Print Friendly, PDF & Email

The measure is available in the following languages:


LIGJ

Nr. 69/2012

PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË1

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Objekti, qëllimi dhe fusha e zbatimit të ligjit

1. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i parimeve bazë për strukturën, veprimtarinë dhe qeverisjen e sistemit arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë.

2.  Qëllimi i këtij ligji është garantimi i së drejtës kushtetuese për arsimim,  sipas kuadrit ligjor përkatës për funksionimin e sistemit arsimor parauniversitar.

3. Fusha e zbatimit të këtij ligji është sistemi arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, përveç aspekteve të strukturës, veprimtarisë dhe qeverisjes së arsimit profesional, që rregullohen me ligj të veçantë.

 

Neni 2

Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Arsimi parauniversitar” përfshin nivelet arsimore me kodet 0, 1, 2 dhe 3, sipas “Klasifikimit Ndërkombëtar Standard të Arsimit”, të miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, në sesionin e 29-të të saj, në nëntor 1997, përkatësisht:

a) “Niveli me kodin 0”,  arsimi parashkollor;

b) “Niveli me kodin 1”, arsimi fillor;

c) “Niveli me kodin 2”, arsimi i mesëm i ulët;

ç) “Niveli me kodin 3”, arsimi i mesëm i lartë.

2.  “Arsim  në distancë” është mënyrë arsimimi,  ku pjesa më e madhe e procesit mësimor kryhet kur  mësuesi dhe nxënësi nuk janë zakonisht në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë dhe realizohet kryesisht me ndihmën e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit.

3.  “Fushë  e të nxënit”  është një lëndë ose bashkësi lëndësh që shqyrtojnë realitetin nga këndvështrime të caktuara.

[1 Ky ligj është përafruar plotësisht me:

Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian (2000/C 364/01), datë 18 dhjetor 2000, Numri CELEX

32000X1218(01) Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria C, Nr 364, datë 18.12.2000, faqe 1-22.]

4. “Gjimnaz” është shkolla e mesme e përgjithshme.

5. “Institucion arsimor” është kopshti ose shkolla.

6.  “Institucion  arsimor  plotësues”  është  institucioni  që  pasuron  përvojat  mësimore  dhe jetësore të nxënësve.

7. “Këshilli i prindërve” është organ i përbërë nga përfaqësues të prindërve të nxënësve të institucionit arsimor.

8.  “Kurrikula”   është  tërësia  e  dokumentacionit  si:  korniza  kurrikulare,  plani  shkollor, programi  mësimor,  teksti  dhe  materiale  të  tjera  të  një  lënde  ose  fushe  të  të  nxënit  dhe  e  tërë veprimtaria e organizuar në mjedisin e të mësuarit, që shërben për të siguruar një formim të caktuar të atyre që nxënë.

9. “Kornizë kurrikulare”  është dokumenti themelor i kurrikulës, ku përshkruhen synimet e përgjithshme  të  saj,  kompetencat  themelore,  rezultatet  e  pritshme  për  nxënësit,  për  sa  i  përket dijeve, aftësive dhe qëndrimeve në fund të arsimit bazë dhe atij të mesëm të lartë, synimet e fushave të të nxënit dhe parimet e përgjithshme të procesit të mësimdhënies e nxënies e të vlerësimit të nxënësve.

10. “Kompetencë themelore” është ndërthurja e dijeve, aftësive, qëndrimeve dhe vlerave që u nevojiten nxënësve për zhvillimin vetjak, qytetarinë aktive, përfshirjen shoqërore dhe punësimin.

11. “Kopsht” është institucioni arsimor që ofron shërbim arsimor të nivelit me kodin 0.

12. “Kurrikula bërthamë” është kurrikula e përbashkët për të gjithë nxënësit e një klase në sistemin arsimor.

13. “Ministri” është ministri që mbulon çështjet e arsimit parauniversitar.

14. “Ministria” është ministria që mbulon çështjet e arsimit parauniversitar.

15. “Mësues” është personi që ka fituar të drejtën për të ushtruar profesionin e mësuesisë në arsimin parauniversitar.

16. “Nxënës” është personi që arsimohet në arsimin parauniversitar.

17.  “Nxënës  me  aftësi  të  kufizuara”  është  personi,  i  cili  ka  dëmtime  afatgjata  fizike, mendore,  shqisore,  të sjelljes ose të kombinuara,  që,  në ndërveprim,  mund ta pengojnë të marrë pjesë në mënyrë të plotë dhe të barabartë në arsimimin e tij dhe në jetën shoqërore.

18. “Partner  social” janë sindikatat, me të cilat ministri nënshkruan  kontratën kolektive të punës.

19.  “Program  mësimor” është dokumenti që përmban synimet e lëndës,  kompetencat e saj 

specifike,   objektivat  e  arritjeve  të  nxënësve,   përmbajtjen  kryesore,   metodologjitë  specifike  të 

mësimdhënies, nxënies dhe të vlerësimit të arritjeve të nxënësve.

 

 

20.  “Shkollë” është institucioni që ofron shërbim arsimor për nivelet me kodet 1, 2, 3.

21.   “Shkollë  private”  është  shkolla  jopublike,   e  cila  nuk  themelohet,   financohet  dhe administrohet nga qeveria qendrore ose vendore.

22.  “Veprimtari  plotësuese” janë veprimtaritë që planifikohen nga institucioni arsimor dhe kanë për qëllim pasurimin e përvojave mësimore e jetësore të nxënësve.

 

Neni 3

Qëllimi i sistemit arsimor parauniversitar

Sistemi arsimor parauniversitar ka për qëllim formimin e çdo individi, në mënyrë që të përballojë sfidat e së ardhmes,  të jetë   i përgjegjshëm për familjen,  shoqërinë e kombin dhe në mënyrë të veçantë:

a) të njohë, të respektojë, të mbrojë identitetin kombëtar e të zhvillojë trashëgiminë dhe diversitetin tonë kulturor;

b) të zhvillohet në aspektin etik, intelektual, fizik, social dhe estetik, të jetë i aftë të mendojë në mënyrë të pavarur, kritike e krijuese, t’u përshtatet ndryshimeve, të ketë vetëbesim e shpirt bashkëpunimi, të jetë i gatshëm të ofrojë ndihmesën e tij për mirëqenien, përparimin, lirinë e demokracinë;

c) të ketë bindjen e thellë se drejtësia,  paqja,  harmonia,  bashkëpunimi dhe respekti për të tjerët janë vlerat më të larta njerëzore;

ç) të njohë dhe të respektojë traditat e popujve të tjerë;

d) të ndërgjegjësohet për të përmbushur përgjegjësitë e tij për mbrojtjen e mjedisit.

 

Neni 4

Kuadri rregullator dhe mbështetës i sistemit arsimor

Sistemi arsimor parauniversitar mbështetet në traditën e arsimit shqiptar, funksionon në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë,  legjislacionin shqiptar në fuqi dhe zhvillohet sipas vlerave të përbashkëta të sistemeve arsimore bashkëkohore.

 

Neni 5

E drejta për arsimim

1.  Në Republikën e Shqipërisë garantohet e drejta për arsimimin e shtetasve shqiptarë,  të huaj dhe personave pa shtetësi, pa u diskriminuar nga gjinia, raca, ngjyra, etnia, gjuha, orientimi seksual, bindjet politike ose fetare, gjendja, ekonomike apo sociale, mosha, vendbanimi, aftësia e kufizuar ose për arsye të tjera që përcaktohen në legjislacionin shqiptar.

2. Në shkollat publike arsimi i detyrueshëm dhe arsimi i mesëm i lartë janë falas.

 

Neni 6

Parime të përgjithshme

1.  Në veprimtaritë  e institucioneve të sistemit arsimor  parauniversitar,  interesi i nxënësit është parësor.

2. Në sistemin arsimor parauniversitar respektohen,  mbrohen dhe promovohen të drejtat e liritë e njeriut në përgjithësi dhe të drejtat e fëmijëve në veçanti.

3. Në sistemin arsimor parauniversitar, nxënësve dhe punonjësve u ofrohet mbrojtje nga çdo formë  veprimi  ose  mosveprimi  që  mund  t’u  shkaktojë  diskriminim,  dhunë,  keqtrajtim  ose  dëm moral.

4. Në institucionet arsimore zbatohet parimi i gjithëpërfshirjes së nxënësve.

5.  Çdo nxënësi i sigurohet  e drejta  për  arsimim  cilësor,  si dhe shanse të barabarta  për arsimim.

6. Nxënësve të familjeve në nevojë, nxënësve me aftësi të kufizuara dhe atyre me vështirësi në të nxënë u ofrohet përkujdesje e posaçme, sipas përcaktimeve në këtë ligj.

7. Veprimtaria e institucioneve në sistemin arsimor parauniversitar dhe e punonjësve të tyre

është transparente dhe e bazuar në llogaridhënie ndaj përfituesve të shërbimit arsimor.

8.  Në  sistemin  arsimor  parauniversitar  garantohet  e  drejta  e  nxënësve,   e  punonjësve arsimorë, e prindërve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë, më poshtë “prindër”, për të shprehur pikëpamjet e tyre për cilësinë e shërbimit arsimor dhe për t’u dëgjuar për këto pikëpamje.

9. Sistemi arsimor parauniversitar funksionon mbi bazën e decentralizimit   dhe autonomisë së institucioneve arsimore.

10. Në sistemin arsimor parauniversitar garantohet e drejta e organizimit të nxënësve, mësuesve  dhe  prindërve  për  të  mbrojtur  të  drejtat  e  tyre,  si  dhe  për  të  dhënë  ndihmesë  në mbarëvajtjen e institucionit.

11. Shërbimi arsimor mbështetet dhe vlerësohet mbi bazën e standardeve. Vlerësimi është i brendshëm dhe i jashtëm.

 

Neni 7

Laiciteti

1. Arsimi parauniversitar është laik.

2. Përjashtim bëjnë ato institucione arsimore që themelohen nga bashkësi fetare të njohura me ligj, sipas përcaktimeve të nenit 42 pika 4 të këtij ligji.

 

Neni 8

Depolitizimi

Arsimi parauniversitar është i depolitizuar.

 

Neni 9

Gjuha e arsimimit

Në  institucionet  arsimore,   gjuha  e  arsimimit   është  gjuha  shqipe,   përveç   rasteve  të përcaktuara ndryshe në këtë ligj.

 

Neni 10

Arsimimi për pakicat kombëtare

1. Personave, që u përkasin pakicave kombëtare, u krijohen mundësi të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën amtare, të mësojnë historinë dhe kulturën e tyre, sipas planeve dhe programeve mësimore.

2.  Për  të mundësuar pjesëmarrje  aktive dhe të barabartë  në jetën ekonomike,  shoqërore, politike e kulturore të Republikës së Shqipërisë, nxënësve të pakicave kombëtare u krijohen kushte për mësimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e historisë e të kulturës shqiptare.

3.  Planet e programet  mësimore,  si dhe raportet  e përdorimit  të gjuhës amtare  dhe asaj zyrtare në procesin mësimor përcaktohen me akte të veçanta  të ministrit.

 

Neni 11

Arsimimi për fëmijët shqiptarë jashtë vendit

Ministria, në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe institucione të tjera shtetërore, mbështet zbatimin e programeve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e trashëgimisë kulturore shqiptare për fëmijët e diasporës, në përputhje me legjislacionin shqiptar.

 

Neni 12

Arsimimi në dy gjuhë

Arsimimi në dy gjuhë në arsimin e mesëm të lartë realizohet sipas marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe vendeve të tjera.

 

Neni 13

Kompetencat themelore

Kompetencat themelore për të gjithë nxënësit janë:

a) komunikimi në gjuhën amtare;

b) komunikimi në gjuhë të huaja;

c) kompetenca matematikore dhe kompetencat bazë në shkencat dhe teknologjinë;

ç) kompetenca dixhitale;

d) kompetenca për të nxënë gjatë gjithë jetës;

dh) kompetencat shoqërore dhe qytetare;

e) kompetenca e iniciativës dhe sipërmarrjes;

ë) kompetenca e formimit kulturor dhe e shprehjes.

 

KREU II

INSTITUCIONET ARSIMORE DHE FORMAT E ARSIMIMIT

 

Neni 14

Institucionet në sistemin arsimor parauniversitar

Në sistemin arsimor parauniversitar funksionojnë kopshtet, shkollat dhe institucionet plotësuese, të cilat janë publike ose private.

 

Neni 15

Qendrat kulturore të fëmijëve

Qendrat kulturore të fëmijëve janë institucione plotësuese, të cilat janë në varësi të njësive të qeverisjes vendore dhe hapen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 16

Format e arsimimit

 Format e arsimimit në shkolla janë:

a) arsimim me kohë të plotë;

b) arsimim me kohë të pjesshme;

c) arsimim në distancë.

 

Neni 17

Arsimimi në kushtet e shtëpisë

Arsimimi në kushtet e shtëpisë ofrohet në raste të veçanta, për të gjitha klasat e arsimit bazë ose  vetëm  për disa  prej  tyre.  Ministri  përcakton  rastet  e  veçanta,  kriteret  dhe  procedurat  për arsimimin në kushtet e shtëpisë.

 

 

Neni  18

Arsimimi në institucionet joshkollore

Ministria, në bashkëpunim me organet përkatëse, siguron arsimimin për individët e moshës shkollore në institucionet e paraburgimit,  të vuajtjes së dënimit dhe në institucione të përkujdesjes shoqërore.

 

Neni 19

Përkujdesje për kategori të veçanta të nxënësve

Kategorive të veçanta të nxënësve u sigurohet kujdes i posaçëm nga shteti.  Format  dhe kriteret e përkujdesjes përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 20

Shërbimi psiko-social në institucionet arsimore

1.  Njësitë arsimore  vendore u sigurojnë shërbim psiko-social nxënësve dhe punonjësve të institucioneve arsimore.

2. Shërbimi psiko-social ofron mbështetje nëpërmjet psikologëve ose punonjësve socialë për trajtimin e problematikave të rasteve të ndryshme, vlerësimin e rasteve të fëmijëve me nevoja të veçanta psiko-sociale, hartimin e programeve parandaluese, sipas nevojave të komunitetit shkollor.

 

KREU III

NIVELET E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR

 

Neni 21

Arsimi parashkollor 

1.  Arsimi  parashkollor  synon  zhvillimin  shoqëror,   intelektual  e  fizik,   të  çdo  fëmije, ushtrimin e rregullave themelore të sjelljes e të higjienës, kultivimin e vlerave, si dhe përgatitjen për arsimin fillor.

2. Arsimi parashkollor ndiqet nga fëmijët e moshës nga tre deri në gjashtë vjeç. Fëmijëve të moshës pesë vjeç u mundësohet ndjekja e klasës përgatitore edhe pranë shkollave të arsimit bazë, me synim integrimin në arsimin e detyruar.

 

Neni 22

Arsimi bazë

1. Arsimi bazë synon zhvillimin shoqëror, intelektual e fizik, të çdo nxënësi, zotërimin e rregullave të sjelljes dhe kultivimin e vlerave, përkujdesjen për shëndetin, si dhe përgatitjen e mjaftueshme për vazhdimin e arsimit të mesëm të lartë ose për tregun e punës.

2. Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga gjashtë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga tri klasa, nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë.

3. Shkollat e arsimit të orientuar mund të nisin në klasa të caktuara të arsimit bazë, duke siguruar formimin e mjaftueshëm të nxënësve në lëndët e kulturës së përgjithshme.

4.  Arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë shtetas shqiptarë  me  banim  në  Republikën  e  Shqipërisë  nga  mosha  gjashtë  vjeç  deri   në  moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj. Nxënësi ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me kohë të plotë deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç. Nxënësi, që ka mbushur moshën shtatëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ka përfunduar arsimin bazë, lejohet të përfundojë klasën që po ndjek. Nxënësit, që kanë mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nuk e kanë përfunduar arsimin bazë me kohë të plotë, kanë të drejtë të regjistrohen në shkollat e arsimit bazë me kohë të pjesshme.

5.  Nxënësi,  që nuk ka ndjekur të paktën dy klasa të arsimit bazë me kohë të plotë,  ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me program mësimor individual, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.

 

Neni 23

Arsimi i mesëm i lartë

1.  Arsimi  i mesëm i lartë  synon zhvillimin e mëtejshëm të kompetencave të fituara nga arsimi bazë,  konsolidimin e individualitetit të çdo nxënësi dhe tërësinë e vlerave e të qëndrimeve, zgjerimin dhe thellimin në fusha të caktuara të dijes, përgatitjen për arsimin tretësor ose për tregun e punës. Këshilli i Ministrave zhvillon politika që synojnë krijimin e mundësisë për çdo nxënës që përfundon arsimin bazë të regjistrohet në arsimin e mesëm të lartë.

2.  Në klasën e dhjetë të arsimit të mesëm të lartë me kohë të plotë pranohen nxënës të moshës jo më të madhe se tetëmbëdhjetë vjeç. Nxënësi deri në moshën njëzet e një vjeç lejohet të ndjekë arsimin e mesëm të lartë trevjeçar, kurse deri në moshën njëzet e dy vjeç arsimin e mesëm të lartë katërvjeçar. Nxënësi, që ka mbushur përkatësisht moshën njëzet e një vjeç në arsimin e mesëm të lartë trevjeçar apo njëzet e dy vjeç në atë katërvjeçar dhe nuk ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë, lejohet të vazhdojë klasën që ndjek deri në fund të atij viti shkollor.

 

Neni 24

Llojet e arsimit të mesëm të lartë

1. Llojet e arsimit të mesëm të lartë janë gjimnazi, arsimi i mesëm profesional dhe arsimi i mesëm i orientuar.

2.  Gjimnazi përbëhet nga tri klasa.  Nxënësve,  që kanë mbushur moshën njëzet e një vjeç dhe nuk e kanë përfunduar gjimnazin, u mundësohet ndjekja e gjimnazit me kohë të pjesshme ose në distancë.

3.  Arsimi  i  mesëm  profesional  është  me  kohëzgjatje  dy  deri  katërvjeçare  dhe  është  i strukturuar në tri nivele kualifikimi, në përputhje me nivelet e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.

4. Shkolla të arsimit të orientuar janë shkollat artistike, shkollat sportive, shkollat për gjuhët e huaja dhe shkolla për fusha të tjera të të nxënit.  Pranimi në shkollat e arsimit të orientuar bëhet sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit.

 

KREU IV

DREJTIMI I SISTEMIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR

 

Neni 25

Funksionet kryesore të ministrisë

Funksionet kryesore të ministrisë janë:

a) përgatitja e akteve ligjore dhe nënligjore të sistemit arsimor;

b) zbatimi i  i Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar;

c) vlerësimi i cilësisë së shërbimit arsimor mbi bazën e treguesve;

ç) kontrolli i zbatimit të ligjshmërisë dhe i përdorimit të fondeve në institucionet arsimore;

d) hartimi dhe zbatimi i politikave të zhvillimit profesional të punonjësve arsimorë dhe akreditimi i programeve trajnuese;

dh)  sigurimi  i  mbështetjes  profesionale  nga  institucione të  specializuara,  vendase ose  të huaja,  për kërkime dhe eksperimentime në fushën e arsimit;

e) bashkëpunimi në fushën e arsimit me ministritë e linjës, njësitë e qeverisjes vendore dhe me organizma të tjerë qeveritarë ose joqeveritarë, të vendit ose të huaj;

ë) publikimi për çdo vit shkollor i raportit të arritjeve të sistemit arsimor parauniversitar.

 

Neni 26

Ministri

1. Ministri është përgjegjës për realizimin e programit politik qeverisës në fushën e arsimit parauniversitar.

2. Përveç detyrave të tjera të përcaktuara në këtë ligj, ministri:

a) nxjerr urdhra dhe udhëzime për zbatimin e këtij ligji;

b) propozon buxhetin e arsimit parauniversitar,  sipas përcaktimeve në aktet e tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi;

c) miraton dokumentacionin kurrikular, sipas përcaktimeve në këtë ligj;

ç) miraton strukturën e vitit shkollor;

d) miraton ngarkesën mësimore, javore e vjetore, të punonjësve arsimorë dhe numrin e nxënësve për klasë për institucionet arsimore publike;

dh)  miraton  kriteret,   dokumentacionin  dhe  procedurat   e  regjistrimit   të  nxënësve  në institucionet arsimore;

e) miraton rregulloren tip të institucioneve arsimore;

ë) miraton kriteret për dhënien e certifikatave e të çmimeve dhe i lëshon ato për nxënësit dhe punonjësit e sistemit arsimor.

f) nënshkruan me partnerët socialë kontratën kolektive të punës të nivelit të parë.

 

Neni 27

Inspektorati Shtetëror i Arsimit

1. Inspektorati Shtetëror i Arsimit, në vijim “inspektorati”, është institucion në varësi të ministrit dhe funksionon në mbështetje të ligjit nr.10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

2. Funksionet kryesore të inspektoratit për arsimin parauniversitar janë:

a)  vlerësimi  i  cilësisë  së  shërbimit  të  institucioneve  arsimore  dhe  të  njësive  arsimore vendore;

b) kontrollimi i pajtueshmërinë së veprimtarisë të institucioneve arsimore dhe të njësive arsimore vendore me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi;

c) këshillimi i drejtuesve dhe i punonjësve të institucioneve arsimore e të njësive arsimore vendore;

ç)  informimi   i  ministrit,   njësive  arsimore   vendore   dhe  institucioneve  për   gjetjet  e inspektimeve arsimore, si dhe  bërja publike e tyre;

d) përhapja e praktikave të suksesshme të institucioneve arsimore dhe të njësive arsimore vendore.

3. Inspektimi, sipas këtij neni, rregullohet nga ligji nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”,  përveçse kur parashikohet shprehimisht ndryshe në këtë ligj.

 

Neni 28

Njësia bazë  e qeverisjes vendore

1. Njësia bazë e qeverisjes vendore ka për detyrë përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit  arsimor  për  të  gjithë  nxënësit  në  institucionet  arsimore  parauniversitare  publike,  në përputhje me legjislacionin në fuqi.

2. Kompetencat kryesore të njësisë bazë të qeverisjes vendore janë:

a)  ndërtimi  dhe  rikonstruksioni  i  godinave  të  institucioneve  arsimore   publike,   sipas standardeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave, me fonde të Buxhetit të Shtetit ose me fonde nga transferta e pakushtëzuar ose të ardhurat e veta;

b) garantimi i paprekshmërisë së institucioneve arsimore në juridiksionin e saj, si dhe i mjediseve të tyre;

c) ruajtja dhe mirëmbajtja  e institucionit arsimor publik;

ç) garantimi i kushteve higjieno-sanitare e atyre të ngrohjes në godinat e institucioneve arsimore publike.

3. Njësia bazë e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me njësinë përkatëse arsimore vendore dhe institucionet arsimore publike, është përgjegjëse për regjistrimin e nxënësve në shkollat publike të arsimit të detyrueshëm me kohë të plotë.

4. Njësia bazë e qeverisjes vendore,  mbështetur në propozimet e njësive arsimore vendore dhe  këshillat  e  mësuesve  të  institucioneve,  sipas  kritereve  të  miratuara  në  këshillat  e  njësive vendore, mbështet:

a) nxënësit e familjeve në nevojë;

b) nxënësit me arritje të shkëlqyera;

c) punonjësit e institucioneve arsimore për zhvillimin e tyre profesional dhe për zhvillimin e kurrikulës;

ç) pajisjen e institucioneve arsimore me mjete mësimore.

 

Neni 29

Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar

1.  Këshilli  Kombëtar  i  Arsimit  Parauniversitar  është  organ  këshillimor  i  ministrit  për politikat e zhvillimit të arsimit parauniversitar.

2. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar  jep mendime për:

a) hartimin e strategjive, programeve kombëtare dhe akteve ligjore;

b) projektbuxhetin për arsimin parauniversitar;

c) çështje të tjera të politikave arsimore, me kërkesën e ministrit.

3. Veprimtaria e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar ushtrohet në përputhje me rregulloren, që miratohet nga Këshilli i Ministrave.

4. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar kryesohet nga ministri dhe përbëhet nga katërmbëdhjetë anëtarë, me këtë përbërje:

a) përfaqësuesi i Ministrit të Financave;

b) përfaqësuesi i Ministrit të Brendshëm;

c) përfaqësuesi i Ministrit të Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;

ç) një përfaqësues i shoqatës së bashkive me numrin më të madh të bashkive;

d) një përfaqësues i shoqatës së komunave me numrin më të madh të komunave;

dh) dy përfaqësues nga partnerët socialë;

e) një përfaqësues i shoqatës kombëtare të prindërve;

ë) gjashtë personalitete të njohura për kontribute në fushën e arsimit, shkencës dhe në jetën publike, të cilët zgjidhen me konkurrim publik.

5.   Anëtarët   e  Këshilli  Kombëtar   të  Arsimit   Parauniversitar,   të  cilët  i  nënshtrohen konkurrimit publik, përzgjidhen nga një komision, i ngritur pranë ministrisë, i përbërë nga një përfaqësues i kabinetit të Kryeministrit, një përfaqësues i ministrit dhe një përfaqësues i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve përcaktohen me udhëzim të ministrit dhe bëhen publike.

6.  Këshilli  i  Ministrave  cakton  në  detyrën  e  anëtarit  të  Këshillit  Kombëtar  të  Arsimit Parauniversitar gjashtë nga kandidatët e përzgjedhur me konkurrim publik.

7. Anëtarët, personalitete të njohura për kontribute në fushën e arsimit, zgjidhen me mandat 4-vjeçar.

8.  Anëtarët e përmendur  në shkronjën “ë”  të pikës 4 të këtij neni përfitojnë pagesë,  në masën dhe mënyrën e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 30

Njësitë arsimore vendore

1. Ministria përfaqësohet në nivelin vendor nga njësitë arsimore vendore,  të cilat krijohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Struktura dhe organika e tyre miratohen me urdhër të Kryeministrit.

2. Njësitë arsimore vendore janë drejtoritë arsimore, në nivel qarku, dhe zyrat arsimore, në nivel rrethi.

3.  Njësia arsimore  vendore  është përgjegjëse  për  funksionimin e institucioneve arsimore brenda juridiksionit të saj.

4. Njësia arsimore vendore:

a) zbaton Strategjinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar;

b) mbështetet institucionet arsimore për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit arsimor;

c) bashkëpunon me njësinë bazë të qeverisjes vendore për planifikimin, realizimin e investimeve dhe mirëmbajtjen e institucioneve arsimore, si dhe për rastet e braktisjes së shkollës;

ç) siguron për institucionet arsimore publike mjetet mësimore, sipas formulës “për nxënës”.

d) përdor fondin e veçantë të buxhetit vjetor për shpërblimin e punonjësve të institucioneve arsimore publike me arritje të shquara. Kriteret e përdorimit të këtij fondi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

5. Drejtuesi i njësisë arsimore vendore, përgjegjësit e sektorëve dhe specialistët e tyre përzgjidhen me konkurrim  të hapur,  sipas kritereve  dhe procedurave  të përcaktuara  në ligjin nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.

6.  Kandidati për  drejtues  i  njësisë  arsimore  vendore  duhet të  ketë  të  paktën  kategorinë “mësues i kualifikuar” dhe të mos bëjë pjesë, pas emërimit, në forumet drejtuese të partive politike.

 

Neni 31

Këshilli vendor i arsimit parauniversitar

1.  Këshilli vendor  i arsimit  parauniversitar  është organ  këshillimor,  në nivel qarku,  për politikat e zhvillimit të arsimit  parauniversitar,  brenda  juridiksionit territorial  të qarkut.  Këshilli sipas rregullores së miratuar prej tij.

2. Këshilli vendor i arsimit parauniversitar kryesohet nga kryetari i këshillit të qarkut dhe përbëhet nga përfaqësues të qeverisjes vendore dhe personalitete të njohura për kontribute në jetën publike. Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të këshillit vendor të arsimit parauniversitar përcaktohen me udhëzim të ministrit.

 

Neni 32

Institucioni arsimor

1.  Institucioni  arsimor  ka  për  detyrë  krijimin  e  mjedisit  miqësor  për  nxënësit  dhe  të mundësive që secili nxënës të shfaqë, të zhvillojë individualitetin dhe të realizojë potencialin e tij në përputhje me këtë ligj.

2. Institucioni arsimor funksionon sipas rregullores së tij të brendshme, e cila është në përputhje më këtë ligj e aktet e tjera ligjore në fuqi dhe miratohet nga titullari i njësisë arsimore vendore përkatëse.

3.  Institucioni  arsimor  u  ofron  nxënësve  mjediset  dhe  pajisjet  për  veprimtari  sportive, kulturore e zbavitëse edhe pas orëve mësimore, si dhe në ditët e pushimit.

4. Ndalohet organizimi i veprimtarive partiake në institucionet e sistemit arsimor parauniversitar.

 

Neni 33

Komisioni i etikës dhe sjelljes në institucionin arsimor

Në institucionin arsimor funksionon komisioni i etikës dhe sjelljes, i përbërë nga mësues, prindër dhe nxënës. Komisioni ka për detyrë të shqyrtojë ankesat e nxënësve, të prindërve e të punonjësve të  institucionit ndaj shkeljeve të  normave  të  etikës  dhe  të  sjelljes  dhe  t’i  propozojë drejtorit të institucionit masat përkatëse.

 

Neni 34

Bordi i institucionit arsimor

1.  Çdo  institucion  arsimor  ka  bordin  e  tij  të  përbërë  nga  prindër,   nxënës,   mësues, përfaqësues të qeverisë vendore dhe të komunitetit. Bordi kontribuon për mbarëvajtjen e institucionit arsimor dhe i raporton për veprimtarinë e tij këshillit të  prindërve të institucionit.

2. Detyrat kryesore të bordit janë:

a) miraton planin afatmesëm dhe atë vjetor të institucionit;

b) miraton planin e shpenzimeve të institucionit arsimor për fondet, të cilat sigurohen nga institucioni;

c) miraton kurrikulën  e hartuar nga institucioni arsimor;

ç) merr pjesë në procedurat e emërimit e të largimit të drejtorit të institucionit arsimor dhe të mësuesit.

3.  Përbërja  e  bordit,  të  drejtat,  detyrat  e  tjera  dhe  mënyra  e  zgjedhjes  së  anëtarëve përcaktohen në udhëzimin e ministrit.

 

Neni 35

Këshilli i mësuesve

1. Këshilli i mësuesve të institucionit arsimor, i cili ka në përbërje të gjithë mësuesit dhe kryesohet nga drejtori, është organ kolegjial këshillimor për drejtimin e veprimtarisë së institucionit.

2. Detyrat dhe funksionet e këshillit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.

 

Neni 36

Qeveria e nxënësve

1. Qeveria e nxënësve është organizëm që mbron dhe promovon të drejtat e nxënësve dhe ndihmon në mbarëvajtjen e shkollës. Ajo ngrihet dhe funksionon sipas udhëzimit të ministrit.

2. Kryetari i qeverisë së nxënësve në arsimin e mesëm të lartë zgjidhet nga nxënësit me votë të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë.

3. Qeveria e nxënësve përzgjedh mësuesin ndihmës.

4. Në shkollë funksionojnë edhe organizime të tjera të nxënësve, të ngritura për interesat e tyre shkencore, kulturore dhe sportive.

 

KREU V

FINANCIMI I ARSIMIT PARAUNIVERSITAR

 

Neni 37

Planifikimi i financimit në arsimin parauniversitar publik

1. Burimet për financimin e arsimit parauniversitar janë:

a) Buxheti i Shtetit;

b) të ardhurat e njësive të qeverisjes vendore;

c) dhurimet e sponsorizimet;

ç) të ardhurat e përftuara nga institucionet arsimore;

d) të ardhura të tjera të ligjshme.

2. Financimi nga Buxheti i Shtetit planifikohet me formulën “për nxënës”, sipas treguesve të veçantë të niveleve arsimore dhe kushteve të institucioneve arsimore publike.

3.  Në Buxhetin e Shtetit,  për  njësitë bazë të qeverisjes  vendore,  caktohet një fond “për nxënës”,  i  cili  përdoret  për  mirëmbajtjen  e  institucioneve  arsimore  publike,  në  përputhje  me standardet e mirëmbajtjes për institucionet arsimore, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

4.  Mallra  dhe  shërbime  të  caktuara  për  institucionet  arsimore  publike  njehsohen  me formulën “për nxënës”, sipas udhëzimit të përbashkët të ministrit dhe Ministrit të Financave.

5. Shtesa mbi pagë ose përfitime të tjera për punonjësit arsimorë dhe/ose për mësuesit që punojnë  në  zonat  larg  vendbanimit  të  tyre,  jepen  sipas  kritereve  të  vendosura  nga  Këshilli  i Ministrave.

 

Neni 38

Financimi i institucioneve arsimore publike

1.  Institucioni arsimor  publik përfiton nga njësia bazë e qeverisjes vendore përkatëse një fond, sipas formulës “për nxënës”, që e përdor për shpenzime të vogla, për ndërhyrje emergjente, sipas kritereve dhe procedurave të vendosura nga Këshilli i Ministrave.

2. Nga buxheti i ministrisë veçohet një fond, fondi i cilësisë, për të cilin konkurrojnë institucionet arsimore  publike me projekte për të përmirësuar  cilësinë e shërbimit arsimor,  sipas kritereve të përcaktuara me udhëzim të ministrit dhe Ministrit të Financave.

3. Ministria dhe Ministria e Financave miratojnë hapjen dhe mbylljen e llogarisë buxhetore të  një  institucioni  arsimor  publik.  Institucionet  arsimore  publike  të  miratuara  mbajnë  llogari buxhetore pranë degës së thesarit në njësinë përkatëse arsimore vendore.  Rregullat e administrimit financiar janë të njëjta me ato të institucioneve të tjera publike.

 

Neni 39

Mbështetja financiare për arsimin parauniversitar privat

1.   Ministria   mbështet   financiarisht,   sipas   mundësive   dhe   programeve   të   miratuara, institucionet arsimore private vendase, të cilat janë jofitimprurëse dhe kanë të paktën pesë vjet që funksionojnë  si  institucione  private.  Sipas  kritereve  të  përcaktuara  me  vendim  të  Këshillit  të Ministrave,   mbështetja  financiare  për  shkollat  private  diferencohet  sipas  renditjes  së  tyre  në provimet kombëtare të arsimit bazë ose të maturës shtetërore, si dhe në testimet ose konkurset ndërkombëtare.

2.  Shkollat private  e përdorin  mbështetjen financiare  vetëm për  nxënësit e  shkëlqyer  në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Neni 40

Mbledhja dhe përdorimi i fondeve financiare në institucionet arsimore publike

1. Institucionet arsimore publike, në pajtueshmëri me politikat e tyre, përfitojnë fonde financiare ose mbështetje materiale nga dhurues ose sponsorizues, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga ministri, në bashkëpunim me Ministrin e Financave. Dhurimet dhe sponsorizimet shërbejnë për të përmirësuar cilësinë e shërbimit arsimor.

2. Institucionet arsimore publike lejohen të sigurojnë të ardhura nga shërbime për të tretët, në përputhje me fushën e veprimtarisë së institucioneve.  Fondet e siguruara nga shërbimet për të tretë përdoren sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.

 

KREU VI

HAPJA DHE MBYLLJA E INSTITUCIONEVE ARSIMORE

 

Neni 41

Hapja dhe mbyllja e institucioneve arsimore publike

1. Hapja dhe mbyllja e një institucioni arsimor publik bëhen me urdhër të ministrit, me propozim  të  përbashkët  të  njësisë  bazë  të  qeverisjes  vendore  dhe  të  njësisë  arsimore  vendore. Kriteret dhe procedurat e hapjes dhe të mbylljes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Hapja dhe mbyllja e institucioneve arsimore të pakicave kombëtare bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

 

Neni 42

Hapja dhe mbyllja e institucioneve arsimore private

1. Institucionet arsimore private krijohen dhe funksionojnë sipas këtij ligji,  përveç rasteve kur  ligji ka formulim  të veçantë për  institucionet arsimore  publike,  si edhe akteve nënligjore  të nxjerra në mënyrë specifike për to.

2.  Licencimi  i institucioneve private  bëhet nëpërmjet  Qendrës  Kombëtare  të  Licencimit, sipas vendimit të ministrit. Institucioni arsimor privat fillon veprimtarinë e tij vetëm pas marrjes së licencës. Licencimi i tij bëhet sipas përcaktimeve të ligjit nr. 10081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.

3. Pezullimi dhe revokimi i institucioneve arsimore private, të cilat përmenden në pikën 2 të këtij neni, kryhet nga Qendra Kombëtare e Licencimit me vendim të ministrit.

4. Institucionet arsimore private, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare, ose që themelohen apo administrohen nga bashkësitë fetare, hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit,  mbështetur në kërkesën e   përfaqësuesve të bashkësive fetare.  Kriteret dhe procedurat e hapjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

5.  Shkollat private,  në të cilat mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj,  ose që lëshojnë diplomë të huaj apo të ngjashme me të, hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. Kriteret dhe procedurat e hapjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

6. Në shkollat private të përcaktuara në pikat 4 dhe 5 të këtij neni, lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, histori e kombit shqiptar dhe gjeografi e Shqipërisë zhvillohen detyrimisht në gjuhën shqipe.

7. Institucioni arsimor privat e ndërpret veprimtarinë e tij vetëm në fund të vitit shkollor.

 

Neni 43

Vlefshmëria e licencës

1.   Licenca   vlen  vetëm  për   subjektin  përgjegjës   dhe  vetëm  për   atë  nivel  arsimor, vendndodhje dhe mjedise, për të cilat është dhënë fillimisht.

2. Çdo ndryshim i bërë nga ana e subjektit të licencuar duhet të miratohet nga ministri dhe Qendra Kombëtare e Licencimit. Në rast se ndryshimet e bëra kanë të bëjnë me kriteret e licencimit, licenca revokohet dhe kërkesa trajtohet si aplikim i ri.

 

KREU VII KURRIKULA

 

Neni 44

Parime të përgjithshme

1. Kurrikula zhvillohet si një e tërë për të gjitha nivelet arsimore, për sa i përket formimit të vlerave,  aftësive  e  koncepteve  kryesore,  si  dhe  parimeve  të  mësimdhënies,  të  të  nxënit  dhe  të vlerësimit të nxënësve.

2.  Kurrikula  është në përputhje  me ecurinë  e zhvillimit fizik,  mendor,  shoqëror,  etik të nxënësve dhe veçoritë e tyre individuale të të nxënit.

3. Kurrikula hartohet dhe zbatohet në bazë të kompetencave themelore të nxënësve.

4.  Kurrikula,  sipas  niveleve  arsimore  dhe  klasave,  hartohet  dhe  zhvillohet  në  bazë  të kornizës kurrikulare të arsimit parauniversitar.

5. Kurrikula mishëron parimin e integrimit nëpërmjet fushave të të nxënit dhe lëndore.

 

6.  Kurrikula u mundëson nxënësve zgjedhje individuale,  sipas nevojave dhe interesave të tyre.

 

Neni 45

Dokumentacioni kurrikular

1. Kurrikula përbëhet nga kurrikula bërthamë,  kurrikula me zgjedhje, si dhe kurrikula për veprimtaritë plotësuese.

2. Ministri, pas konsultimit me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, miraton:

a) kornizën kurrikulare;

b) planin mësimor për çdo nivel arsimor;

c) standardet e të nxënit;

ç) programet lëndore, përveç atyre që hartohen nga institucioni arsimor.

3.  Kurrikula,  që  hartohet  në  nivel  institucioni  arsimor,  miratohet  nga  drejtori  i  tij  pas marrjes së pëlqimit nga njësia arsimore vendore.

 

Neni 46

Kurrikula në institucionet arsimore private

Institucioni arsimor privat zbaton planin dhe programin mësimor të miratuar në momentin  e licencimit. Për çdo ndryshim kërkohet miratimi i ministrit.

 

Neni 47

Tekstet shkollore

1. Tekstet për nxënësit janë alternative.  Ato përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle,  në prani  të  prindërve,  pas  certifikimit  nga  ministria.  Përjashtimet  nga  ky  rregull  përcaktohen  me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Numri i alternativave të teksteve shkollore për lëndë dhe klasë nuk kufizohet.

3. Tekstet për nxënësit sigurohen nga subjektet botuese,  përmes një procesi konkurrimi të barabartë dhe transparent, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.

4. Shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave  ose  në  pika  të  tjera  shitjeje  pranë  shkollave  nga  subjekte  të  licencuara,  me  çmime  të vendosura nga botuesit e të vlerësuara nga ministria në procesin e certifikimit të tekstit.

 

KREU VIII VLERËSIMI I NXËNËSVE

 

Neni 48

Qëllimi, kriteret dhe mënyrat e vlerësimit

1. Vlerësimi i nxënësve ka për qëllim të evidentojë arritjet e të nxënit.

2. Nxënësit e klasave të para, të dyta dhe të treta vlerësohen me fjalë dhe shprehje. Nxënësit e klasave të tjera vlerësohen me nota,  numra të plotë nga 4 deri në 10,  ku nota më e ulët kaluese është pesa.  Nxënësit e arsimit të mesëm të lartë vlerësohen edhe me kredite dhe me shprehje në vlerësimin përfundimtar.

3.  Nxënësi i klasave të para,  të dyta dhe të treta nuk e përsërit klasën,  me përjashtim të rasteve kur kërkohet nga prindërit e tij.

4. Rregullat e kalimit ose të përsëritjes së klasës dhe të njehsimit të notës vjetore lëndore, të notës së tij mesatare për një vit shkollor, si dhe të krediteve përcaktohen me udhëzim të ministrit.

 

Neni 49

Provimet kombëtare dhe testet ndërkombëtare

1. Vlerësimi i jashtëm i nxënësve realizohet nëpërmjet provimit të arsimit bazë dhe provimit të  maturës  shtetërore.  Formë  tjetër  e  vlerësimit  të  jashtëm  është  ai  me  një  numër  të  caktuar nxënësish.

2. Nxënësit me aftësi të kufizuara zhvillojnë provimet kombëtare në përshtatje me veçoritë e tyre.

3. Hartimi i testeve, administrimi dhe vlerësimi në provimet kombëtare kryhen nga mësues të certifikuar. Pagesa e tyre bëhet sipas akteve nënligjore në fuqi.

4. Ministria siguron pjesëmarrjen e Shqipërisë në testime ndërkombëtare.

 

Neni 50

Provimet kombëtare të arsimit bazë

1. Në provimet kombëtare të arsimit bazë nxënësit vlerësohen në lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj.

2.  Nxënësit  e  pakicave  kombëtare  vlerësohen  në  lëndët  gjuhë  amtare,   gjuhë  shqipe, matematikë dhe, sipas dëshirës, edhe në një gjuhë të huaj.

3. Organizimi dhe zhvillimi i provimeve kombëtare të arsimit bazë rregullohen me udhëzim të ministrit.

 

Neni 51

Matura shtetërore

Arsimi i mesëm i lartë përfundon me provimet e maturës shtetërore. Në provimet e maturës shtetërore nxënësit japin një numër lëndësh të përbashkëta dhe një numër lëndësh me zgjedhje.  Të gjithë nxënësit kanë këto tre  lëndë të përbashkëta:  gjuhë shqipe dhe letërsi,  matematikë dhe një gjuhë e huaj. Lëndët me zgjedhje përcaktohen me udhëzim të ministrit. Organizimi dhe zhvillimi i provimeve kombëtare të maturës shtetërore rregullohen me udhëzim të ministrit.

 

Neni 52

Dokumente të përfundimit të shkollimit

 1. Dokumenti i përfundimit të arsimit bazë është dëftesa e arsimit bazë, e cila lëshohet nga drejtori i shkollës pasi nxënësi është kalues në provimet kombëtare të arsimit bazë. Dokumenti i përfundimit të arsimit të mesëm të lartë është diploma e maturës shtetërore, e cila lëshohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve pasi nxënësi është kalues në provimet kombëtare, të detyruara dhe me zgjedhje,  të maturës shtetërore.

2.  Në përfundim  të çdo klase,  nxënësi pajiset me dëftesë klase.  Kriteret  për  lëshimin e dëftesës përcaktohen me udhëzim të ministrit.

3. Shkolla private e arsimit të mesëm të lartë e licencuar mund të lëshojë diplomë të një institucioni arsimor të huaj ose të ngjashëm me të. Ministri përcakton procedurat e njësimit të këtyre diplomave.

4.  Kriteret  dhe procedurat  e  njëvlershmërisë  së  dëftesave dhe diplomave  të nxënësve të ardhur nga jashtë vendit përcaktohen me udhëzim të ministrit.

 

Neni 53

Medalja e Artë

1.  Nxënësve  të shkëlqyer në vite,  pas përfundimit  të arsimit  të mesëm të lartë,  u jepet “Medalja e artë” nga Presidenti i Republikës, me propozimin e ministrit.

2.  Kriteret  dhe procedurat  për dhënien e “Medaljes  së artë”  përcaktohen me udhëzim të ministrit.

 

KREU IX

STATUSI I PERSONELIT MËSIMOR

 

Neni 54

Drejtori i institucionit arsimor

1. Drejtori drejton veprimtarinë e institucionit arsimor.

2. Drejtori i institucionit arsimor, publik ose privat, është përgjegjës për:

a) zbatimin e këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij;

b) përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor;

c) zbatimin dhe zhvillimin e kurrikulës;

ç) menaxhimin e personelit dhe krijimin e kushteve për zhvillimin profesional të punonjësve të institucionit.

3. Drejtori i institucionit arsimor publik kryen edhe këto detyra:

a) menaxhon institucionin, përfshirë edhe menaxhimin financiar;

b) përdor një fond të veçantë vjetor nga buxheti i njësisë arsimore vendore për shpërblimin për merita profesionale të mësuesve, në përputhje me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, pas këshillimit me partnerët socialë dhe bordin e institucionit;

c) punëson mësues me kohë të plotë ose të pjesshme dhe mësues ndihmës, me fonde të siguruara nga institucioni, sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit dhe Ministrit të Financave. Masa e pagesës përcaktohet sipas akteve nënligjore në fuqi.

4. Drejtori i institucionit arsimor lejon të përdoren nga nxënësit vetëm botime ndihmëse dhe materiale të tjera mësimore, të miratuara nga ministri nëpërmjet udhëzimeve të tij.

 

Neni 55

Emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor

1. Drejtori i institucionit arsimor publik emërohet nga titullari i njësisë arsimore vendore përkatëse, pas propozimit të dy kandidatëve që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit.  Komisioni përbëhet nga një përfaqësues i njësisë bazë të qeverisjes vendore,  kryetari i bordit të institucionit,  kryetari i këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues të institucionit arsimor të zgjedhur nga këshilli i mësuesve. Njëri prej dy mësuesve, me përvojën më të gjatë në atë institucion arsimor, drejton komisionin e vlerësimit. Procedurat për emërimin dhe/ose shkarkimin e drejtorit të institucionit përcaktohen me udhëzim të ministrit.

2. Kandidati për drejtor i institucionit arsimor duhet të ketë të paktën kategorinë “mësues i kualifikuar” dhe të mos bëjë pjesë, pas emërimit, në forumet drejtuese të partive politike.

3. Titullari i njësisë arsimore shkarkon drejtorin e institucionit arsimor publik për shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe akteve të tij nënligjore,  shkelje të etikës e të sjelljes në institucion, si dhe për mosrealizime të institucionit.

4. Emërimi dhe/ose shkarkimi i drejtorit në institucionin arsimor privat kryhet sipas procedurave të përcaktuara nga vetë institucioni në rregulloren e tij. Kriteret e kualifikimit, të përcaktuara  për  drejtorin  e  institucionit  arsimor  publik,   janë  të  njëjta  edhe  për  drejtorin  e institucionit arsimor privat.

5.  Drejtori  i  institucionit  emëron  dhe  shkarkon  nëndrejtorin  pas  marrjes  së  pëlqimit  të këshillit të mësuesve.

 

Neni 56

Mësuesi

1. Mësuesi zhvillon mësimdhënien me synim zotërimin e kompetencave themelore, në bazë të standardeve të të nxënit dhe duke përzgjedhur ndërmjet metodave dhe praktikave bashkëkohore më të mira, vendase e të huaja.

2. Mësuesi ka të drejtë:

a)  të  ketë,  në  përputhje  me  këtë  ligj,  liri  profesionale  në  zbatimin  dhe  zhvillimin  e kurrikulës;

b) t’i sigurohen kushtet e mjaftueshme në institucion për mësimdhënie efektive;

c) t’i krijohen mundësi për zhvillim profesional;

ç) të zgjidhet dhe të zgjedhë në bordin e institucionit dhe në komisionin e etikës dhe sjelljes.

3. Mësuesi ka detyrë:

a) të zbatojë këtë ligj dhe aktet nënligjore, në zbatim të tij;

b) të përkujdeset për mbarëvajtjen e çdo nxënësi të tij;

c) të zbatojë dhe të zhvillojë kurrikulën;

ç) të përditësojë kompetencat profesionale;

d) të zbatojë rregulloren e institucionit;

dh) të japë ndihmesën e tij për mbarëvajtjen e institucionit ku punon.

 

Neni 57

Profesioni i mësuesit

1. Mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën e mëposhtme në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të:

a)  Mësuesi  i  arsimit  parashkollor:  diplomë  universitare  të  ciklit  të  parë  të  studimeve

universitare “Bachelor”;

b) Mësuesi i arsimit  fillor,  mësuesi i arsimit  të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit: diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare.

2.  Mësuesi  i  shkollave  të  arsimit  profesional,  që  jep  lëndë  profesionale,  ai  i  arsimit  të orientuar dhe mësuesi, që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara,  duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit.

3.  Diplomat  e  njëvlershme  me  diplomat  e  sipërpërmendura  përcaktohen  me  udhëzim  të ministrit.

4. Mësuesi i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar në provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr. 10 171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

5. Institucionet arsimore, që shërbejnë për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve të mësuesisë dhe të praktikave profesionale të atyre që janë të diplomuar për mësues,  përzgjidhen në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.

 

Neni 58

Zhvillimi i vazhdueshëm profesional

1. Institucioni arsimor planifikon zhvillimin profesional të mësuesve, sipas nevojave të tyre dhe në përputhje me politikat arsimore qendrore, vendore dhe të institucionit.

2. Format e zhvillimit profesional janë: zhvillimi i brendshëm profesional, trajnimet, rrjetet profesionale, këshillimet, kurset afatshkurtra dhe ato afatgjata.

3. Mësuesit dhe drejtorët trajnohen të paktën 3 ditë në vit.

4.  Trajnimet  zhvillohen  sipas  sistemit  “kërkesë  -  ofertë”,   në  bazë  të  kërkesave  nga institucionet arsimore dhe të ofertave nga agjenci trajnuese që mund të jenë publike ose private. Programet trajnuese akreditohen nga ministria.

5. Njësitë arsimore vendore organizojnë zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësuesve, në bashkëpunim me agjenci trajnuese, me programe trajnimi të akredituara, të përzgjedhura me konkurrim të hapur, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit.

6. Burimet financiare për trajnimet janë nga kontributi vetjak i punonjësit arsimor, Buxheti i Shtetit, projekte të organizatave jofitimprurëse, të fondacioneve, të institucioneve, vendase ose të huaja, dhe burime të tjera të ligjshme.

 

Neni 59

Kualifikimi i mësuesve

1. Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë tri:

a) “Mësues i kualifikuar”;

b) “Mësues specialist”;

c) “Mësues mjeshtër”.

2. Rritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës,  trajnimit dhe pasi të ketë dhënë me sukses provimin përfundimtar të kategorisë përkatëse të kualifikimit.  Kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.

3. Çdo kategori kualifikimi shoqërohet me një shtesë në pagë,  masa e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 60

Pranimi dhe largimi nga puna i mësuesit

1. Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur,  pas propozimit të kandidaturave të komisionit për vlerësimin. Komisioni ka në përbërje të tij një përfaqësues nga njësia arsimore vendore,  kryetarin e bordit të institucionit, kryetarin e këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues që zgjidhen nga këshilli i mësuesve në atë institucion. Një nga mësuesit me përvojën më të gjatë në atë institucion drejton komisionin e vlerësimit. Procedurat e vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.

2. Drejtori i institucionit publik largon mësuesin nga institucioni për:

a) shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, të këtij ligji e të akteve të tjera nënligjore;

b) shkelje të etikës e të sjelljes në institucion;

c) mosarritje të nxënësve, të përcaktuara në mënyrë objektive, si testimet e drejtorisë së institucionit ose të njësisë arsimore vendore, rezultatet në provimet kombëtare dhe vlerësimi i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit.

3. Drejtori i institucionit arsimor publik vendos largimin e tij pas konsultimit me komisionin e përmendur në pikën 1 të këtij neni, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.

 

KREU X

TË DREJTAT DHE DETYRAT E NXËNËSVE DHE PRINDËRVE

 

Neni  61

Të drejtat dhe detyrat e nxënësit

1. Nxënësi ka të drejtë:

a) të përzgjedhë një institucion arsimor, publik ose privat;

b) të ndjekë institucionin arsimor  publik që është në zonën e përcaktuar  nga njësia bazë përkatëse e qeverisjes vendore;

c) t’i sigurohet nga institucioni shërbim arsimor cilësor, sipas interesave, nevojave dhe mundësive të tij, si dhe ndihmë e posaçme për të përballuar vështirësitë e tij të veçanta të të nxënit;

ç) të informohet për të drejtat e detyrimet e tij, rregulloren e institucionit arsimor, për kurrikulën që institucioni i ofron, për format e vlerësimit, për provimet kombëtare, si dhe të vihet në dijeni me shkrim për rezultatet e ndërmjetme dhe përfundimtare të arsimimit të tij;

d) të shprehë pikëpamjet për çështje të arsimimit të tij, të ankohet për qëndrimet ndaj tij dhe të ketë vëmendjen e punonjësve të institucionit arsimor për këto pikëpamje e ankesa;

dh) të zgjidhet në bordin e shkollës pas moshës gjashtëmbëdhjetë vjeç;

e) të transferohet nga një shkollë në një shkollë tjetër të të njëjtit nivel arsimor.

2. Nxënësi ka detyrë:

a) të respektojë të drejtat e nxënësve të tjerë dhe të punonjësve të institucionit, të njohura me ligj;

b) të mësojë rregullisht;

c) të vijojë rregullisht dhe të marrë pjesë në veprimtari të tjera të institucionit;

ç) të respektojë rregullat e institucionit për mbrojtjen e shëndetit, të sigurisë e të mjedisit dhe të kërkojë respektimin e tyre nga nxënësit e tjerë dhe punonjësit arsimorë;

d) të respektojë rregulloren e institucionit.

 

Neni 62

Të drejtat dhe detyrat e prindërve

1.  Prindërit  janë partneri  kryesor  i institucionit arsimor  në mbarëvajtjen e fëmijës dhe të institucionit.

2. Prindi ka të drejtë:

a) të informohet nga institucioni arsimor  përkatës për legjislacionin arsimor  në fuqi,  për rregulloren e institucionit dhe për kurrikulën që institucioni i ofron fëmijës së tij;

b) të informohet për kushtet e sigurisë,  të shëndetit dhe të mjedisit të institucionit dhe të kërkojë përmbushjen e tyre sipas standardeve të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar;

c)  të informohet  për  veprimtarinë  e fëmijës së tij në  institucion dhe të  japë pëlqim për veprimtaritë plotësuese dhe jashtëshkollore që organizon shkolla;

ç) të vihet në dijeni  për drejtimet kryesore  të veprimtarisë  së institucionit dhe arritjet  e institucionit në krahasim me institucione tëngjashme.

3. Prindi ka detyrë:

a)  të  kujdeset  që  fëmija  i  tij  të  ndjekë  rregullisht  institucionin  arsimor  dhe  të  mësojë rregullisht;

b) të njoftojë për ndryshime të shëndetit dhe të sjelljes së fëmijës së tij;

c) të marrë pjesë në takimet për çështje që kanë të bëjnë me fëmijën e tij;

ç) të kontribuojë në mbarëvajtjen e institucionit.

 

KREU XI

ARSIMIMI I FËMIJËVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA

 

Neni 63

Parime të arsimimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara

1.  Arsimimi  i  fëmijëve  me  aftësi  të  kufizuara  synon  zhvillimin  e  plotë  të  potencialit intelektual e fizik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre për t’i përgatitur për integrim të plotë në shoqëri dhe në tregun e punës.

2. Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në institucionet arsimore të specializuara për ta është përgjithësisht e përkohshme. Përfshirja dhe integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në kopshtet dhe shkollat e zakonshme të arsimit bazë është parësore.

3. Nxënësve, që nuk dëgjojnë e nuk flasin, u garantohet e drejta e komunikimit në gjuhën e shenjave, ndërsa atyre që nuk shikojnë, përdorimi i shkrimit Brail.

 

Neni 64

Ndjekja e institucioneve arsimore nga fëmijët me aftësi të kufizuara

1. Nxënësve me aftësi të kufizuara u sigurohet arsimimi në shkollat e arsimit të mesëm të

lartë, sipas kritereve të miratuara nga ministri dhe Ministri i Shëndetësisë.

2.  Nxënësi me aftësi të kufizuara qëndron në shkolla të specializuara deri në moshën 19 vjeç.

3.  Njësia arsimore vendore krijon një komision, të përbërë nga mjekë,  psikologë,  mësues 

dhe specialistë për  fëmijët me aftësi të kufizuara,  i cili,  pasi shqyrton kërkesën e prindit ose të drejtorit të një institucioni arsimor, jep rekomandimet përkatëse për ndjekjen nga fëmija të një institucioni arsimor të zakonshëm a të specializuar.

4. Prindërit vendosin nëse fëmija e tyre me aftësi të kufizuara do të ndjekë një institucion të specializuar ose të zakonshëm të arsimit bazë. Prindërit mund të largojnë në çdo kohë nga shkolla fëmijën, kur e gjykojnë se ai nuk përfiton nga mësimet ose ka mundësi të tjera më të mira.

5. Ministria, në bashkëpunim me njësinë bazë të qeverisjes vendore dhe në këshillim me prindërit e komisionin, siguron arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në njërin nga dy llojet e institucioneve arsimore, të zakonshme ose të specializuara.

6. Njësia arsimore vendore,  sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe të Ministrit të Shëndetësisë, i siguron arsimim në shtëpi nxënësve që nuk munden të ndjekin një shkollë të zakonshme ose të specializuar të arsimit bazë.

 

Neni 65

Organizimi i arsimimit të fëmijëve më aftësi të kufizuara

1. Nxënësit me aftësi të kufizuara mësojnë sipas planit mësimor e programeve lëndore të zakonshme, të përshtatura për ta, ose sipas planit mësimor e programeve lëndore të specializuara për ta.

2. Në institucionet arsimore të zakonshme, programi i personalizuar për nxënësin me aftësi të kufizuara hartohet nga një komision, në përbërje të të cilit janë  mësues të fushave të ndryshme të të nxënit të institucionit e psikologë. Hartimi i këtij programi bëhet në bashkëpunim me prindërit e nxënësit. Ndryshimi i programit të personalizuar brenda një institucioni arsimor vendoset nga komisioni brenda institucionit, në bashkëpunim me prindërit e fëmijës.

3. Nxënësve me aftësi të kufizuara u sigurohen mësues ndihmës dhe shërbim rehabilitues, sipas kritereve të përcaktuara me udhëzim të ministrit. Punonjësit arsimorë të institucioneve, që kanë nxënës me aftësi të kufizuara, certifikohen në programe trajnimi për trajtimin e këtyre nxënësve.

4. Njësia përkatëse bazë e qeverisjes vendore u siguron nxënësve me aftësi të kufizuara mjediset  e  përshtatshme  të  mësimdhënies  e  të  të  nxënit,  sipas  standardeve  të  përcaktuara  nga ministria.

 

KREU XII

SHKELJET E KËRKESAVE LIGJORE NË FUSHËN E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR

 

Neni 66

Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale

1. Mbrojtja dhe përpunimi i të dhënave personale të nxënësve dhe të punonjësve të sistemit arsimor  bëhen  në  përputhje  me  ligjin  nr.  9887,  datë  10.3.2008  “Për  mbrojtjen  e  të  dhënave personale”, të ndryshuar.

2.  Nxënësit  janë  të  detyruar  të  japin  të  dhënat  personale,  sipas  pikës  1  të  këtij  neni. Institucioni arsimor njofton paraprakisht personat për këtë detyrim ligjor.

3. Institucioni arsimor mbledh e përpunon të dhëna personale të personave dhe i vendos ato në dokumentet zyrtare, si dhe në dosjen vetjake të personit. Këto të dhëna personale përcaktohen me udhëzim të ministrit, pasi merret mendimi i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

4.  Pëlqimi  për  t’i  përdorur  të  dhënat personale  jepet  nga  vetë  personi  kur  ka  mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, përndryshe jepet nga prindërit e tij. Pëlqimi paraqitet me shkrim.

 

Neni 67

Mbrojtja e të dhënave personale të nxënësve

1. Personi ka të drejtë të njihet me të dhënat e tij personale, që disponon institucioni arsimor përkatës.

2.  Punonjësit e institucionit arsimor nuk kanë të drejtë t’u vënë në dispozicion të tjerëve, jashtë institucionit, të dhëna personale të një personi, duke treguar identitetin e tij, me përjashtim të rasteve kur personi paraqet kërkesën ose jep pëlqimin.

3. Drejtuesi i institucionit arsimor u dërgon zyrtarisht institucioneve, që përcaktohen me udhëzim të ministrit, të dhëna personale pa identifikuar personat.

4.  Rezultatet  e  nxënësve  në  provimet  kombëtare  dhe  të  dhënat  e  tyre  për  hyrjen  në institucionet  e  shkollave  të  larta,  si  dhe  rezultatet  e  mësuesve  në  provimet  e  kualifikimit  nuk zbulojnë identitetin e personit.

5. Punonjësi i institucionit arsimor e ka të ndaluar të japë të dhëna për arritjet mësimore dhe sjelljen e një nxënësi të institucionit arsimor  në mënyrë  publike ose t’ia japë ato një personi të veçantë.

6. Të dhënat personale të një grupi personash mund t’u vihen në dispozicion institucioneve të tjera  për studime, vetëm pas miratimit me shkrim të drejtorit të institucionit arsimor, pa zbuluar identitetin e tyre.

 

KREU XIII

KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE

 

Neni 68

Ndjekja e arsimit të detyrueshëm

Mosregjistrimi dhe mungesat e paarsyeshme të fëmijës në mësim për më shumë se 25 për qind të  orëve  mësimore  gjatë  një  viti  shkollor  vlerësohen  si  rast  i neglizhencës  prindërore  dhe trajtohen në përputhje me ligjin nr.10 347, datë 4.11.2010 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”.

 

Neni 69

Ushtrimi i veprimtarisë së institucioneve arsimore private pa licencë

 1.   Hapja  dhe  ushtrimi  i  veprimtarisë  së  institucioneve  arsimore   private  pa  licencën përkatëse, sipas këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative. Kundërvajtësi dënohet me dënim administrativ  kryesor  gjobë,  në  vlerën  nga  500  000  deri  në  1  000  000  lekë,  dhe  me  dënim administrativ plotësues “ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarisë”.

2. Vendimi për dënimin e kundërvajtësit, sipas pikës 1 të këtij neni, është në kompetencën e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe merret në vend me konstatimin e shkeljes.

 

Neni 70

Shkelja e kërkesave ligjore nga institucionet arsimore private

1. Shkelja e kërkesave ligjore për veprimtarinë e institucioneve arsimore private përbën kundërvajtje administrative, që konstatohet dhe dënohet nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit me këto dënime administrative kryesore:

a) paralajmërim;

b) gjobë në vlerën nga 10 000 deri në 100 000 lekë.

2. Kur është e nevojshme, Inspektorati vendos që dënimi administrativ kryesor, sipas pikës

1 të këtij neni, të shoqërohet me urdhërimin e subjektit të inspektimit për të korrigjuar shkeljet e konstatuara dhe për të eliminuar pasojat e tyre, duke përcaktuar edhe një afat të arsyeshëm për këtë qëllim.

3. Në rast të konstatimit të shkeljeve të rënda, që përbëjnë mosplotësim të kushteve të licencimit për institucionin arsimor privat, Inspektorati merr vendimin për dënimin e kundërvajtësit, me  dënimin kryesor  të  parashikuar  nga shkronja  “b”  e  pikës  1 të  këtij neni dhe,  nëse  është e nevojshme,  propozon  dënimin  administrativ  plotësues  të  pezullimit  apo  heqjes  së  licencës  për ushtrimin e veprimtarisë. Vendimi përfundimtar për pezullimin apo heqjen e licencës është në kompetencën e ministrit.

4. Institucioni arsimor privat,  licenca e të cilit është pezulluar, mund ta fitojë atë për vitin pasardhës shkollor, në qoftë se plotëson kushtet e licencimit.

5. Në rast të pezullimit dhe/ose heqjes së një licence, njësia arsimore vendore përkatëse i vendos nxënësit në institucione të tjera arsimore, publike ose private. Shpenzimet për përfundimin e një viti shkollor, për të gjithë nxënësit e regjistruar në atë shkollë private, përballohen nga garancia bankare e institucionit arsimor privat të mbyllur. Modalitetet e transferimit të nxënësve  përcaktohen me udhëzim të ministrit.

6. Ministri miraton rregulloren e inspektimit, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin nr. 10

433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

 

Neni 71

Shkelja e kërkesave ligjore nga institucionet arsimore publike

 1. Shkelja e kërkesave ligjore për veprimtarinë e institucioneve arsimore publike përbën kundravajtje administrative nga drejtori  i institucionit arsimor  publik,  që konstatohet dhe dënohet nga Inspektorati me këto dënime administrative kryesore:

a) paralajmërim;

b) gjobë, në vlerën e gjysmës së pagës mujore.

2. Pika 2 e nenit 70 zbatohet edhe në këtë rast.

3. Përveç zbatimit të dënimit administrativ, sipas pikës 1 të këtij neni, Inspektorati Shtetëror i Arsimit informon për shkeljet e konstatuara edhe njësinë arsimore vendore përkatëse.

 

KREU XIV

DISPOZITAT E FUNDIT DHE KALIMTARE

 

Neni 72

1. Ligji nr.7952, datë 21.6.1995 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, i ndryshuar, si dhe

çdo dispozitë tjetër  që lidhet me arsimin parauniversitar  dhe është në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

2. Aktet e tjera normative, të  miratuara para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.

3. Institucionet arsimore private dhe institucionet arsimore private plotësuese, të licencuara përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009 “Për lejet, licencat dhe autorizimet në Republikën e Shqipërisë”, dhe ato të licencuara me ligjin e sipërpërmendur, përshtatin dokumentacionin e organizimit dhe të   funksionimit institucional, si dhe atë mësimor, në përputhje me këtë ligj,  brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

4.  Struktura e re e arsimit bazë,  neni 22 i këtij ligji,  i shtrin efektet duke filluar nga viti shkollor 2015 - 2016.  Provimi i gjuhës së huaj i maturës shtetërore i shtrin efektet e zbatimit në maturën shtetërore 2014. Provimi i gjuhës së huaj i arsimit bazë i shtrin efektet e zbatimit në vitin 2015.

5. Personeli mësimdhënës, që është i punësuar me kontratë të përhershme dhe ka formimin përkatës universitar, ruan vendet e punës dhe u nënshtrohet trajnimeve për përditësimin e dijeve që lidhen me profesionin. Ky përcaktim vlen edhe për mësuesit që kanë përfunduar arsimin e lartë pedagogjik 3-vjeçar, përpara hyrjes në fuqi të sistemit të Bolonjës.

Personeli mësimdhënës, që është i punësuar me kontratë të përhershme dhe që ka mbaruar një shkollë të mesme pedagogjike ose shkollë tjetër të profilizuar për mësuesi, siç janë shkollat e mesme të muzikës, artistike, të gjuhëve të huaja dhe fizkulturës, dhe që ka fituar tri shkallët e kualifikimit,  ruan vendet e punës dhe u nënshtrohet trajnimeve për përditësimin e dijeve që lidhen me profesionin.

 

Neni 73

Nxjerrja e akteve nënligjore 

1. Ministri nxjerr urdhra dhe udhëzime për zbatimin e këtij ligji brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e tij.

2. Këshilli i Ministrave nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e tij.

 

Neni 74

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Miratuar në datën 21.6.2012

Shpallur me dekretin nr.  7696, datë 18.7.2012  të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

Trascina file per caricare