The measure is available in the following languages:
PËR DISPOZITAT KRYESORE KUSHTETUESE
(Ligji Nr. 7491, datë 29.4.1991)
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Shqipëria është republikë parlamentare. Sovraniteti kombëtar buron nga populli dhe i përket atij.
Neni 2
Republika e Shqipërisë është shtet juridik dhe demokratik.
Dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, zhvillimi i lirë i personalitetit të tij si dhe rendi kushtetues, barazia para ligjit, drejtësia shoqërore e përkrahja shoqërore dhe pluralizmi janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë e mbrojë ato.
Neni 3
Parimi themelor i organizimit shtetëror është ndarja e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
Populli e ushtron pushtetin nëpërmjet organeve përfaqësuese të tij si dhe me referendum.
Organet përfaqësuese zgjidhen me votim të lirë, të përgjithshëm të barabartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë.
Veprimtaria shtetërore ushtrohet vetëm nga organet e shtetit të njohura me ligj.
Neni 4
Republika e Shqipërisë njeh dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të pakicave kombëtare, të pranuara në dokumentat ndërkombëtare.
Neni 5
Pushteti ligjvënës i takon Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë.
Kryetari i Shtetit është Presidenti i Republikës i zgjedhur nga Kuvendi Popullor.
Të drejtat dhe detyrat e Presidentit përcaktohen me këtë ligj.
Organi më i lartë i pushtetit ekzekutiv është Këshilli i Ministrave.
Të drejtat dhe detyrat e Këshillit të Ministrave përcaktohen me këtë ligj.
Pushtetin gjyqësor e ushtrojnë gjykatat që janë të pavarura dhe udhëhiqen vetëm nga ligji.
Neni 6
Pluralizimi politik është një nga kushtet themelore të demokracisë në shtetin shqiptar.
Partitë politike dhe organizatat e tjera, krijohen dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin. Ato janë krejtësisht të ndara nga shteti.
Ndalohet veprimtaria e partive politike në repartet dhe institucionet ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe përfaqësitë diplomatike jashtë shtetit, në prokuroritë, hetuesitë, gjykatat etj. Mënyra e departizimit dhe e depolitizimit të organeve bëhet me ligj.
Neni 7
Republika e Shqipërisë është shtet laik.
Shteti respekton lirinë e besimit fetar dhe krijon kushte për ushtrimin e tij.
Neni 8
Legjislacioni i Republikës së Shqipërisë merr parasysh, njeh dhe respekton parimet dhe normat përgjithësisht të pranuara, të së drejtës ndërkombëtare.
Zbatimi i përpiktë dhe i njëllojtë i normave juridike është i detyrueshëm për të gjitha organet shtetërore, partitë politike, organizatat e tjera, për nëpunësit, si dhe për personat e tjerë fizikë e juridikë.
Të gjithë shtetasit janë të barabartë përpara ligjit.
Neni 9
Republika e Shqipërisë në marrëdhëniet me jashtë mbron pavarësinë dhe interesat kombëtare, ndjek politikën e bashkëpunimit e të fqinjësisë së mirë, të paqes e të sigurimit ndërkombëtar.
Republika e Shqipërisë kujdeset për njohjen dhe respektimin e të drejtave kombëtare e demokratike të popullsisë shqiptare që jeton jashtë kufijve shtetërorë të Republikës.
Neni 10
Ekonomia e vendit bazohet në shumëllojshmërinë e pronave, iniciativën e lirë të të gjitha subjekteve ekonomike në rolin rregullues të shtetit.
Iniciativa ekonomike e personave juridikë dhe fizikë nuk mund të zhvillohet në kundërshtim me interesin shoqëror dhe nuk duhet të cënojë sigurinë, lirinë dhe dinjitetin e njeriut.
Neni 11
Subjekte të së drejtës së pronësisë janë shteti, personat juridikë dhe fizikë.
Të gjitha llojet e pronësisë gëzojnë mbrojtje të barabartë me ligj.
Pasuritë që përbëjnë objekte të pronës shtetërore përcaktohen me ligj.
Neni 12
Personi juridik e fizik i huaj mund të fitojë të drejtën e pronësisë në kushtet e parashikuara dhe të garantuara me ligj.
Personit të huaj fizik e juridik i garantohet e drejta të kryejë veprimtari ekonomike të pavarur, të investojë brenda vendit, të formojë ndërmarrje të përbashkëta ose të vetën në kushtet e përcaktuara me ligj. I garantohet, gjithashtu, e drejta e riatdhesimit të fitimeve.
Neni 13
Personat juridikë dhe fizikë kanë për detyrë të kontribuojnë në përballimin e shpenzimeve të shtetit në raport me të ardhurat e tyre.
Asnjë taksë apo tatim nuk mund të vendoset veçse me ligj.
Neni 14
Sindikatat e njohura me ligj janë persona juridikë dhe mund të lidhin kontrata pune kolektive me subjektet publike ose private. Mënyra e lidhjes së kontratave përcaktohet me ligj.
KREU II
ORGANET E LARTA TË PUSHTETIT SHTETËROR
A. Kuvendi Popullor
Neni 15
Kuvendi Popullor është organi më i lartë i pushtetit shtetëror dhe i vetmi organ ligjvënës.
Kuvendi Popullor ushtron sovranitetin në emër të popullit e të shtetit, në format dhe caqet e parashikuara në këtë ligj.
Neni 16
Kuvendi Popullor ka këto kompetenca kryesore:
1. Përcakton drejtimet kryesore të politikës së brendshme e të jashtme të shtetit.
2. Miraton e ndryshon Kushtetutën dhe ligjet, vendos përfundimisht mbi pajtueshmërinë e ligjeve me Kushtetutën dhe bën interpretimin e tyre.
3. Miraton projektprogramet ekonomike dhe sociale të zhvillimit të vendit dhe treguesit sintetikë, si dhe buxhetin e shtetit.
4. Vendos për mobilizimin e pjesshëm e të përgjithshëm, për gjendjen e jashtëzakonshme, si edhe për gjendjen e luftës në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë ose, kur kjo është e nevojshme, për të përmbushur detyrime që rrjedhin nga traktatet ndërkombëtare.
5. Ratifikon dhe denoncon:
Traktatet me karakter politik;
Traktatet ose marrëveshjet me karakter ushtarak;
Traktatet ose marrëveshjet që kanë të bëjnë me kufijtë e Republikës së Shqipërisë;
Traktatet ose marrëveshjet që kanë të bëjnë me të drejtat dhe detyrat themelore të shtetasve;
Traktatet që kanë si rrjedhim detyrime financiare për shtetin;
Traktatet ose marrëveshjet që kanë si rrjedhim ndryshime në legjislacion;
Traktatet ose marrëveshjet e tjera në të cilat parashikohet që ratifikimi ose denoncimi i tyre të bëhet nga Kuvendi Popullor.
6. Jep amnistinë.
7. Vendos për referendumet popullore.
8. Zgjedh dhe shkarkon Presidentin e Republikës së Shqipërisë.
9. Zgjedh, emëron dhe shkarkon Gjykatën e Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe zëvendësit e tij.
10. Kontrollon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.
11. Kontrollon veprimtarinë e RTSH, të ATSH dhe të mjeteve të tjera zyrtare të informacionit publik, të cilat varen prej tij. Statusi i këtyre organeve caktohet me ligj.
12. Cakton strukturën administrativo-tokësore të vendit.
13. Vendos krijimin ose prishjen e ministrive dhe të organeve të tjera të njësuara me to.
Neni 17
Kuvendi Popullor përbëhet nga 250 deputetë.
Kuvendi Popullor zgjidhet për një kohë prej katër vjetësh.
Kuvendi Popullor thirret në sesionin e parë jo më vonë se dy muaj nga dita e zgjedhjes.
Zgjedhjet e Kuvendit Popullor bëhen jo më vonë se tre muaj nga dita e mbarimit të mandatit të tij.
Në raste lufte ose gjendjeje të jashtëzakonshme Kuvendi Popullor mund ta zgjatë veprimtarinë e vet përtej afatit të caktuar, derisa të vazhdojë lufta ose gjendja e jashtëzakonshme.
Neni 18
Kuvendi Popullor zgjedh Kryesinë e vet, e cila përbëhet nga kryetari dhe dy zëvendëskryetarët.
Veprimtaria e Kuvendit Popullor dhe e Kryesisë së tij zhvillohen sipas rregullores së miratuar prej tij.
Neni 19
Kuvendi Popullor mblidhet në sesione jo më pak se katër herë në vit.
Sesionet e Kuvendit Popullor thirren me vendim të Kryesisë së tij. Kryesia thërret sesionin e Kuvendit Popullor edhe kur kjo kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Këshilli i Ministrave ose nga një e katërta e deputetëve.
Mbledhjet e Kuvendit Popullor hapen kur është e pranishme shumica e deputetëve.
Mbledhjet e Kuvendit Popullor bëhen të hapura, me përjashtim të rasteve të veçanta kur Kuvendi Popullor vendos ndryshe.
Neni 20
Kuvendi Popullor zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme dhe të përkohshme.
Kuvendi Popullor në sesionin e tij të parë zgjedh një komision për shqyrtimin e mandatave të deputetëve. Me propozimin e këtij komisioni Kuvendi Popullor vërteton ose anulon mandatat e deputetëve.
Komisionet e përhershme kanë për detyrë të shqyrtojnë projektligjet dhe dekretet normative të Presidentit të Republikës, të ndjekin e të kontrollojnë veprimtarinë e ministrive e të organeve të tjera shtetërore sipas sektorëve përkatës dhe t’i parashtrojnë probleme Kuvendit Popullor ose Këshillit të Ministrave. Komisionet e përkohshme krijohen për çështje të caktuara.
Neni 21
Deputeti i Kuvendit Popullor në veprimtarinë e tij ka për detyrë t’u shërbejë me ndërgjegje popullit dhe atdheut. Të drejtat dhe detyrat e deputetit caktohen me ligj.
Neni 22
Deputeti i Kuvendit Popullor gëzon imunitet.
Deputeti nuk mund të pengohet në ushtrimin e detyrave të tij, si dhe në sigurimin e të dhënave që nuk përbëjnë sekret shtetëror.
Deputeti nuk mund të kontrollohet, të ndalohet, të arrestohet ose të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Kuvendit Popullor. Deputeti mund të ndalohet pa pëlqimin e Kuvendit Popullor, vetëm në rastet kur kryen një krim të dukshëm e të rëndë.
Deputeti nuk ka përgjegjësi ligjore për veprimet që kryen e qëndrimet që mban gjatë ushtrimit të detyrës së tij si deputet ose për votën e dhënë.
Neni 23
Iniciativa ligjvënëse u përket Presidentit të Republikës, Këshillit të Ministrave, çdo deputeti, si dhe një grupi prej 20 000 shtetasish me të drejtë vote.
Ligjet dhe aktet e tjera të Kuvendit Popullor, përveç atyre kushtetues, quhen të miratuara, kur ka votuar për to shumica e deputetëve të pranishëm, por jo më pak se 1/3 e deputetëve.
Ligjet shpallen jo më vonë se 15 ditë pas miratimit dhe hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit të tyre në Gazetën Zyrtare, duke përjashtuar rastet kur parashikohet ndryshe nga vetë ligjet si dhe rastet e ligjeve organike.
B. Presidenti i Republikës së Shqipërisë
Neni 24
Presidenti i Republikës së Shqipërisë është kryetari i shtetit dhe përfaqëson mbarë unitetin e popullit.
Neni 25
Presidenti i Republikës së Shqipërisë zgjidhet nga Kuvendi Popullor ndërmjet jo më pak se dy kandidatëve për pesë vjet, me votim të fshehtë, dhe me një shumicë prej dy të tretash të votave të të gjithë deputetëve. Në rast se në votimin e parë nuk sigurohet shumica e kërkuar, bëhet një votim i dytë në të cilin Presidenti i Republikës zgjidhet me shumicën absolute të votave të të gjithë deputetëve.
Kandidati për President i propozohet Kuvendit Popullor nga një grup deputetësh prej jo më pak se 30 vetash.
Në rast se për funksionin e Presidentit të Republikës janë më shumë se dy kandidatë, në votimin e dytë kanë të drejtë të paraqiten dy kandidatët që kanë fituar numrin më të madh të votave në votimin e parë. Quhet i zgjedhur kandidati që fiton shumicën absolute të votave të të gjithë deputetëve.
Neni 26
President i Republikës mund të zgjidhet çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 40 vjeç dhe që plotëson kushtet për t’u zgjedhur deputet.
Presidenti i Republikës pasi zgjidhet nga Kuvendi Popullor, bën betimin para tij.
Zgjedhja e Presidentit të Republikës bëhet jo më vonë se 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të Presidentit të mëparshëm.
I njëjti person nuk mund të zgjidhet President i Republikës më shumë se dy herë radhazi.
Në rast se Presidenti i Republikës zgjidhet nga radhët e deputetëve, ai heq dorë nga mandati i deputetit.
Funksioni i Presidentit është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër, veç atyre të parashikuara me këtë ligj.
Neni 27
Presidenti i Republikës shkarkohet ose lirohet përpara mbarimit të mandatit të tij, vetëm kur:
a) ka kryer krimin e tradhtisë ndaj Atdheut ose ka shkelur këtë ligj;
b) gjendja shëndetësore e tij nuk lejon përmbushjen e detyrave;
c) ka dhënë dorëheqjen me vullnetin e tij të lirë.
Neni 28
Presidenti i Republikës ka këto kompetenca kryesore:
1. Siguron respektimin e këtij ligji, të ligjeve të tjera dhe të të drejtave e lirive të shtetasve.
2. Thërret sesionin e parë të legjislaturës së re të Kuvendit Popullor.
3. Cakton datën e zgjedhjeve të Kuvendit Popullor dhe të organeve lokale të pushtetit.
4. Shpall ligjet dhe referendumet e vendosura nga Kuvendi Popullor.
5. Ka të drejtë, brenda 15 ditëve nga miratimi i ligjit prej Kuvendit Popullor, t’ia kthejë këtij për rishqyrtim vetëm një herë.
6. Emëron Kryetarin e Këshillit të Ministrave dhe pranon dorëheqjen e tij.
7. Midis dy sesioneve të Kuvendit Popullor, me propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, emëron, shkarkon ose liron anëtarë të veçantë të Qeverisë. Këtë dekret Presidenti i Republikës ia paraqet për miratim Kuvendit Popullor në mbledhjen e tij më të afërt.
8. Emëron dhe shkarkon, me propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore.
9. Mund, pasi merr mendimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe të Kryetarit të Kryesisë së Kuvendit Popullor, të shpërndajë Kuvendin Popullor përpara mbarimit të afatit të legjislaturës, kur përbërja e tij nuk lejon ushtrimin e funksioneve të vetë Kuvendit dhe e bën të pamundshme qeverisjen e vendit. Në këtë rast, zgjedhjet e Kuvendit Popullor ribëhen jo më vonë se 45 ditë nga dita e shpërndarjes.
Këtë kompetencë Presidenti nuk mund ta ushtrojë në periudhën 6 muajt e fundit të mandatit të tij.
10. Lidh traktate ndërkombëtare, ratifikon dhe denoncon ato që nuk i shqyrton vetë Kuvendi Popullor.
11. Emëron dhe shkarkon përfaqësuesit diplomatikë me propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave.
12. Pranon letrat kredenciale dhe letrat e thirrjes së përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të huaja.
13. Miraton kërkesat për dhënien ose lënien e shtetësisë shqiptare.
14. Ushtron të drejtën e faljes.
15. Jep dekorata dhe tituj nderi.
16. Jep të drejtën e strehimit politik.
17. Shpall, kur është e pamundur të mblidhet Kuvendi Popullor, mobilizimin e pjesshëm dhe të përgjithshëm, si edhe gjendjen e jashtëzakonshme. Në këto raste, shpallja i paraqitet për miratim Kuvendit Popullor brenda pesë ditëve.
18. Shpall, kur është e pamundur të mblidhet Kuvendi Popullor, gjendjen e luftës në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë.
19. Nxjerr dekrete me karakter individual dhe vendime; në raste të ngutshme nxjerr edhe dekrete me karakter normativ, të cilat i paraqiten për miratim Kuvendit Popullor në sesionin më të afërt.
Neni 29
Aktet që nxjerr Presidenti i Republikës për ushtrimin e kompetencave të parashikuara në pikat 10, 11 dhe 19 të nenit 28 të këtij ligji, marrin fuqi juridike mbasi kundërfirmohen, sipas rastit, nga Kryetari i Këshillit të Ministrave ose nga ministri përkatës apo nga personat e tyre të njësuar me to.
Neni 30
Kur vendi i Presidentit të Republikës mbetet vakant për çfarëdo arsye, kompetencat e tij i ushtron përkohësisht Kryetari i Kryesisë së Kuvendit Popullor, me përjashtim të atyre të parashikuara në pikat 5, 6, 7, 9 dhe 19-të të nenit 28 të këtij ligji.
Zgjedhja e Presidentit të Republikës bëhet jo më vonë se 15 ditë nga dita kur vendi i Presidentit ka mbetur vakant.
Neni 31
Presidenti i Republikës nuk përgjigjet për aktet e kryera gjatë ushtrimit të funksionit të tij, me përjashtim të rasteve të tradhtisë ndaj atdheut ose të shkeljes të këtij ligji.
Në raste të tilla, çështja e përgjegjësisë mund të shtrohet në Kuvendin Popullor me kërkesën e jo më pak se një të katërtës së deputetëve. Vendimi përkatës merret me votim të fshehtë me një shumicë prej dy të tretash të deputetëve.
Neni 32
Presidenti i Republikës së Shqipërisë është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kryetari i Këshillit të Mbrojtjes.
Këshilli i Mbrojtjes krijohet për drejtimin, organizimin e mobilizimin e të gjitha forcave dhe të burimeve të vendit për mbrojtjen e Atdheut.
Përbërja e Këshillit të Mbrojtjes caktohet nga Kuvendi Popullor me propozimin e Kryetarit të Këshillit të Mbrojtjes.
KREU III
ORGANET E LARTA TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE
Neni 33
Këshilli i Ministrave është organi më i lartë ekzekutiv dhe urdhërdhënës.
Këshilli i Ministrave emërohet në sesionin e parë të Kuvendit Popullor.
Presidenti i Republikës emëron Kryetarin e Këshillit të Ministrave dhe me propozimin e këtij edhe ministrat.
Përbërja e Qeverisë dhe programi i saj miratohen nga Kuvendi Popullor me shumicë votash, brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes.
Në rast se nuk merr votëbesimin, Kryetari i Këshillit të Ministrave i paraqet menjëherë dorëheqjen Presidentit të Republikës, i cili cakton Kryetarin e ri të Këshillit të Ministrave.
Para marrjes së funksioneve, Kryetari i Këshillit të Ministrave dhe ministrat i betohen Presidentit të Republikës.
Neni 34
Deputetët kanë të drejtë të paraqesin në çdo kohë një mocion mosbesimi ndaj Këshillit të Ministrave ose anëtarëve të veçantë të tij. Mocioni i mosbesimit duhet të nënshkruhet nga të paktën një e dhjeta e deputetëve dhe nuk mund të shqyrtohet nga Kuvendi Popullor pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij.
Mosmiratimi nga Kuvendi Popullor i një propozimi të paraqitur nga Qeveria nuk sjell si pasojë dorëheqjen e detyrueshme të Qeverisë.
Neni 35
Në përbërjen e Këshillit të Ministrave hyjnë: Kryetari, zëvendëskryetarët, ministrat dhe persona të tjera të përcaktuar me ligj.
Në përbërjen e Këshillit të Ministrave mund të jetë çdo shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë dhe që gëzon të drejtën e zgjedhjes.
Anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet të ketë, përveç mandatit të deputetit, asnjë funksion tjetër shtetëror e profesional dhe as të marrë pjesë në organizma drejtues të organizatave ekonomike e tregtare.
Anëtari i Këshillit të Ministrave mund ta lërë postin e tij vakant edhe kur nuk siguron votëbesimin ose kur jep dorëheqjen.
Këshilli i Ministrave është organ kolegjial. Vendimet merren kur miratohen nga shumica absolute e anëtarëve të tij.
Ministrat përgjigjen kolegjialisht për aktet e Këshillit të Ministrave dhe individualisht për aktet e dikastereve të tyre.
Përbërja, atributet dhe organizimi i Këshillit të Ministrave rregullohen me ligj.
Neni 36
Këshilli i Ministrave ka këto kompetenca kryesore:
1. Drejton veprimtarinë për realizimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të shtetit.
2. Nxjerr vendime, urdhëresa e udhëzime në bazë të Kushtetutës e të ligjeve dhe për zbatimin e tyre; ato nënshkruhen nga Kryetari i Këshillit të Ministrave dhe, kur kanë karakter normativ, botohen në Gazetën Zyrtare, me përjashtim të rasteve të veçanta të parashikuara me ligj.
3. Drejton dhe kontrollon veprimtarinë e ministrive e të organeve të tjera qendrore të administratës shtetërore.
Koordinon dhe mbikqyr veprimtarinë e organeve lokale të administratës duke siguruar zbatimin e detyrueshëm e të njëjtë të ligjeve e të akteve të Qeverisë.
4. Drejton veprimtarinë për plotësimin e detyrave në fushën e mbrojtjes së vendit, në përputhje me vendimet e Këshillit të Mbrojtjes.
5. Merr masat për sigurimin, ruajtjen dhe forcimin e rendit juridik dhe të të drejtave të shtetasve.
6. Lidh marrëveshje ndërkombëtare, miraton dhe denoncon ato që nuk i nënshtrohen ratifikimit.
7. Harton programet ekonomike e sociale të zhvillimit të vendit dhe treguesit ekonomikë sintetikë, buxhetin e shtetit, ndjek e kontrollon zbatimin e tyre, bashkërendon, disiplinon dhe kontrollon financat e shtetit dhe sistemin monetar e të kreditit.
8. Bën ndarjen ose bashkimin e njësive administrativo-tokësore.
9. Merr masa për të siguruar ruajtjen e mbrojtjen e mjedisit, kushtet e përshtatshme të punës dhe mbrojtjen e zhvillimin e shëndetit të shtetasve.
Neni 37
Këshilli i Ministrave shfuqizon aktet e paligjshme të ministrave dhe të organeve të tjera qendrore të administratës shtetërore.
Neni 38
Kryetari dhe zëvendëskryetarët e Këshillit të Ministrave përbëjnë Kryesinë e Këshillit të Ministrave.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, Kryesia mund të ngarkohet për shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të ndryshme që janë në kompetencën e tij.
Kryetari i Këshillit të Ministrave përfaqëson Këshillin e Ministrave, kryeson mbledhjet e tij, drejton veprimtarinë e tij të përgjithshme dhe përgjigjet për të, siguron unitetin e drejtimit politik dhe administrativ të Qeverisë, duke bashkërenduar punët e ministrive dhe të institucioneve të tjera qendrore.
Neni 39
Ministrat dhe personat e tjerë të barazuar me ta, drejtojnë ministritë dhe institucionet qendrore në degë të caktuara veprimtarie.
Ministrat përgjigjen për veprimtarinë e ministrive përkatëse.
Ministrat, për çështjet që janë në kompetencën e tyre, nxjerrin urdhra, rregullore e udhëzime në bazë të ligjeve dhe të urdhëresave e të vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe për zbatimin e tyre. Aktet e ministrave me karakter normativ botohen në Gazetën Zyrtare, me përjashtim të rasteve të veçanta të parashikuara me ligj.
Neni 40
Ministrat shfuqizojnë urdhrat e udhëzimet e paligjshme të organeve, të ndërmarrjeve e të institucioneve që varen prej tyre.
Neni 41
Anëtarët e Këshillit të Ministrave përgjigjen penalisht për shkeljen e këtij ligji si dhe të ligjeve të tjera në lidhje me ushtrimin e funksioneve të tyre. Ndjekja penale bëhet me miratim të Kuvendit Popullor.
KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 42
Krijimi, organizimi dhe veprimtaria e organeve lokale të pushtetit, të administratës, të gjykatës dhe të prokurorisë bëhen sipas rregullave të caktuara me dispozitat ligjore ekzistuese, me përjashtim të atyre që vijnë në kundërshtim me këtë ligj.
Hetuesia varet administrativisht nga ministri i Drejtësisë.
Neni 43
Projektet për ndryshimet në këtë ligj mund të paraqiten prej Presidentit të Republikës së Shqipërisë, prej Këshillit të Ministrave ose prej një të katërtës së deputetëve.
Miratimi i ndryshimeve bëhet nga Kuvendi Popullor me një shumicë prej dy të tretash të të gjithë deputetëve.
Neni 44
Dispozitat e këtij ligji veprojnë deri në miratimin e Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, projekti i së cilës do të hartohet nga Komisioni i Posaçëm i ngarkuar nga Kuvendi Popullor.
Përbërja e komisionit dhe afati i paraqitjes së projektit të Kushtetutës caktohen me vendim të veçantë të Kuvendit Popullor.
Neni 45
Kushtetuta e RPSSH, e miratuar më 28.12.1976, si dhe ndryshimet e mëvonshme të saj, shfuqizohen.
Neni 46
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.
PËR KUVENDIN POPULLOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË | |
| |
KRYETARI I KRYESISË Kastriot Islami | |
| |
ZV/KRYETARI I KRYESISË | ZV/KRYETARI I KRYESISË |
Lush Përpali | Aleksandër Meksi |
©GC