Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

PËR ORGANIZATAT JOFITIMPRURËSE

(Ligj Nr.8788, datë 7.5.2001)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I :

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti i ligjit

Ky ligj përcakton rregullat për themelimin, regjistrimin, funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse, të cilat ndjekin qëllime në të mirë dhe në interes të publikut.

Neni 2

Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtme kanë këto kuptime:

1. “Mbledhje publike e fondeve” kuptohet mbledhja e fondeve me anë të fushatave sensibilizuese publike të një shkalle të gjerë.

2. “Organ shtetëror kompetent” kuptohet organi shtetëror, fusha e kompetencës së të cilit është e njëjtë ose e ngjashme me fushën e veprimtarisë së organizatës jofitimprurëse ose organi shtetëror i përcaktuar në ligj.

3. “Organizata jofitimprurëse” kuptohet shoqatat, fondacionet dhe qendrat, veprimtaria e të cilave zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga shteti.

4. “Veprimtari jofitimprurëse” kuptohet çdo veprimtari ekonomike ose joekonomike me kusht që të ardhurat ose pasuritë e organizatave jofitimprurëse, kur ka të tilla, të përdoren vetëm për realizimin e qëllimeve të përcaktuara në statutin e organizatës.

5. “Veprimtari e përkohshme” kuptohet veprimtaria që kryhet nga një organizatë jofitimprurëse e huaj në territorin shqiptar për realizimin e qëllimeve të caktuara konkrete gjatë një viti kalendarik, për një periudhë jo më pak se 30 ditë të njëpasnjëshme dhe jo më shumë se gjashtë muaj.

6. “Veprimtari në të mirë dhe interes të publikut” kuptohet çdo veprimtari që mbështet dhe zhvillon tek individi dhe shoqëria vlera shpirtërore dhe vlera të tjera humanitare, mbron jetën e njeriut, shëndetin e tij, siguron dhe realizon shërbime publike dhe sociale, ndihma dhe mbështetje në raste fatkeqësish, mbron mjedisin dhe zhvillon kulturën dhe edukatën ndaj tij, mbështet e zhvillon vlerat dhe traditat kulturore e historike, shkencën, arsimimin, edukimin fizik dhe shpirtëror, jep ndihmesë në zhvillimin e zakoneve të mira dhe të vlerave demokratike, si dhe çdo drejtim tjetër në të mirë dhe në interes të publikut.

Neni 3

Subjekte të ligjit

Subjekte të këtij ligji janë shoqatat, fondacionet dhe qendrat e parashikuara në nenin 2 pika 1 të këtij ligji.

Nuk janë subjekte të këtij ligji sindikatat, partitë politike dhe ato organizata të tjera jofitimprurëse, veprimtaria, organizimi dhe funksionimi i të cilave rregullohet me ligj të veçantë.

Çdokush ka të drejtën e organizimit kolektiv, pa pasur nevojë për ta regjistruar këtë si një organizatë jofitimprurëse.

KREU II

PARIME TË PËRGJITHSHME

Neni 4

E drejta e themelimit dhe e pjesëmarrjes

Çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, ka të drejtë të themelojë një organizatë  jofitimprurëse, të jetë anëtar i saj ose të marrë pjesë në organet drejtuese ose në personelin administrativ të organizatës jofitimprurëse.

Neni 5

Parimi i mbrojtjes dhe i respektimit të të drejtave të njeriut

Organizatat jofitimprurëse e bazojnë veprimtarinë e tyre në parimin e respektimit, të mbrojtjes dhe të zbatimit të të drejtve dhe lirive themelore të njeriut, të parashikuara në Kushtetutë, ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara me ligj.

Neni 6

Parimi i pavarësisë nga shteti

Organizatat jofitimprurëse e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur nga organet dhe interesat shtetërorë.

Neni 7

Marrëdhëniet e organizatave jofitimprurëse me organet shtetërore

Shteti mbështet dhe nxit veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse. Realizimi nga ana e shtetit i kushteve dhe i lehtësirave për organizatat jofitimprurëse për përmbushjen e qëllimit dhe të objektit të veprimtarisë së tyre bëhet me ligj.

Organet shtetërore nuk ndërhyjnë në veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse.

Ndalimi ose kufizimi i veprimtarisë së organizatave jofitimprurëse bëhet vetëm në rastet dhe mënyrën e përcaktuar në ligj.

Neni 8

Të drejtat dhe detyrimet civile

Organizatat jofitimprurëse kanë të drejta dhe përmbushin detyrimet në përputhje me dispozitat e Kodit Civil, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë ligj ose në dispozita të tjera ligjore.

KREU III

ORGANIZATAT JOFITIMPRURËSE

Neni 9

Format e organizatave jofitimprurëse

Themelimi, format, organizimi, funksionimi dhe fusha e veprimtarisë së organizatave jofitimprurëse bëhet në përputhje me Kodin Civil dhe me këtë ligj.

Neni 10

Ndarja e organizatave jofitimprurëse sipas organizimit

Në varësi të mënyrës së organizimit, organizatat jofitimprurëse ndahen në:

1. organizata jofitimprurëse me anëtarësi:

Organizata jofitimprurëse me anëtarësi janë shoqatat.

Organizatat jofitimprurëse me anëtarësi themelohen me vullnetin e lirë të personave fizikë ose juridikë. Numri minimal i anëtarëve themelues është 5 persona fizikë ose të paktën dy persona juridikë.

Çdo anëtar ka të drejtë të largohet nga organizata jofitimprurëse për çfarëdolloj motivi. Statuti mund të parashikojë rregulla për përgjegjësinë që i takon anëtarit që largohet, lidhur me detyrimet dhe përgjegjësitë e organizatës kundrejt të tretëve deri në çastin e largimit të tij. Përgjegjësia e anëtarit që largohet është e njëjtë me atë të anëtarëve të tjerë të organizatës jofitimprurëse për veprimtarinë e kryer deri në çastin e largimit.

Organi më i lartë drejtues i organizatës jofitimprurëse me anëtarësi është mbledhja e përgjithshme ose asambleja e të gjithë anëtarëve të saj. Organet e tjera drejtuese zgjidhen dhe përgjigjen përpara këtij organi më të lartë;

2.organizata jofitimprurëse pa anëtarësi:

Organizata jofitimprurëse pa anëtarësi janë fondacionet dhe  qendrat.

Organizatat jofitimprurëse pa anëtarësi krijohen  nga  një a më shumë persona ose me akt testamentar.

Organi më i lartë drejtues i organizatave jofitimprurëse pa anëtarësi është bordi i drejtorëve.

Neni 11

Qendra

1. Qendra është person juridik pa anëtarësi, që ka për objekt të veprimtarisë së saj kryerjen e shërbimeve dhe realizimin e projekteve për qëllime në të mirë dhe në interes të publikut, me fonde dhe të ardhura të siguruara sipas ligjit. Nuk lejohet që qendra të kryejë veprimtari fitimprurëse.

2. Qendra krijohet nga një a më shumë persona fizikë  a juridikë me akt noterial.

3. Akti për krijimin e qendrës, me kërkesë të themeluesit të saj, regjistrohet në gjykatë.

4. Për themelimin, organizimin dhe funksionimin e qendrës zbatohen dispozitat ligjore përkatëse të fondacionit, përveç kur parashikohet shprehimisht ndryshe në këtë ligj dhe dispozita të tjera ligjore.

Neni 12

Ndarja e organizatave jofitimprurëse sipas së drejtës

Në varësi të vendit të regjistrimit të tyre, organizatat jofitimprurëse ndahen në:

1. organizata jofitimprurëse vendase:

Organizatat jofitimprurëse vendase janë ato që janë themeluar, njohur dhe regjistruar si të tilla sipas ligjit shqiptar.

Organizatat jofitimprurëse vendase mund të themelojnë degë të tyre në qendër ose në çdo njësi tjetër administrativo-territoriale të Shqipërisë. Këto degë nuk janë persona juridikë të veçantë, por pjesë e organizatës.

Organizatat jofitimprurëse vendase kanë të drejtë të themelojnë degë të tyre, filiale etj. jashtë territorit të Shqipërisë;

2. organizata jofitimprurëse të huaja:

Organizatat jofitimprurëse të huaja janë ato organizata të themeluara, të njohura dhe regjistruara si të tilla sipas ligjit të një shteti tjetër.

Oranizatat jofitimprurëse të huaja lejohen të ushtrojnë një a disa veprimtari të caktuara në territorin shqiptar, me kusht që ato të mos vijnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar.

Organizatat jofitimprurëse të huaja lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin shqiptar edhe nëpërmjet themelimit dhe regjistrimit sipas së drejtës shqiptare të një dege të tyre ose të një organizate jofitimprurëse të re.

KREU IV

THEMELIMI DHE REGJISTRIMI I ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE

Neni 12.bis

Subjektet themeluese

Organizatat jofitimprurëse themelohen nga persona fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj.

Neni 13

Regjistrimi i organizatave jofitimprurëse

Organizatat jofitimprurëse, subjekte të këtij ligji, fitojnë personalitetin juridik pasi të jenë themeluar dhe regjistruar në gjykatë, në përputhje me kushtet dhe procedurat e parashikuara me ligj. Të njëjtave procedura të regjistrimit u nënshtrohen edhe degët e organizatave jofitimprurëse të huaja.

Themeluesit e organizatës jofitimprurëse mblidhen dhe miratojnë aktin e themelimit dhe statutin e saj, si dhe mund të autorizojnë një a më shumë persona për të kryer veprimet për regjistrim.

Kushtet e parashikuara në paragrafin e dytë të këtij neni nuk zbatohen për fondacionet që themelohen mbi bazën e një akti testamentar. Këto fondacione, nëse përmbushin kriteret ligjore duhet të regjistrohen duke  respektuar rregullat e përgjithshme juridiko-civile të ekzekutimit të testamentit.

Procedurat për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse në gjykatë dhe për depozitimin e akteve të tyre në regjistrin përkatës rregullohen me ligj të veçantë.

Neni 14

Personaliteti juridik

Organizata jofitimprurëse njihet si person juridik ditën që vendimi i gjykatës për regjistrimin e saj ka marrë formë të prerë.

Organizata jofitimprurëse, pasi të ketë fituar personalitetin juridik, është përgjegjëse ndaj të tretëve për detyrimet dhe dëmet e shkaktuara gjatë veprimtarisë së saj.

Personaliteti juridik i organizatës jofitimprurëse mbaron në ditën kur vendimi i gjykatës për çregjistrimin e saj merr formë të prerë.

Neni 15

Kohëzgjatja e organizatave jofitimprurëse

Organizatat jofitimprurëse themelohen me ose pa afat.

Kohëzgjatja e veprimtarisë së organizatës jofitimprurëse dhe rregullat për ndryshimin e saj caktohen në statutin e saj.

Neni 16

Akti i themelimit

Akti i themelimit është akti me të cilin themeluesit e saj shprehin vullnetin e tyre për themelimin e organizatës jofitimprurëse.

Fondacioni mund të themelohet edhe nëpërmjet aktit testamentar. Në këtë rast, testamenti përbën aktin e themelimit të fondacionit.

Akti i themelimit hartohet me shkrim dhe përmban në mënyrë të përmbledhur : llojin, emrin, selinë, identitetin e themeluesve, qëllimet dhe fushën e veprimtarisë, kohëzgjatjen, emrin e personit që autorizohet të ndjekë procedurat e nevojshme për regjistrimin e organizatës jofitimprurëse dhe për përfaqësimin ligjor të saj me të tretët.

Në rastin e fondacionit, akti i themelimit duhet të tregojë natyrën, burimin dhe vlerën  e pasurisë së nevojshme për realizimin e qëllimit dhe fushës së  veprimtarisë të fondacionit.

Në rastin e themelimit të fondacionit me testament,  përmbajtja e tij mund të mos parashikojë të gjitha çështjet e treguara në paragrafët e tretë e të katërt të këtij neni.

Vendimet për ndryshime në aktin e themelimit, që kanë lidhje me emrin, simbolin, objektin, qëllimet, fushën e veprimtarisë së organizatave jofitimprurëse, si dhe vendimet për transformimin e saj në një formë tjetër të një organizate jofitimprurëse, duhet t’i paraqiten gjykatës brenda 30 ditëve nga data e marrjes së këtij vendimi. Ndryshimet në aktin e themelimit i nënshtrohen të njëjtës procedurë të përdorur në rastin e regjistrimit fillestar të organizatës.

Neni 17

Statuti

Rregullimi i hollësishëm i çështjeve të organizimit, të funksionimit dhe të veprimtarisë së organizatës jofitimprurëse parashikohet në statutin e saj.

Statuti i organizatës jofitimprurëse hartohet nga themeluesit dhe miratohet në mbledhjen themeluese të organizatës. Në rastin e themelimit të fondacionit me testament, statuti mund të hartohet dhe të miratohet nga ekzekutori i testamentit, përveç rasteve kur testamenti e përcakton ndryshe.

Statuti i organizatës jofitimprurëse duhet të përmbajë:

a) formën e organizimit;

b) emrin, siglën dhe simbolin e veçantë të organizatës;

c) themeluesit;

ç) qëllimin dhe fushën e veprimtarisë së organizatës;

d) ndalimin e shpërndarjes së fitimeve;

dh) kohëzgjatjen;

e) organet drejtuese dhe kompetencat e tyre;

ë) përbërjen e organeve të para drejtuese, që parashikohen në statut;

h) procedurat dhe mënyrat për zgjedhjen ose ndryshimin e organeve drejtuese;

i) rregulla për mbajtjen e mbledhjes, pjesëmarrjen, mënyrën dhe procedurën e votimit për marrjen e vendimeve;

j) kriteret e administrimit të pasurisë;

k) mënyrën e miratimit të ndryshimit të statutit, të aktit të themelimit dhe të rregullave të brendshme;

l) rregullat për bashkimin dhe ndarjen e organizatës jofitimprurëse;

ll) mënyrën e përfaqësimit ligjor;

m) rregullat për likuidimin dhe destinimin e pasurisë pas mbarimit të organizatës.

Përveç sa përmendet në paragrafin e tretë të këtij neni, për shoqatën, statuti duhet të parashikojë edhe:

a) rregullat për pranimin e përjashtimit të anëtarëve;

b) të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve;

c) rregullat lidhur me kuotizacionet.

Përveç sa përmendet në paragrafin e tretë të këtij neni, për fondacionin dhe qendrat, statuti duhet të parashikojë edhe burimet financiare dhe materiale të siguruara nga themeluesi dhe mënyrën e përdorimit të tyre.

Neni 18

Ndryshimi i statutit

Ndryshimi i statutit të shoqatës bëhet nga mbledhja e përgjithshme e anëtarëve të saj.  Në rast se statuti nuk parshikon një shumicë më të lartë votimi, ndryshimet në statut bëhen me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të shoqatës.

Në rastin e fondacionit dhe qendrave, organi më i lartë vendimmarrës i tyre, në përputhje me procedurat e përcaktuara në statut, ka në kompetencë të bëjë ndryshime në statut. Në rastin kur fondacioni është themeluar me akt testamentar, ndryshimi i vullnetit të testatorit nuk mund të bëhet kur kjo është e ndaluar shprehimisht në testament.

Vendimi i mbledhjes së përgjithshme ose i organit më të lartë vendimmarrës të organizatës jofitimprurëse për ndryshimin e statutit, depozitohet në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse, sipas procedurave të caktuara me ligj.

KREU V

ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI

Neni 19

Organet vendimmarrëse

Organi më i lartë vendimmarrës i organizatës jofitimprurëse pa anëtarësi është bordi i drejtorëve, i cili mund të marrë emërtime të ndryshme, ndërsa për ato me anëtarësi është  mbledhja e përgjithshme e anëtarëve të saj.

Në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj ose në aktet e saj, organi më i lart vendimmarrës i organizatës jofitimprurëse mblidhet jo më pak se numri i mbledhjeve të parashikuara në statut, si dhe brenda kohës së caktuar për zhvillimin e tyre, por në çdo rast jo më pak se 1 herë në vit.

Neni 20

Kompetencat e organit më të lartë vendimmarrës

Organi më i lartë vendimmarrës i organizatës jofitimprurëse, përveç çështjeve të tjera që çmon se duhet të shqyrtohen prej tij, vendos për ndryshimin e statutit, përcakton fushat dhe programet e veprimtarisë, mbikëqyr dhe kontrollon rregullisht realizimin e tyre, shqyrton çështjet ekonomike, financiare dhe të administrimit, miraton aktet më të rëndësishme në lidhje me buxhetin e organizatës jofitimprurëse dhe shpenzimet për vitin e ardhshëm, nxjerr norma për rregullimin e veprimtarisë, të organizimit dhe të strukturës së organizatës, zgjedh ose emëron anëtarët e organit më të lartë ekzekutiv, krijon komitete të posaçme, si dhe vendos edhe për çështje të tjera të parashikuara shprehimisht në ligj ose në statut.

Neni 21

Shpërblimi i anëtarëve të organit më të lartë vendimmarrës

Anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës, si rregull, ushtrojnë funksionin e tyre pa shpërblim.

Organizata jofitimprurëse, në respektim të parimit të interesit më të mirë të organizatës, në varësi të kushteve të saj, të numrit dhe të kohëzgjatjes së mbledhjeve, mund të rimbursojë shpenzimet dhe të shpërblejë në mënyrë të arsyeshme anëtarët e organit më të lartë  drejtues për pjesëmarrjen në mbledhjet e tij.

Ata shpërblehen edhe në rastet kur përmbushin detyra të caktuara.

Neni 22

Organet ekzekutive

Organizata  jofitimprurëse ka një organ të lartë ekzekutiv individual ose kolegjial, i cili sipas rastit mund të quhet drejtor ekzekutiv, president, këshill ekzekutiv etj.

Veprimtaria e përditshme dhe ekzekutimi i programeve të vendosura nga organi më i lartë vendimmarrës i organizatës jofitimprurëse bëhet nga organi më i lartë ekzekutiv.

Rregullat e veprimtarisë së organit më të lartë ekzekutiv caktohen nga statuti dhe aktet e organit më të lartë drejtues ose vendimmarrës.

Neni 23

Shpërblimi i personave që bëjnë pjesë në organin më të lartë ekzekutiv dhe i punonjësve të organizatës jofitimprurëse

Anëtari ose anëtarët e organit më të lartë ekzekutiv dhe punonjësit e organizatës jofitimprurëse për punën e kryer përfitojnë pagë, shpërblime dhe rimbursim për shpenzimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrave dhe kompetencave të tyre.

Neni 24

Numri i anëtarëve të organit më të lartë vendimmarrës

Organi më i lartë vendimmarrës i organizatës jofitimprurëse pa anëtarësi nuk mund të ketë më pak se tre anëtarë, përveç rasteve kur statuti parashikon ndryshe. Organi më i lartë vendimmarrës mblidhet me pjesëmarrjen e më shumë se gjysmës së anëtarëve të tij dhe vendos me shumicë të anëtarëve të pranishëm.

Organi më i lartë vendimmarrës i organizatës jofitimprurëse me anëtarësi nuk mund të ketë më pak se pesë anëtarë, përveç rasteve kur statuti parashikon ndryshe. Organi më i lartë vendimmarrës mblidhet me pjesmarrjen e më shumë se gjysmës së anëtarëve të tij dhe vendos me shumicën e anëtarëve të pranishëm.

Organi më i lartë vendimmarrës mund të krijojë organizma të tjerë vendimmarrës, ekzekutivë ose këshillimorë, si kur e lejon statuti, ashtu edhe kur statuti nuk e pengon shprehimisht.

Neni 25

Përgjegjësia e anëtarëve të organeve drejtuese dhe punonjësve

Anëtarët e organeve vendimmarrëse dhe ekzekutive, si dhe punonjësit e organizatës jofitimprurëse nuk përgjigjen për detyrimet e saj ndaj të tretëve, me përjashtim të rasteve kur gjatë ushtrimit të detyrës, me dashje ose nga pakujdesia e rëndë, i kanë shkaktuar dëm të tretëve.

Neni 26

Konflikti i interesave dhe marrëveshjet e ndaluara

Nuk lejohet konflikti i interesave ndërmjet organizatës jofitimprurëse dhe anëtarit të organit vendimmarrës, ekzekutiv ose punonjësit të saj. Rastet e konflikteve dhe procedurat e zgjidhjes së tyre parashikohen në statut dhe në akte të tjera ligjore.

Marrëveshjet ndërmjet organizatës jofitimprurëse dhe një anëtari të organeve vendimmarrëse dhe ekzekutive ose një punonjësi të saj mund të lejohen vetëm nëse ato lidhen për të përmbushur një qëllim ose objekt të veprimtarisë së organizatës jofitimprurëse, vetëm nëse janë të drejta dhe në përputhje me vlerën reale të tregut. Këto marrëveshje mund të lejohen vetëm nëse shqyrtohen paraprakisht nga organet drejtuese. Personat e interesuar duhet të përjashtohen nga diskutimet dhe votimi për marrëveshjen.

Në rast konflikti interesi ose marrëveshje të ndaluar ose të konsumuar dhe në rast se procedurat e mësipërme nuk janë ndjekur, organizata jofitimprurëse mund ta anulojë këtë marrëveshje dhe të ngrejë padi për dëmshpërblim në gjykatë.

Neni 27

Zgjidhja e konfliktit të interesave

Çdo anëtar i organit më të lartë vendimmarrës ose ekzekutiv i organizatës jofitimprurëse duhet të tërhiqet nga shqyrtimi dhe marrja e vendimit për çdo çështje që ai ose familjarët e tij kanë interesa të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ekonomikë ose vetjakë.

Çdo transaksion financiar për llogari të organizatës jofitimprurëse, ndërmjet një anëtari të organit vendimmarrës, atij ekzekutiv a një punonjësi të organizatës jofitimprurëse, si dhe një personi tjetër juridik dhe fizik, kur anëtari i organit vendimmarrës, atij ekzekutiv ose punonjësi i organizatës jofitimprurëse ka interes financiar, mund të përfundohet vetëm nëse organi më i lartë vendimmarrës e lejon atë dhe nëse ky transaksion përmban kushte më të favorshme për organizatën jofitimprurëse.

Punonjësit e paguar nuk  mund të jenë anëtarë të organit vendimmarrës të organizatës jofitimprurëse. Ata mund të marrin pjesë në mbledhjet e tyre pa të drejtë vote.

Neni 28

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve

Mosmarrëveshjet ndërmjet anëtarëve, ndërmjet tyre dhe organeve vendimmarrëse dhe ekzekutive ose ndërmjet tyre dhe të punësuarve zgjidhen me mirëkuptim dhe në përputhje me statutin dhe rregullat e organizatës jofitimprurëse, në të kundërt çështja zgjidhet nga gjykata.

KREU VI

ORGANIZATA JOFITIMPRURËSE TË HUAJA

Neni 29

Veprimtaria e organizatave jofitimprurëse të huaja

Organizatat jofitimprurëse të huaja kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari të përkohshme ose të përhershme në Republikën e Shqipërisë, duke respektuar legjislacionin shqiptar dhe zakonet e mira dhe në kushte të njëjta me ato të organizatave jofitimprurëse vendase.

Organizatat jofitimprurëse të huaja, për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në Republikën e Shqipërisë, mund të themelojnë dhe regjistrojnë organizata jofitimprurëse ose degë të tyre sipas ligjit shqiptar.

Neni 30

Lejimi për veprimtari të përkohshme

Përveç kur është parashikuar ndryshe në marrëveshje dy ose shumëpalëshe, organizatat jofitimprurëse të huaja, për të ushtruar veprimtari të përkohshme, me kërkesë të tyre, marrin vetëm pëlqimin paraprak të organit shtetëror që e ushtron veprimtarinë në të njëjtën fushë ose në fushë të ngjashme me organizatat jofitimprurëse të huaja.

Vendimi i organit shtetëror përkatës për dhënien e lejes së përkohshme të veprimtarisë jepet jo më vonë se një muaj nga data e paraqitjes së kërkesës. Në rast të kundërt, miratimi konsiderohet i dhënë. Mospranimi i kërkesës mund të kundërshtohet në gjykatë brenda 30 ditë nga  marrja në dijeni.

Veprimtaritë e përkohshme, që zgjasin jo më shumë se 30 ditë të vazhdueshme, nuk kanë nevojë për leje të përkohshme.

Neni 31

Kërkesa dhe aktet shoqëruese për përfitimin e lejes për veprimtarinë e përkohshme

Organizatat jofitimprurëse të huaja, që synojnë të ushtrojnë veprimtari të përkohshme, krahas përmbushjes së kërkesave të tjera të parashikuara nga ky ligj, si dhe marrjes së pëlqimit të organit shtetëror përkatës, që ushtron veprimtarinë në të njëjtën fushë ose në fushë të përafërt me atë të organizatës jofitimprurëse të huaj, bashkë me kërkesën duhet të paraqesin edhe dokumentet vijuese:

a) Dokument që të provojë qenien e tyre person juridik në vendin e tyre të origjinës.

b) Deklaratë nga vetë organizata jofitimprurëse  e huaj, se veprimtaria që synon të realizojë në Shqipëri është në përputhje me qëllimin për të cilën është krijuar dhe me legjislacionin e atij vendi.

Aktet shoqëruese të lëshuara në vendet e tjera duhet të jenë autentike ose të vërtetuara rregullisht nga organi kompetent i vendit ku është lëshuar akti dhe të përkthyera e të noterizuara në gjuhën shqipe.

Neni 32

Dokumentet e nevojshme për regjistrimin e një dege të një organizate jofitimprurëse të huaj

Organizatat jofitimprurëse të huaja që synojnë të themelojnë një degë në Shqipëri, përveç përmbushjes së kërkesave të tjera të ligjit, kërkesën për regjistrim e shoqërojnë edhe me aktin e themelimit, me statutin, së bashku me vendimin e organit kompetent të saj për hapjen e degës në Shqipëri.

Aktet shoqëruese të lëshuara në vendet e tjera duhet të jenë autentike ose të vërtetuara rregullisht nga organi kompetent i vendit ku është lëshuar akti dhe të përkthyera e të noterizuara në gjuhën shqipe.

Neni 33

Të drejtat dhe detyrimet

Organizatat jofitimprurëse të huaja, në ushtrimin e veprimtarisë së tyre kanë të gjitha të drejtat, lehtësitë dhe detyrimet ligjore sikurse edhe ato vendase, përveç kur me ligj ose me marrëveshje ndërkombëtare është parashikuar ndryshe.

KREU VII

LICENCIMI, TË ARDHURAT DHE VEPRIMTARIA EKONOMIKE

Neni 34

Licencimi

Organizatat jofitimprurëse, për realizimin ose mbështetjen e qëllimit dhe objektit të veprimtarisë së parashikuar në statut, kanë të drejtë të ushtrojnë çfarëdolloj veprimtarie të ligjshme.

Kur ushtrimi i një veprimtarie paraprihet nga nevoja për marrjen e një lejeje ose licence, organizata jofitimprurëse i paraqet kërkesë organit kompetent, i cili, pasi vëren se ajo i plotëson të gjitha kriteret dhe procedurat përkatëse ligjore, e pajis atë me lejen a licencën përkatëse.

Gjyqtari në vendimin e regjistrimit duhet të shprehet edhe për përmbushjen e detyrimit të kërkimit dhe të përfitimit të lejes a licencës përkatëse si kusht për ushtrimin nga organizata jofitimprurëse të veprimtarisë e cila është subjekt lejeje a licencimi. Një kopje e lejes ose e licencës së përfituar nga organizata jofitimprurëse, e vërtetuar sipas ligjit, depozitohet në regjistrin përkatës të gjykatës.

Neni 35

Burimet dhe përdorimi i të ardhurave

Burimet e të ardhurave të organizatës jofitimprurëse janë të ardhurat nga kuotizacioni, kur ka të tilla, fonde, grante dhe donacionet e ofruara nga subjektet private ose publike, vendas ose të huaj, si dhe të ardhurat nga veprimtaria ekonomike dhe pasuritë në pronësi të organizatës jofitimprurëse.

Organizatat jofitimprurëse sigurojnë të ardhura nga burime që njihen nga ky ligj dhe bëjnë shpenzime vetëm për realizimin e qëllimit dhe objektit të veprimtarisë, për të cilin janë krijuar, si dhe për drejtimin e mirëmbajtjen e pasurisë së tyre.

Nuk lejohet asnjë formë e shpërndarjes së fitimit ose e përfitimit financiar dhe material nga të ardhurat dhe fitimet e organizatës jofitimprurëse prej personave që janë subjekte të statutit ose aktit themelues, përveç detyrimeve  në formën e pagave, rrogave, pagesave, shpërblimeve e kompensimeve që rrjedhin nga kontrata e punës ose kontrata të tjera të ngjashme me të ose për mbulimin e shpenzimeve të kryera me porosi dhe për llogari të organizatës jofitimprurëse.

Shoqatat, në raste të veçanta, mund të japin ndihmë financiare anëtarëve të saj, personave të jashtëm ose subjeteve të tjera. Shoqatat mund të japin ndihma të tilla edhe nga fonde të dhuruara ose të vëna në dispozicion, kur donatorët kanë përcaktuar shprehimisht një të drejtë të tillë.

Neni 36

Veprimtaria ekonomike

Organizata jofitimprurëse, për realizimin e qëllimit dhe objektit të veprimtarisë së saj, ka të drejtë të ushtrojë veprimtari ekonomike.

Organizata jofitimprurëse mund të zhvillojë veprimtari ekonomike pa qënë nevoja që të krijojë një subjekt të veçantë për këtë qëllim, me kusht që kjo veprimtari të jetë në përputhje me qëllimet e organizatës jofitimprurëse, të jetë deklaruar si një nga burimet e të ardhurave dhe me kusht që kjo veprimtari të mos përbëjë  qëllimin primar të veprimtarisë së organizatës.

Nëse organizata jofitimprurëse, nëpërmjet ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, realizon fitime, ato duhet të përdoren për përmbushjen e qëllimeve të përcaktuara në statut dhe në aktin e themelimit.

Neni 37

Mbledhja e fondeve

Organizatat jofitimprurëse kanë të drejtë të kryejnë veprimtari për mbledhjen e fondeve, për t'i përdorur për përmbushjen e qëllimeve dhe objektit të veprimtarisë së tyre ose për të mbështetur qëllimet dhe veprimtaritë e organizatave të tjera jofitimprurëse.

Rregullat për mbledhjen publike të fondeve përcaktohen me ligj të veçantë.

Neni 38

Marrëdhëniet me donatorët

Marrëdhëniet financiare, të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella me donatorët realizohen në përputhje me marrëveshjet përkatëse, por duke respektuar kërkesat e statutit të organizatës jofitimprurëse dhe të këtij ligji.

Ndalohen ndihma materiale ose financiare që jepen për qëllime të kundërligjshme ose që sigurohen nëpërmjet burimeve të kundërligjshme.

Neni 39

Dhurimet dhe kontraktimet me organet shtetërore

Organizatat jofitimprurëse kanë të drejtë të marrin pjesë si të gjithë personat e tjerë juridikë në fushën e sipërmarrjes, të tenderimit dhe të prokurimit të granteve, të kontraktimeve dhe të shitblerjeve nga ana e organeve shtetërore të shërbimeve publike, të mallrave dhe të pasurive publike, si dhe të transferimit të shërbimeve publike dhe pasurive përkatëse nga sektori publik tek organizatat jofitimprurëse.

Neni 40

Lehtësimi dhe përjashtimi nga detyrimet fiskale

Lehtësitë dhe përjashtimet e organizatave jofitimprurëse nga detyrimet tatimore dhe doganore caktohen me ligj.

Organizatat jofitimprurëse, pavarësisht nga forma e organizimit, qëllimi që ndjekin dhe veprimtaritë që ushtrojnë, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat që realizohen nga dhurimet dhe kuotat e anëtarësisë.

Personat fizikë dhe juridikë që japin ndihmesë me dhurime në favor të organizatave jofitimprurëse, gëzojnë të drejtën e lehtësirave, lidhur me tatimin mbi të ardhurat sipas ligjit.

Neni 41

Mbikëqyrja e organizatave jofitimprurëse

Organet kompetente shtetërore kanë të drejtë të mbikëqyrin organizatat jofitimprurëse përsa i përket zbatimit të legjislacionit tatimor, doganor, të sigurimeve shoqërore, të lejimit të ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, të kontraktimit të ushtrimit të shërbimeve publike e sociale, si dhe për përmbushjen e veprimtarive të tyre me fonde të Buxhetit të Shtetit.

KREU VIII

TRANSFORMIMI, BASHKIMI, NDËRPRERJA E VEPRIMTARISË DHE SHPËRNDARJA

Neni 42

Transformimi dhe bashkimi

Organizatat jofitimprurëse kanë të drejtë të transformohen ose të bashkohen me vendim të organit kompetent sipas aktit bazë dhe konsiderohen të shpërndara me regjistrimin e subjektit të ri.

Transformimi i një organizate pa anëtarësi, bashkimi me një organizatë tjetër jofitimprurëse ose ndarja e tyre, mund të bëhet vetëm kur parashikohet në statut.

Transformimi dhe bashkimi i fondacioneve dhe qendrave në shoqata ose i shoqatave në fondacion nuk lejohet.

Neni 43=

Vetëshpërndarja

Organizata jofitimprurëse shpërndahet me iniciativën e saj.

Neni 44

Shpërndarja me vendim të gjykatës

Gjykata mund të vendosë shpërndarjen e organizatës jofitimprurëse me kërkesë të anëtarëve të saj, të organeve të saj vendimmarrëse, të organit shtetëror kompetent në rastet kur:

a) veprimtaria e organizatës jofitimprurëse vjen në kundërshtim me Kushtetutën;

b) organizata jofitimprurëse kryen veprimtari të kundërligjshme;

c) organizata jofitimprurëse nuk është themeluar sipas kërkesave të ligjit;

ç) organizata jofitimprururëse ka falimentuar sipas ligjit për falimentimin.

Përveç rasteve kur veprimtaria e organizatës përbën kërcënim serioz për publikun, gjykata duhet të lajmërojë me shkrim organizatën për shkeljen e ligjit dhe t'i japë asaj 30 ditë për të korrigjuar veprimtarinë e saj.

Neni 45

Mënyra e shqyrtimit të kërkesës

Shqyrtimi i kërkesës për shpërndarjen e një organizate jofitimprurëse bëhet në prani të përfaqësuesve të organizatës jofitimprurëse të organit mbikqyrës dhe, kur është rasti, në prani të anëtarëve që kanë paraqitur kërkesën.

Kur gjykata me kërkesë të të interesuave, të parashikuar në nenin 44 paragrafi i parë, çmon se është rasti, i rekomandon paraprakisht organizatës jofitimprurëse të bëjë veprimet për përputhjen e programit ose të veprimtarinë së saj me Kushtetutën dhe këtë ligj, në një afat të caktuar, duke pezulluar shqyrtimin e çështjes.

Kur zbatohen rregullisht rekomandimet, gjykata vendos pushimin e gjykimit. Në të kundërt shqyrton çështjen me plotësimin e afatit të caktuar.

Neni 46

Likuidimi

Kur vendoset shpërndarja nga vetë organizata jofitimprurëse, likuidimi realizohet nga një ose disa likuidatorë, të caktuar sipas statutit dhe kurdoherë përpara çregjistrimit nga gjykata.

Kur shpërndarjen e vendos gjykata, ajo cakton edhe likuidatorin, duke e veshur me kompetencat e nevojshme për zhvillimin e procedurës së likuidimit.

Në të gjitha rastet, likuidatorët kanë autoritetin dhe përgjegjësinë mbi asetet, pasurinë dhe përfaqësimin e organizatës jofitimprurëse, që nga dita e emërimit të tyre dhe deri në përfundimin e likuidimit.

Neni 47

Veprimtaria e likuidatorëve

Likuidatorët bëjnë vlerësimin e gjendjes financiare të organizatës jofitimprurëse dhe të pasurisë së saj në çastin e marrjes së vendimit për shpërndarjen e saj, si dhe evidentojnë të gjithë kreditorët e debitorët e mundshëm.

Pas pagimit të detyrimeve që organizata i ka shtetit dhe kreditorëve të tjerë dhe marrjes së detyrimeve nga të tretët, likuidatori vlerëson pasurinë e mbetur dhe kujdeset që kjo pasuri të shkojë në destinacionin e përcaktuar nga statuti, organi kompetent i saj, gjykata ose ligji.

Në asnjë rast nuk lejohet shpërndarje ose disponim në favor të anëtarëve ose personave të tjerë që janë subjekte të statutit ose të aktit të themelimit të organizatës ose të të afërmëve të tyre.

Në rastet kur organizata jofitimprurëse ka përfituar përjashtim  nga taksat apo lehtësira fiskale, donacione nga publiku ose grante shtetërore, çdo pasuri e mbetur pas pagimit të detyrimeve i shpërndahet organizatave të tjera jofitimprurëse që ndjekin qëllime të njëjta ose të ngjashme me organizatën e likuiduar. Në rastet kur një organizatë jofitimprurëse shpërndahet vullnetarisht, organizatat përfituese të pasurisë së mbetur përcaktohen në statut ose me një vendim të organit më të lartë vendimmarrës. Kur ky përcaktim nuk është bërë, organizatat përfituese përcaktohen nga gjykata.

Neni 48

Çregjistrimi

Kur shpërndarja është vendosur nga vetë organizata jofitimprurëse, organi kompetent, sipas statutit, miraton raportin përfundimtar të likuidatorit dhe kërkon nga gjykata çregjistrimin e organizatës jofitimprurëse.

Në rastet kur organi kompetent i organizatës jofitimprurëse nuk miraton raportin përfundimtar të likuidatorit ose shpërndarjen dhe likuidimin e ka vendosur gjykata; në seancë gjyqësore, në prani të përfaqësuesve të organizatës jofitimprurëse dhe të likuidatorit, ajo shqyrton raportin përfundimtar të likuidatorit dhe merr vendim për çregjistrimin e saj.

KREU IX

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 49

Veprime plotësuese të organiztave jofitimprurëse

Organizatat jofitimprurëse të huaja, me veprimtari të përkohshme në Shqipëri, duhet të paraqesin një kërkesë për miratim nga organi shtetëror kompetent  që ushtron veprimtarinë në të njëjtën fushë ose në një fushë të përafërt me atë të organizatës jofitimprurëse të huaj brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në të kundërtën, organizatat jofitimprurëse të huaja, me veprimtari të përkohshme në Shqipëri ndërpresin veprimtarinë e tyre.

Organizatat jofitimprurëse të huaja, të cilat kanë veprimtari të përhershme me degë të pavarura ose filiale në Shqipëri dhe që nuk janë regjistruar sipas të drejtës shqiptare vazhdojnë veprimtarinë e tyre. Brenda një viti nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të paraqesin kërkesë dhe të regjistrohen në gjykatë, në të kundërt humbasin statusin e subjektit juridik dhe veprimtaria e  tyre konsiderohet e paligjshme.

Neni 50

Rregullimi i formës së kërkuar për organizatat jofitimprurëse ekzistuese

Në rastet kur veprimtaria e organizatave jofitimprurëse ekzistuese nuk është në përputhje me dispozitat e këtij ligji, brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji duhet të paraqiten në gjykatë për të depozituar rregullimet e nevojshme.

Gjykata shprehet vetëm në rastet kur ndryshimet e depozituara nuk janë në përputhje me dispozitat e këtij neni.

Rregullimet e bëra në zbatim të paragrafit të parë të këtij neni konsiderohen si ndryshim dhe jo si riregjistrim.

Neni 51

Shfuqizimi

Ligji nr.7695, datë 7.4.1993 "Për fondacionet" shfuqizohet.

Neni 52

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.3016 datë, 18.5.2001 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Rexhep Meidani

 

©GC

Trascina file per caricare