The measure is available in the following languages:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
LIGJ Nr. 8789, datë 7.5.2001 PËR REGJISTRIMIN E ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Ky ligj përcakton procedurat e regjistrimit të organizatave jofitimprurëse, si dhe rregullat për mbajtjen e regjistrit të tyre.
Neni 2
Baza ligjore
Rregullat për formën e organizimit, të themelimit, të veprimtarisë dhe të funksionimit të organizatave jofitimprurëse përcaktohen me ligj.
Neni 3
Regjistrimi
Shoqatat, fondacionet dhe format e tjera të organizatave jofitimprurëse, që mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe fitojnë cilësinë e personit juridik vetëm pas regjistrimit në gjykatë, caktohen shprehimisht me ligj.
KREU II
MBAJTJA E REGJISTRIT
Neni 4
Gjykata kompetente
Regjistri i Organizatave Jofitimprurëse, në vazhdim i quajtur "Regjistër", mbahet nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës.
Neni 5
Gjyqtari i vetëm
1.Vendimi për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse, si dhe çdo vendim tjetër, lidhur me veprimet që lidhen me regjistrimin e tyre, kryhen nga një gjyqtar i seksionit tregtar të gjykatës.
2. Gjyqtari ka të gjitha kompetencat për kryerjen e veprimeve që kanë të bëjnë me Regjistrin, me përjashtim të atyre, që sipas ligjit kryhen nga Sekretari i Regjistrit.
Neni 6
Sekretari i Regjistrit
1.Sekretari i Regjistrit të organizatave jofitimprurëse kryen këto veprime: a)Kujdeset për mbajtjen dhe administrimin e Regjistrit.
b)Regjistron dhe mban vendimet e gjyqtarit dhe dokumentacionin që i bashkëlidhet. c)Lëshon vërtetimin e regjistrimit dhe të depozitimit të akteve në Regjistër, si dhe vërtetime të tjera në rastet e parashikuara me ligj.
ç)Lëshon kopje të regjistrimit dhe të dokumenteve të depozituara në shtojcat e Regjistrit. Në rastin kur kërkohet një kopje e shkurtuar e tyre, përmbajtja që i lëshohet kërkuesit, vendoset nga gjyqtari.
2.Në rastet kur Sekretari i Regjistrit kundërshton të lëshojë një dokument me përmbajtje të ndryshuar nga dokumenti i mëparshëm, kërkesa për lëshimin e tij shqyrtohet nga një gjyqtar i Regjistrit. Kundër vendimit të gjyqtarit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
3.Veprimet për regjistrimin, depozitimin, lëshimin e vërtetimeve, të kopjeve të tyre dhe të akteve që mbahen në Regjistër kryhen nga Sekretaria e Regjistrit, kundrejt pagesës së tarifave të shërbimit. Tarifat e shërbimit caktohen me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.
Neni 7
Njohja e Regjistrit
Regjistri dhe dokumentet e depozituara në shtojcën e Regjistrit janë të hapura për publikun. Çdo person i interesuar ka të drejtë të marrë kopje të dokumentacionit të Regjistrit kundrejt pagesës së tarifës të shërbimit.
Neni 8
Publikimi i njoftimeve ligjore
Këshilli i Ministrave, brenda muajit nëntor të çdo viti, cakton mjetet e publikimit të njoftimeve ligjore, lidhur me Regjistrin për vitin e ardhshëm kalendarik.
KREU III
FORMA DHE PËRMBAJTJA E REGJISTRIT
Neni 9
Skedarët e Regjistrit
Regjistri mbahet në skedarë. Forma e Regjistrit, përmbajtja, si dhe rregullat teknike për mbajtjen e tij caktohen nga Ministri i Drejtësisë.
Neni 10
Shtojca dhe dosjet e Regjistrit
1.Vendimi i gjyqtarit, veprimet e Sekretarit të Regjistrit, si dhe dokumentacioni i bashkëlidhur për çdo skedë të Regjistrit mbahen në një dosje të veçantë. Tërësia e dosjeve të Regjistrit përbën shtojcën e tij.
2.Dokumetacioni që mbahet në shtojcën e Regjistrit duhet të jetë origjinal. Gjyqtari, me kërkesë të palës së interesuar, mund të vendosë që asaj t'i kthehet dokumenti origjinal, pasi të jetë zëvendësuar me kopje të vërtetuara nga noteri publik.
Neni 11
Rregullshmëria
Veprimet në Regjistër duhet të bëhen në mënyrë të qartë dhe, si rregull, pa shkurtime. Nuk lejohet asnjë veprim që asgjëson, fshin ose që i bën të palexueshme veprimet në Regjistër.
Neni 12
Skeda e Regjistrit
- Çdo organizatë jofitimprurëse regjistrohet me një numër të veçantë regjistrimi, që përmban një a më shumë skeda në Regjistër.
- Ndryshimi i emrit të organizatës jofitimprurëse regjistrohet në të njëjtën skedë të Regjistrit. Për të dalluar më qartë subjektin, emri i ri mund të regjistrohet së bashku me të gjitha regjistrimet e mëparshme që janë ende të vlefshme, me një numër të ri regjistrimi dhe në një skedë të re të Regjistrit. Në këtë rast, në çdo skedë jepet referenca me skedën tjetër.
Neni 13
1.Çdo regjistrim bëhet në një numër të ri rendor dhe të ndarë nga regjistrimi pasardhës me një vijë horizontale që kalon në të gjitha kolonat e Regjistrit.
2.Në rastin e disa regjistrimeve të njëkohshme, ato bëhen në një numër rendor të vetëm.
Neni 14
Data e regjistrimeve
Për çdo regjistrim shënohet data e regjistrimit. Data e regjistrimit dhe vendi i saj në Regjistër tregohen në vendimin e gjyqtarit që urdhëron regjistrimin dhe hapjen e dosjes përkatëse të Regjistrit.
Neni 15
Ndryshimi i regjistrimeve
Ndryshimet e përmbajtjes së një regjistrimi dhe prishjet me nënvizim duhet të regjistrohen me një numër rendor të ri. Gjyqtari vendos për nënvizimin e një regjistrimi që ka humbur rëndësinë e tij për shkak të një regjistrimi të ri.
Njëkohësisht me regjistrimin nënvizohet edhe shënimi që lidhet me prishjen me nënvizim.
Neni 16
Korrigjimet e gabimeve të shtypit
1. Gabimet e shtypit dhe gabimet e dukshme materiale të kryera gjatë regjistrimit dhe depozitimit, korrigjohen me vendim të gjyqtarit dhe pasqyrohen në kolonën 5 me titullin "Shënime". Shënimi që përmban korrigjimin nënshkruhet nga Sekretari i Regjistrit, duke treguar edhe datën e korrigjimit.
- Korrigjimi në Regjistër duhet t'u njoftohet të interesuarve.
- Nënvizimi i bërë gabimisht mënjanohet duke prishur nënvizimin me kryqe të vogla.
Neni 17
Regjistrimi mbi bazën e një vendimi gjyqësor
Në Regjistër duhet të tregohet qartë rasti kur regjistrimi i një subjekti bëhet me vendim të formës së prerë të gjykatës. Në të njëjtën kolonë të Regjistrit regjistrohet edhe numri, data dhe gjykata që ka dhënë vendimin.
Neni 18
Prishja me nënvizim e regjistrimeve të paligjshme
Në rastin kur, për shkak të shkeljes së ligjit, vërehet ose shpallet pavlefshmëria e një regjistrimi të bërë në Regjistër, ky regjistrim duhet të prishet me nënvizim, me kërkesën e të interesuarit ose kryesisht nga gjykata. Vendimi i gjyqtarit për të prishur me nënvizim një regjistrim u njoftohet palëve të interesuara. Kundër vendimit të gjyqtarit, pala e interesuar mund të bëjë ankim në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Neni 19
Prishja me nënvizim ose regjistrimi kryesisht nga gjykata
- Nëse një regjistrim duhet të prishet me nënvizim nga gjykata në zbatim të nenit 18 të këtij ligji, prishja bëhet duke regjistruar shënimin "Prishur me iniciativë dhe kompetencë".
- Në rastet kur duhet të bëhet një regjistrim me iniciativë dhe kompetencë, ai duhet të pasqyrojë bazën ligjore dhe shënimin "Regjistruar me iniciativë dhe kompetencë", me përjashtim të rastit të fillimit të procedurës së shlyerjes të dëmit ose të likuidimit në rrugë gjyqësore.
Neni 20
Krijimi i një skede të re të Regjistrit
Kur një skedë e Regjistrit nuk është e qartë, regjistrimet që mbeten të vlefshme mund të kopjohen në një skedë të tij të re, me një numër të ri regjistrimi, pasi të jetë marrë pëlqimi i subjektit të interesuar. Në këtë rast, në çdo skedë të Regjistrit jepet referenca me skedën tjetër.
Neni 21
Skeda të Regjistrit të mbetura pa objekt
Në faqet e skedës së Regjistrit bëhet shënimi me kryq në rastet kur të gjitha regjistrimet që përmbahen në to kanë mbetur pa objekt.
KREU IV
PROCEDURA E REGJISTRIMIT DHE E PUBLIKIMIT
Neni 22
Kërkesa për regjistrim dhe depozitim
1.Regjistrimi i organizatave jofitimprurëse, si dhe depozitimi i akteve të tjera të tyre në Regjistër bëhet me kërkesë të subjektit të interesuar.
2. Kërkesa duhet të përmbajë shpjegime lidhur me formën dhe qëllimin e organizatës jofitimprurëse, me objektin e veprimtarisë së saj, me identitetin e themeluesve dhe drejtuesve të saj, me strukturën e organeve drejtuese, me vendndodhjen e selisë, si dhe me identitetin e personave përfaqësues ligjorë të saj.
3. Kërkesës për regjistrim ose depozitim të akteve në Regjistër i bashkëlidhet dokumentacioni përkatës në origjinal ose i vërtetuar nga noteri.
Neni 23
Përjashtimi i një gjyqtari
Gjyqtari është i detyruar të heqë dorë nga shqyrtimi i kërkesës për regjistrim ose depozitim në rastet e parashikuara në nenin 72 të Kodit të Procedurës Civile.
Për heqjen dorë dhe përjashtimin e gjyqtarit nga shqyrtimi i kërkesës zbatohen nenet 73 dhe 74 të Kodit të Procedurës Civile.
Neni 24
Vendimi i gjyqtarit
- Gjyqtari vendos për kërkesat e regjistrimit ose të depozitimit, brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës në gjykatë.
- Në rastin kur gjatë shqyrtimit të kërkesës dhe të dokumentacionit të bashkëlidhur, gjyqtari vëren se përmbajtja e tyre nuk është e plotë, pasi thërret dhe dëgjon kërkuesin, vendos
për çështjet që duhen plotësuar, duke caktuar edhe një afat të arsyeshëm për plotësimin e tyre. 3. Vendimi për regjistrimin jepet nga gjyqtari edhe në rastin kur një gjykatë tjetër ka marrë vendim për kryerjen e këtij veprimi.
Neni 25
Mospranimi i kërkesës për regjistrim
- Mospranimi i kërkesës për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse në Regjistër bëhet me vendim të gjyqtarit kompetent për Regjistrin.
- Kundër vendimit të gjyqtarit për mospranimin e kërkesës për regjistrim mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Neni 26
Përmbajtja e vendimit të regjistrimit
Vendimi i gjyqtarit për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse, përveç elementeve të tjera të vendimit të gjyqtarit, duhet të përmbajë në mënyrë të plotë çështjet që duhet të pasqyrohen në Regjistër.
Neni 27
Ekzekutimi i vendimit të regjistrimit
- Vendimi i gjyqtarit për regjistrim ose depozitim në Regjistër ekzekutohet nga Sekretari i Regjistrit jo më vonë se tri ditë pune nga data që vendimi ka marrë formë të prerë.
- Në përfundim të ekzekutimit të vendimit, Sekretari i Regjistrit nënshkruan procedurat e ndjekura, si dhe vërtetimin e regjistrimit ose të depozitimit.
Neni 28
Kopjet e Regjistrit
- Kopjet bëhen duke kopjuar skedën e Regjistrit ose dokumente të depozituara në shtojcën e Regjistrit. Kopjet e thjeshta nuk nënshkruhen dhe pajisen me shënimin “Kopje e bërë në datën…”.
- Vërtetimi i njësimit me origjinalin për dokumentet bëhet me një shënim të vendosur poshtë regjistrimit të fundit të kopjes, me tekstin: “Vërtetohet njësimi i kopjes me regjistrimet origjinale në Regjistrin e Shoqatave, Fondacioneve dhe Enteve të tjera me karakter priva t jofitimprurës”.
- Shënimi duhet të tregojë vendin dhe datën e bërjes së veprimit, nënshkruhet nga Sekretari i Regjistrit dhe mban vulën e gjykatës.
- Kur kërkohen kopje të vërtetuara me origjinalin e dokumenteve të depozituara në shtojcën e Regjistrit, shënimi i Sekretarit të Regjistrit duhet të tregojë nëse dokumenti kryesor është origjinal ose kopje e vërtetuar me origjinalin.
Neni 29
Vërtetime dhe dëshmi
Vërtetimet e regjistrimit dhe depozitimit nënshkruhen nga Sekretari i Regjistrit, duke treguar vendin e datën e lëshimit, si dhe mbajnë vulën e gjykatës.
Neni 30
Njoftimi i shkakut të prishjes me nënvizim
Në rast prishjeje me nënvizim të regjistrimit, shkaku i prishjes me nënvizim mund të publikohet me kërkesën e të interesuarit dhe miratimin e gjyqtarit.
KREU V
REGJISTRIMET NË SKEDËN E REGJISTRIT
Neni 31
Regjistrimet në kolona të ndryshme
Regjistrimet në kolona të ndryshme të skedës së Regjistrit bëhen si më poshtë:
- Në kolonën 1: numri rendor i regjistrimit përkatës.
- Në kolonë n 2:
në shkronjën (a): emri;
në shkronjën (b): vendndodhja e qendrës; për degët dhe përfaqësitë, vendndodhja e qendrës kryesore në Shqipëri, duke vendosur shënimin “degë e…”, ose “përfaqësi e…”, me emrin e personit juridik dhe vendndodhjen e qendrës së saj;
në shkronjën (c): objekti dhe qëllimi i veprimtarisë dhe ndryshimet përkatëse;
në shkronjën (ç): në rastin e fondacionit: përbërja dhe vlera pasurore e fondit themelues.
Në kolonën 3: anëtarët e organeve drejtuese dhe likuiduesit, duke dhënë në çdo rst emrin, mbiemrin, vendlindjen dhe datëlindjen e tyre.
- Në kolonën 4: regjistrime të tjera si:
a) data e nënshkrimit dhe e miratimit të statutit;
b) dispozitat e statutit që lidhen me kohëzgjatjen e organizatës;
c) kompetencat e përfaqësimit të organeve drejtuese ose të likuiduesve;
ç) ndryshimet në përbërjen e anëtarëve të organeve drejtuese ose likuiduesve, si dhe çdo ndryshim në kompetencat e përfaqësimit të njërit prej këtyre personave;
d) emrat, mbiemrat, vendlindjet dhe datëlindjet e themeluesve, të anëtarëve të organizatës, si dhe ndryshimet e tyre;
dh) emrat, mbiemrat, datëlindjet dhe vlera e kontributeve pasurore të fondit themelues (nëse ka të tilla);
e) çdo ndryshim i statutit. Përsa i përket regjistrimit, mjafton të tregohet në mënyrë të përgjithshme objekti i ndryshimit; në këtë rast duhet të jepet referencë në kolonën 5 me titullin:
“Shënime, të dokumentit të depozituar në shtojcën e Regjistrit dhe të faqes së skedës ku ndodhen dokumentet”;
ë) fillimi i veprimtarisë së subjektit, mbyllja e saj ose hapja e një procedure për shlyerjen e dëmit ose për likuidimin në rrugë gjyqësore;
f) shpërndarja dhe mënyra e realizimit të saj;
g) bashkimi ose ndarja, si dhe prishja me nënvizim e shënimeve në Regjistër. 5. Në kolonën 5:
në shkronjën (a): data e regjistrimit dhe nënshkrimi i Sekretarit të Regjistrit;
në shkronjën (b): regjistrimi i referencave për regjistrimet e mëvonshme, tregimi i numrit të regjistrimit të një personi juridik, i cili është anëtar themelues ose themelues i një organizate, si dhe shënime të tjera.
Neni 32
Vendimi i deklaruar si i pavlefshëm
Vendimi i formës së prerë të një gjykate, nëpërmjet të cilit një vendim i organeve drejtuese të organizatës është deklaruar si i pavlefshëm, duhet të regjistrohet me një shë nim që tregon vendimin e pavlefshëm në kolonën e skedës së Regjistrit, ku ka qenë regjistruar ai vendim.
Neni 33
Bashkimi
1. Në rastet e bashkimit, regjistrimet që u përkasin organizatave të përthithura, prishen me nënvizime gjatë regjistrimit të bashk imit. Për organizatën përthithëse jepet referenca në kolonën 5 me titullin “Shënime”, në skedën e Regjistrit që i përket organizatave të përthithura dhe anasjelltas.
2. Në rastet e ndarjes, regjistrimet që i përkasin organizatës së ndarë, prishen me nënvizime gjatë regjistrimit të ndarjes. Për organizatat që përfitojnë kontributet, jepet referenca në kolonën 5 me titullin “Shënime”, në skedën e Regjistrit që i përket organizatës së ndarë dhe anasjelltas.
KREU VI
PROCEDURA QË LIDHET ME REGJISTRIN
Neni 34
Pezullimi i procedurës për një vendim që i përket Regjistrit
Gjykata mund të pezullojë vazhdimin e procedurës për zbatimin e një vendimi për Regjistrin, kur kjo varet nga vlerësimi i një situate ligjore që është objekt i një procedure gjyqësore. Përsa kohë që kjo procedurë nuk ka filluar, gjykata mund t’i caktojë një afat njërit prej të interesuarve, për të nisur instancën gjyqësore.
Neni 35
Vendim për përmbushjen e një detyrimi ligjor
Gjykata mund të urdhërojë personin e interesuar që të përmbus hë, brenda një afati të caktuar prej saj, detyrimin për të depozituar në shtojcën e Regjistrit nënshkrimin ose një dokumentacion tjetër të kërkuar sipas ligjit.
KREU VII
FORMALITETE TË VEÇANTA PËR T’U RESPEKTUAR NGA ORGANIZATAT JOFITIMPRURËSE
Neni 36
Projekti i bashkimit ose i ndarjes
- Projekti i bashkimit ose i ndarjes së organizatave jofitimprurëse përgatitet bashkërisht nga organet drejtuese të tyre.
- Projekti duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:
a) Formën, emrin dhe qendrën e organizatave pjesëmarrëse në projekt.
b) Motivet, qëllime dhe kushtet e bashkimit ose të ndarjes.
c) Caktimin dhe vlerësimin e aktivit dhe të pasivit, që është parashikuar t’u kalojnë organizatave të reja ose asaj që përthith ato ekzistuese.
ç) Datën, pas së cilës veprimtaritë e organizatave ekzistuese do të konsiderohen në aspektin e kontabilitetit si të kryera nga organizata përthithëse ose ato të reja.
d) Datat në të cilat janë hartuar llogaritë e organizatave të interesuara, që përdoren për të formuluar kushtet e operacionit.
dh) Raportin e këmbimit të të drejtave ndërmjet organizatave dhe mënyrën e kompensimit të këtyre të drejtave të këmbyera.
Neni 37
Shpallja e projektit të bashkimit ose të ndarjes
- Projekti i bashkimit ose i ndarjes publikohet në formën e një shpalljeje në një mjet të autorizuar për publikimin e njoftimeve ligjore, nga secila prej organizatave që marrin pjesë në projekt.
- Kjo shpallje përmban të dhënat e mëposhtme:
a) Emrin e organizatës, adresën e qendrës dhe numrat e regjistrimit në Regjistër të çdo organizate që merr pjesë në projekt.
b) Emrin e organizatës dhe adresën e qendrës së organizatave të reja që do të dalin nga operacioni.
c) Raportin e këmbimit të të drejtave në organizata.
ç) Datën e projektit dhe datën e vendin e depozitimeve.
3. Depozitimi i kërkesës dhe i dokumentacionit në Regjistër dhe publikimi i parashikuar në pikat e përmendura më lart, duhet të bëhen të paktën 15 ditë përpara datës së mbledhjes të organit drejtues për marrjen e vendimit për projektin.
Neni 38
Emërimi i likuiduesve
Emërimi i likuiduesve duhet të regjistrohet në Regjistër. Akti i emërimit dhe shënimi i adresave të likuiduesve depozitohen në shtojcën e Regjistrit. Regjistrimi dhe adresat e likuiduesve publikohen sipas dispozitave të këtij ligji.
Neni 39
Shpallja e mbylljes së likuidimit
- Shpallja e mbylljes së likuidimit, e firmosur nga likuiduesi dhe nën kujdesn e tij, publikohet në një gazetë të autorizuar për publikimin e njoftimeve ligjore.
- Në shpallje jepen emërtimi i sub jektit, adresa e qendrës së tij, numri i regjistrimit në Regjistër, si dhe:
a) emrat, mbiemrat dhe adresat e banimit të likuiduesve;
b) datat dhe vendi i mbledhjes së organit drejtues kompetent për mbylljen, në qoftë se llogaritë e likuiduesve janë miratuar prej saj;
c) referenca e Regjistrit ku janë depozituar llogaritë e likuiduesve.
KREU VIII
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 40
Riregjistrimi i shoqatave dhe i fondacioneve të regjistruara më parë
- Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, gjykatat e rretheve gjyqësore janë të detyruara të transferojnë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës aktet e regjistrimit të shoqatave dhe të fondacioneve, si dhe dokumentacionin shoqërues të regjistrimit.
- Forma dhe përmbajtja e Regjistrit, si dhe rregullat e hollësishme, lidhur me transferimin e akteve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, caktohen nga Ministri i Drejtësisë.
Neni 41
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYETARI
Skënder Gjinushi