, pasi kthehet nga varrimi, pastrohet dhe dezinfektohet. Për çdo rast të tillë, në varreza duhet të ketë vende të posaçme ku bëhet dezinfektimi, edhe i gomave të automjeteve, me solucion dezinfektant.
  6. Për çdo lëvizje të automjetit të varrimit, duhet të mbahet një regjistër i veçantë nga drejtuesi i tij ose nga subjekti funeral. Ky regjistër paraqitet sa herë e kërkojnë organet e kontrollit.
  7. Automjetet e varrimit duhet të parkohen në parkime të vendosura në vende të veçanta, të caktuara me urdhëresë të kryetarit të bashkisë a të komunës duke respektuar normat e rregullores vendore të urbanistikës.
  8. Këto vendparkime duhet të jenë të kompletuara me mjetet e nevojshme për pastrimin dhe dezinfektimin e automjeteve të varrimit.
  9. Përshtatshmëria e vendeve të parkimit të automjeteve të varrimit duhet të jetë e tillë që të respektojë rregullat kompetente të sigurimit publik dhe të shërbimit zjarrfikës.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

MINISTRI I PUNËVE PUBLIKE, TRANSPORTIT DHE TELEKOMUNIKACIONIT

Lulzim Basha

 

MINISTRI I SHËNDETËSISË

Maksim Cikuli