Print Friendly, PDF & Email

The measure is available in the following languages:

PËR FONDACIONET*

(Ligj Nr.7695, datë 7.4.1993)

 Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozim të Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKëS Së SHQIPëRISë

V E N D O S I:

Neni 1

Fondacioni formohet për realizimin e qëllimeve shoqërore ose ekonomike të dobishme, që pajtohen me interesat themelore të Republikës së Shqipërisë në fusha të tilla si: Mbrojtja e shëndetit, zhvillimi i ekonomisë, i shkencës, arsimit, edukimit, kulturës dhe artit, asistenca dhe ndihma shoqërore, mbrojtja e mjedisit, si dhe mbrojtja e monumenteve.

Selia e fondacionit caktohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Kur fondacioni ushtron veprimtari në një rreth, selia e tij bëhet brenda territorit të atij rrethi.

Neni 2

Fondacionet themelohen nga persona fizikë e juridikë, vendas e të huaj. Deklarata lidhur me shprehjen e dëshirës për të themeluar fondacionin paraqitet me shkrim dhe firmoset nga themeluesit e fondacionit.

Në deklaratën e lidhur me dëshirën për themelimin e fondacionit të tregohet qëllimi i fondacionit, përbërësit e pasurisë dhe vlera e tyre, si dhe burimet e financimit. Burimet e financimit janë: shteti ose donatorët ose kuotat e anëtarësimit të fondacionit.

Neni 3

Nuk lejohet që fondacioni të kryejë veprimtari fitimprurëse.

Neni 4

Përbërësit e pasurisë që përmendëm në paragrafin 3, neni 2 mund të jenë: para, letra me vlerë ose sende të luajtshme e të paluajtshme, që i janë dhënë fondacionit në pronësi të tij.

Neni 5

Fondacioni e zhvillon veprimtarinë e tij në bazë të dispozitave të këtij ligji dhe të statutit të tij.

Neni 6

Themeluesi i fondacionit përcakton statutin e fondacionit, i cili përmban format dhe kuadrin e zhvillimit të veprimtarisë së fondacionit, përbërjen dhe drejtimin e tij, si dhe mënyrën e krijimit. Ai përcakton detyrat dhe kompetencat e organit drejtues dhe të anëtarëve të tij. Statuti përmban edhe përcaktime të tjera për kryerjen nga fondacioni të veprimtarisë ekonomike, në përputhje me qëllimet e tij, për mundësitë e lejimit dhe kushtet që mundësojnë lidhjet e tij me fondacionet e tjera, për mënyrën e mbylljes së fondacionit, për ndryshimin e predestinacionit, si dhe përcaktime për krijimin e organeve të tjera të fondacionit.

Themeluesi i fondacionit, në përputhje me qëllimin e fondacionit, mund të caktojë ministrin dhe kryetarin përkatës, me të cilin lidhet qëllimi i fondacionit. Deklarata e themeluesit të fondacionit për këtë çështje  duhet t'i bashkëngjitet statutit dhe të dorëzohet në gjykatën që bën regjistrimin e fondacionit.

Kur në statut nuk përcaktohet destinacioni i mjeteve në formë pasurish që disponohen nga fondacioni, pas mbarimit të tij, këto mjete do të përdoren për qëllimet që përmenden në nenin 1.

Neni 7

Fondacioni fiton cilësinë e personit juridik që në çastin e regjistrimit të tij.

Regjistrimi i fondacionit bëhet në gjykatën e rrethit, ku do të vendoset selia e fondacionit.

Ministri i Drejtësisë përcakton kriteret dhe mënyrën e regjistrimit të fondacionit.

Neni 8

Për përpilimin e aktit, i cili ka si objekt vetëm shprehjen e vullnetit për themelimin e fondacionit, nuk merren taksa noteriale.

Veprimet lidhur me çështjet që i përkasin regjistrimit të fondacionit, nuk u nënshtrohen taksave.

Neni 9

Gjykata përkatëse kryen shënimin në regjistrin e fondacionit, pasi vërteton që veprimet, të cilat përbëjnë bazën e regjistrimit, janë kryer nga personi ose organi i autorizuar dhe se ato janë të bazuara në ligj.

Për shënimin e fondacionit në regjistrin përkatës gjykata njofton ministrin që lidhet me fushën e veprimtaritë dhe qëllimet e fondacionit e që më tej do të emërohet "Ministri përkatës", duke i dërguar edhe statutin përkatës. Kur terreni, në të cilin do të zhvillohet veprimtaria e fondacionit, është një rreth, atëhere edhe kryetari i këshillit të rrethit do të quhet, për shkak të selisë së fondacionit, "Kryetari përkatës", duke i dërguar atij njëkohësisht edhe statutin. Me ministrin përkatës barazohet edhe drejtuesi i institucionit qendror përkatës.

Kur qëllimet e fondacionit përfshihen në kuadrin e veprimtarisë së dy a më shumë ministrive, gjykata njofton për regjistrimin e fondacionit, ministrin përkatës, me kuadrin veprues të të cilit lidhen qëllimet kryesore të fondacionit, duke i dërguar edhe statutin.

Neni 10

Fondacioni drejtohet nga një kryesi, mënyrat e zgjedhjes dhe kompetencat e së cilës përcaktohen në statutin e tij. Ndryshimet në statut duhet të shoqërohen me shënimin përkatës në regjistrin e fondacionit. Në këtë rast zbatohen kërkesat e nenit 9.

Neni 11

Fondacioni çdo vit i paraqet ministrit dhe kryetarit përkatës raport për veprimtarinë e tij.

Për përputhjen e veprimtarisë së fondacionit me qëllimet për të cilat është krijuar, me propozim të ministrit përkatës ose të kryetarit të gjykatës së rrethit ku e ka selinë fondacioni, gjykata nxjerr vendimin përkatës.

Neni 12

Ministri ose kryetari përkatës mund t'i drejtohen gjykatës për anulimin e vendimit të kryesisë së fondacionit, kur është në kundërshtim të hapur me qëllimin e vet, ose me kërkesat e statutit të fondacionit a me dispozitat ligjore.

Ky organ mund t'i drejtohet edhe gjykatës që të pezullojë zbatimin e vendimit deri në kohën kur çështja do të gjejë zgjidhje.

Neni 13

Kur veprimtaria e kryesisë së fondacionit bie ndesh me dispozitat ligjore ose përcaktimet e statutit të vet ose nuk pajtohet me qëllimet e veta, atëhere ministri ose kryetari përkatës mund të përcaktojnë një afat për t'i mënjanuar këto mospajtime në veprimtarinë e kryesisë, ose mund të kërkojnë që në një afat të caktuar të bëhen ndryshime në veprimtarinë e fondacionit.

Kur brenda afatit të përcaktuar nuk bëhet asnjë përmirësim, ose kryesia e fondacionit vazhdon të veprojë në kundërshtim me ligjin, atëhere mund t'i kërkohet gjykatës që të bëjë çregjistrimin e fondacionit.

Nëse gjykata bën çregjistrimin, fondacioni cakton një kryetar të përkohshëm deri në mbylljen e veprimtarisë së tij.

Neni 14

Kur realizohet qëllimi për të cilin është krijuar fondacioni, ose kur mbarojnë mjetet financiare dhe pasuria e fondacionit, atëhere fondacioni i nënshtrohet mbarimit sipas mënyrës që parashikohet në statut.

Kur në statut nuk parashikohet mbarimi i fondacionit, ose kur rregulloret e tij lidhur me këtë objekt nuk kanë gjetur zbatim, për rastet e përmendura në paragrafin 1 ministri ose kryetari përkatës i drejtohen gjykatës për mbarimin e fondacionit.

Për rastet e tjera që nuk parashikohen në paragrafin 1 të këtij neni, mbarimi i fondacionit mund të kryhet duke u bazuar vetëm në dispozitat e statutit të tij.

Kur në statut nuk përcaktohen dispozita për destinacionin e mjeteve në formë pasurish që mbeten pas mbarimit të fondacionit, gjykata vendos lidhur me destinacionin e këtyre mjeteve, duke pasur parasysh qëllimet të cilave u ka shërbyer fondacioni.

Neni 15

Mosmarrëveshjet për pasurinë, në të cilat fondacioni është palë, zgjidhen nga gjykata.

Neni 16

Fondacionet e huaja që i kanë selitë jashtë territorit të Shqipërisë, mund të krijojnë përfaqësi në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Për krijimin e përfaqësive është e nevojshme leja që jepet nga ministri përkatës, në varësi nga fusha e veprimtarisë së vet, si dhe nga qëllimet e krijimit të përfaqësive.

Leja mund të jepet kur përfaqësia do t'i shërbejë realizimit të qëllimeve të përcaktuara në nenin 1.

Përfaqësia është e detyruar t'i përmbahet kërkesave të ligjit, të cilat janë të detyruara për t'u zbatuar në Republikën e Shqipërisë.

Ministri përkatës, sipas fushës ku e ushtron veprimtarinë dhe duke u bazuar në qëllimet për të cilat është krijuar përfaqësimi, mund të pëzullojë lejen, kur shkelen dispozitat ligjore që janë të detyruara në territorin e Republikës së Shqipërisë, ose interesat e shtetit.

Kur përfaqësia ose fondacioni që përfaqësohet prej saj kërcënon të dëmtojë sigurinë e shtetit, ose ndonjë interes tjetër të rëndësishëm shtetëror, ministri përkatës mund ta pezullojë lejen. Pezullimi i lejes shkakton, deri në marrjen e vendimit për anulimin e saj, ndalimin e menjëhershëm të veprimtarisë që përfshihet në leje.

Neni 17

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.513, datë 16.4.1993 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

 

* Ligji i shfuqizuar ne 2001 nga Ligji nr.7695, datë 7.4.1993 "Për fondacionet"

 

© GC

Trascina file per caricare