The measure is available in the following languages:
PËR SANKSIONIMIN DHE MBROJTJEN E PRONËS PRIVATE TË NISMËS SË LIRË, TË VEPRIMTARIVE PRIVATE TË PAVARURA DHE PRIVATIZIMIT
(Ligj Nr. 7512, datë 10.8.1991)
Me qëllim që të vendoset një rend i ri ekonomik dhe të zbatohet kalimi nga një sistem me ekonomi të centralizuar e të kontrolluar nga shteti, në një sistem ekonomik të bazuar në parimet e tregut të lirë, në mbështetje të neneve l0, 11, 12, 13 dhe 16 të ligjit nr.7491 datë 29.4.l991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Neni 1
Në Republikën e Shqipërisë sanksionohen dhe mbrohen prona private, nisma e lirë, veprimtaritë private të pavarura, afarizmi, investimet e huaja, e drejta për të marrë e për të dhënë kredi, e drejta për të punësuar e për t'u punësuar, privatizimi i pronës shtetërore dhe i gjithë procesi i kalimit të ekonomisë së Republikës të Shqipërisë nga një ekonomi e planifikuar dhe e kontrolluar nga shteti, në një ekonomi të tregut të lirë.
Neni 2
Subjektet shqiptare ose të huaja ushtrojnë veprimtaritë private të mëposhtme (pa u kufizuar vetëm me to):
a) si individë;
b) me ortakëri;
c) me kolektiva ose kooperativa;
ç) me formim ndërmarrjesh, shoqërish të ndryshme aksionare ose me përgjegjësi të kufizuar, anonime dhe forma të tjera të mundshme;
d) me formim bankash, fondacionesh e institucionesh bamirësie, si dhe me forma të tjera të mundshme.
Të gjitha veprimtaritë e mësipërme rregullohen me ligj.
Neni 3
Gjithë sektorët e ekonomisë janë të lirë të privatizohen dhe të ushtrojnë veprimtari private, përfshirë ndërmarrjet, institucionet dhe njësitë e tjera shtetërore, duke kaluar në pronë private në të gjitha fushat e veprimtarisë së prodhimit industrial, artizanal, të bujqësisë, të ndërtimit, të transportit, të shërbimeve bankare, të tregtisë së brendshme e të jashtme, të komunales, të shërbimeve jetësore, shkencore, kërkimore, kulturore e artistike, të avokatisë, të bamirësisë, të fondacioneve e të fushave të tjera të mundshme.
Ndërmarrjet ose njësitë e tjera shtetërore, të degëve me rëndësi të veçantë të ekonomisë kombëtare: industria e energjetikës dhe e mineraleve, e naftës dhe e gazit, postat, telekomunikacionet, pyjet dhe ujërat, rrugët automobilistike e hekurudhore, portet detare, aeroportet, transporti ajror e hekurudhor, mund të privatizohen në raste të veçanta me ligj.
Ndërmarrjet dhe njësitë shtetërore të përmendura në paragrafin e dytë të këtij neni janë të lira të krijojnë ndërmarrje të përbashkëta me kapital të huaj sipas ligjeve në fuqi.
Neni 4
Personat fizikë a juridikë privatë, vendas a të huaj, e ushtrojnë veprimtarinë ekonomike private me mjetet e tyre financiare, me kredi, me aksione e forma të tjera.
Neni 5
Subjektet e përmendura në nenin 2 të këtij ligji fitojnë zotësinë për të vepruar, me regjistrimin e tyre në gjykatën e rrethit ku e ushtrojnë veprimtarinë.
Për të bërë regjistrimin, ato i paraqesin gjykatës një kërkesë, ku shënohet objekti i veprimtarisë dhe, kur është fjala për ortakëri, shoqëri etj., edhe kontratën ose marrëveshjen e statutin e veprimtarisë së tyre.
Një kopje të vendimit përkatës të saj gjykata ia dërgon brenda 10 ditëve, nga data që vendimi ka marrë formë të prerë, organit financiar të juridiksionit të vet dhe bën regjistrimin e pasurive të paluajtshme të subjekteve.
Kur me vendim të arsyetuar të gjykatës kërkesa nuk pranohet subjektet kanë të drejtë të bëjnë ankesë brenda 10 ditëve nga shpallja e vendimit në gjykatën e shkallës së dytë, vendimi i së cilës është i formës së prerë.
Kur gjykata nuk vepron brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës, leja konsiderohet e miratuar automatikisht.
Neni 6
Personat fizikë a juridikë privatë, vendas a të huaj, që ushtrojnë veprimtari sipas këtij ligji, i caktojnë vetë çmimet dhe tarifat e prodhimeve e të shërbimeve, në bazë të kërkesës e të ofertës.
Për mallra dhe shërbime, për të cilat konkurrenca është e kufizuar për shkak të situatës monopol ose të vështirësive e mungesave të dukshme në furnizimin e tregut, si dhe për disa mallra e shërbime të nevojës së domosdoshme për popullsinë, Këshilli i Ministrave cakton me vendim të veçantë kufijtë maksimalë të çmimeve e të tarifave. Ky vendim ka fuqi deri në një vit nga data e shpalljes së tij.
Neni 7
Personat fizikë a juridikë privatë, vendas a të huaj për ushtrimin e veprimtarisë së tyre, e sigurojnë bazën materialo-teknike nëpërmjet kontratave me sektorët shtetërorë, drejtpërdrejtë në tregun e lirë, si dhe me persona juridikë ose fizikë vendas a të huaj, sipas legjislacionit në fuqi për eksport-importin.
Neni 8
Ministria e Financave përcakton rregulla për dokumentimin ekonomiko-financiare, për mënyrën e llogaritjes së kontributit fiskal dhe afatet e derdhjes së tij, si dhe për kontrollin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme të sektorit privat. Ajo përcakton gjithashtu edhe kriteret e llogaritjes së fitimit për personat privatë fizikë e juridikë, vendas e të huaj, që ushtrojnë veprimtari private në Shqipëri.
Personat fizikë e juridikë privatë, vendas e të huaj, në ushtrimin e veprimtarisë së tyre mbajnë kontabilitet të rregullt dhe regjistrat përkatës sipas ligjit të veçantë.
Neni 9
Personat fizikë a juridikë privatë, vendas a të huaj, kanë të drejtë të çelin llogaritë përkatëse pranë bankave të vendit e të huaja në Shqipëri dhe të kryejnë veprimet e likujdimit nëpërmjet tyre.
Personat fizikë e juridikë privatë, vendas dhe të huaj, paraqesin bilanc vjetor së bashku me deklaratën e të ardhurave, të humbjeve e fitimeve dhe i depozitojnë ato në organin financiar të juridiksionit ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Neni 10
Veprimtaria private me ortakëri krijohet nga bashkimi i kapitaleve të dy ose më shumë individëve shqiptarë ose të huaj. Marrëdhëniet ekonomike e financiare rregullohen në bazë të kontratës që lidhet ndërmjet tyre. Në kontratë shënohet objekti i veprimtarisë, kapitali i derdhur nga secili anëtar, pjesa e fitimit të çdo ortaku në pjestim me kuotën e dhënë, kohëzgjatja e ortakërisë e mënyra e likujdimit të saj dhe elemente të tjera.
Ortakët janë solidarë si për të drejtat, ashtu edhe për detyrimet që burojnë nga kontratat e ortakërisë, kur është fjala për shoqëri ndërmjet individëve.
Neni 11
Veprimtaria private me kolektiva ose kooperativa tregtare, prodhuese, të shërbimeve etj., ushtrohet në përputhje me statutin dhe rregulloren e miratuar prej tyre. Në këto dokumente duhet të përcaktohen objekti i veprimtarisë, masa e pjesëmarrjes në kapital, mënyra e organizimit dhe e drejtimit, forma e shpërndarjes të të ardhurave ndërmjet anëtarëve, rregullat e punësimit e të pagesës së punonjësve jo anëtarë, si dhe rregullat e tjera që kanë të bëjnë me detyrimet ekonomiko-financiare.
Neni 12
Ndërmarrjet ose shoqëritë e ndryshme aksionare e të tjera si këto, që krijohen me kapitale monetare e materiale, sipas rastit, me një ose disa invidivë shqiptarë a të huaj, si dhe me aksione, e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në bazë të kontratës së themelimit, të statutit ose të rregullores që miratohet prej tyre e ku përcaktohen objekti i veprimtarisë, kapitali themelor, drejtimi administrativ, marrëdhëniet ekonomiko-financiare, ato kontraktore, të punësimit dhe elemente të tjera.
Neni 13
Ndërmarrjet e përbashkëta që krijohen ndërmjet ndërmarrjeve ose njësive shtetërore me subjekte private të huaja, me subjekte private vendase ose vendase e të huaja, e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në bazë të kontratës e të statutit të miratuar prej tyre dhe të dispozitave përkatëse ligjore.
Neni 14
Personat privatë juridikë a fizikë, vendas a të huaj, mund t'u kalojnë në pronësi ose t'u japin me qira personave të tjerë fizikë a juridikë, vendas a të huaj, ndërmarrjet, njësi ose objekte të ndryshme sipas kontratës së veçantë që do të lidhet ndërmjet tyre.
Kalimi në pronësi ose dhënia me qira e truallit, mbi të cilin ngrihen këto objekte, rregullohet me nenin 21 të këtij ligji.
Neni 15
Veprimtaritë private ushtrohen në përputhje me dispozitat në fuqi për standardet e cilësinë, për kontrollin e mjeteve matëse e saktësinë e matjes, higjenën, kushtet e punës, sigurimin teknik, mbrojtjen e mjedisit etj., dhe kontrollohen nga organet shtetërore të ngarkuara me detyra në këto fusha.
Neni 16
Ministria e Lidhjeve Ekonomike me Jashtë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe në fillim të çdo viti, të përcaktojë kontigjentimin e mallrave të eksport-importit.
Neni 17
Personat e huaj që ushtrojnë veprimtari ekonomike, kanë të drejtë të transferojnë jashtë shtetit kapitalin dhe pjesën e tyre të fitimit në valutë.
Personat fizikë a juridikë privatë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në bazë të këtij ligji, kanë të drejtë të vetëfinancohen në lekë e në valutë të huaj.
Shkëmbimi i monedhës shqiptare me monedhë të huaj dhe anasjelltas bëhet në përputhje me kursin e caktuar nga Banka e Shtetit Shqiptar, ose në tregun e lirë privat të valutave.
Personat fizikë a juridikë, vendas a të huaj, kanë të drejtë të marrin kredi në lekë dhe në valutë nga Banka e Shtetit Shqiptar ose nga bankat e tjera, shtetërore a private, vendase a të huaja.
Neni 18
Marrëdhëniet e punësimit në veprimtaritë private rregullohen me kontratën që lidhet lirisht ndërmjet palëve. Për çështjet që nuk parashikohen në kontratën e punës, zbatohen dispozitat e legjislacionit të punës.
Neni 19
Marrja në punë e punonjësve bëhet nga vetë punëdhënësi privat, me regjistrimin e tyre në librin e ndërmarrjes, duke njoftuar edhe organet e punës të juridiksionit ku e ushtron veprimtarinë.
Në veprimtarinë private, punëdhënësit janë të detyruar të sigurojnë punonjësit që punojnë për ta. Këta të fundit fitojnë të gjitha të drejtat në bazë të ligjit “Për sigurimet shoqërore shtetërore të Republikës së Shqipërisë”.
Neni 20
Punonjësit që mund të dalin të tepërt nga procesi i privatizimit të sektorit shtetëror, trajtohen sipas dispozitave të veçanta për ndihmë sociale.
Neni 21
Personave fizikë a juridikë privatë vendas u jepet në pronësi truall për ndërtim me pagesë, duke pasur edhe të drejtën e shitblerjes.
Personave fizikë a juridikë të huaj u jepet truall për ndërtim nga personat fizikë a juridikë vendas vetëm me qira për një periudhë deri në 49 vjet, sipas një kontrate të veçantë.
Çmimi i shitjes dhe qiraja e truallit për ndërtim, që është pronë shtetërore, caktohen nga organi financiar i pushtetit lokal në juridiksionin e të cilit ndodhet trualli, sipas kritereve të caktuara nga Këshilli i Ministrave dhe sipas kërkesës e ofertës.
Shitja dhe dhënia me qira e truallit për ndërtim bëhet nga organi financiar i lartpërmendur. Shumat e paguara për truallin destinohen e përdoren për zhvillimin e infrastrukturave të juridiksionit të pushtetit lokal.
Personat juridikë a fizikë vendas pronarë të ndërtesave ekzistuese të çdo lloji janë edhe pronarë të truallit që zënë këto ndërtesa. Kur këto të fundit blihen nga të huajt, ata kanë të drejtën e pronësisë vetëm për ndërtesën, kurse toka, mbi të cilën ngrihet ndërtesa, u jepet me qira sipas paragrafit të dytë të këtij neni.
Neni 22
Për kalimin e pronës shtetërore në pronë private krijohet Agjensia Kombëtare e Privatizimit pranë Këshillit të Ministrave, e cila është kompetente për drejtimin, organizimin dhe bashkërendimin e punës për procesin e privatizimit. Ajo jep autorizimin, shpall formën, cakton kohën dhe radhën e kalimit të objekteve të pronës shtetërore në pronë private.
Agjensia Kombëtare e Privatizimit bashkëpunon me Komisionin Përgatitor të Procesit të Privatizimit pranë Ministrisë së Ekonomisë. Ky komision bashkërendon punën me nënkomisionet e privatizimit që ngrihen pranë ministrive, institucioneve të tjera qendrore dhe organeve të pushtetit lokal për vlerësimin e objektit dhe përgatitjen e dokumentacionit përkatës, i cili i paraqitet Agjensisë Kombëtare të Privatizimit. Kjo agjensi ka kompetencën e dhënies me qira të objekteve që janë pronë shtetërore.
Neni 23
Kalimi i pronës shtetërore në pronë private behet nëpërmjet ankandit, shitjes së lirë të aksioneve, dhënies falas të aksioneve shtetërore personave fizikë vendas, si dhe me çdo mënyrë tjetër të përshtatshme.
Vlerësimi i pronës shtetërore që do të privatizohet, bëhet duke patur parasysh edhe gjendjen fizike, vendndodhjen dhe karakterin e prodhimit a të shërbimit të objektit.
Prona shtetërore që privatizohet, të mos e ndryshojë destinacionin e vet për dy vjet. Ndryshimi i destinacionit brenda këtij afatit mund të bëhet me lejen e Agjensisë Kombëtare të Privatizimit.
Neni 24
Ankandi organizohet dhe shpallet nga Agjensia Kombëtare e Privatizimit. Ai është i hapur, i lirë dhe i barabartë për të gjithë. Pjesëmarrësit në ankand duhet të paraqesin dokumente të formave të ndryshme të njohura me ligj, që vërtetojnë aftësinë e tyre paguese.
Fillimisht në ankand lejohet të marrin pjesë vetëm persona fizikë e juridikë me shtetësi shqiptare. Nëse objekti nuk shitet në seancën e dytë të ankandit, me miratim të Agjensisë Kombëtare të Privatizimit, në ankand marrin pjesë edhe persona fizikë e juridikë të huaj.
Vlerësimi dhe shitja e mjeteve të xhiros bëhet me çmimet aktuale shtetërore me shumicë në momentin e shitjes.
Pronari i shpallur nga ankandi fiton të drejtën e pronësisë me pagesën tërësore të vleftës së objektit ose me pagesën pjesore të kësaj vlefte. Kur pagesa bëhet pjesore, pjesa e mbetur e vleftës së objektit u shpërndahet falas ose u shitet punonjësve të objektit në formë aksionesh. Pjesa e vleftës së objektit që u shpërndahet falas ose u shitet punonjësve, caktohet nga Agjensia Kombëtare e Privatizimit. Pjesa e vleftës së objektit që shpërndahet falas, nuk duhet të kalojë 30 për qind të kësaj vlefte.
Neni 25
Privatizimi i pronës shtetërore nëpërmjet shitjes se aksioneve organizohet dhe shpallet nga Agjensia Kombëtare e Privatizimit, që përcakton edhe vleftën nominale të aksionit.
Rregullat për emëtimin, shpërndarjen, ruajtjen dhe shitjen e aksioneve përcaktohen nga Ministria e Financave, në bashkëpunim me Bankën e Shtetit Shqiptar.
Neni 26
Mosmarrëveshjet për marrëdhëniet e debitorëve dhe kreditorëve shtetërorë e privatë, që rezultojnë në momentin e kalimit të pronësisë së ndërmarrjes osë njësive shtetërore në pronë private, zgjidhjen në marrëveshje ndërmjet palëve dhe, kur kjo nuk arrihet zgjidhen nga gjykata.
Neni 27
Të ardhurat e realizuara nga kalimi i pronës shtetërore në atë private derdhen në buxhetin e shtetit.
Neni 28
Investimet e huaja dhe prona private e personave fizikë a juridikë, vendas a të huaj, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nuk mund të shpronësohen ose shtetëzohen dhe as nuk mund të jenë objekt masash të tjera të barasvlefshme me shtetëzimin ose shpronësimin me përjashtim të rasteve të veçanta në interes të përdorimit publik dhe gjithmonë me pagesë dhe me një zhdëmtim të plotë.
Zhdëmtimi, në rastet e përmendura, në paragrafin e parë të këtij neni, do të jetë i barabartë me investimin ose vleftën e pronës së shpronësuar ose shtetëzuar ditën në të cilën i është njoftuar shpronësimi palës që do të shpronësohet dhe ky zhdëmtim do të paguhet pa vonesë, bashkë me interesat bankare të akumuluara deri në ditën e pagimit. Zhdëmtimi është plotësisht i realizueshëm dhe lirisht i tjetërsueshëm.
Në rast se pagimi i zhdëmtimit vonohet ky i fundit paguhet me një shumë që e vë personin fizik a juridik vendas a të huaj në një pozitë jo më pak të favorshëm nga ajo që ka pasur, në qoftë se kjo shumë do të derdhej në datën e shpronësimit ose të shtetëzimit. Kushtet për mënyrën e derdhjes së këtij zhdëmtimi duhet të caktohen para datës së shpronësimit ose shtetëzimit.
Neni 29
Ligjshmëria e shpronësimit ose e shtetëzimit apo e çdo mase tjetër të barazvlefshme me to, si dhe shuma e zhdëmtimit mund të jenë objekt shqyrtimi nga gjykata.
Neni 30
Dekreti nr.7476, datë 12.3.l991 “Për lejimin dhe mbrojtjen e pronës e të veprimtarive private”, si dhe të gjitha dispozitat e tjera që vijnë në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 31
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.
Shpallur me dekretin nr.22, datë 15.8.l991 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ramiz Alia.
Shfuqizuar paragrafi i dytë i nenit 3 me Ligj Nr.8306, datë 14.3.1998.
©GC