The measure is available in the following languages:
PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE TEKNIKE TË NDËRTIMIT DHE PËRDORIMIT TË VARREZAVE MBITOKËSORE
(UDHËZIM, Nr .3, datë 28.6.2005)
Në zbatim të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës dhe të nenit 16 pika 4 të ligjit nr.9220, datë 15.4.2004 "Për shërbimin publik të varrimit", Ministri i Rregullimit të Territorit dhe i Turizmit
UDHËZON:
- Varrimi mbitokësor konsiston në vendosjen e kufomave ose eshtrave në godina të ndërtuara mbi sipërfaqen e tokës.
- Varrezat mbitokësore janë dy llojesh: varreza mbitokësore të kufomave njerëzore dhe varreza mbitokësore të eshtrave njerëzore.
- Varrezat mbitokësore ndërtohen me dhomëza të mbivendosura në shumë kate. Ato duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara mirë. Në çdo pjesë të katit duhet të ketë një vend të lirë ku do të manovrohet për të futur arkivolin ose kasën e eshtrave.
- Në varrimet mbitokësore me shumë kate, çdo arkivol ose kasë eshtrash duhet të vendoset në dhomëz të ndarë më vete.
- Struktura e dhomëzave të varrimeve mbitokësore, qofshin këto të ndërtuara në vend apo prej parafabrikatesh, duhet t'u korrespondojnë kërkesave të qëndrueshmërisë së strukturave në ndërtim.
- Soletat horizontale të dhomëzave, duhet të llogariten që të përballojnë një mbipeshë të
paktën prej 250 kg për metër katror.
- Faqet e dhomëzave, ato vertikale dhe horizontale, duhet të kenë karakteristikën e papërshkueshmërisë ndaj lëngjeve dhe gazeve dhe të jenë në gjendje që t'i rezistojnë kohës së gjatë të përdorimit.
- Është e preferueshme që konstruksionet e varreve mbitokësore të jenë të veshura me granit ose mermer. Dhomëzat e kufomave të kenë formën e një paralelopipedi me gjatësi 2 m, gjerësi 0,80 m dhe lartësi 0,70 m. Këto dimensione lejojnë një hapësirë të brendshme të varrit për të futur lirshëm arkivolin në të.
- Dhomëzat vendosen në rreshta, njëra mbi tjetrën, duke realizuar një ndërtim në lartësi. Këshillohet që numri i rreshtave të mos jetë më shumë se katër. Në raste të ndërtimit më të lartë, në çdo katër rreshta duhet të ketë një vend të posaçëm, me shkallë ose ashensor, për të manovruar për vendosjen e arkivolit të kufomës në katet e sipërme.
- Muret anësore mbajtëse të godinës së varrezave mbitokësore duhet të jenë të paktën me trashësi 40 cm. Soletat ndarëse të dhomëzave zakonisht kanë një trashësi jo më të vogël se 10 cm, dhe kur ndërtohen me parafabrikate jo më të vogël se 5 cm.
- Mbyllja e dhomëzave mund të bëhet me mur tulle, me gurë natyralë, me parafabrikate ose materiale të tjera që të realizojnë një mbyllje hermetike, me trashësi 15 cm. Mbas mbylljes, faqja ballore e saj zbukurohet, sipas dëshirës së familjarëve, duke u riveshur me granit ose pllakë mermeri me trashësi 2 cm, ku shkruhen të dhënat e identitetit të kufomës: emri, mbiemri, data e lindjes dhe data e vdekjes.
- Në varrimet mbitokësore, dyshemeja e vendosjes së arkivolit duhet të jetë e prirur nga
brenda në pjerrësinë 2 %, në mënyrë që të ndalohet ndonjë rrjedhje e mundshme lëngjesh.
- Varrimet mbitokësore kryhen nga ndërmarrja që administron varrezat. Në përfundim të periudhës së dekompozimit, mund të bëhen zhvarrimet mbitokësore, duke i rivarrosur kufomat ose eshtrat, sipas të gjitha rregullave të ligjit.
- Kur nga zhvarrimi mbitokësor rezulton që kufoma është mineralizuar plotësisht, eshtrat mund të futen direkt në kasën e tyre dhe të vendosen në vendet e posaçme të varrimit mbitokësor.
- Zhvarrimet mbitokësore bëhen nën kontrollin e autoritetit sanitar vendor, i cili vendos për transferimin e kufomës ose eshtrave, pa ndonjë rrezik për shëndetin publik.
- Në varrezat mbitokësore ka edhe seksione të veçanta për vendosjen e eshtrave njerëzore individuale, të nxjerra nga zhvarrimet nëntokësore dhe mbitokësore, në përfundim të periudhës së dekompozimit të kufomave. Edhe këto ndërtohen me dhomëza dhe me kate.
- Eshtrat dhe mbetjet mortale të nxjerra nga zhvarrimet, vendosen menjëherë nëpër kaseta zingato me spesor jo më të vogël se 0,66 mm, mbyllen me saldim dhe futen nëpër dhomëza, ku shënohen dhe të dhënat identifikuese të tyre.
- Kur eshtrat dhe mbetjet mortale, janë të gjetura dhe të paidentifikuara, mbyllen në kaseta dhe futen në dhomëza, duke shënuar vendin dhe datën ku këto janë gjetur.
- Dhomëzat e vendosjes së eshtrave ndërtohen në seri njëra mbi tjetrën me kate. Ato ndërtohen me beton ose parafabrikate dhe kanë formën e një paralelopipedi me gjatësi 0,70 m, gjerësi 0,30 m dhe lartësi 0,30 m. Trashësia e pareteve anësore është 5 cm. Mbyllja e tyre bëhet me granit ose mermer ku shënohen të dhënat e identitetit të eshtrave të kufomës.
- Dhomëzat që përdoren për të vendosur eshtrat e zhvarrimeve, ndërtohen edhe në pjesën e brendshme të murit rrethues të varrezave nëntokësore, sipas dimensioneve të mësipërme. Kështu lartësia e murit rrethues (2,5-4 m) shfrytëzohet për ndërtimin e disa kateve të dhomëzave të eshtrave të zhvarrimeve. Në këtë mënyrë nga zhvarrimet lirohen vende për varrime të reja nëntokësore dhe hapësira e murit rrethues të varrezave shfrytëzohet për ndërtimin e dhomëzave me më pak shpenzime.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I RREGULLIMIT TË TERRITORIT DHE I TURIZMIT
Bashkim Fino