The measure is available in the following languages:
PËR MBROJTJEN E PASURISË KULTURORE TË LUAJTSHME DHE TË PALUAJTSHME
(Ligji Nr. 7867, datë 12.10.1994)
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” me propozim të Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I :
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Pasuritë kulturore të luajtshme e të paluajtshme që ekzistojnë dhe zbulohen në tokat private e shtetërore, në lumenj, liqene e në shelfin kontinental mbrohen nga shteti.
Trajtimi dhe ruajtja e pasurive kulturore bëhet nga shteti, dhe kur është e nevojshme në bashkëpunim me persona juridikë a fizikë.
Neni 2
Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve është ngarkuar për konservimin e pasurive kulturore dhe ndihmon për mirëmbajtjen e ruajtjen e tipareve të veçanta, njohjen dhe studimin e tyre.
Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe institucionet shkencore, bën regjistrimin e pasurive kulturore pronë e çdo personi juridik e fizik.
Çdo person juridik a fizik është i detyruar të ruajë tërësinë e vlerave kulturore e historike të pasurive kulturore që ka ose i merr në përdorim dhe i shfrytëzon sipas akteve të lidhura me institucionet përgjegjëse.
Neni 3
Pronari i tokës nuk ka të drejtë të shesë e zhvendosë pasuritë kulturore që gjënden në sipërfaqen e tokës së tij. Ai nuk ka të drejtë të kryejë punime për zbulimin e pasurive kulturore të tokës së tij, qoftë kjo tokë bujqësore a truall në qytet ose në fshat.
Neni 4
Është i ndaluar dëmtimi, transportimi ose zhvendosja dhe ndryshimi i karakteristikave të pasurive kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme. Ndalohet të vendosen pllakate dhe reklama në zonat arkeologjike dhe monumentet e kulturës të regjistruara e që janë nën mbrojtjen shtetërore, pa autorizimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Asnjë ndërtim i ri nuk mund të kryhet mbi rrënojat e pasurive kulturore të paluajtshme, asnjë hapje nuk mund të bëhet në godinat historike dhe muret rrethuese dhe as ndonjë ndërhyrje tjetër që prek tërësinë e tyre. Asnjë material ndërtimi, pjesë ose fragmente ndërtimore nuk mund të merren nga zonat arkeologjike e historike.
Neni 5
Ndalohet përdorimi i dedektorëve metalikë në zonat arkeologjike dhe monumentet e kulturës, pa autorizimin e institucioneve përkatëse.
KREU II
PASURI KULTURORE TË LUAJTSHME
Neni 6
Pasuri kulturore të luajtshme konsiderohen objektet të cilat nga natyra e tyre nuk janë bërë për të qënë të lidhura me terrenin ose objektin dhe mund të zhvendosen pa u dëmtuar.
Pasuritë kulturore të luajtshme ruhen në muzetë kombëtare, muzetë e tjerë lokalë, institucionet shkencore, bibliotekat, arkivat dhe institucionet e tjera shtetërore ose private, për qëllime studimi, restaurimi dhe ekspozimi.
Neni 7
Personave juridikë vendas mund t’u jepen për një periudhë të përcaktuar për qëllime restaurimi dhe mbrojtje, pasuri kulturore të luajtshme, sipas kritereve të caktuara për to me akte të Këshillit të Ministrave.
Neni 8
Çdo person juridik a fizik që zotëron një pasuri kulturore të luajtshme, brenda 1 viti nga data e daljes së këtij ligji, duhet ta deklarojë atë pranë organeve të kulturës në pushtetin lokal ose institucionet e specializuara.
Kur personat e mësipërm shkelin këtë afat, ata gjobiten sipas sanksioneve të parashikuara në këtë ligj.
Neni 9
Çdo person juridik a fizik që ka në pronësi një objekt të regjistruar si pasuri kulturore të luajtshme, është i detyruar të krijojë kushte të mira për mirëmbajtjen e tij. Ai ka të drejtë ta shesë atë brenda vendit, sipas autorizimit të lëshuar nga komisionet e ngritura me miratimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Neni 10
Çdo person juridik a fizik që zbulon ose gjen në çfarëdo mënyre një objekt kulturor, brenda dy javëve nga data e këtij zbulimi ose gjetjeje, të njoftojë organet e kulturës në pushtetin lokal ose institucionet e specializuara, duke deklaruar mënyrën e gjetjes së objekteve kulturore dhe vendin ku është gjetur.
Pas deklarimit të objektit, komisionet e ngritura për këtë qëllim përcaktojnë nëse gjetësi mund ta mbajë atë vetë apo objekti të kalojë në mbrojtje të shtetit. Mënyrat dhe procedurat e vlerësimit të objektit kulturor përcaktohen me akte të Këshillit të Ministrave.
Neni 11
Pasuritë kulturore nuk dhurohen ose shkëmbehen ndërmjet institucioneve analoge me shtetet e tjera, me përjashtim të rasteve të veçanta, kur i shërbejnë interesave kombëtare që përcaktohen me akte të Këshillit të Ministrave.
Pasuritë kulturore unikale nuk dhurohen ose shkëmbehen në asnjë rast.
Neni 12
Kriteret për importin dhe eksportin e pasurive kulturore dhe kalimi i tyre tranzit, përcaktohen me marrëveshje dypalëshe, sipas konventës ndërkombëtare “Për masat, ndalimet dhe parandalimet e importit të paligjshëm, eksportit dhe transferimit të pasurive kulturore” (14.11.1970), si dhe konventave të tjera ndërkombëtare.
Kur vërtetohet se një objekt është pasuri kulturore e vendit tonë që ndodhet në një vend tjetër dhe anasjelltas, importimi ose eksportimi bëhet vetëm pas kërkesës zyrtare dhe dokumenteve juridike e shkencore të paraqitura nga pala kërkuese, si dhe sipas kritereve të përcaktuara me akte të Këshillit të Ministrave.
Kur një objekt i pasurisë kulturore eksportohet në mënyrë të paligjshme, shteti shqiptar bëhet automatikisht pronar i këtij objekti, pa domosdoshmërinë e konfiskimit apo të ndonjë veprimi tjetër.
Neni 13
Tregtimi i pasurive kulturore të luajtshme, të lejuara për t’u tregtuar bëhet mbi bazën e dispozitave ligjore në fuqi dhe autorizimit të lëshuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sipas rekomandimit të komisionit të specialistëve.
KREU III
PASURITË KULTURORE TË PALUAJTSHME
Neni 14
Pasuri kulturore të paluajtshme do të quhen objektet ndërtimore me vlera historike, dokumentare, artistike, urbanistike të gjinive dhe epokave të ndryshme në gjendje rrënoje apo të shfrytëzueshme.
Objektet që janë pjesë integrale të një strukture të monumentit të kulturës, lëvizja e të cilave mund të cenojë ose gjymtojë vlerat historike, arkeologjike, shkencore, artistike, sociale ose teknike të objektit, do të konsiderohen si të palëvizshme.
Neni 15
Studimi dhe restaurimi i pasurive kulturore të paluajtshme të shpallura monument kulture ose që janë në mbrojtje paraprake, bëhet nga institucionet shtetërore të specializuara për këtë qëllim ose persona juridikë të kualifikuar e që kanë autorizimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Neni 16
Ansamblet monumentale, qytetet muze dhe monumentet me karakter kompleks shpallen pasuri kulturore dhe vihen në mbrojtje të shtetit nga Kryesia e Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve.
Neni 17
Monumenteve të kulturës si ansambleve, kështjellave ose qyteteve muze u përcaktohet një sipërfaqe toke ose truall përreth, zonë mbrojtëse, nga institucionet për ruajtjen dhe restaurimin e monumenteve.
Për momumentet e veçanta, sipërfaqja minimale e mbrojtur duhet të jetë aq sa nevojitet për mbrojtjen dhe soditjen e tyre, kurse për ansamblet 40 m2. Për qytetet muze kufijtë përcaktohen nga Kryesia e Këshillit të Ministrave.
Neni 18
Gërmimi, restaurimi, përdorimi dhe çdo veprim tjetër në monumentet e kulturës, si dhe çdo ndryshim në truallin e vënë në mbrojtje përreth tyre, nuk mund të bëhet pa autorizimin e institucionit përkatës për mbrojtjen e monumenteve.
Tjetërsimi dhe zhvendosja e monumenteve kulturore bëhet me propozimin e institucionit të ngarkuar për mbrojtjen e tyre me lejë të organeve të pushtetit lokal dhe me miratimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve.
Neni 19
Shteti ka të drejtën e shpronësimit të objekteve pasuri kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të personave juridikë a fizikë kur ato janë të një rëndësie të veçantë kulturore historike ose kur këtë e dikton nevoja e mbrojtjes së tyre. Propozimi në këtë rast bëhet nga institucioni i ngarkuar për mbrojtjen e tyre dhe miratohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve.
Neni 20
Në monumentet e kulturës mund të kryhen punime gërmimi e restaurimi në bashkëpunim me institucionet e huaja të specializuara, në bazë të kontratave e marrëveshjeve dypalëshe, duke përjashtuar ekskluzivitetin e institucioneve të huaja.
Për çdo rast institucioni kompetent që vendos për bashkëpunim, merr miratimin për ndërhyrje në monumente nga organi më i lartë.
Neni 21
Fondet për restaurimin e monumenteve sigurohen nga buxheti i shtetit, nga fondacione të ndryshme ose prej organizatave e institucioneve të huaja shtetërore e private, nga persona privatë, si dhe nga të ardhurat për përdorimin e monumenteve.
Fondet e siguruara nga përdorimi i monumenteve të kulturës vihen tërësisht në dispozicion të resturimit dhe shërbimit ndaj monumenteve.
Neni 22
Për monumentet pronë private të kategorisë së parë, shpenzimet e punimeve të restaurimit përballohen 50 për qind nga shteti. Për monumentet e kategorisë së dytë në zonat muze të qyteteve muze përballohen në masën 25 për qind nga shteti. Në rastet kur personat privatë nuk shlyejnë detyrimet e tyre, objekti kalon në pronësi të shtetit.
Neni 23
Kur në monumentet e kulturës kryhen punime pa autorizimin e institucioneve të ngarkuara për këtë qëllim, organi i pushtetit lokal, nën juridiksionin e të cilit ndodhet monumenti i kulturës, urdhëron kthimin në gjendjen e mëparshme të monumenteve të kulturës shtetërore ose private. Urdhëri është titull ekzekutiv. Shpenzimet për kthimin e objektit në gjendjen e mëparshme përballohen nga dëmtuesi.
Në rast se shkaktohen dëme, dëmtuesi ndiqet penalisht.
Neni 24
Monumentet e paluajtshme të kulturës pronë private, mund të shiten. Shteti gëzon të drejtën e parablerjes. Për çdo veprim të kësaj natyre vihen në dijeni institucionet e specializuara për mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve.
Neni 25
Kur gjatë punimeve të ndryshme zbulohen rrënoja të herëshme, punimet e filluara ndërpriten menjëherë dhe institucionet, ndërmarrjet ose shtetas të veçantë që i zbulojnë ato, detyrohen të njoftojnë menjëherë institucionin për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, i cili është i detyruar të dërgojë përfaqësues në vend brenda 48 orëve nga data e marrjes së njoftimit.
Punimet e filluara mund të pësojnë ndryshime ose të ndërpriten përkohësisht a përfundimisht, nëse e kërkon nevoja e mbrojtjes së monumentit. Kur vendimi i institucionit të ngarkuar për mbrojtjen e monumenteve kundërshtohet, çështja vendoset përfundimisht nga organi më i lartë. Shpenzimet që kërkohen për ndryshimet, si dhe ato të humbura nga pezullimi i punimeve a ndalimi i tyre, përballohen nga financuesi i punimeve.
Neni 26
Institucionet që merren me studimin dhe hartimin e projekteve e të planeve rregullues të qendrave të banuara, detyrohen të zbatojnë këtë ligj dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, qendrave historike dhe qyteteve muze.
Neni 27
Ndalohen grumbullimet masive në monumentet e kulturës, kur ato rrezikojnë ose cenojnë vlerat e tyre.
Neni 28
Monumentet e kulturës mund të përdoren me kusht që funksioni i ri të mos dëmtojë vlerat e monumentit. Për çdo rast shfrytëzimi i monumentit të kulturës lejohet vetëm pasi të jetë lidhur kontrata ndërmjet përdoruesit dhe institucionit të ngarkuar për mbrojtjen.
Neni 29
Heqja e plotë a e pjesshme e monumentit të kulturës nga mbrojtja shtetërore është e drejtë ekskluzive e organit i cili e ka shpallur atë.
Neni 30
Çdo person juridik a fizik ose bashkëpunëtorët e tyre që tentojnë të eksportojnë a që kanë eksportuar pasuri kulturore, si dhe kanë kryer dëmtime e veprime në pasuritë kulturore të luajtshme e të paluajtshme në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, kur shkeljet nuk përbëjnë vepër penale, dënohen për kundërvajtje administrative me gjobë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë.
Të drejtën e gjobës e kanë personat e ngarkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Akademia e Shkencave.
Ankim kundër vendimit të dënimit me gjobë dhe ekzekutimi bëhet sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara në ligjin “Për kundërvajtjet administrative”.
Shuma e arkëtuar nga vjelja e gjobave derdhet 50 për qind në buxhetin e shtetit dhe 50 për qind në favor të institucioneve që kanë në administrim pasurinë kulturore.
Neni 31
Këshilli i Ministrave ngarkohet të nxjerrë aktet për sigurimin, studimin, regjistrimin, mbrojtjen dhe restaurimin e pasurive kulturore të cilat janë të detyrueshme për institucionet, ndërmarrjet, organizatat e ndryshme dhe shtetasit.
Mbrojtja e pasurive që kanë vlera kulturore e historike kombëtare, bëhet nga organet kompetente, sipas listës së objekteve të përcaktuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve e të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Neni 32
Dekreti nr.4874, datë 23.9.1971 “Për mbrojtjen e monumenteve kulturore e historike dhe pasurive natyrore të rralla”, shfuqizohet.
Neni 33
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shpallur me dekretin nr.951, datë 27.10.1994 të
Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha
© GC