Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

PËR SPONSORIZIMET

(Ligj Nr.7892, datë 21.12.1994)

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozim të Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1

Ky ligj rregullon mbështetjen me ndihma financiare e materiale, të quajtura në vijim “sponsorizime”, të veprimtarive sociale e publike ku përfshihen veprimtaritë humanitare, kulturore e artistike, sportive, edukative, arsimore, ekologjike dhe vepra letrare, shkencore dhe enciklopedike.

Sponsorizimi me qëllime të përfitimit ekonomik nga sponsorizuesi është i ndaluar.

Neni 2

Sipas këtij ligji mund të sponsorizohen vetëm veprimtaritë e parashikuara në nenin 1, të cilat kryhen nga ente, institucione, shoqata dhe organizma që janë të njohur me ligj e që janë të regjistruara si subjekte juridike.

Neni 3

Sponsorizues në kuptim të këtij ligji janë vetëm subjektet që kanë cilësinë e tregtarit, qofshin këta persona fizikë ose juridikë, vendas, të huaj a me kapital të përbashkët.

Subjektet buxhetore ose që përfitojnë financime buxhetore, nuk mund të jenë sponsorizues.

Neni 4

Çdo sponsorizim rregullohet me kontratë të lidhur ndërmjet sponsorizuesit dhe përfituesit.

Kryerja e çdo sponsorizimi, në para a në natyrë, dokumentohet në pajtim me legjislacionin tatimor kontabël e bankar në fuqi.

Neni 5

Sponsorizuesi përfiton, për shumën e sponsorizuar në fakt, këto lehtësi tatimore:

a) Subjekteve, persona fizikë a juridikë që paguajnë tatim mbi fitimin sipas ligjit nr.7677, datë 3.3.1993 “Për tatimin mbi fitimin”, shuma e sponsorizuar u  njihet si shpenzim i zbritshëm deri në masën 4 për qind të fitimit para tatimit.

b) Subjekteve, persona fizikë a juridikë pagues të tatimit sipas ligjit nr.7679, datë 3.3.1993 “Për tatimin mbi biznesin e vogël”, shuma e sponsorizuar u zbritet deri në masën 1 për qind të të ardhurave të tatueshme.

Neni 6

Lehtësitë e parashikuara në nenin 5 të këtij ligji zbatohen nga organet tatimore mbi bazën e paraqitjes nga sponsorizuesit:

- të veprimit juridik (kontratës),

- të dokumenteve përkatëse që vërtetojnë realizimin e sponsorizimit.

Në rast të pasaktësisë, fshehjes ose manipulimit nga ana e sponsorizuesve të sponsorizimeve të parashikuara në veprimin juridik (kontratë), zbatohen dënimet që përmban legjislacioni tatimor në fuqi.

Neni 7

Në bazë të veprimit juridik (kontratës) sponsorizuesi dhe përfituesi i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet që kanë me mirëkuptim ndërmjet tyre. Në rast të kundërt sponsorizuesi ose përfituesi ia kalojnë çështjen për gjykim gjykatës ku ka selinë përfituesi.

Në rastet kur spnsorizuesi është person juridik i huaj dhe përfituesi person juridik shqiptar, mosmarrëveshjet ndërmjet tyre zgjidhen nga organet gjyqësore shqiptare në bazë të legjislacionit shqiptar në fuqi.

Neni 8

Sponsorizuesi, në rastet kur nuk i përfiton lehtësitë e parashikuara sipas këtij ligji për arsye të cilat ai i konsideron të padrejta, i drejtohet drejtorit të drejtorisë së tatimeve në Ministrinë e Financave. Ankimi bëhet me shkrim brenda 30 ditëve nga data e komunikimit me organin tatimor përkatës. Ankimi bëhet sipas procedurave të caktuara në ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”.

Deri në momentin që sponsorizuesi merr përgjigje për ankimin, i ndërpritet detyrimi tatimor.

Neni 9

Çdo dispozitë që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohet.

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

Neni 10

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.1003, datë 30.12.1994 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

 

©GC

Trascina file per caricare