Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

PËR KALIMIN NË PRONËSI PA SHPËRBLIM TË TOKËS BUJQËSORE

(Legj Nr.8053, datë 21.12.1995)

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1

Ky ligj ka për qëllim rregullimin ligjor të kalimit në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore familjeve bujqësore ose individëve që e kanë atë në përdorim.

Neni 2

Përjashtohen nga dhënia në pronësi:

1. Tokat bujqësore që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji ndodhen brenda vijës kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave të banuara.

2. Tokat bujqësore të përfshira në zonat me përparësi turizmin, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.88, datë 1.3.1993 “Për miratimin e zonave që kanë përparësi turizmin”.

Në pikën 1 dhe 2 nuk përfshihen familjet ose individët që i kanë fituar këto toka bujqësore si bashkëthemelues të ish-kooperativave bujqësore apo të ndërmarrjeve bujqësore.

3. Tokat bujqësore të përfshira në veprimtarinë eksperimentale-shkencore të instituteve kombëtare shkencore.

4. Tokat bujqësore të dhëna në përdorim specialistëve të bujqësisë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, pika 5, paragrafi i dytë.

5. Tokat bujqësore që:

a. janë pushtuar ose fituar në mënyrë të paligjshme.

b. kanë qenë në përdorim, por që nga përdoruesit janë bërë kalime pronësie të paligjshme ose çdo lloj veprimi tjetër të pabazuar në ligj.

Veprimet për kalimin e pronësisë për rastet e përmendura në pikat “a” dhe “b”, si dhe regjistrimet e këtyre kalimeve janë të pavlefshme.

6. Tokat bujqësore në përdorim të ndërmarrjeve të përbashkëta, deri në zgjidhjen e kontratës së lidhur midis palëve ose mbarimin e afatit të saj.

Neni 3

Tokat bujqësore që nuk kalojnë në pronësi private në rastet e parashikuara në nenin e mësipërm, mbeten pronë shtetërore.

Neni 4

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, familjet bujqësore ose individët që kanë dokumente për dhënien në përdorim të tokës bujqësore, duhet të paraqiten pranë organeve të pushtetit lokal (komunë, bashki) për plotësimin e dokumentacionit përfundimtar sipas procedurave të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.

Neni 5

Aktet ligjore e nënligjore që bien në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen.

Neni 6

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.1343, datë 3.1.1996 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

 

©GC

Trascina file per caricare