Print Friendly, PDF & Email

The measure is available in the following languages:

PËR TOKËN

(Ligj Nr. 7501, datë 19.7.1991)

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 VENDOSI:

Neni 1

Në Republikën e Shqipërisë toka ndahet në:

a) Toka bujqësore të zëna me bimët e arave, pemishtet, vreshtat dhe ullishtet, kudo që ndodhen, në fshatra, në qytete e në qendra të tjera të banuara, pavarësisht nga madhësia e tyre;

b) toka të zëna me pyje, kullota e livadhe;

c) toka jobujqësore: ato të zëna nga ndërtimet ekonomike, socialkulturore, repartet ushtarake dhe oborret e tyre etj., tokat e zëna nga ndërtimet e banimit dhe oborret (avllitë) e tyre, tokat në përdorim të përgjithshëm (rrugët, autostradat, aerodromet, hekurudhat, sheshet, parqet, lulishtet, fushat sportive, varrezat); vende shkëmbore, rërat bregdetare, plazhet; tokat me ujë (liqenet, rezervuarët, hauzët), kanalet e ndryshme, lumenjtë, përrenjtë, zallishtet, kënetat; sheshet e ndërtesave e të  monumenteve me interes historik e arkeologjik etj.

Neni 2

Shteti u jep tokë personave fizikë a juridikë. Këta gëzojnë të drejtën e pronësisë dhe të gjithë të drejtat që përmbahen në këtë ligj.

Ndalohet shitja dhe blerja e tokës.

Neni 3

Toka bujqësore u jepet në pronësi ose në përdorim personave juridikë a fizikë vendas pa shpërblim.

Neni 4

Personave juridikë a fizikë të huaj u jepet në përdorim me qira truall për ndërtime. Qëllimi dhe koha e përdorimit  përcaktohet me kontratë të veçantë.

Qiraja e truallit caktohet në bazë të qëllimit të përdorimit, vendndodhjes dhe kushteve të tjera ekonomike, sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

Neni 5

Familjet anëtare të kooperativës bujqësore, pas ndarjes së tokës kanë të drejtë të shkëputen dhe të dalin subjekt më vete, duke marrë në pronësi tokën bujqësore që u takon nga tërësia e  subjektit ku bëjnë pjesë. Sasia dhe vendi ku do të jepet toka, përcaktohet nga komisioni i tokës.

Në zonat kodrinore e malore, ku familjeve fshatrave nuk u sigurohet sipërfaqja e nevojshme e tokës bujqësore, shteti merr masa dhe u garanton burime të tjera jetese nëpërmjet subvencioneve, shtimit të investimeve për punësimin e njerëzve, vendosjes së asistencës sociale dhe lëvizjes së kontrolluar të popullatës, në bazë të një programi të caktuar nga Këshilli i Ministrave.

 Neni 6

 Familjeve me banim në fshat, që nuk janë anëtarë të kooperativës bujqësore dhe familjeve që punojnë e banojnë në ndërmarrjet bujqësore, u jepet në përdorim tokë bujqësore, madhësia e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 7

Për dhënien e tokës në pronësi ose në përdorim personave juridikë a fizikë, si dhe për mënjanimin e çrregullimeve që kanë ndodhur kohët e fundit, krijohen: Komisioni qeveritar i tokës pranë Ministrisë së Bujqësisë, komisione për tokën pranë komiteteve ekzekutive të këshillave popullorë të rretheve dhe komisione për tokën pranë këshillave popullorë të fshatrave.

Të drejtat dhe detyrat e komisioneve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8

Në dhënien e tokave në pronësi e në përdorim personave juridikë a fizikë nuk njihet pronësia e mëparshme, as madhësia dhe kufijtë e saj para kolektivizimit.

Neni 9

Organi shtetëror i specializuar për evidencimin e të dhënave për tokën është kadastra në komitetin ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit.

Neni 10

Toka që kalon në pronësi e në përdorim të çdo personi juridik a fizik, regjistrohet në kadastër.

Gjithashtu, në kadastrën e tokave regjistrohet çdo ndryshim i bërë në fakt pas regjistrimit fillestar.

Neni 11

Personat juridikë a fizikë që kanë ose marrin tokë bujqësore në pronësi ose në përdorim, detyrohen ta shfrytëzojnë atë vetëm për qëllime bujqësore, të ruajnë e të rritin aftësinë prodhuese të saj, si dhe të kryejnë sistemimin e të ndërtojnë vepra për ta mbrojtur atë.

Neni 12

Pronarët dhe përdoruesit e tokave bujqësore detyrohen të ruajnë objektet ujitëse e elektroenergjetike dhe pajisjet e instalimet. Asnjë pronar e përdorues nuk ka të drejtë të pengojë pronarët e përdoruesit e tjerë për shfrytëzimin e këtyre pajisjeve e instalimeve.

Organet e pushtetit në bazë e në rreth kanë të drejtë të vendosin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të lindin.

Neni 13

Ndërtimet e shtëpive të banimit, ato për veprimtari ekonomike, socialkulturore e çdo ndërtim tjetër bëhen brenda vijës kufizuese (vija e verdhë).

Toka për ndërtime (trualli) jepet me ose pa shpërblim sipas kritereve që caktohen nga Këshilli i Ministrave.

Ndalohet çdo lloj ndërtimi në tokat bujqësore jashtë vijës kufizuese pa vendim të veçantë të organit kompetent përkatës.

Në vlerën e plotë të ndërtim-montimeve përfshihet edhe vlera e tokës.

Neni 14

Në tokat bujqësore lejohet ndërtimi i ngrehinave dhe i instalimeve për shfrytëzimin bujqësor e blegtoral, sipas rregullave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

Neni 15

Çdo personi juridik a fizik që i jepet tokë në përdorim dhe nuk e shfrytëzon atë për qëllime bujqësore a blegtorale gjatë një viti, i hiqet e drejta e përdorimit të saj.

Neni 16

Personat juridikë a fizikë që marrin tokë në pronësi ose në përdorim për ndërtime e për veprimtari të tjera ekonomike, kur shkelin afatet e përfundimit të objektit sipas marrëveshjes, detyrohen të paguajnë një shumë të barabartë me qiranë mesatare vjetore të tokës.

Neni 17

Mbeturinat industriale, minerare dhe ujërat me përmbajtje kimike të dëmshme për bujqësinë të kanalizohen e grumbullohen në vende të posaçme për të mos dëmtuar tokën, bimët e për të mos  ndotur ujin, si dhe për të mos vënë në rrezik jetën e njerëzve, kafshëve e shpendëve. Këto vende miratohen bashkë me sheshin e ndërtimit të veprës. Në rast të kundërt nuk lejohet ndërtimi dhe funksionimi i veprës.

Ndalohet hedhja dhe groposja në tokë e çdo lloj mbetje të rrezikshme të vendit ose të importit.

Neni 18

Me miratimin e projektideve dhe të shesheve të ndërtimit nga organet përkatëse, kalon edhe toka në pronësi ose në përdorim të atij për të cilin bëhet ndërtimi, por jo më parë se tre muaj nga fillimi i punimeve. Ndryshimi në zërin kadastral bëhet kur fillojnë punimet.

Neni 19

Toka bujqësore hiqet nga pronësia ose përdorimi i personave juridikë a fizikë, kur për nevoja të domosdoshme shtetërore bëhen ndërtime të ndryshme, sipas miratimit të organit përkatës. Kur për këto nevoja zihen toka që janë në pronësi të personave juridikë a fizikë, shteti është i detyruar t'i zëvendësojë me tokë tjetër të barasvlershme dhe në pamundësi, të shpërblehen investimet që janë bërë dhe vlera reale e tokës. Mosmarrëveshjet për masën e shpërblimit zgjidhen nga gjykata.

Neni 20

Dëmi që shkaktohet në pemëtoret, ullishtet, vreshtat, kulturat bujqësore, në objektet që shërbejnë për nevoja ekonomike, socialkulturore, shoqërore etj., shpërblehen nga subjekti që e ka kryer dëmin. Masa e zhdëmtimit caktohet nga komiteti ekzekutiv i këshillit popullor të rrethit sipas vlerës reale.

Mosmarrëveshjet për masën e zhdëmtimit zgjidhen nga gjykata.

Neni 21

Organet e pushtetit lokal të juridiksionit përkatës ndalojnë çdo zënie e shpërdorim të tokës brenda juridiksionit të tyre në kundërshtim me këtë ligj dhe me aktet e tjera nënligjore përkatëse.

Nëse vërehet zënie a dëmtim i tokës, anëtarët e këshillave popullorë të juridiksionit përkatës, pronarët ose përdoruesit e tokave, punonjësit e kadastrës e të urbanistikës ligjore dhe ata të policisë popullore detyrohen të mbajnë proces verbal, në bazë të të cilit kërkohet që kundërvajtësi ta kthejë tokën në gjendjen e mëparshme brenda 3 ditëve, në të kundërt procesverbali dërgohet:

- Në këshillat popullorë të fshatit, të lagjes, të qytetit a të rajonit, të cilët brenda 2 ditëve marrin vendim për prishjen e objektit dhe kthimin e tokës në gjendjen e mëparshme. Ky vendim zbatohet nga ai organ që ka vendosur, brenda 5 ditëve nga dalja e tij. Shpenzimet për kthimin në gjendjen e mëparshme i ngarkohen kundërvajtësit.

- Në zyrën e kadastrës për marrjen e masës administrative, kur shkelja nuk përbën vepër penale.

- Në organin e hetuesisë, kur shkelja përbën vepër penale dhe nuk është zbatuar vendimi i këshillit popullor përkatës.

Neni 22

Kur toka merret, zihet ose dëmtohet nga një person i tretë, pronari ose përdoruesi ka të drejtë t'i drejtohet gjykatës.

Neni 23

Personat, që veprojnë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji e me dispozitat e veçanta të akteve të Këshillit të Ministrave për këtë problem, që nuk e shfrytëzojnë vetë tokën e dhënë në pronësi ose përdorim po ua japin të tretëve, që nuk marrin masa mbrojtëse, që bëjnë ndërtime pa leje, që nuk riaftësojnë tokën në afatet e caktuara në kontratë, si dhe që nuk njoftojnë zyrën e kadastrës brenda afateve për ndryshimet në gjendjen e tokave në pronësi ose në përdorim të tyre pa shkaqe të përligjura, kur këto shkelje nuk formojnë vepër penale, dënohen për kundërvajtje administrative me gjobë nga 2000-5000 lekë nga përgjegjësi i kadastrës në rreth.

Kundër vendimit të dënimit mund të bëhet ankim, brenda 10 ditëve nga shpallja ose njoftimi i tij, të kryetari i komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit, vendimi i të cilit është i formës së prerë.

Personat që në kundërshtim me dispozitat ligjore pushtojnë tokën, e dëmtojnë ose e shpërdorojnë atë në cilëndo formë qoftë, dënohen sipas dispozitave të Kodit Penal.

Neni 24

Kriteret për ndarjen, regjistrimin, ndryshimin, kalimin në pronësi, vlerësimin e dhënien me qira të tokës, si dhe detyrat e kadastrës, caktohen nga Këshilli i Ministrave.

Neni 25

Toka bujqësore që meret në pronësi sipas këtij ligji, trashëgohet në bazë të dispozitave ligjore për trashëgiminë që do të miratohen.

Neni 26

Ligji nr.5686, datë 21.2.1987 “Për mbrojtjen e tokës”, si dhe të gjithë dispozitat e tjera nënligjore që bien në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 27

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.

Presidenti i republikës

Ramiz Alia

Shfuqizuar paragrafi i dytë i nenit 2 me Ligj Nr.7938, datë 27.7.1995.

Shfuqizuar nenet 4, 11, 12, 13, 14, 15, 16, paragrafi i parë dhe i fundit i nenit 23 me Ligj Nr.9244, datë 17.6.2004.

 

©GC

Trascina file per caricare