The measure is available in the following languages:
PER TRASHEGIMINE KULTURORE
(Ligji nr. 90 48, dt. 07.04.2003)
Në mbështetje të neneve 59 pika 1 shkronja “g”, 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I I REPUBLIKES SE SHQIPERISE
V E N D O S I :
KREU I
DISPOZITA TE PERGJITHSHME
Neni 1
Ky ligj ka për qëllim shpalljen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Objekti i këtij ligji janë vlerat e trashëgimisë kulturore, parashikimi i rregullave për mbrojtjen e saj dhe detyrat e përgjegjësitë e organeve që veprijnë në këtë fushë.
Neni 3
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime :
1.”Ansambël arkitekturor” është tërësia e një numri ndërtesash, të cilat i lidh një koncept i njëjtë krijues.
2.”Ansambël historik” është bashkësia e vlerave urbanistiko-arkitektonike me vlera historike.
3.”Ansambël muzeal” është bashkësia e vlerave urbanistiko-arkitektonike që mbrohet nga shteti.
4.”Ansambël urban” është bashkësia e vlerave urbanistiko-arkitektonike me një qendër qytetare, e cila mund të formohet prej një ose disa pjesëve të një zone banimi.
5.”Ansambël urbanistik, arkitektonik, tradicional” është tërësia urbanistiko-arkitektonike e një qendre të banuar, e formuluar sipas kritereve kompozicionale të së kaluarës. 6.”Arkitekturë tradicionale” është arkitektura e së kaluarës me zbatim kohor relativisht të gjërë.
7.”Dëmtim” është ndërhyrja në dëm të pasurisë kulturore, materiale ose jomateriale, që cënon funksionin ose pamjen origjinale të këtyre pasurive.
8.”Folklor gojor” është teksti i krijimit popullor, i pashoqëruar me muzikë, i cili lexohet ose tregohet.
9.”Folklor instrumental” është krijimi muzikor popullor i interpretuar me vegla muzikore popullore.
10.”Folklor koreografik” janë valet dhe krijimet që kërcehen me ose pa shoqërim muzikor.
11.”Folklor vokal” janë krijimet muzikore të kënduara ose të interpretuara me tekst dhe muzikë.
12.”Institucione shtetërore të specializuara” janë Instituti i Monumenteve të Kulturës, Institutit i Arkeologjisë, Instituti i Kulturës Popullore, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore, Arkivi i Filmit dhe Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike Kulturore.
13.”Inventarizim” është regjistrimi dhe identifikimi i objekteve të trashëgimisë kulturore.
14.”Katalogim informatik” është regjistrimi i të dhënave, sipas kritereve të caktuara shkencore, për identifikimin dhe administrimin e shpejtë të pasurive kulturore.
15.”Mbrojtje” është mënyra dhe forma e natyrës juridike ose jo të ruajtjes, mirëmbajtjes, rindërtimit, restaurimit ose konservimit të pasurisë së trashëgimisë kulturore.
16.”Monument kulture” është objekti ose ndërtimi me vlera historiko-kulturore që mbrohet nga shteti.
17.”Objekt në mbrojtje paraprake” është pasuria kulturore, materiale, në pritje për t’u shpallur monument kulture nga organi përgjegjës.
18.”Objekt nën vrojtim” është pasuria kulturore e pashpallur monument kulture, në shqyrtim për t’u përfshirë në mbrojtje nga shteti.
19.Objekt unikal” është vepra arkitektonike me përdorim të zakonshëm ose me funksione artistike a zbukuruese dhe që, deri në çastin e dhënë, është identifikuar si e vetme në trashëgiminë kulturore e materiale.
20.”Park arkeologjik” është hapësira me vlera mjedisore, në të cilën ruhen rrënoja ndërtimore, të zbuluara prej gërmimeve arkeologjike që mbrohen nga shteti.
21.”Pasaporta e objektit” është kartela e identifikimit të një objekti të trashëgimisë kulturore, ku vendosen fotografia e objektit, filmimet, skicat, vendndodhja, përmasat, pesha, materiali, kodi komjuterik, autori, vendi i ruajtjes, përshkrimi dhe historiku.
22.”Qendër arkeologjike” është hapësira ku ruhen mbi e nën tokë monumente dhe objekte arkeologjike.
23.”Qendër historike” është ansambli qytetar ose fshatar me vlera historiko-kulturore që mbrohet nga shteti.
24.”Qytet muze” është qendra qytetare që mbrohet nga shteti për vlerat historiko-kulturore.
25.”Restaurim” është vlerësimi i thelbit origjinal të monumenteve nëpërmjet ndërhyrjeve për ndalimin e degradimeve të mëtejshme dhe nxjerrjes në pah të vlerave të tyre.
26.”Status i objektit” është gjendja juridike e një objekti.
27.”Trashëgimi me vlera kombëtare” është pasuria kulturore, materiale ose shpirtërore me vlera historiko-kulturore për kombin.
28.”Trashëgimi me vlera muzeale” është pasuria kulturore, materiale, e cila për vlerat e veta historiko-kulturore ose artistike, meriton të ruhet në muze të profileve të ndryshme.
29.”Trashëgimi me vlera të veçanta” është pasuria kulturore, materiale ose shpirtërore me vlera të spikatura.
30.”Trashëgimi me vlera unikale” është pasuria kulturore, materiale ose shpirtërore e vetme në llojin e vet.
31.”Vlerë arkeologjike” janë monumente, vendbanime historike të llojeve të ndryshme, objekte ose pjesë veprash ndërtimore apo vendbanimesh, të dala prej gërmimeve arkeologjike, me vlera historiko-kulturore.
32.”Vlerë etnologjike” janë vlerat e kulturës, materiale ose shpirtërore, të cilat lidhen me tiparet thelbësore të një kombi.
33.”Zeje tradicionale” është pjesa materiale dhe përvoja e përqëndruar e mjeshtrave tanë popullor në shekuj.
34”Zonë arkeologjike” është sipërfaqja në të cilën gjenden monumente të zbuluara nga gërmimet arkeologjike ose është dëshmuar qenia e shtresave me përmbajtje arkeologjike.
Neni 4
Trashë gimia kulturore përbëhet nga vlera materiale dhe jomateriale, të cilat janë pjesë e pasurisë kombëtare.
I.Vlerat materiale të trashëgimisë kulturore janë :
1.Objekte të trashëgimisë kulturore të paluajtshme, ku përfshihen :
a)qendra, zona dhe rajone, të banuara ose të pabanuara, me vlerë arkeologjike, historike, etnologjike, arkitektonike dhe inxhinierike. Të tilla vlerësohen edhe objektet e kësaj natyre në gjendje rrënoje, me vjetërsi mbi 100-vjeçare ;
b)ansamble urbane, arkitekturore dhe historike, ndërtime ose konstruksione ndërtimore me vlera të veçanta. Të tilla janë objektet e kësaj natyre në gjendhe rrënoje, me vjetërsi mbi 100-vjeçare.
2. Objekte të trashëgimisë kulturore të luajtshme, ku përfshihen :
a) objekte, pjesë ose elementë të objekteve, të përfshira në shkronjën “b” të pikes 1 të këtij neni, si mozaikë, kolana, kapitele, skulptura, piktura murale, ikona, ikonostase, tavane karakteristike, mbishkrime, gurë varresh, me vjetërsi mbi 100-vjeçare;
b) materiali i lëvizshëm arkeologjik, që del nga gërmimet arkeologjike, grumbullohen nga gjurmimet arkeologjike, ose vjen si gjetje rastësore apo që ruhet në koleksione ose fonde të tjera të ndryshme;
c) krijimet artistike të të gjitha llojeve dhe gjinive. Këtu nuk përfshihen krijimet e autorëve të gjallë;
ç) dokumente arkivore me rëndësi historike kombëtare;
d) dorëshrkime dhe botime, libra dhe periodikë me vlera të veçanta, historike dhe bibliografike;
dh) koleksionet e ndryshme filatelike, numizmatike të artit, me vjetërsi mbi 25 vjeçare;
e) pajisje tradicionale pune, mjeshtërie dhe jetese. Mekanizmat, makineritë ose objekte të përdorimit të përditshëm ose ceremonial, me vlera artizanale, etnografike ose historike, objektet e prodhuara në mënyrë artizanale, me vjetërsi mbi 50-vjeçare dhe objektet e fabrikuara me vjetërsi mbi 75-vjeçare;
ë) teknologji të prodhimit të produkteve të traditës;
f) armët e ftohta dhe të zjarrit, të prodhimit artizanal ose të fabrikuara përpara fillimit të Luftës së Dytë Botërore;
g) objekte personale të figurave të shquara historike;
gj) objektet e përfshira në inventarët e pasurive, të shpallura në ruajtje ose në mbrojtje, të rrjetit muzeal e të galerive të artit dhe të institucioneve shtetërore të vendit deri në vitin 1991.
II. Vlerat jomateriale të trashëgimisë kulturore janë :
1. Përdorimi i gjuhës shqipe në veprat letrare.
2. Folklori gojor i ruajtur në kujtesë, i shkruar ose i regjistruar.
3. Folklori vokal, koreografik dhe instrumental.
4. Zakone dhe doke tradicionale.
5. Besime dhe bestytni të traditës.
6. Zejet e ndryshme tradicionale.
Neni 5
1.Vlerat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë kulturore, që zbulohen ose krijohen, pavarësisht nga pronësia, mbrohen nga shteti.
2. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpall Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.
Neni 6
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Akademia e Shkencave, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, universitetet, si dhe organet e qeverisjes vendore, sipas fushave përkatëse, bëjnë gjurmimin. Mbrojtjen, konservimin, restaurimin, trajtimin, studimin, inventarizimin dhe katalogimin informatik të objekteve të trashëgimisë kulturore.
Neni 7
1.Instituti i Monumenteve të Kulturës, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Kulturës Popullore dhe Drejtoria e Përegjithshme e Arkivave të Shtetit, sipas kritereve shkencore, bëjnë përcaktimin e vlerave të objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme e të paluajtshme, të shpallura të tilla, prone e çdo personi fizik ose juridik, si dhe dokumentimin e tyre.
2.Këto objekte, në mënyrë të detyrueshme, duhet të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, e cila lëshon pasaportën e objektit në bazë të këtyre të dhënave.
3.Çdo ndryshim i pronësisë së objektit duhet të regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore.
Neni 8
Çdo person fizik ose juridik është i detyruar të ruajë, sipas kritereve të caktuara në këtë ligj dhe të akteve nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij, tërësinë e vlerave të trashëgimisë kulturore e historike që zotëron ose merr në përdorim.
Neni 9
1.Objektet e trashëgimisë kulturore me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, që nuk janë në pronësi shtetërore, mund të koleksionohen, shiten, blihen, lihen trashëgim ose dhurohen ndërmjet shtetasve shqiptarë që jetojnë brenda vendit.
2.Shteti shqiptar gëzon të drejtën e parablerjes së objekteve me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale të trashëgimisë kulturore, që ndodhen në pronësi private.
3.Çdo pronar që dëshiron të shesë një object të trashëgimisë kulturore, është i detyruar të paraqesë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve pasaportën e objektit. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pas këshillimit me organet e specializuara sipas fushave përkatëse, i kthen përgjigje pronarit të objektit brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës. Nëse Ministria është e interresuar për blerjen e këtij objekti, fillon proçedurën e vlerësimit. Në rast të kundërt, pronari ka të drejtë të bëjë shitjen, duke i bashkëlidhur dokumentacionit të objektit mendimin me shkrim të institucionit që ka bërë vlerësimin e tij.
4.Për vlerësimin e objekteve në pronësi private të trashëgimisë kulturore të luajtshme, që nxirren jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ngrihet një komision i përhershëm me ekspertë nga institucionet e specializuara shkencore, i cili në përfundim të vlerësimit të objekteve, i rekomandon Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve lëshimin ose jo të autorizimit për nxjerrjen e këtyre objekteve jashtë territorit të vendit.
5.Funksionimi i komisionit, proçedurat e vlerësimit dhe kriteret shkencore, përzgjedhja e anëtarëve dhe shpërblimi i tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 10
1.Zhvendosja e vlerave të trashëgimisë kulturore, për ruajtjen e vlerave të tyre në mjedise të përshtatëshme, nga pikpamja e sigurisë ose mikroklimës, në varësi të natyrës së objektit, bëhet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i kulturës Popullore ose Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit.
2.Zhvendosja realizohet pasi këto institucione të kenë përgatitur dokumentacionin dhe studimet përkatëse dhe të kenë bërë regjistrimin e zhvendosjes në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore.
Neni 11
Shumëfishimi dhe riprodhimi i çertifikuar i objekteve të trashëgimisë kulturore bëhet në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi për të drejtën e autorit, pasi është marrë leja e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore.
Neni 12
Objektet e trashëgimisë kulturore në pronësi private, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, kur e kërkon interesi publik, mund të shpronësohen në mbështetje të dispozitave ligjore në fuqi për shpronësimet.
Neni 13
Personat fizikë ose juridikë që kanë në pronësi objekte të regjistruara me vlera të trashëgimisë kulturore, të luajtshme e të paluajtshme, janë të detyruar të krijojnë kushte mirëmbajtjeje për këto objekte. Për restaurimin e këtyre objekteve ata janë të detyruar t’I drejtohen Institutit të
Monumenteve të Kulturës, Institutit të Arkeologjisë, Institutit të Kulturës Popullore ose subjekteve të liçensuara sipas nenit 17 pika 3.
Neni 14
Në rastin e fatkeqësive natyrore, të shembjes ose të djegjes së objekteve me vlera të trashëgimisë kulturore, kur nuk vendoset kryerja e rikonstruksionit, mbi truallin e mbetur ose mbi pasurinë rrënojë, lejohet ndërtimi vetëm në sipërfaqen dhe vëllimin e mëparshëm, duke respektuar kategorinë dhe llojin e monumentit të dëmtuar.
Neni 15
1.Instituti i Monumenteve të Kulturës, Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Kulturës Popullore ose Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, me leje të pronarit dhe në prani të tij, kanë të drejtë të kontrollojnë gjendjen fizike të objektit ose të objekteve në pronësi private.
2.Pronarët e çdo objekti, pas kërkesës së bërë nga institucionet e mësipërme, janë të detyruar të lejojnë kontrollin e gjendjes fizike të objektit.
Neni 16
1.Institucionet e specializuara shtetërore, në marrëveshje me pronarët dhe zotëruesit e objekteve të trashëgimisë kulturore, krijojnë kushte për ekspozimin e këtyre objekteve për publikun.
2.Fotografimi, filmimi ose regjistrimi kompjuterik dhe publikim i objekteve të trashëgimisë kulturore, të ekspozuara në muzetë vendorë, bëhet pasi të jetë marrë leje nga institucioni shtetëror, në varësi të të cilit është muzeu. Për objekte të tilla, të ekspozuara në muzetë kombëtarë, leja miratohet nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Neni 17
1.Restaurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore bëhet nga institucione shtetërore të specializuara dhe nga personat fizikë ose juridikë të liçensuar për këtë qëllim.
2.Personat fizikë ose juridikë, kandidatë për marrjen e liçencës së ushtrimit të preofesionit të restaurotorit në fushën e trashëgimisë kulturore, testohen nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.
3.Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ngrihet me urdhër të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe ka në përbërje përfaqësues të institucioneve të specializuara dhe personalitete të fushës përkatëse. Organizimi dhe funksionimi i këtij Këshilli përcaktohet në rregulloren e miratuar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
4.Leja e ushtrimit të profesionit në këtë fushë miratohet nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
5.Punimet e restaurimit, të cilat kryhen nga organizma jashtë sistemit të institucioneve shtetërore, të ngarkuara për mbrojtjen, konservimin, restaurimin e studimin, mbikëqyren detyrimisht nga këto institucione.
6.Projektet e restaurimit në çdo rast miratohen nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.
Neni 18
Fondet për mirëmbajtjen, restaurimin, zbulimin dhe studimin e vlerave të trashëgimisë kulturore sigurohen nga buxheti i shtetit i miratuar për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nga të ardhurat e përdorimit të tyre, si dhe nga çdo e ardhur tjetër e ligjshme, që sigurohet nga fondacione, organizata dhe institucione, vendase ose të huaja, shtetërore ose private apo nga persona fizikë ose juridikë.
Fondet e siguruara nga përdorimi i monumenteve të kulturës vihen tërësisht në dispozicion të restaurimit e mirëmbajtjes së tyre.
KREU II
TRASHEGIMIA KULTURORE E LUAJTSHME
Neni 19
1.Lëvizja nga vendet e caktuara të objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, në pronësi shtetërore, me vlera të zakonshme ose të veçanta, kombëtare dhe unikale, për ruajtjen, restaurimin, studimin ekspozimin brenda vendit ose tjetërsimin e pronësisë, bëhet me lejen e Ministrit të Ku;lturës, Rinisë dhe Sporteve.
2.Lëvizja nga vendet e caktuara të objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të zakonshme, për ruajtjen, restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet me lejen e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
3.Lëvizja e objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të veçanta, kombëtare dhe unikale për ruajtjen, restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Proçedurat e këtyre lëvizjeve përcaktohen me udhëzim të Këshillit të Ministrave, sipas konventave ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë për këtë qëllim.
4.Në çdo rast, leja e lëshuar regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore.
Neni 20
1.Objektet e trashëgimisë kulturore të veçantë, kombëtare dhe unikale, nuk dhurohen e nuk shkëmbehen në asnjë rast.
2.Në raste të veçanta, objektet e trashëgimisë kulturore të luajtshme mund të dhurohen ose shkëmbehen ndërmjet institucioneve simotra në shtete të tjera, kur u shërbejnë interesave kombëtare dhe janë të barazvlefshme. Dhurimi ose shkëmbimi bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 21
1.Shteti shqiptar bëhet menjëherë pronar i ligjshëm i objekteve të trashëgimisë kulturore, të cilat nuk janë në pronësi shtetërore, por që janë të vjedhura ose të humbura, nëse pronari i tyre nuk identifikohet.
2.Shteti shqiptar bëhet menjëherë pronar i ligjshëm i objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, të cilat nuk janë në pronësi shtetërore, të nxjerra në mënyrë të jashtëligjshme jashtë vendit.
Neni 22
Objektet e trashëgimisë kulturore të luajtshme, arkivat dhe koleksionet e institucioneve shtetërore e joshtetërore, si dhe ato të ekspozuara në muzetë kombëtarë ose vendorë, shtetërorë ose joshtetërorë, mbrohen dhe administrohen sipas rregulloreve të vetë institucioneve, të cilat hartohen në përputhje me këtë ligj, si dhe me legjislacionin për arkivat.
Neni 23
Në rastet kur godinat, ku ruhen arkivat shtetërore ose vlera të tjera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, u kthehen ish-pronarëve dhe shpronësimi është i pamundur, Këshilli i Ministrave bën sistemimin në mjedise të tjera të përshtatshme të këtyre institucioneve.
KREU III
TRASHEGIMIA KULTURORE E PALUAJTSHME
Neni 24
1.Objekti i trashëgimisë kulturore kulturore ka këto shkallë mbrojtjeje:
a) në vrojtium;
b) në mbrojtje paraprake;
c) monument kulture të kategorisë II
ç) monument kulture të kategorisë I
2.Objektet në grup emërtohen sipas rastit : park arkeologjik, qytet-muze, zone-muze, qendër historike, qendër arkeologjike dhe ansambël-muze.
3.Heqja e plotë ose e pjesshme e mbrojtjes nga shteti e një objekti ose grupi objektesh të trashëgimisë kulturore është e drejtë ekskluzive e organit që e ka shpallur atë.
Neni 25
1.Objekte nën vrojtim janë të gjitha objektet në gjendje rrënoje, kështjella, objekte kulti, ndërtime inxhinierike, ndërtime publike ose të luksit, të ndërtuara përpara vitit 1900 dhe ato në shfrytëzim, të ndërtuara përpara vitit 1944. Ky status shpallet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është i përhershëm.
2.Ndryshimi ose heqja e këtij statusi bëhet me kërkesë të pronarit të objektit drejtuar Institutit të Monumenteve të Kulturës.
3.Objekti me këtë status nuk mund të prishet ose t’i bëhen ndryshime, pa miratimin me shkrim të Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Neni 26
1.Objekt në mbrojtje paraprake shpallet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës çdo objekt me vlera të veçanta. Ky status është 6-mujor dhe brenda kësaj periudhe ky institucion duhet të kryejë proçedurat për përcaktimin e statusit të mëtejshëm të tij.
2.Gjatë kësaj periudhe ndalohet çdo lloj ndërhyrje në gjendjen fizike të objektit.
Neni 27
Monumente kulture të kategorisë II janë të gjitha ndërtimet në zonat-muze dhe në ato zona të mbrojtura të qyteteve-muze në qendrat historike, të pacilësuara monumente të kategorisë I. Ato ruhen në vëllime dhe përbërje arkitektonike të pamjeve të tyre të jashtme. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i shpall ato monumente kulture të kategorisë II.
Neni 28
1.Monumente Kulture të kategorisë I janë ndërtimet me vlera të spikatura dhe me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore. Ato ruhen në tërësinë e përbërësve të tyre arkitektonikë dhe teknikë.
2.Kompozimi i vëllimeve, trajtimi arkitektonik i pamjeve të jashtme dhe të brendshme, si dhe zgjidhja planimetrike dhe funksionale e këtyre monumenteve nuk mund të ndryshohet.
3.Ndërtimet e reja pranë tyre duhet të respektojnë distancat e zones së mbrojtur.
4.Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i shpall ato monumente kulture të kategorisë I.
Neni 29
1.Qytet-muze, zonat-muze, qendrat historike, ansamblet-muze, qendrat dhe parqet arkeologjike janë kategori objektesh në grup, që ruhen në tërësinë e tyre si komplekse historiko-arkeologjike, monumentale, arkitektoniko-urbanistike dhe mjedisore dhe për këtë ndalohen ndërtimet e reja që prekin objektet ekzistuese, me përjashtim të rrjetit inxhinierik nëntokësor.
2.Rregullorja e administrimit për kategoritë e objekteve të mësipërme miratohet nga Këshilli i Ministrave me propozimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
3.Monumentet e kulturës të kategorisë I dhe II në qendrat historike, qytetet-muze dhe ansamblet-muze mund të shfrytëzohen edhe për funksione të tjera, që nuk cenojnë në asnjë mënyrë vlerat e tyre. Aty mund të vendosen institucione shtetërore ose private, si muze, biblioteka, atelie monumentesh, fototeka, galeri artesh dhe ekspozita të ndryshme.
Neni 30
Institucionet e specializuara të fushave të trashëgimisë kulturore, organet e qeverisjes vendore dhe pronarët ose poseduesit e objektit kanë të drejtën e propozimit për shpalljen e një objekti monument kulture. Propozimi i drejtohet Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Neni 31
1.Qytet-muze, zonat-muze, zonat arkeologjike, qendrat historike, ansamblet-muze dhe parqet arkeologjike shpallen të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
2.Heqja e plotë ose e pjesshme e shkallës së mbrojtjes në monumentet e kulturës bëhet me vendim të po atij organi, që e ka vendosur atë.
Neni 32
1.Për monumentet e kulturës përcaktohet një sipërfaqe toke ose trualli përreth, si zone mbrojtëse, në përputhje me vlerat e tyre arkitektonike, me përshtatshmërinë e tyre urbanistiko-estetike, me rrethinën dhe me rrethanat ekologjike.
2.Përmasat e zones së mbrojtëse përcaktohen nga organi që shpall monumentin, sipas studimit të bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Neni 33
1.Gërmimi, restaurimi, përdorimi dhe çdo veprim tjetër në monumentet e kulturës, si dhe çdo ndryshim në truallin e vënë në mbrojtje rreth tyre, bëhet vetëm me autorizimin e Institutit të Arkeologjisë ose Institutit të Monumenteve të Kulturës.
2.Ndalohet gërmimi me karakter arkeologjik dhe përdorimi i aparaturave metalkërkuese nga njerëz ose subjekte të paautorizuara.
Neni 34
Njësitë e qeverisjes vendore bashkëpunojnë me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe Institutin e Arkeologjisë për ruajtjen dhe mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore, që ndodhen në territoret në juridiksionin e tyre. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve përcakton mënyrat e bashkëpunimit.
Neni 35
Punimet e mirëmbajtjes, të restaurimit dhe të rigjallërimit të monumenteve të kulturës kryhen me fondet e dhëna Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga Buxheti i Shtetit, pasi të jetë miratuar plani i këtyre punimeve nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Neni 36
1.Në monumentet e kulturës të kategorive I dhe II, prone e subjekteve joshtetërore, shteti përballon të gjitha shpenzimet për ruajtjen e vlerave historiko-artistike, të cilat nuk lidhen me qendrueshmërinë e objektit.
2.Punimet e tjera të restaurimit për këto monumente përballohen në masën :
a).50 për qind nga shteti dhe 50 për qind nga pronari për monumentet e kulturës të kategorisë I;
b).30 për qind nga shteti dhe 70 për qind nga pronari për monumentet e kulturës të kategorisë II.
Neni 37
1.Kur pronari joshtetëror i monumentit të kulturës nuk ka fonde për kryerjen e punimeve të restaurimit, pas planifikimit të këtyre punimeve, shteti ndërmjetëson pranë bankave për përfitimin e kredive afatgjata me kushte lehtësuese.
2.Kur pronari kundërshton kredinë dhe kur monumenti është në rrezik shembje, punimet e restaurimit bëhen edhe pa pëlqimin e tij nga Instituti i Monumenteve të Kulturës ose edhe nga subjekte të tjera të licencuara për këtë qëllim. Pas përfundimit të punimeve, pronari detyrohet të paguajë pjesën e vet të shpenzimeve, në përputhje me nenin 36 të këtij ligji.
Neni 38
Çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture ose zone e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është I pavlefshëm.
Neni 39
1.Monumentet e kulturës mund të rijetëzohen për qëllime administrative dhe socialkulturore, me kusht që funksioni i ri të mos dëmtojë vlerën e monumentit.
2.Në çdo rast, shfrytëzimi i monumenteve të kulturës lejohet vetëm pasi të jetë lidhur kontrata ndërmjet përdoruesit dhe pronarit, i cili është i detyruar të vërë në dijeni Institutin e Monumenteve të Kulturës.
Neni 40
1.Vendosja e materialeve publicitare në objektet monument kulture bëhet në raste të veçanta festivo-kulturore dhe ka karakter të përkohshëm.
2.Veprimtaritë kulturore në objektet monument kulture bëhen vetëm në rastet kur ato nuk rrezikojnë ose cenojnë vlerat e tyre.
3.Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve jep lejen për organizimin e veprimtarive kulturore dhe vendosjen e materialeve publicitare.
Neni 41
Kërkimet, sondazhet dhe gërmimet arkeologjike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë monopol i shtetit shqiptar.
Neni 42
1.Veprimtaritë e përshkruara në nenin 41 realizohen nga Instituti i Arkeologjisë. 2.Këto veprimtari kryhen në bazë të bashkërendimit të punëve ndërmjet Institutit të Arkeologjisë dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës.
3.Për realizimin e këtyre veprimeve mund të bashkëpunohet edhe me institucione të tjera të specializuara, shtetërore ose private, vendase ose të huaja. Këto bashkëpunime bëhen në bazë të marrëveshjeve ose kontratave dy ose shumëpalëshe. Përjashtohet ekskluziviteti i institucioneve të huaja. Për bashkëpunimin, në çdo rast, merret miratimi nga organi më i lartë.
Neni 43
1.Qendrat, zonat dhe parqet arkeologjike përcaktohen nga Instituti i Arkeologjisë dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës. Në territoret, që hyjnë në këtë grup, është e ndaluar çdo lloj ndërhurjeje me karakter ndërtimor ose veprimtari të tjera që i dëmtojnë ato.
2.Zonat arkeologjike në studim përcaktohen nga Instituti i Arkeologjisë dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës. Çdo ndërhyrje në këto zona kryhet në prani të specialistëve të këtyre institucioneve.
Neni 44
Objektet arkeologjike, të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike, janë prone e shtetit shqiptar.
Neni 45
Personat fizikë ose juridikë, që zbulojnë ose gjejnë, në mënyrë të rastësishme, objekte të trashëgimisë kulturore, janë të detyruar që brenda 20 ditëve të njoftojnë organet vendore të kulturës, Institutin e Arkeologjisë dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës, duke deklaruar mënyrën dhe vendin e gjetjes. Pas dokumentimit të objektit, komisioni i ngritur për këtë qëllim me specialistë të këtyre institucioneve përcakton vlerat dhe vendos për statusin e mëtejshëm të objektit, si dhe shpërblimin e këtij personi.
Neni 46
Për ndjekjen e gjetjeve rastësore arkeologjike, që dalin gjatë punimeve bujqësore, ndërtimit të veprave inxhinierike ose konstruksioneve ndërtimore dhe marrjen e masave të shpëtimit të këtyre vlerave, në rastet kur ato nuk përballohen nga strukturat e Institutit të Arkeologjisë ose të Institutit të Monumenteve të Kulturës, organizohen struktura të veçanta, të përkohshme, me urdhër të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Neni 47
Në rastet e ndërtimeve të mëdha në territore në pronësi shtetërore ose private, si rrugë, autostrada, aeroporte, porte, vepra industriale, qendra të reja banimi, investitorët janë të detyruar që, gjatë procesit të projektimit dhe zbatimit të projektit, të këshillohen me specialistë të Institutit të Arkeologjisë dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. Specialistët kryejnë kontrollin e zones dhe përgatisin dokumentacionin përkatës. Kur zona përmban vlera të rëndësishme arkeologjike, etnografike ose gjurmë të arkitekturës së lashtë ose tradicionale, projekti duhet të ndryshojë. Propozimi për ndryshime bëhet nga institucionet që kanë kryer kontrollin dhe shpenzimet për këto ndryshime përballohen nga investitori.
Neni 48
1.Kur, pas fillimit të punimeve, zbulohen rastësisht gjurmë ose objekte me vlera arkeologjike-etnologjike, punimet ndërpriten menjëherë.
Drejtuesit dhe investitorët e punimeve njoftojnë, brenda tri ditëve, organet e qeverisjes vendore, Institutin e Arkeologjisë dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës, të cilët bëjnë kontrollin përkatës, relatojnë për vlerat e gjetura dhe bëjnë propozimet përkatëse për vazhdimësinë ose jo të punimeve.
2.Nëse gjetjet janë me vlera të rëndësishme, punimet e filluara mund të pësojnë ndryshime ose të ndërpriten përfundimisht. Vendimi në këtë rast merret nga organi që ka autorizuar fillimin e punimeve.
3.Në rastin kur punimet pësojnë ndryshime, të gjitha shpenzimet për to, si dhe shpenzimet për kërkimet shkencore, veprimtaritë e nevojshme restauruese ose konservuese, mbulohen 100 për qind nga investitori.
KREU IV
KUNDERVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 49
1.Janë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e mëposhtme :
a) shkeljet sipas nenit 7 dënohen me gjobë nga 10 000-20 000 lekë;
b) shkeljet sipas nenit 8 dënohen me gjobë nga 30 000-50 000 lekë;
c) shkeljet sipas neneve 11 dhe 19 dënohen me gjobë nga 20 000-50 000 lekë;
ç) shkeljet sipas nenit 14 dënohen me gjobë nga 100 000-500 000 lekë;
d) shkeljet sipas nenit 16 pika 2 dënohet me gjobë 20 000 lekë;
dh) shkeljet sipas neneve 25 pika 3 dhe 26 pika 2 dënohen me gjobë nga 100 000-300 000 lekë;
e) shkeljet sipas nenit 28 pika 2 dënohen me gjobë nga 100 000-500 000 lekë
ë) shkeljet sipas nenit 33 pika 1 dënohen me gjobë nga 50 000-500 000 lekë;
f) shkeljet sipas nenit 45 dënohen me gjobë nga 10 000-50 000 lekë;
g) shkeljet sipas nenit 33 pika 2 dënohen me gjobë 100 000 lekë dhe konfiskim të aparaturës;
gj) shkeljet sipas neneve 47 dhe 48 pika 1 dënohen me gjobë nga 1 000 000-5 000 000 lekë.
2.Dëmi i shkaktuar në objektet unikale të trashëgimisë kulturore përbën në çdo rast vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit penal.
Neni 50
1.Të drejtën e vënies së gjobës e kanë inspektorët e Institutit të Arkeologjisë, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, sipas fushave që mbulojnë.
2.Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative, ankimi dhe ekzekutimi i vendimeve bëhet sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.
3.Shuma e arkëtuar nga vjelja e gjobave derdhet 50 për qind në favor të Buxhetit të Shtetit dhe 50 për qind në favor të institucioneve që e ka objektin nën juridiksion.
KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TE FUNDIT
Neni 51
Çdo person fizik ose juridik, që zotëron objekte, të cilat janë vlera të trashëgimisë kulturore të luajtshme, duhet t’i deklarojë ato pranë organeve të kulturës, të qeverisjes vendore dhe ta regjistrojë objektin në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, sipas mënyrës që ofron kjo qendër, brenda dy vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 52
Për objektet monument kulture të dhëna me qira përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kontrata e qiramarrjes, për periudhën e mbetur, rregullohet në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Neni 53
1.Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Arkeologjisë, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i paraqesin për miratim Këshillit të Ministrave zonat arkeologjike brenda qendrave të banuara në Shkodër, Lezhë, Krujë, Durrës, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Sarandë.
2.Brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Arkeologjisë i paraqesin për miratim Këshillit të Ministrave kufijtë dhe rregulloret e administrimit të parqeve arkeologjike të Shkodrës, Lezhës, Apolonisë, Bylisit, Amantias, Orikumit, Antigonesë, Finiqit dhe Butrintit.
3.Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, institucionet e specializuara në varësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, statutet e të cilave miratohen nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, bëjnë rishikimin e këtyre statuteve, sipas dispozitave të këtij ligji.
Neni 54
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, në zbatim të neneve 9 pika 5, 19 pika 3, 20 pika 2, 23, 29 dhe 31 pika 1, të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji.
Neni 55
Ligji nr.7867, date 12.10.1994 “Për mbrojtjen e pasurisë kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme”, shfuqizohet.
Neni 56
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Shpallur me dekret nr. 3804, date 5. 5. 2003 të
Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.
©GC