Print Friendly, PDF & Email

The measure is available in the following languages:

KODI I FAMILJES  I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

(Ligji Nr.9062, datë 8.5.2003)

Në mbështetje të neneve 53, 54, 81 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të   Ministrave,

PËRMBAJTJA E LËNDËS

PJESA I 7 1-6

PARIME TË PËRGJITHSHME

PJESA II 9 7-164

BASHKËSHORTËT

TITULLI I 9

Martesa

KREU I 11 7-14

Kushtet thelbësore për lidhjen e martesës

KREU II 11 15-32

Forma e lidhjes së martesës

KREU III 16 33-49

Pavlefshmëria e martesës

TITULLI II 20

Të drejtat dhe detyrimet që lindin nga martesa

KREU I 20 50-65

Të drejtat dhe detyrimet reciproke të bashkëshortëve

TITULLI III 25

Regjimet pasurore martesore

KREU I 25 66-72

Dispozita të përgjithshme

KREU II 27 73-107

Regjimi pasuror martesor në bashkësi

KREU III 39 108-114

Bashkësia me kontratë

KREU IV 41 115-122

Regjimi i pasurive të ndara

TITULLI IV 44

Mbarimi i martesës

KREU I 44 123-124

Rastet e mbarimit të martesës

KREU II 44 125-144

Rastet e zgjidhjes së martesës

KREU III 50 145-162

Pasojat e zgjidhjes së martesës

TITULLI V 56 163-164

Bashkëjetesa

PJESA III

FËMIJËT

TITULLI I 57

Amësia dhe atësia.

KREU I 57 165-174

Rregulla të përgjithshme

KREU II 59 175-179

Amësia

KREU III 61 180-191

Atësia

TITULLI II 65

Detyrimi për ushqim

KREU I 65 192-214

Personat e detyruar

TITULLI III 72

Përgjegjësia prindërore

KREU I 72 215-219

Kuptimi i përgjegjësisë prindërore

KREU II 73 220-230

Ushtrimi i përgjegjësisë prindërore

KREU III 76 231-239

Përgjegjësia prindërore për pasurinë e fëmijës

TITULLI IV 79 240-262

Birësimi

TITULLI V 87

Kujdestaria

KREU I 87 263-306

Kujdestaria mbi të miturit

KREU II 102 307-313

Kujdestaria mbi personat që u është hequr ose

kufizuar zotësia për të vepruar

TITULLI VI 104 314-319

Dispozita kalimtare

KODI I FAMILJES

K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

PJESA E PARË

PARIME TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Martesa, si një bashkëjetesë ligjore, mbështetet në barazinë morale dhe juridike të bashkëshortëve, në ndjenjën e dashurisë,  respektit dhe mirëkuptimit reciprok, si baza e unitetit në familje.Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit.

Neni 2

Prindërit, organet kompetente dhe gjykatat, në vendimet dhe veprimtarinë e tyre, duhet të kenë si konsideratë parësore interesin më të lartë të fëmijës.

Neni 3

Prindërit kanë detyrë dhe të drejtë të kujdesen për mirërritjen, zhvillimin, mirëqenien, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të lindur nga martesa ose jashtë martese.

Shteti dhe shoqëria duhet t’u ofrojnë familjeve mbështetjen e nevojshme për të mbajtur në gjirin e tyre fëmijët, për të parandaluar keqtrajtimin dhe braktisjen e tyre, si dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë e familjes.

Neni 4

Fëmijët e lindur jashtë martese kanë të njëjtat të drejta dhe detyra si fëmijët e lindur nga martesa.

Neni 5

Çdo fëmijë, për një zhvillim të plotë dhe harmonik të personalitetit, ka të drejtë të rritet në një mjedis familjar, në një atmosferë gëzimi, dashurie dhe mirëkuptimi.

Neni 6

Në çdo procedurë që i përket të miturit, ai ka të drejtë të dëgjohet, në përputhje me moshën dhe aftësinë e tij për të kuptuar, duke ruajtur të drejtën që i japin dispozitat e veçanta që garantojnë ndërhyrjen dhe dhënien e pëlqimit nga ana e tij.Në rastet kur i mituri kërkon të dëgjohet, kërkesa e tij nuk mund të rrëzohet, veçse për shkaqe të rënda dhe me një vendim tepër të motivuar. I mituri mund të dëgjohet vetë, nëpërmjet një avokati ose një personi të zgjedhur prej tij.

Në çdo procedurë që i përket të miturit, prania e psikologut është e detyrueshme për të vlerësuar thëniet e të miturit, në përputhje me zhvillimin mendor dhe situatën e tij sociale.

TITULLI I

MARTESA

KREU I

KUSHTET THELBËSORE PËR LIDHJEN E MARTESËS

Neni 7

Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç.

Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe.

Neni 8

Martesa lidhet para nëpunësit të gjendjes civile, me pëlqimin e lirë të dy bashkëshortëve të ardhshëm.

Neni 9

Nuk mund të lidhë martesë të re personi që është martuar, derisa martesa e mëparshme nuk është shpallur e pavlefshme ose nuk është zgjidhur.

Neni 10

Nuk mund të lidhin martesë midis tyre të paralindurit dhe të paslindurit, vëllai dhe motra, ungji dhe mbesa, emta dhe nipi, si dhe fëmijët e vëllezërve dhe të motrave.

Gjykata, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën midis fëmijëve të vëllezërve dhe të motrave.

Neni 11

Nuk mund të lidhin martesë midis tyre vjehrri dhe nusja, vjehrra dhe dhëndri, njerku dhe thjeshtra, njerka dhe thjeshtri, pavarësisht se martesa që ka krijuar këtë lidhje është shpallur e pavlefshme, ka pushuar ose është zgjidhur.

Neni 12

Nuk mund të lidhë martesë personi që vuan nga një sëmundje e rëndë psikike ose ka zhvillim mendor të metë, që e bën të paaftë të kuptojë qëllimin e martesës.

Neni 13

Ndalohet martesa midis kujdestarit dhe personit që ndodhet në kujdesin e tij gjatë kohës që vazhdon kujdestaria.

Neni 14

Ndalohet martesa midis birësuesit e të birësuarit dhe pasardhësve të tyre, të birësuarit dhe bashkëshortit të birësuesit, midis birësuesit e bashkëshortit të të birësuarit, midis të birësuarve, si dhe midis të

birësuarit dhe fëmijëve të birësuesit.

Me birësimin nuk zhduket shkaku që ndalon martesën midis të birësuarit dhe gjinisë së tij të parashikuar nga neni 10 i këtij Kodi.

KREU II

FORMA E LIDHJES SË MARTESËS

Neni 15

Përpara lidhjes së martesës, nëpunësi i gjendjes civile bën shpalljen e saj, duke afishuar në vende të caktuara nga bashkia ose komuna aktin, ku tregohet identiteti, profesioni, vendbanimi dhe vendqëndrimi

i bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe vendi ku do të lidhet martesa.

Neni 16

Kërkesa për shpallje bëhet nga bashkëshortët e ardhshëm ose nga personi i caktuar nga ata me prokurë të posaçme.

Shpallja bëhet në bashkinë ose komunën e vendit ku secili nga bashkëshortët e ardhshëm ka endbanimin ose vendqëndrimin.

Nëse nuk kanë jetuar 6 muaj në vendbanimin ose vendqëndrimin aktual, shpallja duhet të bëhet edhe në bashkinë ose komunën ku bashkëshorti ka jetuar më parë.

Neni 17

Martesa nuk mund të lidhet para se të kalojnë 10 ditë nga e nesërmja e shpalljes.

Në qoftë se shpallja ndërpritet përpara mbarimit të këtij afati, ky fakt duhet të përmendet në shpalljen e re.

Neni 18

Në qoftë se lidhja e martesës nuk është bërë brenda 1 viti nga shpallja, martesa nuk mund të lidhet pa u bërë shpallja e re e parashikuar në dispozitat për shpalljen e martesës.

Neni 19

Personi që kërkon shpalljen duhet t’i paraqesë nëpunësit të gjendjes civile certifikatat e lindjes së të dy bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe çdo dokument tjetër që është i nevojshëm dhe provon

se nuk ekzistojnë pengesa për lidhjen e martesës.

Neni 20

Prindërit dhe, në mungesë të tyre, paraardhësit e tjerë dhe të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallë të tretë, mund të kundërshtojnë lidhjen e martesës së të afërmve të tyre për çdo shkak që vjen në kundërshtim me kushtet e parashikuara në këtë Kod për lidhjen e martesës.

E drejta e kundërshtimit i takon edhe bashkëshortit të personit që do të lidhë një martesë tjetër, si dhe kujdestarit, nëse njëri prej bashkëshortëve është vënë në kujdestari.

E drejta e kundërshtimit të martesës i takon edhe prokurorit për shkaqet që parashikohen në ligj, për të cilat ai mund të kërkojë pavlefshmërinë e saj.

Neni 21

Kundërshtimi i lidhjes së martesës bëhet para nëpunësit të gjendjes civile ku do të lidhet martesa, i cili është i detyruar të bëjë shënimet përkatëse në regjistrin e martesave.

Nëpunësi i gjendjes civile është i detyruar që të bëjë shënimin e heqjes së kundërshtimit në regjistrin e martesave kur:

a) vlerëson se kundërshtimi nuk është bërë në përputhje me dispozitat e këtij Kodi;

b) për këtë ka një vendim gjyqësor;

c) hiqet dorë nga kundërshtimi.

Heqja dorë nga kundërshtimi nuk pengon nëpunësin e gjendjes civile të refuzojë lidhjen e martesës për shkaqet e parashikuara në këtë Kod.

Neni 22

Akti i kundërshtimit duhet të përmbajë cilësinë që i jep të drejtën kundërshtuesit të bëjë kundërshtimin, vendin ku martesa duhet të lidhet, shkaqet e kundërshtimit dhe dispozitën ligjore ku mbështetet ai.

Neni 23

Kur nëpunësi i gjendjes civile vlerëson se kundërshtimi është bërë në përputhje me dispozitat e këtij Kodi, pezullon procedurën e lidhjes së martesës derisa gjykata të vendosë refuzimin e kundërshtimit ose të hiqet dorë prej tij.

Kundër vendimit të pezullimit, bashkëshortët e ardhshëm kanë të drejtën e ankimit në gjykatë brenda 5 ditëve nga marrja dijeni e vendimit të pezullimit.

Neni 24

Akti i kundërshtimit të lidhjes së martesës nuk ka efekt pas kalimit të 1 viti nga data e regjistrimit të kundërshtimit.

Neni 25

Gjykata kompetente, me kërkesë të secilit prej bashkëshortëve të ardhshëm, brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës, vendos për heqjen ose jo të kundërshtimit të bërë për lidhjen e martesës.

Neni 26

Vendimi i gjykatës së shkallës së parë mund të ankimohet në gjykatën e apelit, e cila duhet të vendosë brenda 10 ditëve nga data e regjistrimit të çështjes.

Neni 27

Në qoftë se kundërshtimi nuk pranohet, kundërshtuesit, me përjashtim të paraardhësve, mund të detyrohen me dëmshpërblim, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Civil.

Neni 28

Martesa lidhet publikisht përpara nëpunësit të gjendjes civile, të cilit i është bërë kërkesa për shpallje.

Neni 29

Me kërkesë të prokurorit të vendit ku lidhet martesa e bashkëshortëve të ardhshëm, gjykata, për shkaqe me rëndësi, mund të vendosë që martesa të lidhet edhe pa u shpallur.

Neni 30

Në ditën e caktuar për lidhjen e martesës, nëpunësi i gjendjes civile, pasi bindet për identitetin e bashkëshortëve të ardhshëm, në bazë të akteve dhe të thënieve të dëshmitarëve, si dhe të vetë bashkëshortëve të ardhshëm, në prani të dy dëshmitarëve, u lexon bashkëshortëve të ardhshëm nenet e këtij Kodi që përmbajnë të drejtat dhe detyrimet e bashkëshortëve, merr nga secili bashkëshort deklarimin se ata duan të lidhin martesë dhe, pasi merr pëlqimin e tyre, i shpall në emër të ligjit të martuar.

Akti i martesës hartohet menjëherë, nënshkruhet nga bashkëshortët, dëshmitarët dhe nëpunësi i gjendjes civile dhe regjistrohet në regjistrin e martesave.

Neni 31

Në qoftë se njëri nga bashkëshortët, për shkak të sëmundjes ose për ndonjë pengesë tjetër të justifikuar përpara nëpunësit të gjendjes civile, është në pamundësi për të shkuar në zyrën e gjendjes civile të komunës ose bashkisë, atëherë nëpunësi i gjendjes civile shkon në vendin ku ndodhet bashkëshorti që ka pengesë dhe lidh martesën, sipas procedurës së parashikuar në nenin 30 të këtij Kodi.

Neni 32

Nëpunësi i gjendjes civile mund të refuzojë lidhjen e martesës vetëm për shkaqe të parashikuara në këtë Kod. Në këtë rast ai mund të lëshojë një akt ku të tregohen shkaqet e refuzimit.

Kundër aktit të refuzimit mund të bëhet ankim në gjykatë.

KREU III

PAVLEFSHMËRIA E MARTESËS

Neni 33

Martesa që është lidhur pa pëlqimin e lirë dhe pa vese të të dy bashkëshortëve ose të njërit prej tyre është e pavlefshme.

Neni 34

Martesa e lidhur në lajthim për personin e bashkëshortit shpallet e pavlefshme.

Ka lajthim për personin, kur njëri nga bashkëshortët lidh martesë me një person që nuk është ai me të cilin dëshiron të martohet.

Shpallet e pavlefshme martesa e lidhur në lajthim për cilësitë thelbësore të bashkëshortit, të cilat po t’i dinte bashkëshorti tjetër, nuk do të lidhte martesën.

Neni 35

Martesa e lidhur nga një person që vuan nga një sëmundje e rëndë psikike ose ka zhvillim mendor të metë, që e bën të paaftë të kuptojë qëllimin e martesës, është e pavlefshme.

Neni 36

Martesa e lidhur nga bashkëshortët pa pasur qëllim për jetë të përbashkët si burrë e grua është e pavlefshme.

Neni 37

Martesa e lidhur në kushtet kur njëri nga bashkëshortët gjendet nën ndikimin e një kanosjeje, pa të cilën nuk do të lidhej martesa, shpallet e pavlefshme.

Neni 38

Kërkesa për pavlefshmërinë e martesës, në rastet e parashikuara në nenet 34 dhe 37 të këtij Kodi, parashkruhet kur ka pasur një

bashkëjetesë të vazhdueshme për 6 muaj që nga çasti që bashkëshorti ka fituar lirinë e plotë ose nga çasti që gjendja e kanosjes ka mbaruar dhe ai ka marrë dijeni për lajthimin.

Neni 39

Martesa e lidhur nga personi që nuk ka mbushur moshën e parashikuar në këtë Kod është e pavlefshme.

Një martesë e tillë nuk shpallet e pavlefshme kur personi ka arritur moshën e kërkuar, ose kur gruaja ka lindur fëmijë ose ka mbetur shtatzënë.

Neni 40

Martesa e lidhur midis personave që përmenden në nenet 9, 10, 11, 13 dhe 14 të këtij Kodi është e pavlefshme.

Gjykata nuk shpall të pavlefshme martesën e lidhur midis fëmijëve të vëllezërve dhe të motrave, kur çmon se ka shkaqe me rëndësi.

Neni 41

Martesa e lidhur gjatë vazhdimit të një martese të mëparshme të njërit prej bashkëshortëve është e pavlefshme.

Kur gjatë gjykimit për pavlefshmërinë e martesës, bashkëshortët pretendojnë se martesa e mëparshme ka qenë e pavlefshme ose e zgjidhur, gjykohet më parë vlefshmëria ose ekzistenca e martesës së  mëparshme dhe, në qoftë se kjo martesë shpallet e pavlefshme, martesa e dytë mbetet e vlefshme.

Martesa e dytë, e lidhur gjatë vazhdimit të martesës së mëparshme të njërit prej bashkëshortëve, nuk shpallet e pavlefshme, në qoftë se në këtë kohë zgjidhet martesa e mëparshme.

Neni 42

Martesa që nuk është lidhur publikisht dhe përpara nëpunësit të gjendjes civile është e pavlefshme.

Kërkesa mund të bëhet nga bashkëshortët, nga prindërit e tyre, nga të paralindurit dhe nga të gjithë ata që kanë një interes të drejtpërdrejtë, si dhe nga prokurori.

Neni 43

Bashkëshorti, në dëm të të cilit është lidhur një martesë e dytë, mund të kërkojë pavlefshmërinë e kësaj martese.

Në qoftë se bashkëshortët nga martesa e dytë pretendojnë pavlefshmërinë e martesës së parë, pavlefshmëria e martesës së parë do të gjykohet paraprakisht.

Neni 44

Të drejtën e padisë për pavlefshmërinë e martesës së lidhur pa pëlqimin e lirë të dy bashkëshortëve ose të njërit prej tyre e kanë të dy bashkëshortët ose bashkëshorti, pëlqimi i të cilit nuk ka qenë i lirë.

Të drejtën e padisë për pavlefshmërinë e martesës së lidhur me kanosje ose me lajthim e ka vetëm bashkëshorti që ka qenë i kanosur ose në lajthim.

E drejta e padisë parashkruhet, në qoftë se nga data që ka pushuar kanosja, që është zbuluar lajthimi ose bashkëshorti ka fituar lirinë e plotë në rast të martesës pa pëlqim të lirë, kanë kaluar 6 muaj, por në çdo rast jo më tepër se 3 vjet nga lidhja e martesës.

E drejta e padisë, në rastet kur ka pasur një bashkëjetesë të vazhdueshme për 6 muaj që nga çasti që bashkëshorti ka fituar lirinë e plotë ose nga çasti që ai ka marrë dijeni për lajthimin, parashkruhet me kalimin e këtij afati.

Neni 45

Të drejtën e padisë për pavlefshmërinë e martesës për shkaqet e parashikuara në nenet 36, 39, 40 dhe 41 të këtij Kodi e kanë secili nga bashkëshortët, prokurori dhe kushdo tjetër që ka një interes të drejtpërdrejtë të ligjshëm. Kjo padi mund të ngrihet edhe pas zgjidhjes së martesës.

E drejta e padisë për pavlefshmërinë e martesës nuk parashkruhet, përveç rasteve të parashikuara në nenet 44 dhe 46 të këtij Kodi.

Neni 46

Të drejtën e padisë për pavlefshmërinë e martesës, për shkaqet e parashikuara në nenin 35, pas shërimit të bashkëshortit të sëmurë, e ka secili nga bashkëshortët.

E drejta e padisë parashkruhet me kalimin e 6 muajve nga shërimi i bashkëshortit.

Neni 47

Kur bashkëshortit i është hequr zotësia për të vepruar, padia për pavlefshmërinë e martesës mund të ngrihet nga kujdestari i tij.

Neni 48

E drejta e padisë për shpalljen e pavlefshmërisë së martesës nuk u kalon trashëgimtarëve, përveçse kur gjykimi ka filluar përpara vdekjes së bashkëshortit.

E drejta e trashëgimtarëve kufizohet vetëm për rastet që prekin rendin publik dhe jo për raste që kanë të bëjnë thjesht me mbrojtjen e të drejtave të bashkëshortëve, si lajthimi e kërcënimi.

Neni 49

Martesa që shpallet e pavlefshme me vendim të formës së prerë konsiderohet se nuk është lidhur.

Për bashkëshortin që nuk ka ditur shkakun e pavlefshmërisë së martesës, pasojat fillojnë nga data që vendimi merr formë të prerë.

Fëmijët e lindur nga një martesë që shpallet e pavlefshme, quhen si të lindur nga martesa dhe marrëdhëniet midis tyre dhe prindërve rregullohen si në rastet kur zgjidhet martesa.

TITULLI II

TË DREJTAT DHE DETYRIMET QË LINDIN NGA MARTESA

KREU I

TË DREJTAT DHE DETYRIMET RECIPROKE TË

BASHKËSHORTËVE

Neni 50

Me martesë burri dhe gruaja përfitojnë të njëjtat të drejta dhe marrin përsipër të njëjtat detyrime.

Nga martesa lind detyrimi reciprok për besnikëri, për ndihmë morale dhe materiale, për bashkëpunim në interes të familjes dhe të bashkëjetesës.

Neni 51

Bashkëshortët, kur lidhin martesën, kanë të drejtë të zgjedhin për të mbajtur si mbiemër të përbashkët njërin nga mbiemrat e tyre ose të mbajnë secili mbiemrin e vet.

Mbiemri regjistrohet në regjistrin e martesave.

Neni 52

Fëmija merr mbiemrin e përbashkët të prindërve. Kur prindërit kanë mbiemra të ndryshëm, të gjithë fëmijët mbajnë një mbiemër, atë që do të vendosin prindërit me marrëveshje. Kur marrëveshja nuk arrihet, fëmijët mbajnë mbiemrin e të atit.

Neni 53

Martesa vendos mbi të dy bashkëshortët detyrimin për të mbajtur, arsimuar dhe edukuar fëmijët, duke pasur parasysh aftësitë, prirjet natyrore dhe dëshirat e fëmijëve.

Neni 54

Në qoftë se kontributi i bashkëshortëve për detyrimet që rrjedhin nga martesa nuk është rregulluar me kontratën martesore, ata do të kontribuojnë për nevojat e familjes në përputhje me kushtet dhe aftësitë e tyre.

Neni 55

Bashkëshortët kanë detyrimin e jetesës së përbashkët.

Vendbanimi i familjes është vendi që bashkëshortët zgjedhin me marrëveshje të përbashkët.

Në rast mosmarrëveshjeje, secili nga bashkëshortët mund t’i drejtohet gjykatës, e cila, pasi dëgjon mendimet e të dy bashkëshortëve dhe, nëse është rasti, edhe mendimin e fëmijës që ka mbushur moshën

katërmbëdhjetë vjeç, mundohet të arrijë një zgjidhje me mirëkuptim.

Kur kjo nuk është e mundur, gjykata vendos zgjidhjen që e quan më të përshtatshme për kërkesat e familjes.

Neni 56

E drejta për ndihmë morale dhe materiale e parashikuar në këtë Kod ndërpritet kundrejt bashkëshortit, që është larguar pa shkak nga vendbanimi familjar dhe refuzon të kthehet.

Në rast të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga martesa, gjykata, sipas rrethanave, mund të urdhërojë sekuestrimin e të mirave të bashkëshortit të larguar, në masën e duhur.

Neni 57

Bashkëshortët nuk mund të disponojnë banesën bashkëshortore dhe pajisjet e saj pa pëlqimin e tjetrit, cilido qoftë regjimi pasuror martesor.

Bashkëshorti që nuk ka dhënë pëlqimin për veprimin juridik të kryer nga tjetri, lidhur me banesën bashkëshortore, mund të kërkojë anulimin e tij brenda 1 viti nga data kur ai ka marrë njoftim për këtë veprim juridik, por jo më tepër se 1 vit nga data që regjimi pasuror martesor ka marrë fund.

Neni 58

Çdo bashkëshort mund të autorizohet nga gjykata për të kryer një veprim juridik, për të cilin bashkëpunimi ose pëlqimi i bashkëshortit tjetër do të ishte i nevojshëm, në qoftë se ky i fundit nuk është në gjendje të shprehë vullnetin e tij ose në qoftë se refuzimi i tij vjen në kundërshtim me interesin e familjes.

Veprimi juridik i kryer si më sipër, mund të kundërshtohet nga bashkëshorti, pëlqimi i të cilit nuk është marrë, për të mos e ngarkuar atë me asnjë detyrim.

Neni 59

Në qoftë se njëri nga bashkëshortët nuk është në gjendje të shprehë vullnetin e tij, bashkëshorti tjetër mund ta përfaqësojë në të gjitha veprimet juridike ose në veprime juridike të caktuara që lidhen me

regjimin pasuror martesor. Kushtet dhe gjerësia e përfaqësimit përcaktohen në autorizimin e dhënë nga gjykata.

Neni 60

Secili nga bashkëshortët mund të kryejë vetë, pa pëlqimin e bashkëshortit tjetër, veprimet juridike që kanë të bëjnë me mbajtjen e familjes ose me edukimin e fëmijëve. Për detyrimet e marra përsipër nga njëri bashkëshort, detyrohet solidarisht edhe bashkëshorti tjetër.

Përgjegjësia solidare nuk ka vend për shpenzimet haptazi të tepërta, duke pasur parasysh mënyrën e jetesës në familje, dobishmërinë e veprimit të kryer, si dhe mirëbesimin ose keqbesimin e personave të tretë kontraktues.

Neni 61

Në qoftë se njëri nga bashkëshortët nuk plotëson në mënyrë të dukshme detyrimet e tij dhe vë në rrezik interesat e familjes, gjykata, me kërkesën e bashkëshortit tjetër, mund të përcaktojë të gjitha

masat urgjente që lidhen me ta.

Zgjatja e masave të parashikuara në këtë nen duhet të jetë e përcaktuar dhe në asnjë rast të mos i kalojë 3 vjet.

Neni 62

Bashkëshorti ndaj të cilit ushtrohet dhunë, ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për vendosjen si masë urgjente largimin e bashkëshortit, që ushtron dhunë, nga banesa bashkëshortore.

Neni 63

Secili nga bashkëshortët mund të ushtrojë lirisht një profesion, të disponojë të ardhurat nga puna dhe të ardhurat e tjera, sipas regjimit pasuror martesor përkatës, pasi të ketë kontribuar në detyrimet që rrjedhin nga martesa.

Neni 64

Secili nga bashkëshortët ka të drejtën e administrimit dhe të tjetërsimit lirisht të sendeve të tij vetjake, pa qenë nevoja e pëlqimit të bashkëshortit tjetër.

Neni 65

Zbatimi i dispozitave të këtij kreu rrjedh nga martesa dhe zbatohet pavarësisht nga regjimi pasuror martesor i bashkëshortëve.

TITULLI III

REGJIMET PASURORE MARTESORE

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 66

Regjimi pasuror martesor i bashkëshortëve rregullohet me ligj, në mungesë të marrëveshjes së veçantë, ku bashkëshortët parashikojnë regjimin që dëshirojnë, i cili nuk duhet të vijë në kundërshtim me dispozitat e këtij Kodi dhe legjislacionit përkatës.

Neni 67

Bashkëshortët nuk mund t’i shmangen të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin për ta nga martesa, si dhe përgjegjësisë prindërore dhe rregullave të administrimit ligjor dhe të kujdestarisë.

Neni 68

Secili nga bashkëshortët mund t’i japë të drejtën bashkëshortit tjetër për ta përfaqësuar gjatë regjimit pasuror martesor, sipas dispozitave të Kodit Civil.

Mandati i përfaqësimit mund të revokohet në çdo kohë.

Neni 69

Kontrata martesore bëhet me akt noterial, në prani dhe me pëlqimin e njëkohshëm të dy bashkëshortëve të ardhshëm ose të përfaqësuesve të tyre.

Në çastin e nënshkrimit të kontratës, noteri i lëshon palëve një akt noterial, i cili përmban identitetin e plotë, adresën e bashkëshortëve të ardhshëm dhe datën e lidhjes së kontratës.

Noteri ka detyrimin të depozitojë kopje të kontratës në zyrën e gjendjes civile para lidhjes së martesës.

Në qoftë se në aktin e martesës tregohet se bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë, ata do të konsiderohen kundrejt të tretëve si të martuar nën regjimin pasuror martesor të bashkësisë ligjore.

Neni 70

Në rastin e martesës së të miturit, sipas nenit 7 paragrafi i dytë, zbatohet regjimi pasuror martesor i bashkësisë ligjore derisa të mbushë moshën 18 vjeç, çast pas të cilit mund të kërkohet ndryshimi i regjimit ligjor të pasurisë.

Neni 71

Në qoftë se një nga bashkëshortët ushtron veprimtari tregtare, ndryshimet në kontratën e martesës lidhur me veprimtarinë tregtare duhet të depozitohen, në çdo rast, edhe në regjistrin tregtar.

Efektet për personat e tretë fillojnë nga çasti i depozitimit të ndryshimit, parashikuar në paragrafin e parë.

Neni 72

Bashkëshortët mund të bien dakord, në interes të familjes, për ta ndryshuar pjesërisht ose tërësisht regjimin pasuror martesor vetëm pas kalimit të 2 vjetëve të zbatimit të tij.

Ndryshimet, në këtë rast, duhet të bëhen në të njëjtën formë që kërkohet për kontratën fillestare të martesës.

Ndryshimi i regjimit pasuror martesor ka efekt kundrejt të tretëve, 3 muaj pasi ndryshimi të jetë depozituar në regjistrin ku është pasqyruar akti i martesës. Në mungesë të këtij shënimi, ndryshimi nuk kundërshtohet nga të tretët, në qoftë se në aktet e bëra midis tyre, bashkëshortët kanë deklaruar se kanë ndryshuar regjimin pasuror martesor.

KREU II

REGJIMI PASUROR MARTESOR NË BASHKËSI

Neni 73

Regjimi pasuror martesor i bashkësisë ligjore zbatohet kur bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë për regjim tjetër pasuror martesor.

Neni 74

Bashkësia përbëhet nga:

a) pasuria e fituar nga të dy bashkëshortët, së bashku ose veç e veç, gjatë martesës;

b) të ardhurat nga veprimtaria e veçantë e çdo bashkëshorti gjatë martesës, nëse nuk janë konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë;

c) frytet e pasurisë së çdo bashkëshorti, që janë marrë dhe nuk janë konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë;

ç) veprimtaria tregtare e krijuar gjatë martesës.

Në rast se veprimtaria tregtare para lidhjes së martesës i përkiste vetëm njërit prej bashkëshortëve, por gjatë martesës drejtohet nga të dy bashkëshortët, bashkësia përfshin vetëm fitimet dhe shtimin e

prodhimit.

Neni 75

Pasuria e krijuar gjatë martesës, e caktuar për administrimin e veprimtarisë tregtare të njërit prej bashkëshortëve dhe shtesat e prodhimit të saj janë objekt i bashkëpronësisë vetëm nëse ekzistojnë

si të tilla në çastin e mbarimit të martesës.

Neni 76

Pasuria e bashkëshortëve prezumohet si e përbashkët, me përjashtim të rastit kur bashkëshorti provon karakterin e saj vetjak.

Neni 77

Pasuri vetjake e bashkëshortit që nuk bën pjesë në bashkësi është:

a) pasuria, e cila para lidhjes së martesës ishte në bashkëpronësi të bashkëshortit me persona të tjerë ose kundrejt së cilës ai ishte titullar i një të drejte reale përdorimi;

b) pasuria e fituar gjatë martesës me anë të dhurimit, të trashëgimisë ose legut, kur në aktin e dhurimit ose në testament nuk përcaktohet se ato janë dhënë në favor të bashkësisë;

c) pasuritë e përdorimit ngushtësisht vetjak të secilit bashkëshort dhe pasuritë e fituara si aksesorë të pasurisë vetjake;

ç) mjetet e nevojshme të punës për ushtrimin e profesionit të njërit prej bashkëshortëve, përveç atyre që janë caktuar për administrimin e një veprimtarie tregtare;

d) pasuria e fituar nga shpërblimi i dëmit vetjak, me përjashtim të të ardhurave që rrjedhin nga pensioni i fituar për shkak të humbjes së pjesshme ose të plotë të aftësisë për punë;

dh) pasuria e fituar nga tjetërsimi i pasurive vetjake të sipërpërmendura;

e) shkëmbimi i tyre, kur kjo është deklaruar shprehimisht në aktin e blerjes.

Neni 78

Bashkësia mund të përfitojë kompensim, pas mbarimit të saj, për të ardhurat dhe pasuritë që bashkëshorti ka neglizhuar të marrë ose për ato që ai ka shpenzuar në keqbesim.

Kërkesa për kompensim duhet të paraqitet nga bashkëshorti i interesuar para mbarimit të procedurës të ndarjes së pasurisë.

Neni 79

Pasuria e fituar në shkëmbim të një pasurie, e cila i përkiste individualisht njërit prej bashkëshortëve, është pasuri vetjake, me përjashtim të kompensimit që i bëhet bashkësisë ose e kundërta, kur nga shkëmbimi rezulton të ketë diferenca.

Nëse diferenca në ngarkim të bashkësisë është më e madhe se vlera e pasurisë vetjake të tjetërsuar, pasuria e fituar në këtë shkëmbim i përket bashkësisë, përveç kompensimit në favor të pasurisë vetjake të bashkëshortit.

Neni 80

Të ardhurat e përfituara, si pasojë e një ankandi ose forme tjetër, të një pasurie të paluajtshme, ku njëri nga bashkëshortët është bashkëpronar në pjesë të pandarë, nuk përbën pasuri të fituar gjatë martesës, me përjashtim të kompensimit që duhet t’i bëhet bashkësisë për shpenzimin që ajo ka bërë.

Neni 81

Bashkëshortët përgjigjen mbi pasurinë në bashkësi:

a) për të gjitha barrët dhe detyrimet që rëndojnë mbi ta në çastin e fitimit të pronësisë;

b) për të gjitha shpenzimet e administrimit të pasurisë së përbashkët;

c) për të gjitha shpenzimet për mbajtjen e familjes dhe për çdo detyrim të kontraktuar nga bashkëshortët, qoftë dhe veçmas, që është në interes të familjes;

ç) për çdo detyrim tjetër kontraktues ose jokontraktues, me përjashtim të detyrimeve të përcaktuara si vetjake në këtë Kod.

Neni 82

Detyrimet që bashkëshortët kanë para lidhjes së martesës ose që rëndojnë trashëgimitë dhe dhurimet që fitojnë gjatë martesës mbeten detyrime vetjake.

Neni 83

Kreditorët e bashkëshortit, në rastin e nenit 82, mund t’i kërkojnë pagesat e tyre fillimisht mbi pasurinë vetjake dhe të ardhurat e bashkëshortit debitor.

Ata mund të kërkojnë dhe vënien sekuestro mbi pasurinë e bashkësisë, atëherë kur pasuritë e luajtshme që i përkasin debitorit të tyre datën e lidhjes së martesës ose që i fitojnë me trashëgimi ose me dhurim janë përzier me pasurinë në bashkësi dhe nuk mund të identifikohen, sipas këtij Kodi.

Neni 84

Bashkëshortët përgjigjen mbi pasurinë në bashkësi deri në gjysmën e vlerës së saj, kundrejt kreditorëve vetjakë të çdo bashkëshorti, kur pasuria vetjake e tij nuk mjafton për përmbushjen e:

a) detyrimeve që ai ka marrë përsipër vetëm për administrimin e pasurisë në bashkësi, jashtë kufijve të tagrave të tij të administrimit;

b) detyrimeve të tij vetjake, cilido qoftë çasti i lindjes së tyre. Paragrafi i mësipërm nuk zbatohet, nëse ka pasur mashtrim nga bashkëshorti debitor dhe keqbesim nga kreditori.

Neni 85

Në rast se detyrimi vetjak i njërit bashkëshort është shlyer nga bashkësia, ai detyrohet të bëjë kompensimin e bashkësisë.

Neni 86

Të ardhurat vetjake të një bashkëshorti nuk mund të preken nga kreditorët e bashkëshortit tjetër, vetëm nëse detyrimi ka qenë i kontraktuar për mirëmbajtjen e banesës dhe të familjes, sipas nenit 81 të këtij Kodi.

Neni 87

Në rastin kur detyrimi është kontraktuar në interesin vetjak të njërit prej bashkëshortëve dhe ai është shlyer nga pasuria në bashkësi, bashkëshorti përfitues detyrohet të bëjë kompensimin e bashkësisë.

Neni 88

Në rast se nga pasuria në bashkësi janë paguar gjoba ose dëmshpërblime, për të cilat është detyruar njëri prej bashkëshortëve për shkak të një dënimi penal ose administrativ, ai detyrohet të kompensojë pasurinë në bashkësi.

Bashkësia ka të drejtën për kompensim nëse detyrimi që bashkësia ka shlyer ishte kontraktuar nga njëri prej bashkëshortëve në kundërshtim me detyrimet që i imponon martesa.

Neni 89

Kur një detyrim vjen në bashkësi për shkak të njërit bashkëshort, ai nuk mund të kërkohet mbi pasuritë vetjake të bashkëshortit tjetër.

Nëse ka detyrime solidare të të dy bashkëshortëve, ai mund të kërkohet mbi pasurinë në bashkësi.

Neni 90

Secili bashkëshort ka të drejtën e administrimit të zakonshëm të pasurisë në bashkësi.

Secili bashkëshort është përfaqësues ligjor edhe i bashkëshortit tjetër përpara organeve administrative dhe gjyqësore për çështje që kanë të bëjnë me administrimin e zakonshëm të pasurisë në bashkësi.

Kryerja e veprimeve që kapërcejnë administrimin e zakonshëm u takon bashkërisht të dy bashkëshortëve.

Neni 91

Në rast largësie ose pengese tjetër të njërit bashkëshort dhe në mungesë të prokurës ose autorizimit të gjykatës, bashkëshorti tjetër mund të kryejë veprimet që janë të nevojshme edhe në rastin kur kërkohet pëlqimi i të dy bashkëshortëve, sipas nenit 90 të këtij Kodi.

Neni 92

Nëse njëri prej bashkëshortëve refuzon të japë pëlqimin për kryerjen e një veprimi të administrimit të jashtëzakonshëm ose për veprime të tjera, për të cilat kërkohet pëlqimi, bashkëshorti tjetër mund t’i drejtohet gjykatës për të marrë autorizimin.

Gjykata vendos dhënien e autorizimit kur kryerja e veprimit është e nevojshme për interesa të familjes ose të veprimtarisë tregtare që bën pjesë në bashkësi.

Neni 93

Nëse njëri nga bashkëshortët, për një kohë të vazhdueshme, ndodhet jashtë gjendjes për të shprehur vullnetin e tij, ose nëse administrimi i bashkësisë nga ana e tij dëshmon për paaftësi ose keqbesim, bashkëshorti tjetër mund t’i kërkojë gjykatës të zëvendësojë atë në ushtrimin e të drejtave të tij.

Bashkëshorti i privuar nga të drejtat e administrimit të bashkësisë mund t’i kërkojë gjykatës rikthimin e tyre, nëse provon se janë zhdukur shkaqet e përjashtimit të tij nga administrimi.

Neni 94

Nëse njëri nga bashkëshortët tejkalon të drejtat e tij mbi pasurinë në bashkësi, mund të kërkohet nga bashkëshorti tjetër anulimi i veprimit, nëse më vonë ai nuk ka dhënë pëlqimin për këtë veprim.

Kjo padi mund të ngrihet brenda 1 viti nga data e marrjes dijeni për veprimin dhe, në çdo rast, jo më vonë se 1 vit nga mbarimi i bashkësisë.

Neni 95

Secili bashkëshort ka të drejtë të administrojë dhe të disponojë lirisht pasuritë vetjake.

Nëse gjatë martesës njëri nga bashkëshortët i beson tjetrit administrimin e pasurisë së tij vetjake, zbatohen rregullat e përfaqësimit.

Nëse njëri nga bashkëshortët administron pasurinë vetjake të tjetrit, me dijeninë e këtij të fundit dhe pa pasur kundërshtim nga ana e tij, konsiderohet se ka marrë një akt përfaqësimi në heshtje, që mbulon veprimet e administrimit dhe të përdorimit, me përjashtim të tagrit të disponimit. Në këtë rast, ai përgjigjet kundrejt bashkëshortit tjetër me cilësinë e përfaqësuesit dhe, nëse është rasti, detyrohet të dorëzojë vetëm frytet që ekzistojnë, duke mos u përgjigjur për ato që janë konsumuar.

Nëse njëri nga bashkëshortët, me gjithë kundërshtimin e tjetrit, administron pasurinë e tij vetjake dhe kryen veprime lidhur me të, përgjigjet për dëmin e shkaktuar dhe për frytet që duhet të ishin marrë. Në këtë rast, bashkëshorti i dëmtuar ka të drejtë të ngrejë padi për anulimin e veprimit të kryer, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 94 të këtij Kodi.

Neni 96

Bashkësia mbaron me:

a) vdekjen e njërit prej bashkëshortëve, shpalljen i zhdukur ose i vdekur të njërit prej tyre, shpalljen të pavlefshme dhe zgjidhjen e martesës;

b) pjesëtimin e pasurive;

c) ndryshimin e regjimit pasuror martesor, kur sjell mbarimin e bashkësisë.

Neni 97

Pjesëtimi i pasurisë nuk mund të bëhet gjatë vazhdimit të bashkësisë, edhe në rast të një marrëveshjeje të bashkëshortëve.

Neni 98

Pjesëtimi i pasurisë në bashkësi mund të kërkohet në gjykatë në rast paaftësie dhe administrimit të keq të njërit prej bashkëshortëve, kur mënyra e administrimit të pasurisë prej tij vë në rrezik interesat e bashkëshortit tjetër ose të familjes, ose kur njëri nga bashkëshortët nuk kontribuon për nevojat e familjes, në proporcion me gjendjen e tij dhe me aftësinë për punë dhe kur ka ndodhur një pjesëtim faktik i pasurisë në bashkësi.

Ndarja e pasurisë mund të kërkohet nga njëri prej bashkëshortëve ose nga përfaqësuesi i tij ligjor. Kreditorët e njërit bashkëshort nuk mund të kërkojnë vetë ndarjen e pasurisë.

Vendimi i gjykatës për ndarjen ka fuqi që nga data kur është paraqitur kërkesa dhe i vendos bashkëshortët nën regjimin e pasurive martesore të ndara, të parashikuar në këtë Kod.

Neni 99

Kur procedura për pjesëtimin e pasurisë ka filluar, kreditorët mund të kërkojnë të njihen me kërkesën dhe dokumentet e paraqitura nga bashkëshortët, si dhe të ndërhyjnë në seancën gjyqësore për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Neni 100

Kërkesa dhe vendimi i ndarjes së pasurisë duhet të depozitohen pranë zyrës së gjendjes civile dhe, nëse është rasti, edhe në regjistrin tregtar.

Vendimi shënohet në regjistrin e gjendjes civile, si dhe në origjinalin e kontratës së martesës.

Neni 101

Secili nga bashkëshortët duhet të kompensojë shumat e marra nga pasuria në bashkësi, që janë përdorur për qëllime të ndryshme nga ai i përmbushjes së detyrimeve të parashikuara në nenin 81 të këtij Kodi.

Neni 102

Kompensimet dhe kthimet realizohen në çastin e mbarimit të bashkësisë.

Gjykata mund të autorizojë dhe të urdhërojë për ato në çdo çast nëse e kërkon dhe e lejon interesi i familjes.

Neni 103

Pjesëtimi i pasurisë në bashkësinë ligjore bëhet duke u nisur nga barazia e aktivit dhe pasivit të saj.

Pasi të jenë zbritur nga bashkësia detyrimet që ajo ka ndaj bashkëshortëve ose të tretëve, pasuria që mbetet ndahet në pjesë të

barabarta midis bashkëshortëve.

Gjykata, në bazë të nevojave të fëmijëve dhe nga fakti se kujt do t’i besohen ata, mund të vendosë në favor të një bashkëshorti kalimin e një pjese të pasurisë së bashkësisë që i takon bashkëshortit tjetër.

Neni 104

Kur kompensimi bëhet në dobi të njërit bashkëshort, ky i fundit merr nga pasuria e bashkësisë një shumë të barabartë me vlerën që bashkësia i detyrohet atij. Në qoftë se aktivi i pasurisë së bashkësisë është ipamjaftueshëm, bashkëshorti tjetër është i detyruar për diferencën.

Në rastet kur aktivi i pasurisë nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur detyrimet e bashkësisë ndaj të tretëve, kreditorët kanë të drejtë t’i drejtohen secilit prej bashkëshortëve, të cilët përgjigjen solidarisht. Bashkëshorti që ka shlyer detyrimin e bashkësisë si më sipër, ka të drejtën e regresit ndaj bashkëshortit tjetër për pjesën e detyrimit të shlyer për llogari të tij.

Neni 105

Në fillim të procedurës së pjesëtimit të pasurisë në bashkësi, bashkëshortët ose trashëgimtarët e tyre kanë të drejtë të marrin pasurinë e luajtshme vetjake, që u përkiste para bashkësisë ose që ata e kanë fituar gjatë bashkësisë në formë trashëgimie ose dhurimi.

Në mungesë të provave të kundërta prezumohet se pasuria e luajtshme bën pjesë në bashkësi.

Neni 106

Nëse pasuria e luajtshme nuk ekziston në natyrë, bashkëshorti ose trashëgimtarët e tij kanë të drejtë të marrin vlerën e saj duke zbritur amortizimin e tij nga përdorimi në bashkësi, me kusht që mungesa e pasurisë të ketë ardhur për shkak të konsumit për përdorim, për shkak të shkatërrimit ose humbjes së saj ose për çdo shkak që nuk mund t’i kundërvihet bashkëshortit tjetër.

Neni 107

Pjesëtimi i pasurisë së bashkëshortëve bëhet sipas këtij Kodi, Kodit Civil dhe Kodit të Procedurës Civile.

KREU III

BASHKËSIA ME KONTRATË

Neni 108

Bashkëshortët, në kontratën e martesës, mund të ndryshojnë bashkësinë ligjore me marrëveshje, e cila nuk duhet të vijë në kundërshtim me nenet 66 dhe 67 të këtij Kodi.

Bashkëshortët mund të bien dakord që:

a) bashkësia të përfshijë pasuritë e luajtshme para martesës dhe fitimet nga pasuritë vetjake gjatë martesës;

b) të ndryshohen rregullat lidhur me administrimin;

c) të kenë pjesë jo të barabarta;

ç) të ketë ndërmjet tyre bashkësi universale.

Rregullat e bashkësisë ligjore mbeten të zbatueshme për të gjitha pikat që nuk janë bërë objekt i kontratës së martesës ndërmjet palëve.

Neni 109

Kur bashkëshortët bien dakord që të ketë ndërmjet tyre bashkësi, sipas nenit 108 shkronja “a”, pasuria në bashkësi përbëhet nga pasuria në regjimin pasuror të bashkësisë ligjore, nga pasuria e luajtshme para martesës dhe fitimet nga pasuritë vetjake gjatë martesës.

Mbetet pasuri vetjake dhe nuk mund të përfshihet në bashkësi pasuria e luajtshme e parashikuar në shkronjat “c”, “ç”, “d” të nenit 77 të këtij Kodi.

Neni 110

Bashkëshortët, për detyrimet e tyre para martesës, përgjigjen mbi pasurinë në bashkësi deri në kufirin e vlerës së pasurisë së tyre, e cila, në bazë të kontratës së lidhur, sipas këtij Kodi, është pjesë përbërëse e bashkësisë.

Neni 111

Bashkëshortët mund të bien dakord që ta administrojnë së bashku bashkësinë. Në këtë rast, aktet e administrimit dhe të disponimit të pasurisë së bashkësisë bëhen me nënshkrimin e përbashkët të dy bashkëshortëve dhe përmbajnë detyrimin solidar të tyre.

Neni 112

Bashkëshortët, në kontratën e martesës, mund të bien dakord të caktojnë pjesë jo të barabarta për pasurinë në bashkësi, ndryshe nga bashkësia ligjore.

Neni 113

Në rastet kur bashkëshortët, në kontratën e martesës, kanë përcaktuar pjesë jo të barabarta në bashkësi, ata ose trashëgimtarët e tyre i përballojnë detyrimet në raport me pasurinë që kanë në bashkësi ose që kanë përfituar nga bashkësia.

Çdo klauzolë e kontratës është e pavlefshme nëse detyron bashkëshortin me pjesë të kufizuar ose trashëgimtarët e tij të përballojnë një detyrim më të madh se pjesa e tyre në bashkësi ose të përjashtohen nga përballimi i detyrimit të tyre në raport me këtë pjesë.

Neni 114

Bashkëshortët mund të vendosin në kontratën e martesës një bashkësi universale të pasurisë së tyre, të luajtshme dhe të paluajtshme, që ekziston dhe që do të vihet në të ardhmen, me përjashtim të pasurisë

vetjake të parashikuar në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të nenit 77 të këtij Kodi.

Bashkësia universale përballon të gjitha detyrimet e bashkëshortëve, që ekzistojnë në çastin e lidhjes së kontratës dhe gjatë martesës.

KREU IV

REGJIMI I PASURIVE TË NDARA

Neni 115

Kur bashkëshortët kanë përcaktuar në kontratën e martesës regjimin e pasurive të ndara, secili prej tyre ruan të drejtën e administrimit, përdorimit dhe disponimit të lirë mbi pasurinë e tij.

Secili prej bashkëshortëve përballon vetë detyrimet që i kanë lindur atij, para ose gjatë martesës, me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 70 të këtij Kodi.

Neni 116

Bashkëshortët kontribuojnë në detyrimet që rrjedhin nga martesa, sipas përcaktimit të kushteve në kontratën e martesës.

Në rast se kontrata e martesës nuk përmban asgjë lidhur me detyrimet që rrjedhin nga martesa, bashkëshortët kontribuojnë sipas nenit 54 të këtij Kodi.

Neni 117

Në rast se gjatë martesës, njëri nga bashkëshortët i beson tjetrit administrimin e pasurisë së tij, zbatohen rregullat e përfaqësimit.

Bashkëshorti përfaqësues nuk është i detyruar të japë llogari për kthimin e fryteve, nëse prokura nuk e detyron shprehimisht për një gjë të tillë.

Neni 118

Nëse njëri nga bashkëshortët administron pasurinë e bashkëshortit tjetër, me dijeninë e këtij të fundit dhe pa pasur kundërshtim nga ana e tij, konsiderohet se ka marrë një mandat të heshtur, i cili mbulon veprimet lidhur me administrimin, por jo ato të disponimit.

Në këtë rast, bashkëshorti përfaqësues përgjigjet ndaj bashkëshortit tjetër vetëm për frytet që ekzistojnë dhe nuk përgjigjet për ato që janë konsumuar.

Nëse njëri nga bashkëshortët, me gjithë kundërshtimin e tjetrit, administron pasurinë e këtij të fundit ose kryen veprime lidhur me këtë pasuri, ai përgjigjet për dëmin dhe për frytet që duhet të ishin marrë.

Neni 119

Pasuria e luajtshme që posedohet nga njëri prej bashkëshortëve ose nga të dy bashkëshortët prezumohet, në lidhje me kreditorët e secilit prej tyre, se i përket bashkëshortit debitor. Ky prezumim nuk është i vlefshëm në rast të ndërprerjes së jetesës së përbashkët.

Pasuria e luajtshme që posedohet nga të dy bashkëshortët prezumohet, në lidhje me njëri-tjetrin, se i përket të dy bashkëshortëve në pjesë të barabarta.

Pasuria e luajtshme, e paracaktuar për përdorim vetjak nga njëri prej bashkëshortëve, prezumohet se i përket këtij të fundit.

Neni 120

Me mbarimin e martesës për shkak të vdekjes së njërit bashkëshort, pjesëtimi i pasurisë ndërmjet bashkëshortëve me regjime pasurish të ndara, për sa i përket formës, ruajtjes së pandarë të sendit të papjesëtueshëm, radhës së preferencave, shitjes në ankand të sendeve të papjesëtueshme, efekteve të ndarjes, garancisë dhe diferencave, i nënshtrohet rregullave të trashëgimisë për ndarjen midis trashëgimtarëve.

Të njëjtat rregulla zbatohen dhe pas zgjidhjes së martesës, me përjashtim të radhës së preferencave. Mund të vendoset që diferenca e mundshme të paguhet me para në dorë.

Neni 121

Nëse martesa mbaron ose shpallet e pavlefshme dhe pasuria e njërit prej bashkëshortëve është shtuar nga lidhja e martesës, bashkëshorti tjetër, në rastin kur ai ka kontribuar në një mënyrë ose në një tjetër për këtë shtim, ka të drejtën të kërkojë kthimin e pjesës së shtuar nga kontributi i tij.

Neni 122

E drejta e parashikuar në nenin 121 i kalon trashëgimtarëve të bashkëshortit të vdekur, vetëm nëse njihet në kontratë ose për shkak të vazhdimit të një gjykimi të filluar.

Kjo e drejtë parashkruhet me kalimin e 2 vjetëve nga mbarimi ose shpallja e pavlefshme e martesës.

TITULLI IV

MBARIMI I MARTESËS

KREU I

RASTET E MBARIMIT TË MARTESËS

Neni 123

Martesa mbaron me vdekjen e njërit nga bashkëshortët, me shpalljen e vdekjes së njërit bashkëshort ose me zgjidhjen e martesës së tyre.

Neni 124

Kur bashkëshorti që është shpallur i vdekur del se është gjallë, martesa e mbaruar me shpalljen e vdekjes bëhet përsëri e vlefshme, përveçse kur bashkëshorti tjetër ka lidhur martesë të re.

KREU II

RASTET E ZGJIDHJES SË MARTESËS

Neni 125

Kur bashkëshortët bien dakord për zgjidhjen e martesës, i paraqesin gjykatës për miratim, së bashku me kërkesën, edhe një projektmarrëveshje që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës.

Kërkesa mund të paraqitet nga bashkëshortët ose nga përfaqësuesit e tyre respektivë.

Neni 126

Gjykata shqyrton kërkesën, dëgjon fillimisht veçmas secilin nga bashkëshortët, më pas bashkërisht, pa praninë e përfaqësuesve të tyre dhe në fund thërret përfaqësuesit e bashkëshortëve, në qoftë se ata kanë të tillë.

Neni 127

Gjykata vendos zgjidhjen e martesës në rast se krijon bindjen se vullneti i secilës palë është real dhe secili prej tyre ka dhënë lirisht pëlqimin e tij për zgjidhjen e martesës. Në të njëjtin vendim, gjykata miraton dhe marrëveshjen që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës.

Marrëveshja përmban lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve të tyre të mitur, të ardhurat e nevojshme për rritjen dhe edukimin e tyre, kontributin e secilit bashkëshort në favor të bashkëshortit nevojtar, nëse është rasti dhe nëse është e mundur edhe rregullimin e marrëdhënieve të tyre pasurore.

Neni 128

Në rast se gjykata konstaton se marrëveshja nuk siguron në mënyrë të mjaftueshme interesat e fëmijëve ose të njërit prej bashkëshortëve, pezullon gjykimin për 3 muaj dhe u kërkon bashkëshortëve të bëjnë rregullimet e duhura në marrëveshje.

Në qoftë se edhe pas afatit të parashikuar në paragrafin e parë nuk janë bërë rregullimet e duhura, gjykata refuzon miratimin dhe rrëzon kërkesën për zgjidhjen e martesës me pëlqim reciprok të bashkëshortëve.

Neni 129

Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët kur bashkëshortët jetojnë të ndarë faktikisht që prej 3 vjetësh.

Nëse është rasti, bashkëshorti që kërkon zgjidhjen e martesës, sipas paragrafit të parë të këtij neni, duhet të përcaktojë në kërkesëpadinë e tij dhe mënyrën e zbatimit të detyrimeve të mundshme kundrejt fëmijëve të tij dhe bashkëshortit tjetër.

Neni 130

Gjykata mund të rrëzojë padinë për zgjidhjen e martesës për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët, kur bashkëshorti tjetër provon se zgjidhja e martesës do të ketë pasoja veçanërisht të rënda morale dhe materiale për fëmijët ose bashkëshortin tjetër. Padia mund të ringrihet për të njëtat shkaqe nëse ekzistojnë rrethana të reja.

Neni 131

Ndërprerja e jetesës së përbashkët mund të paraqitet si shkak për zgjidhjen e martesës vetëm nga bashkëshorti që ka paraqitur kërkesëpadinë.

Bashkëshorti i paditur ka të drejtë të paraqesë kundërpadi. Në këtë rast, gjykata mund të rrëzojë padinë dhe të pranojë kundërpadinë, duke zgjidhur martesën.

Neni 132

Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës kur, për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjes mendore të pashërueshme, dënimit penal të rëndë të bashkëshortit ose për çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa, jetesa e përbashkët bëhet e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj për bashkëshortin paditës ose për të dy bashkëshortët.

Neni 133

Gjykata vendos për fajësinë, në zgjidhjen e martesës, vetëm kur kjo kërkohet prej njërit ose të dy bashkëshortëve.

Neni 134

Në shqyrtimin e padisë për zgjidhjen e martesës, gjykata cakton fillimisht një seancë pajtimi, në të cilën duhet të paraqiten personalisht bashkëshortët.

Gjyqtari mund t’i dëgjojë ata veçmas secilin dhe më pas bashkërisht, pa praninë e përfaqësuesve të tyre.

Kur arrihet pajtimi, mbahet procesverbal dhe gjykimi pushohet për këtë shkak.

Neni 135

Në rast se në seancën e pajtimit nuk paraqitet paditësi, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari i vetëm vendos pushimin e gjykimit të çështjes.

Kur nuk paraqitet i padituri, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari shtyn seancën e pajtimit, duke i përsëritur njoftimin të paditurit.

Nëse edhe në këtë seancë i padituri nuk paraqitet pa ndonjë shkak të arsyeshëm, gjyqtari, pasi dëgjon paditësin dhe krijon bindje se pajtimi i bashkëshortëve nuk mund të arrihet, cakton seancën gjyqësore, duke urdhëruar thirrjen e provave të nevojshme.

Neni 136

Gjykata mund të shtyjë shpalljen e vendimit deri në 1 vit, kur nuk  ka krijuar bindje se përjashtohet çdo mundësi pajtimi e bashkëshortëve.

Neni 137

Kur gruaja është shtatzënë, me kërkesën e saj, gjykata mund të pezullojë gjykimin e padisë së zgjidhjes së martesës, por jo më tepër se 1 vit nga çasti i lindjes së fëmijës.

Neni 138

Në kërkesëpadinë për zgjidhjen e martesës mund të kërkohet edhe detyrimi i bashkëshortit tjetër për të përballuar shpenzimet për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, shpenzimet për jetesë të bashkëshortit nevojtar, në rastet e parashikuara në këtë Kod, si dhe likuidimin e regjimit pasuror martesor përkatës.

Gjykata veçon likuidimin e regjimit pasuror martesor në rast se vështirësohet shqyrtimi i çështjes, sipas kërkesave të paragrafit të parë të këtij neni.

Neni 139

Gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, mund të marrë masa të përkohshme për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të mitur, për detyrimin për ushqim të bashkëshortit, kur shihet e arsyeshme, për sigurimin e banimit, si dhe administrimin dhe përdorimin e pasurisë së vënë gjatë martesës, nëse është rasti.

Vendimi për marrjen e një mase të përkohshme ka fuqi derisa të jepet vendimi përfundimtar, por ai mund të ndryshohet ose të shfuqizohet nga gjykata, kur çmon se kanë ndryshuar rrethanat ose kur vendimi është marrë mbi të dhëna jo të sakta.

Neni 140

E drejta e padisë për zgjidhjen e martesës nuk u kalon trashëgimtarëve. Në rast se gjykimi ka filluar më parë, gjykata ndërpret procesin dhe pushon gjykimin.

Në këtë rast, bashkëshorti pasjetues gëzon të drejtën për të trashëguar bashkëshortin e vdekur.

Neni 141

Kur bashkëshortit i është hequr zotësia për të vepruar ose për arsye të tjera është vënë në kujdestari, padia për zgjidhjen e martesës ìmund të ngrihet nga kujdestari i tij.

Në rast se bashkëshorti, ndaj të cilit është bërë kërkesëpadi, është në kujdestari, në gjykimin e zgjidhjes së martesës përfaqësohet nga kujdestari i tij.

Në rastin kur bashkëshorti i pazotë për të vepruar ndodhet në kujdestarinë e bashkëshortit tjetër, gjykata i cakton atij një kujdestar të posaçëm, për ta përfaqësuar në procedurën e zgjidhjes së martesës.

Neni 142

Në rastin e burgimit të bashkëshortit, e drejta e ngritjes së padisë për zgjidhjen e martesës mund të ushtrohet nga kujdestari ose përfaqësuesi ligjor, vetëm pasi të ketë marrë autorizimin e bashkëshortit që vuan dënimin me burgim.

Neni 143

Pasi të ketë marrë formë të prerë, vendimi për zgjidhjen e martesës i dërgohet nga gjykata për regjistrim zyrës së gjendjes civile përkatëse.

Neni 144

Vendimi i gjykatës për zgjidhjen e martesës i fillon efektet e tij nga data që merr formë të prerë.

Vendimi i gjykatës për zgjidhjen e martesës i fillon efektet e tij për të tretët nga data e regjistrimit të tij në zyrën e gjendjes civile, sipas legjislacionit përkatës.

KREU III

PASOJAT E ZGJIDHJES SË MARTESËS

Neni 145

Në rast se ish-bashkëshortët që kanë zgjidhur martesën dëshirojnë ta rilidhin atë, duhet të zbatojnë të gjitha procedurat e nevojshme për lidhjen e një martese të re.

Neni 146

Bashkëshorti që me lidhjen e martesës ka ndryshuar mbiemrin e tij, pas zgjidhjes së martesës merr mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës.

Gjykata, me kërkesën e bashkëshortit dhe kur është në interes të tij ose të fëmijëve, mund të lejojë që ai të mbajë mbiemrin që ka marrë me lidhjen e martesës.

Neni 147

Gjykata mund të detyrojë njërin nga ish-bashkëshortët të derdhë për llogari të tjetrit një kontribut të destinuar për të kompensuar sa të jetë e mundur pabarazinë që mund të shkaktojë në jetën e tjetrit ndarja e pasurisë në zgjidhjen e martesës, përveç detyrimit për ushqim.

Gjykata përcakton nëse kontributi mund të jepet i menjëhershëm ose periodik dhe mënyrën e pagimit të tij.

Neni 148

Kontributi kompensues caktohet sipas nevojave të ishbashkëshortit përfitues dhe burimeve të tjetrit, duke marrë në konsideratë gjendjen në çastin e zgjidhjes së martesës dhe kohëzgjatjen e saj në një të ardhme të parashikueshme.

Kohëzgjatja e dhënies së kontributit kompensues caktohet nga gjykata, sipas nevojave të ish-bashkëshortit përfitues.

Nëse ish-bashkëshorti përfitues lidh martesë të re, kontributi kompensues ndërpritet.

Neni 149

Në përcaktimin e nevojave dhe të burimeve, gjykata merr në konsideratë:

a) moshën dhe gjendjen shëndetësore të ish-bashkëshortëve;

b) kohën e shpenzuar dhe atë që i duhet të shpenzojnë për edukimin e fëmijëve;

c) kualifikimin e tyre profesional;

ç) predispozitën e tyre për punë të reja;

d) të drejtat që ata gëzojnë dhe ato që parashikohen për të ardhmen;

dh) pasurinë e tyre, si kapital ose si e ardhur, pas likuidimit të regjimit pasuror martesor.

Neni 150

Ndryshimi i kontributit kompensues mund të kërkohet në gjykatë vetëm në rast se vazhdimi i njëjtë i tij sjell pasoja tepër të rënda për njërin nga ish-bashkëshortët.

Neni 151

Në rastin e kërkesës së përbashkët, ish-bashkëshortët caktojnë shumën dhe mënyrën e dhënies së kontributit kompensues me marrëveshje, e cila i paraqitet gjyqtarit për miratim.

Gjyqtari mund të refuzojë miratimin e marrëveshjes, nëse konstaton se të drejtat dhe detyrimet e bashkëshortëve janë caktuar në mënyrë të padrejtë.

Neni 152

Marrëveshja e miratuar nga gjykata mund të ndryshohet vetëm me një marrëveshje të re, të miratuar nga gjykata, kur rrethanat kanë ndryshuar ose kur ato e imponojnë një gjë të tillë.

Bashkëshortët, në rast ndryshimi të papritur të burimeve dhe nevojave të tyre, mund t’i kërkojnë gjykatës të rishikojë kontributin kompensues.

Neni 153

Në rast se banesa familjare është në pronësi të njërit ishbashkëshort dhe bashkëshorti tjetër nuk ka në pronësi banesë tjetër të përshtatshme në vendbanimin e tyre, gjykata mund të lejojë përdorimin nga ish-bashkëshorti jopronar të banesës kur:

a) fëmijët i janë lënë për rritje dhe edukim këtij të fundit, derisa ata të arrijnë moshën madhore;

b) zgjidhja e martesës bëhet nga ish-bashkëshorti pronar për ndërprerje prej tij të jetesës së përbashkët. Në këtë rast e drejta e përdorimit të banesës është deri në 7 vjet, por në rast se ishbashkëshorti jopronar rimartohet, e humbet këtë të drejtë;

c) kur ish-bashkëshorti jopronar ka instaluar në banesën e ishbashkëshortit pronar një kabinet profesional me vlerë të madhe, lëvizja e të cilit do të kërkonte shpenzime të mëdha. Në këtë rast e

drejta e përdorimit është deri në 3 vjet.

Në këto raste gjykata përcakton afatin e përdorimit dhe masën e qirasë që detyrohet të paguajë ish-bashkëshorti jopronar në përputhje me të ardhurat e tij.

Në çdo rast gjykata mund të zgjidhë kontratën e qirasë, në qoftë se kjo justifikohet nga rrethana të reja.

Neni 154

Zgjidhja e martesës nuk prek të drejtat dhe detyrimet që kanë prindërit ndaj fëmijëve të tyre, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë Kod.

Neni 155

Para se gjykata të marrë një vendim të përkohshëm ose përfundimtar lidhur me mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, të drejtës së vizitës ose të besuarit të fëmijës njërit ishbashkëshort, duhet të thërrasë një psikolog ose punonjës social, i cili, para se të japë mendimin, duhet të marrë të dhëna për gjendjen materiale dhe morale të familjes, kushtet në të cilat jetojnë dhe ku është më e përshtatshme të jetojë fëmija.

Në rast se gjykata arrin në konkluzionin se fëmija, përkohësisht, duhet t’i besohet një personi të tretë ose një familjeje kujdestare, duhet të marrë mendimin e sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale pranë bashkisë së vendit ku zhvillohet gjykimi.

Neni 156

Gjykata vendos për mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore ose për t’i besuar fëmijën një të treti, mbi bazën e kërkesës së njërës prej palëve, pjesëtarëve të familjes ose prokurorit, në rast se ka shkaqe të rënda që janë të lidhura me ushtrimin abuziv të përgjegjësisë prindërore.

Neni 157

Gjyqtari, në këtë rast, merr në konsideratë:

a) marrëveshjen e bërë ndërmjet ish-bashkëshortëve;

b) mendimin dhe ndjenjat e shprehura nga fëmija i mitur, duke vlerësuar moshën dhe zhvillimin e tij;

c) mendimin e psikologut ose të sektorit të shërbimeve sociale pranë bashkisë, pasi këta të kenë dëgjuar fëmijën.

Neni 158

Prindi, që nuk i është lënë fëmija për rritje dhe edukim, ruan të drejtën të mbikëqyrë mbajtjen dhe edukimin e fëmijës e për pasojë të informohet dhe të konsultohet për zgjedhjet e rëndësishme që lidhen me jetën e tij. Ai kontribuon në raport me burimet e tij dhe ato të prindit tjetër.

E drejta e vizitës dhe e banimit, sipas kushteve të përcaktuara nga gjykata, nuk mund t’i refuzohen, veçse për arsye të rënda që dëmtojnë interesat e fëmijës.

Neni 159

Vendimi lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore mund të ndryshohet në çdo çast nga gjykata, me kërkesën e njërit prej ishbashkëshortëve, një të afërmi ose të prokurorit.

Neni 160

Në rast të zgjidhjes së martesës me kërkesë të përbashkët, kushtet e marrëveshjes së miratuar nga gjyqtari, lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, mund të rishqyrtohen për shkaqe me rëndësi dhe sipas kërkesës së njërit prej ish-bashkëshortëve ose të prokurorit.

Neni 161

Në vendimin e zgjidhjes së martesës caktohet dhe kontributi për detyrimin ushqimor për fëmijën dhe për ish-bashkëshortin, nëse është rasti, sipas parashikimeve të kreut “Detyrimi për ushqim” të këtij Kodi.

Neni 162

Çdonjëri prej ish-bashkëshortëve është i detyruar t’i japë tjetrit të dhëna të sakta për pasurinë dhe të ardhurat e tij, kur ato janë të nevojshme për të caktuar detyrimin për ushqim. Me kërkesën e njërit prej ish-bashkëshortëve, punëdhënësi, organet financiare përkatëse, zyrat e tatimeve dhe çdo organ tjetër ku mund të merren prova, janë të detyruar të japin gjithë informacionin e nevojshëm për gjendjen pasurore të ish-bashkëshortit tjetër dhe për të gjitha të ardhurat e tjera të tij.

TITULLI V

BASHKËJETESA

Neni 163

Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.

Neni 164

Personat bashkëjetues mund të lidhin marrëveshje para noterit, ku përcaktojnë pasojat që rrjedhin nga bashkëjetesa lidhur me fëmijët dhe pasurinë gjatë bashkëjetesës.

PJESA E TRETË

FËMIJËT

TITULLI I

AMËSIA DHE ATËSIA

KREU I

RREGULLA TË PËRGJITHSHME

Neni 165

Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur nga martesa provohen nga akti i lindjes, i regjistruar në regjistrin e gjendjes civile.

Neni 166

Nuk mund të ngrihet padi për vërtetimin e amësisë ose atësisë për një fëmijë që nuk ka lindur i gjallë.

Neni 167

Nga njohja e amësisë ose e atësisë së një fëmije të lindur jashtë martese nuk mund të hiqet dorë.

Neni 168

Në rastin e ngatërrimit ose zëvendësimit të fëmijës, në çdo rast, edhe kur bëhet në mënyrë të pavullnetshme, mund të kërkohet me padi njohjeje ose kundërshtimi një identitet i ndryshëm i fëmijës, nëse konstatimi është bërë përpara ose pas marrjes së aktit të lindjes.

Neni 169

Në mungesë të aktit të lindjes ose në qoftë se fëmija është regjistruar me emër të rremë, ose pa treguar emrin e nënës dhe të atit, amësia dhe atësia mund të vërtetohen me vendim gjyqësor.

Neni 170

Amësia dhe atësia e fëmijës së lindur jashtë martese mund të vendosen me anë të njohjes vullnetare ose nëpërmjet një vendimi gjyqësor dhe për prindërit krijon të drejta dhe detyrime të njëjta, në mënyrë prapavepruese, si për fëmijët e lindur nga martesa.

Neni 171

Fëmija i lindur jashtë martese merr mbiemrin e prindit, amësia ose atësia e të cilit është vendosur më përpara. Në qoftë se amësia dhe atësia vendosen në të njëjtën kohë, prindërit vendosin me marrëveshje se cilin mbiemër do të mbajë fëmija. Në rast mosmarrëveshjeje, fëmijës i vendoset mbiemri i të atit.

Neni 172

Njohja e një fëmije nuk mund të pasohet nga një njohje tjetër, e ndryshme nga e para, në rast se kjo e fundit nuk është kundërshtuar në rrugë gjyqësore.

 

©GC

Trascina file per caricare