Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

MBI PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE TË PËRDORIMIT TË VARREZAVE PUBLIKE, MËNYRËS SË HAPJES SË VARREVE DHE TË DHËNAT TEKNIKE TË ARKIVOLEVE QË PËRDOREN

(UDHËZIM, Nr.8, datë 17.12.2004)

 

Në zbatim të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës dhe të nenit 15 pika 3 të ligjit nr.9220, datë 15.4 2004 “Për shërbimin publik të varrimit “, Ministri i Rregullimit të Territorit dhe i Turizmit

 

UDHËZON:

 

  1. Bashkitë ose komunat gjatë administrimit të varrezave publike, duhet të kenë parasysh kushtet e përdorimit të tyre:
  2. Çdo bashki ose komunë që ka të paktën një varrezë publike, duhet të ketë vetëm një ndërmarrje, sektor, njësi etj. për administrimin e varrezave publike.
  3. Gjatë përdorimit të varrezave të respektohet me rreptësi, sipas ligjit, “zona e rezervuar”, e cila është një sipërfaqe e mbjellë me pemë dhe gjelbërime.
  4. Në “zonën e rezervuar” mund të lejohet parkimi i makinave, vende për shitjen e luleve dhe kabina për ndriçim, ujësjellës e kanalizim, për të mos i lejuar këto brenda territorit të varrezave.
  5. Ndalohet kullotja e bagëtive dhe lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve në territorin e varrezave publike.
  6. Ndalohet kryerja e punimeve në varreza publike nga subjekte të tjera, përveç atij të saktësuar si administrues i territorit të varrezave publike. Në rast shkeljeje merren masa deri në denoncim penal.
  7. Territori i varrezave publike është pronë publike e paluajtshme e njësisë përkatëse të qeverisjes vendore, prandaj nuk lejohet shitja ose kontraktimi me pagesë i vendeve të varrimit. Në raste shkeljeje bëhet denoncim pranë organeve kompetente.
  8. Rregullin dhe disiplinën për hapje-mbyllje varri, veshje me pllaka të brendshme betoni, ndërtimin e bordurave mbitokësore, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e varrezave e kryen ndërmarrja publike vendore ose një firmë private e licencuar.
  9. Varrimi i kufomave bëhet 24 orë nga momenti i vdekjes, me lejen e varrimit të organeve të bashkisë ose komunës. Leja e varrimit jepet pasi të dorëzohet në gjendjen civile skeda e vdekjes, e cila jepet nga mjeku i familjes.

Kur kufoma ka vdekur nga një sëmundje infektive, sipas skedës së vdekjes, kjo shkruhet edhe në lejen e varrimit në mënyrë që të kryhet një varrim i veçantë dhe rigoroz sipas të gjitha rregullave të këtij ligji.

  1. Drejtuesi i sektorit me marrjen në dorëzim të lejes së varrimit, përcakton parcelën, rrjeshtin dhe numrin e varrit, si dhe orarin kur do të kryhet varrimi i kufomës. Gjithashtu regjistron në regjistrin e shërbimit të varrimit të gjitha të dhënat e nevojshme që kërkohen.
  2. Çdo varr dallohet nga një pllakë e përbërë prej materiali rezistent ndaj veprimit shkatërrues të agjentëve atmosferikë dhe që ka një numër progresiv. Mbi pllakën e varrit vendoset një target prej materiali të paprishëm që përmban: emrin, mbiemrin dhe datën e lindjes e të vdekjes së të ndjerit.
  3. Brenda një afati prej 2 muaj mbas mbulimit të kufomës të përfundojë nivelimi i terrenit rreth varrit dhe vendosja e bordurave kufizuese betonarmeje. Një vit mbas varrosjes, familjarët e të ndjerit mund të bëjnë rregullimin dhe zbukurimin përfundimtar të varrit.
  4. Të mos lejohet rrethimi i varrit me mjete dekorative ose kangjella në mënyrë të tepruar, duke mos respektuar dimensionet e varreve dhe të rrugicave ndërmjet tyre. Zbukurimi i varrit bëhet vetëm brenda bordurave kufizuese të tij.
  5. Bashkitë dhe komunat mund të përcaktojnë edhe kritere të tjera për kushtet e përdorimit të varrezave publike, në përputhje me ligjin nr.9220, datë 15.4.2004 “Për shërbimin publik të varrimit”.

 

  1. Subjekti që administron varrezat duhet të ndjekë këto mënyra për hapjen e varreve:
  2. Fusha e varrezave ndahet në kuadrate dhe hapja e gropave të varrit fillon nga njëri ekstrem i secilit kuadrat dhe vazhdon rrjesht pas rrjeshti pa e ndërprerë vijueshmërinë e gropave. Kjo përcaktohet që në fillim të shfrytëzimit të një kuadrati, duke bërë një piketim paraprak të fushës.
  3. Secili kuadrat ndahet nga tjetri nëpërmjet rrugëve të brendshme, të cilat bashkohen me rrugën kryesore të varrezave. Këto rrugë të jenë të gjelbëruara dhe të pajisura me kosha për hedhjen e mbeturinave.
  4. Për një përdorim sa më të mirë, kuadratet e varrezave të shfrytëzohen sipas mënyrave të mëposhtme:
  5. a) me dy rrjeshta varresh (binare) të kufizuara nga rrugicat që kalojnë ndërmjet tyre;
  6. b) me tre rrjeshta varresh (ternare) të kufizuara nga rrugicat që kalojnë ndërmjet tyre;
  7. c) me katër rrjeshta varresh (kuaternare) të kufizuara nga rrugicat që kalojnë ndërmjet tyre.
  8. Sipas dimensioneve të territorit të varrezave dhe karakteristikave ambientale të saj, duhet të përdorim njërën nga mënyrat e mësipërme. Përdorimi i kuadrateve me dy rrjeshta varresh është ai që paraqet një pamje më të gjelbëruar dhe më të qartë.
  9. Çdo gropë varri gërmohet në thellësinë 1.3 deri 2 m. nga sipërfaqja e tokës dhe pasi të jetë vendosur arkivoli, mbulohet në mënyrë të tillë që dheu i marrë nga sipërfaqja të vendoset rreth arkivolit, ndërsa dheu i marrë nga thellësia të vendoset në sipërfaqe.

Kur tek varri përdoren pllaka parafabrikate, shtresa që mbulon vendoset në thellësinë më të madhe se 50 cm nga sipërfaqja e tokës dhe pastaj mbulohet me dhe.

  1. Kufomat e personave me moshë më të madhe se 10 vjeç, varrosen në gropa me thellësi jo më të vogël se 1.3 m; me gjatësi 2 m dhe gjerësi 0.9 m, si dhe të jenë larg njëra-tjetrës të paktën 0.5 m për çdo anë.
  2. Kufomat e personave me moshë më të vogël se 10 vjeç, varrosen në gropa me thellësi jo më të vogël se 1.3 m, me gjatësi 1.5 m dhe gjerësi 0.5 m, si dhe të jenë larg njëra-tjetrës të paktën 0.5 m për çdo anë.
  3. Kufomat e personave që kanë vdekur nga sëmundje infektive, varrosen në gropa me thellësi jo më të vogël se 2 m , me gjatësi 2 m dhe gjerësi 0.9 m.
  4. Rrugicat ndërmjet varreve, që shtrihen për gjatë gjerësisë prej 0.5 m që ndan varrin nga varri, të jenë të pajisura me sisteme kullimi për mbledhjen dhe largimin e ujërave të rreshjeve larg varreve.
  5. Nxjerrja dhe shpërngulja e eshtrave nga një vend te tjetri nuk bëhet pa kaluar minimumi 5 vjet nga data e varrimit të kufomës. Në këtë rast transportimi i eshtrave bëhet me kutia llamarin, ose ambalazhohen në dy thasë ku i brendshmi patjetër të jetë plastik dhe i dezinfektuar.

Para mbulimit të varrit të hapur nga zhvarrimi, aty hidhen lëndë dezinfektuese. Gjithashtu lëndë dezinfektuese hidhet edhe mbas mbulimit të varrit në territorin ku u përhap dheu i nxjerrë nga varri.

 

III. Të dhënat teknike të arkivoleve do të jenë:

  1. Çdo kufomë e destinuar për t’u varrosur nën tokë, të jetë e mbyllur në një arkivol prej druri dhe të varroset në varr të veçantë nga të tjerët.

Vetëm nëna dhe i porsalinduri, të vdekur gjatë lindjes, mund të mbyllen në të njëjtin arkivol dhe të varrosen në të njëjtin varr.

  1. Për varrimin nëntokësor nuk lejohen arkivole prej metali apo materiali tjetër që nuk degradohet biologjikisht. Gjithashtu nuk lejohet përdorimi i materialeve që nuk degradohen biologjikisht edhe në pjesët dekorative të arkivolit.
  2. Kur bëhet fjalë për kufoma që vijnë nga jashtë shtetit ose bashki apo komuna të largta, për të cilat është i detyrueshëm përdorimi i arkivolit me mure të dyfishta, druri dhe metalike, varrosja kryhet vetëm pas bërjes së disa çarjeve me dimensione të përshtatshme arkivolit metalik.
  3. Përdorimi për arkivol i materialeve biologjikisht të padegradueshme, jo prej druri, bëhet i autorizuar nga Inspektorati Sanitar Shtetëror. Kufomat e atyre që kanë vdekur nga sëmundje ngjitëse infektive vendosen në arkivole me mure të dyfishtë, druri dhe metalik, dhe që nga momenti i mbylljes është e ndaluar hapja e tij, në fund të arkivolit hidhet lëndë dezinfektuese.
  4. Çdo arkivol të përmbajë vulën me djegie të firmës prodhuese, si dhe të firmës furnizuese.
  5. Trashësia e dërrasave të arkivolit duhet të jenë jo më pak se 0.8-2 cm. Dërrasat e fundit të arkivolit, një copëshe në gjatësi, bashkohen për të formuar gjerësinë e duhur dhe të jenë të puthitura dhe të ngjitura fort midis tyre me ngjitës të sigurt dhe që mbajnë gjatë.
  6. Fundi i arkivolit bashkohet me dërrasat anësore me gozhda çdo 20 cm, si dhe të sigurohet me ngjitës të posaçëm. Dërrasat anësore të jenë të ngjitura fort me ngjitës të sigurt dhe që mbajnë gjatë. Kapaku i arkivolit mbërthehet me dërrasat e tjera me vida çdo 40 cm.
  7. Arkivolet ndërtohen edhe me pllaka fibre të tipit entjef (M.D.F.) trashësia e të cilave të jetë jo më e vogël se 0.8-2 cm. Fundi i arkivolit bashkohet me faqet anësore me ngjitje speciale dhe në çdo 30 cm nga brenda saj shtrëngohen me disa kapëse speciale (grapeta). Me kapëse speciale dhe me ngjitje shtrëngohet edhe kapaku i arkivolit. Këto arkivole vishen nga brenda dhe nga jashtë me materiale dekorative.
  8. Arkivolet ndërtohen edhe me pllaka zdrukthi të melaminuara, me trashësi jo më të vogël se 0.8-2 cm. Edhe në këtë rast ngjitja e materialit duhet të bëhet me ngjitje speciale dhe në çdo 30 cm të shtrëngohet me kapëse (grapeta).
  9. Firmat prodhuese dhe ato tregëtuese të arkivoleve duhet të zbatojnë kushtet e mësipërme. Respektimi i tyre do të kontrollohet herë pas here nga njësitë e pushtetit vendor.

 

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

MinistrI I RREGULLIMIT TË TERRITORIT DHE I TURIZMIT

   Bashkim Fino