The measure is available in the following languages:
STATUTI I KISHËS ORTHODHOKSE AUTOQEFALE TE SHQIPËRISË
(04/11/2006 Tiranë)
TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që ka si themelues dhe Krye të saj Zotin dhe Perënsinë tonë Jisu Krisht, është institucion hyjnor si prania dhe shfaqja në vend e Një Kishe të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, e bashkuar në mënyrë të pandashme me Patriarkanën Ekumenike, me të gjitha Kishat simotra Autoqefale dhe ruan të patundshme burimet e besimit, d.m.th. Shkrimin e Shenjtë dhe Traditën e Shenjtë si dhe Kanonet e Shenjta apostolike e sinodike.
Titulli i saj zyrtar është “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”.
Neni 2
Anëtarë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë janë të gjithë të pagëzuarit në Kishën Orthodhokse dhe janë banorë të Shqipërisë, pa dallim origine.
Neni 3
Kanonet e Shenjta të Kishës Orthodhokse, të cilat përbëjnë themelimin e përbashkët të organizimit dhe administrimit të të gjitha Kishave Orthodhokse të botës, rregullojnë sistemin e organizmit, administrimit dhe zhvillimit të jetës së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në rast se lindin paqartësi në lidhje me interpretimin e saktë të neneve të Këtij Statuti, kriter dhe tekst referimi përbëjnë Kanonet e Shenjta.
Neni 4
Rëndësi themelore për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Sqhipërisë kanë:
Për sa i përket aspektit kishtar: Tomoli Patriakal dhe Sinodik, me te cilin Patriarkana Ekumenike, sipas rendit kishtar, i dha asaj autoqefalinë (prill 1937) dhe në këtë mënyrë njohjen kanonike prej të gjitha Kishave Orthodhokse në mbarë boten si Kishë Autoqefale.
Për sa i përket aspektit shtetëror: neni 10, paragrafi 6 dhe neni 24 paragrafi 1, 2 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e vitit 1998, me të cilën në bazë të nenit 10, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, si njëra prej komuniteteve fetare tradizionale të vendit, njihet si person juridik dhe është e pavarur në administrimin e pasurisë së saj sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve te veta. Me anë të nenit 24, paragrafi 1, 2 garantohet liria fetare dhe e drejta e shprehjes së besimit fetar individualisht ose ne grup, në jetën private ose publike me anë të adhurimit, të arsimit, të ruajtjes së zakoneve, dhe të manifestimeve publike.
Neni 5
Marrëdhëniet ndërmjet Shtetit dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë rregullohen sipas neneve 10 dhe 24 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe ne bazë të marreveshjes të parashikuar midis tyre.
Neni 6
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë si vazhduese kanonike e traditës shumëshekullore të Kishës Orthodhokse në territorin gjeografik të shtetit të sotëm shqiptar është e vetmja trashgimtare e ligjshme e të gjithë titujve, proave dhe pasurive, të të drejtave të famullive, manastireve dhe bashkësive brenda Shqipërisë.
Neni 7
1. Gjuha zyrtare e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është shqipja. Orthodhoksët e gjuhëve të tjera mund të përdorin gjatë adhurimit hyjnor gjuhën tyre tradicionale adhuruese, me kusht që tekstet në përdorim të kenë miratimin e Sinodit të Shenjtë, siç edhe për tekstet e shërbesave fetare në shqip.
2. Në korrespondencën me Kisha të tjera Autoqefale apo me subjekte të huaja në përgjithësi, përdoren edhe gjuhë të tjera.
ORGANIZIMI
Neni 8
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e organizuar si më poshtë:
1) Kryepiskopata e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, që përfshin Zëvendësitë Kryepiskopale Lokale të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Shkodrës dhe Shqipërisë së Vermut.
2) Mitropolia e Beratit, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale të Beratit, Vlorës, Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës.
3) Mitropolia e Gjirokastrës, përfshin Zëvendëitë Mitropolitane Lokale të Gjirokastrës, Pogonit, Përmetit, Sarandës, Delvinës dhe Himarës.
4) Mitropolia e Korçës, që përfshin Zëvendësitë Mitropolitane Lokale të Korçës, Prespës, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës.
Neni 9
Kur për arsye baritore (pimantike) gjykohet e nevojshme, Sinodi i Shenjtë mund të formojë metropoli apo episkopata, duke ndjekur procedurën e parashikuar prej rregullit Kanonik dhe Traditës së Kishës.
Neni 10
Asnjë klerik orthodhoks nuk mund të ushtrojë detyrën e tij priftërore në Shqipëri, në qoftë se nuk është i lidhur kanonisht me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe pa pasur paraprakisht një leje të veçantë prej autoritetit kishtar kompetent.
SINODI I SHENJTE
Neni 11
1. Sinodi i Shenjtë është autoriteti më i Lartë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sipas Tomosit Patriakal dhe Sinodik të dhënies së Autoqefalisë prej Patriakanës Ekumenike. Ai përbëhet nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Sqhipërisë si Kryetar i përhershëm dhe nga Mitropolët e Episkopët aktivë.
2. Sinodi i Shenjtë e ka qendrën në kryeqytetin e vendit dhe titulli i tij zyrtar është: “Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”.
Kompetencat e Sinodit të Shenjtë janë:
a) Ruan besimin, adhurimin, dispiplinën kishtare dhe administrimin (drejtimin) e Kishës sipas dogmave dhe Kanoneve të Shenjta.
b) Zgjedh Krepiskopin, Mitropolitët dhe Episkopët dhe lëshon Qarkoret përkatëse për njohjen e tyre.
c) Emëron mëkëmbësit e Mitropolive të Shenjta vakante.
d) Ushtron kontroll kanonik mbi aktet dhe veprimet e Mitropolive dhe Episkopëve, si dhe mbi të gjitha organet e Kishës.
e) Kujdeset për marrjen e Miros së Shenjtë prej Kishës së Madhe të Krishtit.
f) Kujdeset për formimin e duhur të Klerikëve dhe Murgjve dhe për zbatimin me korrektësi të detyrave të tyre.
g) Kujdeset për formimin fetar të popullit orthodhoks nëpërmjet predikimeve, bisedave, katekizmit, vizitave baritore, botimit të literaturës fetare, medias etj.
h) Miraton literaturën me përmbajtje fetare, e cila mund të qarkullojë Brenda famullive, manastireve apo institucioneve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
i) Vendos për dorëheqjen e anëtarëve të tij.
j) Gjykon Kryetarin e Sinodit dhe anëtarët e tij për shkelje dogmatike dhe kanonike, në përputhje me Kanonet e Shenjta. Gjykon çështjet që kanë të bëjnë me zhveshjen e klerikëve.
k) Interpreton në mënyrë autentike, për të gjitha organet kishtare, dispozitat e Statutit dhe të rregullores së Përgjithëshme të Administrimit.
l) Thërret Asamble dhe Mbledhje Kishtare kur e lypin nevojat e Kishës.
m) Ngre Komisione Sinodike për qëllime studimore e konsultive në lidhje me probleme të posaçme.
n) Mbikqyr administrimin e pasurisë së luajtshme e të palujatshme të Kryepsikopatës, të Mitropolive, të Famullive dhe Manastireve.
o) Themelon fondazione dhe shoqata në shërbim të veprës shpirtërore, shoqërore, arsimore, e kulturore të Kishës.
p) Vendos për çështje të çdo nature, të cilat nuk rregullohen nëprmjet këtij Statuti apo të Rregullores.
Neni 13
1. Sinodi i Shenjtë mblidhet nën kryesinë e Kryepsikopit rregullisht çdo tre muaj dhe me raste të jashtëzakonshme kur e lyp nevoja.
2. Kompetent për mbledhjen e Sinodit të Shenjtë dhe për caktimin e rendit të ditës është sipas Kanoneve të Shenjta vetëm Kryetari i Sinodit të Shenjtë. Gjithashtu Sinodi i Shenjtë mblidhet nga Kryetari i tij nëse kjo gjë kërkohet me shkrim të paktën prej gjysmës së numrit të anëtarëve të tij.
3. Në mungesë të Kryetarit të Sinodit të Shenjtë kryeson mbledhjen Metropoliti më i vjetër sipas kohës së dorëzimit, duke pasur urdhrin kanonik me shkrim ose lejen e Kryepiskopit.
4. Pjesëmarrja e kryeprifterinjve në mbledhjet e zakonshme ose të jashtëzakonshme të Sinodit të Shenjtë është e detyrueshme. Ata që mungojnë pa ndonjë arsye serioze në këto mbledhje iu nënshtrohen sanksioneve të parashikuara prej Kanoneve të Shenjta.
Neni 14
Sinodi i Shenjtë ka Kryesekretar klerik dhe Sekretar klerik të propozuar nga Kryepiskopi dhe të emeruar nga Sinodi i Shenjtë.
Neni 15
Sinodi i Shenjtë konsiderohet i mbledhur rregullisht kur marrin pjesë Kryetari i tij dhe të paktën gjysma e numrit të të gjithë anëtarëve të tij. Merr vendime të vlefshme me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm dhe në rast barazie votash mbizotëron vota e Kryetarit.
Neni 16
Në intervalin kohor midis seancave të Sinodit të Shenjtë, për çështje urgente ose të zakonshme, është Kryepsikopi ai që vepron dhe informon Sinodin e Shenjtë në mbledhjen e parë të tij ku dhe miraton edhe veprimet e Kryepsikopit gjatë këtij intervali.
KRYEPRIFTËRINJTË
Neni 17
1. Zgjedhja e kryepriftërinjve bëhet nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë sipas Kanoneve të Shenjta.
2. Këshilli Kleriko-laik, propozon kandidatët për dorëzimin në gradën episcopale. Në fund Sinodi i Shenjtë zgjedh njërin prej tyre.
3. Kanditatët për dorëzimin në gradën episcopale, përveç cilësive që kërkojnë Kanonet e Kishës, duhet të jenë të diplomuar në Akademinë Teologjike “Ngjallja” ose në një fakultet teologjik orthodhoks të nivelit universitar dhe të kenë punuar dhe qëndruar të paktën për një periudhë trevjeçare në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
4. Kryepriftërinjtë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kanë shtetësi sqhiptare. Në raste të veçanta mund të bëhet përjashtim me vendim të Këshillit Kishtar Kleriko-laik dhe të Sinodit të Shenjtë.
5. Për hirotonisjen e Kryepriftërinjve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kërkohet të jenë të pranishëm të paktën tre Kryepriftërinj. Në rast se numerimi i Episkopatave është më i vogel se tre, atëherë mund të kërkohet ndihma e Patriarkanës Ekumenike, e cila ka dhenë edhe autoqefalinë.
Neni 18
Sipas nevojave të Kishës është e mundur të zgjidhen nga Sinodi i Shenjtë Episkopë titullarë aktivë me detyra të caktuara. Këta quhen kryepriftërnj në shërbim aktiv dhe marrin pjesë në Sindoni e Shenjtë.
Neni 19
Gjatë mrrjes së detyrës Kryeprifterinjtë japin këtë premtim përpara Sinodit:
“Premtoj përpara Perëndisë Triadik se do të ruaj besimin ndaj dogmave ksihtare dhe kanoneve të Kishës Orthodhokse dhe do të ruaj lidhjet me Patriarkanat dhe Kishat Orthodhokse në mbarë botën”.
KRYEPSIKOPI
Neni 20
Kryepiskopi është Kryetari i Sinodit të Shenjtë të Kishës Othodhokse Autoqefale të Shqipërisë, kreu i të krishterëve orthodhoksë në Shqipëri përfaqsues i tyre përpara autoriteteve shtetërore dhe organizmave ndërkombëtare dhe përpara çdo lloj autoriteti dhe pushteti.
Neni 21
Titulli i Tij është: “Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë”. Kurse fama e tij në shërbesat fetare kishtare thirret sipas traditës liturgjike të Kishës vendere. Kryepiskopi ka të gjitha detyrimet dhe të gjitha të drejtat e parashikuara nga Kanonet e Shenjta dhe nga ky Statut.
Neni 22
Kryepiskopi ka këto detyra dhe të drejta:
a) Ia bën të ditur Kishës së Madhe të Krishtit dhe të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale motra në të gjithë botën. Sipas rregullit të Kishës Orthodhokse, zgjedhjen dhe ngritjen e tij në fronin Kryepiskopal nëpërmjet letrave fronëzuese. Bën pohimin e ligjshëm dhe siguron se do të ruajë në mënyrë të palëkundur besimin orthodhoks dhe çdo gjë që urdhërojnë Kononet e shenjta, Tradita e Shenjtë dhe rregulli i Kishës së Shenjtë Orthodhokse. Përkujton sipas rregullit në Diptikët emrin e Patriarkut Ekumenik, të Patriarkëve të tjerë dhe të kryetarëve të Kishave të Shenjta Orthodhokse Autoqefale.
b) Thërret Sinodin e Shenjtë dhe të gjitha strukturat apo organet e Kishës Orthodhokse Autoqelae të Shqipërisë dhe kryeson mbledhjet e tyre.
c) Përfaqëson Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përpara autoriteteve shtetërore dhe kudo që e lyp nevoja, personalisht ose me anë të përfaqësuesve.
d) Përfaqëson Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në çdo marrëveshje shitblerjeje të pasurisë së paluajtshme në Shqipëri dhe jashtë vendit, personalisht ose me përfaqsues të prokuruar prej Tij.
e) Ruan kungimin dhe komunikimin kishtar me Kishat e tjera orthodhokse.
f) Nxjerr qaroke për të gjitha famullitë orthodhokse të Shqipërisë, viziton kur e Shikon të arsyeshme, Hirarkët e Kishës.
g) Dorëzon Mitropolitët dhe Episkopët sipas Kanoneve të Shenjta së bashku me Hirarkë të tjerë, anëtarë të Sinodit të Shenjtë.
h) Pranon ankesat e justifikuara kundër Kryepriftërinjve dhe i propozon Sinodit të Shenjtë kryerjen e hetimeve, duke caktuar për këtë qëllim një anëtar të tij.
i) Viziton të paktën një herë në dy vjet enoritë e Kryepiskopatës dhe i parashton Sinodit të Shenjtë çdo vit një raport në lidhje me ato.
j) Kur bëhet fjalë për çështje apo paqrtësi të një natyre të përgjithshme kishtare që i kapërcen kufijtë e juridiksionit përkatës të Kishave Autoqeale, Kryepsikopi i drejtohet sipas rregullit kanonik Fronit Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo episkopatë orhtodhokse që përcakton drejt fjalen e së vërtetës dhe kështu u kërkon Kishave motra mendimin dhe pikëpamjet e tyre të vlefshme.
k) Ndërmerr iniciativa në shkallë të gjerë kur vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të fatkeqësive natyrore apo për shkaqe të tjera, duke bashkëpunuar me autoritetet shtetërore, me kryesitë e bashkësive të tjera fetare deh organizmat ndërkombëtare për lehtësimin e të prekurve deh zhdukjen e pasojave.
l) Ushtron edhe çdo të drejtë tjetër që i jepet nga Kanonet e Shenjta.
Neni 23
Kryepsikopi mund të ketë dy deri net re Episkopë ndihmës, të cilët kryejnë detyra të posaçme të ngarkuara prej tij dhe kanë të gjitha privilegjet e Kryepriftërinjve aktivë.
MITROPOLITI
Neni 24
Të drejtat dhe detyrat e Mitropolitit janë si më poshtë:
a) Merr pjesë në Sinodin e Shenjtë. Drejton dhe bariton Mitropolinë brenda kufijve të caktuar të dioqezës së tij.
b) Është anëtar i Sinodit të Shenjtë dhe përfaqson Mitropolinë e tij përpara autoriteteve shtetërore lokale dhe kudo që është e nevojshme, personalisht ose me anë të përfaqsuesve të tij.
c) Dorëzon klerikët e dioqezës së tij.
d) U jep klerikëve të Mitropolisë së tij dënimet e parashikuara nga Kanonet e Shenjta. Për shkelje më të rënda, të cilat përbëjnë skandal, i çon në Gjykatat Kishtare kompetente.
e) Viziton të paktën një herë në dy vjet famullitë e Mitropolisë së tij, për të kontrolluar ecurinë e punëve kishtare, jep udhëzimet përkatëse dhe i parashton Sinodit të Shenjtë raportin vjetor përkatës.
Neni 25
Metropoliti kujton gjatë celebrimit të Liturgjisë Hyjnore “Për Kryepsikopin tonë….” Gëzon çdo të drejtë që i jepet nga Kanonet e Shenjta.
Neni 26
1. Çdo Kryeprift duhet të qëndrojë vazhdimisht Brenda kufijve të Mitropolisë së tij, me përjashtim të rasteve kur merr pjesë në mbledhjet e Sinodit të Shenjtë apo në mbledhje të tjera zyrtare ose kur është me leje të zakonshme. Për çdo rast tjetër kërkohet miratimi i Kryetarit të Sinodit të Shenjtë.
2. Për çështje me karakter zyrtar Kryeprifti komunikon me autoritetet kishtare të Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale nëprmjet Sinodit të Shenjtë.
ASAMBLEJA KLERIKO -LAIKE
Neni 27
1. Për trajtimin e problemeve të përgjithshme, të cilat shqetësojnë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Asambleja Kleriko-laike mblidhet detyrimisht çdo dy vjet, por edhe në raste të jashtëzakonshme kur e lyp nevoja.
2. Asambleja Kleriko-laike studion problemet kishtare dhe shoqërore aktuale dhe i propozon Sinodit të Shenjtë dhe Këshillit Kishtar Kleriko-laik masa për kryerjen e veprës kishtare dhe të “dëshmisë” orthodhokse në përgjithsi në botën e sotme. Çështjet dogmatike dhe kanonike janë kompetencë ekskluzive e Sindit të Shenjtë.
Neni 28
Në të marrin pjesë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, anëtarët e Këshillit Kleriko-laik, dy përfqaqsues nga çdo manastir i shenjtë dhe njëzet e katër laikë, me përfaqsim të përshtatshëm, burra, grad he të rinj, nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë. Sipas kushteve konkrete ky numër mund të shtohet me 1/3 me vendim të Sinodit të Shenjtë.
Për Asamblenë e caktuar klerikët zgjidhen prej pleniumit të klerikëve të Kryepsikopatës dhe të Mitropolive, ndërsa laikët zghidhen prej anëtarëve të Këshillave të Famullive dhe prej bordeve të Fondacioneve të Kishës të miratuara nga Sinodi i Shenjtë. Për të arritur një përfaqësim sa më të mirë të të gjitha dioqezave, Sinodi i Shenjtë lëshon në çdo rast qarkoren përkatëse.
KËSHILLI KISHTAR KLERIKO – LAIK
Neni 29
Për administrimin e pasurisë kishtare dhe kontrollin e pasurive të kishave të komuniteteve orthodhokse si dhe të manastireve, Sinodi i Shenjtë krijon në selinë qendrore të Kishës së Shqipërisë “Këshillin Kishtar Kleriko-laik”, të përbërë nga të gjithë anëtarët e Sinodit dhe nga dymbëdhjetë klerikë e laikë.
Këshilli Kishtar Kleriko-laik merr pjesë edhe në veprimtarinë kishtare të parashikuara në nenet 17, 27, 70 të këtij Statuti.
Katër anëtarët klerikë dhe katër laikë të Këshillit Kishtar Kleriko-laik zgjidhen çdo katër vjet prej anëtarëve të këshillave të Kryepsikopatës dhe Mitropolive. Katër të tjerët zgjidhen nga Sinodi i Shenjtë.
Një Komision Ekzekutiv prej pesë anëtarësh, i zgjedhur nga Këshilli Kishtar Kleriko-laik, zbaton vendimet e tij. Të dyja këto struktura kryesohen nga Kryepsikopi.
Neni 30
Përveç Këshillit Kleriko-laik Komisioni i Kontrollit, i cili kontrollon administrimin financiar të Kryepiskopatës dhe të Mitropolive dhe raporton në lidhje me këto në Sinodin e Shenjtë.
Neni 31
Këshilli Kishtar Kleriko-laik sqhyrton buxhetin e shpenzimeve të vitit te kaluar dhe buxhetin preventiv të ardhshëm, që miratohen përfundimisht nga Sinodi i Shenjtë.
Harton Rregulloren e Përgjithshme të Administrimit të kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila miratohet përfundimisht nga Sinodi i Shenjtë.
Neni 32
Këshilli Kishtar Kleriko-laik mblidhet rregullisht dy herë në vit dhe Komisioni Ekzekutiv në çdo tre muaj. Të dy organizmat mblidhen dhe në raste të jashtëzakonshme sa herë që është nevoja me ftesë të Kryepsikopit.
Detyrën e Sekretarit të Këshillit Kishtar Kleriko-laik e kryen Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë.
KËSHILLI KRYEPSIKOPAL DHE MITROPOLITAN
Neni 33
Pranë Kryepiskopatës dhe çdo Mitropolie krijohet një Këshill Kishtar i Kryepsikopatës ose i Mitropolisë në mbështetje të veprës së Hierarkut përkatës.
Këshilli Kishtar përbëhet nga Kryepsikopi ose Metropoliti si Kryetar, nga pesë klerikë dhe pesë laikë me përfaqësim të përshtatshëm, burra, gra dhe të rinj. Anëtarët zgjidhen në çdo katër vjet sipas Rregullores së Përgjithshme të Administrimit.
Këshilli Kishtar i Kryepiskopatës ose Mitropolive mblidhet me ftesë të Kryetarit rregullisht tri herë në vit dhe në raste të jashtëzakonshme sa herë që e lyp nevoja. Shqyrton kushtet e krijuara, të cilat ndikojnë në ecurinë e Kryepsikopatës apo të Mitropolive dhe kërkon mënyra me efikase për kryerjen e veprës shpirtërore, baritore dhe shoqërore të Kishës.
ZËVENDËSIA LOKALE
Neni 34
Zëvendësia Lokale është një njësi kishtare administrative, e cila përfshin një numër të caktuar famullish të një zone të caktuar të Kryepsikopatës apo Mitropolive.
Neni 35
Kryepsikopi dhe Mitropolitët emërojnë si përfaqsues të tyre një klerik si Epitrop Arkihieratik për çdo Zëvenësi Lokale, i cili koordinon punën kishtare në këtë zëvendësi në emër dhe me udhëzimet e drejtpërdrejta të Hierakut përkatës.
Neni 36
Epitropi Arkihieratik kryeson Këshillin Kishtar të Zëvendësisë Lokale, i cili përbëhet nga tre klerikë të tjerë dhe tre laikë. Këta zgjidhen për një periudhë katërvjeçare nga Këshillat Famullitare dhe emërohen prej Hierarkut përkatës. Epitropi Arkihieratik kujdeset për zbatimin e porosive, vendimeve dhe urdhërësave të autoriteteve kishtare më të larta në të gjitha famullitë e zëvendësisë.
MANASTIRET
Neni 37
Manastiri i Shenjtë është qendër asketizmi, jete adhuruese dhe rrezatimi shpirtëror sipas traditave murgëtore të Kishës Orthodhokse.
Çdo manastir drejtohet prej Vëllazërisë që jeton në të, nën kryesinë e Igumenit dhe të anëtarëve të Këshillit Igumenik.
Manastiret e Shenjta në Kishën e Shqipërisë zbatojnë Kanonet e Shenjta dhe traditat murgëtore orthodhokse dhe janë nën juridiksionin e Sinodit të Shenjtë, deri në një vendim të ri Sinodik në lidhje me këtë çështje.
FAMULLIA DHE FAMULLITARËT
Neni 38
Famullia është bashkësia adhuruese ekurastike e besimtarëve, klerikë dhe laikë, të cilët banojnë në një territor të caktuar, qytet ose fshat dhe ka si qendër Kishën e Shenjtë.
Neni 39
Famullitarët përzgjidhen, dorëzohen dhe emërohen prej Hierarkut përkatës.
Çdo famulli ka një ose më shumë famullitarë, sipas numrit të besimtarëve, kishave dhe parakliseve të famullisë dhe sipas të ardhurave të saj.
Neni 40
Famullitari është Kryetar i Këshillit Famullitar dhe përgjigjët për zbatimin e dispozitave të këtij Statuti. Atje ku shërbejnë më shume priftërinj, kryetarin e cakton Hierarku përkatës.
Neni 41
Priftërinjtë zbatojnë detyrat e tyre, gëzojnë të drejtat e parashikuara prej Kanoneve të Shenjta dhe Traditës së Kishës, me bindje ndaj Kryepriftit përkatës.
Neni 42
Famullia administrohet nga Këshilli Famullitar I cili përbëhet nga:
a) Prifti Famullitari si Kryetar, b) klerikë të tjerë, c) katër deri ne dhjetë anëtarë laikë (burra, gra dhe të rinj) sipas madhësisë së famullisë, të cilët emërohen në çdo kater vjet pas propozimit të një numri të dyfishtë kandidatësh nga kryetari i enorisë.
Çdo anëtar i Këshillit Famullitar duhet:
a) Të jetë anëtar aktiv i Kishës Orthodhokse (d.m.th të jetë I pagëzuar, të shkojë në kishë dhe të marrë pjesë në Misteret e Shenjta të Kishës). b) Të mos ketë lidhje farefisnore ose krushqie me Famullitarin apo me ndonjë anëtar tjetër të Këshillit Famullitar. c) Të mos ketë pushtet politik ekzekutiv.
Një Këshilltar Kishtar, i cili mungon në mënyrë të pajustifikueshme në tri mbledhje të njëpasnjëshme të Këshillit Famullitar, zëvendësohet me një anëtar tjetër me propozim të Famullitarit - Kryetar.
Këshilli Kishtar pezullohet:
a) Kur vërtetohet se nuk zbaton vendimet dhe urdhërat e autoritetit epror. b) Kur nuk pranon kontroll financiar nga shërbimi ekonomik kompetent i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. c) Kur vepron si i pavarur dhe kryen vepra pa pasur më parë miratimin e autoritetit të tij epror. d) Kur përdor ambientet e Kishës për qëllime të huaja për të, ose kur i dorëzon arkën e Ksihës një autoriteti jokishtar.
Këshilltari Kishtar, i cili është pezulluar me vendim të Hierarkut përkatës, zëvendësohet nga një anëtar tjetër plotësues.
Askush nuk njihet si anëtar i Këshillit Famullitar në qoftë së nuk ka shkresë emërimi me nënshkrimin e Hierarkut përkatës dhe vulën e Kryepsikopatës apo Mitropolisë.
Çdo përzierje nga ana e anëtarëve të pushtetit shtetëror në Këshillat Famullitare bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shtetit dhe, për pasojë, Këshilltarë të caktuar nga cilido autoritet shtetëror nuk njihen prej Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Detyra e Këshilltarit Kishtar është pa pagesë dhe e papajtueshme me veprën e nënpunësit me pagesë të Kishës.
Kohëzgjatja e shërbimit të Këshilltarëve Kishtarë është katërvjeçare, duke filluar prej 1 shtatorit të vitit të emërimit të tyre deri më 31 gusht të vitit të katërt të emërimit të tyre.
Neni 43
Të drejtën ë zgjedhjes dhe të votës në të gjitha Këshillat Kishtare e kanë orthodhoksët, burra e gra mbi 18 vjeç, banorë të Republikës së Shqipërisë. Mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillave Kishtarë të qyteteve dhe fshatrave, si dhe kompetencat dhe detyrat e tyre caktohen në Rregulloren e Përgjithshme të Administrimit.
PËRGATITJA E KLERIT , SIGURIMI, LEJET
Neni 44
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë disponon Shkolla të mesme dhe të larta kishtare për përgatitjen e kuadrove të saj.
Neni 45
Klerikë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dorëzohen burra të panjollë, të cilët përmbushin kushtet e parashikuara prej Kanoneve të Shenjta, kanë të paktën arsimin e mesëm dhe kanë diplomë të Akademisë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja” ose të ndonjë Faklulteti tjetër Teologjk që të jetë të paktën i këtij niveli. Vetëm Sinodi i Shenjtë mund të bëjë përjashtime për plotësimin e nevojave të jashtëzakonshme.
Neni 46
Të gjithë klerikët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe nëpu-nësit e saj sigrohen sipas ligjeve të Shtetit shqiptar.
Neni 47
Një klerik ose murg i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për të dalë jashtë kufijve të Shqipërisë duhet të ketë leje me shkrim prej eprorit të tij kishtar.
MBLEDHJET HIERATIKE
Neni 48
Të gjithë klerikët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë mblidhen rregullisht një heë në dy vjet, ose në raste të jashtëzakonshme kur e lyp nevoja në Mbledhjen e Përgjithshmë Hieratike. Qëllimi i saj është trajtimi i problemeve aktuale, ripërtëritja e jetës shpirtërore të klerikëve dhe inkurajimi për kryerjen sa më mirë të misionit të tyre.
Mbledhjet hieratike në Kryepsikopatë dhe ne çdo Metropoli bëhen çdo tre muaj ose sa herë që e gjykon këtë Hierarku përkatës.
Prania e klerikëve në Mbledhjet Hieratike është e detyrueshme, ndërsa në rast mungese pa arsye vendosen sanksionet e caktuara.
VEPRA BARITORE DHE SHOQËRORE
Neni 49
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë tregon kujdes të veçantë për edukimin e krishterë të Rinisë Orthodhokse si dhe për katekizmin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Për këtë qëllim krijohet në Kryepsikopatë dhe nëpër Metropoli një strukturë e veçantë katekistësh e përbërë nga të rinj me përgatitje të posaçme, të diplomuar në Akademisë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja” ose dhe nag të rinj që kanë formimin e duhur. Në të gjitha nivelet e jetës kishtare të Famullive, Kryepiskopatës apo Mitropolive duhet të synohet pjesëmarrja aktive dhe e përgjegjshme e rinisë.
Neni 50
Nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë botohen gazeta, revista, libra dhe brossura për plotësimin e nevojave liturgjike, baritore, shpirtërore e formuese të grigjës Orthodhokse si edhe për nevoja të tjera. Nuk lejohet të qarkullojë literaturë në ambientet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pa miratimin e autoritetit kishtar kompetent.
Neni 51
Njëkohësisht me veprën e saj shenjtëruese, predikuese, katekiste e shpirterore, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë interesohet për përparimin në përgjithësi të shoqërisë shqiptare dhe zhvillon programe të posaçme në sektorët e shëndetsisë, të arsimit, të kujdesit shoqëror, të zhvillimit bujqësor, të kulturës të ekologjisë etj.
Neni 52
Për një funksionim sa më të mirë të veprimatrive shoqërore, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka krijuar dy fondazione: Fondacioni “Klinikat Orthodhokse Ungjillëzimi” dhe Fondacioni “Fryma e Dashurisë”, të cilët administrohen sipas Statuteve të miratuara nga Shteti.
Neni 53
Për plotësimin e nevojave të ndryshme, Sinodi i Shenjtë mund të krijojë edhe Fondacione apo Shoqata të tjera, me Statutitn ose Rregulloren e Brendëshme përkatëse.
Neni 54
Në Kryepsikopatë dhe në Mitropolitë mund të krijohen, me iniciativën e drejtuesve lokalë dhe me miratimin e Sinodit të Shenjtë Lidhje: e Grave Orthodhokse, e Rinisë Orthodhokse, e Intelektualëve Orthodhoks etj, në ndihmë të veprës shpirtërore, katekiste, hierapostolike dhe shoqërore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Lidhje, Shoqata dhe organizzata të tjera te themeluara pa miratimin e Sinodit të Shenjtë nuk kanë të drejtë të përfaqësojnë me aktivitetin dhe funksionin e tyre Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe as te marrin pjesë në mbledhjet e organeve të saj.
PASURITË KISHTARE
Neni 55
Të gjitha pasuritë e luajtëshme apo të palujtëshme që u përkasin Kryepsikopatës, Mitropolive, Famullive dhe Manastireve, përbëjnë Pasurinë Kishtare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe kanë si qëllim të tyre mbështetjen e veprës shpirtërore, arsmiore dhe shoqërore të saj.
Neni 56
Çdo gjë që është në zotërimin e kishave të shenjta të qyteteve dhe fshatrave ose që përfitohet prej tyre përbën pasurinë e tyre vetjake. Administrimi dhe përdorimi i saj bëhet në bazë të urdhëresave të Rregullores së Përgjithshme. Për blerje-shitjen e detyruar ose dhënien e ambienteve të përdorura për adhurim hyjnor kërkohet miratimi paraprak i Sinodit të Shenjtë.
Shitblerjet e pasurisë së patundshme të Manastireve të Shenjta miratohen nga Sinodi i Shenjtë. Sinodi i Shenjtë përpara se të marrë vendimin përkatës kërkon raportin e Mitropolitit përkatës dhe mendimin e miratimin e Këshillit Mitropolitan të zonës në të cilën bën pjesë gjeografikisht Manastiri i Shenjtë.
Neni 57
Pasuria e tundshme përfshin edhe objektet e destinuara për adhurim hyjnor. Këto nuk mund të shiten, pasi janë sende të shenjta, jashtë qarkullimit civil. Kur paraqitet nevoja për t’I hequr, dorëzohen në vendin e të shenjtave të Kryepsikopatës ose te Mitropolisë.
Neni 58
Në rast largimi të një pjese ose të të gjithë popullsisë orthodhokse të një fsha-ti, të një qyteti, apo të një zone, kishat, manastiret dhe pasuria e tyre mbeten pronë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Neni 59
Për një administrim sa me efikas të pasurive të luajtshme të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Sinodi i Shenjtë mund të krijojë shoqëri të posaçme me përgjegjsi të kufizuar.
MBI TË ARDHURAT DHE SHPENZIMET
Neni 60
Për fuqiimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të veprës baritore, arsimore dhe sociale të saj Kisha Orhtodhokse Autoqefale e Shqipërisë pranon dhurata, trashgimi dhe kontribute të çdo lloj natyre nga persona fizikë apo dhe juridikë nga vendi ose jashtë tij.
Shpenzimet për mbajtjen e institucioneve te kultit përballohen nga kontributet vullnetare të besimtarëve dhe nga të ardhurat e vetë kishës ose manastirit.
TË ARDHURAT E KISHAVE DHE ADMINISTRIMI I TYRE
Neni 61
Të ardhurat e kishave vijnë nga:
a) Ofertat vullnetare të besimtarëve për krerjen e shërbesave të shenjta në kishë ose në parakliset e famullisë.
b) Shitja e qirinjve, të cilët blihen detyrimisht në punishten qendrore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të shqipërisë.
c) Dhurata, trashgimi, etj. Për çdo kontribut apo dhuratë jepet nga Arka e kishës dëftesë me dublikatë.
d) Të ardhurat e pronës së luajtshme dhe të paluajtshme të Kishës, si llogari bankare, letra me vlerë, qira kullotash, shtëpish etj.
DISPONIMI I TË ARDHURAVE
Neni 62
Të ardhurat e të gjitha kishave, pas regjistrimit të tyre etj, disponihen si më poshtë:
40% e tyre depozitohen në Arkën Qendrore të kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për pagesën e klerikëve dhe 10% për Kryepsikopatën ose Mitroplitë. Pjesa tjetër prej 50% disponohet nga Këshilli i Famullisë: Për pagesën e nënpunësve të kishës, për kryerje veprash brenda dhe përreth Kishës, për bursimin e të rinjve të famullisë, për ndihmën e të varfërve dhe të atyre që gjenden në nevojë dhe për vepra bamirësie. Këto buxhete miratohen prej Kryepriftit përkatës.
Teprica e mundëshme e Arkës depozitohet në emër të Kishës në llogari bankare të posaçme llogari e cila aktivizohet me nënshkrimin e të tre anëtarëve të caktuar të Këshillit Famullitar. Për shuma që kapërcejnë kufirin e përvitshëm të caktuar nga Sinodi i Shenjtë kërkohet miratim i Kryepriftit përkatës.
Të ardhurat nga vendet e pelegrinazhit dhe nga konizmat administrohen nga Këshilli i Kryepsikopatës ose ai Mitropolitan.
MASA DISPIPLINORE
Neni 63
Në qendrën e Kryepsikopatës dhe të çdo Mitropolie funksionon një gjykatë shpirtërore, e përbërë nga Hierarku përkatës si Kryetar dhe dy klerikë si anëtarë, e cila gjykon brenda tridhjetë ditësh, nga dita e kryerjes së fajit kanonik, të gjithë klerikët e juridiksionit të Kryepsikopatës apo të Mitropolisë. Për faje që përbëjne skandal kjo gjykatë mund të japë pezullim deri në një vit. Vendimet e gjykatës së mësipërme mund të apelohen në Sinodin e Shenjtë. Procedura gjyqësore që ndiqet për gjykimin e këtyre fajeve caktohet në Rregulloren e Përgjithshme të Administrimit.
Neni 64
Të gjitha fajet e rënda të parashikuara prej Kanoneve të Shenjta të kryera nga priftërinjtë, dhiakonët dhe murgjit, faji i të cilëve kapërcen kompetencën e Hirarkëve përkatës, dërgohen në Sinodin e Shenjtë, që i gjykon këto në formën e prerë.
Neni 65
Për çdo lloj dënimi vendimet e Sinodit merren me shumicë të thjeshtë votash.
Neni 66
Klerikët të cilët kryejnë shkelje të rënda kanonike apo penale për të cilat përcaktohet nga Kanonet e shenjta dënimi i zhveshjes, pas sugjerimit të kryepriftit përkatës, zhvishen me vendim të Sinodit të Shenjtë.
MBI MARTESËN DHE DIVORCIN
Neni 67
Shërbesa e kurorëzimit kryhet pasi është marrë më parë leje me shkrim prej Kryepriftit të vendit të kryerjes së misteri tose prej Përfaqsuesit të tij.
Për dhënien e lejes kërkohet: a) Certifikatë Pagëzimi b) Deklaratë me shkrim e të fejuarve se nuk ekziston asnjë lloj pengese që mund të shkaktojë shtyrje ose anulim të martesës c) Vërtetimi i saj prej dy deshmitarëve të besuar d) certifiaktë celebrami nga Gjendja Civile – përderisa kjo lloj maltese është ë detyrueshme në Shqipëri.
Neni 68
Para ngritjes së padisë për divorc, Kryprifti përkatës bën përpjekje për pajtimin e bashkëshortëve.
Për zgjidhjen përfundimtare të martesës edhe shpirtërisht, kërkohet më parë paraqitja e vendimit të gjykatës civile, më të cilin zgjidhet martesa nëpërmjet divorcit. Shkresa përfundimtare e Autoritetit Kishtar nënshkruhet prek Kryepriftit.
MBISHKRIME DHE VULA
Neni 69
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë disponon këto mbishrime dhe vula respektive:
a) Për Sinodin e Shenjtë: “ Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë – Sinodi i Shenjtë”.
b) Për Kryepsikopatën: “ Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë- Kryepiskopata e Shenjtë”.
c) Për Mitropolitë: “ Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë – Mitropolia e Shenjtë e ….........”.
d) Për Manastiret: “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë – Manastiri i Hirshëm i ……..”.
e) Për Famullitë: “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë – Kryepsikopata ose Mitropolia – Famullia e……..”.
Vulat e parashikuara në paragrafet a),b),c),d) janë rrethore dhe kanë në qendër shqiponjën dykrenore tradicionale deh kryqin. Vula e parashikuar në paragrafin e) ka në qendër vetëm kryqin. Këto përdoren ekskluzivisht prej organeve kompetente përkatëse. Çdo vulë tjetër, e cila është përdorur gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit ose ndodhet në duar personash jokompetentë, është e pavlefshme.
Neni 70
Ky Statut suprimon dhe zëvendëson ata të mëparshmit. Mund të modifikohet me vendim të përbashkët të Sinodit të Shenjtë, të Këshillit Kishtar Kleriko-laik dhe të Asamlbesë kleriko-laike, me shumicë abslolute të anëtarëve të tyre. Nenet 1-6 të ketij Statuti nuk mund të ndry-shohen apo të suprimohen.
Ky Statut u pranua njëzëri nga Asambleja Kleriko-laike e Kishës Orhtodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që u thirr për këtë qëllim, më 04/11/2006 dhe u miratua nag Sinodi i Shenjtë.
©GC