Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

VENDIM

Nr. 37, datë 7.3.2002

 

“NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga:

 

Fehmi Abdiu

Kryetar i Gjykatës Kushtetuese

Zija Vuci

Anëtar  i        “            “

Gjergj Sauli

Anëtar  i        “            “

Alfred Karamuço

Anëtar  i        “            “

Kujtim Puto

Anëtar  i        “            “

Tefta Zaka

Anëtare e       “            “

Petrit Plloçi

Anëtar  i        “            “

Sokol Sadushi

Anëtar  i        “            “

Kristofor Peçi

Anëtar  i        “            “

 

me sekretare Arbenka Lalica, në datën 21.2.2002, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer  të hapura çështjen nr.222/18 Akti që i përket:

 

KëRKUES: HASAN LAÇAJ, përfaqësuar nga avokatët Dilaver Rexhepi e Nexhdet Kambo, me deklarim.

SUBJEKTE TË INTERESUARA:

1. KOMUNITETI MYSLIMAN SHQIPTAR, përfaqësuar nga avokatët Dilaver Rexhepi e Nexhdet Kambo, me autorizim.

2. Kisha ortodokse autoqefale, në mungesë.

3. Sindikata e Albturizmit Shkodër, në mungesë.

4. Agjencia kombëtare e privatizimit, në mungesë.

5. Shoqëria Tregtare "Rozafa", përfaqësuar nga avokat Lili Robo, me deklarim.

OBJEKTI: Interpretimi i vendimeve nr.10, datë 31.7.1995; nr.7, datë 10.4.1998 dhe nr.57, datë 4.11.1998 të Gjykatës Kushtetuese.

 

Në kërkesën e tij për interpretim të këtyre vendimeve kërkuesi parashtron këto shkaqe:

1. Interpretimi i vendimeve duhet të bëhet me qëllim që të gjejë zbatim e drejta e parablerjes (privatizimit) të Hotel "Rozafa".

2. Në interpretim të përcaktohet që e drejta e parablerjes të realizohet duke zbatuar ligjin, i cili ka qenë në fuqi ditën e dhënies së këtyre vendimeve.

 

GJYKATA KUSHTETUESE

 

pasi dëgjoi relatorin e çështjes Kristofor Peçi, përfaqësuesit e kërkuesit, të subjekteve të interesuara dhe bisedoi çështjen në tërësi,

 

VËREN:

 

Mbi kërkesën e kërkuesve Hasan Laçaj etj., me objekt shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.275, datë 5.6.1995 "Për formën e privatizimit të disa objekteve pronë shtetërore", vetëm për pjesën ku është vendosur privatizimi i Hotel "Rozafa" Shkodër, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar çështjen dhe, me vendimin nr.10, datë 31.7.1995, ka shfuqizuar vendimin e mësipërm, ndër të tjera me arsyetimin se vjen në kundërshtim me përmbajtjen e nenit 21 të ligjit nr.7698, datë 15.4.1993 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve" ku thuhet: "Në trojet e zëna me ndërtime shtetërore, si dyqane, magazina, punishte etj., ish-pronari ka të drejtën e parablerjes së këtyre objekteve, kur privatizohen me çmimet e përcaktuara sipas dispozitave në fuqi".

Gjykata Kushtetuese, pasi ka shqyrtuar kërkesën e Hasan Laçajt, me vendimin nr.7, datë 10.4.1998, shfuqizoi si antikushtetues vendimin nr.83, datë 21.1.1997 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, me arsyetimin se kërkuesi, duke qenë ish-pronar i një pjese të truallit nën objekt, legjitimohet për të kërkuar njohjen e së drejtës së mohuar nga një veprim juridik i kryer nga një i tretë. Ndërsa me vendimin nr.57, datë 4.11.1998, Gjykata Kushtetuese ka shpallur  antikushtetues vendimin nr.927, datë 4.6.1998 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me të cilin ishte vendosur mospranimi i çështjes për shqyrtim, në kundërshtim me vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë mënyrë, sipas vendimeve të lartpërmendura të Gjykatës, kërkuesit i njihet e drejta e parablerjes, në bazë të nenit 21 të ligjit nr.7698, datë 15.4.1993 "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve".

Sipas kërkesës së paraqitur për interpretimin e këtyre vendimeve, kërkohet të përcaktohet që e drejta e parablerjes së objektit në konflikt, të ndërtuar mbi truallin ish-pronë private, të realizohet duke zbatuar ligjin, i cili ka qenë në fuqi në kohën e dhënies së vendimeve.

Në bazë të nenit 80 pika 1 germa "a" të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", Gjykata Kushtetuese ka të drejtë "të intepretojë vendimin në rast dyshimi ose mosmarrëveshjeje për kuptimin e tij, pa ndryshuar në asnjë rast përmbajtjen". Sipas kësaj dispozite, që të bëhet interpretimi i vendimit duhet të ekzistojnë dy elementë që kanë të bëjnë me kuptimin e tij dhe që janë dyshimi ose marrëveshja. Këto duhet të jenë të tilla që ta bëjnë vendimin të pakuptueshëm e, për rrjedhojë, të pazbatueshëm. Por, në rastin konkret, njohja e së drejtës së parablerjes, duke cituar në vendim nenin përkatës të ligjit që mbron dhe garanton këtë të drejtë, nuk e bën vendimin të dyshimtë dhe as krijon ndonjë mosmarrëveshje për kuptimin e tij. Përkundrazi, përmendja e dispozitës ligjore, e cila përbën thelbin e vendimit, e bën këtë të fundit më të qartë e më të zbatueshëm. Kërkesa që të bëhet interpretimi për të sqaruar që e drejta e parablerjes dhe privatizimi i objektit të realizohen duke zbatuar ligjin që ka qenë në fuqi në kohën e dhënies së vendimeve, i kalon caqet ligjore të interpretimit dhe do të ndryshonte përmbajtjen e vendimit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ka njohur në fakt të drejtën e parablerjes sipas ligjit, por jo të shprehet për mënyrën e realizimit të kësaj të drejte, çka do të bënte që çështja të dilte jashtë juridiksionit kushtetues. Problemet që mund të lindin më vonë në praktikë për kërkuesin dhe vështirësitë e privatizimit të objektit nuk kanë të bëjnë  me kuptimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por me realizimin e së drejtës së tij të njohur me ligj.

Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese çmon se kërkesa për interpretim të vendimeve të lartpërmendura është e pabazuar dhe duhet të rrëzohet.

 

PËR KËTO ARSYE,

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 134/g të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e 80 të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", me shumicë votash,

 

 VENDOSI:

 

- Rrëzimin e kërkesës.

- Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.