Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

PËR STATUSIN E USHTARAKUT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

(LIGJ Nr.9210, datë 23.3.2004)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Ky ligj përcakton pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të detyrës dhe të shërbimit ushtarak, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre.

Neni 2

Përkufizime

 Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. "Ushtarak i Forcave të Armatosura" është shtetasi që shërben në Forcat e Armatosura, bën betimin dhe mban uniformën me shenjat përkatëse, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi.

2. "Ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm" është shtetasi që shërben në Forcat e Armatosura si ushtarak (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist) dhe fiton statusin e karrierës, të përcaktuar në ligjin “Për gradat dhe karrierën ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë".

3. "Ushtarak i shërbimit aktiv të përkohshëm" është shtetasi që pranon të shërbejë në Forcat e Armatosura si ushtarak (oficer, nënoficer dhe ushtar me pagesë/profesionist), për një periudhë kohe të caktuar.

4. "Ushtarak i shërbimit aktiv të detyrueshëm" është shtetasi që kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak, sipas ligjit.

5. “Ushtarak në rezervë" është shtetasi që ka shërbyer në Forcat e Armatosura si ushtarak aktiv (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist) dhe, pasi ndërpret karrierën ushtarake, sipas ligjit “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë", përfshihet në strukturat rezervë të Forcave të Armatosura si oficer, nënoficer dhe ushtar.

6. "Ushtarak në lirim" është shtetasi që ndërpret karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura, sipas ligjit “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë".

7. "Ushtarak në pension" është shtetasi që ka shërbyer në Forcat e Armatosura si ushtarak, aktiv dhe rezervë, dhe del në pension kur mbush moshën e pensionit të pleqërisë.

[...]

Neni 16

Të drejtat e tjera

Ushtaraku aktiv gëzon edhe këto të drejta:

a) punë të garantuar në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

b) të përparojë në gradë e në rendin e përgjegjësive (karrierë), sipas akteve ligjore e nënligjore;

c) të mbrohet nga shteti në kryerjen e detyrave të ngarkuara;

ç) të trajnohet, të kualifikohet dhe të ndjekë studimet në institucionet arsimore, ushtarake ose civile, brenda dhe jashtë vendit, vetëm kur i jepet leje, sipas legjislacionit në fuqi dhe në përputhje me profesionin;

d) të ushtrojë të drejtën e besimit dhe veprimtarisë fetare, jashtë territorit të repartit ose institucionit ushtarak dhe pa uniformë ushtarake;

dh) të shërbejë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në operacione të ndryshme ndërkombëtare, me leje të autoritetit përkatës;

e) të përdorë veshje civile jashtë kohës së punës e të shërbimit, ose kur e kërkon natyra e shërbimit;

ë) të organizohet në shoqata, të cilat nuk kanë karakter politik ose sindikalist.

[…]

©GC

 

Trascina file per caricare