Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

KUSHTETUTA E REPUBLIKES POPULLORE TE SHQIPERISE

(Tirane 5 Korrik 1950)

PJESA E PARË

PARIMET THEMELORE

KAPITULLI I.

Republika Popullore e Shqipërisë

Neni 1

Shqipëria është një republikë popullore.

Neni 2

Rpublika Popullore e Shqipërisë është shtet i puntorëve dhe fshatarëve punonjës.

Neni 3

Baza politike e Republikës Popullore të Shqipërisë janë këshillat popullore që lindën gjatë luftës nacional-çlirimtare kundër fashizmit dhe reaksionit dhe u forcuan me fitoren historike të kësaj lufte dhe gjatë ndërtimit të bazave të socializmit.

Neni 4

I gjithë pushteti në Republikën Popullore të Shqipërisë u përket punonjësve të qytetit dhe të fshatit, të përfaqësuar nga këshillat popullore.

Neni 5

Të gjitha organet përfaqësojnë të pushtetit shtetëror zgjidhen prej shtetasve me zgjedhje të lira, dhe me votim të përgjithëshëm, të barabartë, direkt dhe të fshehtë.

Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror përfaqësonjësit e popullit janë përgjegjës përpara zgjedhësve të tyre.

Zgjedhësit kanë të drejtë të revokojnë në çdo kohë përfaqësonjësit e tyre. Normat për ushtrimin e kësaj të drejte do të caktohen me ligjë të veçantë.

Neni 6

Të gjitha organet e pushtetit shtetëror ushtrojnë funksionet e tyre në bazë të Kushtetutës, të ligjeve dhe të dispozitave të përgjithëshme të dhëna prej organeve të larta të pushtetit shtetëror.

 KAPITULLI II.

Rendi Shoqëror dhe Ekonomik

Neni 7

Në Republikën Popullore të Shqipërisë mjetet e prodhimit përbëhen prej pasurisë së përbashkët të popullit që gjëndet në duart e shtetit, prej pasursië së organizatave kooperativiste popullore dhe prej pasurisë së personave privatë, fizikë ose moralë.

Janë pasuri e përbashkët e popullit të gjitha minierat dhe pasuritë e tjera të nëntokës, ujrat, burimet natyrale, pyjet dhe kullotat, mjetet e komunikacionit ajror, hekurudhor e detar, postat, telegrafet. Telefonet, radiostacionet dhe bankat.

Tregëtia e jashtme është nën kontrollin e shtetit. Shteti gjithashtu rregullon dhe kontrollon gjithë tregëtinë e brëndëshme të vëndit.

Neni 8

Për të mbrojtur interesat jetësore të popullit dhe për të ngritur shkallën e mirëqënies së tij si dhe për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë e të gjitha fuqitë ekonomike, shteti drejton jetën dhe zhvillimin ekonomik në bazë të një plani ekonomik shtetëror dhe në sektorin kooperativist, ay ushtron një kontroll të përgjithëshëm mbi sektorin privat të ekonomisë.

Për realizimin e planit ekonomik të përgjithëshëm, shteti pështetet në bashkimet professionale të puntorëve dhe të nëpunësve, në kooperativat e fshatarëve si dhe në të tjera organizzata të masave punonjëse.

Neni 9

Drejtimi i pasurisë shtetërore rregullohet me ligjë.

Pasuria shtetërore gëzon përkrahje të veçantë nga shteti.

Neni 10

Shteti kujdeset veçanërisht për lëvizjen kooperativiste të popullit, e përkrah këtë dhe e favorizon.

Neni 11

Garantohen pronësia private dhe iniziativa private në ekonomi. Garantohet e drejta e trashëgimit të pasurisë private. Asnjeri nuk munt të përdorë të drejtën e pronësisë private në dëm të kolektivitetit.

Pronësia private munt të kufizohet e të shpronësohet kur e lyp interesi i përgjithëshëm dhe në bazë të një ligje. 

Me ligjë do të caktohet në ç’rast dhe sa do të shpërblehet pronari.

Po me ato kushte munt të shtetëzohen disa degë t’ekonomisë ose sipërmarrje kur e do interesi I përgjithëshëm.

Ndalohen monopolet, trustet, kartelet, etj. të krijuara me qëllim që të diktojnë çmimet e të monopolizojnë tregjet në dëm të ekonomisë nacionale. 

Neni 12

Toka u takon atyre që e punojnë. Caktohet me ligjë, kur një institut ose një person që nuk e punon tokën munt të mbetet zot i kësaj toke e në ç’masë.

Tokat e mbëdha për asnjë  arësye nuk munt të jenë në duart e privatëvet.

Me ligjë caktohet maksimumi i sipërfaqes së tokës që munt të jetë pronë private.

Shteti përkrah zhvillimin socialist të bujqësisë duke organizuar ndërmarrje bujqësore shtetërore, stacione maqinash dhe traktorësh dhe duke ndihmuar kooperativat bujqësore dhe forma të tjera bashkimi të fshatarëve punonjës të krijuara me baza vullnetare.

Shteti mbron dhe përkrah veçanërisht fshatarët fshatarët e varfër dhe fshatarët e mesmë me politikën e tij ekonomike, me kredi dhe me sistemin e tatimeve.

Neni 13

Puna është baza e rendit shoqëror të Republikës Popullore të Shqipërisë.

Puna për çdo shtetas të aftë për punë është  detyrë dhe nder sipas parimit: “kush nuk punon, nuk ha”.

Në Republikën Popullore të Shqipërisë zbatohet parimi socialist: “Nga sejcili sipas aftësive, sejcilit sipas punës së tij”.

KAPITULLI III

Të Drejtat dhe Detyrat e Shtetasve

Neni 14

Të gjithë shtetasit janë njësoj përpara ligjës. Ata kanë për detyrë të konformohen me Kushtetutën dhe me ligiet.

Nuk njihet asnjë privilegj për shkak origjine, pozite, pasurie ose shkallë culture.

Neni 15

Të gjithë shtetasit janë të barabartë pa ndryshim kombësie, race ose feje. Ç’do akt që sjell privilegje, ne favor të shtetasve ose që kufizon të drejtat e tyre pë shkak ndryshimi në kombësi, racë ose fe, është kundra Kushtetutës dhe sjell me vehte dënime të parashikuara me ligjë. Është kundra Kushtetutës dhe dënohet me ligjë çdo provokim për të mbjellur urrejtje dhe grindje në mes të kombësive, racave dhe feve.

Neni 16

Të gjithë  shtetasit pa ndryshim seksi, kombësie, race, besimi, shkallë culture ose banimi dhe që kanë mbushur 18 vjeç, kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në të gjitha organaet e pushtetit shtetëror.

Këto të drejta I kanë dhe shtetasit që shërbejnë në ushtëri.

E drejta e votimit është e përgjithëshme, e barabartë, direkte dhe e fshehtë.

Nuk kanë të drejtën e votimit personat që përjashtohen në bazë të ligjës.

Neni 17

Gruaja është njësoj me burrin në çdo fushë të jetës private, politike dhe shoqërore.

Gruaja ka të drejtë të shpërblehet njësoj me burrin për një punë të barabartë. Ajo ka po atë të drejtë dhe në sigurimet shoqërore.

Shteti mpron veçanërisht interesat e nënës dhe të fëmijës duke siguruar të drejtën për një pushim të paguarshëm përpara dhe pas linde dhe duke krijuar shtëpira për gra që lindin dhe shtëpira për rritjen dhe strehimin e fëmijëve.

Neni 18

Të gjithë shtetasve u garantohet liria e ndërgjegjes dhe e besimit.

Kisha është e ndarë nga shteti.

Komunitetet fetare janë të lira në çështjet e tyre të besimit si edhe në ushtrimin dhe praktikimin e jashtëm të tyre.

Ndalohet që Kisha dhe Feja të shpërdoren për qëllime politike.

Gjithashtu ndalohen organizatat politike me bazë fetare.

Shteti munt të ndihmojë materjalisht komunitetet fetare.

Neni 19

Martesa dhe familja janë nënë mbrojtjen e shtetit. Shteti cakton me ligjë konditat juridike të martesës dhe të familjes.

Martesa legjitime nuk munt të lidhet veçse përpara organeve kompetente të shtetit. Pas celebrimit të martesës legjitime shtetasit munt të bëjnë edhe martesë fetare sipas rregullave të besimit të tyre.

Për të gjitha çështjet në lidhje me martesën janë kompetente vetëm gjykatat e shtetit.

Prindërit kanë kundrejt fëmijve të lindur jashtë martesës po ato detyrime dhe detyra që kanë adhe kundrejt fëmijve të lindur me martesë. Fëmijët e lindur jashtë martesës kanë po ato të drejta që kanë dhe fëmijët e lindur me martesë.

Neni 20

Të gjithë shtetasve u garantohet liria e fjalës, e shtypit, e organizimit, e mbledhjes, e grumbullimit dhe e manifestimit publik.

Neni 21

Për të zhvilluar inisiativën e masave punonjëse në fushën e organizimit dhe aktivitetin e tyre politik, shteti u siguron shtetasve të drejtën që të bashkohen në organizzata shoqërore: Fronti Demokratik, bashkimet professionale, kooperativat, organizatat e Rinisë dhe të Gruas, organizatat sportive dhe të mbrojtjes, shoqatat kulturale, teknike dhe shkencore; shtetasit më aktivë dhe më të ndërgjegjshëm të klasës puntore dhe të masave të tjera punonjëse bashkohen në Partinë e Punës së Shqipërisë, pararoja e organizuar e klasës puntore dhe e gjithë masave punonjëse në luftën e tyre për ndërtimin e bazave të socializmit të punonjësve, si shoqërore ashtu dhe shtetërore. 

Neni 22

Për të gjithë shtetasit garanrohet inviolabiliteti i personës. Asnjeri nuk munt të arestohet për një kohë më tepër se tri ditë pa vendim të gjykatës ose pa pëlqimin e prokurorit publik.

Asnjeri nuk munt të dënohet për një faj pa vendim të gjykatës competente në konformitet me ligjën që cakton kompetencën gjyqësore dhe fajin.

Dënimet nuk munt të caktohen dhe të jepen veçse në bazë të ligjës.

Asnjeri nuk munt të dënohet pa u dëgjuar dhe pa u thirrur që të mbrohet sipas përshkrimeve të ligjës, përveç se kur vërtetohet ligjërisht mungesa e tij.

Organet e administratës së shtetit, brënda kufive të caktuara prej ligjës, munt të japin dënime edhe me burgosje për faje të vogla të së drejtës komune.

Asnjë shtetas nuk munt të nxirret jashtë shtetit ose të internohet brënda shtetit, veçse në raste të parashikuara me ligjë.

Republika Popullore e Shqipërisë mbron shtetasit shqiptarë që ndodhen jashtë shtetit.

Neni 23

Banesa nuk munt të dhunohet.

Asnjeri nuk munt të hyjë në shtëpi dhe të bëjë një përkuizim kundër vullnetit të zotit të shtëpisë.

Veçse kur ka në dorë një urdhër të dhënë në bazë të ligjës.

Përkuizimi nuk munt të bëhet veçse kur ndodhen ata dy dëshmonjës. Edhe i zoti i shtëpisë ka të drejtë të ndodhet.

Neni 24

Fshehtësia e letrave dhe e mjeteve të tjera të korespondencës nuk munt të cënohet, përveç rasteve të hetimeve kriminale, të mobilizimit ose të gjëndjes së luftës.

Neni 25

Shteti u garanton shtetasve të drejtën e punës me një shpërblim sipas sasisë dhe cilësisë së punës që japin.

Shteti u siguron shtetasve të drejtën e pushimit me kufizimin e orëve të punës, me dhënien e një pushimi të përvitëshëm të paguar dhe me krijimin e sanatoriumeve, shtëpive pushimi, klubeve, etj.

Gjithashtu shteti, me anë të sigurimeve shoqërore, u siguron shtetasve mjetet materjale për jetesë në pleqëri dhe në rast sëmundje dhe humbje të aftësive për punë.

Neni 26

Të gjithë shtetasit kanë, në kondita të caktuara prej ligjës të drejtë njësoj të pranohen në nëpunësitë e shtetit.

Shtetasit e ngarkuar me funksione publike ose të zgjedhur në një shërbim publik, kanë për detyrë të kryejnë me ndërgjegje misionin e tyre.

Neni 27

Shteti ka për detyrë t’u sigurojë invalidëve të luftës një jetë të mirë dhe t’i bejë të aftë për punë me shpenzimet e tij. Shteti kujdeset veçanërisht për fëmijët të rënë në fushën e luftës dhe për viktimat e tjera të luftës.

Neni 28

Shteti kujdeset për shëndetin e popullit duke organizuar dhe kontrolluar shërbimin e shëndetësisë, spitalet dhe sanatoriumet.

Neni 29

Shteti kujdeset për edukimin fizik të popullit, sidomos të të rinjve, me qëllim që të përmirësohet shëndeti dhe të shtohet fuqia e popullit për punë dhe për mbrojtjen e shtetit.

Neni 30

Garantohet liria e punës shkencore dhe artistike. Shteti përkrah shkencën dhe artin me qëllim që të zhvillohet kultura e popullit dhe mirëqënia e tij.

Të drejtat e auktorit mbrohen me ligjë.

Neni 31

Me qëllim që të ngrihet shkalla e kulturës së përgjithëshme të popullit, shteti u siguron të gjitha shtresave të popullit mundësitë për të ndjekur shkollat dhe institutet e tjera kulturale.

Shteti kujdeset veçanërisht për edukimin e të rinjve.

Fëmijët në moshë të vogël janë nënë mbrojtjen e ligjës.

Shkollat varen prej shtetit. Nuk munt të happen shkolla private veçse me ligjë. Veprimtaria e tyre është nënë kontrollin e shtetit.

Arësimi fillor ësht I detyruarshëm dhe jepet falas.

Shkolla ësht e ndarë nga Kisha.

Neni 32

Shtetasit kanë të drejtë t’u parashtrojnë kërkesa dhe ankime organeve të pushtetit shtetëror.

Shtetasit kanë të drejtë të ankohen kundra të gjitha vendimeve të kundraligjëshme ose të parregullta të dhëna prej organeve të administratës së shtetit si dhe atëherë kur nëpunësit veprojnë keq.

Neni 33

Çdo shtetas ka të drejtë të ankohet në gjykatat competente kundër nëpunësve për padrejtësi të bëra në ushtrimin e detyrës.

Neni 34

Në konditat e caktuara me ligjë shtetasit kanë të drejtë të kërkojnë prej shtetit ose nëpunësve të tij një shpërblim për dëmin që kanë pësuar nga fakti i kryerjes së një shërbimi në kundërshtim me ligjën ose në mënyrë të parregulltë.

Neni 35

Çdo shtetas detyrohet të ruajë dhe të forcojë pasurinë shoqërore (shtetërore dhe kooperativiste), bazë e shënjtë dhe e paprekëshme e demokracisë popullore, burim i fuqisë së Atdheut, i mirëqënies dhe i kulturës së të gjithë punonjësve.

Ata që prekin pasurinë shoqërore janë armiq të popullit.

Neni 36

Mbrojtja e Atdheut është detyra më e lartë dhe nderi më i math për çdo shtetas.

Tradhëtia kundrejt popullit është i detyruarshëm për të gjithë shtetasit.

Neni 37

Të gjithë shtetasit janë të detyruar të paguajnë tatim në proporcion me mundësitë ekonomike të tyre.

Tatimet e shtetit dhe përjashtimi nga të paguarit e tatimeve caktohen me ligjë.

Neni 38

Shtetasit nuk munt të përdorin të drejtat që u jep kjo Kushtetutë për të ndruar rendin konstitucional të Republikës Popullore të Shqipërisë me qëllime antidemokratike.

Çdo vepër në këtë drejtim konsiderohet tundra ligjës dhe sjell me vete dënime të parashikuara me ligjë.

Neni 39

Pakicat nacionale kanë në Republikën Popullore të Shqipërisë të gjitha të drejtat, mbrojtjen e zhvillimit kultural të tyre dhe përdorjen e lirë të gjuhës së tyre.

Neni 40

Republika Popullore e Shqipërisë u jep të drejtë strehimi në tokën e saj shtetasve të huaj të ndjekur për shkak të aktivitetit të tyre në favor të demokracisë, të luftës nacional-çlirimtare, të të drejtave të popullit punëtor ose në favor të lirisë së punës shkencore dhe kulturale.

PJESA E DYTË

ORGANIZIMI I SHTETIT

KAPITULLI I.

Organet e Larta të Pushtetit Shtetëror

a)KUVËNDI POPULLOR

Neni 41

Kuvëndi Popullor ësht organi më i lartë i pushtetit shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërosë.

Neni 42

Kuvëndi Popullor mban sovranitetin e kombit dhe të shtetit dhe ushtron të gjitha të drejtat sovrane në bazë të Kushtetutës me përjashtim t’atyre të drejtave që vetë Kushtetuta i ka lënë në kompetencë të Presidiumit të Kuvëndit Popullor ose të Qeverisë.

Neni 43

Pushteti legjislativ ushtrohet vetëm prej Kuvëndit Popullor.

Inisiativa legjislative u përket Presidiumit të Kuvëndit Popullor, Qeverisë dhe deputetëve.

Neni 44

Kuvëndi Popullor zgjidhet prej të gjithë shtetasve në zona elektorale në proporcion të një deputeti për çdo 10.000 banorë.

Neni 45

Kuvëndi Popullor zgjidhet për katër vjet.

Neni 46

Kuvëndi Popullor zgjedh një kryetar, një nënkryetar dhe një sekretar. Kryetari drejton mbledhjet në bazë të rregullores.

Neni 47

Kuvëndi Popullor thirret me dekret të Presidiumit të tij në sesione të zakonëshme dy herë në vit. Munt të thirret dhe në sesione të jashtëzakonëshme me vendim të Presidiumit të Kuvëndit Popullor ose mbi kërkimin e një të trete të deputetëve.

Neni 48

Kuvëndi Popullor harton rregulloren e tij.

Neni 49

Asnjë project ligjë nuk munt të marrë fuqinë e ligjës në qoftë se nuk votohet prej shumicës relative të deputetëve në një mbledhje të Kuvëndit Popullor ku marrin pjesë shumica e anëtarëve të tij.

Neni 50

Ligjet hyjnë në fuqi 15 ditë pas shpalljes në “Gazetën Zyrtare”, përveç kur në ligjë urdhërohet ndryshe.

Neni 51

Kuvëndi Popullor zgjedh komisione të veçanta me mission të caktuar.

Kuvëndi Popullor në mbledhjen e parë të tij zgjedh një komision për vërtetimin e mandateve të deputetëve.

Me propozimin e këtij komisioni Kuvëndi Popullor vërteton se anulon mandatet e deputetëve.

Neni 52

Kuvëndi Popullor munt të bëjë anketa mbi çështje me rëndësi të përgjithëshme me anë të një komisioni ankete.

Të gjitha organet e shtetit janë të detyruara t’u përgjigjen kërkesave të komisionit në lidhje me konstatimin e fakteve dhe mbledhjen e provave.

Neni 53

Deputetët në Kuvendin Popullor gëzojnë imunitetin parlamentar.

Nuk munt të arestohen as të ndiqen penalisht pa pëlqimin e Kuvendit Popullor ose të Presidiumit të tij përveç rastit të deliktit flagrant.

Neni 54

Në rast lufte ose në raste analoge të jashtëzakonëshme Kuvendi Popullor munt të zgjatë legjislaturën e tij përtej afatit normal gjersa të vazhdojë gjëndja e jashtëzakonëshme.

Kuvëndi popullor munt të vendosë shpërndarjen e tij përpara mbarimit të afatit për të cilin është zgjedhur.

Neni 55

 Zgjedhjet për një Kuvënd Popullor munt të bëhen ndryshime ose shtesa në Kushtetutë.

Projektet për ndryshime ose shtesa në Kushtetutën munt të paraqiten prej Presidiumit të Kuvëndit Popullor.

Neni 56

 Vetëm me vendim të Kuvëndit Popullor munt të bëhen ndryshime ose shtesa në Kushtetutë.

Projektet për ndryshime ose shtesa në Kushtetutën munt të paraqiten prej Presidiumit të Kuvëndit Popullor, prej Qeverisë ose prej dy të pestave të deputetëve.

Projektet pë ndryshime ose shtesa në Kushtetutën pranohen me një shumicë dy të tretash të të gjithë deputetëve të kuvendit Popullor.

b)PRESIDIUMI I KUVËNDIT POPULLOR

Neni 57

Kuvëndi Popullor zgjedh Presidiumin e tij që përbëhet prej një kryetari, tre nënkryetarëve, një sekretari dhe dhjetë anëtarëve.

Neni 58

Presidiumi i Kuvëndit Popullor ka këto detyra:

1) Thërret sesionet e Kuvendit Popullor;

2) Cakton zgjedhjet për Kuvendin Popullor;

3) Vendos mbi pajtushmërinë (konformitetin) e ligjeve me Kushtetutën me kusht që ky vendim të aprovohet më pas nga Kuvëndi Popullor;

4) Bën interpretime të ligjeve;

5) Promulgon ligiet e votuara;

6) Nxjerr dekrete. Kur dekretet përmbajnë rregulla juridike, duhet t’i paraqiten për aprovim Kuvëndit Popullor në sesionin e ardhëshëm;

7) Ushtron të drejtën e fjalës në konformimet me urdhërimet e ligjës;

8) Jep dekorata dhe tituj nderi me propozimit e Kryetarit të Qeverisë;

9) Ratifikon dhe denoncon traktatet ndërkombëtare përveç rastit kur e gjykon me udhë ratifikimi ose denoncimi të bëhet prej Kuvendit Popullor;

10) Emëron dhe heq me propozimin e Qeverisë të dërguarit e jashtëzakonëshëm dhe ministrat fuqiplotë;

11) Pranon  letrat kredenciale dhe letrat e thirrjes së përfaqësonjësve diplomatik të shteteve të huaj;

12) Në mes të dy sesioneve të Kuvendit Popullor shpall mobilizimin e përgjithëshëm dhe gjëndjen e luftës në rast të një agresioni t’armatosur tundra Republikës Popullore të Shqipërisë ose kur kjo ësht e nevojshme për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga traktatet ndërkombëtare të mbrojtjes reciproke tundra një agresioni;

13) Me propozimin e Kryetarit të Qeverisë emëron dhe pushon ministra në mes të dy sesioneve të Kuvëndit Popullor;

14) Me propozimin e Kryetarit të Qeverisë krijon Komisione në gjirin e Qeverisë dhe emëron kryetarët e tyre;

15) Me propozimin e Qeverisë cakton sipërmarrjet me rëndësi të përgjithëshme për shtetin që duhet të jenë nënë drejtimin direkt të një ministrie ose të një komisioni qeveritar;

16) Në bazë të vendimeve të Kuvëndit Popullor ose me propozimin e Qeverisë shpall referendume popullore mbi çështje të ndryshme.

Dekretet e Presidiumit të Kuvëndit Popullor nënshkruen prej kryetarit dhe sekretarit.

Neni 59

Presidiumi i Kuvëndit Popullor ësht përgjegjës për veprimtarinë e tij përpara Kuvëndit Popullor.

Ky munt t’a revokojë Presidiumin e tij, të zgjedhë një tjetër, të revokojë anëtarët dhe t’i zëvëndësojë edhe përpara mbarimit t’afatit për të cilin janë zgjedhur.

Neni 60

Në rast shpërndarjeje të Kuvëndit Popullor, Presidiumi mbetet në fuqi gjersa të zgjidhet Presidiumi i ri i Kuvëndit Popullor.

Presidiumi thërret Kuvëndin Popullor të zgjedhur jo më von se një muaj prej zgjedhjes së tij.

KAPITULLI II

Organet e Administratës së Shtetit

Neni 61

Qeveria ësht organi eksekutiv dhe urdhërdhënës më i lartë i Republikës popullore të Shqipërisë.

Qeveria emërohet dhe hiqet prej Kuvëndit popullor.

Qeveria është përgjegjëse përpara Kuvëndit Popullor dhe duhet të japë llogari për veprimtarinë e saj. Në mes të dy sesioneve të Kuvëndit Popullor, ajo është përgjegjëse përpara Presidiumit të Kuvëndit, të cilit duhet t’i japë llogari për veprimtarinë e saj.

Neni 62

Qeveria vepron në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve.

Qeveria nzjerr vendime dhe urdhëresa në bazë të ligjeve dhe për zbatimin e ligjeve në fuqi dhe kontrollon zbatimin e tyre.

Vendimet dhe urdhëresat e qeverisë nënshkruhen nga kryetari i Qeverisë dhe shpallen në Gazetën Zyrtare.

Neni 63

Qeveria drejton dhe bashkërëndon punët e ministrive, të komisioneve dhe të shërbimeve të institutive të tjera që ndodhen nënë kontrollin direkt të saj.

Qeveria harton planin ekonomik të përgjithëshëm të shtetit dhe buxhetin e përgjithëshëm të shtetit të cilët ja parashtron Kuvëndit Popullor për pranim dhe kontrollon zbatimin e tyre; drejton sistemin e kreditit dhe sistemin monetar; merr të gjitha masat e nevojshme për sigurimin dhe mbrojtjen e rendit konstitucional dhe të drejtave të shtetasve; drejton organizimin e përgjithëshëm të ushtërisë; mban lidhje me shtetet e huaj; kujdeset për zbatimin e traktateve dhe për detyrimet ndërkombëtare; i parashtron Kuvëndit Popullor projektet e ligjëve të hartuara prej saj dhe prej ministrave të ndryshmë; cakton organizimin e brëndëshëm të ministrive dhe të institutive të varura prej saj; krijon komisione dhe institute për zbatimin e masave ekonomike, kulturale dhe të mbrojtjes kombëtare.

Neni 64

Qeveria përbëhet prej kryetarit, nënkryetarëve, ministrave dhe kryetarit të Komisionit të Planit.

Anëtarët e qeverisë betohen përpara Presidiumit të Kuvëndit Popullor.

Neni 65

Kryetari i qeverisë përfaqëson qeverinë, kryeson mbledhjet dhe drejton punët e qeverisë.

Neni 66

Anëtarët e qeverisë ndodhen në krye të dikastereve të ndryshme t’administratës së shtetit.

Qeveria munt të ketë dhe ministra pa portofol.

Neni 67

Anëtarët e qeverisë janë përgjegjës penalisht për shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve në lidhje me ushtrimin e funksioneve të tyre.

Ata janë përgjegjës edhe për dëmet që munt t’i shkaktojnë shtetit me veprimtarinë e tyre të tundra-ligjëshme.

Me ligjë të veçantë do të vihen me hollësi normat mbi përgjegjësinë e anëtarëve të qeverisë.

Neni 68

Ministrat, brënda kufive të kompetencës së ministrive të tyre, japin urdhëra dhe udhëzime në bazë të ligjeve dhe për zbatimin e ligjeve në fuqi, të vendimeve dhe urdhëresave të qeverisë dhe kontrollojnë zbatimin e tyre.

Urdhërat dhe udhëzimet e ministrave spalle në Gazetën Zyrtare.

Neni 69

Ministritë e Republikës Popullore të Shqipërisë janë:

1)        Ministria e Punëve të Jashtme;

2)        Ministria e Punëve të Brëndëshme;

3)        Ministria e Mbrojtjes Popullore;

4)        Ministria e Drejtësisë;

5)        Ministria e Financavet;

6)        Ministria e Arësimit;

7)        Ministria e Kontrollit;

8)        Ministria e Industrisë;

9)        Ministria e Minierave;

10)    Ministria e Tregëtisë;

11)    Ministria e Tregëtisë së Jashtme;

12)    Ministria e Komunikacioneve;

13)    Ministria e Ndërtimit;

14)    Ministria e Bujqësisë;

15)    Ministria e Pyjeve;

16)    Ministria e Shëndetësisë;

17)    Ministria e Grumbullimit.

Vetëm me ligjë munt të krijohen ministri të tjera ose të suprimohen ato që janë.

Neni 70

Qeveria munt të ngarkojë me vendim një këshill ministerial më të ngushtë që të merret me disa çështje në lidhje me ekonominë dhe me mbrojtjen kombëtare.

Vendimi mbi krijimin e këshillit ministerial të ngushtë do caktojë përbërjen dhe kompetencën e tij.

KAPITULLI III

Organet e Pushtetit Shtetëror të Njësive Administrative Lokale

Neni 71

Organet e pushtetit shtetëror në fshatrat, lokalitetet, qytetet dhe rrethet janë këshillat popullore;

Këshillat popullore të fshatrave, lokaliteteve, qyteteve dhe rretheve zgjidhen nga shtetasit për 3 vjet.

Ndarja administrative në fshatra, lokalitete, qytete dhe rrethe munt të ndryshohet me ligjë.

Neni 72

Këshillat popullore drejtojnë punët e organeve t’administratës që varen prej tyre, janë të ngarkuara me çështje ekonomike dhe kulturale brë nda kufive të kompetencës së tyre, sigurojnë rendin public, kontrollojnë zbatimin e ligjeve, ruajnë të drejtat e shtetasve dhe hartojnë buxhetet locale.

Neni 73

Këshillat popullore, brënda kufive të kompetencës të tyre, nxjerrin vendime dhe urdhëresa në pajtushmëri me Kushtetutën, me ligie dhe me dispozitat e përgjithëshme të organeve më të larta të pushtetit shtetëror.

Neni 74

Në ushtrimin e funksioneve të tyre të përgjithëshme dhe lokale këshillat popullore duhet të bashkëpunojnë me popullin dhe me organizatat e masave punonjëse të popullit dhe të inspirohen nga iniziativa e tyre.

Neni 75

Organet ekzekutive dhe urdhërdhënëse të këshillave popullore janë komitetet ekzekutive që zgjidhen nga këshillat popullore.

Përbërja dhe funksionimi i komiteteve ekzekutive të këshillave popullore caktohen me ligjë.

Organet ekzekutive dhe urdhërdhënëse në njësitë administrative të vogëla munt të përbëhen nga kryetari dhe sekretari i këshillit popullor.

Neni 76

Këshillat popullore lokale thërrasin në afatet e caktuara prej ligjës mbledhjet e zgjedhësve përpara të cilëve japin llogari për punën e tyre.

Neni 77

Komitetet ekzekutive të këshillave popullore varen si nga këshillat popullore që i kanë zgjedhur ashtu dhe nga organet ekzekutive dhe urdhërdhënëse të organeve më të larta të pushtetit shtetëror.

Neni 78

Për të drejtuar degët e ndryshme të administratës këshillat popullore munt të krijojnë zyra ose seksione. Veprimtaria e këtyre zyrave ose seksioneve drejtohet nga këshilli popullor dhe njëkohësisht nga zyrat ose seksionet respektive të këshillave popullore më të larta dhe nga ministria competente.

KAPITULLI IV

Gjykatat dhe Prokuroria

a)GJYKATAT

Neni 79

Drejtësia në Republikën Popullore të Shqipërisë jepet nga Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë, nga gjykatat popullore dhe nga gjykatat ushtarake.

Me ligjë munt të krijohen dhe gjykata speciale për kategori të caktuara çështjesh.

Neni 80

Gjykatat janë të pavarura në ushtrimin e funksioneve të tyre. Gjykatat janë të ndara nga administrata në të gjitha gradat. Vendimet e tyre nuk munt të ndryshohen veçse prej gjykatës competente më të lartë.

Gjykatat më të larta kanë të drejtë të kontrollojnë brënda kufive të ligjës gjykatat më të unjta.

Ministri i Drejtësisë drejton dhe kontrollon punën e administratës gjyqësore dhe kujdest për organizimin dhe funksionimin e mirë të gjyqeve.

Neni 81

Gjykatat gjykojnë në bazë të ligjës dhe vendimet i japin në emër të popullit.

Neni 82

Gjykatat rregullisht gjykojnë në seancë publike.

Të pandehurit i sigurohet e drejta e mbrojtjes.

Neni 83

Gjykatat gjykojnë me pjesmarrjen e jurisë (ndihmës gjyqtarëve) përveç rasteve të parashikuara posaçërisht nga ligja.

Neni 84

Në të gjitha gjykatat përdoret gjuha shqipe.

Shtetasit që nuk dijnë shqip munt të përdorin gjuhën e tyre dhe të flasin me anë të një përkthenjësi.

Neni 85

Gjykatat zgjidhen nga populli dhe gjyqtarët e zgjedhur munt të revokohen.

Gjykata e Lartë zgjidhet nga Kuvëndi Popullor për katër vjet.

Mënyra e zgjedhjes së gjyqtarëve të tjerë caktohet me ligjë.

Neni 86

Gjykata e Lartë ësht organi më i lartë i drejtësisë në Republikën Popullore të Shqipërisë.

Rastet kur Gjykata e Lartë do të gjykojë në gradë të parë ose të dytë do të caktohen me ligjë.

Neni 87

Gjykata e Lartë vendos në janë ose jo të ligjëshme vendimet e formës së prerë për të gjitha gjykatat e Republikës.

b)PROKURORIA

Neni 88

Prokuroria është një organ i Kuvëndit Popullor që ka për mision të kontrollojë zbatimin e përpiktë të ligjës prej ministrave dhe organeve të tjera administrative si dhe prej nëpunësve publikë dhe prej gjithë shtetasve.

Neni 89

Prokurori i Përgjithëshëm i Reèublikës Popullore të Shqipërisë dhe ndihmësit e tij emërohen prej Kuvëndit popullor.

Prokurorët publikë emërohen prej Prokurorit të Përgjithëshëm.

Neni 90

Të gjithë prokurorët publikë janë të pavarur kundrejt të gjitha organeve lokale dhe varen vetëm prej Prokurorit të Përgjithëshëm nga i cili marrin urdhëra dhe instrukcione.

KAPITULLI V

Lidhjet në mes të Organeve të Pushtetit

Shtetëror dhe të Administratës

Shtetërore

Neni 91

Presidiumi i Kuvëndit Popullor munt të anullojë vendimet dhe urdhëresat e Qeverisë kur janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligie.

Qeveria munt të anullojë urdhërat dhe udhëzimet e ministrave kur janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligie si dhe me vendimet dhe urdhëresat e Qeverisë.

Neni 92

Presidiumi i Kuvëndit Popullor dhe këshillat popullore më të larta munt të anullojnë çdo akt të kundraligjshëm ose të parregullt të këshillave popullore më të unjta.

Qeveria dhe ministrat munt të anullojnë çdo akt të kundraligjshëm ose të parregullt të komiteteve ekzekutive të këshillave popullore. Komitetet ekzekutive të këshillave popullore më të lartakanë po këtë të drejtë kundrejt komiteteve ekzekutive më të unjta.

Këshillat popullore munt të anullojnë çdo akt të kundraligjshëm ose të parregullt të komiteteve ekzekutive të tyre.

Qeveria dhe komitetet ekzekutive të këshillave popullore më të larta munt të pezullojnë ekzekutimin e çdo akti të kundraligjshëm ose të parregullt të këshillave popullore më të unjta dhe t’u propozojnë këshillave popullore të tyre ose Presidiumit të Kuvëndit Popullor që t’i anullojnë këto akte.

Neni 93

Presidiumi i Kuvëndit Popullor dhe këshillat popullore më të larta të shpërndajnë këshillat popullore më të unjta dhe të caktojnë zgjedhjet për një këshill popullor të ri. Gjithashtu ato munt të pushojnë komitetet ekzekutive të këshillave popullore më të unjta dhe të urdhërojnë zgjedhjet për një komitet ekzekutiv të ri.

KAPITULLI VI

Ushtëria Popullore

Neni 94

Ushtëria Popullore është fuqia e armatosur e Republikës Popullore të Shqipërisë. Detyra e saj është të sigurojë dhe të mbrojë indipendencën e shtetit dhe lirinë e popullit.

Ajo ruan që të mos cënohen kufitë e shtetit dhe shërben për mbajtjen e paqes dhe të sigurisë.

Neni 95

Komandanti Suprem i forcave t’armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë emërohet prej Kuvëndit Popullor.

Komandanti Suprem drejton të gjitha forcat e armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë.

PJESA E TRETË

STEMA, FLAMURI,

KRYEQYTETI

Neni 96

Stema e shtetit të Republikës Popullore të Shqipërisë përfaqëson një fushë të pështjellur me dy tufa kallinj gruri. Tufat me kallinj gruri janë lidhur në funt me kordhela ku është shkruar data 24 Maj 1944. Në mes të majrave të kallinjve ka një yll të kuq me pesë çipa. Në mes të fushës ka një shqiponjë të zezë me dy krerë.

Neni 97

Flamuri i shtetit të Republikës Popullore të Shqipërisë përfaqëson një fushë të kuqe me në mes një shqiponjë me dy krerë. Mbi shqiponjën ka një yll të kuq me pesë çipa, qëndisur rreth e rrotull me ar.

Raporti në mes të gjerësisë dhe të gjatësisë së flamurit është një me një e dyzet.

Neni 98

Kryeqyteti i Republikës Popullore të Shqipërisë është Tirana.

Tiranë, më 4 Korrik 1950.

PRESIDIUMI I KUVËNDIT POPULLOR

Në mbështetje të Nenit 47 të ligjës me datë 4-7-1950 mbi disa ndryshime dhe shtesa në Kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë të aprovuar nga Kuvëndi Popullor në mbledhjen e tij me datë 4 Korrik 1950.

SHPALL

Tekstin e Kushtetutës së Republikës Popullore të Shqipërisë me përmbajtjen e sipërme.

       Tiranë, më 5 Korrik 1950

 

PRESIDIUMI I KUVËNDIT POPULLOR TË

REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË

Dr. Omer Nishani d. v.

Bedri Spahiu d. v.

Myslim Peza d. v.

Prof. Aleksandër Xhuvani d. v.

Sami Baholli d. v.

Liri Belishova d. v.

Qirjako Harito d. v.

Gj. M. Haxhi Lleshi d. v.

Gjovalin Lluka d. v.

Piro Peristeri d.

N/Kol. Beqir Ndou d. v.

Kol. Sali Ormeni d. v.

Nexhmije Hoxha d. v.

Gogo Nushi d. v.

Major Et’hem Bajrami d. v.

 

 

© GC