Print Friendly

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

VENDIM

Nr.754, datë 9.11.2006

 

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.229, DATË 23.4.2004 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E CEREMONIALIT ZYRTAR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, pika 2, e 49 të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

VENDOSI:

 

Në kapitullin VII të vendimit nr.229, datë 23.4.2004 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Festat zyrtare, ditë përkujtimore dhe ditë të tjera, të shënuara

1.1 Në Republikën e Shqipërisë festohen dhe përkujtohen festat zyrtare, ditët përkujtimore publike dhe ditë të tjera, të shënuara, në përputhje me këtë ceremonial.

1.2 Festa zyrtare janë ditë feste, të përcaktuara me ligj. Festa zyrtare janë:

 

1 e 2 janar                    Viti i Ri;

14 mars                        Dita e Verës;              

22 mars                        Dita e Novruzit;

1 maj                            Dita e Punëtorëve;                               

19 tetor                         Dita e Lumturimit të Nënë Terezës;    

28 nëntor                      Dita e Pavarësisë;                   

29 nëntor                      Dita e Çlirimit të Atdheut;

                                    Bajram i Madh;

                                    Bajram i Vogël;

Pashkët Ortodokse;

Pashkët Katolike;

25 dhjetor                     Krishtlindjet.

           

Gjatë festës zyrtare fetare, angazhimi i personaliteteve të larta  shtetërore  në veprimtari apo vizita urimi publike, në komunitetet fetare duhet t’u shërbejë forcimit të tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës së komuniteteve zyrtare fetare në vend.

Përveç kur pjesëmarrja e personaliteteve të larta shtetërore, sipas ceremonialit, të përcaktuar në këtë vendim, është e detyrueshme, pjesëmarrja në festat e tjera zyrtare, ditët e përkujtimit dhe ditët e shënuara bëhet në përputhje me traditën, nevojat apo kalendarin e personaliteteve.

Ditë pushimi, sipas ligjit, janë vetëm ditët e festave zyrtare.

1.3 Ditë përkujtimi publike janë ditë të rëndësishme përkujtimore, festimi apo përkujtimi i të cilave kryhet sipas rregullave të caktuara në këtë vendim. Ditë përkujtimi publike janë:

 

 

5 maji               Dita e Dëshmorëve;

21 maji             Dita e Kujtesës Historike për Viktimat e

Krimeve të Komunizmit;

4 dhjetori          Dita e Forcave të Armatosura;

8 dhjetori          Dita e Rinisë.

 

Në ditët e festave zyrtare dhe ditët e përkujtimit publik, në selinë e institucioneve, shtetërore dhe private, vendosen flamuri kombëtar dhe shenjat dalluese të institucioneve apo enteve përkatëse. Në këto ditë merren masa të veçanta për zbukurimin e shesheve qendrore të qyteteve.

1.4 Ditët e shënuara janë festa të karakterit fetar, vendor, ndërkombëtar, shoqëror apo politik, të cilat, për shkak të traditës ose të vlerave të veçanta, përkujtohen në Republikën e Shqipërisë. Ditë të shënuara janë:

 

6 janar              Shën Jovani;

Dita e Hashures;

7 mars              Dita e Mësuesit;

8 mars              Dita e Gruas;

9 maj                Dita e Europës;

20 maj              Dita e Jetimëve;

1 qershor          Dita e Fëmijëve;

16 shtator         Festa e Pezës;

1 tetor              Dita e të Moshuarve;

24 tetor             Dita e OKB-së.

 

Ministritë përgjegjëse, për ditët e shënuara, kombëtare apo ndërkombëtare, me karakter ndërgjegjësues, të caktuara sipas legjislacionit në fuqi, organizojnë veprimtari përkatëse, sipas rregullave të protokollit të tyre.

Në ditët e shënuara mund të përfshihen edhe ditë të tjera, përkujtimi ose festimi i të cilave, në nivel kombëtar, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe në nivel vendor me vendim të njësive të organeve të qeverisjes vendore (p.sh. dita e ngritjes së flamurit në qytet apo e themelimit të qytetit). Veprimtaritë, që kryhen në përkujtim apo festim të ditëve të shënuara, përcaktohen, rast pas rasti, në vendimin e përkujtimit, ku, përveç ceremonisë, përcaktohen edhe masat për zbukurimin e shesheve qendrore. Pjesëmarrja e personaliteteve të larta shtetërore në përkujtimin e ditëve të shënuara bashkërendohet nga Protokolli i Shtetit.”.

2. Fjalia e fundit, e pikës 2.13, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Pjesëmarrësit shpërndahen për t’u mbledhur përsëri në Tiranë, në Pallatin e Brigadave, për pritjen e festave zyrtare të Pavarësisë dhe të Çlirimit të Atdheut.”.

3. Pika 6 shfuqizohet.

4. Pika 7 “Parada jubilare e Forcave të Armatosuara”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“7. Parada jubilare e Forcave të Armatosura

7.1 Ceremonia jubilare e paradës së Forcave të Armatosura të Republikës zhvillohet një herë në pesë vjet, më 4 dhjetor. Parada dhe ceremonia organizohen nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes.

7.2 Tribuna e nderit ngrihet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ndahet në tre sektorë kryesorë:

- Në tribunën A zënë vend personalitetet kryesore të shtetit:

Radha e parë: Presidenti i Republikës, Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kryetari i Kuvendit, Zëvendëskryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Brendshëm, Komandanti i Forcave Tokësore, Komandanti i Forcave Ajrore, Komandanti i Forcave Detare, Komandanti i Komandës së Doktrinave dhe Stërvitjes Ushtarake, Komandanti i Komandës së Mbështetjes Logjistike, ish-presidentët e Republikës, ministrat e tjerë dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 

Radha e dytë: Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, nënkryetarët e Kuvendit, zëvendësministri i Mbrojtjes, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, gjeneralët e Forcave të Armatosura, me dy yje, kryetarët e grupeve parlamentare (4), kryetari i SHISH-it, kryetarët e klerit (4), prokurori i Përgjithshëm, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, kryetari i Gjykatës së Lartë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Avokati i Popullit, ish-kryeministrat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Radha e tretë: Gjeneralë veteranë (10), kryetarët e partive parlamentare, sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, prefekti i Tiranës, këshilltari ushtarak i Presidentit, ish-ministra të Mbrojtjes, ish-ministra të Jashtëm, drejtorë në Ministrinë e Mbrojtjes, që kanë gradën kolonel.

- Në tribunën B zë vend trupi i huaj diplomatik:

Në radhën e parë, ambasadorët e akredituar, sipas prezencës së tyre, atashetë ushtarakë, të akredituar, dhe drejtori i Protokollit të Shtetit.

Në radhën e dytë, përfaqësuesit e misioneve ushtarake, komandanti i NATO-s, MTL-së, ODC-së, NATO-PFP CELL, SAIC-it, UNDP-së dhe të ftuar të tjerë, me shtetësi të huaj.

- Në tribunën C zënë vend personalitete të tjera të vendit:

Anëtarët e komisionit parlamentar të mbrojtjes, deputetë, këshilltarë të Presidentit dhe të Kryeministrit, sekretarët e përgjithshëm të ministrive, drejtorë të drejtorive, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ish-ministra.”.

5. Pas pikës 7, shtohen pikat 7/a e 7/b, me këtë përmbajtje:

“7/a. 8 dhjetori, Dita e Rinisë

7/a.1 Në nderim të lëvizjes për liri, demokraci, dinjitet njerëzor, dhe të aspiratës, për shtet ligjor e të integruar në strukturat atlantike, më 8 dhjetor, të çdo viti, përkujtohet Dita e Rinisë. Ceremonia organizohet nga ministria përgjegjëse, që mbulon çështjet e rinisë dhe të kulturës.

7/a.2 Përfaqësues të ministrisë, që mbulon çështjet e rinisë dhe të kulturës, më 7 dhjetor të çdo viti, në orën 20:00, ndezin flakën e pishtarit, në sheshin e Qytetit Studenti, në Tiranë. Flaka e pishtarit vazhdon të qëndrojë e ndezur edhe gjatë ditës së 8 dhjetorit. Përfaqësues të kësaj ministrie dhe përfaqësues, anëtarë të lëvizjes “Dhjetor 1990”, bëjnë homazhe në memorialin e Qytetit Studenti, në orën 10:00.

Në orën 11:00, përfaqësues të lartë të shtetit zhvillojnë ceremoni zyrtare, përpara memorialit të liderit të lëvizjes së dhjetorit, Azem Hajdari, dhe vendosin kurora me lule. Në këto homazhe, ftohen të marrin pjesë edhe veprimtarë të lëvizjes “Dhjetor 1990”.

Ministri përgjegjës për çështje të rinisë dhe kulturës, në bashkëpunim me institucionet, kulturore dhe shkencore, organizon në këtë ditë në qytete të ndryshme të vendit, veprimtari artistike dhe simpoziume shkencore.

7/a.3 Në të gjitha institucionet arsimore, publike dhe jopublike, parauniversitare, ditën e përkujtimit të 8 dhjetorit, me nxënësit, të ndarë sipas grupmoshave, në klasa individuale, zhvillon 45 minuta mësim, ku, sipas programit të miratuar nga ministria, që mbulon çështjet e arsimit, përkujtohen idealet e lëvizjes rinore “Dhjetor 1990” dhe aspiratat për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Programi i miratuar përfshin edhe të dhëna historike për përndjekjen politike, vuajtjen, torturat ndaj kundërshtarëve politikë nga regjimi komunist, në emër të luftës së klasave dhe të vendosjes së diktaturës komuniste.

7/a.4 Çdo vit jubilar (5 vjet), ministri përgjegjës për çështjet e rinisë dhe të kulturës drejton një komision ndërministror pune, për organizimin e ditës përkujtimore, Dita e Rinisë, i cili përcakton projektprogramin e kësaj dite përkujtimore.

Projektprogrami paraqitet për shqyrtim në Këshillin e Ministrave, jo më vonë se 45 ditë para ditës së organizimit të përkujtimit. Protokolli i Shtetit përfshihet në përgatitjen e programit të punës dhe ndjek anën protokollare të zbatimit të tij. Në program marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit.

 

 

 

7/b. 21 maj, dita e kujtesës historike për viktimat e krimeve të komunizmit

Në përkujtim të mijëra viktimave të pafajshme të regjimit totalitar komunist, të cilët, u vranë, u burgosën, u dhunuan, u dëbuan dhe u denigruan, në mënyrë të organizuar shtetërore, për shkak se besonin në lirinë e ndërgjegjes, të pronës, lirive politike, aspironin përparim, më 21 maj të çdo viti, do të përkujtohet “Dita e kujtesës historike për viktimat e krimeve të komunizmit”. Ceremonia përkujtimore do të organizohet nga ministria përgjegjëse, që mbulon çështjet e rinisë dhe të kulturës. Kur në ceremoni do të marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit, Protokolli i Shtetit përfshihet në përgatitjen e programit dhe në ndjekjen e anës protokollare të tij.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

KRYEMINISTRI

Sali Berisha

 

Trascina file per caricare