Print Friendly, PDF & Email

The measure is available in the following languages:

PËR SHPALLJEN E “DITËS SË KUJTESËS”

(Ligj, Nr.9280, datë 23.9.2004)

Në mbështetje të neneve 78 dhe  83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Në këtë ligj shprehja “Dita e kujtesës” ka kuptimin:

a) ditë e përkujtimit të viktimave të shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore:

b) ditë homazhi për viktimizimin kolektiv të njerëzve, në çfarëdo forme të ushtrimit të kësaj dhune, si etnocid, gjenocid, aparteid.

Neni 2

1. Data 27 janar, dita e çlirimit prej ushtrive aleate antifashiste të Kampit të Aushvicit, shpallet “Dita e kujtesës”.

2. “Dita e kujtesës” është dita e nderimit të të gjithë atyre që kanë ndihmuar për mbrojtjen fizike të hebrenjve në Shqipëri dhe të vetë shtetasve shqiptarë të kërcënuar nga i njëjti rrezik.

3. “Dita e kujtesës” është ditë e përkujtimit të përndjekjes së shqiptarëve në formën e zhdukjes fizike, burgosjes, internimit, dëbimit dhe spastrimit etnik.

4. “Dita e kujtesës” është ditë homazhi dhe reflektimi për cilindo që ka qenë objekt i dhunës kolektive, në formën e etnocidit, gjenocidit dhe aparteidit.

Neni 3

Në “Ditën e kujtesës” zhvillohen veprimtari përkujtimore me angazhimin e organeve shtetërore, si dhe të institucioneve kulturore  e shkencore.

Neni 4

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të promovojë “Ditën e kujtesës” në Republikën e Shqipërisë dhe të përgatisë kushtet për nderimin tradicional të saj.

Neni 5

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.4345, datë 11.10.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

 

© GC

 
Trascina file per caricare