Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

PËR NJË SHTOJCË NË LIGJIN NR.7491, DATË 29.4.1991 "PËR DISPOZITAT KRYESORE KUSHTETUESE"

(Ligji Nr.7692, datë 31.3.1993)

Në mbështetje të neneve 16 dhe 43, të ligjit nr. 749, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozim të Presidentit të Republikës,

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Duke marrë parasysh se, gjatë diktaturës së egër e tejet çnjerëzore 46-vjeçare të partisë-shtet në Shqipëri janë shkelur e mohuar, nëpërmjet terrorit shtetëror, të drejtat civile e politike, ekonomike, sociale e kulturore, si edhe liritë më themelore të njeriut;

Duke marrë parasysh se respektimi dhe gëzimi i gjithanshëm i këtyre të drejtave e lirive përbën një nga aspiratat më të larta të popullit shqiptar dhe një nga parakushtet e domosdoshme për garantimin e lirisë, drejtësisë sociale dhe përparimit demokratik të shoqërisë sonë,

V E N D O S I:

Në ligjin nr. 7491, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", të shtohet një kre më vete me përmbajtjen që vijon:

"Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut" Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut sanksionohen e garantohen sipas këtyre dispozitave:

Neni 1

E drejta për jetën

- E drejta e çdo njeriu për të jetuar mbrohet me ligj.

- Askujt nuk mund t'i hiqet jeta, përveç se në ekzekutim të një vendimi gjyqësor për një krim tejet të rëndë, të kryer me dashje për të cilin dënimi me vdekje është parashikuar me ligj.

- Dënimi me vdekje nuk mund të jepet për të rinjtë, të cilët në kohën e kryerjes së krimit kanë qenë nën moshën 18 vjeç, si dhe për gratë.

Neni 2

Liria e shprehjes së mendimit

- Liria e shprehjes së mendimit është e padhunueshme.

- Ndalohet censura paraprake.

- Nuk mund të nxirret asnjë ligj që të kufizojë paraprakisht lirinë e fjalës, të shtypit, ose të mjeteve të tjera të komunikimit, përveç se në rastet e mbrojtjes së interesit të fëmijëve ose të jetës së njerëzve.

- Kushdo ka të drejtë të shprehë lirisht mendimet nëpërmjet fjalës, shkrimit ose çdo mjeti tjetër të përhapjes.

- E drejta për t'u informuar nuk mund t'i mohohet askujt.

- Ushtrimi i këtyre të drejtave dhe lirive nuk mund të kufizohet, përveçse në rastet e parashikuara me ligj, të cilat përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike në interes të sigurimit kombëtar, të integritetit territorial, për mbrojtjen e sigurisë dhe të rendit  publik, për parandalimin e krimeve, për mbrojtjen e shëndetit dhe të moralit, të reputacionit dhe të drejtave të të tjerëve, për parandalimin e dhënies së informacionit të marrë në konfidencë, si dhe për të garantuar autoritetin dhe paanësinë e pushtetit gjyqësor.

Neni 3

Ndalimi i torturës

- Askush nuk mund t'i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit çnjerëzor ose poshtërues.

Neni 4

Ndalimi i punës së detyruar

- Askujt nuk mund t'i kërkohet të kryejë një punë të detyruar përveç se në rastet e ekzekutimit të një vendimi të gjykatës, të kryerjes së shërbimit ushtarak, të një shërbimi që rrjedh nga një gjëndje e jashtëzakonshme ose fatkeqësi natyrore që kërcënon jetën ose shëndetin e njerëzve.

Neni 5

Liria dhe siguria vetjake

- Liria dhe siguria e njeriut është e padhunueshme.

- Askush nuk mund të ndalohet pa të dhëna të mjaftueshme.

- I ndaluari duhet të njoftohet menjëherë për shkakun e ndalimit dhe brenda një kohe të arsyeshme të paraqitet përpara një gjyqtari.

- Askush nuk mund të mbahet i ndaluar për më tepër se 48 orë.

- Çdo person i ndaluar ose i arrestuar duhet të njoftohet se ai nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë dhe se ka të drejtë të komunikojë menjëherë me avokatin.

- I arrestuari ka të drejtë të ankohet në gjykatë kundër arrestimit të tij.

Neni 6

Mosdënimi pa ligj

- Askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për një vepër penale, e cila nuk konsiderohej si e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj.

- Nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se sa ai që ka qenë i parashikuar në ligj në kohën e kryerjes së veprës penale.

- Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese.

Neni 7

Prezumimi i pafajësisë

- Askush nuk mund të quhet fajtor përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Neni 8

Garancitë procedurale penale

- Gjatë procesit penal, askujt nuk mund t'i hiqet e drejta:

a) të vihet në dijeni menjëherë dhe hollësisht për akuzën që i bëhet;

b) të ketë kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;

c) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën shqipe;

d) të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij, të komunikojë lirisht dhe privatisht me të, si dhe t'i sigurohet mbrojtja falas me anë avokati kur nuk ka mjete të mjaftueshme;

dh) t'u bëjë pyetje dëshmitarëve të pranishëm dhe të kërkojë paraqitjen e dëshmitarëve, të ekspertëve dhe personave të tjerë të cilët mund të sqarojnë faktet.

Neni 9

Mosdetyrimi për pranimin e fajësisë

- Askush nuk mund të detyrohet të dëshmojë kundër vetvetes ose të pohojë fajësinë e tij.

Neni 10

Pavlefshmëria e të dhënave të paligjshme

- Askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme.

Neni 11

E drejta për t'u dëgjuar në gjyq

- Askujt nuk mund t'i mohohet e drejta për t'u dëgjuar para se të dënohet.

Neni 12

Ndalimi i gjykimit dy herë për të njëjtën vepër

- Askush nuk mund të gjykohet ose të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë.

Neni 13

E drejta për apelim

- Kushdo ka të drejtë të apelojë një vendim gjyqësor në një gjykatë më të lartë të krijuar me ligj.

Neni 14

E drejta e rehabilitimit dhe zhdëmtimit

- Askujt nuk mund t'i mohohet e drejta të rehabilitohet dhe zhdëmtohet në përputhje me ligjin në rast se ai është dënuar për shkak të mosushtrimit të rregullt të drejtësisë ose është cënuar nga një akt administrativ i paligjshëm.

- Kushdo ka të drejtën e zhdëmtimit në përputhje me ligjin për dëmin që ka pësuar nga veprimet e të tjerëve.

- Asnjë të burgosuri nuk mund t'i mohohet trajtimi njerëzor dhe reahabilitimi moral.

Neni 15

Moscënimi i jetës private dhe i dinjitetit të personit

- Jeta private e personit dhe dinjiteti i tij nuk mund të cenohet.

- Të dhëna rreth jetës private të një personi mund të mblidhen vetëm me lejen e tij ose kur është e domosdoshme të kryhen hetime për një vepër penale ose me miratim të organit kompetent shtetëror të caktuar me ligj kur kjo është e domosdoshme për sigurimin kombëtar.

- Mbledhja, trajtimi dhe përdorimi përfundimtar i të dhënave vetjake si dhe mbikëqyrja e ruajtja e fshtehtësisë së këtyre të dhënave, rregullohet me ligj.

- Askujt nuk mund t'i mohohet e drejta që të njihet me të dhënat e mbledhura rreth tij, me përjashtim të rasteve kur ka vendim gjyqësor për të mbrojtur interesat e procesit penal ose   të sigurimit komëtar.

- Ndalohet përdorimi i të dhënave personale që vjen në kundërshtim me qëllimin për të cilin ato janë mbledhur.

Neni 16

Paprekshmëria e banesës dhe personit

- Banesa është e padhunueshme.

- Hyrja në banesë mund të bëhet pa pëlqimin e personit që banon në të, vetëm me vendim gjyqësor në rastet e parashikuara me ligj ose për të shmangur një rrezik të atypëratyshëm për jetën, shëndetin e njerëzve, për pasurinë ose kur është në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij.

- Askujt nuk mund t'i bëhet kontroll personal, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij ose për të mënjanuar një rrezik të atypëratyshëm që i kanoset sigurimit publik.

Neni 17

Fshehtësia e korrespondencës

- Fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit privat, nuk mund të cenohet, përveçse me vendim gjyqësor për të mbrojtur interesat e procesit penal ose me miratim të organit kompetent shtetëror të caktuar me ligj kur kjo është e domosdoshme për sigurimin kombëtar.

Neni 18

Liria e ndërgjegjes dhe e fesë

- Liria e mendimit, e ndërgjegjes dhe e fesë janë të padhunueshme.Kushdo është i lirë të ndryshojë fenë apo bindjet, si dhe t'i manifestojë ato individualisht ose kolektivisht në publik ose në jetën private nëpërmjet kultit, arsimit, praktikave ose kryerjes së riteve.

- Liria për të manifestuar fenë apo bindjet nuk mund të jetë objekt i kufizimeve të tjera, përveçse atyre të parashikuara me ligj, të cilat përbëjnë masa të nevojshme të një shoqërie demokratike në interes të sigurisë publike, mbrojtjes së rendit publik, shëndetit, moralit, të drejtave e lirive të të tjerëve.

Neni 19

E drejta e zgjedhjes

- Çdo shtetas që ka mbushur moshën 18 vjeç ka të drejtën e zgjedhjes. Përjashtohen nga kjo e drejtë shtetasit, të cilëve u është hequr zotësia për të vepruar.

- Të arrestuarit, si dhe të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur.

- Vota është personale, e barabartë dhe e fshehtë.

Neni 20

E drejta e organizimit

- Askujt nuk mund t'i mohohet e drejta të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm.

- Kufizime në ushtrimin e kësaj të drejte mund të caktohen me ligj për punonjës të shërbimit publik.

Neni 21

E drejta për tubim

- Tubimet paqësore dhe pa armë nuk mund të kufizohen.

- Tubimet në sheshet dhe vendet e kalimit publik bëhen me lejen paraprake të organit kompetent, i cili mund të mos i lejojë vetëm për shkaqe të bazuara që rrezikojnë seriozisht rendin dhe sigurimin publik.

Neni 22

E drejta e lëvizjes

- Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit, përveç rasteve kur me ligj janë caktuar kufizime për shkaqe shëndetësore ose të sigurimit publik.

- Secili mund të dalë jashtë shtetit dhe të kthehet lirisht.

Neni 23

Ndalimi i dëbimit dhe ekstradimit

- Asnjë shtetas shqiptar nuk mund të dëbohet nga territori i shtetit.

- Ekstradimi mund të lejohet vetëm kur është parashikuar shprehimisht në marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.

- Ndalohet dëbimi kolektiv i të huajve. Dëbimi i individëve të huaj lejohet në kushtet e përcaktuara me ligj.

Neni 24

Shtetësia

- Askujt nuk mund t'i hiqet shtetësia shqiptare pa pëlqimin e tij dhe as e drejta për të hequr dorë nga shtetësia.

- Kushtet e fitimit dhe të lënies së shtetësisë rregullohen me ligj.

- Të gjithë shtetasit që ndodhen jashtë vendit gëzojnë mbrojtjen e shtetit.

Neni 25

Barazia para ligjit

- Të gjithë janë të barabartë në ligj dhe para ligjit.

- Askush nuk mund të diskrimonohet për shkak të seksit, racës, etnisë, gjuhës, fesë, gjëndjes ekonomike dhe financiare, arsimore dhe sociale, bindjes politike, përkatësisë prindërore apo për çdo lloj rrethane tjetër personale.

Neni 26

Të drejtat e pakicave kombëtare

- Personat që i përkasin pakicave kombëtare kanë të drejtë të ushtrojnë pa asnjë lloj diskriminimi dhe në barazi para ligjit të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ato kanë të drejtë të shprehin, ruajnë dhe zhvillojnë lirisht identitetin e tyre etnik, kulturor, fetar, gjuhësor, të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën e tyre amëtare, si dhe të bashkohen në

organizata e shoqata për mbrojtjen e interesave dhe identitetit të tyre. - Kombësia caktohet në bazë të normave ndërkombëtare të pranuara.

Neni 27

E drejta e pronës private dhe e trashëgimisë

- Askujt nuk mund t'i mohohet e drejta të ketë pronë private vetëm ose së bashku me  të tjerë, si dhe e drejta për të trashëguar. Fitimi, gëzimi dhe tjetërsimi i pronës, si dhe e drejta e trashëgimisë rregullohen me ligj.

- Askush nuk mund të shpronësohet, përveç se për një interes publik dhe kundrejt shpërblimit të plotë.

Neni 28

E drejta për punë

- Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si edhe sistemin e kualifikimit profesional të tij.

Neni 29

Liria sindikale

- Të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizatat sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre në fushat e punës dhe të sigurimeve shoqërore.

Neni 30

E drejta për grevë

- E drejta e punonjësve për grevë që synon përmirësimin e kushteve të punës, të pagës ose të çdo përfitimi tjetër nga puna, nuk mund të kufizohet.

- Me ligj caktohen kushtet dhe rregullat e ushtrimit të kësaj të drejte, si dhe garancitë për t'i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.

Neni 31

E drejta për sigurim dhe ndihmë shoqërore

- Kushdo ka të drejtën e sigurimeve shoqërore në pleqëri ose kur është i paaftë për punë, sipas një sistemi të caktuar me ligj.

- Të punësuarit kur mbeten pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tyre, kanë të drejtën e shpërblimit në kushtet e parashikuara me ligj.

Neni 32

Martesa dhe familja

- Kushdo që ka arritur moshën e martesës ka të drejtë të zgjedhë lirisht bashkëshortin dhe të krijojë familje.

- Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtje të veçantë të shtetit.

- Lidhja dhe zgjidhja e martesës rregullohen me ligj.

Neni 33

Mbrojtja e fëmijëve dhe grave

- Fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja kanë të drejtën e një mbrojtjeje të veçantë me ligj.

- Fëmijët e lindur jashtë martese gëzojnë po ato të drejta që kanë fëmijët e lindur nga martesa.

Neni 34

Kujdesi shëndetësor nga shteti

- Të gjithë gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën e kujdesit shëndetësor nga shteti.

- Mjekimi i detyrueshëm bëhet vetëm në dobi të pacientit në rastet e caktuara me ligj.

- Askush nuk mund t'i nënshtrohet eksperimentit mjekësor ose shkencor pa pëlqimin e tij.

Neni 35

E drejta për arsim

- Kushdo ka të drejtën e arsimit falas, që zgjat jo më pak se tetë vjet.

- Arsimi i mesëm i përgjithshëm është i hapur për të gjithë.

- Ndjekja e arsimit të mesëm profesional dhe të lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere profesionale.

- Nxënësit dhe studentët kanë të drejtë të arsimohen edhe në shkollat private.

- Autonomia universitare është e garantuar.

Neni 36

Liria e krijimtarisë dhe e drejta e pronësisë intelektuale

- Secili gëzon lirinë e krijimtarisë në fushat e shkencës, teknikës, letërsisë dhe arteve.

- Të drejtat e autorit mbrohen me ligj.

Neni 37

E drejta e peticionit

- Kushdo ka të drejtë që vetë ose së bashku me të tjerët t'u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve shtetërore kompetente.

Neni 38

Procesi i rregullt ligjor

- Liria, prona ose të drejtat e pranuara me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.

Neni 39

Rivendosja gjyqësore e së drejtës

- Askujt, të cilit i është cenuar një e drejtë e njohur me këtë ligj kushtetues, nuk mund t'i mohohet rivendosja e së drejtës në gjykatë.

Neni 40

Garancia për një gjykim të drejtë

- Askujt nuk mund t'i hiqet e drejta për një gjykim të drejtë, publik dhe të shpejtë nga një gjykatë kompetente, e pavarur dhe e paanshme.

- Prania e publikut dhe e mjeteve të informacionit mund të kufizohet gjatë gjykimit, kur këtë e kërkojnë interesat e rendit ose të moralit publik, të sigurimit kombëtar, të jetës private të palëve ose të drejtësisë.

Neni 41

Kufizimi i përkohshëm i të drejtave

- Ushtrimi i të drejtave të veçanta mund të kufizohet përkohësisht me ligj, në rastin e shpalljes së gjendjes së luftës ose të gjendjes së jashtëzakonshme, me përjashtim të të drejtave të parashikuara në nenet 1 (e drejta për jetën), 2 (liria e shprehjes së mendimit), 3 (ndalimi i torturës), 6 (mosdënimi pa ligj), 8 (garancitë procedurale penale), 9 (mosdetyrimi për pranimin e fajësisë), 18 (liria e ndërgjegjes dhe e fesë), 25 (barazia para ligjit), 39 (rivendosja

gjyqësore e së drejtës), 40 (garancia për një gjykim të drejtë).

Neni 42

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.506, datë 3.4.1993 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,  

Sali Berisha.

 

© GC

 

Trascina file per caricare