The measure is available in the following languages:
PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7699, DATË 21.4.1993 “PËR KOMPENSIMIN NË VLERË TË ISH-PRONARËVE TË TOKËS BUJQËSORE”
(L igj Nr.7981, datë 27.7.1995)
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit 7491 datë 29.4.1991, “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Në ligjin nr.7699, datë 21.4.1993 “Për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve të tokës bujqësore bëhen këto shtesa e ndryshime:
Neni 1 ndryshohet si vijon:
“U njihet ish-pronarëve të tokave apo trashëgimtarëve të tyre ligjorë e drejta e kompensimit të ish-pronave për tokën që kanë patur në pronësi në kohën e daljes së ligjit nr.108, datë 29.8.1945 “Për reformën agrare”, që ndodhen jashtë vijave kufizuese të qendrave të banuara, brenda të cilave vepron ligji nr.7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”
E drejta e kompensimit u njihet edhe ish-pronarëve të shpronësuar gjatë periudhës nga 29.11.1944 deri më 29.8.1945.
Neni 2
Në nenin 2 përcaktimi “Tokë bujqësore” të jetë si vijon:
“Tokë bujqësore”, në zbatim të këtij ligji, janë të gjitha tokat në Republikën e Shqipërisë që ndodhen jashtë vijave kufizuese, të cilat më datë 1 gusht 1991 janë të tilla të trajtuara sipas ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, pavarësisht nga prejardhja e tyre, me përjashtim të atyre që përcaktohen në ligjin nr.7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”.
- Përcaktimi i “Ish-pronarë toke bujqësore” të jetë si vijon:
“Ish-pronarë toke” - “janë ish-pronarët apo trashëgimtarët ligjorë të tyre, të gjithë personat fizikë, shtetas shqiptarë ose të huaj, personat juridikë privatë vendas të regjistruar rregullisht si të tillë në kohën e krijimit të tyre si dhe komunitetet fetare të përfaqësuar në shkallë vendi nga organet e tyre drejtuese sipas statutit përkatës”.
- Përcaktimi “tokë e regjistruar” të jetë si vijon:
“Të gjitha tokat me specifikimet sipas zërave, të përcaktuara në nenin 1 të këtij ligji, dhe në paragrafin e parë të këtij neni duke u marrë të mirëqëna emërtimet që janë regjistruar për çdo pronë në kohën e daljes së ligjit nr.108, datë 29.8.1945 në dokumentacionin kadastral, apo në aktet e tjera të barasvlefshme me to”.
Neni 3
Neni 6 ndryshohet si vijon:
“Ish-pronari ose trashëgimtarët e tij, kur kanë përfituar tokë sipas ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, ligjit nr.7698, datë 15.4.1993 ose kur kanë marrë tokë bujqësore në përdorim, përfitojnë vetëm kompensim në vlerë në kushtet më të favorshme sipas këtij ligji dhe asaj që ka marrë.
Në këtë rast toka që ka marrë në përdorim i njihet dhe i regjistrohet si tokë në pronësi në bazë të vendimit të Komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve.
Neni 4
Neni 9 shfuqizohet.
Neni 5
Pika 1 e nenit 10 formulohet si vijon:
“Kompensimi në vlerë do të jepet vetëm nëpërmjet obligacioneve shtetërore të emërtuara në lekë”.
Neni 6
Paragrafi i parë i nenit 13 formulohet si vijon:
“Për zbatimin e këtij ligji ngarkohet Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, Ministria e Financave, si dhe këshillat e rretheve”.
Në paragrafin e dytë të nenit 13, hiqen fjalët e “këtij Komiteti” dhe zëvendësohen me fjalët “e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve”.
Neni 7
Neni 14 formulohet si vijon:
“Ish-pronarët ose trashëgimtarët e tyre duhet të paraqesin në Komisionin e kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve dokumentacionin përkatës të pronësisë.
Neni 8
Shtohet neni 14/a me këtë përmbajtje:
Shqyrtimi i kërkesave të ish-pronarëve do të bëhet nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve pranë këshillave të rretheve. Komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve jep vendimin me shkrim për çdo kërkesë të regjistruar mbi bazën e dokumenteve të caktuara.
Neni 9
Shtohet neni 14/b me këtë përmbajtje:
“Ish-pronarëve ose trashëgimtarëve të tyre që u është njohur dhe kthyer sipas ligjit nr.7698, datë 15.4.1993 ndërtesa ekzistuese e pandryshuar e ndodhur jashtë vijave kufizuese të qendrës së banuar, përfitojnë në natyrë nga ky ligj edhe një sipërfaqe (në rast se është pa pronar) aq sa ka patur por jo më shumë se 300 m2 pa përfshirë këtu sipërfaqen që zënë vetë ndërtesat”.
Neni 10
Shtohet neni 14/c me këtë përmbajtje:
“Ish-pronari ose trashëgimtarët e tij kanë të drejtën e parablerjes së objekteve që janë ndërtuar nga shteti në tokën ish-pronë e tij, kur të privatizohen me çmimet e përcaktuara sipas dispozitave në fuqi.
Neni 11
Neni 15 ndryshohet si vijon:
“Kundër vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve, lejohet të bëhet ankim në gjykatën e rrethit brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vendimit”.
Neni 12
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji.
Neni 13
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.1174, datë 4.8.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha
©GC