Print Friendly, PDF & Email

The measure is available in the following languages:

PËR RATIFIKIMIN E “KONVENTËS PËR NJOHJEN E KUALIFIKIMEVE TË ARSIMIT TË LARTË NË EUROPË” (LISBONË, 1997)

(L igj Nr.8834, datë 22.11.2001)

Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikohet  “Konventa për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Europë” (Lisbonë, 1997).

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.3169, datë 10.12.2001 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani

KONVENTA

PËR NJOHJEN E KUALIFIKIMEVE TË ARSIMIT TË LARTË NË EUROPË

Lisbonë 1997

Palët e pranishme në këtë Konventë:

Të ndërgjegjshme për faktin se e drejta për arsimin është e drejtë e njeriut dhe se arsimi i lartë, që luan një rol të rëndësishëm në marrjen dhe përparimin e dijeve, përbën një pasuri të jashtëzakonshme kulturore dhe shkencore, si për individët, ashtu edhe për shoqërinë;

Duke marrë në konsideratë faktin se arsimi i lartë duhet të luajë një rol thelbësor në promovimin e paqes, të mirëkuptimit të ndërsjellë dhe të tolerancës dhe që të kontribuojë në krijimin e besimit të ndërsjellë midis popujve dhe kombeve;

Duke marrë në konsideratë faktin se diversiteti i madh i sistemeve arsimore që ekziston në Europë reflektohet në diversitetet kulturore, sociale, politike, filozofike, fetare dhe ekonomike dhe që nga ky moment përfaqëson një pasuri të jashtëzakonshme që duhet respektuar plotësisht;

Duke dashur t’u lejojnë të gjithë europianëve të përfitojnë plotësisht nga pasuria që përfaqëson ky diversitet, duke lehtësuar pjesëmarrjen e qytetarëve të çdo shteti dhe të studentëve të shkollave të larta të çdo Pale në burimet arsimore të Palëve të tjera dhe, me veçanërisht, duke u lejuar atyre të vazhdojnë formimin ose të kryejnë një pjesë të studimeve në shkollat e larta të këtyre Palëve të tjera;

Duke konsideruar faktin që njohja e studimeve, dëftesave, diplomave dhe e titujve të marrë në një shtet tjetër europian përbën një masë të rëndësishme për nxitjen e mobilitetit akademik ndërmjet Palëve;

Duke i kushtuar një rëndësi të madhe parimeve të autonomisë së shkollave dhe të ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së këtij parimi;

Të bindur që një njohje e barabartë e kualifikimeve përfaqëson një element kyç të së drejtës për arsimim dhe një përgjegjësi të shoqërisë;

Duke pasur parasysh Konventat e Këshillit të Evropës dhe të UNESCO-s në lidhje me njohjen akademike në Europë;

Konventa Europiane për ekuivalentimin e diplomave që lejojnë regjistrimin në universitet (1953, STE No 15) dhe Protokolli i saj shtesë (1964, STE No 49);

Konventa Europiane për ekuivalentimin e periudhave të studimeve unviersitare (1956, STE No 21);

Konventa Europiane mbi njohjen akademike të kualifikimeve universitare (1959, STE No 32);

Konventa për njohjen e studimeve dhe të diplomave të arsimit të lartë në Shtetet e Europës (1979);

Konventa Europiane për ekuivalentimin e përgjithshëm të periudhës së studimeve universitare (1990, STE No 138);

Gjithashtu, duke pasur parasysh Konventën Ndërkombëtare mbi njohjen e studimeve, të diplomave dhe të gradave të arsimit të lartë në Shtetet Arabe dhe në Shtetet Europiane që lag Mesdheu (1967), e adoptuar në kuadër të UNESCO-s dhe që mbulon pjesërisht njohjen akademike në Europë;

Duke kujtuar se kjo Konventë duhet të konsiderohet edhe në kontekstin e Konventave dhe të Rekomandimeve Ndërkombëtare të UNESCO-s që mbulojnë rajone të tjera të botës dhe se është i domosdoshëm përmirësimi i shkëmbimeve të informacioneve ndërmjet këtyre rajoneve;

Të ndërgjegjshëm për evolucionin e thellë në arsimin e lartë në rajonin e Europës që kur janë adoptuar këto Konventa, duke pasur për pasojë një rritje të diversifikimit si në gjirin e sistemeve kombëtare të arsimit të lartë, ashtu edhe ndërmjet tyre, si dhe të nevojës së përshtatjes të instrumenteve juridike dhe praktikave për të reflektuar këtë evolucion;

Të ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë e gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për probleme praktike të shtruara nga njohja në Rajonin Europian;

Të ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë e përmirësimit të praktikave të tanishme të njohjes, për t’i bërë më transparente dhe të përshtatura më mirë me gjendjen aktuale të arsimit të lartë në Rajonin Europian;

Të bindur për rëndësinë e një konvente të përpunuar dhe të adaptuar nën patronazhin e përbashkët të Këshillit të Europës dhe të UNESCO-s, duke krijuar një kuadër për zhvillimin e ardhshëm të praktikave të njohjes në Rajonin Europian;

Të ndërgjegjshëm për rëndësinë e parashikimit të mekanizmave të përhershme të vënies në jetë, me qëllim zbatimin e parimeve dhe dispozitave të kësaj Konvente,

Kanë rënë dakord për sa më poshtë:

Seksioni I. Përcaktime

Neni 1

Sipas kësaj Konvente, termat e përmendur më poshtë do të kenë kuptimin e mëposhtëm:

Pranim (në arsimin e lartë) - është e drejta e kandidatëve për të kërkuar dhe për t’u marrë në konsideratë për t’u pranuar në arsimin e lartë.

Pranim (në institucionet dhe programet e arsimit të lartë) - është akti ose sistemi që u lejon kandidatëve të cilësuar për të ndjekur studimet në një institucion të caktuar dhe/ ose në një program të caktuar të arsimit të lartë.

Vlerësim (i institucioneve dhe i programeve) - është procesi që përcakton cilësinë e mësimdhënies në një institucion ose të një programi të arsimit të lartë.

Vlerësim (i kualifikimeve individuale) - vlerësim me shkrim, nga një organizëm kompetent, i kualifikimeve jashtë shtetit të një individi.

Autoritete kompetente në fushën e vlerësimit - një organizëm i ngarkuar zyrtarisht të japë vendime shtrënguese për njohjen e kualifikimeve të huaja.

Arsim i lartë - të gjitha tipet e cikleve të studimeve ose bashkësia e cikleve të studimit, të formimit ose formimit për kërkim, i nivelit post-sekondar, të njohura nga autoritetet përkatëse të një Pale sipas sistemit të saj të arsimit të lartë.

Institucion i arsimit të lartë - institucion përhapës i arsimit të lartë dhe i njohur nga autoritetet kompetente të një Pale sipas sistemit të saj të arsimit të lartë.

Program i arsimit të lartë - cikël studimesh i njohur nga autoritetet kompetente të një Pale sipas sistemit të arsimit të lartë dhe përfundimi i suksesshëm i të cilave i jep studentit një kualifikim të arsimit të lartë.

Periudhë studimesh - çdo pjesë e një programi të arsimit të lartë, që ka qenë objekt i një vlerësimi ose të një vlefshmërie dhe që, megjithëse nuk përbën një program të plotë studimesh në vetvete, përfaqëson një përvojë domethënëse të njohjeve të aftësive.

Kualifikim

A. Kualifikim i arsimit të lartë. Çdo gradë, diplomë, dëftesë tjetër ose titull tjetër i lëshuar nga një autoritet kompetent dhe që vërteton përfundimin me sukses të një programi të arsimit të lartë.

B. Kualifikim që lejon pranimin në arsimin e lartë - çdo diplomë ose dëftesë tjetër e lëshuar nga një autoritet kompetent, që vërteton përfundimin me sukses të një programi arsimor dhe i jep titullarit të saj të drejtën për t’u marrë në konsideratë për t’u pranuar në një institucion të arsimit të lartë (shih përcaktimin e pranimit).

Njohje - vërtetim i lëshuar nga një autoritet kompetent për vlerën e një kualifikimi arsimor të huaj, me qëllim pranimin në aktivitet e arsimit dhe/ose të punësimit.

Kushtet e nevojshme

A. Kushte të përgjithshme - kushtet që duhet të plotësohen, në të gjitha rastet, për të hyrë në arsimin e lartë, për të hyrë në një nivel të përcaktuar në një nivel të përcaktuar të këtij arsimi ose për dhënien e një kualifikimi të arsimit të lartë të një niveli të caktuar.

B. Kushte të veçanta - kushtet që duhet të plotësohen, përveç kushteve të përgjithshme, me qëllim pranimin në një program të veçantë të arsimit të lartë ose dhënien e një  kualifikimi të veçantë të arsimit të lartë në një disiplinë të veçantë studimi.

Seksioni II.Kompetenca të autoriteteve

Neni II.1

1. Kur autoritetet qendrore të një Pale janë kompetente për të vendosur për çështjet e njohjes, kjo Palë lidhet menjëherë me dispozitat e kësaj Konvente dhe merr masat e domosdoshme për zbatimin e këtyre dispozitave në territorin e saj.

Kur janë njësitë përbërëse të Palës që kanë kompetencën për të vendosur për çështjet e njohjes, Pala i jep, njërit prej depozituesve, një raport të shkurtër mbi situatën ose strukturën e saj konstitucionale, në momentin e nënshkrimit ose gjatë depozitimit të instrumenteve të saj të ratifikimit, të pranimit, aprovimit ose aderimit ose në çdo moment tjetër në vazhdim. Në raste të tilla, autoritetet kompetente të njësive përbërëse të Palëve në fjalë marrin masat e nevojshme për të siguruar zbatimin e dispozitave të kësaj Konvente në territorin e tyre.

2. Kur janë institucionet e arsimit të lartë ose njësi të tjera që kanë kompetencë për të vendosur individualisht për çështjet e njohjes, çdo Palë, sipas situatës ose strukturës së saj konstitucionale, u komunikon tekstin e kësaj Konvente këtyre institucioneve ose njësive dhe merr çdo masë të mundur për t’i inkurajuar ta analizojnë dhe të zbatojnë dispozitat me dashamirësi.

3. Dispozitat e paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni zbatohen mutatis mutandis me detyrimet e Palëve sipas neneve të mëtejshëm të kësaj Konvente.

Neni II.2

Në momentin e nënshkrimit ose të depozitimit të instrumentit të tij të ratifikimit, pranimit, aprovimit ose aderimit ose në çdo moment tjetër në vazhdim, çdo Shtet, Selia e Shenjtë, Komuniteti Europian do t’i tregojnë njërit prej depozituesve të kësaj Konvente cilat janë autoritetet kompetente që marrin vendime të ndryshme në çështje njohjesh.

Neni II.3

Asnjë dispozitë e kësaj Konvente nuk mund të konsiderohet në kundërshtim me dispozitat më të favorshme në lidhje me njohjen e kualifikimeve të dhëna nga njëra nga Palët. Këto mund të përmbahen në një traktat ekzistues ose të ardhshëm, ose në një si rezultat, dhe pjesë e së cilës mund të bëhej një Palë e kësaj Konvente.

Seksioni III. Parimet bazë për vlerësimin e kualifikimeve

Neni III.1

1. Titullarët e kualifikimeve të dhëna nga njëra nga Palët kanë një hyrje të përshtatshme në vlerësimin e këtyre kualifikimeve, me anë të një kërkese të tyre adresuar një organizmi kompetent.

2. Në këtë pikë nuk bëhet asnjë dallim i bazuar në seksin, racën, ngjyrën e lëkurës, handikapin, gjuhën, opinione politike ose çdo opinion tjetër, origjinën kombëtare, etnike ose sociale, përkatësinë në një minoritet kombëtar, pasurinë, lindjen ose çdo rrethanë tjetër të kërkuesve, ose çdo rrethanë tjetër që nuk ka lidhje me vlerën e kualifikimit për të cilën është kërkuar njohja. Për të siguruar këtë të drejtë, çdo Palë angazhohet të ndërmarrë dispozitat e nevojshme për të vlerësuar çdo kërkesë njohjeje të kualifikimit, duke marrë parasysh vetëm njohjet dhe aftësitë e fituara.

Neni III.2

Çdo Palë do të kujdeset që procedurat dhe kriteret e përdorura për vlerësimin dhe njohjen të jenë transparente, koherente dhe të besueshme.

Neni III.3

1. Vendimet e njohjes merren mbi bazën e informacioneve të përshtatshme në lidhje me kualifikimet për të cilat është kërkuar njohja.

2. Përgjegjësia e dhënies së informacioneve të nevojshme bie, në radhë të parë, mbi kërkuesin, i cili duhet t’i japë në mirëbesim.

3. Megjithë përgjegjësinë e kërkuesit, me kërkesën e këtij të fundit, institucionet që kanë dhënë kualifikimet në fjalë kanë për detyrë t’i japin informacionet e përshtatshme në limitet kohore të arsyeshme. E njëjta detyrë bie edhe mbi institucionet ose organet kompetente të vendit ku është kërkuar njohja.

4. Palët u japin udhëzime të gjitha institucioneve të arsimit, sipas sistemeve të tyre arsimore, të përcjellin çdo kërkesë të arsyeshme informacione të bërë me qëllim vlerësimin e kualifikimeve të bëra në këto institucione ose, sipas rastit, t’i inkurajojnë këto institucione për ta bërë këtë gjë.

5. U takon organizmave që ndërmarrin vlerësimin të vërtetojnë se një kërkesë nuk i plotëson kushtet e nevojshme.

Neni III.4

Me qëllim lehtësimin e njohjes së kualifikimeve, çdo Palë do të kujdeset që të jepen informacione të nevojshme dhe të qarta mbi sistemin e vet arsimor.

Neni III.5

Vendimet e njohjes merren me një afat të arsyeshëm, të përcaktuar paraprakisht nga autoritetet kompetente në çështjet e njohjes, duke filluar nga momenti kur janë dhënë të gjitha informacionet e duhura për ekzaminimin e kërkesës. Në rast të një vendimi negativ, jepen arsyet e refuzimit dhe kërkuesi informohet mbi masat që mund të marrë për të arritur njohjen në një moment të dytë. Në rast të një vendimi negativ ose të mungesës së vendimit, kërkuesi duhet të ketë mundësinë të apelojë kundrejt këtij vendimi në një afat kohor të arsyeshëm.

Seksioni IV. Njohje e kualifikimeve që lejojnë hyrjen në arsimin e lartë

Neni IV.1

Çdo Palë njeh (me qëllim hyrjen në programet që varen nga sistemi i tij i arsimit të lartë), kualifikimet e dhëna nga Palët e tjera dhe që plotësojnë, në këto Palë, kushtet e përgjithshme të hyrjes në arsimin e lartë, vetëm më rastet kur mund të vërtetohet se ekziston një ndryshim thelbësor ndërmjet kushteve të përgjithshme të hyrjes në Palën në të cilën është bërë kualifikimi dhe në Palën ku është kërkuar njohja.

Neni IV.2

Në mënyrë aletrnative, mjafton që njëra Palë t’i lejojë titullarit të një kualifikimi të kryer në njërën nga Palët e tjera të arrijë vlerësimin e këtij kualifikimi, me kërkesën e titullarit të kualifikimit, dhe dispozitat e nenit IV zbatohen mutatis mutandis në një rast të tillë.

Neni IV.3

Kur kualifikimi lejon hyrjen vetëm në disa tipe institucionesh ose programesh specifike të arsimit të lartë në Palën në të cilën është kryer ky kualifikim, çdo Palë tjetër i garanton titullarit të një kualifikimi të tillë hyrjen në disa programe specifike të ngjashme në institucionet që varen nga sistemi i tij i arsimit të lartë, me përjashtim të rastit kur vërtetohet se ekziston një ndryshim thelbësor ndërmjet kushteve të hyrjes në Palën në të cilën është kryer kualifikimi dhe kushtet e hyrjes në Palën në të cilën kërkohet njohja e kualifikimit.

Neni IV.4

Kur pranimi në programet e veçanta të arsimit të lartë varet nga kushte të veçanta plotësuese të kushteve të përgjithshme të hyrjes, autoritetet kompetente të Palës përkatëse mund t’i imponojnë të njëjta, kushte plotësuese titullarëve të kualifikimeve të kryera në Palët e tjera ose të vlerësojnë nëse kërkuesit që kanë kryer kualifikime në Palët e tjera plotësojnë të njëjtat kushte.

Neni IV.5

Kur në Palën tjetër, në të cilën janë marrë dëftesat e arsimit të mesëm, lejojnë hyrjen në arsimin e lartë vetëm kur shoqërohen nga dëshmi të dhënies së provimeve plotësuese, si kusht paraprak për hyrjen, Palët e tjera mund të kushtëzojnë hyrjen me të njëjtat kërkesa ose të ofrojnë një alternativë që mund të plotësojë këto kërkesa plotësuese në gjirin e sistemeve të tyre arsimore. Çdo Shtet, Selia e Shenjtë, Komuniteti Europian, në momentin e nënshkrimit ose në momentin e depozitimit të instrumentit të ratifikimit, të pranimit, aprovimit ose aderimit, ose në çdo moment tjetër në vazhdim, mund t’i deklarojnë njërit prej depozituesve se përdorin dispozitat e këtij neni, duke precizuar Palët kundrejt të cilëve ato kanë ndërmend të zbatojnë këtë nen, si dhe arsyet që justifikojnë këtë masë.

Neni IV.6

Pa paragjykuar dispozitat e neneve IV.1, IV.2, IV.3. IV.4 dhe IV.5, pranimi në një institucion të përcaktuar të arsimit të lartë ose në një program të caktuar të këtij institucioni mund të jetë i kufizuar ose selektiv. Në rastet kur pranimi në një institucion dhe/ose në një program të arsimit të lartë është selektiv, procedurat e pranimit duhet të jenë të konceptuara në atë mënyrë që vlerësimi i kualifikimeve të huaja bëhet konform me principet e barazisë dhe të mosdiskriminimit të përshkruar në seksionin III.

Neni IV.7

Pa paragjykuar dispozitat e neneve IV.1, IV.2, IV.3, IV.4 dhe IV.5, pranimi në një institucion të caktuar të arsimit të lartë mund të varet nga prova që disponon kërkuesi. Kjo provë mund të jetë e njohjes së mjaftushme të gjuhës ose të gjuhëve të mësimit në institucionin në fjalë ose gjuhë të tjera të specifikuara.

Neni IV.8

Në Palët në të cilat hyrja në arsimin e lartë mund të arrihet mbi bazën e kualifikimeve jotradicionale, kualifikime të tjera të ngjashme të kryera në Palë të tjera vlerësohen në të njëjtën mënyrë si kualifikimet jo tradicionale të kryera në Palën në të cilën kërkohet njohja.

Neni IV.9

Për arritur pranimin në programet e arsimit të lartë, çdo Palë mund të pranojë që njohja e kualifikimeve të kryera nga një institucion arsimor i huaj, i vendosur në territorin e vet, i nënshtrohet kushteve specifike të legjislacionit kombëtar ose marrëveshjeve specifike të nënshkruara me Palën prej nga është origjina e këtij institucioni.

Seksioni V. Njohja e periudhave të studimit

Neni V.1

Secila Palë njeh periudhat e studimeve të kryera në kuadër të një programi të arsimit të lartë në një Palë tjetër. Kjo njohje përfshin periudhat e studimeve që synojnë përfundimin e një programi të arsimit të lartë në Palën në të cilën është kërkuar njohja, me përjashtim të rasteve kur mund të vërtetohet se ekziston një ndryshim thelbësor ndërmjet periudhës së studimeve të kryera në një Palë tjetër dhe pjesës së programit të arsimit të lartë që ato do të zëvendësonin në Palën ku është kryer njohja.

Neni V.2

Në një alternativë tjetër, mjafton që një Palë t’i lejojë një personi që ka kryer një periudhë studimesh në kuadër të një programi të arsimit të lartë të një Pale tjetër të marrë një vlerësim të kësaj periudhe studimesh, me kërkesë të vetë personit, dhe dispozitat e nenit V.1, në një rast të tillë, zbatohen mutatis mutandis.

Neni V.3

Në veçanti, secila Palë lehtëson njohjen e periudhave të studimit kur:

a) ka një marrëveshje paraprake ndërmjet, nga njëra anë, institucionit të arsimit të lartë ose autoritetit kompetent përgjegjës për periudhën e studimeve dhe nga ana tjetër, institucionit të arsimit të lartë ose autoritetit kompetent në çështje të njohjes, përgjegjës për njohjen e kërkuar; dhe

b) institucioni i arsimit të lartë ku është kryer periudha e studimeve dhe është lëshuar një certifikatë ose listë notash që vërteton se studenti i ka plotësuar kërkesat e nevojshme për këtë periudhë studimesh.

Seksioni VI. Njohja e kualifikimeve të arsimit të lartë

Neni VI.1

Në rastet kur një vendim njohjeje bazohet mbi njohjet dhe dijet e vërtetuara nga një kualifikim i arsimit të lartë, secila Palë njeh kualifikimet e arsimit të lartë të dhëna nga një Palë tjetër, me përjashtim të rasteve kur mund të vërtetohet se ekziston një ndryshim thelbësor ndërmjet kualifikimit të cilit i kërkohet njohja dhe kualifikimit korrespondent në Palën në të cilën kërkohet njohja.

Neni VI.2

Në mënyrë atlernative, mjafton që një Palë t’i lejojë mbajtësit të një kualifikimi të arsimit të lartë, të dhënë nga njëra nga Palët e tjera, të marrë një vlerësim të këtij kualifikimi, me kërkesë të mbajtësit, dhe në këtë rast dispozitat e nenit VI.1 zbatohen mutatis mutandis.

Neni VI.3

Njohja nga njëra Palë e një kualifikimi të arsimit të lartë i dhënë nga një Palë tjetër mbart dy pasojat e mëposhtme ose njërën prej tyre:

a) hyrjen në studimet e larta plotësuese, duke përfshirë provimet që kanë të bëjnë me to, dhe/ose në përgatitjen e doktoratës, në të njëjtat kushte me ato që zbatohen për mbajtësit e kualifikimeve të Palës në të cilën është kërkuar njohja.

b) përdorimin e një titulli akademik sipas ligjeve, rregullave ose të juridiksionit të Palës në të cilën është kërkuar njohja.

Përveç kësaj, njohja mund të lehtësojë hyrjen në tregun e punës, sipas ligjeve, rregullave ose juridiksionit të Palës në të cilën është kërkuar njohja.

Neni VI.4

Vlerësimi, nga një Palë, i një kualifikimi të arsimit të lartë të dhënë nga një Palë tjetër mund të ketë njërën nga format e mëposhtme:

a) vlerësime të papërdorshme për qëllime pune;

b) vlerësime të drejtuara një institucioni arsimor për pranim në programet e tij;

c) vlerësime të destinuara për çdo autoritet tjetër kompetent në çështje njohjesh.

Neni VI.5

Duke qenë se flitet për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë të dhëna nga një institucion i arsimit të lartë i vendosur në territorin e vet, secila Palë mund t’ia nënshtrojë këtë njohje kushteve specifike të legjislacionit kombëtar ose marrëveshjeve specifike të nënshkruara me Palën prej nga e cila varet ky institucion.

Seksioni VII. Njohje e kualifikimeve të refugjatëve, e personave të zhvendosur dhe e personave të krahasuar me refugjatët.

Neni VII

Secila Palë merr të gjitha masat e mundshme dhe të arsyeshme në kuadrin e sistemit të vet arsimor, konform dispozitave konstitucionale, ligjore dhe administrative, për të përpunuar procedurat e përshtatshme që lejojnë vlerësimin e drejtë dhe efikas, nëse refugjatët, personat e zhvendosur dhe personat e ngjashëm me refugjatët plotësojnë kushtet e nevojshme për hyrjen në arsim të lartë, ndjekjen e programeve të arsimit të lartë plotësuese ose ushtrimin e një aktiviteti profesional dhe kjo do të ndodhë edhe kur kualifikimet e kryera në njërën nga Palët nuk mund të vërtetohen nga dokumente që mund ta bëjnë këtë gjë.

Seksioni VIII. Informacion mbi vlerësimin e institucioneve dhe programeve të arsimit të lartë.

Neni VIII.1

 

Secila Palë jep informacionet e nevojshme mbi të çdo institucion që varet nga sistemi i saj i arsimit të lartë, si dhe mbi çdo program të organizuar nga këto institucione, me qëllim që t’u krijojë mundësinë autoriteteve kompetente të Palëve të tjera të verifikojnë nëse cilësia e kualifikimeve të dhëna nga këto institucione justifikon njohjen në Palën në të cilën është kërkuar njohja. Një informacion i tillë paraqitet si më poshtë:

a) në rastin e Palëve që kanë krijuar një sistem zyrtar të vlerësimit të institucioneve dhe të programeve të arsimit të lartë; informacion mbi metodat dhe rezultatet e këtij vlerësimi dhe mbi normat e cilësisë specifike për çdo tip institucioni të arsimit të lartë që jep kualifikime të arsimit të lartë dhe programet e tyre;

b) në rastet e Palëve që nuk kanë krijuar një sistem zyrtar të vlerësimit të institucioneve dhe të programeve të arsimit të lartë; informacion mbi njohjen e kualifikimeve të ndryshme të kryera në çdo institucion ose nëpërmjet çdo programi që varet nga sistemi i tyre i arsimit të lartë.

Neni VIII.2

Secila Palë merr dispozitat e nevojshme për të përcaktuar, rifreskuar dhe për të shpërndarë:

a) një tipologji të tipeve të ndryshme të institucioneve të arsimit të lartë, që varen nga sistemi përkatës i arsimit të lartë, duke përfshirë karakteristikat specifike për çdo tip institucioni;

b) një listë të institucioneve (publike dhe private) të njohura si vartëse të sistemit arsimor përkatës, duke saktësuar kapacitetin e tyre për të dhënë tipe të ndryshme kualifikimesh, si dhe kushtet e kërkuara për hyrjen në çdo tip institucioni dhe programi;

c) një përshkrim i programeve të arsimit të lartë;

d) një listë institucionesh të arsimit, të ndodhura jashtë territorit të saj dhe që ajo konsideron si vartëse të sistemit të saj arsimor.

Seksioni IX. Informacion mbi çështjet e njohjes

Neni IX.1

Për të lehtësuar njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, Palët angazhohen të përcaktojnë sisteme transparente që lejojnë një përshkrim të plotë të kualifikimeve të dhëna.

Neni IX.2

1. Duke ditur domosdoshmërinë  e informacioneve të duhura, të sakta dhe të rifreskuara, secila Palë krijon ose mirëmban një qendër kombëtare të informacionit dhe i njofton njërit prej depozituesve këtë krijim ose çdo modifikim që ka të bëjë me të.

2. Në secilën Palë, Qendra Kombëtare e Informacionit:

a) lehtëson marrjen e informacioneve të sakta dhe të besueshme mbi sistemin e arsimit të lartë dhe kualifikimet e vendit në të cilin ndodhet;

b) lehtëson marrjen e informacioneve mbi sistemet  e arsimit të lartë dhe kualifikimit të Palëve të tjera;

c) jep këshilla ose informacione mbi njohjet dhe vlerësimet e kualifikimeve, duke respektuar ligjet dhe rregullat kombëtare.

3. Çdo qendër kombëtare informacioni duhet të ketë në dispozicion mjetet e nevojshme për të kryer funksionet e saj.

Neni IX.3

Palët inkurajojnë, me ndërmjetësinë e qendrave kombëtare të informacionit ose me mjete të tjera, përdorimin, nga institucione të arsimit të lartë të palëve, të Suplementit të Diplomës të UNESCO-s, Këshillit të Evropës ose çdo dokument tjetër i krahasueshëm.

Seksioni X. Mekanizmat e zbatimit

Neni X.1

Organet e mëposhtme vëzhgojnë, nxisin dhe lehtësojnë zbatimin e Konventës:

a) Komiteti i Konventës mbi njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në rajonin e Europës;

b) Rrjeti Europian i Qendrave Kombëtare të Informacionit mbi njohjen dhe mobilitetin akademik (rrjeti ENIC i krijuar me vendim të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 9 qershor 1994 dhe të Komitetit Rajonal për Europën i UNESCO-s më 18 qershor 1994).

Neni X.2

1. Komiteti i Konventës mbi njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në rajonin europian (që nga ku moment “Komiteti”) krijohet nga kjo Konventë. Ai është i përbërë nga një përfaqësues për çdo Palë.

2. Për nenin X.2, termi “Palë” nuk aplikohet për Komunitetin Europian.

3. Shtetet e përmendura në nenin XI.1.1 dhe Selia e Shenjtë, nëse nuk janë Palë në këtë Konventë, Komuniteti Europian si dhe Presidenti i rrjetit të ENIC mund të marrin pjesë në mbledhjet e Komitetit si vëzhgues. Përfaqësues të organizatave qeveritare dhe joqeveritare që veprojnë në fushën e njohjes në Rajon mund të ftohen të marrin pjesë në mbledhjet e Komitetit si vëzhgues.

4. Edhe Presidenti i Komitetit Rajonal të UNESCO-s për zbatimin e Konventës mbi njohjen e studimeve dhe diplomave të arsimit të lartë në Shtetet që i përkasin Rajonit të Europës do të ftohet të marrë pjesë në mbledhjet e Komitetit si vëzhgues.

5. Komiteti nxit zbatimin e kësaj Konvente dhe vëzhgon vënien e saj në jetë. Për këtë qëllim, ai mund të miratojë, me shumicën e Palëve rekomandime, deklarata, protokolle dhe kode praktike për të ndihmuar autoritetet kompetente të Palëve në zbatimin e Konventës dhe në shqyrtimin e kërkesave të njohjes së kualifikimeve të arsimit të lartë. Megjithëse nuk detyrohen nga këto tekste, Palët nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për t’i zbatuar, për t’i vënë në vëmendje të autoriteteve kompetente dhe për të inkurajuar zbatimin e tyre. Komiteti kërkon mendimin e Rrjetit ENIC para se të marrë vendimet e tij.

6. Komiteti u raporton instancave përkatëse të Këshillit të Europës dhe UNESCO-s.

7. Komiteti siguron lidhjen me komitetet rajonale të UNESCO-s për zbatimin e konventave mbi njohjen e studimeve, diplomave dhe gradave të arsimit të lartë, të miratuara nën patronazhin e UNESCO-s.

8. Kuorumi arrihet kur është e pranishme shumica e Palëve.

9. Komiteti miraton rregulloren e tij të brendshme. Ai mblidhet në një sesion të zakonshëm të paktën çdo tre vjet. Komiteti mblidhet për herë të parë brenda afatit njëvjeçar nga data e hyrjes në fuqi të kësaj Konvente.

10. Sekretariati i Komiteit i besohet bashkërisht Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës dhe Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s.

Neni X.3

1. Secila Palë zgjedh si anëtare të Rjetit Europian të Qendrave Kombëtare të Arsimit mbi mobilitetin dhe njohjen akademike (Rrjeti ENIC, Qendra Kombëtare e Informacionit e krijuar ose mirëmbajtur nga Pala sipas nenit IX.2), në rastin kur janë krijuar më shumë se një qendër kombëtare e informacionit në një Palë sipas nenit IX.2; të gjitha këto qendra janë anëtare të Rrjetit, por këto qendra kombëtare të informacionit disponojnë vetëm një zë.

2. Rrjeti ENIC, në përbërjen e tij që kufizohet në qendrat kombëtare të informacionit të Palëve në këtë Konventë, sjell mbështetjen e tij dhe ndihmën në zbatimin praktik të Konventës nga autoritetet kombëtare kompetente. Rrjeti mblidhet të paktën një herë në vit në sesion plenar. Ai zgjedh Presidentin dhe Byronë e tij në përputhje me mandatin e tij.

3. Sekretariati i Rrjetit ENIC i besohet bashkërisht Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës dhe Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s.

4. Palët bashkëpunojnë, nëpërmjet Rrjetit ENIC, me qendra të tjera të informacinit të Palëve të tjera, duke u bërë të mundur marrjen e çdo informacioni të nevojshëm për realizimin e aktiviteteve të qendrave kombëtare të informacionit në lidhje me njohjen dhe mobilitetin akademik.

Seksioni XI. Dispozita finale

Neni XI.1

1. Kjo Konventë është e hapur për nënshkrim:

a) ndaj Shteteve anëtare të Këshillit të Europës;

b) ndaj Shteteve anëtare të Rajonit të Europës të UNESCO-s;

c) ndaj çdo nënshkruesi tjetër, Shtet kontraktues ose Palë e Konventës kulturore europiane të Këshillit të Europës dhe/ose të Konventës së UNESCO-s mbi njohjen e studimeve dhe diplomave të arsimit të lartë në Shtetet e Rajonit të Europës, që janë të ftuar të marrin pjesë në Konferencën diplomatike e ngarkuar për miratimin e kësaj Konvente.

2. Këto Shtete dhe Selia e Shenjtë mund ta shprehin  miratimin e tyre për të qenë të lidhur:

a) me nënshkrim, pa rezerva ratifikimi, pranimi ose aprovimi, ose

b) me nënshkrim, duke iu nënshtruar ratifikimit, pranimit ose aprovimit, pasuar nga ratifikimi, pranimi se aprovimi; ose

c) me aderim.

3. Nënshkrimet do të bëhen pranë një depozituesi. Instrumentet e ratifikimit, pranimit, aprovimit ose aderimit do të depozitohen pranë njërit prej depozituesve.

Neni XI.2

Kjo Konventë do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit, që vjen pas skadimit të një afati njëmujor pas shprehjes së miratimit të pesë Shteteve, prej të cilëve të paktën tre Shtete anëtare të Këshillit të Europës dhe/ose të Rajonit Europë të UNESCO-s, për të qenë të lidhur nga kjo Konventë. Ajo do të hyjë në fuqi, për çdo shtet tjetër, ditën e parë të muajit që vjen pas skadimit të afatit njëmujor pas datës së shprehjes së miratimit për të qenë e lidhur nga kjo Konventë.

Neni XI.3

1. Pas hyrjes në fuqi të kësaj Konvente, çdo Shtet përveç atyre që i përkasin njërës prej kategorive të renditura në nenin XI.1 mund të paraqesë një kërkesë aderimi në Konventë. Çdo kërkesë do t’i komunikohet njërit prej depozituesve, i cili do t’ua transmetojë Palëve të paktën tre muaj para mbledhjes së Komitetit të Konventës mbi njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Rajonin Europian. Depozituesi do të njoftojë edhe Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës dhe të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s.

2. Vendimi për të ftuar një Shtet që ka paraqitur kërkesë për të aderuar në këtë Konventë merret me më shumë se dy të tretave të Palëve.

3. Pas hyrjes në fuqi të kësaj Konvente, Komuniteti Evropian mund të aderojë, me kërkesën e Shteteve të tij anëtare, kërkesë që i drejtohet njërit prej depozituesve. Në këto rrethana, neni XI.3.2 nuk zbatohet.

4. Për çdo Shtet aderues, dhe për Komitetin Europian, Konventa do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit që vjen pas skadimit të afatit njëmujor pas datës së depozitimit të instrumentit të aderimit pranë njërit prej depozituesve.

Neni XI.4

1. Palët e kësaj Konvente, që janë në të njëjtën kohë Palë të njërës ose disa prej Konventave të mëposhtme:

Konventa Europiane mbi ekuivalentimin e diplomave që lejojnë hyrjen në institucionet universitare (1953,STE No 15) dhe Protokolli i saj (1964, STE No 49);

Konventa Europiane për ekuivalentimin e periudhave të studimeve universitare (1956, STE No 21);

Konventa Europiane mbi njohjen akademike të kualifikimeve universitare (1959, STE No 32);

Konventa Ndërkombëtare mbi njohjen e studimeve, të diplomave dhe të gradave të arsimit të lartë në Shtetet Arabe dhe në Shtetet Europiane që larg Mesdheu (1976);

Konventa mbi njohjen e studimeve dhe të diplomave të arsimit të lartë në Shtetet e Rajonit të Europës (1979);

Konventa Europiane mbi ekuivalentimin e përgjithshëm të periudhës së studimeve universitare (1990, STE 138):

a) do të zbatojnë dispozitat e kësaj Konvente në marrëdhëniet e tyre reciproke;

b) do të vazhdojnë të zbatojnë konventat e përmendura më sipër, në të cilat ato janë Palë, në marrëdhëniet e tyre me Shtetet të tjera Palë në konventat e mësipërme, por jo në këtë Konventë.

2. Palët e kësaj Konvente angazhohen të abstenojnë nga të qënit Palë në konventat e përmendura në paragrafin 1, në të cilat ato nuk do të ishin ende Palë, me përjashtim të Konventës Ndërkombëtare mbi njohjen e studimeve, të diplomave dhe gradave të arsimit të lartë në Shtetet Arabe dhe Shtetet Europiane që lagen nga deti Mesdhe.

Neni XI.5

1.Çdo Shtet mund të përcaktojë territorin ose territoret për të cilët zbatohet kjo Konventë në momentin e nënshkrimit ose të depozitimit të instrumentit të tij të ratifikimit, pranimit, aprovimit ose aderimit në Konventë.

2. Në çdo moment tjetër, secili Shtet mund ta shtrijë zbatimin e kësaj Konvente në çdo territor tjetër me një deklaratë të drejtuar njërit prej depozituesve. Konventa do të hyjë në fuqi, për këtë territor, ditën e parë të muajit që vjen pas skadimit të një afati njëmujor, duke filluar nga data e marrjes së një deklarate të tillë nga depozituesit.

3. Çdo deklaratë e bërë sipas dy paragrafëve të mësipërm, për çdo territor të përcaktuar nga një deklaratë e tillë, mund të tërhiqet me një notë drejtuar njërit prej depozituesve. Ajo do të ketë efekt ditën e parë të muajit që vjen pas skadimit të një afati njëmujor pas datës së marrjes së një note të tillë nga depozituesit.

Neni XI.6

1. Secila Palë mund të denoncojë në çdo moment këtë Konventë me një notë drejtuar njërit prej depozituesve.

2. Denoncimi do të ketë efekt ditën e parë të muajit që vjen pas skadimit të një afati prej dymbëdhjetë muajsh pas datës së marrjes së notës nga depozituesi. Megjithatë, ky denoncim nuk do të prekë vendimet e njohjes të marrë më parë sipas dispozitave të kësaj Konvente.

3. Anulimi i kësaj Konvente ose pezullimi i zbatimit të saj si rrjedhojë e shkeljes nga ana e një Pale të një dispozite thelbësore për realizimin e objektivit ose qëllimit të Konventës do të bëhet konform ligjeve ndërkombëtare.

Neni XI.7

1. Çdo Shtet, Selia e Shenjtë, Komuniteti Europian mund të deklarojë se rezervojnë të drejtën për të mos zbatuar, pjesërisht totalisht, njërin ose disa prej neneve të mëposhtëm të kësaj Konvente. Kjo rezervë mund të bëhet në momentin e nënshkrimit ose të depozitimit të instrumentit të ratifikimit pranimit aprovimit ose aderimit në Konventë. Nenet nën rezervë:

Neni IV.8

Neni V.3

Neni VI.3

Neni VIII.2

Neni IX.3

Asnjë rezervë tjetër nuk mund të bëhet.

2. Çdo Palë që ka formuluar një rezervë sipas paragrafit të mësipërm mund ta tërheqë, të gjithën ose pjesërisht, me një notë drejtuar njërit prej depozituesve. Tërheqja merr efekt datën e marrjes së notës nga depozituesit.

3. Një Palë që ka formuluar një rezervë kundrejt një dispozite të kësaj Konvente nuk mund të pretendojë zbatimin e saj nga një Palë tjetër; megjithatë, ajo mund të pretendojë zbatimin e kësaj dispozite në masën që ajo ka pranuar në rastin kur rezerva është e pjesshme ose e kushtëzuar.

Neni XI.8

1. Komiteti i Konventës mbi njohjen e kualifikimeve në arsimin e lartë në Rajonin Europian mund të miratojë projekte amendamentesh për këtë Konventë me një vendim të marrë me më shumë se dy të tretat e Palëve. Çdo amendament i miratuar në këtë mënyrë është i përfshirë në një protokoll të kësaj Konvente. Protokolli specifikon modalitetet e hyrjes së tij në fuqi e cila, për çdo rast, kërkon miratimin e Palëve në mënyrë që ato të lidhen me protokollin.

2. Asnjë amendament nuk mund të bëhet për seksionin III të kësaj Konvente sipas procedurës së paragrafit 1 më sipër.

3. Çdo propozim amendamenti duhet t’i komunikohet njërit prej depozituesve, i cili do t’ua transmetojë Palëve të paktën tre muaj para mbledhjes së Komitetit. Depozituesi do të informojë edhe Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës dhe Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s.

Neni XI.9

1. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës dhe Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën janë depozituesit e kësaj Konvente.

2. Depozituesi pranë të cilit është depozituar një akt, notë ose komunikatë do t’u bëjë të ditur Palëve këtë Konventë, si dhe Shteteve të tjera anëtare të Këshillit të Evropës dhe/ose Rajonit Europë të UNESCO-s:

1. çdo nënshkrim;

2. depozitimin e çdo instrumenti të ratifikimit, pranimit, aprovimit ose aderimit;

3. çdo datë hyrjeje në fuqi të kësaj Konvente sipas dispozitave të neneve XI.2 dhe XI.3.4;

4. çdo rezervë të bërë për zbatimin e dispozitave të nenit XI.7 dhe tërheqjen e çdo rezerve të bërë për zbatimin e dispozitave të nenit XI.7;

5. çdo denoncim të kësaj Konvente në zbatim të nenit XI.6;

6. çdo deklaratë të bërë sipas dispozitave të nenit II.1 ose nenit II.2;

7. çdo deklaratë të bërë sipas dispozitave të nenit IV.5;

8. çdo kërkesë aderimi të bërë sipas nenit XI.3;

9. çdo propozim të bërë sipas nenit XI.8;

10. çdo akt tjetër, notë ose komunikim që ka të bëjë me këtë Konventë.

3. Depozituesi që merr një komunikatë ose procedon sipas një note sipas dispozitave të kësaj Konvente do të informojë menjëherë depozituesit e tjerë.

Në mirëbesim, përfaqësuesit e nënshkruar, të autorizuar plotësisht, kanë firmosur këtë Konventë.

Bërë në Lisbonë, më 11 prill 1997, në gjuhët angleze, frënge, ruse dhe spanjolle, të katër tekstet duke patur vlerë të barabartë, në dy kopje, njëra prej të cilave do të depozitohet në arkivat e Këshillit të Europës dhe tjetra në arkivat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën dhe një kopje e noterizuar do t’u shpërndahet të gjitha Shteteve të përmendura në nenin XI.I, Selisë së Shenjtë dhe Komunitetit Europian, si dhe Sekretariatit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 

©GC

Trascina file per caricare