Print Friendly, PDF & Email

Il provvedimento è disponibile nelle seguenti lingue:

BASHKËSIA ISLAME E SHQIPËRISË KOMUNITETI MUSLIMAN

STATUTI I KOMUNITETIT MUSLIMAN TË SHQIPËRISË*

(Tiranë 28 prill 2002)

Me Emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëmadhit

KREU I-

KOMUNITETI MUSLIMAN I REPUBLIKËS

SË SHQIPËRISË

DETYRAT DHE ORGANET E TIJ

Neni 1

Bashkësia Islame, Komuniteti Musliman i Republikës së Shqipërisë, përfaqëson të gjithë muslimanët e Republikës së Shqipërisë dhe mbron interesat e tyre fetare Islame.

Neni 2

Komuniteti Musliman ka për detyrë të ngjallë e të zhvilloje tek njerëzit ndjenjën e dashurisë ndaj fesë Islame, atdheut tonë dhe mbarë kombit shqipëtar.

Medh’hebi zyrtar i Bashkisë Islame, Komunitetit Musliman në Republikën e Shqipërisë, është medh’hebi Hanefi.

Neni 2/a

Selia e Komunitetit Musliman, është në Tiranë, kryeqyteti i vendit.

Neni 2/b

Stema e Komunitetit Musliman të Republikës së Shqipërisë, është xhamia qëndrore e Tiranës.

Neni 2/c

Vula e Komunitetit Musliman të Republikës së Shqipërisë, është e rrumbullakët, në mes ka figurën e xhamisë qendrore të Tiranës; rreth e qark xhamisë, është shkruar: Dëshmia Islame “La llahe il-lellah Muhamedun Resulullah”, “Republika e Shqipërisë, Bashkësia Islame e Shqipërisë, Komuniteti Musliman, Kryesia”.

Neni 3

Gjuha zyrtare e Komunitetit Musliman të Republikës së Shqipërisë, është gjuha Shqipe.

STRUKTURA

Neni 4

Organet e Komunitetit Musliman të Shqipërisë janë:

a)        Vendimore

1.      Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e tij.

2.      Kryesia e Komunitetit Musliman

3.      Këshillat e myftinive

b)      Ekzekutive

·           Kryetar i Komunitetit Musliman

·           N/Kryetari, Myftiu i Qendrës

·           N/Kryetari për çështjet islame

·           Sekretari i Përgjithshëm

·           Drejtoria e Thirrjes në Islam

·           Drejtoria Arsimore

·           Drejtoria Ekonomike

·           Zyra e Personelit

·           Zyra e Marrëdhënieve me Jasht

·           Myftinitë

Neni 5

Komuniteti Musliman, është i vetmi person luridi që ushtron aktivitet fetar të besimit Islam në Republikën e Shqipërisë dhe aktivitet umanitari nëpërmjet ndihmave që grumbullohen nga donatorët brenda dhe jasht vendit, duke respektuar legjislacionin dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

KREU II-

KËSHILLI I PËRGJITHSHËM

Neni 6

Këshilli i Përgjithshëm, është organi më i lartë i Komunitetit Musliman të Republikës së Shqipërisë dhe përbëhet nga: Anëtarët e kryesisë së Komunitetit Musliman, Myftitë e Zonave, Myftitë e rretheve dhe N/Myftitë, dy anëtar për çdo Myftini Zone dhe nga njjë anëtar për çdo Myftini Rrethi e N/Myftini, të cilët nuk do të jenë të punësuar në organikat e Komunitetit Musliman dhe do të kenë të gjitha cilësitë e duhura, të përshkruara në Rregulloren e Brendëshme. Anëtarët e Këshillit të përgjithshëm duhet të jenë banorë të Republikës së Shqipërisë, të paktën prej dy brezash dhe jo me shtetësi të dyfishtë.

Mandarti i anëtarit të Këshillit të përgjithshëm vazhdon për pesë (5) vjet.

Në përbërje të Këshillit të Përgjithshëm funksionojnë;

Komisioni i thirrjes në Islam

Komisioni i Revizionimit

Komisioni i Arsimit

Komisioni i Mandateve.

Neni 6/1

Komisionet e Këshillit të Përgjithshëm kanë detyrë kontrolli dhe mbikqyrje në qendër dhe në myftinitë, për realizimin e detyrave të vëna nga Këshilli i Përgjithshëm në periudhën në mes dy mbledhjeve të këtij Këshilli dhe raportojnë në mbledhjen e ardhëshme të Këshillit të Përgjithshëm.

Kryetari i çdo komisioni të Këshillit të Përgjithshëm paraqit me shkrim në Kryesinë e Komunitetit Musliman realizimin e detyrave të lëna nga Këshilli i Përgjithshëm.

Komisionet kanë të drejtë të aktivizojnë edhe specialistë jo anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, vetëm me miratimin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm.

Neni 6/2

Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm përbëhet nga kryetarët e komisioneve të zgjedhur nga Këshilli i Përgjithshëm. Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm do të jetë me rotacion një vjeçar, secili nga kryetarët e komisioneve.

Kryetarët e Komisioneve duhet të jenë myftinj; anëtarët e komisioneve janë specialistë të fushave përkatëse.

Cilësitë e Kryetarëve të Komisioneve përshkruhen në Rregulloren e Brendëshme të Këshillit të Përgjithshëm.

Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm ka këto detyra:

Organizon zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm dhe të Këshillave të myftinive.

Ndjek zbatimin e punës së komisioneve të Këshillit të Përgjithshëm.

Përgatit mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, njofton anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për mbledhjen e rradhës dhe vë në dispozicion të tyre rendin e ditës dhe materialet e mbledhjes 15 ditë përpara datës së mbledhjes.

Kryeson mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm

Pasqyron, publikon dhe ndjek zbatimin e vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm.

Mban dokumentacionin e Këshillit të Përgjithshëm, siguron ruajtjen e plotë të këtij dokumentacioni dhe arshivimin e tij.

DETURAT E KËSHILLIT

TË PERGJITHSHËM

Neni 7

Detyrat e Këshillit të përgjithshëm janë:

Shqyrton dhe miraton ndryshimet e bëra në Statutin e Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe në rregulloret përkatëse; shqyrton dhe miraton buxhetin preventive e konsumativ; kontrollon veprimtarinë e të gjitha organeve që përfshinë neni 4 i këtij statute; vendos mbi të gjithë për investimet në vakufe; kujdeset për edukimin fetar, për kulturën fetare dhe për përmbushjen e detyrave të funksionerëve; emëron të gjithë strukturat ekzekutive të Komunitetit Musliman; zgjedh me votim të hapur Kryetarin e Komunitetit Musliman; organizon ndarjen e myftive sipas ndarjes administrative  të vendit; vendos për emërimin dhe shkarkimin e të gjithë titullarëve të strukturave ekzekutive; jep dhe heq ofiqe fetare; shqyrton dhe miraton raportin vjetor të Komunitetit Musliman të paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm në emër të Kryesisë së Komuitetit Musliman dhe miraton ose jo vendimet e Kryesisë së Komunitetit Musliman për periudhën ndërmjet dy mbledhjeve të Këshillit të Përgjithshëm.

Neni 8

Këshilli i Përgjithshëm mblidhet në:

a)      Mbledhje të zakonshme,

b)     Mbledhje të jashtzakonshme.

Në mbledhjen e zakonshme mblidhet dy herë në vit.

Në mbledhje të jashtëzakonshme, mblidhet me kërkesën e Kryetarit të Komunitetit Musliman, ose me kërkesën e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, ose me kërkesën e 1/3 të anëtarëve Këshillit të Përgjithshëm.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme, këshilli shqyrton dhe merr vendim vetëm për çështjen e caktuar për të cilën është mbledhur.

Mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm zhvillohet me pjesëmarrjen e jo më pak se 2/3 të anëtarëve të tij.

Vendimet e Këshillit të Përgjithshëm, konsiderohen të miratuara kur janë votuar nga 50+1 e pjesëmarrësve në mbledhje.

Vendimet e Këshillit të Përgjithshëm publikohen në organet e shtypit të Komunitetit Musliman dhe, sipas rastit dhe rëndësisë edhe në masmedia.

KREU III-te

KRYESIA E

KOMUNITETIT MUSLIMAN

Neni 9

Komuniteti Musliman i Shqipërisë përfaqësohet nga:

1 – Kryetari

2 – N/Kryetari – Myftiu i Qendrës

3 – N/Kryetari – Për çështjet Islame

4 – Sekretari i Përgjithshëm

Në kryesinë e Komuniteti Musliman marrin pjesë edhe Drejtori i Drejtorisë së Thirrjes në Islam, Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Drejtori i Drejtorisë Ekonomike dhe Shefi i Zyrës së Personelit.

Kryesia e Komunitetit Musliman ndjek në vazhdimësi dhe ditë për ditë, të gjitha problemet që kanë të bëjnë me drjtoritë, sektorët, dhe myftinitë; organizon ceremonitë fetare dhe pritje me raste festash, si dhe vizita të ndryshme që bëhen në Komunitetin Musliman.

Neni 10

Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, është titullari i parë dhe përfaqëson Komunitetin Musliman në të gjitha llojet e aktiviteteve islame dhe zyrtare.

Kryetari i Komunitetit Musliman zgjidhet prej Këshillit të Përgjithshëm me mandate pesë (5) vjeçar dhe duhet të ketë kryer fakultet islam, të dijë arabisht, mundësisht edhe ndonjë gjuhë europiane, të jetë i njohur si veprimtar në shërbim të Islamit dhe të ketë eksperiencë drejtuese deri në 10 vjet.

Neni 11

Kryetari i Komunitetit Musliman, pasi zgjidhet, betohet përpara Këshillit të Përgjithshëm sipas kësaj formule: Betohem në emër të Allahut se do të ruaj e do të zbatoj me besnikëri e me përkushtim urdhërat e Islamit; do të punoj me ndërgjegje të plotë islame për lartësimin e fesë së Allahut; do të zbatoj me përpikmëri Statutin dhe rregulloret e Komunitetit Musliman dhe do të punoj me ngulm për forcimin e ndjenjës kombëtare e atdhedashurinë ndër muslimanët e Republikës së Shqipërisë.”

Neni 12

Kryetari i Komunitetit Musliman përfaqeson muslimanët e Republikës së Shqipërisë në pikpamje fetare dhe është superiori i të gjitha zyrave të Komunitetit Musliman; me anë të organeve vartëse rregullon dhe kontrollon të gjitha veprimet e Komunitetit Musliman dhe kryeson mbledhjet e Kryesisë; prin në të gjitha detyrat islame me rastin e festive Islame. Kryetari si përgjegjësi kryesor i Komunitetit Musliman raporton dhe jep llogari përpara Këshillit të Përgjithshëm, për të gjithë aktivitetin islam, administrative, financiar, kulturor, edukativ dhe të marrëdhënieve të brendëshme e të jashtme të Komunitetit Musliman.

Neni 13

N/Kryetari Myftiu i qendrës, emërohet prej Këshillit të Përgjithshëm. N/Kryetari Myftiu i qendrës mbulon problemet fetare në qendër e në të gjitha Myftinitë;

Gjithashtu në mungesë të Kryetarit, mbulon drejtimin e të gjithë aktivitetit në Komunitetin Musliman.

N/Kryetari Myftiu i qendrës duhet të ketë kryer fakultet islam. Ai detyrimisht duhet të dijë mirë arabishten, mundësisht edhe një gjuhë perëndimore, të jetë i njohur si veprimtar islam, të ketë eksperiencë drejtuese deri në 10 vjet.

Neni 14

N/Kryetari për çështjet islame, emërohet nga Këshilli i Përgjithshëm, ai duhet të ketë kryer fakultet islam, detyrimisht duhet të dijë arabisht, mundësisht edhe një gjuhë perëndimore, dhe të ketë eksperiencë drejtuese deri në 10 vjet. N/Kryetari për çështjet islame ka në varësi Drejtorinë e Thirrjes në Islam dhe Drejtorinë Arsimore.

Neni 15

Sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Musliman, emërohet prej Këshillit të Përgjithshëm. Sekretari i përgjithshëm është personi administrativ i Kryesisë dhe i adminstratës së Komunitetit Musliman. Nën varësinë e Sekretarit të përgjithshëm janë Drejtoria Ekonomike, Zyra e Marrëdhënieve me Jasht, dhe zyra e Personelit.

Sekretari i Përgjithshëm duhet të ketë kryer fakultet islam, ose të ketë arsim të lartë dhe medresenë; të ketë përvojë administrative; të njohë mirë marrëdhëniet ndërmjet Drejtorive të Komunitetit Musliman e ndërmjet Myftinive; të njohë rrugët ligjore për çështjet që kanë lidhje me aktivitetin e me marrëdhëniet e Komunitetit Musliman me organet e shtetit shqiptar e me organizatat humanitare islame; të jetë i njohur si veprimtar islam, të ketë eksperiencë drejtuese deri në 10 vjet.

Neni 16

Në qendër të Komunitetit Musliman ndodhet Kryesia e cila përbëhet prej Kryetarit të Komunitetit Musliman, N/Kryetari Myftiu i Qendrës, N/Kryetari për çështjet Islame e Sekretarit të Përgjithshëm, Drejtori i Thirrjes në Islam, Drejtori i Arsimit, Drejtori Ekonomik dhe Shefi i Personelit.

Kjo Kryesi është parmanente në aktivitetin e saj, shqyrton dhe vendos mbi çështjet e përditshme të Komunitetit Musliman si: kontrollon, shqyrton, vendos mbi botimin e librave fetare, shkollat fetare, kurset, siguron botimin e një reviste fetare, sociale e letrare dhe botime të tjera në gjuhën amtare. Vendos mbi emërimin, pushimin e transferimin e punonjësve të Komunitetit Musliman. Vendos për nxjerrjen e nxënësve e studentëve jashtë shtetit dhe harton rregulloret e nevojshme të cilat ia paraqet Këshillit të Përgjithshëm për miratim.

KREU IV-

DREJTORITË DHE SEKTORËT E KOMUNITETIT USLIMAN

DREJTORIA THIRRJES NË ISLAM

Neni 17

Drejtoria Thirrje në Islam zbaton me përpikmëri planin vjetor të hartuar prej Drejtorit të saj dhe të miratuar nga Kryesia e Komunitetit Musliman.

Drejtori i Drejtorisë Thirrje në Islam emërohet nga Këshilli i Përgjithshëm. Drejtori dhe nëpunësit e tjerë të kësaj Drejtorie, duhet të kenë kryer një fakultet Islam, patjetër duhet të dinë arabisht dhe një gjuhe perëndimore.

Drejtori i kësaj Drejtorie, është përgjegjës kryesor për të gjitha llojet e thirrjes në Islam, ka përgjegjësi të plotë për brendinë e për cilësinë e materialeve të botuara në organin e Komunitetit Musliman, si dhe për brendinë e librave që botohen nga kjo Drejtori. Drejtoria Thirrje në Islam ka detyrë të bëjë organizimin e thirrjes islame, të përgatisë hutbe e ligjërata, të përgatisë materiale kulturore e fetare islame për radiotelevizion, të nxjerrë shtypin periodik, të organizojë e të aktivizojë sektorët e rinisë e të gruas dhe të intelektualëve nëpër rrethet e vendit, të ndjekë e të pasqyrojë me përparësi të gjitha aktivitetet e Komunitetit Musliman.

Drejtoria Thirrje në Islam është nën varësinë e N/Kryetarit të Çështjeve Islame, me të cilin konsultohet për të gjitha çështjet që mbulon.

DREJTORIA ARSIMORE

Neni 18

Drejtori i Drejtorisë Arsimore organizon, kontrollon dhe mbulon të gjithë punën e problemet e arsimit islam nëpër medresetë, nëpër institutet islame që funksionojnë me miratimin e Komunitetit Musliman, si edhe nëpër kurset islame që funksionojnë nëpër xhamitë me miratimin e myftinive dhe me kurset islame që organizojnë shoqatat në qendrat islamike ose në ambiente të tjera të miratuara nga Komuniteti Musliman.

Drejtoria Arsimore harton programin mësimor unik të lëndëve islame, për të gjitha medresetë. Programi i lëndëve islame, është në përputhje të plotë me medh’hebin hanefij dhe i detyrueshëm për të gjitha medrestë.

Drejtori i Drejtorisë Arsimore emërohet nga Këshilli i Përgjithshëm; ndjek zbatimin e marrëveshjeve të lidhura me shoqatat islame sponsorizuese të medreseve, mban lidhje pune me Ministrinë e Arsimit dhe me shoqatat islame që janë deklaruar për të dhënë ndihmesën e tyre në fushën e arsimit e të edukimit islam, gjithashtu ai hyn ne marrëdhënie pune për fushën e arsimit islam edhe me institucione arsimore islame në vendet e tjera.

Kjo Drejtori është nën varësinë e N/Kryetarit për Çështjet Islame, me të cilin konsultohet për të gjitha problemet që mbulon.

Neni 19

Drejtoria Arsimore organizon shpërndarjen e teksteve mësimore dhe të litereturës islame për medresetë dhe kurset, njëkohësisht kontrollon ecurinë e mësimeve në medresetë dhe kurset e ngritura nga Komuniteti Musliman.

Neni 20

Drejtori i Drejtorisë Arsimore duhet të ketë kryer fakultet teologjik ose një degë të fakultetit pedagogjik edhe medresen, të dijë arabisht, mindësisht edhe një gjuhë evropiane.

DREJTORIA EKONOMIKE

Neni 21

Drejtoria Ekonomike, administron financën e Komunitetit Musliman dhe përgatit planet për shtimin e të ardhurave. Drejtori i kësaj drejtorie emërohet nga Këshilli i Përgjithshëm; plotëson kushtet e përshkruara në Nenet e Statutit e të Rregullores së Brëndëshme, ka arsim të lartë ekonomik. Është përgjegjës kryesor për efikasitetin ekonomik dhe financiar të Komunitetit Musliman; përgatit buxhetin e përgjithshëm preventiv e konsumativ të Komunitetit Musliman, ndjek marrjen dhe vënien në eficiensë të pronave të vakfit si dhe të gjitha objektet që janë nën juridiksionin, dhe në pronësinë e këtij Komuniteti.

Drejtoria Ekonomike është në varësi të Sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Musliman.

PËRGJEGJËSI I ZYRËS SË PERSONELIT

Neni 22

Përgjegjësi i Zyrës Personelit emërohet nga Kryesia e Komunitetit Musliman dhe miratohet në Këshillin e Përgjithshëm.

Përgjegjësi i Zyrës Personelit ka detyrë të sigurojë dokumentacionin e plotë për të gjithë punonjësit e strukturave të Komunitetit Musliman.

Përgjegjësi i Zyrës Personelit është nën varësinë e Sekretarit të Përgjithshëm.

Përgjegjësi i Zyrës Personelit mban arkive të plotë për punonjësit aktualë dhe për ata që kanë punuar në nomenklaturat e Komunitetit Musliman.

Neni 23

Përgjegjësi i Zyrës Personelit ka arsim të lartë islam, ose arsim të lartë profesional, por duhet të ketë kryer edhe medresenë.

ZYRA E MARRËDHËNIEVE ME JASHT

Neni 24

Zyra e Marrëdhënieve me jasht, është nën varësinë e Sekretarit të Përgjithshëm. Kjo Zyrë ndjek e zbaton programin e lidhjeve dhe komunikimeve që ka Komuniteti Musliman me institucionet islame, me shoqatat, organizatat dhe fondacionet islame e jo islame, të brendshme e të jashtme; ndjek praktikën e vizitave që bëhen në Komunitetin Musliman, si dhe të vizitave që bëjnë titullarët e Komunitetit Musliman në përgjigje të ftesave që u janë drejtuar.

Neni 25

Nëpunësit e kësaj zyre, janë me arsim të lartë dhe mund të mos kenë kryer fakultet Islam, por patjetër duhet të dijnë arabisht ose anglisht.

KREU V-të

MYFTINITË E ZONAVE, MYFTINITË

E RRETHEVE DHE KËSHILLAT E MYFTINIVE

Neni 26

Myftinitë ndahen në:

1 – Myftini Zonash,

2 – Myftini Rrethesh,

a – Myftinitë e zonave janë: Myftina e Tiranës, Shkodrës, Korçës, Gjirokastrës, Dibrës dhe Beratit.

Myftiu i Tiranës quhet edhe Myfti i Qendrës

b – Myftinitë e Rretheve janë sipas ndarjes administrative të rretheve të shtetit shqiptar. Konsiderohen rrethe ndarjet administrative të shtetit shqiptar.

c – Zv/Myfti janë sipas Bashkive

Myftina e Qendrës, organizon në qendër dhe në të gjithë myftinitë e tjera, procedurën e kurorëzimit islam sipas një procedure të veçantë.

Neni 27

Myftinitë pasi marrin emërimin në Këshillin e Përgjithshëm, betohen sipas kësaj formule: << Betohem në emër të Allahut se do të zbatoj me besnikëri Statutin e Komunitetit Musliman; do të kryej detyrën me ndërgjegje të pastër Islame e kombëtare duke ruajtur besnikërinë fetare dhe rregullat e këtij Komuniteti.

Neni 28

Në qendrat e zonave detyrën drejtuese e kryen myftiu i zonës, kurse në qendrën e rretheve detyrën drejtuese e kryen myftiu i rrethit. Myftitë komunikojnë direkt me Komunitetin Musliman. Myftinjtë e zonave kanë detyrën e mbikqyrjes në myftinitë e rretheve vetëm për problemet që i përkasin zonës. Kryesia ka të drejtë t’i delegojë kompetenca ekzekutive e vendimarrëse myftive të zonave për probleme përkatëse sipas një rregulloreje të veçantë.

Neni 29

Myftinjtë duhet të kenë kryer fakultete teologjike ose medresen e të kenë përvojë në detyrat fetare 3-5 vjet.

Neni 30

Detyrat e myftiut janë: Të zbatojë Statutin e Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe aktet nënligjore të tij, vendimet e porositë e Komunitetit Musliman, të administrojë e të kontrollojë me përgjegjësi të plotë pasurinë vakfnore, të përpiqet për nxjerrjen e të ardhurave, të përhapë libra e revista fetare.

Neni 31

Myftiu do të ketë një këshill i cili vepron nën kryesimin e tij. Ky këshill përbëhet nga 5 deri në 15 anëtarë të cilët zgjidhen dhe funksionojnë për pesë (5) vjet sipas rregullores së posaçme. Administratori i vakfit është automatikisht anëtar i këtij këshilli.

Neni 32

Miratimi për shkarkim i titullarëve të Komunitetit Musliman të Shqipërisë është kompetencë e Këshillit të Përgjithshëm.

Vendimi për shkarkim dhe heqjen e ofiqeve fetare bëhet kur:

a)      Për shkaqe të përligjura si; shkelje Statuti, ulje e figurës morale, shpërdorim besimi dhe cënim i zakoneve të mira.

b)     Kur konstatohet paaftësi mendore dhe fizike.

Neni 33

Pushimi i Kryetarit të Komunitetit Musliman, bëhet me vendim të Këshillit të përgjithshëm dhe sipas dispozitave të këtij Statuti.

Neni 34

Kryesia ka të drejtë të pezullojë ndërmjet dy mbledhjeve të Këshillit të Përgjithshëm, myftitë e zonave, të rretheve, zv/myftitë dhe funksionarë rë tjerë dhe ia paraqet Këshillit të Përgjithshëm në mbledhjen e rradhës. Shkarkimi i tyre bëhet vetëm nga Këshilli i Përgjithshëm.

Neni 35

Kundër veprimit të Kryesisë së Komunitetit Musliman i interesuari mund t’i drejtohet me shkrim Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm e cila ia paraqet Këshillit të Përgjithshëm dhe ky i fundit në prani të interesuarit vendos përfundimisht mbi vendimin e Kryesisë së Komunitetit Musliman; pushim, kthim në detyrën e mëparshme apo emrim në detyrë tjetër.

KREU VI-

NËPUNËSIT E KOMUNITETIT MUSLIMAN

Neni 36

Në qendër e në rrethe, sipas strukturës organizative të aprovuar nga Këshilli i Përgjithshëm emërohen punonjës të ndryshëm me vendim të Kryesisë së Komunitetit Musliman.

Në xhami, emërohen Imam, Vaiz, Hatib, Muezin e punonjës shërbimi me vendim të Kryesisë së Komunitetit Musliman.

Punonjësit fetarë apo civilë në rrethe, emërohen me propozimin e Myftinive të rretheve.

Neni 37

Organizimi i zyrave dhe hollësira mbi të drejtat e mbi detyrat e nëpunësve të të gjitha kategorive si dhe mbi cilësitë e tyre dhe masat disiplinore ndaj tyre, caktohen në bazë të një rregulloreje të posaçme.

KREU VII-të

VAKUFET ISLAME

Neni 38

Të gjitha vakufet islame, janë pasuri e patundshme e Komunitetit Musliman dhe administrohen nga Drejtoria Ekonomike duke zbatuar me përparësi dispozitat e rregullores së posaçme e duke marrë parasysh nevojat lokale.

Neni 39

Të gjitha vakufet islame, janë në dispozicion të Komunitetit Musliman. Të ardhurat nga vakufet formojnë pjesën kryesore të buxhetit të përgjithshëm të Komunitetit Musliman. Të ardhurat nga vakufet, nxirren e rregjistrohen, si të gjithë të ardhuarat e tjera të këtij Komuniteti.

Neni 40

Drejtori i Drejtorisë Ekonomike është i detyruar të regjistrojë të gjitha dokumentat e vakufeve dhe të sigurojë nxjerrjen e të ardhurave të tyre në emër të arkës së përgjithshme të Komunitetit Musliman sipas sistemit financiar.

Neni 41

Myftinjtë, brenda rrethit të tyre, kur nuk kanë administrator, kryejnë edhe detyrën e administratorit, sipas rregullores dhe porosive të dhëna nga Drejtoria Ekonomike.

KREU VIII-

BUXHETI I KOMUNITETIT MUSLIMAN

Neni 42

Drejtoria Ekonomike, pasi merr raportet financiare nga Rrethet, përgatit buxhetin e përgjithshëm, i cili pasi diskutohet në Kryesi, i paraqitet Këshillit të Përgjithshëm për miratim, në të njëjtën kohë, kjo Drejtori paraqet në Kryesi edhe buxhetin konsumativ të vitit të kaluar.

Neni 43

Buxheti i përgjithshëm i Komunitetit Musliman, përmbledh të gjitha të ardhurat nga vakufet, si dhe të gjitha shpenzimet e parashikuara. Asnjë e ardhur, sado e vogël që të jetë, nuk lihet pa u përfshirë në buxhet; dhe asnjë shpenzim nuk mund të bëhet veçse në bazë të buxhetit.

Neni 44

Viti financiar i Komunitetit Musliman, fillon me datën 1 janar dhe mbyllet me datën 31 dhjetor. Nëse për ndonjë arsye nuk arrin të përgatitet buuxheti preventiv në kohë, Komuniteti Musliman, do të bëjë shpenzimet në bazë të buxhetit të vitit të kaluar deri sa të aprovohet buxheti. Për kontrollin e aktivitetit financiar të pronave e të investimeve, Komisioni i Revizionimit i Këshillit të Përgjithshëm, bën verifikimin për zbatimin e vendimeve të Kryesisë së Komunitetit Musliman dhe Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm, të cilave iu raporton me shkrim për çdo kontroll që kryen.

Neni 45

Të ardhurat e Komunitetit Musliman janë:

1.      Të ardhurat vakfnore

2.      Dhuratat e donacionet e ndryshme

3.      Aktivitete fitimprurëse të pranueshme në sheriatin islam.

Myftinitë janë të detyruara që për pikën 1 dhe 3 të këtij Neni të derdhin 30% në arkën e Komunitetit Musliman.

Neni 46

Të gjitha të ardhurat e Komunitetit Musliman të Shqipërisë nxirren kundrejt veprimeve financiare të rregullta ose inkasohen direkt në bankë.

KREU IX-

XHAMITË

Neni 47

Xhamitë janë pronë e patundëshme e Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe nën juridiksionin e tij.

Xhamitë ndërtohen e riparohen vetëm me lejen e Komunitetit Musliman të Shqipërisë.

Neni 48

Xhamitë administrohen vetëm nga Komuniteti Musliman. Personeli teolog administrativ emërohet nga organet e tij. Në xhami dhe në ambientet rreth saj zhvillohen kurse islame vetëm me leje të myftinisë.

KREU X-të

MEDRESETË DHE KURSET

Neni 49

Komuniteti Musliman hap dhe mban sipas nevojave në rrethe shkolla fetare të të gjitha niveleve e cikleve në përputhje me legjislacionin shqiptar. Ato janë shkolla që funksionojnë vetëm me shkëputje nga puna.

Të gjitha institucionet arsimore fetare si medresetë, institutet dhe qendrat kulturore janë pronë e Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe administrohen prej tij.

Programet miratohen vetëm prej Komunitetit Musliman.

Neni 50

Në medresenë me konvikt mund të vazhdojnë shkollën edhe nxënës të jashtëm.

Neni 51

Drejtori i Medresesë duhet të ketë arsim të lartë teologjik dhe i gjithë trupi mësimor duhet të ketë arsim të lartë përkatës.

Neni 52

Komuniteti Musliman i Shqipërisë me qëllim sigurimin e funksionarëve fetare, qoftë vetëm për kulturë fetare, organizon nëpër xhamitë e qyteteve dhe të fshatrave apo pranë medreseve kurse të posaçme ku koha dhe llojet e mësimeve në këto kurse do të caktohen nga programe të veçanta.

Neni 53

Organizimi I brendëshëm i medreseve, programi, dokumentimi si dhe detyra e personelit të tyre caktohen me rregullore të posaçme. Medresetë janë në varësi të Komunitetit Musliman.

KREU XI-

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 54

Kryesia e Komunitetit Musliman, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me aktet e tjera ligjore e nënligjore të shtetit shqiptar, organizon administratën e Komunitetit Musliman.

Neni 55

Asnjë pasuri e patundëshme e Komunitetit Musliman, nuk mund të tjetërsohet apo të ndërrohet pa vendim të Këshillit të Përgjithshëm apo të Kryesisë, sipas rëndësisë dhe kohës.

Neni 56

Statuti dhe Rregullorja e Brendëshme e Komunitetit Musliman, hyjnë në fuqi dhe janë të detyrueshme, pasi marrin miratimin e Këshillit të Përgjithshëm.

Vendimet e Këshillit të Përgjithshëm, botohen në gazetën e Komunitetit Musliman dhe sipas rëndësisë edhe në organet masmedias.

Neni 57

Vetëm Këshilli i Përgjithshëm me pjesëmarrjen e 2/3 të anëtarëve të tij ka të drejtë të bëjë ndryshime në këtë statut.

Neni 58

Vetëm Këshilli i Përgjithshëm me 50+1% të votave të pjesëmarrësve ka të drejtë të bëjë ndryshime në këtë Statut.

Neni 59

Komuniteti Musliman i Shqipërisë bashkëpunon dhe bën marrëdhënie me bashkësitë islame të vendeve të tjera, me shoqata të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.

KREU XII-

TARIKATET

Neni 60

Gjithë Tarikatet janë pjesë përbërëse e Komunitetit Musliman të Republikës së Shqipërisë.

Në raste të veçanta, mund të thirren në Kryesinë e Komunitetit Musliman Kryetarët e tarikateve që kanë marrëdhënie me Komunitetin Musliman.

Neni 61

Kryesia e Komunitetit Musliman, në përshtatje me ecurinë e zhvillimeve juridike që ndodhin në Republikën e Shqipërisë dhe për të legjitimuar problemet e reja që mund të dalin gjatë veprimtarisë së përditëshme, ka të drejtë të bëjë amendamente në Statut e në Rregulloren e Brendëshme dhe këto amendamente i shtron për miratim në mbledhjen e rradhës së Këshillit të Përgjithshëm.

Neni 62

Ky Statut hyn në fuqi menjëherë.

KËSHILLI I PËRGJITHSHËM

Tiranë, 2002

* Statuti i Komunitetit Musliman të Shqipërisë,

miratua më 14 shkurt 1991, me ndryshimet që

janë bërë në vitet 1993, 1995, 1998 dhe 2002.

U miratua me vendim të Keshillit të

Përgjithshëm më28 prill 2002.

Shtypur: “GEER” TIRANË, 2002

 

© GC

Trascina file per caricare