Print Friendly, PDF & Email

The measure is available in the following languages:

Statuti I Trupit ( Xhema-atit) Mysliman Shqipëtarë

Tiranë, më 26-VII-925.)

Neni 1.

Për përmirësimin e rregullimin e trupit Mysliman u formue trupi (Xhema-atit) Islamija në Shqipënië.

Xhema-ati Islamija përbahet me këto këshilla:

a)      – Këshilli i Naltë i Sheriatit

b)      – Këshillat e Xhema-atit

Neni 2.

Këshilli i Naltë i Sheriatit formohet në kryeqytet prej 4 vetash të zgjedhun nga Kongresi, njëni për kryetar dhe dy të tjerë antarë e nji ndihmës antari.

Neni 3.

Kongresi Mysliman mblidhet në kryeqytet prej përfaqsuesvet të dërguem nga ç’do Prefekture e N.Prefekture.

Neni 4.

Delegatet e Kongresit mbasi të zgjedhin parinë e përkohëshme pa fillue në detyrë betohen si pason:

Mënyra e betimit. 

Për të kryemit e detyrës së ngarkueme si mbas statutit të Xhema-atit shkroje përshkroje me ndërgjegje të pastër tue qëne i larguem nga interesat personale e krahinare betohem n’emën të ZOTIT Vall-llahi Bil-lahi, Tall-llahi.

Neni 5.

            Kryetari i Këshillit Naltë të Sheriatit përfaqson trupin Mysliman në Shqipnië me titullin “ MYFTI I PËRGJITHSHËM”.

Neni 6.

            Myftiu i përgjithshëm do të ketë marrë Ishazet ose të ketë mbarue shkollën e Nyv-vatit, do të ketë zotsie të plotë në djeninë fetare e morale kombëtare, do të dije me shkrue e me këndue shqip e do të ketë mbush 25 vjetë e të mos jetë i dënuem prej as ndonjë gjyqit ordiner.

 

Neni 7.

            Antarët e Këshillit të Naltë të Sheriatit do të zgjidhen me çilësinat e tregueme në nenin (6) edhe ndihmës antari do të jetë prap prej asajë dege me dijenië të mjaftueshme e me morall kombtarë.

Neni 8.

            Këshilli i Naltë i Sheriatit zgjidhet me shumicë votash nga Kongresi të gjithë prej rracës shqiptare njëni prej tre antarvet preferohet e dekretohet nga Kryetari i Republikës Shqiptare për Kryemyfti e dy të tjeret mbeten për antarë.

            Dy antarët dhe ndihmës antari dekretohen nga Kryetari i Këshillit të Naltë të Sheriatit. Ndihmës antari merr pjesë në këshillat me votë këshilluese (Rej-i Istishariaj) dhe në munges të nji antari zen vendin e tij.

 

Neni 9.

            Në mungim provizuer të Kryemyftiut, antari ma i vjeter zen vendin e tij e në rast të mangimi kryekëput prej shërbimit, dekretohet me dekret nga Kryetari i Republikës Shqiptare si zavendës njëni prej dy antarvet e ne vend të tij vazhdon ndihmës antari edhe në mungim të tij merret përkohëshisht Myftiu i vendit.

Neni 10.

            Këshilli i Naltë i sheriatit zgjidhet për katër vjetë.

Neni 11.

            Drejtori i Përgjithshëm i Vakfvet asht antarë i natyrshem i Këshillit të Nalte të Sheriatit në çështje administrative.

Neni 12.

            Detyrat e Këshillit të Naltë të Sheriatit janë:

a)Të sigurojë njisinë ndërmjet Myslimanvet, e të shfaqi shpirtin e qëllimin e Sheriatit tue shduk gjithë (Hurafater) e zakonet e këqija të cilat nuk kanë të bajnë me Islamizmën.

b)Të ngrehë institute për me nxjerrë Vaiz, Myfti, Myderris, Theologë (Myteqe limijin), Imam e Hatibë e të përmirsojë Medreset mbas prenispeve e metodavet modernik dhe të ngrehi streha vorfnore ku mëndyra e organizimi i te cilavet rregullohet në bazë të rregullorevet të posaçme.

c)Të shqyrtojë e të studjojë rraportat e paraqituna nga Drejtorija e përgjithëshme e Vakfevet e të kontrollojë buxhetin e përgjithëshëm të pergatitum nga ajo Drejtorie për me i’a paraqit Kongresit ose Këshillit Kontrollues për shqyrtim e vërtetim.

ç)T’emnojë e të heq si mbas rregullave të gjith nënpunësat sheri e te vakfevet.

d)Të shqyrtojë e të zgjedhi çashtjet e paraqitura gjithashtu edhe Ilamet e Sherisë t’ardhuna për diktim e vërtetim e fetvanat (Ihtihad).

dh)Të përgatisi gjith rregulloret e nevojshme për rregullin e administrimit të përgjithshëm.

e)  Të sigurojë botimin e nji riviste të paktën nji herë në muej dhe të përkthej libra të nevojshme.

ë)   Të përkujdeset me sigurue mësimin e besimit e të përgatisi me gjuhën Kombëtare hytbe e predikime (Këshillime) e libra si mbas shekullit të sotshëm.

-B-

Neni 13.

            Në ato qendra qi do të ketë Myfti ose Naiba nën Kryesinë e tyne veprojnë Këshillat e qendrës së Xhema-atit me nga 4-6 antarë si mbas sasisë së popullsisë te zgjedhun si mbas rregullores së posaçme e të vërtetueme nga kongresi.

Neni 14.

            Antarët e Keshillavet të Xhema-atit të qendravet zgjidhen si mbas rregullores së posaçme të cilët do të jenë me moral të mirë e të pa dënuem me delikte morale e me ditë këndim e shkrim në gjuhën kombtare.

Neni 15.

Myftit dhe Naibat do të kenë këto cilesië:

a)Të ketë dalë prej shkollës Nye-vabit ose të kenë marre ixhazzet ose të ketë zotesi praktike.

b)Të jetë prej rracës shqiptare e nënshtetas shqiptarë e të dije me këndue e me shkrue shqip e t’i ket mbush 25 vjet.

Neni 16.

            Myftit e Naibat në çashtjet e sheriatit bajn marrëveshje drejt për drejtë me Myftine e përgjithëshëm e në çashtje administrate e financiare i shtrohen rregullavet të posaçme.

 

Neni 17.

      Kompetenca e Myftivet në çashtjet e Sheriatit kufizohet.

a)   Kunorzim

b)   Redaa qi rjedh prej kunorzimit.

c)   Shkrurorzim

d)   Ushqim qi rrjedh prej kunorës

e)   Këthim i pajës (Eshja-i Xhihazije) edhe çashtjet qi rjedhin prej kunorzimit e shkunorzimit.

f)    Ushqim (Nefeka) edukacion (Hadane) të foshnjës.

g)   Në rast të kërkimit me dhanë fetvana.

h)   Tes-xhib Vakef i cili do të vërtetohet në gjyqin civil të vendit.

Neni 18.

            Vendimet e Myftivet mbi çashtjet e siperthanuana përmbarohen prej zyrës së përmbarimit të Drejtësisë.

Neni 19.

            Antarët e Këshillavet të Xhema-atevet zgjidhen për katër vjetë.

Neni 20.

            Secili katund ka 100 shtëpië e siper formon nji këshillë të Xhema-atit

Neni 21.

            Ata katunde qi kanë nën 100 shtëpië tue u bashkue me katundet e afërme formojn nji Këshillë të Xhema-atit.

Neni 22.

            Keshillat e Xhema-atit te katundevet formose prej 5 vetash prej popullsis se katundit nen kryesine e atij qe te zgjidhet prej tyresh. 

Neni 23.

            Ata qi do të zgjidhen si antarë në këshillat e katundevet do të kenë këto cilësi:

a)                              Do të ketë moral të mirë e nuk do të jetë i dënuem e me emën të keq.

b)                              Do të jetë sipër 25 vjeç

c)                              Do të jetë i vendit ku do të zgjidhet.

Neni 24.

            Këshillat e Xhemat-atit të katundevet lidhen me këshillet e qendravet të N.prefekturavet e të Prefekturavet të tyne. Ata të N.Prefekturavet lidhen me të Prefekturavet e këshillat e Prefekturave lidhen me këshillin e Naltë të Shariatit.

Neni 25.

            Mëndyra e zgjedhjevet e detyrat, dhe mbledhjet e këshillavet bahen si pas rregullores së vërtetume nga Kongresi.

Detyrat e Myftive.

Neni 26.

            Veç pikavet themelore të shënueme n’artikullin (17) detyrat janë:

a)            Me zbatue e me ndjek vendimet e Këshillit të Naltë të Sheriatit.

b)            Me inspektue për gjith here Medreset e vendit.

c)            Me forcue dshurinë e bashkimin ndërmjet Shqipetarëve.

d)            Me inspektue ma të pakten nji herë në mot qarkun e tij me gjith katundet që kanë Këshilla.

Vakfet Myslimane.

Neni 27.

Vakfet e Myslimanvet të Shqipëris rregullohen me anën e nji Drejtimi të përgjithshëm i cili do të zgjidhet prej Kongresit të përgjithshëm edhe dekretohet prej Kryetarit të Këshillit të Sheriatit duke u lajmue dhe Qeverija për zgjedhjen e tij.

Neni 28.

            Drejtor i Përgjithshëm i Vakfeve asht i lidhun me Këshillën e Naltë te Sheriatit e asht antar i natyrshem i atij Këshilli dhe asht përfaqsuesi i Xhema-atit ndër padinat vakefnore.

Neni 29.

            Drejtori i përgjithshëm i vakfevet asht i detyruem me vue në zbatim rregulloret e vendimit e Këshillit të Naltë të Sheriatit për sa i përkasin çashtjevet të Vakfevet e me ndërmjetsinë e Kryesis korrespondon me ç’do Ministri edhe drejt për drejti me ato zyra qi ja lype nevoja.

Neni 30.

            Drejtoria e përgjithshme e Vakfevet asht e detyrueme me ruejt të drejtat e pasunisë së Xhema-atit e të vakfevet si vakfet e tjera e për me mirësue pasunitë si trojë vorrese të vjetra e të reja e godina tjera e me i ba të frytshme.

Neni 31.

            Drejtori i përgjithshëm i Vakfevet zgjidhen për 4 vjet prej kongresit. Në rast t’abuzimit Këshilli i Naltë i Sheriatit e pezullon tuej veprue mbas ligjevet të përgjithëshme edhe nji prej antarvet të Këshillit vazhdon si zavendës deri sa të marrë fund çashtja.

Neni 32.

            Këshilli i Naltë i Sheriatit merr garanci prej atyne nënpunsvet qi diftohen në rregulloret të posaçme.

Neni 33.

            Drejtori i Përgjithshëm i Vakfevet do të jetë me moral të mirë, me zotsie e me dijenine të plotë e kompetente dhe 25 vjeç e naltë e të mosë ketë interese personale në vakf e i pa dënuem si mbas paragrafit të fundshëm të nenit (6) të Statutit.

Neni 34.

            Organizimi i mbrendshëm i Këshillit të Naltë të Sheriatit dhe i Këshillave të Xhema-atit e të Vakfit do të bahen mbas rregullores së posaçme.

Neni 35.

            Nënpunësat e vakfit janë antarë të natyrshëm të Këshillës së vendit.

Neni 36.

            Ku nuk ka nevojë për nji nënpunës të vakfit administrimi i ngarkohet Myftive të cilët veprojnë me Këshillin e Xhema-atit si mbas rregullorevet të vërtetueme nga Kongresi.

Neni 37.

            Të gjithë Evkafet Myslimane janë nën drejtim, por të Teqevet në vrejtim (kontrollim) të Drejtoris përgjithshme të vakfvet si mbas rregullorevet të posaçme tyke u marrë parasyshe konditat e vakfit si mbas ahqami Evkafit.

Neni 38.

            Caktimi i rrogavet të nënpunsavet të Xhema-atit bahen si mbas buxhetit dhe të drejtat e pensioni bahen si mbas rregullores së posaçme të vërtetueme nga Kongresi.

Neni 39.

            T’ardhurat e arkës së përgjithshme të trupit Mysliman janë këto:

a)                              8% janë prej t’ardhunavet të përgjithëshme të ç’do vakfi.

b)                              Të marrunat nga formalitetet e zyravet të Sheriatit.

c)                              Për të mbylle deficitin ç’do shtëpië Myslimane qi janë natyrisht antarët e trupit do të japin nji ndihmë si mbas gjëndjes financjare fr. ari, 1-3. Mëndyra e mbledhjes do të bahet si mbas rregullores së posaçme.

Neni 40.

            Për veç ardhjevet sipër tregueme Këshilli i naltë i sheriatit ka të drejtë me gjetë burime tjera tyke ju përshtat vullnetit të popullit Mysliman të cilat janë të diftueme në rregullore të posaçme.

Neni 41.

            Ç’do kunorzim e shkuronzim mbas këtij Statuti, do të rregjistrohen në zyren e Sheriatit edhe ç’do çashtje qi rrjedh prej kunorzimevet të pa rregjistrueme do të shikohet mbasi të merret dy fish pagesa e kunorzimit.

Neni 42.

            Nuk mun të vesh as kushë petka dijetarije (Qisve-i Ilmije) pa lejen e autoritetit të Xhema-atit të vendit.

Neni 43.

            Çashtjet financjare të zyravet të Sherijatit e të vakfevet rregullohen mbas sistemit moderrne financjare.

Neni 44.

            Për veç atyne pikavet qi permenden ne nenin (12) të ketij Statuti do të themelohet sa ma parë nji universitet (Medrese e Naltë) ku do të mësohen dhe gjuha të ndryshme tue i dhanë rëndesi letaraturës e Historisë Kombëtare. Mëndyra e formimit dhe e rregullimit të medresevet të qarqevet si edhe pranimi i nxanësvet të tyne bahet si mbas rregullores së posaçme të vërtetueme nga Kongresi.

K o n g r e s i.

Neni 45.

            Kongresi Mysliman mblidhet me nji Prillë të ç’do katër vjetve në Kryeqytet.

Neni 46.

            Zgjedhjet e Kongresit bahen si mbas rregullores së posaçme. Në 15,000 frymë zgjidhet nji delegatë. Nuk mund të zgjidhet si delegat ai qi s’ka mbushur 25 vjeç e qi asht dënuem nga gjyqi ordiner nji vit e naltë edhe ai qi nuk din me këndue e me shkrue gjuhën shqipe e të mos jetë i ndigjuem me emën të keq.

Neni 47.

            Detyrat e Kongresit janë:

a)                              Shqyrtim e vërtetim i Buxhetit

b)                              Proponim e vërtetim i rregullorevet

c)                              Studjim e kontrollim i veprimeve të Këshillës së Naltë të Sheriatit e të Drejtoris përgjithshme të Vakfevet.

Neni 48.

            Kongresi me dy të tretat e votavet mundet me ba ndryshime në këtë Statut.

Neni 49.

            Antarët e Këshillit të Naltë të Sheriatit e Drejtori i Përgjithshëm i Vakfevet betohen para Kongresit e ata qi s’ndodhen gati betohen prej atyne  qi janë betue nga Kongresi. Mëndyra e betimit bahet sikurse tregohet në nenin (4) të këtij Statuti.

Neni 50.

            Gjith nëpunësat e Xkema-atit nuk mund të merren me nëpunsina të tjera qi i sjellin pengim detyrës themelore.

Këshilli Kontrollues. 

Neni 51.

            Këshilli Kontrollues përbahet prej 9 vetash të zgjedhun nga Kongresi nga 1 prej çdo Prefekture.

Neni 52.

            Antarët e Këshillit kontrollues do të jenë antarë nderi, dotë jenë pa rroge, pa shpërblim dhe pa shpenzim.

Detyrat e Këshillit kontrollues.

Neni 53.

            Detyrat e Këshillit kontrollues janë:

a)        Me u mbledh me nji Maj të ç’do viti. Shqyrton e vërteton buxhetin e vjeter, kontrollon gjith veprimet e Këshillit të Naltë të Sheriatit e të Drejtoris Përgjithshme të Vakfevet.

Neni 54.

            Këshilli kontrollues vazhdon në bisedime me shumicë votash dhe kur Këshilli kontrollues thërritet dy herë rresht e nuk shfaqet ose mblidhet po nuk formon shumicën atëherë Këshilli i Naltë i Sheriatit thërret Kongresin me mbledhje të jashtë-zakonshme.

Neni 55.

            Në rast të mungimit krye këput të nji antarit të Këshillit kontrollues merret aj qi ka fitue vota ma shume e në qoftë se nuk ka, Këshilli kontrollues bashkë me Këshillin e Naltë zgjedhin nji prej asajë prefekture qi mungon.

Neni 56.

            Në rast qi Këshilli i Naltë i Sheriatit e shef nevojë, thërret këshillin kontrollues në mbledhje  të jashtë-zakonshme.

Neni 57.

            Në rast qi Këshilli kontrollues e shef nevjë vendos mbledhjen e Kongresit dhe Këshilli i Naltë i Sheriatit në bazë t’atij vendimi mbrenda 15 ditvet asht i detyruem të thërras Kongresin, po prej atyne delegatvet qi kanë qenë të zgjedhun.

Neni 58.

            Ky statut hyn në veprim nga data e vërtetimit

Tiranë, më 26-VII-925.

Sekretari:                                                                                                        Kryetari i Kongresit:

Hafëz Xhafer                                                                                                   Vehbi Dibra

 

©GC

Trascina file per caricare