Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

VENDIM

Nr.633, datë 18.9.2003

 

PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË PËR PËRMIRËSIMIN E KUSHTEVE

TË JETESËS SË MINORITETIT ROM

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Ministrit të Punës dhe të Çështjeve Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e strategjisë për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Pushtetit Vendor dhe e Decentralizimit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Rregullimit të Territorit dhe e Turizmit, Ministria e Rendit Publik, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe  Sporteve, Ministria e Arsimit dhe Ministria  e Transportit dhe e Telekomunikacionit për ndjekjen dhe zbatimin e kësaj strategjie.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare

 

KRYEMINISTRI

Fatos Nano

 

STRATEGJIA

KOMBËTARE "PËR PËRMIRËSIMIN E KUSHTEVE TË MINORITETIT ROM"

 

Strategjia kombëtare “Për përmirësimin e kushteve të minoritetit rom” është realizuar nga një grup  ndërministror i drejtuar nga Zëvendësministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale z. Ahmet Ceni në përbërje të të  cilit janë:

 

Gramoz  Bregu             Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Vasil Tole                    Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve

Agim Shehi                  Ministria e Shëndetësisë

Genta Qosja                 Ministria  e Punës dhe e Çështjeve Sociale

Anila Selmani               Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale

Rezarta Bitri                Ministria e Drejtësisë

Shyqyri Dade                Ministria e Rendit Publik

Violeta Qebini              Ministria e Pushtetit Lokal dhe e Decentralizimit

Shqipe Rrumbullaku      Ministria e Ekonomisë dhe e Privatizimit

Doris Andoni                Ministria e Rregullimit të Territorit dhe e Turizmit

Geraldina Duçka          Ministria e Financave

Agim  Gjevori              Ministria e Transporteve

Brunilda Minarolli        Ministria e Punëve të Jashtme

 

Koordinatore e grupit ndërministror   Merita Gjashta

 

Në hartimin e strategjisë kombëtare “Për përmirësimin e kushteve të minoritetit rom” ka ndihmuar përfaqësuesi i organizatave rome në grupin ndërministror Refik Tare,  si dhe OJF-të rome; Romët për Integrim, Amaro-Drom, Romani Batx, Shanci Rom, Amaro-Dives, Disutni Albania si dhe përfaqësuesit e këtyre organizatave, zotërinjtë Arben Kosturi, Hasan Sula, Miranda Fejzo, Sabri Mile, Estref Pëllumbi, Kujtim Gajtani, Latif Kazanxhi, Ilmi Ademi, Nesti Zeqiri, Xheladin Taço, Pëllumb Fortuna, Kujtim Shabani, Skënder Veliu, Muhamet Xhambazi, Gurali Mejdani, Ramazan Elmazi.

 

 

 

LISTA  E  SHKURTIMEVE

 

Shkurtimi

Emri i plotë

 

MPÇS

Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale

MASH

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës

MSH

Ministria e Shëndetësisë

MRP

Ministria e Rendit Publik

MRTT

Ministria e Rregullimit të Territorit dhe e Turizmit

MEP

Ministria e Ekonomisë dhe e Privatizimit

MF

MJ

Ministria e Financave

Ministria e Punëve të Jashtme

MPVD

Ministria e Pushtetit Vendor dhe e Decentralizimit

MKRS

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

KMB

Komiteti për Mundësi të Barabarta

SHKP

Shërbimi Kombëtar i Punësimit

ISHP

Inspektoriati Shtetëror i Punës

ISSH

Instituti i Sigurimeve Shoqërore

DSHP

Drejtoria e Shëndetit Publik

IshP

Instituti i Shëndetit Publik

ANVM

Agjencia e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

CIOFF

OQV

DA

DSH

IKP

Organizata ndërkombëtare kulturore e festivaleve folklorike

Organet e qeverisjes vendore

Drejtoria Arsimore

Drejtoritë e shkollave

Instituti i Kulturës Popullore

 

 

HYRJE

 

Pak histori

Historikisht popullsia shqiptare është karakterizuar nga marrëdhënie harmonike midis pakicave etnike dhe shumicës. Këto marrëdhënie kanë evoluar në shekuj duke e renditur Shqipërinë si vend model për bashkëjetesën midis komuniteteve etnike dhe besimeve fetare.

Minoriteti rom konsiderohet një minoritet gjuhësor. Të dhënat stastistikore, lidhur me numrin e romëve që jetojnë në Shqipëri, mungojnë, pasi një regjistrim i përgjithshëm i tyre nuk është bërë asnjëherë.  

Romët jetojnë në Shqipëri për më tëpër se 600 vjet. Ata kanë arritur në Shqipëri para pushtimit otoman. Nga studimet e bëra supozohet se kanë ardhur nga India pastaj nëpërmjet Ballkanit në Europë. Origjina e tyre njihet jo për shkak të dëshmive të sakta historike, por kryesisht nga analizat gjuhësore. Në kohën e pushtimit otoman për arsye sigurie, romët kanë ndryshuar besimin e tyre fetar duke e konvertuar në besim mysliman, njëlloj siç bëri një pjesë e mirë e popullsisë etnike shqiptare në atë kohë. Gjatë luftës se dytë botërore, romët e Shqipërisë nuk u përsekutuan në kampet e vdekjes, siç ndodhi në shumë vende të Europës Lindore. Romët shqiptarë kanë marrë pjesë në luftë dhe shumë prej tyre kanë luftuar së bashku me ushtrinë shqiptare kundër pushtuesve të huaj. Mbas luftës shteti shqiptar ndoqi politikën e asimilimit dhe të homogjenizimit të kombit shqiptar duke e konsideruar këtë komunitet si pjesë e popullsisë shqiptare. Vlen për t'u theksuar se gjatë regjimit komunist,  romët kanë përfituar punësimin, reformën agrare mbi tokën, sigurinë për të nesërmen, shkollimin e detyruar, strehimin etj., çka bëri që ata të integrohen njëlloj si gjithë popullsia maxhoritare, pavarësisht të metave të atij sistemi.  Në përputhje me politikën e punësimit të plotë, shteti ishte i detyruar t'u siguronte punësimin si burrave ashtu edhe grave në funksion të nivelit të shkollimit dhe të aftësive të tyre profesionale. Me përmbysjen e komunizmit dhe me fillimin e ndryshimeve demokratike romët ishin të parët që humbën punësimin dhe shkuan me shpejtësi në fund të shoqërisë. Për shkak të mungesës së arsimit dhe të kualifikimit të nevojshëm pozicioni i tyre në shoqëri ndryshoi në mënyrë drastike. Si rezultat i varfërisë së krijuar, me një përjashtim të vogël, gjenerata e re e fëmijëve romë, për të qenë krahë punë për familjet e tyre, nuk është në gjëndje të ndjekë shkollat. Fëmijët romë janë shndëruar në lypësa dhe viktima të trafiqeve të ndryshme dhe të prostitucionit. Aktualisht situata ekonomike e romëve të Shqipërisë dhe kushtet e jetesës janë në nivele shumë të ulëta, për shkak të papunësisë që është në shifra disa herë më e madhe  se pjesa tjetër e popullsisë jo rome. Kushtet e shëndetit dhe të strehimit janë shumë të këqija.

Për herë të parë romët u regjistruan në Shqipëri gjatë viteve 1522-23 dhe u vlerësuan rreth  1270 vetë. Emëri i romëve përmëndet në tekstet e vjetra shqiptare me 1635. Në vitin 1930 sipas vlerësimeve popullore kishte 20 000 romë në tërë vëndin. Në 1980 kishte 62 000 romë, të vlerësuar sipas dokumenteve franceze. Kjo shifër u bazua në burime angleze. Më 1995 Grupi Ndërkombëtar i të Drejtave të Minoriteteve vlerësoi se numëri i romëve ishte midis 90 000 dhe 100 000 vetë. Ndërsa Universiteti i Marylandit në 1995 deklaroi se ka deri në 120 000 romë që jetojnë në Shqipëri. Sot vlerësohet që ritmi i shtimit të popullsisë rome është 3%, i cili paraqitet më i lartë se ai i shqiptarve. Pasaktësia e shifrave vjen nga fakti se asnjë regjistrim zyrtar në Shqipëri nuk i ka evidentuar romët.

Romët jetojnë pothuajse në të gjithë zonat e vendit. Megjithatë, numëri më i madh i Romëve është përqëndruar kryesisht në Shqipërinë Qendrore dhe Juglindore: Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Pogradec, Bilisht, Gjirokastër, Delvinë, Krujë, Shkodër etj. Romët jetojnë ose në qytetet e mëdha, kryesisht në lagje të ndara ose në fshatra pranë qyteteve. Nga të dhënat e përafërta që kemi mundur të sigurojmë rezulton:

Në Gjirokastër, në zonën Zinxhiraj, numërohen rreth 1500 vetë. Shumica jeton në kushte shumë të varfëra, në shtëpi të përkohshme, pa kushte sanitare dhe ujë të rrjedhshëm. Minoriteti rom përpiqet të emigrojë çdo verë për të punuar në Greqi nëpër ferma etj. Disa të tjerë importojnë veshje, këpucë dhe pajisje elektrike të lira për t'i shitur në tregun e Gjirokastrës. Në këto kushte jeta e romëve të Gjirokastrës po vështirësohet edhe më shumë.

Lagjja Azotiku në Fier ka rreth 500 familje me një mesatare prej 8 fëmijësh secila. Ky komunitet jeton paralel me linjën kryesore hekurudhore që kalon nëpër Fier. Meqë nuk ka rrugë që lidh vendbanimet rome me qytetin, ata detyrohen të përdorin rrugën hekurudhore në këmbë për nevojat me qytetin. Ky ka qenë shkaku kryesor i një numri fatkeqësish aksidentale. Ata vuajnë nga papunësia. Shumë pak fëmijë ndjekin shkollën, meqë ajo ndodhet shumë larg nga vendbanimet e tyre.

Në, Levan Fier ka rreth 500 familje me një mesatare prej gjashtë personash. Shumica e fëmijëve këtu nuk shkojnë në shkollë dhe shumica e të rriturve janë të papunë. Ata bëjnë një jetë mjaft të vështirë duke u përpjekur të mbijetojnë duke punuar tokën ose duke bërë enë metalike gatimi. Minoriteti këtu është i ndarë në dy grupe, ata që kanë tokë dhe ata që s’kanë.

Në Baltës ka rreth 250-300 familje me një mesatare prej 5 ose 6 vetash në secilën familje. Shumica e familjeve jeton në shtëpi të mira dhe kanë tokat e tyre. Ata gjithashtu kanë shkollën e tyre rome, e cila i ndihmon për të mësuar gjuhën dhe kulturën rome.

Minoriteti në Kulleiri të Korçës ka rreth 600 familje. Në përgjithësi këtu minoriteti rom jeton njëlloj si  shqiptarët. Ato jetojnë në apartamente, kanë punësim dhe shumica e fëmijve ndjekin shkollën.

Në Shkodër, minoriteti tek Ura e Bunës. Romët në Shkodër përbëhen prej 27 deri në 50 familje, të cilët jetojnë në kushtet më të këqija në Shqipëri. Të gjithë shtëpitë e tyre janë prej tabakësh plastikë dhe mungon uji i rrjedhshëm. Shumica e antarëve të këtij minoriteti detyrohen të pijnë ujë lumi mbasi nuk kanë burim tjetër. Papunësia këtu është 100%.

Në Elbasan, minoriteti pranë stadiumit. Ka një minoritet rom shumë të madh në Elbasan. Numëri i saktë i tyre nuk dihet. Një pjesë e tyre  merret me shitjen e rrobave të vjetra.

 

Minoriteti rom në Fushë-Krujë. Romët e Fushë-Krujës, afërsisht 1200 vetë, jetojnë në kushte tepër të vështira. Në përgjithësi u mungon strehimi, pijnë ujë lumi në mungesë të ujit të rrjedhshëm, papunësi e theksuar etj.

Në Berat, minoriteti tek Lagjja e Re. Minoriteti rom këtu është relativisht i vogël në numër, jo më tëpër se 60 familje. Vendbanimet janë pranë lumit kryesor të Beratit. Ky minoritet jeton në varfëri të theksuar, meqenëse ata nuk kanë as tokë dhe as pasuri të tyre, madje nuk janë as të regjistruar tek autoritetet lokale për të marrë asistencë.

Megjithëse numri i saktë nuk dihet, supozohet se numri më i madh i popullsisë rome është i përqëndruar në Tiranë. Vendbanimet e grupuara të tyre ndodhen kryesisht në Kinostudio, Laprakë, Bregu i Lumit, Selitë, Yzberisht etj. Problemet sociale të tyre janë të gjithanshme. Evidente janë: papunësia, varfëria, braktisja e shkollave nga fëmijët dhe trafikimi i tyre, mungesë infrastrukture dhe strehimi, kushte shëndetësore të këqija etj. Një pjesë e romëve të Tiranës siguron mjetet e domosdoshme të jetesës duke gërmuar nëpër kazanët e plehrave ose duke lypur. Një numër i konsiderueshëm familjesh jetojnë në baraka të sajuara me mjete rrethanore. Rreth 100 familje në rrugën “Irfan Tomini” janë njoftuar nga Bashkia e Tiranës për t'u zhvendosur forcërisht për arsye të rregullimit urban.

 

PJESA E PARË

PARIMET BAZË KU MBËSHTETET HARTIMI I STRATEGJISË

 

1.1. Shkaqet dhe domosdoshmëria e hartimit të strategjisë

Hartimi i strategjisë bazohet në analizën kritike dhe vlerësimin e problemeve të minoritetit rom, të cilat kanë të bëjnë me gjëndjen e tyre  social-ekonomike.

Hartimi i strategjisë është mbështetur në njohjen e situatës social-ekonomike dhe vlerësimin sasior e cilësor të nevojave të grupeve vulnerabël, në përpunimin e të dhënave statistikore të siguruara nga burime zyrtare dhe jozyrtare për shkallën e vulnerabilitetit dhe përjashtimit social, shpërndarjen dhe shpeshtësinë e grupeve të rrezikuara. Të dhënat e siguruara nga këto burime edhe pse jo të plota, të pasakta dhe shpesh herë të paverifikuara nga burime të dyta, kanë shërbyer për njohjen e tendencave të zhvillimit social-ekonomik, identifikimin e dukurive të reja, dinamikës së ndryshimeve dhe ndikimet e tyre në kushtet e jetesës të këtij minoriteti.

Për hartimin e strategjisë së romëve janë shfrytëzuar analiza, studime, vëzhgime dhe raporte të realizuara nga institucione shtetërore dhe joshtetërore në disa zona, si: Korçë, Fier, Novoselë, Vlorë, Berat, Fushë-Krujë, seminare, tryeza të rrumbullakta, konferenca, simpoziume  për sensibilizimin e kësaj kategorie në lidhje me mënyrën e bashkëpunimit për realizimin me sukses të projekteve të përbashkëta me këtë minoritet.

Qeveria shqiptare duke parë vështirësitë me të cilat përballet popullsia rome në Shqipëri, angazhohet politikisht për hartimin e një strategjie për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom, që jeton në Shqipëri përmes politikave e programeve konkrete për zbutjen e varfërisë, përfshirjen e tyre në jetën publike, ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të tyre etnik etj. Qeveria shqiptare shikon pakicën rome si një partner bashkëpunues në hartimin dhe zbatimin e këtij dokumenti të rëndësishëm. 

Baza ligjore

Në legjislacionin shqiptar një rëndësi të veçantë i është kushtuar njohjes dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si një nga shtyllat e shoqërisë së qytetëruar bashkëkohore. Kuadri ligjor për minoritetet në Republikën e Shqipërisë përfshin një numër të konsiderueshëm dispozitash ligjore të parashikuara në Kushtetutë, në Kodet Penale dhe të Procedurës Penale, në aktet normative të Këshillit të Ministrave dhe konventat e ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë.

Shqipëria është anëtare e OKB-së që nga 14 dhjetori 1955 dhe ka ratifikuar pothuajse të gjitha konventat kryesore të kësaj organizate, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut disa prej të cilave janë: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, 1948 (aderuar më 1955); Konventa Ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racial, 1969 (aderuar më 1994); Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike,1966, (aderuar më 1991); Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, 1976, (aderuar më 1991); Konventa për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, 1980, (aderuar më 1996).

Shqipëria është anëtare e OSBE-së  dhe ka nënshkruar të gjitha dokumentet e saj,  si Akti Final i Konferencës së Helsinkit, 1975;  Deklarata e Kopenhagut, 1990; Karta e Parisit për një Europë të re, 1990; Dokumenti i Konferencës së Moskës, 1991 etj.

Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës që nga 13 korriku 1995 dhe ka nënshkruar dhe ratifikuar një numër të madh dokumentesh të rëndësishme si Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, 1951; Konventa Kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare.

Në këtë këndvështrim mbrojtja e pakicave kombëtare trajtohet si nga ana e legjislacionit të brendshëm të shtetit shqiptar, ashtu edhe nga regjimi i minoriteteve i përcaktuar në aktet ndërkombëtare. 

Republika e Shqipërisë ka ratifikuar Konventën Kuadër të Këshillit të Europës për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Shteti shqiptar garanton kushte të barabarta trajtimi dhe në përgjithësi pakicat kanë të njëjtin nivel jetese si shumica. Minoriteti rom përballet me një situatë më të vështirë ekonomike dhe sociale, e cila karakterizohet nga një jetesë nën standardin e nivelit të jetesës, strehim jo të përshtatshëm dhe ofrimin e një mjedisi jo të përshtatshëm për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve. Megjithëse minoriteti rom nuk quhet pakicë kombëtare, por pakicë gjuhësore, me argumentin se nuk ka një shtet referimi, parimet e Konventës Kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare aplikohen dhe për ta.

1.3. Solidariteti social dhe barazia e racave, minoriteteve etj.

Vendi ynë gjithmonë është dalluar për një bashkëjetesë në harmoni dhe paqe midis pakicave kombëtare dhe besimeve fetare. Secila pakicë gjatë kësaj bashkëjetese në vite ka demostruar orgjinalitetin e vet. Ky orgjinalitet është respektuar dhe sipas mundësive janë krijuar kushte për ruajtjen e vazhdimësisë së traditave nëpër breza.

Minoriteti rom ka një gjeografi  pak a shumë të  përcaktuar shpërndarjeje, por ka edhe difuzion  në të gjithë popullsinë çka shpreh edhe një herë pranimin dhe mirëkuptimin për të.

Minoriteti rom konsiderohet si pakicë  gjuhësore dhe jo pakicë kombëtare, me argumentin se nuk ka një shtet të vetin. Megjithatë, Konventa Kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare është e aplikueshme dhe për këtë pakicë.

1.4. Partneriteti në evidentimin e përgjegjësive dhe të masave të marra për daljen nga situata

Gjatë viteve të sistemit të kaluar, shteti zbatonte politika të trajtimit të barabartë duke integruar njëlloj të gjitha pakicat etnike. 

Pas viteve 90, me ndryshimin e sistemit dhe ushtrimin e lirë të së drejtës së fjalës dhe organizimit, të gjitha pakicat u organizuan për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e tyre në shoqëri. 

 Një rol të rëndësishëm për njohjen, zbulimin dhe zbutjen e problemeve sociale luajnë   organizatat jofitimprurëse vendase dhe të huaja që indirekt janë ofrues të fuqishëm shërbimesh. Organizata të ndryshme kanë luajtur një rol të rëndësishëm duke sensibilizuar opinionin  për rrezikshmërinë e fenomeneve të tilla, si trafikimi i fëmijëve, grave e vajzave, për qëllim të shfrytëzimit,  shkeljen e të drejtave të qytetarëve romë nga institucione publike, persona juridikë e fizikë. Veprimtaria e organizatave të shoqërisë civile është e shumëllojshme, por shpesh herë ka qenë e pakoordinuar dhe jo e organizuar për të përdorur burimet e komunitetit në funksion të zhvillimit dhe përmirësimit të jetës së vetë minoritetit. Organizatat rome kanë një mision human dhe fisnik për prezantimin me dinjitet të vlerave, elitës intelektuale rome, të lobimit dhe të përfshirjes në proceset vendimmarrëse vendore dhe qendrore për çështje që lidhen me romët. Strategjia është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të qeverisë dhe përfaqësuesve të organizatave të minoritetit rom. Aplikimi i programeve dhe projekteve për zbatimin e strategjisë ka nevojë për partneritet të vazhdueshëm. Përfaqësuesit e romëve duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha dhe të luajnë rolin e tyre për sensibilizimin e opinionit rom në drejtim të dukurive negative. Vëmendje e veçantë i kushtohet atyre familjeve, që me neglizhencën apo për qëllime shfrytëzimi, pengojnë zhvillimin e fëmijëve për edukimin e tyre, duke i kthyer në pre të trafiqeve të ndryshme, të martesave të parakohshme, të fenomeneve që vënë fëmijët në situata të vështira etj. Nga ana tjetër Qeveria shqiptare duhet të mbështesë formimin dhe inkurajimin e një elite intelektuale dhe ekonomike brenda minoritetit rom, e cila do të lehtësojë aplikimin e integrimit social dhe politikave modernizuese. Duhet të zhduken steriotipet, paragjykimet dhe praktikat që nëpunës të caktuar të institucioneve qendrore dhe lokale inkurajojnë diskriminimin e qytetarëve romë krahasuar me qytetarët e tjerë.

1.5. Ruajtja dhe transmetimi i vlerave të kulturës rome

Një detyrë e rëndësishme dhe e përbashkët për të gjithë ne, është ruajtja e vlerave kulturore të minoritetit  dhe brenda kësaj, kulturën e minoritetit rom, e cila deri tani ka qenë në shkallën më të ulët, si dhe kujdesi për gjuhën rome dhe transmetimi i tyre, tek brezat e ardhshëm.

Ky aktivitet nuk duhet të kufizohet vetëm tek popullsia rome. Duke mësuar rreth kulturës rome dhe vlerave shoqërore rome në përgjithësi, shoqëria maxhoritare duhet të kontribuojë në mënyrë të konsiderushme në drejtim të pakësimit të paragjykimeve prezente në disa grupe brenda shoqërisë dhe të rrisë nivelin e solidaritetit dhe të tolerancës shoqërore.

Vetë minoriteti rom vlerësohet për ruajtjen e gjuhës dhe traditës së tyre të pasur. OJF-të rome luajnë një rol të rëndësishëm për forcimin e identitetit kulturor, ringjalljen, pasurimin dhe transmetimin e vlerave dhe gjuhës, brez pas brezi. Përmes kërkimeve, studimeve, përmbledhjeve dhe botimeve, organizatat që veprojnë në fushën kulturore, kanë dhënë një vizion të ri për traditën rome, kanë rritur respektin dhe vetë vlerësimin brenda minoritetit rom dhe kanë ndryshuar qëndrimet e shoqërisë ndaj këtij minoriteti.

1.6. Mbështetja financiare dhe ndarja e përgjegjësive për përmirësimin e gjëndjes ekonomike

Në fushën e financimit të programeve të qeverisë  duhet të bëhen përpjekje, për të siguruar shtimin e burimeve vjetore nëpërmjet fondeve specifike që sigurojnë pjesën e nevojshme të financimit në drejtim të strehimit, të ndihmës së zhvillimit rural dhe rajonal, të tregut të punës etj.

Aktualisht funksionojnë disa shoqata të cilat kanë objekte të ndryshme të aktivitetit, si kulturë, arsim parashkollor etj.  siç janë: Romët për Integrim, Amaro-Drom, Romani Baxt, Shanci Rom, Amaro Kham, Amaro-Dives, Disutni Albania, Alba-Rom etj. Megjithëse numri i shoqatave rome në Shqipëri është rritur këto vitet e fundit, përpjekjet e tyre për të sjellë ndryshime pozitive në situatën rome kanë qenë të pamjaftueshme, që të mos përmendim disa që kanë ndikuar negativisht.

Gjatë këtyre viteve ato kanë realizuar shumë projekte, si botime gazetash, hapje shkollash dhe kopshte parashkollore, kampionate futbolli, ekspozita fotografike, botime librash, ngritjen e qendrave sociale, ngritjen e shkollave verore, koncerte për fëmijë, tryeza të rrumbullakëta për problemet e romëve. Për këto projekte kanë financuar institucione dhe organizata brenda dhe jashtë vendit, si OSCE, etj.

Në procesin e zbatimit të kësaj strategjie minoriteti rom dhe OJF-të rome kanë marrë përgjegjesitë e tyre për realizimin e objektivave dhe masave prioritare.

1.7. Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe ndalimi i praktikave diskriminuese

Qeveria shqiptare duke synuar të përmirësojë jetën e qytetarëve shqiptarë nuk bën dallime dhe ndalon me ligj praktikat dhe sjelljet diskriminuese. Kjo është realizuar nëpërmjet legjislacionit dhe institucioneve shqiptare dhe adoptimit të instrumenteve ndërkombëtare në këtë fushë.  Minoriteti rom nuk ka qenë objekt diskriminimi nga ana ligjore, ndonëse janë konstatuar raste të diskriminimit të fshehtë nga ana e individëve të veçantë qoftë këta dhe me pushtet.

1.8. Gjendja sociale dhe ekonomike e romëve

Kushtet e varfëra të jetesës dhe situata e pafavorizuar sociale e banorëve romë, që jetojnë në Shqipëri janë probleme që po u kushtohet vëmendje nga strukturat qeveritare, si dhe opinioni publik. Treguesit socialë për popullsinë rome janë konsideruar më të ulëta se mesatarja kombëtare, dhe një pjesë e madhe e minoritetit rom jeton në mes të kushteve të pasigurta, të pambrojtur dhe nën nivelin mesatar të jetesës.

Papunësia masive pas viteve '90 goditi romët, ata më shumë se çdo grup tjetër e gjetën veten të nxjerrë jashtë nga tregu i punës, duke  e pastur të vështirë  përfshirjen me kërkesat e tregut të ri të punës.

Raporti i banorëve romë, që përfundonin arsimin e detyruar para viteve '90, kishte tregues mjaft të mirë dhe ishte pothuaj i barabartë me atë të vazhdimit të shkollës nga fëmijët e tjerë shqiptarë. Në drejtim të vazhdimit të arsimit të mesëm dhe të lartë, niveli i pjesëmarrjes regjistronte shifra të ulëta nga minoriteti rom. Pas viteve '90 sistemi arsimor pësoi një tkurrje dhe u vunë re fenomene të braktisjes së shkollës në shifra shumë të larta.

 

Situata e vështirë e minoritetit rom në Shqipëri është e një natyrë të përbërë. Është një mangësi sociale që ata kanë një nivel të ulët kualifikimi, numri mesatar i anëtarëve të familjes është i lartë, ndërkohë që gjendja shëndetësore dhe paragjykimet e hedhura në drejtim të tyre pengojnë lëvizshmërinë e tyre sociale. Shumica e romëve jetojnë në pjesë të vendit me infrastrukturë jo të zhvilluar të ndikuar nga krizat ekenomike dhe në vendbanime të varfëra me një nivel më të ulët se mesatarja. Në shumicën e rasteve problemet e mësipërme janë prezente bashkë dhe kjo luan rolin e vet në kufizimin  dhe përjashtimin e popullsisë rome.

Probleme të cilat kërkojnë zgjidhje janë të shumta dhe kanë të bëjnë me gjendjen aktuale të kësaj shtrese të popullsisë. Aspekti akumulues i të gjithë këtyre faktorëve jofavorizues përkeqëson situatën e minoritetit rom. Familjet rome me shumë anëtarë, të cilët nuk kanë të ardhura dhe kanë humbur punën, nuk janë në gjendje të sigurojnë të paktën një jetesë modeste dhe nuk mund të përballojnë strehimin në banesa me kushte të pranueshme dhe pagesën e faturave të shërbimeve publike. Kjo çon në lëvizjen e tyre drejt vendstrehimeve ku ata janë të detyruar të jetojnë në kushte jo të shëndetshme dhe që nuk kanë status legal. Kështu që ata bëhen akoma dhe më të distancuar nga shërbimet publike, shkollat dhe mundësitë e punësimit.  

Situata e romëve nuk mund të thjeshtëzohet si një problem varfërie ose si çështje e një politike minoriteti. Në shqyrtimin e çështjes është e dukshme se në praktikë konstatohen raste të përjashtimit dhe të vetëpërjashtimit si rezultat i rrethanave, si ekonomike, sociologjike dhe psikologjike.

Minoriteti rom është i shpërndarë pothuajse në të gjitha zonat, kjo e lidhur ngushtë dhe me elemente të kulturës së tyre. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj  pakice përballet me vështirësi të mëdha përsa i përket strehimit, arsimimit, punësimit, pra nuk ka një gjendje të qendrueshme ekonomike e sociale. Kjo ndryshueshmëri ndikon në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata dhe anasjelltas. Karakteristikat e jetesës dhe familjes rome kanë një ndikim të konsiderueshëm tek fëmijët, të cilët duke mos marrë arsimin e duhur, nuk i përshtaten kërkesave të tregut të punës dhe mundësitë janë shumë më të kufizuara se pjesa tjetër e popullsisë dhe si rezultat sjellin qarkullimin e varfërisë dhe të problemeve sociale në një cikël të mbyllur, i trashëguar nëpër breza.

Gjithashtu mungesa e informacionit rreth edukimit seksual dhe programeve të planifikimit familjar bëjnë që familjet rome të jenë të zgjeruara dhe me shumë fëmijë. Familje të tilla e kanë të vështirë funksionimin e tyre të plotë në kushtet e ekonomisë së tregut, mundësi të pakëta të punësimit dhe paaftësi  për të gjetur zgjidhje afatmesme dhe afatgjata për të përmbushur nevojat. Shumica e familjeve të këtij komuniteti, për vetë nivelin shumë të ulët ekonomik, kulturor e arsimor, vuajnë edhe nga probleme të mprehta sociale, si dhuna, mosrespektimi i të drejtave të grave dhe fëmijëve, divorcet, abuzimi me alkoolin, vështirësi në administrimin e të ardhurave, shtatzënitë në adoleshencë etj. Këto familje bien shpesh pre e personave të tretë, të cilët e kanë kontingjentin e parë për llojet e ndryshme të trafiqeve, si dhe për shfrytëzim prostitucioni të grave e vajzave, trafikun e organeve, shpesh me dëshirën e prindërve dhe shfrytëzojnë punën e tyre si brenda dhe jashtë vendit. Këta fëmijë në shumë raste me dijeninë e prindërve, nën kujdesin e një personi, shpesh i afërm i familjes lypin, shesin, përfshihen me detyrim në aktivitete të paligjshme, deri në shfrytëzim për prostitucion ose veprimtari abuzuese seksuale.

Fenomeni i trafikimit të fëmijëve ndodh në të gjithë popullsinë, por është më i spikatur në komunitetin e pakicave të lartpërmendura për vetë faktin e shfrytëzimit të familjeve vulnerabile ose “gjysmë” familjeve, vetëm me një nga prindërit ose shpesh me gjyshërit, me prindër të divorcuar etj. 

Të dhënat tregojnë se papunësia e romëve është në shifra relativisht të larta në rrethet Tiranë, Korçë, Fushë-Krujë etj. Një pakicë e popullsisë rome është relativisht e integruar në jetën shqiptare dhe kjo ndodh kryesisht në qytetet ku ata kanë adaptuar një mënyrë të përafërt jetese me popullsinë maxhoritare.

Reformat strukturore, institucionalizimi i tregjeve, liberalizimi i çmimeve dhe proceset ristrukturuese të ekonomisë, megjithë oportunitetet e gjëra që krijuan, u shoqëruan edhe me përkeqësimin e disa treguesve të nivelit të jetesës, me uljen e fuqisë blerëse të popullsisë, me rritjen e papunësisë etj., kosto të cilat i “paguajnë” veçanërisht grupet më të prekshme të popullsisë, përfshirë edhe komunitetin rom.

Emigracioni dhe migracioni janë dukuri sociale karakteristike të tranzicionit. Shqipëria ka ritmet me të larta të emigracionit krahasuar me vendet e tjera të Europes Lindore dhe Qendrore. Krahas ndikimit pozitiv në drejtim të përmirësimit të jetës ekonomike të familjeve shqiptare, emigrimi sjell dhe pasoja të ndjeshme në fushën sociale (largimi i krahut të punës, rritja e numrit të grave familjare, rritja e numrit të fëmijëve të pashoqëruar, të moshuarit e braktisur, shfrytëzimi i minorenëve nga rrjete kriminale etj.).

Duke mos u ndjerë në kushte sociale dhe ekonomike të barabarta, shumë të rinj dhe familjarë romë, emigrojnë në vendet fqinje për një jetë me të mirë. Kjo është dhe një nga arsyet kryesore që çon në trafikimin e fëmijëve dhe vajzave rome, që përgjithësisht bien pre e prostitucionit.

Aktualisht, megjithë ndryshimet ekonomike dhe përmirësimin e nivelit të jetesës për shtresa të caktuara të popullsisë një masë e konsiderueshme  jeton nën “vijën zyrtare” të varfërisë dhe trajtohet me ndihmë ekonomike modeste (asistencë në cash). Varfëria është para së gjithash një fenomen rural, për faktin se pjesa më e madhe e popullsisë që jeton në këto zona përballet jo vetëm me të ardhurat e pamjaftueshme por, edhe me infrastrukturën e shkatërruar ose jofunksionale, me shërbime të kufizuara sociale etj.

Martesa në moshë të mitur është një arsye që shumë familje rome arrijnë në divorc duke shkaktuar trauma në familje dhe kryesisht tek fëmijët.

Karakteristikë tjetër për minoritetin rom është jeta jostabile e tyre në vendbanime të qendrueshme.  Pasojat që sjell kjo lëvizje e herëpashershme krijon probleme për këtë popullsi si dhe për  vetë shtetin. Ndryshimi i ambientit ku jetojnë, lëvizja nga një shkollë tek tjetra, vështirësia për t’u ripunësuar dhe integruar me jetën në një tjetër ambient, ka pasoja nga më të ndryshmet. Shumë nga familjet nuk përfitojnë nga skemat e ndihmës ekonomike për arsye se lëvizja e tyre nuk është shoqëruar me regjistrimin e tyre në zyrat e gjendjes civile të vendbanimeve të reja, siç është p.sh. rasti i shumë familjeve që jetojnë në Fushë-Krujë, Elbasan, por që është fenomen që ndodh dhe në rrethe të tjera.

Në këndvështrimin social, situata social-ekonomike e minoritetit rom reflektohet në një spektër më të gjërë problematikash dhe qëndron në rrënjë të mjaft dukurive sociale (përfshirja e të rinjve në aktivitete kriminale, braktisja e shkollës nga fëmijët, shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime përfitimi, prostitucioni, kultivimi dhe përdorimi i drogës, emigracioni etj.).

 

PJESA E DYTË

OBJEKTIVAT, PËRMBAJTJA DHE MASAT PRIORITARE PËR REALIZIMIN E STRATEGJISË

 

KAPITULLI I

 

1. Arsimi dhe edukimi

Shumë nga fëmijët romë kur nisin klasën e parë nuk dinë gjuhën shqipe, për arsye se në familjet e tyre përdoret gjuha rome, gjë e cila i krijon vështirësi në ecurinë në mësime, prandaj në të shumtën e rasteve ata detyrohen të lënë shkollën. Për të evituar këtë fenomen, do të punohet  për edukimin parashkollor të këtij brezi.

Niveli i varfërisë, konceptet e prindërve, niveli i ulët i arsimimit të prindërve bëjnë që shumë fëmijë të ndërpresin shkollën për t'u bërë krahë pune për prindërit e tyre. Duke qenë se arsimimi është domosdoshmëri për konkurrencën në tregun e punës,  është e nevojshme që fëmijët romë të kryejnë arsimin e detyruar, si dhe një pjesë tjetër të vazhdojë studimet  në të gjitha nivelet e arsimimit.

Për të ndihmuar fëmijët romë për të vazhduar shkollat, duke pasur parasysh dhe vështirësitë ekonomike që kalojnë familjet rome dhe kushtet në të cilat jetojnë, do të ndiqen politika mbështetëse duke dhënë bursa për këtë kategori fëmijësh.

Konkurrenca në tregun e punës kërkon që fëmijët romë të jenë të arsimuar dhe të përgatitur profesionalisht për të zënë vend  në administratë. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të planifikojë kuota për fëmijët romë që do të vazhdojnë studimet në fusha të ndryshme, si administratë publike, shkenca sociale, drejtësi, Akademinë e Rendit dhe atë Ushtatrake, ekonomi, mësuesi etj., në mënyrë që brezi i ri rom gradualisht të punësohet në administratën publike.

1.1.Edukimi i  fëmijëve parashkollorë

Edukimi i fëmijëve parashkollorë do të realizohet nëpërmjet: (i) evidentimit të numrit të fëmijëve që duhet të frekuentojnë kopshtet; (ii) evidentimit të frekuentimit të kopshteve nga fëmijët romë; (iii) sensibilizimit të opinionit rom për domosdoshmërinë e regjistrimit të fëmijëve romë në kopshte; (iv) evidentimit të kapaciteteve thithëse të objekteve parashkollore në zonat ku banohen nga romët dhe sugjerime për të ardhmen; (v) rikonstruktimit të kopshteve që janë në gjendje jo të mirë në zonat ku banon minoriteti rom; (vi) ngritjes së objekteve të reja në zonat ku aktualisht nuk ka kopshte për fëmijë, sipas nevojave që lidhen me numrin e fëmijëve; (vii) domosdoshmërisë së mësimit të gjuhës shqipe për grupin e tretë të arsimit parashkollor për t'i përgatitur fëmijët për klasën e parë; si dhe (viii) emërimin e edukatoreve me përvojë, duke marrë më parë mendimin e minoritetit.

1.2. Arsimimi dhe problemet e ecurisë së tij me nxënësit romë

Arsimimi i fëmijëve romë do të realizohet nëpërmjet: (i) evidentimit të numrit të nxënësve që duhet të frekuentojnë shkollën; (ii) evidentimit të gjendjes së frekuentimit të shkollës; (iii) sensibilizimit të opinionit rom për regjistrimin e nxënësve në shkolla, i cili do të bëhet vazhdimisht;  (iv) marrjes së masave ndëshkimore ndaj familjeve që nuk çojnë fëmijët në shkolla; (v) si dhe duke evidentuar kapacitetet thithëse të objekteve shkollore në zonat ku banojnë romët  dhe sugjerime për të ardhmen; (vi) për shkollat që kanë nevojë për rikonstruktime ose (vii) ngritjen e shkollave të reja në funksion të kërkesave të numrit të nxënësve; (viii) duke caktuar në këto shkolla mësues me përvojë,  duke i kualifikuar dhe stimuluar ata; por në të njëjtën kohë (ix) duke stimuluar dhe nxënësit nëpërmjet dhënies falas të teksteve shkollore për ciklin e ulët dhe tetëvjeçar (klasa I-XIII); si dhe (x) duke organizuar aktiviteteve brenda dhe jashtë shkollës; (xi) duke intensifikuar punën me prindërit romë për ndërgjegjësimin e tyre  për një qëndrim dhe vlerësim sa më pozitiv ndaj shkollës, si dhe (xii) duke pajisur shkollat me bazë materiale didaktike të nevojshme për ta bërë sa më tërheqës mësimin;  (xiii) si dhe me laboratorë të gjuhëve të huaja dhe të informatikës; ndërsa (xiv)  për shkollat e mesme profesionale, ku numri i nxënësve romë është i konsiderueshem do të hapen kurse për gjuhën rome, si dhe kurse trajnimi sipas natyrës së shkollës, traditës dhe prirjeve të tyre; (xv) për nxënësit që kanë vështirësi për të folur gjuhën shqipe në klasën e parë do të organizohen kurse për  mësimin e gjuhës shqipe, si dhe (xvi) do të praktikohet organizimi i shkollave verore me nxënës romë dhe jo romë, si dhe (xvii) do të bëhet punë e diferencuar në shkolla për evidentimin e talenteve, me qëllim që t`u krijojnë mundësinë atyre për të konkurruar në shkollat artistike dhe profesionale. (xviii) Për eliminimin e analfabetizmit  do të hapen kurse për të rriturit që kanë braktisur shkollat.

1.3. Bursa dhe programe të tjera mbështetëse për fëmijet romë

Arsimimi dhe edukimi do të stimulohet më tepër nëpërmjet dhënies së bursave dhe programeve të tjera mbështetëse për fëmijët romë: (i) duke emëruar gradualisht punonjës sociale në shkolla me numër të konsiderueshëm nxënësish romë; dhe (ii) duke organizuar veprimtari edukative në shkollë dhe jashtë saj, me synim për të nxitur nxënësit dhe prindërit e tyre për të vazhduar shkollat e mesme dhe të larta; (iii) duke planifikuar kuota të veçanta për nxënësit romë që konkurrojnë në shkollat e larta; si dhe (iv) për  fëmijët me të ardhura të pakta do të jepen bursa nga shteti.

1.4. Arsimimi në shkolla me specialitete që destinohen kryesisht në shërbime dhe administratën publike, shkencat sociale, Akademinë e Rendit, Akademinë Ushtarake, drejtësi, ekonomi, mësuesi etj.

Për arsimimin në shkolla të larta ( i )  do të parashikohen kuota për fëmijët e minoritetit rom.   

 

 

 

 

KAPITULLI II

TRASHËGIMIA KULTURORE DHE FAMILJA

 

2.1. Familja

Për të integruar minoritetin rom në jetën e shoqërisë është e nevojshme ndryshimi i koncepteve për mënyrën e të jetuarit, e cila kërkon shumë kohë, duke marrë parasysh traditën, jetesën e tyre në komunitet, martesat e vajzave në moshë të mitur, dhunës ndaj gruas në familje etj.

Gruaja rome në kushtet e sotme është e shtypur dhe e diskriminuar në familje, në të shumtën e rasteve është shtëpiake dhe e pashkolluar dhe aktualisht ajo shërben për lindjen dhe rritjen e fëmijëve. Duke qenë se gruaja si nënë luan rol në edukimin e fëmijëve të saj, është e domosdoshme që ajo të jetë e integruar në shoqëri, të jetë e arsimuar  dhe të krijojë të ardhura për familjen e saj duke u punësuar. Punësimi, formimi profesional, njohja me të drejtat që asaj i jep ligji, janë disa nga rrugët që do të ndiqen për integrimin e saj në shoqëri.

2.1.1. Ndryshimi i koncepteve mbi mënyrën e jetesës në familje

Për të ndryshuar konceptet mbi mënyrën e jetesës në familje kërkohet një periudhë e gjatë kohe, e cila do të fillojë me: (i) një studim për njohjen e konceptit të familjes rome, e cila do të realizohet nga Komiteti për Mundësi të Barabarta në bashkëpunim me OJF-të  e grave dhe të fëmijëve, si dhe OJF-të rome; duke vazhduar me (ii) takime dhe intervista në familjet e minoritetit rom; (iii) sensibilizime dhe trajnime për të drejtat që u takojnë, sipas dokumenteve ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar, si dhe (iv) duke shpërndarë postera, fletëpalosje dhe duke bërë emisione televizive në median elektronike, publike dhe private. Nryshimi i koncepteve është një objektiv afatgjatë dhe është i lidhur ngushtë me realizimin e objektivave që përmban kjo strategji në të gjitha fushat e jetës së minoritetit rom.

2.1.2. Gruaja në familjet rome, masa për eliminimin e diskriminimit, programe speciale për gratë dhe vajzat

Duke qënë se gruaja në familjen rome është e diskriminuar për arsye të nivelit të ulët të arsimimit dhe pjesëmarrjes së saj në jetën shoqërore, do të merren masa për eliminimin e diskriminimit të saj në familje nëpërmjet:  (ii) organizimit të programeve të formimit profesional dhe punësimit të grave dhe vajzave duke parë me prioritet gratë kryefamiljare dhe vajzat e trafikuara.

2.2. Kultura

Minoriteti rom në shekuj e ka ruajtur dhe transmetuar kulturën dhe traditën e tij të pasur deri në ditët tona, pavarësisht nga fakti që ata kanë lëvizur në mënyrë të vazhduar. Duke e konsideruar një pasuri të madhe, shteti shqiptar do të ndjekë politika për ruajtjen dhe transmetimin e vlerave të kulturës dhe historinë rome.

Nëpërmjet pjesëmarrjes në festivale të ndryshme shoqëria shqiptare do të informohet mbi vlerat që intelektualët, shkrimtarët, poetët, muzikantët dhe artistët romë kanë dhënë, ndihmesën e tyre për kulturën kombëtare dhe atë universale. Një spektër i gjerë i shoqërisë do të njohë kulturën rome, zakonet e traditat e saj kulturore dhe shoqërore.

2.2.1. Mbështetje për kulturën dhe historinë rome

Për ruajtjen e vlerave kulturore të minoritetit rom  është menduar t'i jepet (i) mbështetje kulturës dhe historisë rome  duke e përfshirë atë në festivalet kombëtare të përvitshme të trashëgimisë, siç është festivali folklorik tipologjik i sazeve, që zhvillohet në qytetin e Korçës, festivali folklorik tipologjik i këngës popullore mbarëqytetare që zhvillohet në Elbasan; si dhe (ii) përfshirja  në projektet e turizmit kulturor, siç janë festivali i fyellit magjik, Festivali ndërkombëtar CIOFF-it, festivali i valles dyshe dhe festivali i veglave popullore; (iii) përfshirja në kolanën muzikore zyrtare të trashëgimisë “Trashëgimia shpirtërore në CD”, duke bërë regjistrimin e materialit muzikor dhe përgatitjen e masterit, kryerjen e studimit shkencor mbi këtë material, pjesë e tekstit të CD (shqip dhe anglisht), duke riprodhuar 1000 copë CD me këtë traditë muzikore dhe duke bërë shpërndarjen e tyre në institucionet e kulturës, shkencës dhe të arsimit. (iv) Gjithashtu  do të kryhen ekspedita të përbashkëta gjurmuese dhe mbledhëse me Akademinë e Shkencave ,ekspozita fotografike, botime të ndryshme, si përralla për fëmijë, transkiptime muzikore dhe organizim pavionesh etnografike dhe zejeve të ndryshme të traditës rome; (v) duke nxitur anëtarësimin e shoqatave kulturore rome në organizma ndërkombëtarë, si p.sh. në seksionin shqiptar të CIOFF-it; dhe në vazhdim është menduar (vi) hartimi i një projekti pilot për ngritjen e një biblioteke publike dhe qendër informacioni pranë vendbanimeve të mëdha  rome.

2.3. Rinia

Rinia rome duhet të integrohet me të rinjtë  u tjerë, duke e konsideruar si pjesa më aktive dhe e ndryshueshme e familjes, e cila do të sjellë me kalimin e kohës ndryshime në konceptet e jetesës. Të rinjtë, veçanërisht, janë shumë të ndjeshëm ndaj paragjykimeve. Është shumë më e lehtë që të largosh nga mendja mendime të vjetëruara  në moshë të re, sesa më vonë në jetë.

Kjo është arsyeja pse rritja e kontakteve ndërmjet komuniteteve të të rinjve romë dhe jo-romë duhet të nxiten si në planin e punës, ashtu edhe  nëpërmjet skemave të tjera – programeve të përbashkëta, festivaleve, sportit etj.–dhe do t’u jepen më shumë mundësi këtyre të rinjve që të njohin njëri–tjetrin.

2.3.1.Përfshirja e rinisë rome në Strategjinë Kombëtare të Rinisë

Duke qënë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është duke hartuar Strategjinë Kombëtare të Rinisë, është menduar të përfshihet rinia rome nëpërmjet: (i)  evidentimit të individëve dhe grupeve që do të përfshijë kjo strategji; (ii) duke krijuar kushte të caktuara për promovimin  e aktiviteteve të organizatave rinore rome, gjetjen e alternativave të punësimit rinor, pjesëmarrjen e tyre në debate dhe diskutime.

2.4.Sport

Aktualisht jeta sportive në këtë komunitet është e kufizuar  vetëm me një ekip futbolli për të rinj. Duke e parë sportin si një mjet që shërben për kalitjen e shëndetit, forcimin e lidhjeve midis njëri-tjetrit, kalitjen e vullnetit etj., do të ngrihen klube sportive për lloje të ndryshme sporti.

2.4.1.Gjallërimi i jetës sportive për këtë komunitet

Për të gjallëruar jetën sportive të minoritetit rom është e nevojshme: (i) krijimi i klubeve për lloje të ndryshme sporti; (ii) krijimi i ambienteve për realizimin e stërvitjeve, si dhe (iii) përgatitjen  e trajnerëve të cilët do të drejtojnë këto klube.

2.5.Media

Media luan një rol kyç për ndryshimin e sterotipeve  dhe në krijimin e një kuadri realist për pasqyrimin e realitetit.

Është e nevojshme që të prezantohet në mediat e shkruara dhe ato elektronike suksesi i iniciativës lokale dhe proceseve që nxitin integrimin social të romëve. Në media do të krijohen hapësira për të informuar për pjesëmarrjen e aktiviteteve rome, si dhe organizimin në jetë dhe zhvillimin e vendbanimeve dhe zonave ku ata jetojnë. Është shumë e rëndësishme që të transmetohen shembuj që reflektojnë deformimin  e imazhit të minoritetit rom, kontributin që ata japin për rregullimin e ambienteve të tyre, aktivitetet kulturore që organizojnë, arritjet e drejtuesve romë, ndërmarrjet dhe intelektuale të komunitetit përkatës dhe në gjithë shoqërinë. 

2.5.1.Akses në mediat  publike

Media, si pushtet i katërt, do të mbështesë minoritetin rom që të ketë aksesin e tij në media, i cili do të realizohet nëpërmjet: (i) programeve televizive dhe publikimeve në median e shkruar dhe elektronike publike dhe private (ii) duke mbështetur emisione dhe botime periodike në mbrojtje të të drejtave të minoritetit rom, propagandimit të vlerave të tij; dhe (iii) organizimit të emisioneve për denoncimin e rasteve të diskriminimit dhe deformimit të imazhit të këtij .

 

KAPITULLI III

EKONOMIA, PUNËSIMI, ULJA E VARFËRISË DHE MBROJTJA SOCIALE

 

3.1. Zhvillimi i biznesit 

Punësimi, ngritja dhe zhvillimi i bizneseve, përfitimi nga programet e nxitjes së punësimit dhe forminit profesional janë disa nga mënyrat për uljen e varfërisë dhe integrimin e kësaj pakice në jetën e shoqërisë mazhoritare.

3.1.1. Inkurajimi dhe ndihmë speciale në fushat të konsulencës, studimit të tregut dhe mjeteve financiare për krijimin e bizneseve nga ana e komunitetit rom

Për inkurajimin dhe ndihmën speciale në fushën e konsulencës, studimit të tregut dhe mjeteve financiare për krijimin e bizneseve nga ana e komunitetit rom është e domosdoshme: (i) evidentimi i bizneseve tradicionale; (ii) bashkëpunimi midis organizatave të biznesit rom  dhe organizatave financuese si dhe (iii) ndihmë e konsulencë në menaxhim të bizneseve.

3.2. Punësimi dhe formimi profesional

Një pjesë e madhe e të papunëve dhe persona joaktivë të minoritetit rom kanë  qenë të papunë për një  periudhë disavjeçare dhe midis tyre pjesa më e madhe nuk janë në gjendje që të gjejnë punë, edhe nëse ekonomia vazhdon të rritet.

Janë pesë arsye kryesore për nivelet e larta të papunësisë afatgjatë: (i) mungesa e shkollimit; (ii) disavantazhet rajonale; (iii) disavantazhet nga pikëpamja e romëve, që vijnë si rezultat i transformimeve strukturore ekonomike;(iv) diskriminimi; dhe (v) efiçenca e ulët e politikave aktive të punësimit të romëve, kjo për shkak se pjesa më e madhe e tyre nuk janë të regjistruar si të papunë.

Duke u bazuar në vëzhgimet e bëra këto vitet e fundit, jo vetëm që një pjesë e madhe e romëve kanë humbur punët e tyre, por gjithashtu janë përjashtuar nga tregu i punës, kjo në në shkallë shumë të lartë, që e tejkalon mesataren e shoqërisë, por ata romë që kanë qënë në gjendje të

qëndrojnë pak a shumë në pozicionin e tyre në tregun e punës, kanë qënë në gjendje ta bëjnë këtë duke i detyruar që të heqin dorë nga shanset për të pasur një punë të rregullt (pra të punojnë në të zezë).

Në fushën e tregut të punës është jetësore të ngremë përqindjen e skemave për trajnimin e të punësuarve, përveç trajnimeve të tipit shkollor.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit në bashkëpunim me pushtetin vendor do të krijojnë programe për papunësinë afatgjatë, e cila duhet të bazohet në bashkëpunim me qendrat e trajnimit dhe përpjekjet për të bashkuar programet trajnuese me projektet e punëve publike .

Në përfundim të papunësisë afatgjatë, është shumë e rëndësishme që zyrat e punësimit të mos u ofrojnë shërbimet e tyre vetëm të papunëve romë të regjistruar, por gjithashtu të kenë kontakt edhe me të papunët romë që nuk janë të regjistuar.

Me qëllim që të rritet numri i të punësuarve, duhet të nxiten programe speciale të krijuara dhe të formuluara nga vetë romët. Për të siguruar që programet për arritjen e qëllimit të romëve të mos mbeten në letër, punëdhënësit dhe trajnuesit që do të merren me romët duhet të marrin një përkrahje në formën e lehtësimeve financiare.

Programet e punëve publike, punësimi lokal i mundësuar nga pushteti vendor, mund të hapin vende pune për njerëzit pa kualifikime të larta dhe me arsimim të ulët, me qëllim që këta njerëz të kenë mundësinë që të punojnë dhe të marrin një pagë. Këto lloj programesh tashmë luajnë një rol shumë të rëndësishëm (dhe do të mbeten të tilla dhe në të ardhmen) në sigurimin e një mjeti jetese për familjet e prekura.

3.2.1. Zbatimi i programeve speciale të nxitjes së punësimit për komunitetin   rom

Për punësimin dhe formimin profesional  do të zbatohen programe speciale të nxitjes së punësimit, të cilat (i) do të  punësojnë romët në programet e punëve publike me fonde nga Buxhetit i Shtetit; si dhe (ii) punësim i punëkërkuesve të papunë, (iii) punësim nëpërmjet formimit profesional; dhe (iv) formimit institucional.

3.2.2. Përdorimi i politikave lehtësuese për ato kompani që punësojnë anëtarë të komunitetit rom

Ky objektiv do të realizohet: (i) duke studiuar mundësitë e financimit të kompanive ku punëdhënës dhe punëmarrës janë nga komuniteti rom; si dhe (ii) duke studiuar mundësinë e krijimit të lehtësirave fiskale për ato kompani që hapin vende pune për romët; si dhe (iii) duke mbështetur me bazë materiale, ambiente, mjete financiare dhe burime njerëzore ato biznese që kanë si destinacion produktet e traditës rome.

3.2.3. Integrimi i komunitetit rom në sistemin e arsimit dhe formimit profesional publik dhe privat

Për integrimin e komunitetit rom në sistemin e arsimimit dhe formimit profesional  kërkohet: (i) identifikimi i profesioneve që mund të mësohen nga romët; (ii) hapja e kurseve të formimit profesional për profesionet e identifikuara në qendrat publike dhe private të formimit profesional; (iii) identifikimi i kontingjenteve rome për punësimin e tyre si edukator kopshti parashkollor; (iv) trajnimi i këtij kontingjenti të zgjedhur, si dhe (v) punësimi i tyre në institucionet që frekuentohen nga romët; si dhe (vi) duke krijuar kushte lehtësuese për formimin profesional të të papunëve romë (vii) të mbështetur në një bazë ligjore që stimulon apo lehtëson formimin profesional të romëve.

3.2.4. Mbështetja e komunave dhe bashkive për futjen e komunitetit rom në tregun e punës

Përfshirja e komunitetit rom në tregun e punës kërkon mobilizimin e të gjithë strukturave të shtetit, duke nisur nga pushteti vendor ku: (i) komunat dhe bashkitë të evidentojnë kërkesat për punë dhe profesione të këtij komuniteti; (ii) të analizojnë  jo më pak se dy herë në vit shkallën e papunësisë së tyre; (iii) si dhe të financojnë projekte të punëve publike në lidhje me përmirësimin e infrastrukturës së vendbanimeve.

3.3.Mbrojtja sociale

Shteti shqiptar do të ndihmojë shtresat në nevojë të minoritetit rom, siç janë fëmijët e rrugës, familjet me të ardhura të pakta, të cilët kanë nevojë për ndihmën  e shtetit.

3.3.1. Integrimi i fëmijëve romë të rrugës në jetën normale

Për integrimin e këtij grupi fëmijësh është menduar: (i) ngritja e qendrave ditore të cilat do të shërbejnë si strehë dhe shkollë, që do të realizohen (ii) në bashkëpunim me donatorë vendas dhe të huaj, OJF që zbatojnë projekte në edukimin dhe zhvillimin e kësaj kategorie fëmijësh. Institucione shtetërore si Inspektorati Shtetëror i Punës (iii) do të ushtrojë kontrolle sistematike lidhur me punën e zezë të fëmijëve romë.

3.3.2. Asistencë për aplikimin e ndihmës ekonomike për familjet e varfëra

Duke qenë se shumë familje rome nuk përfitojnë ndihmë ekonomike për arsye se nuk njohin të drejtat që janë të garantuara në ligj, është programuar (i) organizimi i një fushate sensibilizuese në fushën e mbrojtjes sociale për të drejtat e përfitimit për ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë, pagesë barrëlindje dhe të drejta të tjera që lindin nga legjislacioni në fuqi; si dhe (ii) nxjerrjen e një akti administrativ, që obligon komunat dhe bashkitë për t'u dhënë asistencë ligjore familjeve rome për plotësimin e dosjeve.

3.3.3. Stimulimi dhe mbështetja e shoqatave rome si përfaqësues të aspekteve të ndryshme të jetës së tyre

Për  realizimin e këtij objektivi është e domosdoshme: (i) evidentimi dhe regjistrimi i OJF-ve rome që ushtrojnë aktivitete; dhe (ii) krijimi i një rrjeti të këtyre OJF-ve, të cilat (iii) do të bashkëpunojnë me organe të ndryshme vendimarrëse të shtetit; po në të njëjtën kohë është menduar se do të ishte shumë efikase  (iv) ngritja e një instituti apo qendre integrimi, e cila do të merrej me monitorimin dhe  ndjekjen e zbatimit të kësaj strategjie.

3.4. Kushtet e punës

3.4.1. Marrja e masave për eliminimin e rasteve abuzive të shkeljeve të dispoziatve të legjislacionit të punës nga punëdhënësit (kushtet e punës, pagat, orari i punës etj.)

Është i domosdoshëm  (i) forcimi i kontrollit të Inspektoratit Shtetëror të Punës në subjektet që kanë të punësuar romë; (ii) si dhe duke bërë informim për punëdhënës dhe punëmarrës romë për të drejtat dhe detyrimet që kanë palët gjatë marrëdhënieve të punës.

3.5. Sigurimet  shoqërore

3.5.1.Përfshirja e popullsisë aktive rome në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, në kushtet që një pjesë e mirë e romëve merren me aktivitete joformale

Duke qënë se një pjesë e mirë e popullsisë joaktive rome nuk përfiton nga sigurimet shoqërore, për arsye të mospërfshirjes së tyre në skemën e kontributeve, është një objektiv afatgjatë që popullsia aktive e këtij komuniteti (i) të marrë informacionin e mjaftueshëm për skemën e sigurimeve shoqërore nëpërmjet mjeteve të informimit publik; si dhe (ii) Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me Inspektoriatin Shtetëror të Punës të kontrollojë veprimtarinë informale, me qëllim tërheqjen në skemën e sigurimeve të romëve që punojnë në sektorin privat.

3.6. Gjendja civile

Numri i saktë i romëve që jetojnë në Shqipëri nuk njihet, për arsye se deri tani nuk është bërë regjistrimi i këtij komuniteti, por flitet që janë 80-120 mijë. Lëvizja e shpeshtë dhe ndryshimi i vendbanimeve, martesa në moshë të vogël, mungesa e njohjes se ligjit kanë bërë që një pjesë e mirë nuk janë të regjistruar në zyrat e gjendjes civile.Për pasojë shumë prej tyre nuk përfitojnë nga mbështetja financiare që u jep shteti shtresave të varfëra dhe në nevojë, prandaj del si domosdoshmëri të bëhet një program për regjistrimin e këtij minoriteti.

3.6.1.Të regjistrohet popullsia rome në zyrat e gjendjes civile

Duke marrë në konsideratë problemet që ka ky komunitet për regjistrimin në zyrat e gjendjes civile, Ministria e Pushtetit Vendor dhe e Decentralizimit (i) do të hartojë një program për regjistrimin e kësaj pjese të popullsisë duke (ii) siguruar mjetet e nevojshme njerëzore, monetare dhe materiale.

 

KAPITULLI IV

SHËNDETËSIA DHE INFRASTRUKTURA

 

4.1.Shëndetësia

Kushtet e jetesës dhe disavantazhet e popullsisë janë të lidhura ngushtë me situatën sociale, ekonomike dhe arsimore. Të gjithë këta faktorë përcaktojnë në mënyrë rrënjësore dhe një ndikim afatgjatë në gjendjen e shëndetit.

Treguesit për kushtet e jetesës dhe gjendja shëndetësore e grupeve të komunitetit rom që jetojnë në kushte jo të mira banimi dhe ushqimi, mbeten shumë më poshtë atyre që jetojnë në pjesën maxhoritare të shoqërisë. Një aspekt i varfërisë dhe i diferencimit  është pabarazia në shëndet.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet nisjes së një jete të sigurt dhe kujdesit për fëmijët. Ndihma duhet t’u sigurohet nënave, grave dhe familjeve, me qëllim që të krijohet një jetesë e shëndetshme .

4.1.1. Përmirësimi  i  shëndetit të nënës dhe fëmijës

Për të pasur një shëndet të mirë të fëmijës është parashikuar: (i) zbatimi i vaksinimit të detyrueshëm për të gjithë fëmijët nga 0-14 vjeç; (ii) ndërsa për nënën  do të organizohen programe promocionuese dhe edukativo-shëndetësore për shëndetin riprodhues; (iii) ndërgjegjësimi i komunitetit rom për përdorimin e metodave moderne të planifikimit familjar (rritja e përdorimit të metodave kontraceptive); si dhe (iv) rritja e kujdesit për gruan shtatzënë dhe fëmijën e porsalindur.

4.1.2. Asistencë me medikamente dhe ndihma mjekësore për familjet me shumë fëmije dhe të varfëra

Rritje e (i) aksesit për shërbim shëndetësor duke përmirësuar strukturën shëndetësore me ndërtimin e qendrave shëndetësore dhe ambulanca sipas shtrirjes së komunitetit rom dhe rregullave në fuqi; (i) duke evidentuar familjet e varfëra dhe me shumë fëmijë; (iii) do të bëhet trajtimi mjekësor falas në rastet e sëmundjeve për këtë pjesë të komunitetit rom.

4.1.3. Vlerësimi i morbozitetit dhe vdekshmërisë në komunitetin rom dhe masat për eliminimin e tyre

Për të realizuar këtë objektiv është e domosdoshme; (i) evidentimi i sëmundjeve dhe shkaqeve të vdekjeve, si dhe vlerësimi krahasues me pjesën tjetër të popullsisë (pjesën maxhoritare); si dhe (ii) përmirësimi i kushteve mjedisore si higjiena e mjedisit, uji i pijshëm dhe infrastruktura e zonave të banimit të komunitetit rom, të cilat do të realizohen nga bashkëpunimi i Ministrisë së Shëndetësisë me pushtetin vendor.

4.2.Kushtet e banimit

Një pjesë e komunitetit rom gjatë viteve të tranzicionit, për shkak të varfërisë dhe nivelit të ulët arsimor në vitin 1996, mbetën pa strehim si rezultat i shitjes së shtëpive dhe futjes së lekëve në firmat piramidale dhe aktualisht jetojnë në kushte ekstremisht të këqija, duke improvizuar banesa pa asnjë lloj kushti higjieno-sanitar. Një pjesë tjetër, si rezultat i proceseve të tranzicionit, papunësisë, varfërisë të tejskajshme, nivelit të ulët të arsimimit dhe traditës së hershme, jetojnë në ambiente që nuk janë të banueshme, por sa për të mbuluar kokën. Për integrimin e kësaj pjese të komunitetit, shteti në bashkëpunim me vetë komunitetin, do të hartojë projekte për strehimin e tyre me kushte normale.

4.2.1. Sigurimi i nevojave minimale për strehim

Për këtë është e domosdoshme: (i) evidentimi i nevojave për strehim, duke u nisur nga numri i familjeve që kanë nevojë për strehim, numri i pjesëtarëve të familjes, kushtet aktuale të banimit; (ii) evidentimi i banesave që kanë nevojë për t'u riparuar dhe hartimi i projekteve për rikonstruksionin e tyre; (iii) identifikimin e pronësisë mbi truallin në të cilën është vendosur komuniteti rom; (iv) llogaritja e nevojave për truall dhe materiale ndërtimi, duke stimuluar ndërtimin e banesave nga vetë komuniteti; si dhe (v) ndërtimi i banesave të thjeshta për të pastrehët dhe për ata që banojnë në kushte jo të mira. 

4.2.2. Mbulimi në rrjetin ujësjellës-kanalizime dhe energji elektrike në gjithë komunitetin

Në vendbanimet e  komunitetit rom  pushteti vendor, Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit në bashkëpunim me komunitetin rom (i) do të llogarisin nevojat për ujësjellës-kanalizime; (ii) duke dhënë komuniteti kontributin e vet njerëzor në ndërtimin e infrastrukturës; (iii) për të realizuar lidhjen e rrjetit të brendshëm; (iv) gjithashtu duke përmirësuar kushtet e brendshme higjieno-sanitare; dhe (v) përmirësime të sistemit elektrik,  duke vendosur  kabina elektrike në ato zona të komunitetit ku mungojnë.

4.2.3. Sigurimi  i  lidhjeve të vendbanimeve me rrugën nacionale

Për të siguruar lëvizje të lirë të pjesëtarëve të komunitetit rom në ato zona ku ata jetojnë, të veçuar nga pjesa maxhoritare e popullsisë, është e nevojshme (i) kryerja e studimeve dhe hartimi i projekteve për  rrjetin e brendshëm rrugor në rastet kur mungon ose nuk plotëson kërkesat teknike për lëvizje të lirë; si dhe (ii) ndërtimin dhe rikonstruktimin e këtyre rrugëve të brendshme; (iii) duke mobilizuar vetë komunitetin  rom.

 

KAPITULLI V

RENDI PUBLIK, DREJTËSIA, ADMINISTRATA CIVILE

 

5.1. Rendi

Me qëllim që të ulen rastet e diskriminimit në jetën e përditshme, jo vetëm që duhet të dokumentohen rastet e dhunës në familje, trafikimit të vajzave dhe fëmijëve, krimeve ordinere, por duhet edhe të hetohen duke rritur ndërhyrjen, duhet të bëhet e mundur që të krijohet një ndjenjë solidariteti kundrejt romëve në mediat publike dhe në krijimin e një opinioni të përgjithshëm.

5.1.1.Evidentimi i llojeve të krimit tek komuniteti rom dhe masat për uljen e tyre

Evidentimi (i) dhe lufta për parandalimin e trafikimit të fëmijëve dhe vajzave rome, si dhe parandalimin e krimeve ordinere; (ii) marrjen e masave efektive për parandalimin e kërcënimive nga individë të veçantë në radhët e policisë; (iii) studimi i rasteve të moszbatimit korrekt të ligjit gjatë  ndërhyrjeve dhe kontrolleve që bën policia .

5.1.2. Përfshirja e anëtarëve të komunitetit rom në efektivat e policisë në ato qarqe ku ata kanë komunitet

Përfshirja e anëtarëve të komunitetit rom në efektivat e policisë do të fillojë me: (i) krijimin e hapësirave për të ndihmuar të rinjtë romë në proceset e konkurrimit në Akademinë  e Rendit; (ii) duke i trajtuar me synim punësimin e tyre  si efektivë policie; dhe (iii) duke përcaktuar kuota vjetore për t'i shkolluar të rinjtë romë në Akademinë e Rendit.

5.1.3. Parandalimi dhe goditja e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore, pjesë e komunitetit rom dhe sidomos trafikimit të fëmijëve dhe vajzave për qëllime shfrytëzimi

Është e rëndësishme (i) evidentimi i rasteve të trafikuara për të bërë; (ii) parandalimin e këtij fenomeni dhe për të marrë masa për personat e trafikuar;  (iii) duke hartuar programe të veçanta për të luftuar fenomenin e trafikimit, të cilat do të realizohen nga institucionet e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me organizma ndërkombëtarë të specializuar në këtë fushë,  siç është OSBE, UNHCR etj.

 

PJESA E TRETË

PROCEDURAT DHE METODAT E NDJEKURA PËR HARTIMIN DHE ZBATIMIN E STRATEGJISË

 

1. Procedura e ndjekur

Për hartimin e projektstrategjisë “Për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom” është ngritur një grup pune ndërministror me përfaqësues të Ministrisë së Rendit Publik, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë dhe të Privatizimit, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe të Turizmit, Ministrisë së Transportit, Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe të Decentralizimit, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Punës dhe të Çështjeve Sociale.

Është hartuar programi i punës për grupin ndërministror, i cili parashikon veprimtaritë e grupit, afatin kohor të realizimit, institucionet dhe personat përgjegjës.

Janë organizuar disa tryeza të rrumbullakëta ( 9-10 janar 2003 dhe 3 shkurt 2003) të finacuara nga Këshilli i Europës dhe OSCE/ODHIR  sipas programit “Romët dhe pakti i stabilitetit për Europën juglindore” me përfaqësues nga Këshilli i Europës, OSCE dhe Komisioni Europian dhe me pjesëmarrës nga institucionet shqiptare dhe OJF-ve rome. Në takimin e datës 3 shkurt është nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi midis përfaqësuesve të ministrive dhe të organizatave të minoritetit rom, sipas së cilës përfaqësuesit e OJF-ve rome do të jenë partnerë deri  në hartimin e dokumentit final të strategjisë.

Për ecurinë e punës, periodikisht, janë informuar përfaqësues të  OSCE/ODHIR, të cilët kanë ndihmuar grupin ndërministror me asistencën e tyre .

OJF-të rome kanë luajtur rolin e tyre duke dhënë informacion për gjendjen,  si dhe duke  paraqitur problematikën e këtij komuniteti para grupit të punës, si dhe kanë dhënë ndihmesë në nëngrupet e ngritura pranë institucioneve të përfaqësuara.

Duke njohur vështirësitë që po kalon aktualisht vendi ynë dhe duke vlerësuar që shumë probleme të minoritetit rom janë edhe probleme të pjesës mazhoritare, grupi i punës është munduar që të përcaktojë zgjidhje për problemet që nuk mbulohen nga strategji të hartuara nga Qeveria Shqiptare për gjithë popullsinë.

Strategjia “Për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom”, realizohet nëpërmjet këtyre proceseve:

1. Procesi i hartimit

- ngritja e grupit ndërministror;

- hartimi i programit të punës;

- organizimi i tryezave të rrumbullakta;

- nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit midis përfaqësuesve të Qeverisë shqiptare dhe OJF-ve rome;

- ngritja e nëngrupeve të punës me përfaqësues të Qeverisë shqiptare dhe OJF-ve rome,

- grumbullim i informacionit;

- hartimi i projektit.

2. Procesi i miratimit

- tryezë për  diskutimin  e projektstrategjisë;

- dërgimi i projektstrategjisë  Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, z.Ilir Meta;

- dërgimi i projektstrategjisë  në Këshillin e Ministrave;

- miratim nga Këshilli i Ministrave.

3. Procesi i monitorimit

3.1.Organet monitoruese

 Për të siguruar zbatimin e kësaj strategjie është e nevojshme ngritja e një strukture shtetërore  (institut ose qendër integrimi), që do të merret me ndjekjen e zbatimit të problemeve dhe masave prioritare të parashikuara në strategji. Kjo strukturë mund të jetë e atashuar pranë një dikasteri të specializuar, që do të krijojë hapësira dhe mundesitë për zbatim. Kjo strukturë do të funksionojë menjëherë, sapo strategjia të miratohet dhe do të ketë në përbërjen e saj 3 deri në 5 specialistë të fushave të tilla, si arsimi dhe kultura, specialist i menaxhimit të infrastrukturës urbane, specialist i çështjeve sociale dhe i familjes, specialist i ekonomisë, biznesit dhe  punësimit.

Misioni i kësaj strukture do të jetë bashkëpunimi me Ministrinë e Financave dhe donatorë të ndryshëm për të gjetur fondet e nevojshme për të realizuar strategjinë në fushën e investimeve. Qendra do të bashkëpunojë me shoqatat e komunitetit rom për të zgjidhur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha problemet që kërkojnë bashkëpunimin dhe bashkëpërgjegjësi me komunitetin përkatës.  Detyrë e rëndësishme e qendrës do të jetë nxitja e organeve të ndryshme shtetërore për të përfshirë në planet e tyre të zhvillimit objektivat e parashikuara në strategji. Integrimi i vazhdueshëm dhe ndjekja e treguesve të monitorimit, si dhe raportimi në dikasterin përkatës ose në Këshillin e Ministrave do të jetë objektiv i punës së këtij institucioni. Detyra të tjera më specifike do të detajohen me krijimin e këtij institucioni. 

4.2. Treguesit e monitorimit

Me qëllim që të ndiqet realizimi konkret i strategjisë, lind nevoja e hartimit të një sërë treguesish me të cilët do të bëhet e matshme puna që do të bëhet në këtë drejtim. Këto tregues do të jenë shprehje sasiore e fenomenit ose masës së parashikuiar për t'u marrë dhe do të shprehin realizimin faktik të saj. Sistemi i treguesve mund të jetë i shumëllojshëm dhe në një numër të madh, gjithashtu ato mund të jenë tregues fleksibël, që do të thotë se mund të përdoren për një kohë të caktuar dhe me përfundimin e tyre, objektiva tregues të tjerë do të zënë vendin e tyre.

Parimi i ndërtimit të treguesve do të jetë evidentimi i realizimit të objektivave themelorë të parashikuara në tërësinë e masave prioritare. Në formë të përgjithshme këto tregues mund të paraqiten si vijon:

1. numri i fëmijëve që frekuentojnë kopështet në raport me numrin e përgjithshëm të fëmijëve romë;

2. numri i nxënësve që frekuentojnë shkollat në të gjitha nivelet e arsimimit dhe përqindja e frekuentimit të shkollave sipas grupmoshave të fëmijëve romë. (nga cikli i ulët deri në universitet);

3. numri i edukatorëve dhe mësuesve  romë të përgatitur për të dhënë mësim në shkolla dhe kopshte;

4. numri i bursave të akorduara për nxënësit romë;

5. numri i nxënësve romë që do të ndjekin studimet për specialitete të destinuara për të punuar në sektorët publikë, si në shkencat ekonomike, shkencat sociale, Akademia e Rendit, Akademia Ushtarake, drejtësi, mësuesi, administrim publik etj;

6. numri i martesave të kryera para moshës 16 vjeç;

7. numri i grave të punësuara në sektorin publik dhe privat;

8. pjesëmarrja dhe stimulimi i grupeve aristike rome në të gjithë veprimtaritë artistike sipas kalendarit artistik të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; 

9. numri i grupeve kulturore, artistike dhe sportive të krijuara pranë komuniteteve rome;

10. numri i programeve televizive, publikimeve në median e shkruar, botimeve periodike për komunitetin rom;

11. numri i bizneseve rome të krijuar dhe numri i të punësuarve në to;

12. përqindja e të papunëve romë sipas rajoneve të banimit;

13. fondet e akorduara për komunitetin rom në fushën e punësimit;

14. ulja e numrit të fëmijëve  romë të rrugës duke i integruar në jetën normale;

15. përfundimi i regjistrimit të popullsisë rome në zyrat e gjendjes civile; 

16. numri i familjeve rome që marrin ndihmë ekonomike;

17. numri i personave romë që dalin në pension çdo vit;

18. numri i qendrave shëndetësore, mjekëve dhe personelit tjetër për 1000 banorë në komunitetin rom;

19. ulja e morbozitetit dhe mortalitetit në këtë komunitet;

20. numri i apartamenteve të ndërtuara me destinacion komunitetin rom;

21. numri i vajzave dhe fëmijëve të trafikuar;

22. numri i personave të punësuar në rend, administratë publike dhe sektorë të tjerë publikë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Trascina file per caricare