The measure is available in the following languages:
VENDIM
Nr.1, datë 25.1.2010
NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga:
Vladimir Kristo Kryetar i Gjykatës Kushtetuese,
Fehmi Abdiu Anëtar i “ “
Kujtim Puto Anëtar i “ “
Xhezair Zaganjori Anëtar i “ “
Petrit Plloçi Anëtar i “ “
Vitore Tusha Anëtare e “ “
Sokol Sadushi Anëtar i “ “
Sokol Berberi Anëtar i “ “
Admir Thanza Anëtar i “ “
me sekretare Blerina Çinari, në datë 24.9.2009 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen nr. 20/11 Akti, që i përket:
KËRKUES: KOMUNITETI MYSLIMAN SHQIPTAR, përfaqësuar nga avokat Selfo Dosti, me autorizim.
SUBJEKTE TË INTERESUARA: Shyqyri Toska, përfaqësuar nga avokat Baftjar Rusi.
ZYRA RAJONALE E AGJENCISË SË KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE, QARKU TIRANË
Asllan Hida, Ali Rexha
OBJEKTI: Shfuqizimi si antikushtetues i vendimit nr. 737, datë 30.5.2008 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë (Dhoma e Këshillimit) dhe i vendimit nr. 223, datë 23.2.2007 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
BAZA LIGJORE: Nenet 41/1, 42, 131/f, 132/1, 134/ë dhe 134/f të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 27, 28, 29 dhe 30 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”; neni 6 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Admir Thanza; përfaqësuesin e kërkuesit që u shpreh për pranimin e kërkesës; përfaqësuesin e subjektit të interesuar Shyqyri Toska që kërkoi rrëzimin e kërkesës; subjektet e interesuar Asllan Hida dhe Ali Rexha që kërkuan pranimin e kërkesës dhe bisedoi çështjen në tërësi,
VËREN:
I
Nga materialet e çështjes rezulton se Komuniteti Mysliman Shqiptar (Kërkuesi) ka pasur në pronësi të tij një truall me sipërfaqe 150 pashë (pashë – largësia nëpërmjet dy duarve me krahë të shtrirë anash plotësisht; masë gjatësie e barabartë me këtë largësi rreth 1.5 m - ref. “Fjalori i Gjuhës Shqipe” botim i vitit 1980, fq.1382), i ndodhur përballë Medresesë në Tiranë. Ky truall ka qenë i regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë me nr.233, datë 20.03.1919.
Në bazë të vendimeve gjyqësore rezulton se në vitin 1967 kjo pronë i është shtetëzuar pa shpërblim kërkuesit nëpërmjet dekreteve nr.4252 dhe nr.4253, datë 11.4.1967 të Presidiumit të Kuvendit Popullor “Për shtetëzimin e pasurisë së paluajtshme të komuniteteve fetare”.
Në bazë të vendimeve gjyqësore të administruara në dosje rezulton, se në vitin 1992 kjo pronë i është blerë Komitetit Ekzekutiv nga Shyqyri Toska me anë të kontratës nr.1856, datë 30.5.1992, dhe është regjistruar në regjistrin hipotekor.
Kërkuesi Shyqyri Toska, në vitin 1993 ka ngritur padi pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me objekt pushim të cenimit të pronësisë kundër Asllan Hida dhe Ermal Deliu, pasi këta të fundit kishin ndërtuar dy kioska mbi këtë pronë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur të pranojë padinë e paditësit Shyqyri Toska. Mbi ankimin e palës së paditur, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur të lërë në fuqi këtë vendim. Më pas, Gjykata e Kasacionit, me vendimin nr. 1330, datë 5.10.1995 vendosi “... prishjen e vendimeve të dy gjykatave më të ulëta dhe dërgimin e çështjes për rigjykim pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë”.
Ndërkohë, paralelisht me procedurën e sipërpërmendur, në vitin 1993, Shyqyri Toska i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për vërtetimin e faktit të pronësisë së tij mbi truallin 730 m2 dhe faktit, që dikur kjo pronë ka qenë në pronësi të babait të tij Sadik Toska. Me anë të vendimit nr. 4689, datë 3.12.1993 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke u mbështetur edhe në kontratën e shitblerjes nr. 1856, datë 30.05.1992, vendosi “... të vërtetojë faktin juridik të pronësisë së Shyqyri Toskës mbi një truall me sipërfaqe prej 730 m2 dikur pronë e babait të kërkuesit Sadik Toskës”. Me vendimin gjyqësor të sipërpërmendur për vërtetimin e faktit, pala Shyqyri Toska, riregjistron këtë pronë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Në vitin 1995, me kërkesë të Bashkisë Tiranë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 2688, datë 11.5.1995 vendosi “... ta shpallë të pavlefshme kontratën e shitblerjes së datës 30.5.1992 ndërmjet Shyqyri Toskës dhe Komitetit Ekzekutiv”. Ky vendim mori formë të prerë, pa u ankimuar nga palët, dhe u ekzekutua duke u bërë çregjistrimi i pronësisë së Shyqyri Toskës.
Në vitin 1996 Sadik Toska i është drejtuar Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe ka kërkuar kthimin e truallit prej 730 m2 me pretendimin se kishte qenë në pronësi të tij. Komisioni, me vendimin nr. 769, datë 23.2.1996 vendosi “... të mos njohë si ish-pronar Sadik Toskën”, pasi ky i fundit nuk kishte paraqitur asnjë vërtetim shpronësimi për atë pronë.
Në vazhdim të procedurës gjyqësore, të nisur me anë të padisë së ngritur në datën 17.11.1993 nga Shyqyri Toska me objekt pushim të cenimit të pronësisë, pas dërgimit për rigjykim pranë saj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 9214, datë 14.11.1996 vendosi të rrëzojë padinë e paditësit Shyqyri Toska duke argumentuar se paditësi nuk legjitimohej, pasi nuk kishte as cilësinë e pronarit, që e kishte humbur me vendim të formës së prerë (vendimi nr. 2688, datë 11.5.1995 me të cilin u anulua kontrata e shitjes), dhe as cilësinë e poseduesit. Me vendimin nr.909, datë 24.2.1997, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi lënien në fuqi të vendimit të mësipërm.
Në vitin 2000, për kthimin e kësaj prone, kërkuesi i është drejtuar dhe Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, i cili me vendimin nr.197, datë 29.5.2000 vendosi “... t’i njohë pronësinë e truallit, i cili u regjistrua në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme me nr. 187, datë 30.6.2000.
Në vitin 2002 Shyqyri Toska iu drejtua me padi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me objekt përfundimtar “... anulimin e vendimit nr.197, datë 29.5.2000 të Komisionit për Kthimin dhe Kompensimit e Pronave”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.4120, datë 13.10.2003 vendosi “... të pranojë padinë dhe ta anulojë vendimin nr.197, datë 29.5.2000 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, pasi vlerësoi se ky vendim ishte marrë në kundërshtim me ligjin.
Pas apelimit të çështjes nga kërkuesi, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 1484, datë 17.12.2004, vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pushimin e gjykimit të çështjes, duke vërejtur se paditësi nuk legjitimohej për të ngritur padinë, pasi “... të drejtat e pronësisë për truallin e pretenduar rezulton se janë rrëzuar edhe me vendimin gjyqësor nr.9214, datë 14.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendim, i cili ka marrë formë të prerë dhe ku të paditur kanë qenë ndërhyrësit dytësor të këtij gjykimi”.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë pala Shyqyri Toska, ushtroi të drejtën e rekursit pranë Gjykatës së Lartë, e cila me vendimin nr.315, datë 23.3.2006 vendosi “... të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit dhe të dërgojë çështjen për rigjykim në po atë gjykatë ...” duke vërejtur, ndërmjet të tjerave, se pala Shyqyri Toska ka vërtetuar faktin e qenies pronar mbi sipërfaqen e pretenduar me anë të një vendimi gjyqësor, të cilin ai e ka regjistruar edhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pra, ka një titull pronësie të regjistruar dhe, për këtë arsye, legjitimohet të kundërshtojë vendimin e dhënë nga Komisioni.
Gjykata e Apelit Tiranë, pasi rishqyrtoi çështjen, me vendimin nr.223, datë 23.2.2007 vendosi “... lënien në fuqi të vendimit nr.4120, datë 13.10.2003 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë”.
Pas rekursit të ushtruar nga kërkuesi, Gjykata e Lartë, në Dhomën e Këshillimit, me vendimin nr.737, datë 30.5.2008 vendosi mospranimin e rekursit.
Në përbërjen e Dhomës së Këshillimit, e cila mori vendimin e mësipërm, morën pjesë 3 anëtarë që kishin qenë edhe në përbërjen e Kolegjit Civil që dha vendimin nr.315, datë 23.03.2006, i cili vendosi ta prishë vendimin e Gjykatës së Apelit dhe ta dërgojë çështjen për rigjykim.
Kërkuesi, Komuniteti Mysliman Shqiptar, përpara Gjykatës Kushtetuese (Gjykata), kërkon shfuqizimin si antikushtetues të vendimit nr.737, datë 30.5.2008 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë (Dhoma e Këshillimit) dhe të vendimit nr.223, datë 23.2.2007 të Gjykatës së Apelit Tiranë me pretendimin se këto vendime janë marrë nëpërmjet një procesi jo të rregullt ligjor duke parashtruar këto argumente:
- Gjykatat nuk kanë respektuar vendime gjyqësore dhe administrative të formës së prerë duke shkelur kështu parimin e sigurisë juridike, i cili presupozon respektimin e gjësë së gjykuar (res judicata).
- Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë (Dhoma e Këshillimit) ka shkelur parimin e paanshmërisë në gjykim.
- Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë (Dhoma e Këshillimit) i ka mohuar të drejtën për t’u dëgjuar në seancë gjyqësore.
Subjekti i interesuar Shyqyri Toska parashtroi këto prapësime:
- Nuk është në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar pretendimin e shkeljes së parimit të sigurisë juridike, pasi kërkuesi nuk e ka ngritur këtë pretendim në rekursin e paraqitur në Gjykatën e Lartë dhe për rrjedhojë, nuk ka shteruar mjetet juridike. Gjithashtu, kërkuesi e ka mbështetur këtë pretendim mbi argumente që lidhen me vlerësimin e provave, gjë që nuk hyn në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është shkelur parimi i sigurisë juridike, pasi vendimet gjyqësore dhe administrative nuk kanë pasur të njëjtin objekt.
- Nuk është shkelur parimi i paanshmërisë në gjykim, pasi Gjykata e Lartë me vendimin nr.315, datë 23.3.2006 nuk ka shqyrtuar çështjen në themel duke prishur vendimin e gjykatës së apelit për të lënë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit, por duke konstatuar shkelje të rënda procedurale dhe duke ia nënshtruar debatit mes palëve prishi vendimin e gjykatës së apelit nr.1484, datë 17.12.2004 dhe e ktheu çështjen për rigjykim. Kolegji Seleksionues i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.737, datë 30.5.2008 nuk ka rigjykuar çështjen, rrjedhimisht, gjyqtarët nuk kanë shfaqur mendim për çështjen në gjykim në kuptim të nenit 74 të Kodit të Procedurës Civile. Nuk është shkelur parimi i paanshmërisë në gjykim, pasi prania e 3 gjyqtarëve të njëjtë gjatë dhënies së vendimeve në Gjykatën e Lartë nuk përbën shkelje të karakterit kushtetues.
- Pretendimi i kërkuesit se i është mohuar e drejta për t’u dëgjuar në seancë gjyqësore nuk qëndron dhe nuk përbën shkelje të standardeve kushtetuese.
II
Gjykata i vlerëson pretendimet e kërkuesit në drejtim të standardeve që imponon e drejta për një proces të rregullt ligjor.
1. Kërkuesi, duke iu referuar nenit 131, shkronja “f” të Kushtetutës, ka pretenduar se i është shkelur e drejta e pronës si pasojë e një procesi jo të rregullt gjyqësor nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në Dhomën e Këshillimit dhe, nga Gjykata e Apelit Tiranë.
Gjykata Kushtetuese çmon, se në kuptim të nenit 131, shkronja “f” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, individi mund t’i drejtohet kësaj Gjykate për cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, pasi të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike.
Rregulli i vendosur nga dispozita e mësipërme kushtetuese e detyron kërkuesin, që për zgjidhjen e çështjes së tij, t’u drejtohet të gjitha instancave gjyqësore të zakonshme përpara se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Juridiksioni kushtetues për shkeljen e të drejtave themelore për një proces të rregullt bëhet i mundur kur kërkuesi shteron mjetet e ankimit pranë gjykatave të sistemit gjyqësor. Shterimi nënkupton që kërkuesi duhet t’i shfrytëzojë, në shkallët e sistemit gjyqësor, të gjitha mjetet e lejueshme dhe mundësitë procedurale për vendosjen në vend të të drejtave të pretenduara. Mjetet ligjore shterojnë kur, në varësi të rrethanave të çështjes, rregullat procedurale nuk parashikojnë mjete të tjera ankimi (shih vendimin nr.17, datë 18.7.2005 të Gjykatës Kushtetuese).
2. Lidhur me pretendimin e kërkuesit për shkeljen e parimit të sigurisë juridike si pasojë e mosrespektimit të parimit të gjësë së gjykuar (res judicata) nga Gjykata e Lartë dhe nga Gjykata e Apelit Tiranë, nga shqyrtimi i materialeve të çështjes, Gjykata Kushtetuese konstaton se kërkuesi nuk e ka ngritur këtë pretendim përpara Gjykatës së Lartë.
Rregulli i shterimit të mjeteve nënkupton jo vetëm që ankuesi t’u jetë drejtuar të gjitha instancave gjyqësore të zakonshme përpara se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por edhe që të gjitha pretendimet (shkaqet) që ngre në këtë Gjykatë, t’i ketë paraqitur më parë në të gjitha instancat e zakonshme gjyqësore, të paktën në substancë, duke respektuar kërkesat formale dhe afatet e parashikuara në ligjin procedural. Duke mos e ngritur këtë pretendim kërkuesi nuk ka shfrytëzuar mjetet efektive për të realizuar ndreqjen e shkeljes së të drejtës së tij për një proces të rregullt ligjor.
Lidhur me këtë është shprehur edhe Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (çështja Akdivar, etj. – kundër Turqisë; vendimi nr.21893, datë 16.9.1996, vëllimi 1996 – IV), e cila pranon se “... shterimi i mjeteve nënkupton që kërkuesi t’i drejtohet mjeteve që janë efektive dhe të mjaftueshme për të realizuar ndreqjen e shkeljeve të lejuara”.
Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se kërkuesi nuk ka shteruar të gjitha mjetet juridike sipas kërkesave të nenit 131, shkronja “f” të Kushtetutës dhe, pretendimi i tij për cenim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor si pasojë e shkeljes së parimit të sigurisë juridike nuk mund të shqyrtohet nga Gjykata.
3. Në lidhje me pretendimin e kërkuesit mbi cenimin e parimit të paanshmërisë së trupës së gjyqtarëve që përbënin Dhomën e Këshillimit, Gjykata thekson se analiza duhet zhvilluar nën dritën e jurisprudencës aktuale të vetë kësaj Gjykate, si dhe të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Neni 42, paragrafi 2 i Kushtetutës parashikon se: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë ... ka të drejtën e një gjykimi të drejtë ... nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.”
Koncepti në shqyrtim është i njohur dhe mbrohet edhe nga aktet ndërkombëtare, si: “Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike”, “Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut” (KEDNJ), të ratifikuara nga RSH e, për pasojë, pjesë e së drejtës së brendshme të saj (nenet 116 dhe 122 të Kushtetutës së RSH). KEDNJ në nenin 6 “E drejta për një proces të rregullt”, paragrafi “1”, parashikon: “Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht ... nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e caktuar me ligj, e cila do të vendosë ... për konfliktet mbi të drejtat dhe detyrimet me karakter civil ... .”
“Një nga elementet e rëndësishme të procesit të rregullt ligjor apo të procesit të drejtë të garantuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut është edhe ai i paanshmërisë së gjykatës në gjykimin e çështjes. Në këtë kuadër, Gjykata thekson se parimi i paanshmërisë ka në vetvete elementin e vet subjektiv, i cili lidhet ngushtë me bindjen e brendshme që krijon gjyqtari për zgjidhjen e çështjes në gjykim, si dhe elementin objektiv me të cilin kuptohet dhënia e garancive të nevojshme për gjykim të paanshëm nga vetë gjykata, përmes mënjanimit nga vetë ajo të çdo dyshimi të përligjur në këtë drejtim. Ndër të tjera, gjykata duhet të jetë e kujdesshme dhe duhet të marrë parasysh veçanërisht problemin e përbërjes së trupit gjykues, në mënyrë që të mënjanohen nga gjykimi i çështjes gjyqtarët që nuk kanë garancitë e kërkuara për paanshmëri në kuptimin objektiv. Në shtetin e së drejtës kjo kërkesë merr rëndësi të veçantë në funksion të besimit në dhënien e drejtësisë, që në shoqëritë demokratike, duhet ta krijojnë në çdo rast jo vetëm palët në gjykim, por dhe çdo qytetar i thjeshtë” (shih vendimin nr.12, datë 13.4.2007 të Gjykatës Kushtetuese). Karakteri thelbësor i rasteve të papajtueshmërisë i referohet në fakt hipotezës specifike në të cilën vlerësimi paragjykues, megjithëse është shprehur në një proces formalisht të ndryshëm nga aktuali, i përket një ngjarjeje thelbësisht të njëjtë për procesin, që mund, ose duhej të ishte gjykuar në kontekstin e vetë procesit. Paragjykimi eventual për paanshmërinë e gjyqtarit mund të ngrihet edhe në hipotezën se gjyqtari është shprehur në një procedim tjetër me një vlerësim që ka të bëjë me përmbajtjen e të njëjtit fakt, në lidhje me të njëjtin subjekt. (Shih më gjerë vendimet nr. 283/2000 dhe nr. 326/2002 të Gjykatës Kushtetuese të Italisë).
Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka evidentuar se parimi i paanshmërisë në gjykim, edhe në këndvështrim të përbërjes së trupit gjykues, duhet të respektohet në çdo shkallë të gjykimit, duke mos përjashtuar as shqyrtimin e çështjes në Dhomën e Këshillimit në Gjykatën e Lartë (Shih vendimin nr. 4, datë 25.02.2009 të Gjykatës Kushtetuese). Për Gjykatën është konsideruar “gjykatë e anshme” trupi gjykues, në përbërje të të cilit ka qenë i pranishëm qoftë edhe vetëm një gjyqtar, i cili në këndvështrimin objektiv nuk jep garanci për një gjykim të paanshëm. Gjykata ka theksuar se “... thjesht dhe vetëm pjesëmarrja e një apo më shumë gjyqtarëve në një procedim të mëparshëm, pavarësisht nga ndikimi i prezencës dhe i mendimit të tyre në të gjithë trupin gjykues, është një arsye e mjaftueshme dhe njëkohësisht një garanci më pak për kërkuesin, tek i cili është krijuar dyshimi i bazuar, se gjykata nuk ka qenë e paanshme në shqyrtimin e kësaj çështjeje”(Shih vendimin nr. 48, datë 30.07.1999 të Gjykatës Kushtetuese).
Në rastin në shqyrtim, kërkuesi ka vënë në dyshim paanësinë e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë për shkak se ata kanë marrë pjesë në dy gjykime me palë të njëjta. Gjykata çmon, se në përcaktimin nëse në këtë çështje ka arsye logjike për të dyshuar që këta tre gjyqtarë nuk kanë qenë të paanshëm, këndvështrimi i kërkuesit për këtë pretendim është i rëndësishëm, por jo vendimtar. Në fakt, vendimtar është nëse objektiviteti i këtyre dyshimeve është mjaftueshmërisht i bazuar.
Nga dokumentet e dosjes gjyqësore rezulton se tre nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që kanë shqyrtuar në gjykimin e parë rekursin e paraqitur nga subjekti i interesuar, kanë konkluduar se ai legjitimohej për të ngritur padinë, kanë prishur vendimin nr. 1484, datë 17.12.2004 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe, për këtë arsye, e kanë dërguar çështjen për rigjykim pranë po asaj gjykate. Po këta gjyqtarë, në gjykimin e dytë, kanë shqyrtuar dhe kanë konkluduar për mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila rigjykoi çështjen. Gjykata vlerëson se, pavarësisht nga forma dhe referenca ligjore e paraqitjes së pretendimeve të kërkuesit në të dy gjykimet, ato lidhen me shqyrtimin e të njëjtit fakt, me të njëjtat subjekte, pra me të njëjtin konflikt gjyqësor.
Është detyrë e Gjykatës të konkludojë nëse pjesëmarrja e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë në dy vendimet e dhëna për të njëjtën rrethanë të pretenduar, (ndërkohë që objektivisht kanë ekzistuar mundësitë për shmangien e tyre nga gjykimi) ka krijuar një dyshim të justifikuar te kërkuesi se vendimi i dhënë ka qenë produkt i një procesi të dyshuar si të njëanshëm.
Si përfundim, Gjykata konkludon se pretendimi i kërkuesit për cenimin e një prej elementeve të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor që lidhet me besueshmërinë e gjykatës për të qenë objektivisht e paanshme në perceptimin e publikut, është i drejtë. Për rrjedhojë, kërkesa që i përket pretendimit të dytë të kërkuesit është e bazuar dhe duhet pranuar.
4. Argumentin e tretë të kërkuesit mbi cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor nëpërmjet mohimit të së drejtës për t’u dëgjuar në seancë gjyqësore nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë (Dhoma e Këshillimit) Gjykata Kushtetuese e gjen të pabazuar. Gjykata Kushtetuese është shprehur në mënyrë konstante se është kompetencë e Kolegjit Civil (Dhoma e Këshillimit) të analizojë dhe vlerësojë nëse shkaqet e ngritura në rekurs janë në përputhje me kërkesat e ligjit. Në rast se Kolegji në Dhomën e Këshillimit krijon bindjen se shkaqet e ngritura në rekurs objektivisht nuk ekzistojnë në dosjen gjyqësore, atëherë është në kompetencën e tij të vendosë, në pajtim me kërkesat ligjore, mospranimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore.
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, duke u bazuar në nenet 131, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “ë” të Kushtetutës, si dhe në nenet 72 e 77 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,
VENDOSI:
- Shfuqizimin e vendimit nr. 737, datë 30.05.2008 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë (Dhoma e Këshillimit).
- Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
- Rrëzimin e kërkesës për pretendimet e tjera.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Anëtarë pro: Kujtim Puto, Vladimir Kristo (Kryetar), Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori, Sokol Berberi, Admir Thanza.
Anëtarë kundër: Fehmi Abdiu, Vitore Tusha, Sokol Sadushi.