Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

MBi PËRCAKTIMIN E NORMAVE TEKNIKE PËR PROJEKTIMIN DHE NDËRTIMIN E VARREZAVE PUBLIKE

(UDHËZIM, Nr.7, datë 16.12.2004)

 

Në zbatim të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës dhe të nenit 8 të ligjit nr.9220, datë 15.4 2004 “Për shërbimin publik të varrimit “, Ministri i Rregullimit të Territorit dhe të Turizmit:

UDHËZON:

 

  1. Në planet rregulluese të qendrave të banuara të përfshihet edhe projekti për ndërtimin e varrezave, sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e urbanistikës të miratuar me vendimin nr.722, datë 19.11.1998 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores së urbanistikës”.
  2. Vendi i ndërtimit të varrezave duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:
  3. a) Të jetë jashtë territorit të banimit dhe i ndarë nga ajo nëpërmjet zonës së rezervuar, sikurse kërkohet nga ligji;
  4. b) Toka të mos mbajë ujë dhe të mos jetë mbi qendrën e banuar;
  5. c) Të mos jetë në afërsi të burimeve të ujit të pijshëm, ujit industrial ose lumenjve, në raste të tilla të merret mendimi me shkrim edhe i specialistëve të hidrogjeologjisë për formacionet karstike;
  6. d) Tubacionet e rrjetit të jashtëm të ujësjellësit duhet të vendosen jo më pak se 30 m, larg nga muri rrethues i territorit të varrezave.
  7. Vendi ku do të ndërtohen varrezat duhet të ketë parasysh kushtet higjienike dhe ambientale të mëposhtme:
  8. a) të ketë lidhje me komunikacionin dhe rrjetin urban rrugor, por të mos jetë afër me rrugët kryesore që kanë trafik të madh rrugor;
  9. b) të bëhet studimi për përbërjen granulometrike të shtresës së tokës për të përcaktuar aftësinë e mineralizimit të kufomave dhe evitimin e ndotjes të ujërave nëntokësore;
  10. c) të jetë e mundur lidhja me rrjetin urban të furnizimit me ujë, energji elektrike dhe me drenazhimet për kullimin e ujërave, me kosto sa më të ulët;
  11. d) të studiohen kanalizimet e ujërave të shiut, në mënyrë që rrjedhja e tyre të jetë në drejtim të kundërt të qendrave të banimit.
  12. Në zonën e varrezave terreni duhet të jetë i shkrifët në thellësinë 2 deri 2,5 m në mënyrë që të mos jetë e vështirë hapja e varrit. Toka të jetë relativisht e thatë dhe me një porozitet të pranueshëm që të mbajë sasinë e ujit të nevojshëm për të realizuar procesin e mineralizimit të kufomës. Për këtë duhet që paraprakisht të bëhen provat për të përcaktuar përbërësit kimiko-fizikë dhe porozitetin e tokës.
  13. Mbas provave të mësipërme, në mënyrë skematike mund të kemi:

- Terrene të përshtatshme ato që përmbajnë zhavorishte, ranore, pocolanike me një sipërfaqe mesatarisht kompakte dhe të përshkueshme.

- Terrene të papërshtatshme ato që përmbajnë shkëmborë kompakt ose mesatarisht kompakt, argjilo-ranorë ose materiale të shkrifëta shumë të ngjeshura e të papërshkueshme.

Kur në një qendër banimi nuk gjendet një terren i përshtatshëm, mund të përshtatet, duke realizuar hapjen e varreve si më poshtë:

- Hapet gropa e varrit deri në thellësinë 2 metra;

- Në fund të gropës, në funksion të drenazhimit, sistemohet një shtresë zhavorri me trashësi 0.3 metra, mbi të cilën vihet arkivoli;

- Mbulimi i gropës së varrit bëhet me tokë të përzier me 50 % rërë. Për raste të tilla duhet që në zonën e varrezave të jetë e depozituar një sasi e konsiderueshme zhavori dhe rëre për ta përzier.

  1. Sipërfaqja e pjesës së tokës të destinuar si fushë varrimi duhet parashikuar dhe llogaritur mbi bazën e numrit të banorëve të bashkisë apo komunës përkatëse dhe rritjes së popullsisë së tyre në 10 vitet e fundit, si dhe të dhënave statistikore të varrimeve të kryera në dhjetëvjeçarin e fundit, me destinacion për të varrosur kufomat për një periudhë normale jo më pak se prej 10 vjetësh. Kur kjo periudhë fiksohet për një periudhë të ndryshme nga 10 vjet, sipërfaqja e varrezave llogaritet në mënyrë proporcionale.
  2. Në përcaktimin e sipërfaqes së tokës të destinuar për fushë varrimi, duhet të merren parasysh edhe varrimet që do të kryhen si pasojë e zhvarrimeve, si dhe mundësia e ngjarjeve të jashtëzakonshme, të cilat mund të kërkojnë një numër të madh varrimesh.
  3. Në sipërfaqen e projektuar për ndërtimin ose zgjerimin e varrezave duhet të llogariten edhe hapësirat eventuale të rezervuara:
  4. a) për ndërtimin e të gjitha godinave të destinuara për shërbimet e varrimit ose në dispozicion të publikut apo punonjësve të varrezave;
  5. b) për rrugët, rrugicat, sheshet dhe zonat e parkimit;
  6. c) për çdo qëllim tjetër të nevojshëm, përveç atij të varrimit.
  7. Ndërtimi i zyrave administrative apo objekteve higjieno-sanitare, parashikohet në pozicionet e hyrjes kryesore të varrezave, madhësia e të cilave varet nga numri i punonjësve dhe dimensionet e varrezave. Pranë çdo varreze të ndërtohen objekte higjienike për publikun, të ndara sipas seksit, në një pozicion të përshtatshëm të varrezave.
  8. Në projektin e territorit të varrezave, sipërfaqja e brendshme duhet të ketë formë të rregullt, të jetë e ndarë në parcela të sistemuara e të gjelbëruara, me rrugë të brendshme dhe me rrugë kryesore që lidhet me qendrën e banimit, gjerësia e të cilave lejon një qarkullim të lehtë të makinave funerale dhe të vizitorëve. Gjatë gjithë këtyre rrugëve, duhet të ketë gjelbërim, lule dhe pemë dekorative.
  9. Toka e varrezave duhet të jetë e pajisur në mënyrë të mjaftueshme me kanale sipërfaqësore për heqjen e shpejtë të ujërave të shiut dhe aty ku është e nevojshme me drenazhim, mjaft që ky drenazhim të mos sjellë një tharje të tepërt të tokës.
  10. Kur afër varrezave duhet të kalojë patjetër kanali vaditës veprohet në këtë mënyrë:
  11. a) Kur kanali kalon në anën e sipërme të varrezave, të bëhet hidroizolimi i tij.
  12. b) Kur kanali kalon në anën e poshtme të varrezave, të gjitha ujërat atmosferike që mblidhen nga sipërfaqja e tokës, grumbullohen në një kanal dhe kalojnë nën kanalin vaditës.
  13. Varrezat publike duhet të rrethohen gjatë gjithë perimetrit nga një mur rrethues ose nga një rrethim tjetër i përshtatshëm, që duhet të ketë një lartësi jo më të vogël se 2.5 deri 4 m nga sipërfaqja e tokës jashtë rrethimit. Kur terreni është i thyer të ndërtohen mure mbajtës dhe pritës.
  14. Sipas madhësisë së territorit të varrezave, përcaktohet edhe numri i hyrjeve për në të. Hyrjet e automjeteve funerale mund të jenë të njëjta me ato të këmbësorëve ose të ndara.
  15. Vendqendrimi i rojave ndërtohet në një pozicion të përshtatshëm vrojtimi për të kontrolluar hyrjet në varreza, objektet funksionale të ndërtuara në të dhe të gjithë territorin e varrezave.

Në territorin e varrezave nuk lejohet të bëhen ndërtime të llojeve të ndryshme, me përjashtim të atyre që janë në shërbim të varrezave.

 

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

MinistrI I RREGULLIMIT TË TERRITORIT DHE I TURIZMIT

   Bashkim Fino