Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

SHTATUTI I SHTETIT SHQIPTAR

I. – Dispozita të pergjithëshme

1.    Shteti shqiptar qeveriset prej nji qeverije monarhike kushtetore. Vendin e Mbretit e zen përkohsisht Këshilli i Naltë me të drejtat e detyrat e caktueme taksativisht në ketë Shtatut.

2.    Pushteti legjislativ ushtrohet prej Pleqsis e Këshillit të Naltë.

3.    Pushteti përmbarues i përket vetëm Këshillit të Naltë, i cili e ushtron me anën e kabinetit.

4.    Pushteti gjyqsuer ushtrohet prej gjykatavet dhe vendimet e tyre jipen nd’emën të Shtetit.

5.    Ndërpretimi autentik i ligjvet i përket pushtetit legjislativ.

6.    Asnji organizim nd’asnji degë t’administratës së Shtetit nuk mund të bahet as të ndryshohet veçse me ligjë.

Asnji Zyrë ase nepunsi nuk mund të krijohet veçse me ligjë.

Qarkëshkrimet administrative, gjyqsore, ushtrijake dhe të ç’do degë tjetër si edhe ndrrimet e qendravet të tyne rregullohen vetëm me ligjë.

7.    Shërbimi ushtrijak asht i detyrshëm për të gjithë nenshtetasit shqiptarë si mbas ligjës, pëveç përjashtimevet të caktueme prej saj.

8.    Asnji e drejtë, ç’do fare qi të jetë dhe kujdo qi t’i përkasë, nuk mund të krijohet ase të shuhet veçse me ligjë.

9.    Të gjithë bashkajapin, në përpjesë të pasunis së vet, për nevosa finanziare të Shtetit,

Asnji pagë ase taksë nuk mund të vehet as të mblidhet veçse me ligjë.

10.     Asnji privilegj nuk mund t’i bahet kuj për sa u përket pagavet e taksavet. Ç’do shkarkim a lehtësim do të rrjedhë prej nji ligje.

11.     Asnji shpenzim nuk mund të bahet pa nji ligjë auktorizuese.

12.     Asnji rrogë, shpërblim a pensjon, mbi kurriz të thesarit botuer, nuk mund t’i lidhet a t’i jipet kuj veçse mbas ligjës.

13.     Asnji send prej pasunis së patundëshme të Shtetit nuk mund të jetërtohet ase të pajtohet për nji kohë ma të gjatë se tri vjet veçse me nji ligjë.

14.     Të gjithë, pa ndryshim klase, feje e nenshtetsije, janë të barasuem përpara ligjës dhe gëzojnë baras të drejtat qivile, përveç përjashtimevet të caktueme prej saj.

15.     Të gjithë nenshtetasit gëzojnë baras të drejtat politike dhe pranohen në të gjitha nëpunsit qivile e ushtrijake, përveç përjashtimevet të caktueme prej ligjës.

16.     Lirija personale asht e garantueme.

Askush nuk mund t’arreshtohet as të dërgohet në gjyq veçse në rasat e parapame prej ligjës dhe në formën e caktueme prej saj.

17.     Banimi asht i padhunueshëm.

Asnji e hyme pa hir nuk mund të bahet veç kur dhe si urdhnon ligja.

18.     Lirija e fjalës dhe e shtypit asht e garantueme.

Nji ligjë e posaçme ka për të parapamun mbi shpërdorimet e saj.

19.     E drejta e zotnis pa përjashtim, asht e padhunueshme, veçse kur interesi botte ligjorisht i vërtetuem e kërkon dhe kundrejt nji damshpërblimi t’arsyeshëm, si mbas ligjës.

20.     Detyra botore asht e garantueme.

Ç’do detyrë e Shtetit kundrejt kreditorvet të vet asht e padhunueshme.

21.     Asnji hua nuk mund të kontraktohet pë dobi të Shtetit pa nji ligjë auktorizuese.

22.     E drejta e shoqnimit pa qëllim kundër ligjës dhe e drejta e mbledhjes paqsisht e pa armë janë të garantueme, në konformitet me ligjët.

23.     Fshehtësija postare asht e padhunshme.

Kurrë dhe nd’asnji mënyrë nuk mund të hapen letrat veçse në rasat dhe mënyrat e caktueme prej ligjës.

24.     Shteti shqiptar as njeh as ndan tituj fisnikije.

25.     Flamuri komtar asht i kuq me shipe të zezë dykrenshe në mes.

26.     Gjuha shqipe asht gjuha zyrtare e Shtetit.

27.     Shteti s’ka fé zyrtare.

Të gjitha fét janë të nderueme dhe lirija e ushtrimit dhe e praktikimit të jashtëm të tyne asht e shigurueme.

Ndryshimi i fés nuk formon ndalim ase pazotsi juridike për pasjen ase ushtrimin e të drejtavet qivile e politike.

II.  Këshilli i Naltë

28.     Këshilli i Naltë asht trup kolegjuer prej katër vetësh të zgjedhun prej Pleqsis për dy vjet me shumicë absolute votash.

29.      Askush s’mund të zgjidhet si mis i Këshillit të Naltë pa qenë nenshtetas shqiptar qyshë prej ditës 7 Mars 1914, pa pasë mbushun moshën tridhjetepesë vjetsh, pa gëzuem të drejtat qivile e politike dhe pa pasun të gjitha cilsit e tjera të lypuna prej ligjës.

30.     Misët e Këshillit të Naltë, nji mbas nji dhe pas radhës alfabetike t’emnavet të tyne, bahen kryetarë të tij; sicili qendron gjashtë muej në Kryesi.

31.     Kryetari mbledh e kryeson Këshillin e Naltë. Kur mungon kryetari vendin e tij e zen ai prej misvet qi ka për të qenë kryetar për s’afërmi.

32.     Këshilli I Naltë nuk mund të bisedojë pa qenë pranë tre prej misvet të tij dhe nuk mund të vendojë pa shumicën e votavet.

33.     Kërkesat misvet për lejpushime i drejtohen Këshillit të Naltë me anën e kryetarit të tij, dhe Këshilli vendon pranimin a mospranimin e tyne.

Dorheqiet i drejtohen Pleqsis, e cila vendon pranimin a mospranimin e tyne.

Nuk mund të mungojë ma tepër se nji mis ndë nji kohë e sipër.

34.     Në rast vdeke, sëmundjeje të pashërueshme qi ndalon veprimin ase dorheqjeje të njenit a ma shum miseve të Këshillit të Naltë, Pleqsija, në mënyrën e caktueme nd’art. 28, zgjedh tjetër ase të tjerë në vendin e tij ase të tyne.

Në rasë pushimi të Pleqsis, Këshilli i Naltë mbledh këtë me të shpejtë për me zgjëdhun misët qi mungojnë. Deri sa të zgjidhen këta, të drejtat e Këshillit të Naltë i ushtrojnë misët ase misi i mbetun, dhe në qoftë se s’ka mbetun asnji, i ushtron Kryeministri.

35.     Periudha dy vjetshe fillon për ç’do mis prej ditës së zgjedhjes së tij.

36.     Asnji s’mund të zgjidhet si mis i Këshillit të Naltë dy herë me radhë.

37.     Misët e Këshillit të Naltë, pa hymun në detyrë, betohen përpara Pleqsis mbas kësaj formulle:

Betohem nd’emën të Perëndis e mbi nderin t’em se kam për të qenë ruejtës besnik i mëvetesis e i tansis toksore të Shqipnis si edhe i Shtatutit e i ligjvet të Shtetit

38.     Pleqsija merr masat që ma parë e sa asht hapun për zgjedhjen e betimin e misit ase të misvet peridha e të cilvet do të mbarojë në kohën e pushimit të saj.

39.     Miset e Këshillit të Naltë marrin sicili nji shpërblim të përmuejshëm prej 1000 fr. Ar; këjo shumë mund të ndryshohet herë pas here me ligjë.

40.     Këshill i Naltë asht i papërgjegjshëm, veçse për tradhëti të naltë dhe për aktet e tij qi nuk kanë kundërfirmën e Ministrit ase të ministërvet kompetenta.

41.     Misët e Këshillit të Naltë gëzojnë imunitetin pleqsuer.

42.     Pleqsija nuk mund të rrëzojë misët e Këshillit të Naltë; po padija e Pleqsis për aktet e tyne qi bijnë nden art. 40 siell vetiu rrëximin e tyne.

43.     Këshilli i Naltë asht kreu ma i naltë i Shtetit; ka komandën e përgjithëshme të fuqivet t’armatisuna; emnon gjith nëpunsit e naltë të Shtetit; ban dekretet e rregulloret e nevojshme për përmbarimin e ligjvet, po dekretet e rregullaret qi janë në kundërshtim me ligjët, qi u pezullojnë veprimin ase urdhnojnë  mosveprimin e tyne janë të paligjëshme dhe mbeten pa efekt. Ban traktetet dhe marrveshtjet gjithfarësh, po këto nuk kanë efekt pa u pëlqyem prej Pleqsis. Veçse në rasë mbrojtjeje, nuk mund të shpallë luftë pa lejen e Pleqsis.

44.     Këshilli i Naltë sanksionon dhe shpallë ligjët.

Nji ligjë të pëlqyeme nji herë prej Pleqsis, Këshilli i Naltë mund t’i a kthejë mbrapa bashkë me vërejtjet e shkaket justifikative të këthimit mbrenda nd’atë sesjon.

45.     Me paralajmim dy javësh, Këshilli i Naltë mund të zgjatë dhe të ndërpushojë sesjonet e Pleqsis, po jo ma tepër se nji muej dhe jo ma shum se nji herë për ç’do sesjon.

Këshilli i Naltë mund të thërresë Pleqsin në mbledhje të jashtëzakonshme.

46.     Propozimi i ligjëvet i përket Këshillit të naltë dhe Pleqsis; po propozimi i ligjvet, qi sjellin me vete shtesa ase barrë financjare, i përket vetëm Këshillit të Naltë.

47.     Asnji akt i Këshillit të Naltë nuk ka vleftë pa kundërfirmën e Ministrit ase Ministravet kompetentë.

48.     Në rasë nevoje e ngustije të dukshme dhe në kohën e pushimit të Pleqsis, Këshilli i Naltë, nën përgjigjsin e kabinetit politike civile a penale, ban dekrete-ligjë dhe i ven në zbatim; po detyrohet t’i a paraqesë Pleqsis në sesjonin e afërm, brenda në dhjetë ditë pas hapjes, për pëlqim, pse ndryshe, pushojnë vetiu së pasuni fuqi. 

49.     Këshilli i Naltë zgjedh kryeministrin dhe emnon këtë e ministrant e zgjedhun prej tij; po këta duhet të paraqiten përpara Pleqsis jo ma vonë se tri dit mbas datës s’emnimit tue shpallun programën e tyne për të marrë vote besimi, për ndryshe, quhen sikur të kenë marrë votë mosbesimi.

50.     Dorheqja e kabinetit shkaktohet prej mungesës së besimit nga ana e Pleqsis dhe i paraqitet Këshillit të Naltë.

51.     Në kohën e pushimit të Pleqsis, Këshilli i Naltë po t’a shohë të nevojshme zbret kabinetin dhe emnon nji tjetër. Dekretet e emnimit të Ministrave të rij dhe të pushimit të ministrave të përparshëm kundërfirmohen prej kryeministrit të ri. Në këtë rasë Këshilli i Naltë detyrohet të mbledhë Pleqsin mbrenda në dy javë dhe kabineti i ri do të paraqitet, mbrenda në tri dit prej çeljes së saj, për efektet e shenjueme nd’art. 47.

52.     Në qoftë se kabinetet e emnuem nuk marrin, për tri herë me radhë, votë besimi prej Pleqsis, atëherë Këshilli i Naltë mbledh Kuvendin komtar, i cili gjykon mbi konfliktin dhe vendon rrëximin e Këshillit të Naltë apo të përndamunit e Pleqsis.

III.     Kabineti

53.     Ministër mund t’emnohet kushdo qi ka cilsit e lypuna prej ligjës për t’u zgjedhun deputet.

Nuk mund t’emnohen ministra gjinijt e misvet të Këshillit të Naltë dei në gradë të dytë, dhe dy gjinij, deri në gradë të tretë, në gjith atë kabinet.

Të huejt e natyralixuem nënshtetas shqiptarë nuk mund t’emnohen ministra,

54.     Ministrat hyjnë lirisht në Pleqsi dhe ndigjohen kurdoherë që kërkojnë fjalën, po votojnë vetëm ata qi janë edhe deputetën.

55.     Kabineti asht I përgjigjshëm politikisht përpara Pleqsis, solidarisht për politikën e përgjithëshme të tij dhe ç’do minister veçanërisht veprat e veta.

56.     Askurrë urdhni I Këshillit të Naltë nuk mund të lirojë ministrant prej përgjigjsis së tyne.

57.     Ministrant gëzojnë immunitetin pleqsuer.

58.     Aktet e kabinetit si edhe aktet e veçanta të ministravet, qi janë në kundërshtim me këtë Statut, me ligjët e me dekretet, janë pa fuqi.

IV.    Pleqsija

59.     Përfaqsija komtare përmblidhet ndë nji Pleqsi të përbamun prej peputetnish të zgjedhun me za t’unjishëm si mbas ligjës.

60.     Deputetnit zgjidhen për katër vjet; barra e tyne mbaron vetëm në mbarim të këtij afati.

61.     Askush nuk mund të pranohet për deputet pa qenë nënshtetas shqiptar, pa pasë mbushun moshën 25 vjetsh, pa gëzuem të drejtat qivile e politike dhe pa pasun të gjitha cilsit e tjera të lypuna prej ligjës.

62.     Cilsija e deputetit asht e papajtueshme me ç’do zyrë tjetër të Shtetit përveç përjashtimevet të caktueme prej ligjës.

63.     Deputeti nuk përfaqson vetëm qarkun qi e ka zgjedhun, por edhe komin përgjithësisht.

64.     Deputetit nuk mund t’I jipet asnji barrë urdhënore prej zgjedhësvet të vet.

65.     Deputetenvet nuk mund t’u kërkohen shpjegime për mendimet e shfaquna e për votat e dhanuna në Pleqsi.

66.     Në kohë të sesjonit, deputetnit nuk mund të burgosen për detyrë as nuk mund të ndiqen as t’arrestohen për çashtje penale pa lejen e Pleqsis, përveçse n’u kapshin në faj e sipër.

Në këtë rasë auktoritetet gjyqsore janë të detyrueme me lajmuem me të shpejtë parin e Pleqsis me anën e Ministerit të Drejtësis.

67.     Pleqsija ka të drejtë me dekretuem lirimin e nji misi të vet për gjithë kohën e sesjonit në qoftë se ka qenë zanë në periudhë të pushimevet.

68.     Deputetnit kanë të drejtë me marrë nji herë në mot shpenzimet e ligjëshme t’udhtimit, të vojtun e t’ardhun, ndërmjet të qarkut të vet e të kryeqytetit; ashtu edhe nji shpërblim prej 5000 fr. Ar në vjetë. Këjo shumë mund të ndryshohet herë mbas herë me ligjë.

69.     Mënyra e ushtrimit të zyravet të Pleqsis caktohet në rregulloren e mbrendëshme të saj.

70.     Parija e Pleqsis zgjidhet prej’saj dhe në gji të saj ndë nisje të ç’do sesjoni, për gjith vijimin e saj e deri në fillim të tjetrit.

Zgjedhja e paris dhe emnimi I nënpunësvet të Pleqsis bahen si mbas rregullores së mbrendëshme.

71.     Pleqsija shqyrton fuqit e cilsit ligjote të misvet të vet, dhe gjykon e vendon mbi to mbas parashkresavet të rregullores së mbrendëshme.

72.     Ç’do mis I Pleqsis asht I detyruem me bamun dy bé: njënën, përpara se të shqyrtohen fuqit e cilsit e tija, dhe tjetrën përpara se të nisë zyrën e tij si deputet.

Beja e parë asht këjo: “ Betohem nd’emën të Perëndis e mbi nderin t’em se kam për të kryem detyrën e shqyrtimit me ndërgjegje e asnjansi të plotë.,,

Beja e dytë do të bahet me këto fjalë: “ Betohem nd’emën të Perëndis e mbi nderin t’em se kam për t’I ndejun besnik atdheut e për t’u dalun zot Shtatutit e ligjvet të Shtetit e se kam për të kryem detyrën t’eme me ndërgjegje të plotë për të mirën e përgjithëshme pa u penguem aspak prej interesash të veçanta a krahine.,,

73.     Deputeti i zgjedhun rishtas qi, pa shkake të justifikueshme të vërtetueme siç duhet, nuk paraqitet, deri më dy muej, përpara Pleqsis për të bamun bén e detyrshme, quhet i ranë nga Zyra e tij.

Gjykimi mbi pranueshmin a mos të shkakevet justifikative i përket Pleqsis.

74.     Deputeti, qi për gjashtë muej rrjesht mungon prej mbledhjevet të Pleqsis, quhet vetiu i rrëzuem.

Asnji shkak s’mund të merret para sysh për justifikim të kësaj mungese.

75.     Kur, për ç’do arsye qi të jetë, mbetet zbrazët vendi i nji deputeti, mbrenda tre muejsh prej ditës së zbrazjes, duhet zgjedhun nji tjetër në vend të tij.

76.     Pleqsija mblidhet gjashtë muej në vjetë në sesjon të zakonshëm tue nisun të parën ditë të hanë të Tetorit.

Në këta gjashtë muej nuk do të njehen pushimet e vogla qi Pleqsija mund të marrë vetë e qi nuk do të jenë ma tepër se tri për ç’do sesjon as nuk do të zgjaten ma shum se dy javë për ç’do herë.

77.     Në sesjon të jashtëzakonshëm bisedohen vetëm ato sende qi e kanë shkaktuem, të cilat do të caktohen në programin e pregatitun prej Qeverris.

Këshilli i Naltë ka të drejtë me e mbyllun ketë sesjon kurdo qi t’a shohë me arsye, po, gjithmonë, ma parë se të nisë sesjoni i zakonshëm.

78.     Në të hapun të sesjonit të zakonshëm, Këshilli i Naltë me nji ligjëratë ase lajmesë parashtron gjendjen e përgjithëshme të vendit e masat e gjykueme të nevojshme për me u marrë atë mot prej pushtetit përmbarues, dhe Pleqsija i ban nji përgjigje sa ma të shpejtë.

79.     Pleqsija nuk mund të bisedojë e të vendojë pa qenë pranë nji ma shum se gjysma e të gjithë misvet të saj qkanë kaluem ndepër formalitetet e artikujvet 69 e 70.

Nuk njehen në numër të përgjithëshëm ata qi mungojnë me leje.

80.     Deputetnit qi mungojnë në mbledhjet ndëshkohen me nji gjobë prej 10 fr. ar për ç’do herë dhe me botimin e emnavet të tyne në gazetën zyrtare.

Përrjashtohen deputetnit e dërguem në misi me urdhën të Pleqsis si edhe ata qi kanë marrë leje apo qi mungojnë për shkake të justifikueshme.

Numri i lejevet nuk mund të kapërcejë, për nji here, të gjashtën e të gjithë deputetënvet.

81.     Përveç vendimevet qi i përkasin zgjedhjes së personavet, të gjitha vendimet e tjera jipen me shumicën absolute të votavet t’atyne qi gjinden pranë.

82.     Votimi në mbledhjet e Pleqsis bahet tue ngritun dorën përpjetë, me thirrje emnore ase me za të fshehtë si mbas rasavet të caktueme në rregulloren e mbrendëshme.

83.     Votimi I ligjvet bahet nji herë parimisht e dy herë artikull për artikull në tri mbledhje të ndryshme.

84.     Mbledhjet e Pleqsis bahen botnisht. Përveç gjindës s’armvet, kushdo tjetër mundet me marrë pjesë në to në konformitet me rregulloren.

Bisedimet botohen rregullisht në vëllime të posaçme,

85.     Pleqsija mund të bisedojë edhe në komitet të fshehtë në qoftë se kërkohet prej ministravet ase prej shumicës mbassi të ketë lanë dhomën bota e huej.

86.     Pleqsija asht e padhunueshme. Asnji zyrtar a fuqi armësh, përveç trupit policuer të veçantë, nuk mund të vehet mbrenda dhomës ase te portat e ndertesës ku mblidhet Pleqsija pa vendim e kërkim të saj.

87.     Ç’do akt me fuqi ligjore do të shpallet me gazetën zyrtare, e cila u dërgohet gratis të gjitha bashkivet të Shqipnis.

Shpallja do të bahet të shumën dy javë mbas vertetimit dhe akti hynë në fuqi e zbatim nji muej mbas shpallje.

Aktet me fuqi ligjore do t’inserohen në mbështjelljen zyrtare të ligjvet e të Sekretevet.

88.     Parija e Pleqsis asnt e detyrueme me i këthyem pushtetin përmbarues ç’do projekt të paraqitun prej tij e të prapsun prej Pleqsis me gjithë arsyet e mospëlqimit.

89.     Asnji project ligje, qi s’pëlqehet prej Pleqsis, nuk mund të paraqitet për bisedim nji herë të dytë gjith nd’atë sesjon.

90.     Për gjith vjet pushteti përmbarues do t’i paraqesë Pleqsis, për shqyrtim e pëlqim, logarit e motit të kaluem si edhe bugjetin e përgjithëshëm të shpenzimevet të Shtetit bashkë me parashtresën e mënyravet e të mjetevet mbas të cilavet do t’u bajë ball atyne shpenzimeve.

Të gjitha t’ardhunat e shpenzimet e Shtetit do të futen në bugjet e në logarit.

Bugjeti do të paraqitet gjithmonë katër muej përpara vjetit financjar qi nisë të parën e Marsit, dhe logarit të shumën tetë muej mbassi të jetë mbyllun vjeti bugjetuer të cilit i përgjigjen.

Mënyra e hartimit të bugjetit rregullohet me ligjë.

91.     Kur bugjeti i ri nuk arrin me marrë formën ligjore definitive deri në fillim të vjetit financjar për të cilin asht pregatitun, pushteti përmbarues ven në zbatim ate ma të përparshëm për aqë kohë sa do të vonojë pëlqimi e votimi i të riut.

Në ketë rasë secilës degë t’administratës Pleqsija i hapë nji kredit të përmuejshëm jo ma të madh se e dymbëdhjeta pjesë e shpenzimevet të zakonshme qi i përkasin mbas bugjetit të vjetër.

92.     Ç’do ligjë, qi ngarkon nenshtetasit me paga e taksa e nuk përmendet në bugjet të përvjetshëm të Shtetit, quhet si e ngritme e pa fuqi ligjore.

93.     Shpenzimet për nevoja të jashtëzakonshme, qi nuk parashihen në bugjet, do të t’i paraqiten Pleqsis përpara se të bahen në qoftë se sesjoni i përvjetshëm asht haptë; për ndryshe bahen me dekret-ligjë si mbas parashkresavet t’art. 46.

94.     Bashkë me projektin e bugjetit të përgjithëshëm ç’do vjet do t’i paraqitet Pleqsis edhe projekti i sasis s’ushtris qi do të mbahet më kambë.

95.     Pleqsija ka të drejtë të thërrasë përpara saj cilindo nga ministrant për me e pyetun mbi ç’do çashtje qi i përket degës së tij.

Mënyra e thirrjes dhe e shfaqjes së ministravet caktohet në rregulloren e mbrendëshme.

96.     Pleqsija kontrollon qeverrin.

Për mbrojtjen e interesevet të përgjithëshme, pleqsija detyrohet, në ç’do rasë të veçantë të formojë prej giut të vet komisi hetimesh për të studjuem çashtjet e faktet qi lidhen me to.

Komisit hetuese kanë të drejtë me kërkuem shpjegime, me gojë e me shkrim, si prej auktoritetevet bototre ashtu edhe prej privatvet. Mund të këqyrin edhe të gjtiha aktet zyrtare qi t’u duken të nevojshme.

97.     Pleqsija paditë ministrant e i dërgon përpara Gjykatës së Naltë të Shtetit e cila formohet e gjykon si mbas ligjvet të posaçme.

98.     Pleqsija nuk mund të pranojë deputetsi as të ndëgjojë të tjerë përveç misvet të vet dhe ministravet ase zevendësvet të këtyre me përjashtimin e rasës së parapame nd’art 76.

99.     Ç’do ligjë ase dekret-ligjë në kundërshtim me shkronjën dhe shpirtin e këtij Statuti, asht antikushtetuer e I pa fuqi.

100.Të ruejtunit e këtij Shtatuti lihet n’atdhesin e Shqiptarvet.

Të gjithë zyrtarët e nëpunsit e Shtetit janë të përgjigjshëm për veprat e tyne kundër këtij Statutit dhe dënohen mbas ligjvet në fuqi për sa këto parashohin e për shpërdorim detyre për sa këto nuk parashohin.

Urdhëni I të parvet të tyne nuk I liron prej kësaj përgjigjsije.

101.Ky Shtatut asht ligja themelore e Shtetit Shqiptar dei sa nji Kuvend kushtetues të mos ketë vendosun Shtatutin definitive.

Përveç rasës së vendimit të Pleqsis për zgjedhjen e thirrjen e Kuvendit kushtetues, ky Shtatut nuk mund të ndryshohet as të shtohet veçse me dy të tretat e votavet të gjithë misvet të Pleksis.

 

Shtypshkronja “Nikai,Tiranë 1922

 

© GC